GJERGJ NIKPRELAJ: LUFTA E TRIESHIT NË LEMAJË E GRABOM KUNDËR USHTRISË OSMANE (1907)

Pashtriku.org, 26. 01. 2016: Më 6 tetor 1907 filloi beteja e armatosur midis Trieshit dhe ushtrisë osmane në Luginën e Cemit në Lemajë dhe në Grabom. Kësaj ngjarjeje i paraprinë shumë konflikte të vogëla të vazhdueshme me Ushtrinë Osmane përgjatë kufirit, ku trieshianët kishin shtëpitë dhe pasuritë e patundshme, kurse të tjerët kishin atje shumë kullosa. Atyre nuk u lejohej të kalojnë kufirin politik me armë, as të punojnë tokat e veta ose të ujisin bagëtinë. Në atë kohë llogaritej se në Cem të Trieshit kishte më shumë se 8 mijë krerë bagëti të ndryshme. Edhe pse ekzistonte marrëveshja diplomatike midis Malit të Zi dhe Perandorisë Otomane, kalimi me armë ishte i lejuar. Ushtarët Osmanë në atë kohë ua merrshin armët trieshianëve pa të drejtë. T’i merret arma malësorit dhe t’i ndalohet mbajtja e saj, në atë kohë ishte ofendim i madh.
Trieshianët kishin vrejtje të përhershme ndaj sjelljeve të ushtrisë osmane ndaj grave dhe vajzave të familjeve të tyre, si dhe për shkak të hajnive dhe formave të tjera të dëmeve qe i bënte Ushtria Osmane në tokat e tyre. Ata kërkonin ngutshëm ndërhyrjen e Qeverisë së Malit të Zi, përndryshe kërcënonin se do të sulmonin Ushtrinë kufitare dhe asnjë ushtarë nuk do të mbetet i gjallë. Kështu konstatohej në aktin e kapitenit të Trieshit, Dedë Lokes Gjeloshaj, dërguar Drejtorisë së Qarkut në Podgoricë, gjegjësisht gjeneralit Velisha Llazoviq më 5 prill 1907, dhe disa herë më parë.
Sipas dokumenteve në disponim, situata shumëvjeçare në kufi ishte e tensionuar me pasoja negative, për arsye se filloi vazhdimi i ndërtimit të kështjellës ushtarake osmane në Shesh, që ishte tokë private e trieshianve dhe punimet e kësaj kështjelle ishin ndërprerë kohë më parë për arsye se Qeveria e Malit të Zi kishte intervenuar tek Qeveria Osmane me qëllim që t’i mbrojë interesat e trieshianve për ç’gjë siç u tha, ishte ndaluar ndërtimi i kështjellës. Trieshianët në mënyrë të arsyeshme u ngritën kundër, sepse ndërtimi i kështjellës e bënte të vështirë ekzistencën e tyre, (shfrytëzimin e tokave dhe të kullosave, sepse ata jetonin kryesisht nga blektoria). Pas një kohe të shkurtër vazhdoi ndërtimi i kalasë dhe trieshianëve iu ndalua kalimi me armë në kullosat e tyre në Cem.

Duket se qëllimi kryesor i Malit të Zi nuk ishte aq shumë mbrojtja e Trieshit, sa të mos punohet një fortesë e osmanëve, që dominonte në këtë kufi, në pikëpamje strategjike mbi Cemin e Trieshit. Sipas raportit të gjeneralit Velisha Lllazoviq, dërguar ministrit ushtarak në Cetinë, gjeneralit Mitar Martinoviq më 29 tetor 1907, në ora katër te pas ditës kishte filluar konflikti ushtarak mes Trieshit dhe Ushtrisë Osmane, së pari në Lemajë e në Shesh dhe pak më vonë në Grabom. Në raportin në fjalë më tutje thuhet që kishte filluar lufta edhe në Grabom, sepse atje gjëndej një ushtri e madhe osmane. Ushtria kishte filluar kundër dy kullave të trieshianëve në kufi, por në anën e Malit të Zi. Gjatë gjithë kufirit osmanët kishin zënë majet e maleve dhe vepronoin në të njëjtën mënyrë.
Komandanti i Kuçit Stojan Popoviq njoftonte më tutje “se nizamët sot në mëngjez kishin hapur zjarr në bagëtit e Trieshit këndej Cemit, duke mos i lejuar ato t’i afrohen ujit, bile kishin qëlluar me armë zjarri edhe kundër disa shtëpive në kufi me Trieshin. Në këtë rast Hoti e Gruda nuk e kishin ndihëmuar ushtrinë osmane dhe disa ditë më vonë kajmekani i Tuzit u kishte dhënë disa pushkë tuzianëve dhe grudasëve për të ndihëmuar nizamët. Komandanti Popoviq thotë se kishte të vrarë dhe të plagosur nga pala osmane.
Kryeministri i Malit të Zi, Dr. Tomanoviq i kishte dërguar misionit diplomatik malazez në Stamboll raportin për mënyrën se si e kishte lajmëruar Drejtoria e Qarkut dhe e komandës së dytë të divizionit të Podgoricës, dhe shtoi se Qeveria nëpërmjet pashës së atëhershëm-Guvernatorit të Shkodrës-kishte kërkuar masa për të ndalur të shtënat. Stojan Popoviq kishte kërkuar nga Gjelosh Toma Ujkaj të ndalojë luftimet, por ai nuk e kishte përillur fare kërkesën e tij. Gjatë gjithë natës ishin dëgjuar të shtënat. Kryeministri i Malit të Zi kishte kërkuar nga osmanët t’i ndalonte sulmet kundër Trieshit, përndryshe konflikti do të kishte pasoja të padëshirueshme. Qeveritarët e Malit të Zi kishin ndërhyrë tek Fevzi Pasha, komandant i Vilajetit të Shkodrës për një paqë të mundshme midis Trieshit dhe Ushtrisë Osmane në Lemajë dhe në Grabom. Guvernatori i Shkodrës kishte dhënë urdhër të prerë për armëpushim. Sipas dokumenteve arkivore sekrete që gjënden në Arkivin e Shtetit të Malit të Zi në Cetinë, por edhe në ato ruse dhe austriake të cilat i kishim në disponim tregojnë se përkundër vendosjes së lidhjeve ushtarake e diplomatike në nivelin më të lartë mbi ndalimin e armiqësive dhe vendosjen e paqës në kufi konflikti vazhdoi. Për Luftën e Lemajës dhe Grabomit do të kishte një rëndësi te veçantë Arkivi i Turqisë.
Nuk kaloi shume kohë dhe lufta u përhapë në gjatësinë Lemajë (Haxhitahir) dhe Hani i Grabomit. Këtë luftë e kishte organizuar paria e Trieshit. Ato ditë kjo pari kishte shkuar në Cetinë. Të gjitha marrëveshjet midis Osmanëve e Malit të Zi kishin dështuar. Ju filloni luftën e ne po shkojmë në Cetinë kishte thënë paria e Trieshit. Trieshi organizoi një forcë ushtarake vullnetarësh ku bënin pjesë 150 luftëtarë, duke përjashtuar këtu 33 vullnetarë të forcave rezervë dhe 28 të tjerë që nuk gjëndeshin në Triesh ato ditë. Velisha Llazoviq në raportin e tij shkruan se: ”Tërë Trieshi gjëndet në Lemajë në këtë luftë. Ambasadori rus në Cetinë njoftonte Petrogradin se në konfliktin e Lemajës e të Grabomit ishin vrarë e plagosur disa ushtarë osmanë. Ushtria osmane në Lemajë dhe në Shesh kishte 200 ushtarë, disa nga ata ishin atje për të punuar në kshtjellën e Sheshit.
Përfaqësinë e Trieshit në Cetinë e kishte drejtuar Gala Smajli. Aty ishin edhe Vatë Ujkaj, Gjekë Nishku dhe Dedë Lokja. Këta e njoftuan hollësisht Knjaz Nikollën dhe Qeverinë e tij. Ata kishin deklaruar se nuk lejojnë në asnjë mënyrë ndërtimin e kështjellës osmane në Shesh. Ata nuk e kishin kundërshtuar ndërtimin e kështjellës në Haxhitahir në Lemajë, sepse aty kishte ekzistuar edhe më parpara një kala. Qeveria e Malit të Zi kërkonte marrëveshje me çdo kusht. Por Gala Smajli kishte thënë: “Ne e bëmë tonën e ju bëni si të doni”. Knjaz Nikolla kishte inicuar disa konflikte midis malësorëve dhe ushtarëve osman. E bënte këtë për të fituar mbështetjen morale dhe besimin e autoriteteve të Malësisë së Mbishkodrës. Knjaz Nikolla bënte shumë veprime diplomatike. Ai kishte lidhje me disa burra shtetesh të Evropës. Ai kishte lidhje me Familjen mbretërore të Rusisë, sepse atje kishte të martuara dy bijat e tij. Lidhjet e tij familjare me Rusinë ishin mbështetje e madhe për Malin e Zi. Edhe mbretëresha e Italisë dhe e Serbisë ishin bijat e Knjaz Nikollës.
Çetën e Trieshit të Poshtën e kishte udhëhequr Kolë Prëçi Gjolaj nga Muzhecku i Trieshit. Ndërsa çetën e Trieshit të Epërm e kishte udhëhequr Gjelosh Toma Ujkaj. Çeta e Trieshit të Poshtëm sulmoi ashpër, duke rrënuar punimet e kështjellës në Shesh dhe menjëherë iu bashkuan Çetës së Epërme në Grabom. Luftëtarët trieshianë dëbuan ushtrinë osmane nga rajonet e tyre. Ata kishin zënë robë disa luftëtarë osman, por menjëhërë i liruan. Në luftën që ishte zhvilluar me 23 tetor 1907, në anën osmane fatëkeqësisht kishin marrë pjesë edhe disa shqiptarë.
Beteja e madhe sipas dokumenteve të cituara është zhvilluar në Grabom. Kjo betejë kishte zgjatur disa ditë. Atje ishin tubuar më shumë se 500 nizamë e civil. Shumica të ardhur nga postet kufitare të Rapshës të Kelmendit dhe disa poste tjera ushtarake të Vilajetit të Shkodrës. Aty kishte shumë civil që ishin ballafaquar ashpër në Luftën e Grabomit të cilën e drejtonte Gjelosh Toma Ujkaj. Sipas dokumenteve të kohës atje ishin vrarë e plagosur 20 ushtarë osman. Edhe disa luftëtarë trieshianë ishin plagosur midis tyre edhe komandant Gjelosh Toma Ujkaj. Pas këtyre luftimeve Trieshi kishte kërkuar dëmshpërblime.
Lufta e Trieshit në Lemajë dhe në Grabom kundër Turiqë i parapriu Kryengritjes së Malësisë të vitit 1911. Kjo ngjarje e madhe historike duhet të hyjë në kalendarin e kronologjisë të datave historike kombëtare shqiptare. Brezat e tashëm dhe të ardhshëm të Trieshit duhet t’i kujtojnë paraardhësit e tyre kreshnikë për veprat e tyre heroike në mbrojtjen e vendit të tyre dhe kjo betejë të mos harrohet përderisa të rrjedhë lumi legjendar i Cemit.
_________
SHËNIM: Ky studim për Luftën e Lemajës dhe të Grabomit është pjesë e monografisë në dorëshkrim të Gjergj Nikprelajt për Trieshin. Gjergj Nikprelaj ishte një studiues serioz. Shkrimet e tij u botuan në revistat dhe gazetat më prestigjioze të vendit. Për pothuajse 4 dekada bëri kërkime në arkiva dhe biblioteka të njohura. Punën e tij shkencore e vlerësuan shumë historianë dhe akademikë shqiptarë dhe të huaj. Në vitin 2004 Gjergj Nikprelaj botoi në New York veprën e tij të njohur “Kryengritja e Malësisë e vitit 1911”. Shpresojmë që një ditë të shohë dritën e botimit edhe kjo monografi e tij në dorëshkrim për Trieshin, vendlindjen e tij të dashur. (Gjekë Gjonlekaj)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura