NJË KONSERVIM MUZEOR I ARSIMIT SHQIP NË MAQEDONI

Një konservim muzeor i arsimit shqip në Maqedoni

(Recension mbi veprën e prof. Avzi Mustafës “Leksikon i pishtarëve të arsimit shqip në Maqedoni 1941-1971”)

Nga Zeqirija Ibrahimi, recensent

Në mungesë të një historie të sistemuar të shqiptarëve në Maqedoni (nga viti 2018, Maqedonia e Veriut), përkundër veprave të studiuesve të ndryshëm mbi arsimin shqip për periudha të caktuara dhe rajone të caktuara, ka mbetur e paplotësuar mungesa e një vepre të plotë të historisë së arsimit shqip në këtë areal shqiptar.

Kështu, ndonëse shkolla shqipe e kishte filluar jetën e saj në fund të shek. XIX, te shqiptarët në Maqedoni për herë të parë shkolla me mësim në gjuhën shqipe do të hapeshin vetëm më 1941, pra gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur ministri i Arsimit të Shqipërisë së pushtuar, Ernest Koliqi, do ta dërgojë kontingjentin e arsimtarëve të parë shqiptarë në këto treva (të diplomuar në Normalen e Elbasanit e gjetiu), të cilat pas pushtimit italian edhe të viseve shqiptare të Maqedonisë së sotme, do të quheshin Tokat e lirueme. Kjo edhe është arsyeja që ky leksikon i arsimtarëve shqiptarë e bën evidentimin e punës së tyre nga viti 1941 e këndej. Një valë tjetër e arsimtarëve shqiptarë do të vijnë edhe pas Luftës së Dytë Botërore, me një marrëveshje shqiptaro-jugosllave, por pas vitit 1948 kjo do të ndërpritej dhe krejt kuadri arsimor do të duhej të mbështetet në burimet e brendshme, fillimisht në kapacitetet e Shkollës Normale të Tetovës e të Shkupit (të themeluara fill pas LDB-së), të cilat përgatisnin mësues të ciklit klasor, më vonë të Shkollës së Lartë Pedagogjike (1952), Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Prishtinë (1960), që do t’i paraprijë Universitetit të Prishtinës (1970), ndërsa më vonë edhe në kapacitetet e Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe (1972).

Këtu duhet theksuar se një pjesë e arsimtarëve të ardhur nga Shqipëria, para dhe pas LDB-së, do të vazhdojnë të jetojnë dhe punojnë në shkollat shqipe të Maqedonisë deri në fund të karrierës dhe, madje, jetës së tyre. Kur flasim për këto grupe të arsimtarëve të ardhur nga Shqipëria, përveç mirënjohjes për sakrificën e tyre, që u shkëputën nga vendbanimet e tyre dhe një pjesë të madhe të jetës ose edhe gjithë jetën e kaluan duke edukuar nxënës shqiptarë të trojeve tona, duhet theksuar se ata ishin të parët që e mbollën edhe farën e dashurisë për kombin shqiptar e për gjuhën shqipe, që në një mënyrë mund të llogaritet edhe si guri themeltar i fillimit të ndërtimit të identitetit kolektiv kombëtar te shqiptarët në Maqedoni. Ndonëse vala e parë, e viteve të Luftës, ishte me ngjyrime tipike nacionaliste rilindëse, ndërsa e dyta kundërmonte edhe ideologji komuniste, në planin e veçantisë kombëtare, dashurisë për gjuhën dhe kulturën shqiptare, mbase edhe nuk dallonin shumë. Madje, duke e mbjellë këtë farë, ajo do të bartej si trashëgimi edhe në brezat në vijim, duke e ngjizur në kujtesën kolektive të popullatës shqiptare të këtyre anëve se ata ishin i veçantë, pra shqiptarë, që dalloheshin nga fqinjët dhe që e flisnin gjuhën shqipe si gjuhë amtare (kjo në kohën kur me mjete të ndryshme imponohej asimilimi kombëtar). Këta ishin arsimtarët e parë që fëmijëve shqiptarë do t’u mësonin poezi për gjuhën shqipe, do t’ua mësonin shkronjat shqipe, do t’u mësonin këngë e shqipe, si dhe ngjarje e figura të historisë kombëtare shqiptare. Në këtë mënyrë, edhe sipas teorisë moderne të nacionalizmit (Gellner, Hobsbaum), janë ndërtuar kombet.

Siç e dimë, pas LDB-së, në kohën që ishte marrë vendimi shtetëror për arsimimin e të gjithë fëmijëve që nga mosha 7-vjeçare, shqiptarët e këtyre trevave do të mundoheshin në çdo mënyrë të krijojnë kuadro për t’i mbajtur këto shkolla. Prandaj, derisa shumica e tyre do të bëheshin mësues përmes Normales, jo pak arsimtarë do ta ushtrojnë këtë profesion edhe vetëm përmes ndjekjes së kurseve pedagogjike, që ishin një shkollim intensiv për ta ushtruar profesionin e mësuesit. Më vonë, shumica e këtyre arsimtarëve do ta mbarojnë Shkollën e Lartë Pedagogjike, madje disa prej tyre do të vazhdojnë edhe në studime të larta universitare.

Kjo është pista në të cilën u zhvillua arsimi shqip, ndërsa arsyeja se pse si datë e regjistrimit të arsimtarëve në këtë Leksion është viti 1971 (që nuk është ndonjë kufi i rreptë) është për shkak se ky vit shënon mbylljen e dekadës së tretë të arsimit shqip në këtë republikë ish jugosllave, por edhe për arsye se pas këtij viti do të zgjeroheshin mundësitë për krijimin e kuadrove dhe numri i tyre do të rritej, aq sa vetëm një autor e ka vështirë për t’i regjistruar dhe përshkruar të gjithë.

E veçanta e kësaj vepre, e titulluar si Leksikon i pishtarëve të arsimit shqip në Maqedoni 1941-1971, është edhe se ajo ia del me sukses ta evidentojë gati gjithë listën e arsimtarëve shqiptarë që nga fillimi i hapjes së shkollave shqipe në këto treva e deri në fund të dekadës së tretë të këtij rrugëtimi. Autori i saj, prof. Avzi Mustafa, i njohur edhe përmes disa veprave të tjera të rëndësishme mbi arsimin shqip në Maqedoni, përmes një zelli vetëmohues dhe shtytjeje intelektuale, por edhe duke e respektuar një metodologji standarde shkencore për këtë tip veprash, arrin t’i regjistrojë gati të gjithë emrat e arsimtarëve të shkollës shqipe nga viti 1941 e deri më 1971, duke ofruar të dhëna të përgjithshmë biografike, si dhe të dhëna për karrierën e tyre profesionale. Siç do të shprehet edhe vetë ai në hyrje të Leksionit: Puna ime në këtë Leksikon është ta vlerësoj jo vetëm vetëmohimin e heshtur të mësuesve nëpër dekada, por edhe sakrificat e tyre të llojllojshme… Përveç biografive të çdo mësuesi/arsimtari, këtu e kam regjistruar edhe kohëzgjatjen e shërbimit në shkollë, transferimet prej një shkolle në një shkollë tjetër, largimet e diferencimet politike të tyre, si dhe kontributin e tyre në ngritjen kulturore e arsimore në të gjitha vendbanimet ku zhvillohej mësimi në gjuhën shqipe.”. Në këtë mëyrë, prof. Mustafa e ka përvijuar hartën e arsimit shqip në Maqedoni, duke i regjistruar edhe të gjitha shkollat me mësim në gjuhën shqipe, që – përveç kësaj – flasin edhe për praninë e elementit shqiptar në këto troje.

Kur flasim për këtë aspekt, duhet theksuar se në kohën kur qarqe të caktuara politike hartonin plane për shpërnguljen e shqiptarëve nga këto troje, hapja e shkollave shqipe ishte ndoshta mënyra e vetme që popullata të lidhej për vendin e tyre. Prandaj, ata arsimtarë që i hapën shkollat nëpër fshatrat e qytetet shqiptare nuk ishin vetëm iluministë me mision edukativo-arsimor, por ata në mënyrë të tërthortë – pa e shqiptuar fare këtë – e jepnin edhe mesazhin se “këtu janë vatrat tona dhe ne do ta zhvillojmë jetën aty”. Dhe, ky do të ishte një mision me përmasa historike, sepse hapja e shkollave shqipe ishte shpresë e popullatës shqiptare për ta ndërtuar jetën në vatrat e stërgjyshërve të tyre. Dhe, kur e ndërmendim se këta arsimtarë shqiptarë do të hapnin shkolla edhe nëpër fshatra të thellë, ku përveç kushteve elementare të shkollës e të mësimdhënies, mungonin edhe kushtet elementare të jetës, si banimi dinjitoz e tansporti, ndërsa ata kalonin nga disa vite të ndarë nga familjet e tyre, duke i shërbyer shkollës, nuk mund të mos e pranojmë se ata janë heronj ose, ashtu siç i quan autori i këtij Leksikoni, pishtarë, të cilët e ndezën flakadanin e iluminimit të kombit. Siç mund të shihet nga biografitë e shumta të këtyre arsimtarëve, ata pos detyrës formale, për të cilën ishin të angazhuar e të cilën e bënin me shumë përkushtim, në mënyrë vullnetare do të mbanin edhe kurse për zhdukjen analfabetizimit, një detyrë që bëhej vetëm me qëllim të emancipimit të kombit.

Nëse i lexojmë edhe vetëm disa nga biografitë e këtyre arsimtarëve, e vërejmë lehtë se ata kanë bërë një jetë shtegtari, duke qenë në lëvizje të vazhdueshme. Kjo ishte një politikë shtetërore për planifikimin e punës së arsimtarëve, e cila kërkonte një sakrificë shtesë. Arsimtarët i kalonin 20-30 vite jetë pa pasur një ngulim të përhershëm shtëpiak për familjen e tyre, duke qenë gjithnjë në lëvizje nga njëri kënd i gjeografisë shqiptare të Maqedonisë në një kënd krejt tjetër.

Ndërkaq, kur flasim për arkitekturën e veprës, mund të themi se autori e ka respektuar me përpikëri e akribi një metodologji shkencore që përfshin të dhëna të përgjithshme biografike për arsimtarin/arsimtaren (emri, mbiemri, viti dhe vendi i lindjes, si dhe viti e vendi i vdekjes – nëse ndërkohë ka vdekur), pastaj e përshkruan arsimimin e tij/saj, duke i radhitur të gjitha shkallët e arsimit, për të vazhduar me përshkrimin e vendeve të punës, pra shkollave në të cilat ka punuar, ndërsa në jo pak raste jep edhe të dhëna të tjera që janë me rëndësi për arsimtarë përkatës, si angazhimi në aktivitete kulturore, publike e politike. Në fund të përshkrimit jep informacion se ku dhe kur e ka përfunduar karrierën, duke e dhënë edhe burimin mbi të cilin mbështetet, për të qenë kështu deri në fund i saktë në kuptimin shkencor. Kur flasim për referencat shkencore, ai i ka vjelë dhe cituar të gjitha veprat që janë botuar si histori të arsimit shqip për rajone të caktuara shqiptare të Maqedonisë, ka punuar nëpër arkiva të shkollave e qyteteve, ndërsa nuk ka hezituar të kontaktojë edhe personalisht familjarë të arsimtarëve për të cilët nuk ka gjetur të dhëna dokumentare, për ta ndërtuar kështu artikullin gjegjës, sigurisht duke e shënuar burimin nëse ai ka qenë një i afërm i arsimtarit.

Edhe pse autori është përpjekur të sigurojë fotografi për secilin arsimtar, këtë synim nuk ka arritur ta përmbushë gjithnjë dhe kjo jo për fajin e tij, por për arsye thjesht objektive – disa arsimtarë nuk kanë fare fotografi, ndërsa disa kanë fotografi shumë të dobëta dhe, thjesht, të papërdorshme. Prandaj, siç do ta vërejmë në Leksikon, fotografitë dallojnë edhe për nga përmasat, edhe për nga mënyra e paraqitjes, por edhe për nga rezolucioni. Sidoqoftë, autori ka bërë një punë të njëmendtë si hartues i një leksikoni, duke u munduar të sigurojë edhe fotografi për arsimtarët e paraqitur aty.

Ky Leksikon, që është shumë për të qenë vepër e një grupi e autorësh, e të mos flasim se çfarë vlere ka si vepër e një autori, do të jetë evidenca dhe referenca më e rëndësishme e cilitdo studim të mëvonshëm që do të realizohet mbi shqiptarët në trevat e Maqedonisë së sotme, qoftë ai për historinë, arsimin ose emancipimin e përgjithshëm kombëtar.

Marrë në përgjithësi, me veprën Leksikon i pishtarëve të arsimit shqip në Maqedoni 1941-1971), autori, prof. Avzi Mustafa ia ka bërë shërbimin më të mirë historisë së arsimit shqip e shkollës shqipe, në përgjithësi, si dhe pishtarëve të arsimit, në veçanti, duke i përjetësuar emrat e tyre dhe duke i konservuar ata në artefakte muzeore, për mos t’u harruar kurrë më. Nëse deri tash ata kanë qenë të panjohur ose të harruar, i takon merita prof. Mustafës që emrat e tyre i ka skalitur në këtë leksikon dhe ata tashmë janë pronë e historisë sonë të gjithmbarshme kombëtare.

Janar 2024 – Zeqirija Ibrahimi, recensent

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura