ORGANIZATAT POLITIKE SHQIPTARE NË EVROPË 1979 – 1985 (3)

Nga Xhafer Durmishi – Skenderi, Suedi, maj 1992 – shkurt 2024

-4. LNÇKVSHJ dhe PKMLSHJ, bisedimet në Ankara

Rruga ime në Turqi më 13 shkurt 1982, në radhë të parë ka qenë për ta informuar Sabriun për gjendjen e krijuar pas atentatit të 17 janarit dhe për të planifikuar punën e ardhshme.

Sabriu thotë se Shtabi i partisë me Abdullahun në krye, me gjithë gjërat qesharake e budallallëqet e tyre çmohet shumë nga diplomacia shqiptare e Bujar Hoxha. Ne do të bisedojmë me ta për bashkim. Mos ta nënçmojmë gjendjen, përkundër budallallëqe­ve që ke me i dëgjuar nga goja e tyre, mund të ndodhë që të vij deri te bashkimi.

Udhëheqja e Partisë përbëhej nga:

– Abdullah Prapashtica, Kryetar i Partisë Marksiste Leniniste Shqiptare në Jugosllavi (PKMLSHJ),  

– gruaja e tij (e cila do të zgjidhej) kryetare e organizatës së gruas,

– Osman Osmani, sekretar,

– Faton Topalli, kryetar i organizatës së rinisë dhe nip i Abdullahut.

I vetmi prej tyre që din diçka, thotë Sabriu, është Fatoni, por si nip i Abdullahut nuk guxon të ketë mendime të pavarura.

Dhe me të vërtetë kur u takuam më vonë dukej se Fatoni ishte në aso pozite të keqe ku e kishte vu Abdullahu sa nuk di se a mund të gjendet ndonjë rast i ngjashëm tjetërkund. Vuajtja dhe mundimi i Fatonit qëndronte në atë se ai shpesh ngatërrohej dhe e kishte vështirë se si ta thirrte Abdullahun; shoku Kryetar apo dajë.

Thelbi i aktivitetit të partisë në gjithë “modestinë” e vetë ishte ky:

– Partia është autore e kërkesës Kosova Republikë dhe organizuese e demonstratave të vitit 1981,

– Abdullahu, në cilësinë e inspektorit të sigurimit shtetëror, ka pas mundësinë ta studioi aktin e Adem Demës-Demaçit. Për këtë arsye Adem Dema-Demaçi i takon PKMLSHJ-së, ai është ideologu i saj.

– Kriteri kryesor për zgjerimin e radhëve të partisë janë lidhjet familjare,

– Partia ka nxjerrë organin e vetë “Revolucioni”, në të cilin Kryetari i partisë dhe sekretari i saj shpallen heronj të popullit, si dhe organin e rinisë “Atdheu”,

– Partia i ka shkruar KQ të LKJ-së dhe e ka thirrë në bisedime nga pozita të barabarta,

Prandaj, vazhdohet me stilin e “modestisë”,

– çdo gjë e mirë nga demonstratat e vitit 1981 janë vepër e popullit, ndërsa për pasojat merr përgjegjësinë partia,

– të gjithë ata që kanë luftuar për bashkim kombëtar janë njerëz të komprometuar nga pikëpamja e Kosovës Republikë, dhe si të tillë duhet të tërhiqen mënjan ose t’i vihen në dispozicion politikës e shtabit të partisë, i cili ka dalë jashtë t’i bashkoi organi­za­tat në PKMLSHJ.

Ndaj budallallëqeve të këtyre kalorësve të situatave, unë reagova ashtu siç ishte e natyrshme për të reaguar. Përkundër të gjithave ne do të duhej të bisedonim me ta.

Pas tri ditë bisedash në Adapazar, në mbrëmjen e 16 shkurtit u nisëm me Sabriun për në Ankara, atje ku ishte vendosur udhëheqja e PKMLSHJ-së. Së pari në Ankara, në paraditën e 17 shkurtit, takuam Bujar Hoxhën dhe biseduam për gjëra të përg­jithshme. Ai e dinte se ne do të bisedonim për bashkimin. Ai shtroi një pyetje të drejtpërdrejtë: Pse unë isha kundër asaj që organizata e krijuar të quhet parti, dhe shtoi më pas: “Bashkohuni!”

Ndërhyrja e tij kishte një peshë. Por kryesorja ishte ajo që ne (unë e Sabri Novosella) nuk ishim kundër bashkimit, ndërsa “motivi kryesor” i udhëheq­jes së partisë për dalje jashtë, thuhej se ishte pikërisht që t’i bashkoj organiza­tat. D.m.th. ekzistonte baza për fillimin e bisedimeve pa kushte, me mundësi për marrje vendi­mesh, pa u fshehur pas mungesës së autorizimeve.

-5. Prishja e Sabri Novosellës me Xhafer Shatrin

Ardhja e Sabriut nga Turqia në Evropën Perëndimore nuk ishte ndonjë çështje e shpëtimit të vijës së Lëvizjes. Sabriu ishte mërzitur vetëm në Turqi dhe donte të vinte në Perëndim. Si refugjat politik në Turqi ai e kishte shumë vështirë të merr pasaportë. Xhafer Shatri ia dërgoi disa vërtetime e dokumen­te përmes lidhjeve që kishte me Ramadan Osmanin në Malmo të Suedisë, dokumente e ftesa për vizitë në Suedi, të cilat qenë vendimtare që Sabriut t’i jipet pasaporta e leja për të udhëtuar. Përgatitjet për sigurimin e dokumenteve të udhëtimit Sabriu i ka bërë pothuajse gjatë gjithë vitit 1983. Këto m’i thotë Xhafer Shatri, kur po përgatisnim numrin e dytë të “Zërit të Kosovës”, në mars 1983 në banesën e tij në Gjenevë. Ai disa herë u shprehë në formën: “Ta shpëtojmë Sabriun nga fushat e Anadollit”.

Në fillim të nëntorit 1983 Sabriu erdhi në Gjenevë te Xhafer Shatri dhe dukej sikur “moti ishte i kthjelltë” e çdo gjë do të jetë mirë. Sidomos qëndrimi i tyre ndaj diplomacisë shqiptare ishte pika më unike.

Sabriu sheh se, për gjithë ato kontakte që ishin krijuar përmes adresës së “Zërit” në Biel Bienne, ai ishte i painformuar dhe e ndjen veten të mënjanuar. Divergjenca të tjera lindin edhe për atë se, në historinë e Lëvizjes për Republikë cila datë është më e rëndësish­me: 17 shkurti apo 15 maji 1982. Pikë tjetër fërkimi ishin edhe bisedimet e tetorit 1981 të Stambollit me Kadri Zekën, ku Sabriu e paska paraqitur Xhafer Shatrin si anëtar të organizatës së vetë dhe krejt lindjen e OMLK, vetëm si rezultat të këputjes së lidhjeve me LNÇKVSHJ-në.

Sabriu e akuzon Xhafer Shatrin në Gjenevë dhe akuzat i shpërndan përmes telefonit të tij. Akuzat e Sabriut pra nuk ishin ndonjë kritikë, por akuza të vrazhda që kishin për qëllim shkarkimin e Xhafer Shatrit si drejtues të “Zërit të Kosovës”, qërimin e hesapeve me te në stilin “ose-ose”. Në akuzat e tilla Sabriu mbeti i vetmuar, sepse ato nuk i pranoi askush.

Nga procesverbali i mbajtur prej Ibrahim Kelmendit, del se Xhafer Durmishi, lidhur me fjalët që lëshonte diplomacia shqiptare kundër Xhafer Shatrit në vende të ndryshme tek shumë njerëz e jo vetëm tek Sabriu, i cili u bë zëdhënës i tyre, thotë: “Nuk jam për atë që të bazuar në Shqipërinë të akuzohen shokët”. 

Ky qëndrim i imi ndaj intrigave të diplomacisë shqiptare figuron edhe në letrën e Sabri Novosellës të 16 janarit 1984, dërguar mua e Faridin Tafallarit.

Xhafer Durmishi dhe Faridin Tafallari nuk e pranuan propozimin e Ibrahim Kelmendit për përjashtimin e Sabriut nga Lëvizja, dhe kështu erdhi tek një thyerje e re, thotë Sabriu në shkrimin e tij. Pikëpamjet e ndryshme e diametralisht të kundërta të Xhafer Durmishit me Ibrahim Kelmendin kanë qenë rregull dhe votimi i ndryshëm në këtë pikë nuk ishte diçka e re.

As Xhafer Shatri nuk ishte për thellimin e acarimeve për faktin e thjeshtë se sulmi i Sabriut mbeti i pa efekt. Kjo nuk do të thoshte se do të vazhdonte loja sikundër nuk ka ndodhur asgjë.

Sabriu ishte i vetmi të cilit i ngutej, ishte i vetmi që kishte interes që përçarjen ta çoi deri në shkëputje. Vetë sulmi i tij nuk kishte qenë i atij lloji për të lënë ndonjë urë lid­hjeje. Ai ishte i interesuar për këtë sepse pas atyre sjelljeve, ai kurrë më nuk do të mund të preten­donte për ndonjë vend me rëndësi në Lëvizje. Prandaj ai vazhdoi me disa  “komunikata”, “proklamata” e “qarkore” për të cilat vazhdimisht e ngarkon diplomacinë shqiptare.

Fushata kundër meje prej diplomacisë shqiptare, e as ndonjë fjalë e mirë prej tyre (nëse është thënë ndon­jëherë) kurrë nuk kanë pas ndikim në vendimet e mia. Fushatat e periferisë (me periferi nënkuptoj edhe intrigat e PPSH) nuk luajnë asnjëherë ndonjë farë roli, në qoftë se ata që ulen në një tavolinë janë unik dhe i mbajnë fjalët edhe pas përfundimit të mbledhjeve.

Komunikatat, qarkoret, një gazetë që doli në Bruksel si organ i një dege të Lëvizjes, pa marrëveshje me udhëheqjen dhe pikëpamjet e ndryshme sollën deri tek shkëputja.

Arsyeja që edhe unë u largova nga Xhafer Shatri e Ibrahim Kelmendi ishin pikëpamjet krejtësisht të kundërta lidhur me qëndrimin ndaj klubeve shqiptare e çështjeve organizative, pikë në të cilën Xhafer Shatri e Ibrahim Kelmendi mendonin njësoj. Për shkak të këtyre dallimeve unë kisha kërkuar dorëheqje nga Qendra Ekzekutive e Lëvizjes, qysh në korrik 1983 e që nuk ishte pranuar.

(VIJON)

© Pashtriku.org

________________________

ORGANIZATAT POLITIKE SHQIPTARE NË EVROPË 1979 – 1985 (4)

Nga Xhafer Durmishi – Skenderi, Suedi, maj 1992 – shkurt 2024

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura