NOEL MALCOLM: ROBERT ELSIE, 1950 – 2017

Londër, 8 shkurt 2018: Vdekja e Robert Elsie-t më 2 tetor 2017 ishte goditje e rëndë për të gjithë shqiptarët si dhe për këdo tjetër që është i interesuar për historinë, gjuhën, letërsinë dhe kulturën e viseve shqiptare. Atyre që e njihnin nga afër, lajmi i ndarjes së tij nga jeta u shkaktoi një dhembje të jashtëzakonshme, sepse Roberti ishte thjesht një nga njerëzit më të dashur e më shpirtmirë që të bie fati dhe privilegji ta takosh në jetë.
Sigurisht, çdo qenie njerëzore është e pazëvendësueshme. Por pazëvendësueshmëria e Robert Elsie-t në sferën e studimeve shqiptare është e një shkalle absolutisht të pakrahasueshme.
Roberti u lind në Vankuver të Kanadasë në vitin 1950 dhe ndoqi studimet universitare (filologji klasike dhe gjuhësi) në Universitetin e Kolumbisë Britanike (British Columbia University). Studimet pasuniversitare, në Berlin, Paris, Dublin dhe Bon, i kurorëzoi në vitin 1978 me doktoraturën në fushën e keltologjisë dhe gjuhësisë krahasuese. Si kanadez ai e njihte frëngjishten shumë mirë; koha që kaloi në Paris e bëri ta fliste këtë gjuhë rrjedhshëm, ashtu si vitet në Gjermani e kthyen shumë shpejt në një folës të përkryer të gjuhës gjermane. Punimi i doktoraturës, botuar më 1979, kishte si temë historinë dhe natyrën e keltishtes bretone, që përfshin variantet e keltishtes së folur në Bretanjë të Francës dhe në Uells dhe Kornuoll të Mbretërisë së Bashkuar. Në vitet në vijim ai e ktheu vëmendjen tek familja tjetër e gjuhëve kelte – gjuhët goidelike (që përfshin gjuhën galike skoceze, keltishten e ishullit Man, dhe irlandishten), për të cilat në vitin 1986 botoi studimin monografik me titull “Marrëdhëniet dialektore në goidelishte”. Në këtë punim shihet qartë se sa gjera e të thella ishin njohuritë e tij në çdonjërën prej këtyre gjuhëve, sepse tema lidhej me shkallët e dallimeve të ndërsjella ndërmjet keltishtes së ishullit Man, tre dialekteve të ndryshme të irlandishtes, dhe pesë dialekteve të gjuhës galike skoceze.

Robert Elsie, Noel Malcolm dhe Bejtullah Destani.

Kjo na jep një ide të aftësisë së jashtëzakonshme të Robertit për t’i thithur si sfungjer gjuhët e vështira. Por kjo flet edhe për një karakteristikë tjetër të tij: për nga natyra atë e tërhiqnin gjuhët dhe kulturat e papërfillura, të ashtuquajtura “të vogla”: ato “hirushet” bukuroshe fati i të cilave është që të lihen disi pas dore -si nga bota akademike ashtu edhe qarqe të tjera – krahasuar me motrat më të mëdha, “bijat e shëmtuara të njerkës”. Ishte më se tipike që, nga të gjitha gjuhët sllave, Roberti ia kushtoi përpjekjet më të mëdha mësimit të sorbishtes, një gjuhë e folur nga një pakicë fare e vogël në Gjermani dhe Poloni. Vepra e tij“Antologjia e poezisë sorbe” u botua në Londër në vitin 1990.
Nga kjo mund të duket sikur gravitimi i Robertit drejt shqipes ishte thjesht një domosdoshmëri e pashmangshme. Por në të vërtetë ishte thjesht rastësia ajo që e çoi për herë të parë në Shqipëri në vitin 1978. Udhëheqësi i tezës së doktoraturës së Robertit në Bon, profesori Johann Knobloch, ishte njohur në të ri të tij me studiuesin shqiptar Aleks Buda, kur të dy ishin studentë në Vjenë në vitet ’30. Pas zgjedhjes së tij Kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Budës iu krijua mundësia ta ftonte Knobloch-un, së bashku mendonjë student të tij që mund të ishte i interesuar, të vizitoninTiranën. Ftesa të tilla, që anashkalonin procedurat zyrtare normale të vizitave me grupe nën mbikëqyrje të rreptë, ishin pothuaj të padëgjuara në atë kohë. Siç do të shprehej edhe vetë Roberti më vonë: ‘Ishte një mundësi e rrallë ta vizitoja Shqipërinë pa pasur nevojën të bëhesha anëtar i ndonjë grupi marksist-leninist dhe ta kaloja verën duke lexuar veprat e Enver Hoxhës; si mund ta refuzoja një ofertë të tillë?’
Ato dy javë që kaloi në Shqipëri bënë që jeta e Robertit të kthente në një drejtim krejt tjetër –ndoshta fillimisht në mënyra jo fort të dukshme. Aty për aty filloi të mësonte gjuhën shqipe. Në gjysmën e parë të viteve’80 ftesa u përsërit çdo vit dhe vizitat e tij u bënë ngjarje të përvitshme. Përveç kësaj, u regjistrua edhe në Seminarin Ndërkombëtar të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqipe të Universitetit të Prishtinës ku, ndryshe nga Tirana, nuk kishte pengesa për të pasur kontakte me njerëz të zakonshëm. Sa më mirë e zotëronte gjuhën, aq më shumë i shtohej dashuria për kulturën dhe për njerëzit.

Robert Elsie, 1950 – 2017

Ndërkohë, i duhej të fitonte jetesën. Arritjet akademike mund t’i kishin siguruar shumë lehtë një post universitar në keltologji, nëse do të ekzistonte ndonjë i tillë, por në atë kohë nuk kishte. Ndaj në vitin 1982 filloi punë si përkthyes i gjermanishtes dhe anglishtes në Ministrinë e Jashtme gjermane në Bon. Pas nja dy vjetësh që kishte filluar punë aty, fati ndërhyri përsëri. Ndodhi diçka krejt e pazakontë: në vitin 1984 erdhi në Bon një delegacion shqiptar për të biseduar mbi mundësinë e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Shqipërisë dhe Gjermanisë Perëndimore. Delegacioni nuk kishte sjellë me vete ndonjë interpret të përshtatshëm, kështu që gjermanët i kërkuan Robertit të bënte punën e interpretit.
Në atë kohë ai mendonte se nuk kishte kualifikimin e duhur për ta kryer atë rol. Por, siç kujtonte më vonë: ‘Nuk ka shtysë më të fortë për ta mësuar një gjuhë shpejt se sa kur të caktojnë interpret në bisedime politike të nivelit të lartë, dhe pikërisht këtë e bëra. Në muajt dhe vitet që vijuan i hyra me të gjitha forcat e mia mësimit të shqipes.’ Me shtimin e mëtejshëm të kontakteve zyrtare gjermano-shqiptare në fundin e viteve ’80, ai shumë shpejt u bë interpreti numër një i konferencave dhe delegacioneve – përfshirë edhe delegacionet gjermane që shkonin në Tiranë. Aty ndonjëherë i krijohej mundësia të rrinte më gjatë pas mbarimit të detyrave zyrtare, kohë të cilën ia kushtonte hulumtimeve në Bibliotekën Kombëtare.
Gjatë këtyre viteve Roberti jo vetëm që lexonte gjerësisht letërsi shqipe, por filloi të njihej edhe me shumë shkrimtarë, poetë dhe akademikë në Shqipëri dhe Kosovë. Prej vitit 1985 filloi të botonte recensione mbi vepra shqiptare në revistën World Literature Today (Letërsia Botërore Sot). Një përmbledhje e këtyre recensioneve u botua si libër më vete në vitin 1996, me titullin Studies in Modern Albanian Literature and Culture (“Studime për letërsinë dhe kulturën bashkëkohore shqiptare”). Që në vitin 1986 botoi “Fjalori i letërsisë shqiptare”, me shënime të hollësishme për shkrimtarë shqiptarë të çdo lloji – jo vetëm për autorë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, por edhe nga bashkësia e arbëreshëve të Italisë apo edhe autorë të tjerë më të largët si familja siriano-shqiptare Arnauti nga Damasku. Një vit më vonë botoi një libërth me përkthime të poezive të Migjenit në gjuhën gjermane.
Pas tyre vijuan një numër i madh studimesh dhe artikujsh të tjerë të shkurtër, deri sa, në vitin 1995, Elsie botoi kryeveprën e tij, “Histori e letërsisë shqiptare”, në dy vëllime me 1052 faqe. Kjo vepër – një arritje e jashtëzakonshme e shkruar me qartësi të lakmueshme – përmban një thesar të dhënash faktike të ndërthurura me komente kritike të peshuara mirë dhe plot ilustrime fotografike dorëshkrimesh, ballina librash dhe autorësh. Shtrirja tematike e saj ishte përsëri e gjithësishme, me diskutime për shkrimet në latinishte të humanistëve shqiptarë dhe ato në turqishte të autorëve shqiptarë osmanë. Zakonisht vepra të tilla monumentale bibliografike hartohen nga komisione të tëra akademikësh që punojnë pa pushim në zyrat e tyre, ditë pas dite, për vite e vite me radhë. Në vitin 1755, kur Dr.Samuel Johnson-i [Xhonsën] botoi fjalorin e tij e gjuhës angleze, u tha se Akademisë Franceze i ishin dashur dyzet vjet të nxirrte një vepër të ngjashme për gjuhën frënge. Kjo arritje e Robert Elsie-t – e shkruar në pjesën më të madhe në kohën e tij të lirë – është po aq ‘xhonsoniane’ për nga madhështia.
I shtyrë nga dëshira për ta njohur lexuesin perëndimor me visaret e kësaj letërsie, Roberti u bë një përkthyes shumë prodhimtar i teksteve shqipe. Në botimin Anthology of Modern Albanian Poetry: An Elusive Eagle Soars (“Një shqiponjë e arratisur fluturon: Antologji e poezisë së sotme shqiptare”) më 1993, Roberti përfshiu një numër të madh poetësh, që nga Migjeni dhe Lasgush Poradeci, deri tek Visar Zhiti dhe Mimoza Ahmeti. Në vitet e mëvonshme botoi vëllime më vete me përkthime të krijimeve të Zhitit dhe poetëve të mëdhenj kosovarë, Azem Shkrelit dhe Ali Podrimjes. Ndër përkthimet e tjera letrare të tij ishin edhe dy vëllime me tregime shqiptare dhe romani “I humburi” i Fatos Kongolit. Por ndërmarrja më e rëndësishme dhe më madhore në këtë fushë ishte përkthimi i tërë tekstit të “Lahuta e Malcís” të Fishtës, në bashkëpunim me poeten, përkthyesen dhe pedagogen kanadeze, Janice Mathie-Heck [Xhenis Mathi-Hek]. Kjo poemë me 15613 vargje, shkruar nga viti 1902 deri më 1909, është pjesë e eposit kombëtar shqiptar. Gjuha e pasur dhe dialekti thellësisht gegë i poemës bëjnë që shumë shqiptarë sot ta kenë të vështirë ta kuptojnë Lahutën. Ndaj edhe u jemi pashlyeshmërisht në borxh Robertit dhe Janice-s për këtë version në anglishte, me një metrikë që të kujton kadencën e trokutkalëruestek Hiawatha e Longfellow-te që ngërthen plotësisht vrullin narrativ të origjinalit.
Sa herë që më shkon mendja tek përkthimet letrare të Robertit, kam dy gjëra që më kanë mbetur peng. Njëra lidhet me poetin Lasgush Poradeci: dikur iu luta Robertit t’i përkthente të gjitha veprat e Lasgushit, por ai m’u përgjigj se Poradeci ishte tepër i vështirë për t’u përkthyer. Problemi nuk ishte aspak gjuhësor; Roberti ishte i mendimit se vetëm nga një poet i të njëjtit kalibër në botën anglishtfolëse mund të arrinte të shprehte në gjuhën e vet të gjitha nuancat e mrekullueshme të brishtësisë, mëdyshjeve, reshtjes nanuritëse, shpirtit të dorëzuar dhe qetësisë së paqtë të poezive të Lasgushit.
Pengu tjetër lidhet me shkrimtarin më të madh shqiptar të ditëve të sotme, Ismail Kadarenë. Roberti i lexonte me ëndje të gjitha romanet e Kadaresë; ai na ka dhënë edhe përkthime të mrekullueshme të disa poezive të tij dhe me shumë kënaqësi shërbeu si interpret në një turne të Kadaresë në Gjermani. Por nuk di se si një person i keqinformuar (dhe, ma merr mendja, edhe qëllimkeq) arriti ta bindte Kadarenë se Roberti ishte kritik dashakeq dhe pas kësaj Kadareja ia ndaloi Robertit t’ia përkthente veprat. Kjo ishte një goditje e papritur që e brengosi shumë njeriun që kishte bërë më shumë se kushdo tjetër – madje në fakt më shumë se të gjithë të tjerët së bashku – për të zgjuar interesin mbarëbotëror në letërsinë e sotme shqipe. Dëshiroj ta bëj të ditur botërisht se Robert Elsie ishte adhurues i madh i shkrimeve të Kadaresë. Çdo kritikë që mund të ketë bërë për ndonjë vepër të caktuar ishte krejt e papërfillshme dhe brenda kufijve të vlerësimeve kritike letrare normale. Roberti më ka thënë më se një herë se shpresonte shumë që Kadareja të merrte Çmimin Nobel për letërsi që, sipas tij, Kadareja e meritonte plotësisht.

Ish’presidenti Nishani e dekoron të madhin Rober Elsie

Edhe sikur të ishte kufizuar vetëm tek shkrimet dhe përkthimet nga letërsia shqipe, kontributi i Robertit përsëri do të ishte konsideruar asgjë më pak se madhështor. Por interesat dhe veprimtaritë e tij ishin shumë më të gjera se aq. Ai përpinte me etje të pashtershme çdo gjë që lidhej me historinë shqiptare, që nga shkrimet më të hershme për viset shqiptare, të cilat i përktheu dhe plotësoi me shpjegime bibliografike në veprën e tij Early Albania: A Reader of Historical Texts, 11th – 17th Centuries (“Shqipëria e hershme: antologji e teksteve historike, shekujt 11-17”); e deri në ato të shekullit të njëzetë: shih, për shembull, Gathering Clouds: The Roots of Ethnic Cleansing in Kosovo and Macedonia: Early Twentieth-Century Documents (“Stuhi në horizont: Rrënjët e spastrimit etnik në Kosovë dhe Maqedoni, dokumente të fillimit të shekullit të njëzetë”), dheThe Albanian Treason Trial 1945 (“Gjyqi i tradhtarëve shqiptarë në vitin1945”), një përkthim i transkripteve të gjyqit të inskenuar që dënoi figura kryesore të Ballit Kombëtar dhe Legalitetit. Ai ishte gjithashtu bashkëredaktor i disa vëllimeve me raporte diplomatike të mbledhura nëpër arkiva të ndryshme nga Bejtullah Destani, ndër të cilat edhe The Cham Albanians of Greece: A Documentary History (“Shqiptarët çamë të Greqisë: një histori e dokumentuar”), 2013; The Macedonian Question in the Eyes of British Journalists (1899-1919) (Çështja maqedonase sipas gazetarëve britanikë), 2015; dhe The London Conference and the Albanian Question, 1912-1914: The Despatches of Sir Edward Grey (Konferenca e Londrës dhe çështja shqiptare: telegramet e Sër Eduard Greit), 2016.
Siç ishte parë qartë edhe tek botimi i parë i“Fjalorit të letërsisë shqiptare”, Roberti e kuptonte sa të rëndësishme ishte pasja e mjetevetë besueshme bibliografike – sidomos kur bëhet fjalë për kulturën dhe historinë e një populli pothuaj sistematikisht të shpërfillur nga dijetarët jashtë vendit.Më vonë ai hartoi dhe botoi “Fjalorin historik të Shqipërisë” (2004) dhe “Fjalorin historik të Kosovës” (2004), të dy plot me informacione të dendura e të vlefshme. Në nëntor të vitit 2012, gjatë një darke në Tiranë, ku kishim shkuar për të ndjekur festimet kombëtare me rastin e njëqindvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, diskutova me të mundësinë e nisjes së një projekti – ku të përfshiheshin edhe Akademitë e Shkencave të Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe dijetarë të tjerë – për hartimin e një botimi të ngjashëm me Dictionary of National Biographynë Mbretërinë së Bashkuar, apo Dizionario biografico italiano. Të dy ishim në pajtim të plotë se kjo ishte diçka shumë e dëshirueshme, porkërkonte një përkushtim të jashtëzakonshëm kohe dhe energjish, që asnjëri prej nesh nuk i kishte. Nuk kaloi as një vit, kur më erdhi me postë një kopje e Biographical Dictionary of Albanian History (“Fjalor biografik i historisë shqiptare”) një libër me 541 faqe, së bashku me një pusullë të vogël ku më shkruante se në mungesë të një projekti të madh kolektiv për hartimin e një fjalori biografik, kishte vendosur t’i futej punës e ta shkruante vetë.
Interesi i Robertit nuk kufizohej vetëm tek shqiptarët, por përfshinte edhe këdo që kishte shkruar për ta në të kaluarën. Një nga sfidat më të vështira që ndërmori në jetën e tij ishte redaktimi dhe përkthimi i përshkrimeve të trojeve shqiptare në ditarin disavëllimësh të Evlija Çelebisë, shkrimtarit osman të shekullit të shtatëmbëdhjetë. Ngase ky botim mbante emrat Robert Elsie dhe Robert Dankoff si bashkëredaktorë, kisha menduar se tekstet i kishte përkthyer Dankoff-i (studiues i shquar i historisë osmane), ndërsa Roberti kishte shtuar shënimet. Mbeta pa mend kur Roberti më tha se përkthimin e kishte bërë kryesisht vetë – ndonëse, siç tha me thjeshtësinë që e karakterizonte, ‘osmanishtja nuk është ndër gjuhët e mia të forta.” Punime të tjera, më pak të mundimshme nga ana gjuhësore, ishin botimi i ditarëve të Edward Lear-it, përkthimi i shkrimeve të Johann Georg von Hahn-it, një prej pionierëve gjermanë të albanologjisë, si dhe botimi i dy teksteve madhore që i kishte zbuluar në arkiva: i pari ishte historia e parë e plotë e përgjithshme e Shqipërisë, Histoire de l’Albanie, shkruar nga Jean-Claude Faveyrial në vitet 1880, dhe kujtimet voluminoze të albanologut të madh hungarez, Franz Nopcsa, Reisen in den Balkan (Udhëtime në Ballkan), të cilat në botimin e Robertit zënë plot 620 faqe.
Fusha të tjera me interes të veçantë për të ishin folklori dhe besimet popullore të shqiptarëve. Libri i tij Dictionary of Albanian Religion, Mythology and Folk Culture (“Fjalor i besimeve fetare, mitologjisë dhe kulturës popullore shqiptare”), 2001, është një botim i mrekullueshëm me gamë të gjerë tematike; një vepër e pashoqe me plot kuptimin e fjalës. Po kështu, Albanian Folktales and Legends (“Përralla dhe legjenda shqiptare”), 2001, përmban përkthime të shumë rrëfimeve që i kishte gjetur në përmbledhje të shtypura në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe fillim të shekullit të njëzetë. Një nga botimet e tij më të rëndësishme ishte The Hasluck Collection of Albanian Folktales (“Përmbledhje me përralla shqiptare nga Heslak”), i vitit 2015, i cili përmban të gjitha rrëfimet popullore shqiptare (475 faqe) të mbledhura gjatë viteve 1920 dhe 1930 nga Margaret Hasluck, një tjetër albanologe e madhe.
Robert Elsie-n e mahnitnin edhe fotografitë e hershme dokumentare të viseve shqiptare. Ai botoi dy vëllime me këto pamje: “Dritëshkronja: Fotografia e hershme nga Shqipëria dhe Ballkani jugperëndimor”(2007), dhe “Shqipëria dhe Kosova në ngjyra: Autokromat e koleksionit Alber Kan” (2008). Të dy albumet janë shumë të bukur; tek i dyti, fotot origjinale me ngjyra të periudhës menjëherë pas luftërave ballkanike të mahnisin me mbresat e gjalla që krijojnë pamjet e kapura në to.
Roberti gjurmoi dhe gjeti edhe fotografi të tjera të panumërta të cilat i ka vënë në faqen e tij të internetit (www.elsie.de) – jo vetëm foto të njohura nga fototeka e famshme Marubi, por edhe fotografi nga udhëtarë perëndimorë dhe njerëz të tjerë pothuaj të panjohur, që prej viteve1860 e këtej. (Fluturonte nga gëzimi kur, në vitin 2015, zbuloi disa pllaka fotografike mjaft cilësore të Edith Durham-it që ruheshin në Institutin Mbretëror të Antropologjisë në Londër; pak më vonë atë vit bëri një prezantim të mrekullueshëm të këtyre fotove për Shoqatën Anglo-Shqiptare në mjediset e Institutit). Por fotografitë janë veçse një nga kategoritë të materialeve të përfshira në faqen e tij të internetit; aty gjen, për shembull, një koleksion të pasur me pamje nga vepra arti dhe kostume popullore shqiptare, incizime të shumta të të folmeve të ndryshme të shqipes (të lidhura me një hartë ndërvepruese), një varg tekstesh historike për Shqipërinë dhe Kosovën të renditur kronologjikisht, si dhe koleksioni më i madh i letërsisë shqipe të përkthyer në gjuhën angleze që ekziston në internet. Shpresoj me gjithë zemër që kjo faqe interneti të vazhdojë të ekzistojë edhe në të ardhmen.
Roberti punonte me shpejtësi dhe saktësi të habitshme. Në vitin 2002 ai filloi punë si interpret i shqipes në Gjykatën Ndërkombëtare Penale për Ish-Jugosllavinë në Hagë. Kjo lloj pune, gjatë së cilës shpesh i takonte të përkthente dëshmi për ngjarje të tmerrshme, kishte periudha aktiviteti e ngarkese të madhe, me disa pauza në mes tyre dhe, sa herë kishte ndonjë orë paksa më të lirë, ai hulumtonte, shkruante libra, përkthente tekste, apo shtonte materiale të reja në faqen të internetit.

Varri i Robert Elsie’s në Theth të Shqipërisë.

Ritmi me të cilin prodhonte libra Roberti i tejkalonte kapacitetet e shumicës së shtëpive botuese, për të cilat duhet thënë se librat me temë shqiptare rrallë ishin tërheqëse nga pikëpamja e fitimit. Për vite me radhë Roberti pati një bashkëpunim shumë të frytshëm me Qendrën e Studimeve Shqiptare me seli në Londër, të drejtuar nga Bejtullah Destani; nuk besoj se e teproj nëse them se gjatë këtyre njëzet viteve të fundit Bejtullahu dhe Roberti kanë bërë shumë më tepër se kushdo tjetër për t’i dhënë botës informacion dhe për të nxitur një të kuptuar më të mirë të historisë dhe kulturës shqiptare. Qendra asnjëherë nuk ka pasur fonde të mjaftueshme dhe, kësisoj, sigurimi i parave për të paguar kostot e shtypjes së librave gjithmonë ka qenë problem. Në vitin 2015, nën logon e Qendrës për Studime Shqiptare, Roberti filloi t’i botonte librat e tij në Amazon me teknologjinë e shtypjes me porosi (print on demand), që zgjidhte problemin kryesor të financimit. Brenda vetëm dy vitesh e gjysmë (2015-17) ai botoi 35 vëllime: disa prej tyre ishin vepra të autorëve të tjerë të redaktuara lehtë prej tij (si botimet e Edith Durham-it), dhe disa të tjera ribotime të librave që i kishte nxjerrë më herët. Megjithatë, të paktën tetë prej tyre ishin libra të rinj që i kishte shkruar vetë, ose i kishte përkthyer apo bashkëredaktuar.
***
Roberti jetoi për shumë vjet në fshatin e vogël Olzheim, rreth 65 kilometra në jugperëndim të Bonit, pranë kufirit me Belgjikën. Më vonë, kur punonte në Gjykatën e Hagës, kaloi me banim në Scheveningen (lagje veriore e Hagës buzë Detit të Veriut). Me përfundimin e punës atje shkoi të jetonte në Berlin me partnerin e tij, Stephan Trierweiler. Kur u nda nga jeta, në tetor 2017, mësuam se shkaku i vdekjes ishte sëmundja e neuroneve motorike. Kjo u erdhi krejt e papritur shumë miqve dhe mikeshave të tij, përfshirë edhe mua, që as nuk e dinim që kishte qenë i sëmurë. Madje herën e fundit që u takova me të, kur ishim të dy në Tiranë në prill të vitit 2016, sapo ishte kthyer nga pushimet që i kishte kaluar duke iu ngjitur maleve në verilindje të Shqipërisë; ishte si gjithmonë plot me energji e plane të shumta për hulumtime të reja e libra të rinj.
Arkivoli me trupin e Robertit u soll në Shqipëri dhe u vendos në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë, ku erdhën shumë njerëz për t’i bërë respektet dhe për t’i dhënë lamtumirën e fundit. Pas kësaj, më 18 tetor u varros në Theth, një fshat me bukuri të mahnitshme lart në Alpet shqiptare, të cilin e kishte vizituar kaq herë dhe e donte kaq shumë.
Në të gjallë Robert Elsie u nderua me titullin Anëtar i jashtëm Nderi i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe me Medaljen e Mirënjohjes nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë. Sigurisht që ai i vlerësonte pa masë këto nderime që iu bënë, por Roberti ishte një njeri me shpirt tejet vetëmohues e modest dhe gjithçka e bënte i nxitur nga mrekullimi që i ngjallte tema e tij dhe dashuria për historinë, kulturën dhe njerëzit e viseve shqiptare. Të gjithë miqve e mikeshave të Robertit në Kanada, Mbretëri të Bashkuar, Gjermani, Shqipëri, Kosovë e gjetkë, do t’u mbetet i pashlyer në mendje dhe në zemër kujtimi i këtij burri aq të butë, gazmor, mendimtar, tejet inteligjent, mrekullisht shpirtmirë dhe pafundësisht bujar.
Nga gjuha angleze Majlinda Nishku

———————————————————-

SHTOJCË E PASHTRIKU.ORG
ROBERT ELSIE MIKU I MADH I SHQIPTARËVE

Dashuria e tij për Shqipërinë, Kosovën dhe shqiptarët gjithandej, ishte e pashtershme. Kjo dashuri e Robert Elsie-t ishte aq e madhe, sa shumë herë miqve të tij u thoshte se gjëja më e bukur do të ishte që të vdiste në tokën shqiptare….
Thethi, banesa e fundit e Robert Elsie

***
Report TV – Robert Elsie zbulon letrat dyshekullore me Alfabetin e Elbasanit
https://www.youtube.com/watch?v=Ri14jZE201M

***
Robert Elsie për Edith Durham
https://www.youtube.com/watch?v=6bJ3uYdwKPo

***
Robert Elsie me një koleksion fotosh të Edit Durhamit
https://www.youtube.com/watch?v=k3GmEQBfFs8

***

Dritare.net, dalja e fundit e Robert Elsie
https://www.youtube.com/watch?v=s5Dipa3633Y

***
Ndahet nga jeta albanologu Robert Elsie
https://www.youtube.com/watch?v=fjASZmRWdsk

***
Vdiq Robert Elsie 02.10.2017
https://www.youtube.com/watch?v=Rywf5vOvPdk

***
Report TV – Homazhe për albanologut Robert Elsie
https://www.youtube.com/watch?v=Ne4rftfqmKk

***
Robert Elsie, rrugëtimi i fundit – Top Channel Albania – News – Lajme
https://www.youtube.com/watch?v=wW1pWsI8l9s

***
Albanologu Robert Elsie u varros në Theth
https://www.youtube.com/watch?v=Xz-Skrrl2IM

***
Dritare.net- Varrimi i Robert Elsie
https://www.youtube.com/watch?v=a5Whqym-wOE

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura