OSMAN OSMANI: PORTRETI I VEPRIMTARIT KADRI SH.CAKIQI

Pashtriku.org, 01. 05. 2016: Me rastin e 35 vjetorit të demonstratave të vitit 1981 për Republikë po filloj me portretizimin e veprimtarëve atdhetarë, që bashkë me shokë e shoqe edhe të grupeve e organizatave tjera të kohës u paraprinë atyre ngjarjeve që shënuan kthesë historike për shqiptarët dhe aspiratat për liri, barazi shoqërore, si dhe pavarësi, vetëvendosje e bashkim kombëtar të shqiptarëve. Këto ngjarje po ashtu cilësohen me të drejtë edhe si fillimi i rezistencës tronditëse në bllokun socialist, sistemit një partiak demagogjik e antidemokratik, konkretisht LKJ dhe RSFJ që në qarqe të caktuara të majta, progresiste e deri edhe liberale të Evropës perendimore njihej e gëzonte një autoritet si sistem i moderuar e më liberal, që thirrej në vlera e të arritura njerëzore e shoqërore të cilat i propagandonte dhe deklaronte e promovonte edhe në akte ligjore e kushtetuese për të gjithë njerëzit dhe popujt, mirëpo që faktikisht e njëkohësisht diskriminonte, shtypte e shfrytëzonte popullin dhe vendin tonë, duke ruajtur edhe më tej raporte e marrëdhënie kolonialiste. Ky shkrim publikohet në vend të urimit për ditëlindjen e 59 të atdhetarit Kadri Sheqë Cakiqit.
Lëvizja për Republikë Shqiptare në kuadër Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, jashtë shtetit amë, ka zanafillën e saj të strukturuar në gjysmën e dytë të viteve të 70-ta. Ky dokument është paraparë si pjesë e një serie shkrimesh të përcjella edhe me fakte plotësuese e dëshmi tjera mbi individët dhe grupet e organizuara që kanë vepruar kryesisht nga platforma politike për Republikë. Tërë këtë trajtim, për aq sa mundemi do të përpiqemi ta bëjmë në mënyrë sa më objektive dhe duke njohur e respektuar faktet e deritashme të ditura të veprimtarisë atdhetare e përparimtare formale apo jo formale të individëve, grupeve e organizatave që kanë vepruar edhe nga platforma e me kërkesa tjera politike atdhetare e revolucionare, gjithmonë duke ruajtur konsideratën, respekti dhe mirënjohjen për vetëflijimin e sakrificën e të gjithë veprimtarëve të të gjtiha kohrave.
Veprimtaria atdhetare e revolucionare bashkë me proceset e mundshme pozitive apo negative që përcollën ato nuk ishin e nuk janë as “meritë” e as “përgjejgësi” ekskluzive e vetëm një grupi apo organizate. Aq më parë kur kemi parasysh se ketö procese ende nuk kanë përfunduar dhe vazhdojnë të jenë tema debatesh kontestuese edhe sot e kësaj dite. Kështu edhe demonstratat gjithëpopullore mars-prillit 1981 dhe ato të mëvonshme ishin rezultat i (bashkë)veprimit të pjesëtarëve të grupeve e organizatave të ndryshme të kohës, por edhe të individëve, grupeve e shoqërive jo vetëm të organizuara politikisht. Për të gjithë individët dhe veprimtarët e të gjitha grupeve e organizatave dhe të të gjitha periudhave të angazhimit atdhetar e shoqëror duhet të tregohet jo vetëm konsiderat e respekt i përgjithshëm, por edhe njohje e ndërsjellët dhe e merituar shoqërore e publike për vetëflijim dhe sakrifica në të mirë shoqërore të shqiptarëve dhe Atdheut.
Dëshmitë dokumentuese bazuar në aktakuzat e aktgjykimet si dhe dëshmitë personale të veprimtarëve të shumtë, vërtetojnë se disa grupe atdhetarësh janë formuar dhe kanë vepruar nga platforma e Organizatës për Republikë (PKMLSHJ) dhe në bazë të statuteve dhe programit të kësaj organizate, ku si detyrë kryesore parashihej krijimi i Republikës Socialiste Shqiptare në RSFJ, duke ndjekur, së pari; mënyrën dhe rrugën paqësore, përmes ujdisë dhe marrëveshjes politike mes krerëve të pushtetit të Kosovës dhe atyre të Jugosllavisë, së dyti; me metoda të kombinuara, përmes presionit politik me greva dhe demonstrata, dhe së fundi; përmes kryengritjes dhe luftës së armatosur çlirimtare.
Nga 1975-1978 konsolidohet Organizata për Republikë Shqiptare (PKMLSHJ)
Të flasësh për Kadriun, si pjesëtarë aktiv të Organizatës e mos të flasësh edhe për vet Organizatën dhe shokët e të cilët ka bashkëvepruar Kadriu në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthorë ai nuk do të kishte kuptim. Andaj në vijim do t’ia kushtojë disa rreshta edhe Organizatës e synimeve të saja si dhe shokëve me shumicën e të cilëve ka bashkëvepruar, është arrestuar, është dënuar dhe ka bashkë vuajtur burgun Kadriu.
Synimet e Organizatës “PKMLSHJ”
Përmes programit të saj politik, Organizata me emrin “Partia Komuniste Marksiste-Leniniste e Shqiptarëve në Jugosllavi”, e themeluar edhe solemnisht në verë të viti 1978, përmes aktivitetit dhe pjesëtarëve të saj angazhohej që Kosova të fitonte statusin e Republikës kombëtare në kuadër të ish federatës së Jugosllavisë, duke përfshirë të gjitha territoret e banuara me shumicë shqiptare edhe në tri Republikat (Serbi, Maqedoni e Mal i Zi) që mbanin të ndara territoret edhe popullin shqiptar të federatës. Pika kryesore e këtij programi ishte që Kosova të fitojë pavarësinë politike, territoriale e ekonomike si dhe të drejtën për vetëvendosje. PKMLSHJ-ja, që si nismë organizative revolucionare atdhetare (ORA) daton që nga viti 1975, është Organizata e konsoliduar me program, statute e platformë politike në mbledhjen e saj solemne, të mbajtur në verë të vitit 1978 në Prishtinë, (shih. Aktgjykimin P-K.nr. 167/82). Mbledhja solemne është hapur nga Adem Prapashtica, e pastaj është drejtuar nga Osman Osmani dhe Abdullah Prapashtica, me ç’rast aprovohet platforma politike e saj dhe caktohen edhe detyrat e aktivitetet (shih edhe shkrimin e gazetës Rilindja me rastin e fillimit të gjykimit të pjesëtarëve të Organizatës për Republikë – PKMLSHJ, të datës 8.2.1983).
Pas kërkesave të shumta që Organizata duke filluar nga viti 1978 i kishte dërguar organeve udhëheqëse krahinore, republikane e federative shtetërore e partiake, për të realizuar kërkesat e drejta të shqiptarëve për barazi faktike me të tjerët, e të cilat kërkesa jo qe u morën seriozisht por u injoruan dhe cilësuan edhe si armiqësore, në dhjetor te vitit 1980 Organizata dërgon edhe një shkresë ultimatume ku bënë me dije se nëse kërkesat tona nuk merren seriozisht, atëherë në vitin vijues 1981 ne këto kërkesa do ti shtrojmë edhe publikisht dhe në mënyrë demonstrative. Për ketë çështje Organizata kishte krijuar edhe Shtabin e saj të Demonstratave.
Lista e parullave dhe kërkesave të përpiluara nga shtabi për demonstrata i Organizatës (PKMLSHJ): … ‘Poshtë dallimet sociale’, ‘Poshtë borgjezia’, ‘Poshtë burokracia’, ‘Poshtë eksploatimi i Kosovës’, “Poshtë hegjemonizmi’, ‘Poshtë kolonializmi’, ‘Kërkojmë pavarësi’, ‘Kërkojmë kushte’, ‘Poshtë mashtrimi’, ‘Kërkojmë barazi’, ‘Kërkojmë Republikë’, ‘Kërkojmë bashkimin e mbarë trevave shqiptare në një Republikë’, ‘Poshtë tradhtarët’, ‘Poshtë kolonialistët’, ‘Nuk ka paqe pa liri’, ‘Nuk ka barazi pa pavarësi’, ‘Nuk ka barazi pa Republikë’, ‘Nuk do të ketë paqe për tradhtarët e mashtruesit’, “Rroftë Adem Demaçi!”, etj. Siç dihet shumica e këtyre kërkesave dhe parullave edhe u brohoritën zëshëm dhe u përdorën nga demonstratat masive në Prishtine, Ferizaj dhe qendrat tjera të Kosovës në demonstratat e mars-prillit 1981. Kështu platforma e Organizatës bashkë me kërkesat e saja dominuan dhe u bënë kërkesa të masave popullore.
Organizata për Republikë u shndërrua në Lëvizje për Republikë
Platforma e PKMLSHJ-ës që ishte bërë gjatë demonstratave të vitit 1981 platformë e gjithë popullit, u bë edhe platformë e LRSSHJ-ës e cila më vonë (edhe pse jo në rrugë demokratike dhe pa konsultimin e mirëfilltë me të gjitha strukturat që përbënin atë) ndërroi emrin në LPRK dhe LPK.
Kështu me kërkesë të Organizatës (PKMLSHJ) dhe pas përkrahjes gjithë popullore të kërkesës për Republikë dhe mbështetjes publike që morën këto demonstrata me këtë kërkesë nga shteti amë – Republika e Shqipërisë, si dhe një muaj pas vrasjeve së veprimtarëve Jusuf e Bardhosh Gërvalla (drejtues të LNÇKVSHJ) dhe Kadri Zeka (drejtuesi i OMLK) në Untergrupenbach të Gjermanisë, vazhduan bisedimet e refuzuara më herët (nëntor-dhjetor 1981) nga përfaqësuesi i LNÇKVSHJ-së Sabri Novosella, në Turqi mes përfaqësuesve të dy organizatave PKMLSHJ e LNÇKVSHJ nën “vëzhgimin” edhe të përfaqësuesve të shtetit shqiptar (Bujar Hoxhës), më 17 shkurt 1982 arritën të realizojnë bashkimin e tyre në Lëvizjen për Republikën Socialiste Shqiptare në Jugosllavi, të cilit bashkim pak më vonë (më 15 maj 1982) iu bashkëngjit edhe OMKL(Xhafer Shatri në cilësinë e përfaqësuesit dhe Hasan Malaj si pjesëmarrës shoqërues).
Kadri (Sheqë) Cakiqi
Për të plotësua mozaikun e veprimtarisë dhe për të dhënë kontributin për njohjen e aktivistëve e veprimtarive të periudhave të caktuara, këtë seri portretesh po e fillojë me Kadri Cakiqin, që rastësisht përkon me përvjetorin e 40-të të angazhimit të tij në veprimtari për përparim kombëtar e shoqëror. Kadri Cakiqi është i lindur më 30 prill 1957 në lagjen e Muhaxhirëve të Prishtinës si djali i vetëm i Sheqë Cakiçit me prejardhje nga Llapashtica e Krahinës së Llapit të Kosovës dhe Selës (e gjinisë Bogujevci), vëllai i vetëm 4 motrave (Bedrijes, Sabrijes, Remzijes dhe Emines).
Baba i tij Sheqa, mbahet mend si një burrë i urtë dhe punëtor i madh. Si shumica e shqiptarëve të vuajtur, ai atëkohë në vitet e 60-ta me shumë mund e sakrifica të mëdha dhe vetëm me ndihmën e bashkëshortes dhe fëmijëve të vegjël ndërtoi shtëpinë e tyre modeste. Kadriu ishte në moshën e rinisë së hershme, rreth 15 vjeçar, kur pas një lëngimi të shkurtër në vitit 1974 i vdiq i ati. Kadriu është djali i vetëm i familjes dhe kishte 4 motra (Bedrijen, Sabrijen, Remzijen dhe Eminen).

Fotografi familjare: Kadriu, motra Bedrija, Nëna Selë (Bogujevci), motra Remzija, i ati Sheqa dhe motra Sabrija (mungon edhe – në këtë kohë ende e pa lindur – motra Eminja)
Me Kadriun jemi rritur bashkë që nga fëmijëria e hershme. Bashkë kemi bërë filloren dhe një pjesë të shkollës së mesme. Shoqëria jonë ka vijuar edhe më tej pa ndërpre. Në gjysmën dytë te viteve të 70-ta shoqëria jonë fiton edhe një komponentë tjetër, atë të angazhimit dhe bashkëveprimit për çështjen shoqërore shqiptare. Shkollën fillore e ka ndjekur dhe kryer në (ish “Vlladimir Nazor”) tani “Naim Frashëri” në Prishtinë, të mesmen e vazhdon fillimisht (dy vitet e para) në shkollën normale (ish “Milladin Popoviç”) pastaj shkollën mesme teknike në Podujevë, ku edhe mbaron për axhustator (saldues).

Foto nga shkolla fillore (aty kah përfundimi): Kadri Cakiqi i pari në këmbë, ndaras në anën e majtë, me shoqet dhe shokët e klasës (me disa nga të cilët më vonë edhe bashkëvepron, si Osman Osmani, Bahtir Ahmeti e Skedner Ibishi me dy të fundit edhe dënohet politikisht) dhe kujdestarin e klasës Mustafë Arifi, i katërti nga e majta ulur (frymëzues atdhetarie i shkollarëve), arsimtar i lëndës së historisë, pjesëmarrës i demonstratave të vitit 1968 dhe të cilit pas demonstratave të vitit 1981 pushtuesi maqedono-jugosllav i ndalon ushtrimin e profesionit të pedagogut.
Aktiviteti atdhetar e politik
Pasi ka lexuar literaturën formuese (literaturë kjo e përbërë nga disa romane patriotike dhe revolucionare të siguruara edhe fshehurazi si dhe literaturë tjetër shkencore e ideopolitike mbi çështjen dhe barazinë nacionale …) që shkëmbehej aso kohe mes shokëve sikur dhe simpatizantëve dhe kandidatët tjerë të kësaj Organizate si dhe pas bisedave të shumta edhe të ndara që kishim vetëm për vetëm me Kadriun, ai në vitin 1977 organizohet dhe më pas gjatë vitit 1978 ky angazhim i tij në Organizatë edhe “zyrtarizohet”. Më pastaj Kadriu lexon dhe përvetëson edhe materialin e Organizatës, Platformën politike të saj. Është pjesëmarrës i mbledhjes solemne të PKMLSHJ në vitin 1978 me pseudonimin “Kulla”. Më pas ai sikur të gjithë pjesëtarët tjerë të Organizatës merre detyrën për të përshkruar platformën dhe materialet e Organizatës dhe merë pjesë edhe në dërgimin dhe shpërndarjen e shkresave të saj.
Ai angazhohet gati paralelisht me shokët e veprimtarët tjerë, si Bahtir Ahmeti e Skender Ibishi me të cilët ishin shokë duke filluar nga shkolla fillore. Ndër të tjera një ndikim të caktuar atdhetar tek Kadriu dhe ky grup shokësh e veprimtarësh e bënë edhe kujdestari i klasës së tyre, arsimtari i historisë Mustafë Arifi, nga rrethi i Tetovës. Kadriu në shkollën e mesme ndër të tjerë njihet edhe me bashkëveprimtarin tjetër Adem Dërvishollin, i cili gjithashtu arrestohet dhe dënohet bashkë me shokët e tjerë të Organizatës.

Foto gjatë shkollës së mesme: Kardi Cakiqi para shokëve e bashkëveprimtarëve, Adem Dërvishollin në anën e djathtë dhe Osman Osmanin majtas.
Shtëpia e Kadriut si bazë e sigurte dhe besnike për ne ishte një vatër ngrohtë ku zhvilloheshin diskutime e debate mbi gjendjen e popullit shqiptar dhe ku edhe trajtoheshin tema që kishin të bënin me botëkuptimet dhe vetëdijesimin kombëtar e emancipimin shoqëror dhe ku diskutoheshin rrugët e mundshme për avancimin e pozitës së shqiptarëve të pushtuar dyfish, si nga pushteti jugosllav ashtu edhe nga ai serbo-maqedonas-malazez.
Në shtëpinë e Kadriut vinte shpesh nga Podujeva edhe gjyshi i Kadriut nga nëna, axha Rrustem (Bogujevci), i cili ishte një plak i urtë dhe i dashur që neve na trajtonte me shumë respekt she sikur “burra të rritur”. Sikur të gjithë shqiptarët, edhe familja Bogujevci kishte përvojat saja të përndjekjeve të përcjella edhe me vuajtje e sakrifica të panumërta. Tregimet e tij i dëgjonim me shumë vëmendje. Në një pikë nuk pajtoheshim dhe kjo shërbente për debate të përsëritura dhe të stërgjata. Fjala ishte për religjionin. Ne i takoni një gjenerate tjetër dhe gjatë formësimit tone dhe krijimit të personaliteteve tona individuale, grupore e kolektive ishim një gjeneratë që në vigjiljet e 100 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit identifikoheshim me aspiratat e pa jetësuara kombëtare e shoqërore dhe që si flamur e besim na shërbenin predikimet e përcaktimet e rilindësve përparimtar kombëtar që përmes thënies “Feja e shqiptarit është Shqiptaria” në rend të parë vinin gjuhën dhe mirëqenien e gjithmbarshme të kombin para religjioneve të ndryshme, të cilat siç dihet ishin jo rezultat i besimit evolutiv e vullnetar, por religjione të ardhura bashkë me pushtuesit e ndryshëm dhe të imponuara sa me marifet aq edhe dhunshëm nga ta dhe që u shërbenin pikë së pari interesave të tre ekonomike dhe pushtetit të tyre mbi shqiptarët dhe territoret shqiptare. Ne si gjeneratë në argumentimet tona e perceptonim pozitën e popullit tonë dhe viseve të saja të pandryshuara, pra edhe më tej të pushtuara e të ndara dhunshëm dhe edhe rreth kësaj çështje apelonim për bashkim të popullit tonë pa marrë parasysh besimet e ndryshme dhe jo rrallë shërbeheshim edhe me teoritë dhe shpjegimet shkencore të kohës bashkë me të arriturat e emancipimit shoqëror në shtetin amë – Shqipërinë atëkohë të “çliruar” nga besimet fetare.
Një kushëri tjetër, nga ana e nënës së Kadriut, për të cilin kishim shumë respekt, e i cili gjithashtu na trajtonte me dashamirësi, respekt dhe dinjitet ishte “daja Dan”, siç e thërrisnim ne Ramadan Bugujevcit, një veprimtari i LNDSH-së (Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare). Atij në fillim të viteve të 90-ta iu deshtë të largohet nga Prishtina, për t’ju mënjanuar hakmarrjes së çetnikëve të ringjallur serb, që donin ti hakmerreshin ndaj tij. Ai pati qëndruar për disa muaj tek unë në Shafhauzen të Zvicrës, deri sa kaloi rreziku që i kanosej. Në Shafhauzen ai pati rast të njihet edhe me shokë e bashkatdhetarë tanë që bashkëvepronin në klubin shqiptar “Rilindja”. Baca Ramadan (Bogujevci) në lagjen tonë kishte një bashkëveprimtar NDSH-istë të njohur, Rrustem Statovcin. Pas demonstratave të vitit 1981 dhe arrestimeve të shokëve të lagjes që kishin vepruar aktivisht në Organizatën për Republikë Shqiptare (PKMLSHJ) para gjatë dhe pas demonstratave të vitit 1981, siç më pat treguar baba im i ndjerë (Zeneli), axha Rrustem (Statovci) ishte shumë krenare me djemtë e vajzat e lagjes që ia kishin ndritur faqen jo vetëm Lagjes se Muhaxhirëve dhe Prishtinës por edhe Kosovës e Shqiptarisë. Rruga ku jemi rritur bashkë me Kadriun e shokë të tjerë, e ku kemi shumë kujtime kryesisht të mira të fëmijërisë, sot mban emrin “Rrustem Statovci”.
Në shtëpi të Kadriut banonte edhe vajza e dajës si tij, Adilja, e ku shpesh qëndronte edhe i vëllai i saj Ismeti (Bogujevci), këngëtari i njohur, që ishte djali i vëllait të Nënës Selë. Nëna e Ismetit dhe Adiles, Vahidja rastisi të ishte një kushërirë e jona, ndërlidhje kjo mes nesh sikur ishte rasti me shumicën e familjeve shqiptare në Kosovë dhe viset tjera shqiptare. Me Kadriun kishim edhe një ndërlidhje tjetër familjare: Tezja ime Mejremja (me mbiemër të vajzërisë Prapashtica) ishte e martuar me Jahir Cakiqin, axhën e Kadriut. Ismet Bugojevci që ishte më i moshuar se ne, ne e adhuronim shumë edhe për faktin se ai ishte këngëtar dhe këngët e tija na pëlqenin shume dhe na shërbenin edhe si frymëzim. Gjatë ndejave tona shoqërore në shtëpinë e Kadriut, kur qëllonte aty edhe Ismeti, ai edhe pse jo gjithmonë, nuk na e prishte qefin kur kërkonim të na këndonte ndonjë këngë qoftë me kitare apo edhe me çifteli. Nga këngët që Ismeti na i këndonte me çifteli mua më ka mbetur e pashlyer në kujtesë kënga për Kamber Loshin.
Nënat shqiptare – mbështetja kryesore për veprimtarinë atdhetare e shoqërore
Nënë Sela, edhe pse ia kishin burgosur djalin e vetëm, asnjëherë nuk u dobësua apo ankua por ishte krenare që edhe i biri i saj ishte angazhuar bashkë me shokë për një jetë më të mirë edhe për shqiptarët. Nënë Sela dinte për aktivitetin e veprimtarinë Kadiut me shokë që nga fillimi i përpjekjeve organizative qysh para viti 1978, pasi ajo ishte dëshmitare e bisedave që zhvilloheshin në shtëpinë e Kadriut, e cila falë saj ishte një vatër ngrohtë ku zhvilloheshin diskutime e debate mbi gjendjen e popullit shqiptar dhe ku edhe trajtoheshin tema që kishin të bënin me botëkuptimet dhe vetëdijesimin kombëtar e shoqëror dhe ku diskutoheshin rrugët e mundshme për avancimin e pozitës së shqiptarëve të pushtuar dyfish si jugosllav ashtu edhe serbo-maqedonas-malazez. Nënë Sela nuk ankua asnjëherë për arrestimin dhe dënimin e të birit me burg, por qëndrojë stoike sikur shumë nëna tjera shqiptare.
Nënë Sela e cila qysh atëherë vuante nga një sëmundje kronike, shkonte për të vizituar djalin e saj të vetëm herë me njërën e herë me tjetrën vajzë nga burgu ne burg. Ajo me rastin e vizitave qëndronte gjithmonë ballëlartë, e papërkulshme dhe krenare. Nënë Sela po nga kjo sëmundje kronike – pas përjetimit të kënaqësisë së lindjes së mbesës së parë Ilirianës dhe nipit të parë Kreshnikut, fëmijët e parë te Kadriut – vdiq në verë të vitit 1991. Unë dhe shokët tjerë ruajmë kujtimet më të mira për Nënë Selën, ashtu sikur edhe për të gjitha Nënat e shokëve e shoqeve bashkëveprimtarë, të cilat qëndruan stoike përballë vështirësive të shumta dh nuk treguan asnjë lloj dobësie para armikut dhe shërbëtorëve të tyre. Të gjitha nënat veprimtarëve atdhetar meritojnë mirënjohje dhe lëvdatë të merituar shoqërore për kontributin dhe qëndrimin e tyre heroik.
Bashkëveprimtarët e Kadriut
Kadriu ka bashkëvepruar ndër të tjerë edhe me Abdullah Prapashticën, Rexhep Maqedoncin, Adem Prapashticën, Nysret Ahmetin, Adem Dërvishollin, Bahtir Ahmetin, Lutfi Maqedoncin e Faton Topallin,… Është pjesëmarrës edhe i mbledhjes themeluese të Organizatës (PKMLSHJ) në verë të vitit 1978. Më pas bashkëvepron edhe në drejtim të përfitimit edhe të shokëve tjerë për synimet e Organizatës si me shokët tjerë të shkollës fillore e asaj të mesme: Lekë Nikollën, Hilmi Mehmetin, Ramiz Gashin, Avdush Gashin, Shaban Nasufin, Adem Krasniqin, Osman Bytyqin, etj. si dhe të rinjtë tjerë nga rrethi familjar e farefisnor.
Ishte pjesëmarrës në shumë takime pune dhe në aksione të Organizatës. Kadriu ndër të tjera nga posta e Obiliqit dërgojë qysh para vitit 1981 materiale me kërkesa të Organizatës në adresa të funksionarëve të atëhershëm të lartë partiak e shtetëror.
Kadriu i ka shfrytëzuar edhe kontaktet e tija shoqërore dhe familjare për zhvillimin e aktivitetit dhe veprimtarisë atdhetare. Ka mbajtur kontakte të rregullta me shokë e veprimtarë tjerë të Organizatës edhe gjatë kohës kur ata ishin në shërbim ushtarak, si fjala bie me Adem Dërvishollin, i cili shërbente në Zajeçar, me Osman Osmani, sa ishte ushtar në Shkup dhe me Adem Prapashticën, që ishte ushtar në Kroaci.
Kadriu sikur edhe veprimtarët e tjerë të Organizatës angazhohet edhe për zgjerimin e radhëve të Organizatës tek shokët, farefisi dhe të njohurit tjerë, gjithmonë duke u mbështetur në instruksionet për punë praktike dhe udhëzimeve të shokëve të Organizatës.
Demonstratat e mars-prillit të vitit 1981, Kadriun e gjejnë në shërbim e detyrueshëm ushtarak nga 6 janari 1981 deri më 6 mars 1982 në postën ushtarake të Sremçicës në Serbi.
Shënimi i 1-vjetorit të demonstratave të 81-shit – zbulimi e arrestimi
Grupet e para që vepronin në platformë të Organizatës (PKMLSHJ) por që nuk ishin të lidhura drejtpërsëdrejti me pjesët tjera dhe me drejtuesit kryesorë të Organizatës, u zbuluan dhe arrestuan disa muaj pas demonstratave të mars-prillit 1981, duke filluar nga pjesa e dytë e vitit 1981, siç ishte rasti me atë të njohur si grupi i intelektualeve të ndërlidhur më Organizatën përmes Halill Alidemës dhe atë të Shtimes të ndërlidhur me Organizatën përmes Kadrije Gashit e Rafiz Halilit.
Ndërsa arrestimet tjera të pjesëtarëve dhe grupeve tjera në radhët e Organizatës ndodhin me rastin e përpjekjeve të shënimit të 1 vjetorit të demonstratave të mars-prillit 1981, konkretisht në muajin mars-prill të vitit 1982, kur arrestohen edhe pjesëtarët e Organizatës në Prishtinë, Viti, Ferizaj, Kaçanik, etj. (Të cilat do ti ndriçoj në shkrimet dhe portretet e ardhshme).
Kështu më 15 shkurt të vitit 1983, Gjykatën e Qarkut, në Prishtinë në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Publike të Qarkut në Prishtinë pp.nr. 152/82, 156/82, 158/82, dënoi me 147 vjet burg këta atdhetarë shqiptarë, të cilët kërkonin avancimin e pozitës kushtetuese të Kosovës; Rexhep Maqedonci – me 14 vjet, Adem Prapashtica – me 11 vjet, Nusret Ahmeti – me 10 vjet, Kadri Cakiqi – me 6 vjet, Adem Dervisholli – me 6 vjet, Sabit Gashi – me 8 vjet, Skënder Vardari – me 8 vjet, Lutfi Maqedonci – me 6 vjet, Fatmir Graiçevci – me 9 vjet, Bahtir Ahmeti – me 6 vjet, Martin Çuni – me 8 vjet, Meriman Braha – me 7 vjet, Osman Maqedonci – me 5 vjet, Arban Hoxha – me 5 vjet, Ahmet Islami – me 5 vjet, Idriz Isufi – me 2 vjet dhe Agim Ahmeti – me 1 vjet, të gjithë nga Prishtina, Naim Mahmudi nga Dragonishta e Vogël KK Kërçovë – me 2 vjet, Avdi Krasniqi nga Peja – me 7 vjet, Ahmet Qeriqi nga Shtimja – me 8 vjet, Zenun Gjoci nga fshati Gjocaj – me 6 vjet, Hamëz Morina nga fshati Llashkadrenoc – me 5 vjet, Sallah Jonuzi nga Ferizaj – me 3 vjet.

Nga e majta Kadri Cakiqi, Nysret Ahmeti, Adem Prapashtica (në këmbë gjatë mbrojtjes në gjyq) dhe djathtas Rexhep Maqedonci
Pos këtij grupi të madh veprimtarësh atdhetar të dënuar nga pushtuesi jugosllav dhe bashkëpunëtorët e tyre shqipfolës, ne fshehtësi dhe larg opinionit vendas e botëror u arrestuan, torturuan dhe dënuan me shumë vite burg në gjyqet herë gjysmë të mbyllura herë të tërësisht të mbyllura dhe jo publike edhe disa grupe që kanë vepruar në kuadër apo nga platforma e Organizatës (PKMLSHJ), siç është rasti i grupeve të Organizatës në Shtime e Lipjan, Ferizaj, Viti Kaçanik, etj., për të cilët do të shkruajmë në të ardhmen.
Hetuesit, torturuesit, prokurorët dhe gjyqtarët ende të pa sanksionuar
Para arrestimit Kadriu punonte si axhustator në OP (organizatën punonjëse) “Kosova” të Vuçitërnës. Kadriu arrestohet bashkë me shokët e Organizatës në fillim të vitit (13 prill) 1982, me rastin e përgatitjeve për shënimit të njëvjetorit të demonstratave.
Kallëzimi penal kundër Kadriut, sikur edhe i shumë bashkëveprimtarëve të tij, është i nënshkruar nga Mehmet Lumi, Kryeshefi i DSHSSH (Drejtorisë së Shërbimit të Sigurimit Shtetëror) në Prishtinë; Kërkesa për hetime ndaj tij është e nënshkruar nga prokurori publik Pjetër Kola; Gjyqtar hetues në rastin e tij ishte Isak Nisheci, ndërsa prokuror publik Shemsedin Mulla, hetuesit e sigurimit shtetëror që e marrin në pyetje deh torturojnë Kadriun dhe shokët tjerë bashkëveprimtarë ndër të tjerë ishin: Xhavit Kuçi dhe Zejnullah Shala.
Pas hetimeve disamujore të përcjella me tortura fizike e psikike (për 9 muaj radhasi) Gjykata e Qarkut në Prishtinë, në kolegjin e përbërë nga gjyqtari, Mentor Qoku, kryetar, nga gjyqtarja e kësaj gjykate, Verosllava Dimiq dhe gjyqtarëve porotë: Dojqin Maksimoviq, Ilaz Aliu dhe Emin Azemi, në pjesëmarrjen e punëtores së kësaj gjykate, Atifete Krasniqi, procesmbajtëse, në çështjen penale ndër më të mëdhatë deri më atëherë kundër dhjetëra të akuzuarve të Organizatës (PKMLSHJ), gjatë mbajtjes së seancave të ashtuquajtura “publike” prej 7 deri më 12 shkurt të vitit 1983, në prani të përfaqësuesve të aktakuzës, zëvendës-prokurorëve të Qarkut në Prishtinë, Reshat Millaku dhe Ruzhdi Kozmaqi, më 15 shkurt 1983 shpalli aktgjykimin dhe bashkë me shokë tjerë dënoi edhe Kadri Cakiqin me 6 vjet burg.
Kadriu mbahet në izolim gjatë hetimeve 9 mujore duke filluar nga 13 prill 1982. Pas shqiptimit të dënimit si i burgosur politik vuan dënimin fillimisht për 6 muaj në burgun e Prizrenit bashkë me veprimtarët e dënuar politik Ali Kryeziun e Bajrush Xhemajlin, ndërsa 6 muaj tjerë me veprimtarët Mehmet Hajrizin e Shemsi Reçicën. Pastaj dërgohet në burgun e Vojvodinës në Nov Sad dhe shumicën e kohës si i burgosur e kalon me veprimtaret e dënuar politik si Jashar Alinë, Azem Sylën, Ibush Kelmendin, Bajram Dermakun, Jahir Hajrizin e Vehbi Lecin, ku vuan dënimin deri më datën 13 prill 1988.
Vazhdimësia e veprimtarisë edhe pas “lirimit” nga burgu
Edhe pas vuajtjes 6 vjeçar të dënimit me burg Kadriu bashkë e shumicën e shokëve e shoqeve vijuan angazhimin në rrjedhat e veprimtarisë dhe aktivitetit atdhetar duke dhënë kontributin e tyre në të gjitha periudhat e mëvonshme, deri edhe në ditët e sotme.

Ndeje bashkëveprimtarësh. Nga e majta në të djathtë: Skender Vardari, Adem Dërvisholli, Fatmir Grajqevci, Osman Osmani, Skender Ibishi e Kadri Cakiqi.
Në përvjetorin e 40-të të angazhimit
Aktualisht në këtë prill të vitin 2016 Kadriu mbush 59 vjet. Ai jeton në shtëpinë e tij në Prishtinë, e cila tanimë gjendet në rrugën për në Kolovicë, bashkë me bashkëshorten Sabilen dhe 4 fëmijët (Ilirianën, Kreshnikun, Njomëzën e Kremtimin) si dhe bashkëshorten e djalit të madh Kreshnikut si dhe dy mbesat e vogla. Pa vend pune të përhershme, Kadriu për të siguruar zorshëm ekzistencën e familjes së tij ushtron nga koha në kohë si i vetëpunësuar profesionin e tij prej axhustatori, profesion ky që e ushtron aktualisht edhe i biri Kreshniku. Se fundi përballet edhe me vështirësi shëndetësore, si sëmundja e sheqerit dhe vuan edhe nga zemra, ku ka pasur edhe intervenim e vendosje stende. Edhe përkundër kësaj Kadriu nuk ndihet i harruar tërësisht nga shoqëria dhe as i injoruar prej disa “shokëve” – që tani ushtrojnë pushtet të pa-shtet bashkë me ish ndjekësit, ish hetuesit, ish gjyqtarët, ish ushtruesit e torturave dhe të aparatit propagandistik të ish-Jugosllavisë. Po këta “shokë”, edhe kur “bëjnë” historinë sipas tekave dhe interesave të tyre të ngushta personale e grupore të çastit, nuk ngurrojnë që edhe më tej të seleksionojnë veprimtarët dhe atdhetarët, ku bënë pjesë edhe Kadriu me shumë shokë e shoqe.

Pamje nga pjesëmarrja e Kadriut në protestën e opozitës së bashkuar me tenda në mars të vitit 2016
Kadriu ashtu sikur shumë ish pjesëtarë tjerë të Organizatës, vazhdojnë të mbështesin në forma e mënyra të ndryshe edhe më tutje veprimtaritë atdhetare e shoqërore të të gjitha periudhave që nga vitet e 70-t dhe veçanërisht tani së fundi edhe Lëvizjen Vetëvendosje!, e që angazhohen me të gjitha forcat për jetësimin e aspiratave kombëtare dhe njerëzore të shqiptarëve.

Osman Osmani, në mars-prill 2016, Prishtinë/Shafhauzen

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura