Nga Xhafer Durmishi – Skenderi, Suedi, maj 1992 – shkurt 2024
-2. LNÇKVSHJ dhe OMLK – Jusuf Gërvalla- Kadri Zeka
Në tetor 1980, dy muaj pas numrit të parë të “Lajmëtarit të lirisë” filloi dalja e revistës “Liria”, organ i Marksistë-Leninistëve të Kosovës (OMLK), që pati si rrjedhim edhe njohjen e Kadri Zekës me Jusuf Gërvallën. Ata duhet të jenë takuar në mes të shkurtit 1981. Por nuk është e vërtetë se ata filluan menjëherë bisedimet për bashkim. Pra fjalët e Sabriut, se menjëherë pas kontaktit të Jusufit me Kadriun filluan bisedimet për bashkim nuk janë të vërteta. Të pa vërteta janë edhe fjalët se ai e njoftonte LNÇKVSHJ-në në Turqi dhe kryetarin Metush Krasniqi. Është pikërisht mungesa e çfarëdo kontakti me LNÇKVSHJ-në, ajo që Jusuf Gërvalla nuk mund të bënte kurrfarë bisedimesh për bashkim. Por fakti që ai nuk mund të zhvillonte bisedime për bashkim nuk do të thotë se edhe nuk bënte punë për bashkim. Ai (Jusufi) Kadri Zekës i ofroi ndihmë ashtu siç i kishte ndihmuar më parë Ibrahim Kelmendit. Ia la në dispozicion disa artikuj Kadri Zekës që të zgjedhë për numrin e tretë të “Lirisë”, i cili doli në maj 1981, nën mbikëqyrjen teknike të Jusuf Gërvallës, i cili e radhiti dhe bëri të gjithë punën grafike e teknike për nxjerrjen e numrit të tretë. Jusufi gjithashtu organizoi dërgimin e këtij numri në Kosovë, duke e angazhuar për këtë punë shokun e vetë të ngushtë Haxhi Berishën nga Prapaqani, i cili ka futur me mijëra ekzemplarë të këtij numri në Kosovën e mbushur me forca të mëdha ushtarake e me atmosferën e orës policore.
- Shtutgart, 23 maj 1981: Jusuf Gërvalla në demonstratën e organizuar në Shtutgart të Gjermanisë. (Marrë nga libri i Arif Haxhisë: “Dritat e gjerdanit të lirisë kombëtare”)
Pranvera e vitit 1981 edhe në Evropën Perëndimore shkoi në shenjën e demonstratave të ndryshme e të një aktiviteti intensiv në përkrahje të demonstratave të Kosovës.
Tek në mars 1981, pas 15 muajve, Sabriu mori kontakt me Jusufin dhe menjëherë filloi të diskutoj me të për çështjen e nxjerrjes së “Zërit të Kosovës” si organ i LNÇKVSHJ-së.
Jusufi përgatiti teknikisht numrin 4-5 të “Lirisë”, që doli në korrik 1981, dhe kontribuoi me artikuj. Edhe në këtë rast ai i dha detyrë Haxhi Berishës ta marrë përsipër futjen e këtij numri të dyfishtë në Kosovë. Kësaj radhe, prej anës së Kadri Zekës, ndihmës e shok i tij i rrugës u caktua Hasan Mala.
Çështja e bashkimit u aktualizua pas pushimit të demonstratave në mërgim, aty kah mesi i korrikut, kur numri 4-5 i “Lirisë” doli nga shtypi. Për një nevojë të bashkimit flitej e bëhej shumë fjalë. Në pritje të një bashkimi u vendos që të mos dilet me “Zërin e Kosovës” si organ i LNÇKVSHJ-së.
-3. Tezat e OMLK-së rreth Fronit Popullor për Republikën e Kosovës
Në shtator erdhën Tezat rreth Fronit Popullor për Republikën e Kosovës tek Jusufi. Jusufi ishte parimisht 100 % me tezat që shtroheshin. Ai i shtypi (radhiti) në makinën e tij të shkrimit, i shumëzoi, i dërgoi një numër ekzemplarësh Kadri Zekës në Zvicër dhe vet i shpërndau në krejt rrethin e Shtutgartit. Bashkimi shikohej si një çështje dite, bisedat dukej se do të ishin vetëm formalitet me një procedurë shumë të shkurtë. Jusufi kurrë nuk do të përshkruante (radhiste) ato teza e t’i shpërndante sikur të mos pajtohej pikë për pikë me pikëpamjet e tyre.
Sabriu vazhdon: “Unë dhe Bardhoshi dolëm me qëndrimet e Organizatës që përfaqësonim: Të bashkohemi në një organizatë të vetme e cila mund të quhej Lëvizja për Republikën Shqiptare në Jugosllavi”. Jusufi nuk ka përgatitur asgjë me shkrim për bisedimet e Stambollit të tetorit 1981, as Bardhoshit nuk i ka thënë asnjë fjalë për ndonjë farë Lëvizje për Republikë. Jusufi është pajtuar me germën dhe me frymën e tezave rreth Frontit për Republikë, ashtu si ai i ka lexuar ato dhe si ua ka përcjellë vetë të tjerëve.
Tezat Jusufi i ka kuptuar në këtë formë:
– Formimi i partisë pararojë e cila do ta udhëheqë Frontin,
– Në parti do të hyjnë kuadrot më të formuar dhe më të dëshmuar.
Këtë lloj interpretimi e ka lënë të nënkuptohet Kadri Zeka gjatë kontakteve me Jusufin.
Në Stamboll, gjatë bisedimeve Kadriu jep sqarimin e vetë konkret e lakuriq se si duhet lexuar tezat:
– Jo parti pararojë e përbërë nga anëtarë të organizatave të tjera, por vetëm nga radhët e OMLK-së,
– vetëm anëtarët e OMLK-së janë marksistë, komunistë të formuar,
– në organizatat tjera të tillë nuk ka, prandaj të tjerët – në Front për Republikë, nën udhëheqjen e OMLK-së.
Bardhoshi u kthye të premten më 16 tetor 1981, më saktësisht një ditë para udhëtimit tim me Jusufin e Bardhoshin në panairin e librit në Frankfurt. Rrugës për në panair na u dha rasti së pari ta dëgjojmë Bardhin të tregoj për takimin e Stambollit. Bardhoshi tregoi se bisedimet në mes Sabri Novosellës e Kadri Zekës sa i përket bashkimit ishin të shkurta, dhe u ndërprenë shumë shpejt pasi Kadri Zeka tha se nuk ka ardhë të bisedoj për bashkim.
Thelbin e bisedimeve ai e tregoi me këto fjalë:
Sabri Novosella: Mund të fillojmë bisedimet për çka jemi mbledhur, bisedimet për bashkimin e organizatave në një të vetme?
Kadri Zeka: Ne jemi për krijimin e një fronti në bazë të këtyre tezave, i cili do të udhëhiqet nga OMLK!
SN: Ne kemi menduar se do të vish për çështjen e bashkimit të organizatave. Është çështja e këtyre bisedimeve për shkak të cilave ne e kemi pezulluar nxjerrjen e “Zërit të Kosovës” qe disa muaj!
KZ: Unë nuk kam autorizime me bisedua për bashkimin më shumë se ajo që thash, e që është në teza!
SN: Atëherë pse ke ardhur?
KZ: Që të shihemi!
SN: Sa për t’u parë, mua më shumë më ka marrë malli për familjen time që nuk i kam pa qe dy vjetë.
Bardhi vazhdon, se, menjëherë pas mbylljes së bisedimeve u vendos që të fillohet me nxjerrjen e “Zërit të Kosovës”, si organ i LNÇKVSHJ-së.
Jusufi u befasua nga mosrezultati i takimit, por edhe ishte i kënaqur që gjërat ishin qartësuar. Puna në nxjerrjen e “Zërit të Kosovës” qe e shpejtë dhe numri i parë doli pas njëzet ditësh, pra në fillim të nëntorit 1981.
Është paradoksale se si në bisedime qenka arsyetuar një qëndrim i përpiktë ndaj Republikës para dikujt që nuk ka ardhur as të zhvilloj bisedime, përveçse t’i komentoj e sqaroj tezat rreth Frontit, e vetëm pas një ore të jepet direktiva për nxjerrjen e një gazete krejt në kundërshtim me atë që është mbrojtur në bisedime.
Në bisedimet e Stambollit roli përçarës i Bujar Hoxhës nuk ka qenë vendimtarë për rrjedhën e tyre.
(VIJON)
© Pashtriku.org
___________________________
ORGANIZATAT POLITIKE SHQIPTARE NË EVROPË 1979 – 1985 (3)
Nga Xhafer Durmishi – Skenderi, Suedi, maj 1992 – shkurt 2024