ORGANIZATAT STUDENTORE SHQIPTARE NË SKANDINAVI PËRKRAHIN KËRKESAT E STUDENTËVE TË UP’së

Skandinavi, 30. 01. 2014 – (Organizatat Studentore Shqiptare në Skandinavi – Letër e hapur drejtuar studentëve dhe institucioneve të Kosovës.) Organizata jonë “Rinia dhe Studentët Shqiptar në Norvegji” (Albansk ungdom og studentforening) si edhe organizata studentore në Danimarkë me anë të kesaj letre të hapur i drejtohen studentëve Shqiptar si edhe instituicioneve shtetërore të Kosovës.
Duke parë dhe duke ndjekur me interes zhvillimet e fundit në fushën e arsimit në Kosovë, besojmë dhe mbështesim fuqishëm studentët e Kosovës në rrugën e tyre paqësore për të reformuar sistemin aktual Universitar, si dhe dënojmë çfardolloj akti të dhunës të përdorur në një shtet demokratik.
Arsimi Universitar është dija dhe e ardhmja e një kombi, ai ndikon direkt në formimin e elitës dhe zhvillimit të një vendi. Duke u mbështetur në modelet demokratike perëndimore ne mendojmë se rektorati, si instituti më i lartë i arsimit të Kosovës, duhet të jetë i depolitizuar dhe i manaxhuar nga specialistë të kualifikuar. Menaxhimi i mirë dhe depolitizimi i një intitucioni të tillë sjell zhvillimin e tij të mëtejshëm dhe e bën atë konkurent në rajon por edhe me gjerë.

Ne si organizata studentore në diasporë, jemi informuar rreth shqetësimeve dhe pretendimeve të studentëve në Kosovë për një politizim të theksuar si edhe për një mungesë profesionale të manaxhimit të rektoriatit, institucionit më të lartë arsimor të Kosovës. Ne shprehim keqardhjen dhe shqetësimin tonë të thellë për mungesën e interesimit të qeverisë së Kosovës për të mbajtur një seancë dëgjimore me studentët, ku kërkohet një ndërhyrje me meknizma demokratike në reformimin dhe modernizimin e këtij intitucioni. Në bazë të pretendimeve të studentave të Universitetit të Kosovës ne gjithashtu shprehim mendimin se tek institucioni shtetëror i rektoriatit duhet të veprohet sa më shpejtë duke ndryshuar metodologjinë e manaxhimit të tij si edhe varësinë e tijë politike.
Gjithashtu në mbështesim studentët në kërkesën e tyre për ndryshimin e sistemit të shërbimeve aktuale që ky instiucion apo vartësit e tij ofrojnë, në të cilat momentalisht me keqardhje mund të thuhet se sjellin një burokraci të theksuar dhe të panevojshme.

Së fundmi ne ju rikujtojmë se lëvizja studentore është fuqia më e madhe që mund të ketë një shtet demokratik. Siç është provuar edhe më parë ajo ka fuqinë të rrëzojë dhe të revolucionojë gjithë sistemin shtetëror të një vendi. Pavarësisht sistemit politik të çdo shteti shqetësimet e ngritura nga studentët janë të parat që dëgjohen, pasi ata janë elita dhe e ardhmja e vendit. Kështu që ne mendojmë se qeveria e Kosovës si një qeveri e re demokratike duhet të përmbushi detyrat e sajë të cilat fillojnë me dëgjimin dhe analizimin e shqetësimeve të kësaj pjese të popullsisë, e cila përdor angazhimin dhe dijen e sajë për të luftuar kundra korupsionit, politizimit të institucioneve te pavarura dhe informalitetit.
Për këto arsye si edhe më shumë, organizatat studentore Shqiptare në Norvegji dhe Danimarkë janë në përkrahje të studentëve dhe veprimtarive të tyre demokratike për të patur një institucion transparent, ku ata të kenë besim dhe ku mund të mbështeten në të ardhmen.
Rinia dhe Studentët Shqiptar në Norvegji
Rrjeti Rinor në Danimarkë
E martë, 28 Janar 2014

_______
Med vennlig hilsen
Shermine Aliti – Leder
På vegne av Albansk Ungdom- og Studentforening i Norge
Tel: (+47) 988 84 816
E-post: [email protected]
Web: www.albung.no

——————————-

Në mbështetje të protestave studentore kundër të keqes që e ka kapluar Universitetin Publik të Prishtinës në veçanti, dhe arsimin e lartë në Kosovë në përgjithësi

Organizata e studentëve shqiptarë në Belgjikë “Vlera” përkrah kërkesat më së të drejta të studentëve të Universitetit të Prishtinës dhe organizatave të cilat po organizojnë protesta ditëve të fundit, me kërkesën e tyre për reformim të thellë të UP-së, duke filluar me shkarkimin e rektorit aktual të UP-së.
Arsimi i lartë në Kosovë viteve të fundit është degraduar tej mase, ndërsa ai publik akoma më keq, meqë është i partizuar në maksimum, me profesorë e asistentë me nota e diploma të dyshimta, që kulmoi së fundmi edhe me disa arrestime në Fakultetin e Mjekësisë. Për të mos mjaftuar këto arrestime për dorëheqjen e rektorit, atij ju gjetën punime “shkencore” në revista fiktive shkencore, me të cilat ai ka avancuar në karrierën e tij “amkademike”. Pra as kjo nuk po i mjafton që të dorëhiqet nga posti i rektorit të UP-së, njejtë siç e pati mbajtur postin e rektorit edhe paraardhësi i tij me skandale të shumta dhe me degradim të vazhdueshëm të UP-së, i cili pati shkuar aq larg sa që e pati ble edhe një çmim, “çmim” që fliste për “kualitetin” e UP-së.
Ne i bëjmë thirrje Policisë së Kosovës dhe Ministrit të Punëve të Brendshme që të mos ndërhyjnë ndaj studentëve, meqë protesta dhe demonstrimi janë të drejta elementare që një shtet demokratik i ofron, të drejta këto të cilat mbrohen edhe me konventa evropiane. Pamjet që i pamë dje, i duhen më së paku Kosovës, ku policia shkelmon e arreston studentë, të cilët në mënyrë paqësore kërkonin realizimin e kërkesave të tyre!
Në vend të shkelmimit dhe arrestimit të studentëve të Universitetit të Prishtinës, ne i bëjmë thirrje Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë së Kosovës që të zgjerojnë hetimet e tyre, tu shkojnë deri në fund keqpërdorimeve dhe krimeve që kanë ndodh dhe po ndodhin në Universitetin e Prishtinës, nga “profesorë”, “asistentë” dhe persona të tjerë të lidhur ngushtë me ta dhe me subjekte të caktuara politike.
Ne u bëjmë thirrje të gjithë studentëve dhe profesorëve të ndershëm të Universitetit të Prishtinës që të bashkohen me këta studentë, ti plotësojnë kërkesat e tanishme, dhe tu shkojnë deri në fund, deri në realizimin e plotë të tyre!
VLERA,
Organizata e studentëve shqiptarë në Belgjikë
Bruksel, 29 Janar 2014

————————————–

Organizata e studentëve shqiptarë në Gjermani

Solidarizim me studentët e Universitetit të Prishtinës
Organizata e studentëve shqiptarë në Gjermani po i përcjell me vëmendje zhvillimet e fundit ne Universitetin e Prishtines. Duke marrë parasysh që studentët janë motori i ndryshimeve pozitive në shoqëri, gjë që më mirë se gjithkush tjetër e kemi parë në të kaluarën jo shumë të largët të popullit tonë, ne e mbështesim të drejtën e studentëve për të protestuar për të drejtat e tyre, dhe njëkohësisht i bëjmw thirrje organeve të rendit që të distancohen nga veprimet e turpshme të sulmeve kundër studentëve.
Universiteti i Prishtinës është universiteti më i madh publik në Kosovë dhe ai duhet të funksionojë i pavarur nga ndërhyrjet politike. Përkundrazi, është Universiteti i Prishtinës ai që duhet të jetë shembull për politikën. Orientimi i Universitetit të Prishtinës në këtë kohë duhet të jetë ngritja e kapaciteteve hulumtuese, ngritja e cilësisë, demokratizimi dhe ndërkombëtarizimi i vërtetë, e jo lajthitja drejt niveleve të ulëta akademike. Ne besojmë që në Kosovë ka intelektualë të mirëfilltë, shkencëtarë të kalibrit ndërkombëtar, të cilët mund të bëjnë ndryshimet e duhura në frymën e udhëheqjes.
Studentët shqiptarë në Gjermani janë në mbështetje të plotë të kërkesave të kolegëve të tyre në Kosovë, të cilët i ftojmë që të jenë këmbëngulës në kërkesat e tyre deri në fund. Nga studentët e Universitetit të Prishtinës presim që të japin shembull se gjërat me të vërtetë duhet të ndryshojnë për të mirë, duke filluar nga universiteti, që është burimi i dijes dhe avancimit shoqëror në përgjithësi. Ne gëzohemi që ju jeni të vetëdijshëm për forcën tuaj, e më së shumti që jeni të gjithë të bashkuar në kauzën tuaj, e cila është dhe duhet të vazhdoni pa ngjyrime politike.
Shpresojmë që edhe organet udhëheqëse të Universitetit t’i marrin me seriozitet të duhur këto zhvillime, e të kenë guximin për marrjen e vendimeve të duhura.
Organizata e studentëve shqiptarë në Gjermani grumbullon rreth 500 studentë shqiptarë në nivele të ndryshme akademike, nga studimet bazike deri ne doktorandë e asistentë në universitetet e ndryshme gjermane, ndër ta edhe ish studentë të Universitetit të Prishtinës. Është organizatë jopolitike dhe shërben si platformë e studentëve shqiptarë në Gjermani në organizimin e aktiviteteve të ndryshme me karakter kulturor-akademik dhe promovon bashkëpunimin ndërmjet studentëve në Gjermani e më gjerë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura