DR.SADRI FETIU: SHABAN MAZREKU, ATDHETAR LARGPAMËS

Pashtriku.org, 10. 02. 2014 – Familjarë të nderuar të Shaban Mazrekut, miq, dashamirës dhe bashkëvendas të tij, pjesëmarrës të këtij tubimi përkujtimor që i kushtohet këtij atdhetari me rastin e perurimit të bustit të tij në oborrin e shkollës së Sopisë që do ta mbajë me nder emrin e tij, zonja dhe zotërinj, Ju përshëndes të gjithëve që keni ardhur për ta ndëruar këtë atdhetar të dalluar.
Suhareka me rrethinë ka pasur në vazhdimësi burra atdhetarë që kanë vepruar, luftuar dhe janë flijuar për vendin e tyre. Kjo dihet fare mirë, të paktën që nga Lidhja e Prizrenit, kur trimat e udhëhequr nga Sahit Agë Suhareka i bënë rezistencë ushtrisë së Dervish Pashës më 1881 në Qafë të Duhlës dhe në hyrje të Suharekës, për çka dëshmon edhe kënga jonë popullore e asaj kohe. Këta burra qenë aktivë dhe u flijuan edhe në Kryengritjet e vitit 1908, 1910 dhe 1912 për çlirimin e Shqipërisë. Qëndresa vazhdoi edhe gjatë Jugosllavisë mbretërore, kur Ramë Bllaca, i përkrahur nga shokët e miqtë dhe bashkëvendasit e tij qëndroi dhe u flijua për ta penguar shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi.

– Shaban Mazreku –

Burrat e kësaj ane luftuan edhe në Kollashin e në Sangjakun e Novi Pazarit kundër Çetnikëve për mbojtjen e kufijve etnikë të Shqipërisë. Edhe Pas Luftës se Dytë Botërore njerëzit e kësaj anë pothuajse në vazhdimësi deri në Luftën e UÇK-ës ju kundërvunë me të gjitha mundësitë që kishin sundimit të Jugosllavisë, duke vepruar qoftë hapur, qoftë ilegalisht për mbojtjen e lirive dhe të drejtave kombëtare të shqiptarëve. I madh është numri i atyre që janë sakrifikuar, burgosur, e denuar me shumë vite në burgjet e Serbisë dhe të Jugosllavisë dhe këtu nuk është vendi që t’i përmendim qe të gjithë.
* * *
Njeri nga ata që dallohet si i veçantë është Shaban Mazreku nga Sopia, i cili shquhet si atdhetar largpamës që me kohë, ndër të parët, e vërejti hilen dhe mashtrimin e madh që i bëhej këtij populli gjatë luftës së ashtuquajtur Nacional Çlirimtare e sidomos fill pas përfundimit të saj.
Pata fatin që ta njohë herët që në vitet e gjashtëdhjeta të shekullit të kaluar Shaban Mazrekun, prandaj para se të shpallosi para jush ndonjë nga kujtimet për këtë atdhetar të dalluar do t’i rikujtoj dy tri momente nga biografia e tij.
Ishte njeri me etje të madhe për dituri. Ndonëse nuk kishte kushte për shkollim të rregullt ai gjatë jetës kishte mësuar vazhdimisht. I dinte gjuhët europiene (gjermanishten që e kishte mësuar sa ishte rob i luftës, pastaj italishten, frengjishten, turqishten e kuptohet edhe serbokroatishten e maqedonishten.
Pas kthimit nga internimi në Gjermani ishte bashkuan luftës kundërfashiste, por per shkak të bindjeve të tij atdhetare kishte rënë në konflikt me oficerët partizanë, prandaj e kishin demobilizuar dhe e kishion dënuar me dy vjet burg. Pas daljes nga burgu kishte rënë në kontakt me kundërshtarët e komunizmit, Ibrahim Lutfiun, ilegal në rrethinat e Suharekës dhe Zenun Kepën dhe ishte inkuadruar në Lëvizjen Nacional Demokratike shqiptare. Pastaj kishte veprua brenda kësaj levizjeje në grupin “Lidhja e Prizrenit” bashkë me Shaban Dërgutin, Mustafë Nixhën, Hafëz Jakupin, Bitër Dehallën, Tomë Mjedën, Zekë Bajraktarin e shumë të tjerë.
Për veprimtarinë atdhetare Shaban Mazreku bashkë me katër shokët e tij, më 1950 në gjykatën e Prishtinës u dënuan, së pari me burgim të përjetshëm e pastaj dënimi i zbritet në 20 vjet burg të rëndë. Gjatë këtij gjykimi para prokurorit dhe gjykatësve jugosllavë ai si njeri i fort largpamës do të deklarojë me krenari: …Kosova është tokë shqiptare dhe i takon Shqipërisë. Të gjithë ata gabohen, po qe se mendojnë se shqiptarët do të pajtohen një ditë që të jetojnë përgjithmonë nën okupimin serb…
Dhe gjykatësi i tërbuar nga fjalët e tij nuk e la që ta përfundonte mendimin.
Shaban Mazreku i mbajti 12 vjet e gjysmë burg të rëndë në burgjet e Jugollavisë, duke i mbrojtur në vazhdimësi idealet e tij për një Shqipëri të bashkuar demokratike properëndimore. Gjate viteve të burgut nga torturat, pos katandisjes së plotë fizike, e mbase nga leximi në kushtet e errësirës ai fillojë ta humb të pamit dhe gati se u verbuar në tërësi.
Por Shaban Mazreku edhe i verbët shihte me sytë e mendjes, në mënyrë të veçantë të ardhmen e popullit të tij. Ai ai vazhdonte të merrej me politikë gjatë gjithë jetës, e dëgjonte radion në gjuhët që i dinte, gjykonte kthjellët dhe kishte një mbamendje të jashtëzakonshme. I riprodhonte me besnikëri, madje edhe në gjuhën origjinale, ato që i kishte lexuar derisa shihte, pastaj ato që i kishte dëgjuar në radio ose në bashkëbisedime me shumë miq e dashamirës, me shumë intelektualë nga gjeneratat e reja. E donte dhe e respekton sidomos Afrim Morinën nga Reshtani, Haxhi Zybën e Bukoshit dhe Shefki Muçën e Suharekës, e në mënyrë të veçantë Ukshin Hotin, me të cilin ishte takuar shumë herë dhe kishte këmbyer mendime.
Shaban Mazreku e kishte një stil të veçantë të bashkëbisedimit, sepse bënte shpeshherë pyetje retorike dhe, në qoftë se bashkëbiseduesi nuk i përgjigjej pyetjes së këtillë, ai i kishte të gatshme edhe përgjigjet. Përveç bisedës së qetë, normale ai e pëlqente edhe të folurit alegorik me anë të rrëfejzave e meseleve. Për këtë mënyrë të bisedës ai thoshte: A flasim katundarçe, apo do të flasim shqip, që do të thotë me një gjuhë sa më të thjeshtë dhe të kuptueshme. Me Shaban Mazrekun kemi biseduar shpesh si në Peqan, të miku i tij, Sefer Fetiu, ashtu edhe në Prishtinë, në shtëpinë e mikut të tij, Hazir Jahaj, por ai më ka ardhur edhe në shtëpi dhe dhe në Zyrë në Institutin Albanologjik. E çmonte jashtë masës arsimin, punën intelektuale. Me te jam takuar dhe kam biseduar shpesh edhe në Sopi sidomos gjatë viteve 90, kur vepronte lëvizja për vpajtimin e gjaqeve dhe ngatërresave, si veprimtari e organizuar që lidhej edhe me politikën e Lidhjes Demokratike të Kosovës… Duke qenë njeri që kishte vuajtur në kohë të luftës edhe si internuar në kampet naciste Gjermani, pastaj në burgjet jugollave, ai nuk e donte luftën dhe shpresonte, ashtu si edhe shumë shqiptarë në këtë kohë, se çështja jonë kombëtare do të zgjidhej në rrugë paqësore. Mu për këtë në atë kohë ai e adhuronte Ibrahim Rugovën dhe disa herë kishte shprehur dëshirën që të takohej me te. Me kujtohet se me ndërmjetësimin e disa shokëve atij ia patëm plotësuar edhe këtë dëshirë. Ai kishte biseduar me idhullin e tij të asaj kohe presidentin e Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovën… Ndonëse e preferonte rrugën paqësore, Shaban Mazreku, i lodhur dhe i sëmurë, në ditët e fundit të jetës së tij, u bë edhe përkrahës i flaktë i UÇK- së dhe shkoi me shpresë se do të realizohej së shpejti ajo që e kishte paraparë që në vitin 1950 dhe e kishte thënë haptas edhe para gjykatësit e prokurorit se shqiptarët nuk do të pajtoheshin kurrë me pushtimin serb dhe një ditë do të çliroheshin.
* * *
Duke përfunduar këtë fjalë të rastit për atdhetarin Shaban Mazrekun, mund të thuhet se ai ishte një shembull i rrallë i atdhetarit, adhurues të arsimit dhe të përparimit të popullit, i njeriut largpamës, që me sy të mendjes e pa të ardhmën e ndritur të popullit të tij, të cilin dëshironte që ta arsimonte, ta përparonte dhe ta çlirtonte nga dhuna serbe. Ai njësoj si dikur Naim Frashëri që në vjershën e tij të famshme e ftonte ditën e uruar: Jakë o ditë e uruar, //që lind nga perëndon,// atë anë e ke ndrituar// e ne pse na harron?//, priti me shumë durim e sakrifica që në vendin e tij të ngadhnjente demokracia përparimtare e botës perëndimore; për të cilën ishin sakrifikuar breza e tërë të shqiptarëve, në mënyrë të veçantë ata nga radhët e Levizjes Nacional Demokratike Shqiptare, të cilës i përkiste edhe Shaban Mazreku me shokë.
Në fund, Urojmë që shkolla që do ta mbajë me nder emrin e atdhetarit largpamës, Shaban Mazreku, të shndërrohet në çerdhe të diturisë dhe të përparimit dhe nga ajo të vazhdojnë të shkollohen në shkolla të mesme dhe në fakultet të rinjtë që do t’i përmbushin në tërësi idealet e të gjithë atyre që kanë punuare e janë sakrifikuar për lirinë dhe bashkimin kombëtar shqiptarëve.
Ju falëmnderit.
– Autori këtë fjalim e mbajti në Akademinë përkujtimore (më 28 Nëntor 2013), me rastin e zbutlimit të bustit në oborrin e Shkollës Fillore “Shaban Mazreku” në Sopi të Therandës (Suharekës).

…………………………….

– Faksimilet e akgjykimit të grupit të Shaban Mazrekut –

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura