NJË ROMAN SI POLIFONI LETRARE FEMËRORE 

NJË ROMAN SI POLIFONI LETRARE FEMËRORE 

Dy fjalë për romanin e ing. Eralda BAZE “Dielli më perëndon në lindje”, që autorja zgjedh ta promovojë në Vlorë

Msc. Albert HABAZAJ

poet, studiues

Autobiografi e intelektuales shqiptare në prozë do ta quaja romanin e parë të shkrimtares Eralda Baze. Eraldën si autore, nuk e njihja. Ndërsa Erën, personazhin kryesor të këtij romani tronditës, me të papritura dramatike, që rrëfen në vetën e parë, edhe pse s’kam as dy javë që komunikoj vëmendshëm me të nëpërmjet shkronjave, fjalëve, fjalive, paragrafëve, paradigmave e faqeve të “Diellit…”, më duket sikur e kam njohur shumë kohë më përpara, ndoshta qysh në vitet 2000, 1990, ’80  a më herët. Dhe më është bërë aq e dashur, saqë e marr me vete në çantën e punës nga shtëpia në universitet, këtu në bibliotekë dhe nga biblioteka në shtëpi. Edhe pse ndoshta mund të jem mbi 30 vjeç më i madh në moshë, mendimet e saj më pëlqejnë, më ngjajnë sikur janë dhe të miat. Dëshirat, ëndrrat e Parisit, zhgënjimet, rropatjet sfiduese dhe apatike, shoqërinë e gjerë shqiptare, gati të amorfizuar, po ashtu shoqërinë e ngushtë vetiake,  aventurat, natyrat e qeta, dashuritë dhe antidashuritë, fatet dhe antifatet, iluzionet e humbura, intrigat, kurthet, zilitë, hipokrizitë, maskat e pështirosura, apo tkurrjet e Egjiptit në periudhën e Pranverës arabe, magjepsjet, uljengritjet, dritëhijet, edhe portretin e binjakes Viola infermierja, (ndoshta i duhur jo vetëm për intrigën e romanit, por dhe shoqërisht e paevitueshem?!), i kam të regjistruara në kujtesë, siç i ka gdhendur autorja me fjalë me ngjyrim e forcë shprehëse. Sidomos dashurinë, tradhëtinë, botën e vogël dhe botën e madhe, depërtimin zhbirues deri në kapilarë të gërdallës me frymorë dykëmbësh populluar, apo synimet, etjen për dije, ndershmërinë profesionale të Erës i ndjej, i prek, më dhembin, më krenarojnë, më trishtojnë, tek përballet me derrat zhgërryes dhe dallgët e egra e tekanjoze të ligësisë provokuese. Bota e saj është e pasur dhe e pastër, që edhe pse përbaltet për t’u fëlliqur, nuk më lë në krahët e murmë të dëshpërimit, sepse ajo ngritet fisnikërisht ballëlart, pa u tutur, pa u përulur para vertikalitetit të asaj bote që Era jeton keq. Ajo jep dhe merr dashuri, jep dhe merr mesazhe drite, ajo ka udhëtim për të bërë. Udhëtim të gjatë për emancipim, jo për barazitizëm por për hieraki vlerash morale, qytetare dhe intelektuale. Sepse bërthama e dashurisë ka përmasa sa vetiake, në çift, familje e shoqëri rajonale, aq merr dhe përmasa universale, kur rrezaton e shpërndan mirësi humane për jetë të bukur e të virtytshme.

Nga ta nis e ku ta lë?… Sot jemi në një përurim libri, që miqtë e Tiranës e quajnë provim para dashamirësve të librit, para lexuesit të kulturuar vlonjat. Nuk mund të bëj një analizë letrare të veprës, por një vështrim të përgjithshëm shkurtimisht mund ta bëj.

Një autore e re e kompletuar në dije dhe e talentuar në dhuntinë letrare na vjen me një prurje të vlertë në letërsinë moderniste shqiptare, duke i dhënë fytyrën e saj të bukur, të freskët dhe simpatike. Eralda Baze vjen denjësisht si përfaqësim intelektual në botën e sotme letrare. Ajo nuk ka arsim të mirëfilltë universitar për gjuhë shqipe dhe letërsi apo për gjuhë të huaj. Princesha e “Diellit të saj që i perëndon në Lindje” vjen nga fusha e shkencave teknike dhe natyrore, ajo në profesion është inxhiniere ndërtimi, specialiteti hidroteknike, e cila studimet e larta i ka kryer në Tiranë dhe Ankara e zotëron pesë gjuhë të huaja: anglisht, frëngjisht, italisht, turqisht dhe kinisht, po aq sa shqipen, që në këtë sprovë të parë shkrimore e përdor cilësisht shumë pastër e rrjedhshëm.

Ndjej aromë letërsie në 357 faqe nga një diell që perëndon në Lindje… Absurde, mund të thotë dikush. Por jeta e shkruar në roman, shpesh herë mizerabël, në shfaqje e qetë, në zakonshmërinë e saj të pavërejtshme me enigmat e llahtarshme jepet bindshëm mbushmendëse me ngjyresat letrare dhe gjuhën e letërsisë artistike, duke qenë korrekte me historinë, në harmoni të hijshme me të gjithë elementët e organigramës romanore. Që në titull shtangesh e bëhesh kurioz ç’ka teksti dhe romani faqe pas faqe bëhet më tërheqës e befasues në gjetjet letrare, marrë nga jeta reale e pavënëreshme. Që në fillim të leximit kuptojmë që kemi të bëjmë me një prozë bashkëkohore lartësisht të përditësuar. Rrjedh lirisht leximi i mendimit shkrimor të qartë e të ngjeshur, me stil të lartë e të rrjedhshëm, me figuracion të plotë e të shëndetshëm, me gjuhë të thjeshtë e të zgjedhur moderne. Ndërkohë, shijojmë një ansambël figuracioni të dramacitetit tonë jetësor.

Vërehet meraku i saj për ruajtjen e natyrshme të karakterit të figurshëm të gjuhës në letërsinë artistike që prodhon. Pa dashur të heq paralele, fatbukurisht më afrohen në kujtesë emra lartësisht të ndritshëm të letërsisë shqiptare si dr. Fatos Arapi, që vjen nga fusha e ekonomisë, i cili studimet e larta i kreu në Sofje Bullgari apo Fatos Kongoli, që vjen nga fusha e matematikës, akademik, arsimuar në Pekin dhe Tiranë….

Ajo nuk kërkon me sforco statusin e romancieres modernise, sepse s’ka kuptim, ajo është shkrimtarja që na dhuron tri virtyte gati hyjnore në tokë: mirësinë, bukurinë dhe dobishmërinë sociale.

Qartësisht kthjellët e ka gdhendur si me daltë skulptori portretin romanor të “Diellit…” të Eraldës botuesi Gjonaj: “Romani bashkëkohor “Dielli më perëndon në Lindje”… Nëse ky libër nuk do të bëhet best-seller, dielli për autoren do të vazhdojë të lindë… në anën tjetër”… Besojmë që nuk ka nevojë për koment kjo paradigmë, se na tingëllon si zile Janine. Libri e plotëson strukturën e romanit modern të përditësueshëm, që prurë në këtë nivel të lartë artistik, pothuaj mezi duket me lente në detashmentin e misionarëve cilësorë të letërsisë së sotme, sepse Letërsinë bashkëkohore e ka shthurur, e ka sëmurë rëndë autovlerësimi i kollarepsur i anemikëve shkrimorë. Është një eksperment që bën autorja, është një sipërmarrje e guximshme  e saj e vetëdijshme, me intensitet shkrimor, se në këtë krizë vlerash, ku shfaqen pa doganë antivlerat do ta shkulë nga rrënjët pasivitetin social ndaj regjimeve sunduese. Autorja me fuqi të admirueshme qytetare dhe artistike lufton ndaj paragjykimeve kanunore, tejmesjetare, që, edhe pse teknologjia ka bërë hapa vigane, sepse jemi në periudhën digjitale, femra jonë, jo kudo në hapësirat mbarëshqiptare e rajonale ka shpëtuar nga kthetrat shtazore të Kanunit të Maleve apo sivëllezërit e tij në Ballkan në Lindjen e Afërme a në Lindjen e Mesme.  Ende fasadë. Ky roman të bën për vete, për të mos u ndarë me të se faqe pas faqeje ngopesh me ligjërim letrar, me të gjitha ngjyrat artistike të realitetit gri e shpesh herë të errët, galeri personazhesh, me hapësirë dhe kohë, ka gjeografi tutje, larushi identitetesh kulturorë, tradita, zakone, doke, dogma, fe, tabu komunitetesh lokalë dhe popujsh të tjerë.

Parë në këtë rrafsh, do të shprehesha që “Dielli …” i Eralda Bazes përbën edhe një ndihmesë të dukshme për pasionantët, kërkuesit shkencorë, patjetër për studiuesit e antropologjisë kulturore dhe sociale. Përse shprehem kështu? Sepse, pavarësisht nga rrethanat e ndodhura apo që i kanë stisur djallëzisht të lartët liliputë, autorja gjen mundësinë të na paraqesë Erën si mikrounivers jetëshkrimi, çel vizionin, merr guximin e thyen tabu, na rrëfen me mjeshtëri letrare një pafundësi peizazhesh, mes shqetësimeve dhe anktheve, na paraqet jo një qytetërim, por qytetërime të ngjeshura pas njeri-tjetrit, na njeh me kulturën e të tjerëve, të popujve të Lindjes, që sipas pretenduesve të linjës arabe: “Lindja është atdheu i bestseller-ave në të gjitha kohërat”. Krahas ultramodernes, takojmë realitete mjaft të lashta, të trishta, ende të gjalla prurë në kohë, po ashtu vërejmë edhe realitetet barbare të sotmërisë me të papriturat aq dramatike në pabesueshmërinë e ndodhur rrëfimore, që ndjekim gati me një frymë në shpalosjen dëshirore të këtij libri. Tipologji personazhesh, profilizim realitetesh, sidomos femra shqiptare e përshkruar llahtarisht bukur si te piktura “Klithma”= “Scream” e Edvard Munch (Eduard Munkut). Ende ndër ne, femra, si të jetë një plaçkë tregu e përdorur, kthehet në viktimën e agresionit të  një bote të egër e cinike, pangopshërisht intrigante.

Pa u futur në imtësira analitike, me bindje theksoj, se “Dielli…” i E. Bazes është një libër model i antropologjisë letrare, në të cilin pasqyrohen artistikisht ngjyresat e kohës që autorja ka njohur apo jeton.

Misioni i maratonës letrare të botuesit sa të rreptë aq bujar Gjergj Gjonaj dhe shkrimtarit të pamposhtur, altruistit dritërimtar, Mark Simoni: “Njih veprën, autorin s’e njeh” po realizohet me korrektesë në mënyrë shembullore në folezat e ngrohta e aq të dashura që e duan, që e kanë xhan librin nga Durrësi, …. në Fier e sot këtu, në Vlorë, në Bibliotekën universitare.

Sipas gjykimit tim, për Eraldën provimi i Vlorës kalon me vlerësimin shkëlqyeshëm. Vlonjatët e vjetër kujtojnë një thënie të legjendës shkodrane të futbollit shqiptar Loro Boriçi, kur drejtonte “Flamurtarin” në vitin 1958: “Duhet me lujt, por duhet dhe i fije fati”. Edhe Eralda në vitin 2021 ka shkruar bukur, por ka i fije fat, mirësinë e Gjergjit dhe Markut.

Ndoshta, ekspertët përkatës vlen të “zbulojnë” çfarë magneti ka vendosur në shpirt e në mendje, autorja, apo ku e ka gjetur magjinë e fjalës së artë që po rrëmben kaq shumë lexues kualitativë?!…

Nënë Tereza ka thënë: “Dielli është aty dhe në ditë me re”. Ndoshta ky ka qenë dhe një nga shtysat e romanit “Dielli më perëndon në lindje”e autores Eralda Baze.

Në udhëtimin e gjatë letrar, sa të bukur aq të vështirë, i uroj anamales nga Skrapari, të bëhet një fatose kreshnike e sfidave të ashpra e të thepisura  letrare, aq të pamëshirshme. 

Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko”, Vlorë

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura