NJË SHYP I LIRË DHE I PAVARUR NË KOSOVËN E ROBËRUAR

Më 2 prill 2024, në Prishtinë, në Institutin Albanologjik, u mbajt një akademi për nder të 50-vjetorit të “Zërit të Kosovës”. Mehmet Hajrizi ka lexuar një kumtesë për historinë e „Zërit të Kosovës“ dhe „Lirisë“.

NJË SHYP I LIRË DHE I PAVARUR NË KOSOVËN E ROBËRUAR

Fjalë në Akademinë e organizuar nga Shoqëria LËVIZJA dhe Shoqata e të Burgosurve Politikë me rastin e 50-vjetorit të numrit të parë të organit të shtypit klandestin “Zëri i Kosovës”

Nga Mehmet Hajrizi, Prishtinë, më 2 prill 2024

Zonja dhe zotërinj

Pas demonstratave të vitit 1968 skenën e luftës klandestine për çlirim, në dekadën e re e hapi organizata Grupi Revolucionar i Kosovës (GRK), e cila më vonë u riemërtua Organizata Marksiste-Leniniste e Kosovës (OMLK). Kjo organizatë çlirimtare me orientim të majtë u themelua më 3 mars 1973 nga përfaqësuesit e disa grupeve më të vogla, Kadri Osmani, Mehmet Hajrizi, Xhafer Shatri, Binak Ulaj dhe Feriz Seferaj, i cili më vonë e pushoi veprimtarinë. Do thënë këtu në kllapa se kanë ndodhur në këtë organizatë edhe raste të tjera të vetëlargimit vullnetar. Kjo praktikë, ndonëse e rrallë, dëshmonte karakterin demokratik të organizatës ku veprimtarët aderonin me vullnetin e tyre dhe mund ta pushonin veprimtarinë kur të donin, por nuk kishte asnjë rast përjashtimi nga radhët.

Ndonëse përndiqej duke arrestuar e dënuar shumë veprimtarë të saj, organizata arriti t’i përballonte goditjet sistematike policore dhe ta vazhdonte veprimtarinë deri në vitin 1982, kur u bashkua me organizata të tjera në një front, të quajtur Lëvizja për Republikën Shqiptare në Jugosllavi. GRK-OMLK pati jetën më të gjatë të veprimtarisë nga të gjitha organizatat e deriatëhershme në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare (LKSH).

Organizata i zgjeroi dhe konsolidoi radhët në të gjitha trevat shqiptare nën Jugosllavi dhe kishte rol të rëndësishëm në përgatitjen e kryengritjes së vitit 1981 në Kosovë, e cila bëri kthesë vendimtare drejt fundit të sundimit të huaj të kësaj krahine shqiptare. GRK-OMLK ishte vazhdimësi e LKSH, e cila ishte goditur rëndë viteve 1960, 1964, 1968.

Organizata shquhet për qëndresën ndaj persekutimit policor të regjimit pushtues; për strukturimin organizativ dhe shtypin klandestin të shumëllojshëm; për vlerat dhe virtytet e larta që kultivoi; për veprimtarinë e gjithanshme në zgjimin e ndërgjegjes kombëtare e çlirimtare shqiptare; për përgatitjen e kushteve dhe faktorëve të veprimit të hapur dhe të rezistencës kolektive; për bashkimin e vazhdimësinë e LKSH deri në luftën finale të UÇK etj.

Që në themelimin dhe konsolidimin e organizatës u instalua një sistem solid komunikimi të brendshëm dhe me publikun. Ajo kishte përcaktuar qartë objektivat e saj programore, rregullat dhe normat organizative, kishte filluar për herë të parë në jetën e LKSH-së të pas Luftës së Dytë Botërore botimin e organeve të shtypit, fillimisht me „Zëri i Kosovës“, më vonë “Pararoja” dhe “Liria”, e shumë materialeve e dokumenteve, trakteve politike, thirrjeve, botimeve të veçanta si përmbledhja poetike Këngët e lirisë etj., duke përhapur ndër qytetarët shtypin e saj të larmishëm.

Të flasësh për gjithë shtypin klandestin të GRK-OMLK-së në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe analitike në një veprimtari si kjo, për shkak të kohës së kufizuar është e pamundur. Prandaj do të përpiqem të bëj një pasqyrim sintetizues në vija të trasha për të dhe tipologjinë e tij.

Organi “Zëri i Kosovës” u themelua më 1973, por numri i parë i tij u botua më 1 shkurt 1974. Emërtimi i organit të shtypit klandestin “Zëri i Kosovës” nuk ishte gjetje origjinale e themeluesve. Në shkollën Fillore të Magurës së Lypjanit kisha parë më 1970 disa krijime letrare të nxënësve në një përmbledhje të ngjitur në muret e korridorit me titull “Zëri i Kosovës”. Megjithëse ky titull nuk i shkonte shumë krijimeve letrare të nxënësve, më pëlqeu shumë për një organ klandestin të shtypit. Emërtimi “Zëri i Kosovës” i përgjigjej mirë organit tonë, sepse i tillë mëtonte të ishte, por kishte edhe analogji me gazetën jetëgjatë shqiptare “Zëri i Popullit”.

„Zëri i Kosovës” në numrin e parë, në Fjalën hyrëse shkruante: “Të nisur nga pikësynimi për të kryer sa më me nderë detyrën tonë prej revolucionarësh ndaj atdheut, kemi vendosur për botimin e këtij organi. Përmes tij jemi përpjekur dhe do të përpiqemi t’i përgjigjemi flakë për flakë edhe përmes shtypit luftës sonë të shenjtë për çlirimin tonë kombëtar dhe bashkimin me atdheun tonë të dashur.” Ndërkaq në numrin e parë më 1 tetor të vitit1980 të organit tjetër të organizatës “Liria” e mirënjohur, në kryeartikull shpaloste programin e vet, të cilit i qëndroi besnik gjatë gjithë botimeve deri më 1982.  Aty midis tjerash shkruante: “… ‘Liria’ do të jetë një tribunë e vërtetë e popullit që ka për qëllim të ndihmojë bashkimin e gjithë popullit në luftë kundër pushtuesve dhe tradhtarëve.

‘Liria’ do të luftojë pa mëshirë kundër armiqve të popullit tonë dhe do të demaskojë propagandën e poshtër, demagogjike e mashtruese të tyre.

‘Liria’ do t’i tregojë popullit qartë cilët janë armiqtë e vërtetë të tij, kush i rrëmbeu lirinë, kush e vrau dhe e mashtroi, kush e dëboi nga vatrat e veta, kush e varfëroi dhe e çoi në këtë gjendje të mjeruar, kush i përplas nëpër burgjet e errëta jugosllave bijtë e tij, kush e shtyp dhe e shfrytëzon kaq egërsisht dhe do t’i tregojë cila është rruga e shpëtimit nga robëria e tmerrshme.

…‘Liria’ jonë do të jetë gjithë jetën tribunë e së vërtetës, e drejtësisë dhe zëri i lirisë së vërtetë të popullit tonë.

‘Liria’ do të punojë e luftojë me vullnet të hekurt për edukimin dhe kalitjen e popullit me një patriotizëm të flakët e revolucionar.

‘Liria’ do të ngrejë lart me krenari traditat e shkëlqyera luftarake të së kaluarës së lavdishme të popullit tonë, përpjekjet e luftërat e tij për liri e bashkim kombëtar…”

Organi më i rëndësishëm i shtypit klandestin të organizatës „Liria“ u përgatit në Kosovë por u shtyp në Perëndim, me përkujdesjen e shkëlqyer teknike të veprimtarëve të shquar Kadri Zeka dhe Jusuf Gërvalla. Gjatë veprimtarisë së tij katër vjet rresht në Zvicër, Kadri Zeka shkroi me zjarr dhe me mendje të ndritur, shumë materiale. Për organin “Liria”, shkroi në mërgim edhe veprimtari i shquar Jusuf Gërvalla.

Shumë veprimtarë me peripeci dhe rreziqe i kanë dërguar në Perëndim materialet e „Liria“-s, të përmbledhjes „Këngët e lirisë“ etj.  dhe i kanë kthyer në Kosovë e gjetkë në mijëra ekzemplarë të botuar, për t’u shpërndarë dorë më dorë dhe për t’u kopjuar e shumëfishuar. Ndër ta do veçuar sidomos veprimtarin e përkushtuar Hasan Malaj-Plaku.

Organizata kishte hartuar dhe botuar më 1978 dokumentin strategjik programor „Në rrugë drejt lirisë“, kurse më 1981 si program minimum të kryengritjes së atij viti, dokumentin “Teza rreth Frontit për Republikën e Kosovës”, i cili përbënte edhe bazën e një bashkimi të gjerë të LKSH.

Shtypi klandestin ishte shtylla kurrizore e vetë organizatës dhe fondi i pasur që i shërbeu vazhdimësisë së lëvizjes vijuese.

Në materialet e kësaj organizate, të botuar në përmbledhjen voluminoze dokumentare „Nga Grupi Revolucionar te Fronti i Republikës“, paraqiten 40 autorë me 111 punime të llojeve dhe temave të ndryshme që bëjnë polifoninë e kushtrimit të lirisë dhe të zgjimit shqiptar. Ata ishin veprimtarë të organizatës nga të gjitha trevat shqiptare nën Jugosllavi, me formim profesional të ndryshëm; profesorë, studentë, nxënës, arsimtarë, gazetarë, mjekë, nëpunës etj. Një letër e gjetur së voni do t’i bashkëngjitet këtij botimi dokumentar, e cila sikur edhe të tjera të botuara aty, është shkruar nga udhëheqësi i organizatës për të gjithë anëtarët e saj.

Shtypi klandestin ndikonte për edukimin atdhetar e luftarak të qytetarëve shqiptarë, i informonte ata objektivisht për gjendjen robëruese në të cilën ndodheshin, pasqyronte shfrytëzimin kolonial të Kosovës, demaskonte politikën shoviniste antishqiptare dhe bënte thirrje për nevojën e rezistencës kundër regjimit pushtues, duke përgatitur potencialin kombëtar për veprime të hapura jo vetëm në barrikada, por edhe në frontin e luftës së armatosur. Duke lexuar këtë shtyp, lexuesi do të vërejë gjuhën e tij polemike, të ashpër, por edhe patetike e revolucionare.

Nëpërmjet shtypit kompleks dhe shumëdimensional klandestin e çlirimtar, organizata synonte zgjimin shqiptar në krahinat e pushtuara nga Serbia dhe Jugosllavia. Shkrimet e karakterit ekonomik, që pasqyrojnë me fakte, të dhëna dhe argumente shfrytëzimin kolonial të Kosovës, vështrimet historike që sjellin para lexuesit traditën luftarake shqiptare, informatat nga zhvillimet aktuale, çështjet programore e organizative, traktet politike, letrat interne dhe të jashtme, pastaj arti dhe letërsia e angazhuar kombëtarisht etj., përbëjnë mozaikun e këtij shtypi klandestin të pasur. Shtypi ynë, ndryshe nga ai zyrtar, shpërfaqte anën tjetër të Kosovës, anën reale të gjendjes nën robëri, shpirtin luftarak të popullit shqiptar që duhej zgjuar dhe besimin në fitore, përballë propagandës demagogjike e mashtruese dhe represionit të regjimit në përpjekje për përjetësimin e sundimit shovinist.

Duke qenë në konflikt me regjimin, ky shtyp ballafaqonte përfaqësuesit e dy botëve, njëra e së kaluarës, e kalbur, e shitur, e korruptuar deri në palcë, me urrejtjen e tiposur në zemrat e vogla kundër LKSH, dhe tjetra e së ardhmes, me shikim drejt horizonteve të lirisë, e gatshme për privacione e sakrifica dhe e vendosur për ngadhënjimin e kauzës së saj.

Disa nga konceptet, idetë dhe përmbajtjet e këtyre shkrimeve nuk janë aktuale në kohën tonë të një realiteti krejt tjetër në Kosovë, por shumë të tjera, qoftë si vlera, ideale, parime apo ndjenja, duke qenë universale dhe të gjithëkohshme, si dashuria për atdheun dhe përkushtimi vetëmohues për të, liria, demokracia, të drejtat e njeriut, drejtësia sociale, barazia etj., mbeten sot dhe nesër imperativ i vazhdueshëm dhe obligim moral, politik e kombëtar i të gjithë brezave.

Publikimet e këtij shtypi përbënin aspekt të rëndësishëm të veprimtarisë së organizatës, pasqyrimin e shkruar të saj, por njëkohësisht edhe aktakuzën e veprimtarëve. Shtypi klandestin kishte shumë sfida, si përndjekja policore, nisja nga zero e kësaj veprimtarie, mungesa e mjeteve materiale, teknike dhe e bazave të sigurisë etj. Atë do vlerësuar në kontekstin historik të kohës.

Vështirë mund të gjendet shembull tjetër, veç në Mesjetën e errët të inkuizicionit, të jenë ndjekur aq shumë shkrimet, por edhe njerëzit, vetëm pse lexonin një revistë të shkruar me fjalën e lirë dhe të vërtetën, siç ishte „Liria“. Por siç ka thënë diku Debs “E vërteta është gjithnjë e rrezikshme për pushtetin e maskarenjve, të shfrytëzuesve e të grabitësve. Ja përse e shtypin të vërtetën”. Kjo ishte arsyeja përse ndiqeshin egërsisht materialet e shtypit tonë klandestin, autorët e lexuesit, por këtu qëndron edhe roli historik i tyre.

Një nga hetuesit në burg më tregonte me mburrje e krekosje një ekzemplar të “Liria”-s sonë, duke thënë se “kjo revistë ishte e rrezikshme derisa nuk e kishim kapur, por tashti nuk ju kryen më punë; është e vdekur. As ti nuk do të mund të bësh punën tënde këtu i mbyllur, pos me pak të burgosur që do të takosh nëpër burgje.” Por fakti ishte që “Liria” botohej dhe shpërndahej në mijëra kopje dhe lexohej nga dhjetëra mijë lexues. Fakt ishte gjithashtu që jashtë burgjeve ishin mijëra veprimtarë të tjerë që do ta shpinin më tej flakadanin e ndezur të lirisë. Megjithatë të burgosurit politikë e vazhdonin veprimtarinë edhe brenda burgut, sepse ndonëse ishin me duar të lidhura, shpirtin dhe mendimin i kishin të lirë, sepse nuk mund t’u vinin pranga censorët, as zinxhirë skllavërimi e korruptimi të ndërgjegjes.

Materialet e shtypit paraqesin stadin e zhvillimit të LKSH të kohës, e cila shënonte ngritje cilësore politike dhe organizative, shtrinte radhët në gjeografinë e pushtuar shqiptare dhe në të gjitha shtresat e shoqërisë, duke zgjeruar gamën e veprimtarisë në shumë drejtime. E liruar nga konceptet dhe praktikat sektare, anarkiste, oportuniste, por edhe terroriste, të cilat përshkonin jo pak lëvizje kombëtare e shoqërore të kohës gjithandej në botë, e papërlyer me shovinizmin, fashizmin, racizmin e ksenofobinë që karakterizonte regjimin pushtues, GRK-OMLK me shtypin e saj klandestin dhe gjithë veprimtarinë, shquhej për pastërtinë e luftës, legjitimitetin e qëllimeve, drejtësinë dhe programin çlirimtar, humanist e demokratik.

Rolin historik të shtypit e përbejnë sistemi i vlerave të tij, zgjimi i ndërgjegjes kombëtare-çlirimtare, përgatitja dhe mobilizimi për veprim kolektiv, bashkimi i gjerë i subjekteve të LKSH dhe sigurimi i vazhdimësisë së lëvizjes.

Materialet e shtypit klandestin të organizatës mund të gjenden dhe të shfrytëzohen në librin dokumentar të përmendur më parë, në arkivat e Kosovës dhe të Shqipërisë, në ata të Beogradit e të kryeqyteteve tjera të ish-republikave jugosllave, por edhe në arkivat e gjyqeve e të ish-veprimtarëve. Shumë nga materialet nuk janë gjetur ende, ose mund të jenë zhdukur. Shtypi ynë klandestin përbën burim informacioni objektiv dhe faktesh të pakundërshtueshme për historianët dhe studiuesit tjerë të brezave shqiptarë dhe të huaj.

***

Në përfundim do thënë se programi dhe shtypi klandestin si dhe veprimtaria GRK-OMLK-së kanë lënë gjurmë të thella në  jetën dhe rezistencën e shqiptarëve kundër regjimit gjakatar pushtues serb e jugosllav. Shkrimet e shtypit klandestin, duke qenë frymëzuese, edukuese e mobilizuese, mbeten aktuale deri sot, kur intervencionistët e mbajnë Kosovën në shënjestër, kur në plan botëror po rikthehet epoka e Luftës së Ftohtë e gara e armatimit dhe rrezikimi i paqes, kur duhet të jemi të zgjuar e të gatshëm për mbrojtjen e vlerave tona, lirisë, pavarësisë, integritetit dhe nderit e dinjitetit tonë.

Këto shkrime mbajnë vulën e gjakut të trembëdhjetë dëshmorëve të organizatës, dy prej të cilëve, Naser Hajrizit dhe Asllan Pirevës, ua shënojmë sot edhe me këtë Akademi 43 – vjetorin e rënies në ballë të  kryengritjes shqiptare të vitit 1981.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura