ORGANIZATAT POLITIKE SHQIPTARE NË EVROPË 1979 – 1985 (4)

Nga Xhafer Durmishi – Skenderi, Suedi, maj 1992 – shkurt 2024

– 6. “Zëri i Kosovës”, Suedi

      “Zëri i Kosovës” që ka dalë në Suedi, për ndryshim nga shumë gazeta të asaj kohe

      – pikë qendrore në politikën e saj nuk e ka pas in­formatën bardhë e zi, por të përpunoj qëndrimet ndaj   

      – taktikës për Kosovën Republikë,

      – klubeve shqiptare, që kanë qëndruar jashtë Lëvizjes,

      – punës ilegale e legale,

      – metodave reale dhe atyre aventuriere,

      – çështjeve të organizimit,

      – punës për nxjerrjen e një gazete.

      Me fjalë tjera ta përshkruaj jetën e asaj organizate nga e cila është mundësuar dhe kushtëzuar dalja e tij. Për këtë edhe ka pasur shumë kritika në adresë të tij. Por ato gjithmonë kanë qenë nga një krah më i majtë e “revolucionar”. Epitetet kanë qenë: likuidatorë, revizionistë, republikan, dorështrirës etj.

      Nga procesverbali i mbledhjeve në banesën e Hasan Malës dhe nga letra e Sabriut e 16 janarit 1984, del se unë nuk i kam pas kurrë për busull pëshpëritjet e Bujar Hoxhës, Ibrahim Qavollit dhe as të Engjell Kolanecit, dhe kam pasë guxim me u deklarua për to, edhe pse dihej se atë proces Sabriu ia dërgonte Ibrahim Qavollit, në konsullatën shqiptare të Stambollit.

      Botëkuptimet e mia politike, pikëpamjet e mia mbi zhvillimin historik janë konstante materialiste përkundër furtunave e stuhive kaq të forta duke filluar prej dyfytyrësisë e deri tek njëqindë fytyrësia.

      Numri i parë i “Zërit të Kosovës”, me adresë në Suedi, doli në qershor 1984. Kjo gazetë doli përafërsisht njëherë në muaj gjer në korrik 1985. Në fillim të shkurtit 1985 Sabri Novosella, për shkaqe e teke të veta, ndoshta i penduar për prishjen e tij me Xhafer Shatrin u distancua krejtësisht nga gazeta “Zëri i Kosovës” me adresë në Suedi. Për këtë ai njoftoi shokët në Shtutgart e Zurich. Në prill apo maj 1985 Sabriu iu mbështetë Hysen Gërvallës, i cili u bashkua me atë pjesë të Lëvizjes që kishte qendrën në Zvicër. Nga kjo rrjedhë se thënia e Sabriut “urdhnova me e ndalë gazetën në Suedi” është falsifikim i të vërtetës.

      Pohim tjetër i Sabriut lidhur me “Zërin” që dilte në Suedi: “…e jepte bekimin diplomacia shqiptare për çdo numër të orga­nit”.

      Unë nuk di asnjëherë se si reagonte diplomacia shqiptare ndaj gazetës. Ata janë interesuar shumë se çfarë po shkruhet dhe kontaktonin vazhdimisht me të gjithë ata që kishin të bënin me gazetën, por kurrë drejtpërdrejt me drejtuesit e gazetave. Sipas logjikës së tyre ai që drejton gazetën duhej vetë të merrte iniciativën për t’i takuar. Në pranverën dhe verën e vitit 1985 thirrjet e kritikat e diplomacisë shqiptare se unë “punoj krye në veti e pa u konsultuar” kanë qenë monotone.

      Numri i fundit i “Zërit të Kosovës”, Suedi, doli në korrik 1985. Në këtë numër paralajmërohej ndërrimi i emrit të gazetës dhe emrit të organizatës për të zhdukë përzierjet që bëheshin me atë në Zvicër. Pas botimit të këtij lajmi, të gjetur para një situate të re, shokët në Gjermani e Zvicër dërguan katër veta në Stockholm dhe e morën makinën e shkrimit me të cilën ishte nxjerrë gazeta. Pra, ai i cili nuk është në gjendje për ta filluar e për ta mbajtë gjallë një gazetë ai kurrë nuk pyetet as kur me e ndërpre atë.

-7. “Zëri i Kosovës”, organ i LNÇKVSHJ-së

      Në vitin 1979 në statutin e LNÇKVSHJ-së, thuhet organ i saj është “Zëri i Kosovës”. Se si duket ky organ para nëntorit të vitit 1981, kur doli numri i parë, i përgatitur nga Jusuf Gërvalla, unë nuk e di dhe nuk kam takuar asnjë njeri që mund ta qes në tavolinë organin e lartpërmendur. Për këtë arsye ekzistenca e një gazete me emrin “Zëri i Kosovës” si organ i LNÇKVSHJ-së, përderisa të mos vërtetohet e kundërta mbetet një trillim, një çështje që në mungesë faktesh s’ka se si të besohet.

  • ZiK-u Nr.3, Mars 1982 i botuar pas vrasjes së Jusuf Gërvallës

-8. “Zëri i Kosovës”, organ i Grupit Komunist të Riza Salihut

      Në fillim të vitit 1980 në Kosovë ka qarkulluar një fletushkë e “Grupi komunist Zëri i Kosovës” që është nxjerrë nga Riza Salihu në Shtutgart. Në verën e vitit 1980 Sabri Novosella lajmërohet në Stamboll për fletushkën e Grupit Komunist “Zëri i Kosovës” për çka ai dëshiron t’i sigurohet shpejt një kopje që ta dërgoj në konsullatën e Stam­bollit dhe t’ua dëshmoj atyre tetekëve se shokët e Sabrisë dhe Komiteti Qendror me Kryetarin e vetë nuk hanë bukë badihava.

      Po në verën e vitit 1980 Jusuf Gërvalla takohet me Riza Salihun. Në bisedë e sipër Rizahu e pyet Jusufin se çfarë organi nxjerr organiza­ta e juaj. Kur Jusufi i përgjigjet se organ i LNÇKVSHJ është “Zëri i Kosovës”, Riza Salihu dëshpërohet e revoltohet shumë dhe e prishë bisedën me Jusufin. Më vonë kur Jusufi merr kontakt me Sabriun, në një ndër letrat e para i thotë se emri “Zëri i Kosovës” nuk është i përshtatshëm për organizatën tonë pasi të njëjtin emër e përdorë Riza Salihu për grupin e tij. Sabriu i thotë se “Zëri i Kosovës” i grupit të Riza Salihut është diçka tjetër nga “Zëri i Kosovës” i LNÇKVSHJ-së.

-9. “Zëri i Kosovës”, organ i LNÇKVSHJ-së, i drejtuar nga Jusuf Gërvalla

      Dalja me “Zërin e Kosovës” si organ i LNÇKVSHJ-së ishte planifikuar në verën e vitit 1981, por bisedimet me OMLK-në e që nxirrte revistën “Liria” e pezulluan këtë punë gjer në nëntor 1981, kur doli numri i parë i saj. Në janar 1982 doli numri i dytë. Vetura e Bardhosh Gërvallës në të cilën u vranë vëllezërit Gërvalla e Kadri Zeka ishte e mbushur me këtë numër i cili posa kishte dalë nga shtypshkronja. Mu për këtë, për aktivistët e rrethit të Shtutgartit kjo gazetë mori një përmbajtje shumë më të thellë se sa që kishte pasur përpara.

-10. “Zëri i Kosovës”, organ i LRSHJ-së

      Në bisedimet e Ankaras të 17 shkurtit 1982 shtrohet pyetja se çfarë emri të ketë gazeta e LRSHJ-së. Për shkak të ngjarjes së 17 janarit, para se të shkojmë në bisedimet e 17 shkurtit ishim marrë vesh me Sabriun që të mbrojmë emrin “Zëri i Kosovës” për organizatën e bashkuar, e cila u quajt LRSHJ me propozim të Osman Osmanit.

      Kur Sabriu ua propozoi “Zërin e Kosovës”, shokëve të partisë u qitshin sytë xhixha. Kurrsesi – thanë ata në fillim. Ne kemi nxjerrë dy organe, “Revolucionin” si organ të partisë dhe “Atdheun” si organ të rinisë që kanë luftuar për republikë dhe po heqim dorë nga emri i tyre për hir të bashkimit, kurse ju kërkoni ta mbajmë emrin e “Zërit të Kosovës”, emër i cili është i komprometuar me kërkesën për bashkim e për luftë kundër Jugosllavisë. Parimisht ata kishin të drejtë, por nga ato që kishin thënë se kishin bërë kishte aq mendje­madhësi të paskrupullt, kështu që ne nuk besonim aspak se organe të tilla kanë ekzistuar, bashkëbiseduesit nuk shfaqnin ato cilësi që do ta mbushnin mendjen se kanë qëndruar pas çfarëdo gazete që meriton për t’u zënë në gojë.

         Shokët e partisë u treguan mosmirënjohës dhe nuk ia dinin aspak për faleminderit Sabriut që e kishte gjet emrin për organin e Lëvizjes, duke lënë të nënkuptohej se bisedimet për bashkim nuk ishin drekë nrikullijash për t’ia ngjitë emrin një foshnje. Por meqë ne nuk u lëshuam pe në këtë pikë ata u pajtuan me këtë, apo thënë më drejtë u detyruan të pajtohen.

      Unë e Osman Osmani u kthyem në Gjermani më 22 shkurt 1982. “Zëri i Kosovës”, numri i tretë, ishte në fazën përfundimtare. Unë pritja se ai do të dali si organ i LRSHJ-së. Ndërrimi në kokën e organit nga LNÇKVSHJ në LRSHJ ishte një çështje tepër e thjesht. Osman Osmani ndërhyni duke thënë: “Le të del edhe ky numër si organ i LNÇKVSHJ-së në mënyrë që armiku të mos kujtoj se mbas atentatit u shkatërrua LNÇKVSHJ”. Ne në rrethin e Shtutgartit nuk e kundërsh­tuam në këtë pikë. Por e gjithë kjo ishte një dredhi e intrigë e cila kishte për qëllim të vonon çështjen deri më 14 e 15 maj (1982) në mënyrë që aty të shtrohej prapë çështja e emrit të gazetës për LRSHJ. Pra në këtë pikë ku ata vetëm nuk kishin mundur të bënin asnjë ndryshim, shpresonin tani më  14 e 15 maj se me ndihmën e Xhafer Shatrit do të bënin ndërrimin e emrit të organit. Xhafer Shatri, si përfaqësues i OMLK-së dhe i revistës “Liria” kishte arsye shumë më të mëdha që të kërkonte një emër më neutral se sa “Zërin e Kosovës”, për LRSHJ. Por emri i “Zërit të Kosovës” nuk u ndryshua as më 15 maj, përk­undër faktit se ishte e vetmja pikë që u diskutua.

– 11. “Zëri i Kosovës”, organ i Grupit Revolucionar të Xhafer Shatrit

      Më vonë, në vitin 1984 Xhafer Shatri shkroi një artikull, sipas të cilit një gazetë që ka dalë me emrin “Zëri i Kosovës” diku në vitet 1970 ka qenë organ i Grupit Revolucionar.  

(VIJON)

© Pashtriku.org

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura