XHEMAJL PLLANA: VEPRIMTARIA IME KOMBËTARE NË KUADËR TË LNÇKBVSHJ-së DHE LPRK & LPK-së (15)

Pashtriku, 17 gusht 2020: Të gjitha funksionet e institucioneve shtetërore në duartë e serbëve dhe malazezëve
Funksionet shtetërore, juridike, policore dhe vendet udhëheqëse kaluan tërësisht në duar të serbëve. Sipas disa shënimeve më se 1.600 serbë e malazezë u emëruan drejtorë dhe kuadër tjetër udhëheqës në organizatat ekonomike, institucione dhe në organizata të tjera në sektorin shoqëror.Janë keqtrajtuar nga policia me qindra mijëra shqiptarë. Në çdo vit janë vrarë e masakruar me dhjetra persona. Vrasje e masakrime, kinse “vetëvrasje”, bëheshin sidomos ndaj ushtarëve shqiptarë në kazermat serbojugosllave.
Ndërtimi i shtëpive dhe kolonive të vendbanimit për serbomalazezët
Për kolonët serbë e malazezë pushteti serb ndërtoi shtëpi, por edhe koloni vendbanimi. Kështu ndërtoi rreth 119 shtëpi afër Junikut, mbi 180 shtëpi afër fshatit Baballoq,ndërtimi i 76 shtëpive në Lum të Madh të Vushtrrisë, në Kodrën e Diellit në Prishtinë 160 shtëpi, kompleksi banesor në lagjet “Ulpianë”, “Dardani” etj., në Shirokë të Suharekës, në Miradi të Epërme 80 banesa për kolonë etj. Kishte ndryshuar planin urbanistik të shumë qyteteve dhe fshatrave si dhe të zonave industriale për ndërtimin e vendbanimeve kolone, si në Gjilan, Prishtinë, Prizren, Klinë, Suharekë, Vushtrri, Istog, Deçan, Zveçan etj. Pas rënies së të ashtuquajturës Krainë Serbe në Kroaci (gusht 1995) u intensifikua kolonizimi i Kosovës me serbë të ikur nga Kroacia. Brenda një kohe të shkurtër në Kosovë, u vendosën 13.895 kolonë serbë. Përveç nga Kroacia, në Kosovë u vendosën kolonë edhe nga Bosnja, por edhe nga vetë Serbia; Sipas disa shënimeve që i jep dr. Hakif Bajrami, Serbia prej vitit 1981 e deri në vitin 1995 ka ndarë për kolonët serbë së paku 5.519 banesa e shtëpi. Nëse një familje mesatare ka 5 anëtarë, atëherë del se në Kosovë janë sjellë 27.595 kolonë.

Në bjeshkët e Qyqavicës, maj 1999: Xhemajl Pllana me bashkëluftëtarin Besim Hasani në një tendë…

Propozim i masave për zgjidhjen e problemeve aktuale në Kosovë
Edhe pse në Kosovë kishte filluar lufta për çlirim kombëtar nga ana e popullatës shqiptare në krye me UÇK-së, ushtria, policia dhe paramilitarët serbë bënin gjenocid mbi popullatën shqiptare, partia politike serbe në pushtet “SPS” (Socijalisticka Partija Srbije), përkatësisht “Këshilli Krahinor i “SPS” për Kosovë e Metohi” bënte plane dhe kishte hartuar projekte për këtë qëllim. Ajo kishte hartuar dokumentin me titull:“Propozim i masave për zgjidhjen e problemeve aktuale në Kosovë e Metohi, Prishtinë, 15 dhjetor 1998. Në hyrje të atij projekti në mes tjerash theksohej: “Për mbetjen e Kosmetit në Serbi më e rëndësishmja është që Serbët dhe Malazezët të mbesin në këto treva. Që të ruhet Kosova dhe Metohia duhet që shteti të ndërmarrë masa urgjente për shkatërrimin e terrorizmit dhe para-shtetit shqiptar, në ngritjen e pozitës ekonomike dhe sociale të serbëve dhe malazezëve dhe krijimit të kushteve për kolonizimin e këtyre viseve”.
Projekti për kolonizim parashihte lokacionet e vendeve ku mund të ndërtohen vendbanimet
Përkitazi me kolonizimin e Kosovës, në pikën 3 dhe 6 të atij Projekti, parashihen lokacionet e vendeve se ku mund të ndërtohen vendbanimet, kush mund të jetojë në to dhe burimet për ekzistencë:
Komuna e Gjakovës: Vendbanimi mund të ndërtohet pranë rrugës magjistrale Gjakovë-Prizren në të dy anët e rrugës, ku është bërë parcelizimi nga 21 ari. Lokacioni i dytë është pranë rrugës rajonale Gjakovë-Prishtinë në të dy anët, ku mund të ndërtohen më shumë se njëqindë objekte. Propozohet që përveç shtëpisë dhe oborrit, banuesve t’u ndahen edhe nga 2-3 ha tokë bujqësore, 2-3 ha pyll dhe 0,5 deri 1 ha vëreshta. T’u ipet edhe nga një traktor dhe nga një lopë që do t’i paguanin në natyrë. Të gjitha këto familje do të merren kryesisht me bujqësi. Komuna disponon më 29.436 ha tokë në sektorin shoqëror.
Komuna e Gorës: Kuvendi i komunës së Gorës ka aprovuar Programin për kthimin e serbëve dhe malazezëve dhe ndërprerjen e shpërnguljes së goranëve dhe ka siguruar 9 troje për ndërtimin e shtëpive familjare në vendbanimin Dragash. Tri troje ua ka ndarë familjeve serbe e malazeze. Për këtë qëllim kjo komunë posedon me 174 ha tokë në sektorin shoqëror.
Komuna e Suharekës: Vendbanimi mund të ndërtohej në lokacionin në vendin Shirokë, në afërsi me Suharekën pran rrugës magjistrale Suharekë – Prizren. Është siguruar komplet infrastruktura. Në Shirokë komuna ka hartuar dhe aprovuar planin urbanistik për këtë vendbanim dhe ka bërë parcelizimin për 50 troje për ndërtimin banesor individual, si dhe 50 troje për ndërtimin e vendbanimit për refugjatët. Ekziston lokacioni në fshatin Mushtishtë për ndërtimin e 50 shtëpive familjare. Infrastruktura është siguruar si dhe punësimi në ekonomi dhe në komunë dhe në organet shoqërore. Për këto vendbanime ka të interesuar. Burimet e ekzistencës së këtyre familjeve do të siguroheshin nga punësimi në ekonomi, organet shtetërore, administratat lokale dhe në institucionet tjera në komunë. Ekziston mundësia e ndarjes së tokës punuese të sektorit shoqëror në shfrytëzim në sipërfaqe prej 120 ha.
Komuna e Rahovecit: Në territorin e kësaj komune mund të ndërtoheshin vendbanime në Xërxë, Bërnjaçë dhe Hoçë të Madhe. Këtu do të vendoseshin familjet e ikura nga fshatrat tjera. Këta duhet të punësohen dhe t’u ndahet tokë punuese për ata që dëshirojnë ta punojnë. Posedon më mbi 920 ha sipërfaqe punuese për ato familje që dëshirojnë të jetojnë në këtë mjedis.
Komuna e Prizrenit: Lokalitetet, ku mund të ndërtohen vendbanimet: Dushanovë – 150 troje x 5 ari = 75 ha; Lubizhda (te objekti i Perllonkës) 60 troje x 5 ari gjithsej 3 ha; Novaku 10 troje; Jabllanica në Prizren 30 deri 35 troje. Burimet e ekzistencës nga bujqësia, përveç kësaj të fundit nga puna në subjektet ekonomike. Për këtë qëllim posedon më 160 ha tokë bujqësore punuese.
Komuna e Novobërdës: Sipas planit urbanistik është paraparë ndërtimi i dy komplekseve banesore për banim individual e kolektiv në fshatin Prekoc 60 banesa dhe Bostan 76 banesa. Ata do të punësohen në administratën lokale dhe organet shtetërore, në minierë etj. Nga 205 ha tokë sa posedon mund t’u ndahen 35-40 ha.
Komuna e Kamenicës: Vendbanimi mund të ndërtohet në ngastrën e fshatit Kololeç, në vendin “Pjesa e Dytë”, ku janë afro 25 ha tokë punuese. Kjo do të shërbejë si për refugjatë dhe për të gjithë ata, që dëshirojnë të jetojnë dhe punojnë në këtë komunë. Punësimi do të bëhej në qytet. Posedon me 260 ha sipërfaqe tokësore, pronë e Kooperativës Bujqësore.
Komuna e Vitisë: Për shkak të shpërnguljës së kroatëve nga BL në Letnicë janë krijuar kushtet për kolonizimin e 3000 serbëve dhe malazezëve. Në ngastrën e fshatit Sadovinë, në pronat që i shfrytëzon “Agromorava” për arsye strategjike, propozohet ndërtimi i vendbanimit me ekzistencë nga bujqësia dhe pjesërisht punësimi në ekonomi. Janë ndarë 250 ha tokë punuese për serbë e malazezë që dëshirojnë të jeojnë në Kosovë.
Komuna e Gjilanit: Në këtë komunë ka lokalitete të shumta të përshtatshme për ndërtimin e vendbanimit. Në lagjen “Park” në qytet janë ndarë 100 troje dhe 120 të tjerë duhet t’u ndahen familjeve serbe. Duhen mjete për infrastrukturë, sepse me planin urbanistik është paraparë ndërtimi i Lagjes serbe. Në fshatin Livoçi i Poshtëm ekziston lokacioni shoqëror prej disa ha, mjaft të përshtatshëm për vendbanim me 100 shtëpi. Ka mjaftë të interesuar dhe ekzistenca e tyre sigurohet nga puna në ekonomi, bujqësi dhe institucione të tjera.
Komuna e Leposaviqit: Vendbanimi do të ndërtohet në Soçanicë (dy vendbanime) dhe në Leshak, në të cilët do të vendoseshin familjet e refugjatëve, të cilat dëshirojnë të jetojnë dhe të punojnë në Kosovë. Burimet e ekzistencës do të ishin bujqësia dhe puna në ndonjë ndërmarrje bujqësore.
Komuna e Zubin Potokut: Ekzistojnë dy parcela të arave nga 2 ha, 50 troje, të cilat mund të shfrytëzoheshin për ndërtimin e vendbanimit për refugjatë dhe të kthyerit.
Komuna e Mitrovicës: Lokacionet për ndërtimin e vendbanimeve gjenden në BL të Suhadollit dhe BL Frashërit, përkatësisht 15 ha në BL të Shipolit dhe 11 ha BL të Frashërit.
Komuna e Zveçanit: Me planin urbanistik të vitit 1996, si mundësi të lokacioneve për ndërtimin e lagjeve të reja të banimit në shtatë blloqe banimi dhe mundësia e ndërtimit e një numri të objekteve të banimit në të gjitha Bashkësitë lokale. Me këtë numri i të shpërngulurëve do të zvogëlohej. Në dispozicion ka rreth 100 sipërfaqe tokësore.

Në Prekaz me bashkëluftëtarët, 1998

Komuna e Shterpcës: Janë caktuar tri lokacione për ndërtimin e vendbanimeve në këtë komunë, në të cilin do të vendoseshin kuadrat e nevojshme të komunës, refugjatët dhe personat social.
Komuna Skënderaj: Është hartuar projekti urbanistik për ndërtimin e vendbanimit prej 74 shtëpive të parapara për refugjatë, në afërsi të qendrës së Skënderajve. Për këtë qëllim në këtë komunë ka 3.200 ha.
Komuna e Kaçanikut: Është planifikuar ndërtimi i vendbanimit në ngastrën e Rrugës magjistrale Prishtinë-Shkup, në lokacionin rruga e Partizanit në sipërfaqe prej 42 ha. Sipas projektit do të ndërtohen 230 njësi banesore. Vendbanimi u dedikohet personave të ikur dhe të dëbuar nga ish republikat e Jugosllavisë dhe disa qytetarëve të varfër, në funksion të pengimit të shpërnguljes dhe kthimit të personave të shpërngulur. Ata do të punësoheshin në Fabrikën “Sharri”, në doganë, në ushtri, në polici, në organe të administratës dhe në punimin e tokës bujqësore, që posedon me 42 ha sipërfaqe tokësore dhe 250 ha sipërfaqe kontestuese që pastaj do të ndahej.
Komuna e Ferizajit: Parashihej ngritja e këtyre vendbanimeve: Babushi serb (punësimi në Fabrikën e pjesëve të biçikletave që është ndërtuar afër këtij fshati); Nerodime të Poshtme (ndarja e tokave bujqësore dhe se ekziston infrastruktura); Talinofc (ndarja e tokës bujqësore punuese) dhe Kosinë (ndarja e tokës punuese bujqësore dhe merasë së fshatit). Për këtë qëllim komuna posedon me 1000 ha sipërfaqe tokësore pronë e kooperativave bujqësore.
Komuna e Gllogocit: Ndërtimi i vendbanimit në Komaran, në anën e djathtë të rrugës Prishtinë-Pejë (ekzistimi bujqësia), Karrotica e Epërme, në anën e djathë të rrugës magjistrale Prishtinë – Pejë. Burimi i ekzistencës: punësimi në komunat e afërta Fushë-Kosovë, Gllogoc ose Prishtinë. Në territorin e kësaj komune mund të ofrohen 5000 ha sipërfaqe tokë punuese bujqësore për kolonizimin e serbëve dhe të malazezëve.
Komuna e Shtimes: Mund të ndërtohen vendbanimet në disa vende si në Shtime në vendin “Koshtanë” dhe jashtë Shtimes në vendin “Fidanishtë” dhe “Gllavicë”. Punësimi: në Fabrikën e gypave në Ferizaj dhe aktivizimi i bujqësisë, ku sektori shoqëror posedon me 12.827,oo ha sipërfaqe punuese.
Komuna e Obiliqit: Eksistojnë dy lokacione për ndërtimin e vendbanimit: në Milloshevë është hartuar plani i parcelizimit për ndërtimin e 250 objekteve individuale, në tokën e cila është pronë shtetërore në drejtimin e rrugës Prishtinë-Mitrovicë, dhe në Obiliq në qendër të vendbanimit në sipërfaqe prej 100 ari në të cilën mund të fillojë menjëherë ndërtimi i objekteve individuale. Ka 1333 ha sipërfaqe punuese, që mund të ndahet.
Komuna e Pejës: Janë përcaktuar këto lokacione: 1. Vendbanimi pran rrugës rajonale Pejë-Deçan, rreth 4 km larg qytetit, në anën e majtë të rrugës në sipërfaqën shoqërore, ku mund të ndërtohet vendbanimi me 40 njësi banesore me sipërfaqe të një njësie 10-15 ari. Eksiton infrastruktura. 2. Vendbanimi pranë rrugës magjistrale Pejë-Prishtinë, në anën e majtë të rrugës rreth 8 km larg nga qendra e Pejës, ku ekziston prona shoqërore e cila mundëson ndërtimin e vendbanimit prej 100 e më tepër njësive banesore. Çdo njësi do të merrte nga 20 ari. 3. Vendbanimi në ngastrën Pejë-Gorazhdevc, në lagjen Orashje, ku gjendet kompleksi shoqëror pran rrugës në të cilin mund të ngriteshin 30 njësi banesore me sipërfaqe prej 10-15 ari. Për këtë lokalitet ekziston infrastruktura. Për këtë mund të ndahen rreth 1.200 ha prodhuesve bujqësor me qesim.
Komuna e Klinës: Vendet ku mund t’u ndërtoheshin vendbanimet: Kompleksi në sipërfaqe prej 6 ha, i cili gjendet pran motelit Nora, pranë rrugës Prishtinë-Klinë; Sipërfaqja, pronë e Fabrikës së sheqerit në Zajm, pranë rrugës Prishtinë-Pejë; Sipërfaqët e Fabrikës së sheqerit në Budisalc, ku ekziston rruga lokale e asfaltuar; Fshati Biçë, sipërfaqja pronë e Kombinatit Bujqësor “Malishgan”; Fshati Jashanica, sipërfaqët e Kombinatit “Malishgan”, larg 3 km nga rruga asfaltuar Klinë-Ujëmir. Sipërfaqe punuese në sektorin shtetëror e shoqëror, e cila mund t’u ndahej familjeve, të cilat dëshirojnë të vijnë dhe të jetojnë në këtë komunë është 3.422,86 ha.
Komuna e Deçanit: Ndërtimi i vendbanimit në të cilin do të jetonin serbët dhe malazezët e shpërngulur nga fshatrat e kësaj komune, në lokalitetin në ngastren “Rrafshi i Koshtanit” (3 km) dhe në fshatin Rastavicë (8 km). Serbëve dhe malazezëve të ikur nga Shqipëria të cilët janë vendosur në Baballoq dhe Junik u është ndarë 600 ha tokë punuese. Kjo komunë momentalisht posedon edhe me 40 ha tokë punuese, e cila eventualisht mund të ndahej për punim.
Komuna e Istogut: KK i Istogut në mbledhjen e jashtëzakonshme më 14.09.1998 ka marrë vendimin për ndarjen e 97,66 ha tokë në kompleksin Bellopojë-Dubravë. Janë lëshuar 147 vendime me nga 20 ari truall për ndërtimin e shtëpive familjare. Mirëpo, refugjatët që ishin të vendosur në këtë komunë janë larguar dhe kanë shkuar në Amerikë. Në pronësinë shtetërore dhe industriale ka gjithsej 3.793 ha tokë.
Komuna e Fushë-Kosovës: Lokacioni Komplesi 300, është paraparë ndërtimi i objekteve banesore shumëkatëshe, përkatësisht 327 banesa sipas programit JU, për kolonizimin e të kthyerve. Deri më tani në këtë lokacion 42 banesa sipas JU programit janë ndërtuar të cilat janë në shrytëzim nga viti 1992 dhe 49 banesa për treg, të cilat i ka blerë Armata Jugosllave që gjithashtu janë në funksion. Gjatë vitit 1997 në këtë lokacion ka filluar ndërtimi edhe i 36 banesave sipas JU programit dhe 24 banesa nëpërmjet Fondit të solidaritetit. Në këtë lokacion mund të fillojë ndërtimi edhe i 168 banesave. Popullata e këtyre vendbanimeve do të punësohej në Elektroekonominë e Kosovës, Ndërmarrjen hekurudhore, NSH “Thertorja”, Kombinatin e teksitilit “Jumko” dhe në organizatat tjera që gravitojnë në komunën e Fushë-Kosovës. Posedon me 75 ha tokë punuese Uglar e Miradi e Epërme) për këtë qëllim.
Komuna e Lypianit: Mundësia e ndërtimit të vendbanimeve në fshatrat Magure dhe Suhadoll. Në Magure që nga viti 1995 ka filluar iniciativa për ndërtimin e lagjës së refugjatëve. Për këtë qëllim u ndanë 10.54,96 ha tokë, punësimi i të cilëve do të bëhej në Minierën e magnezitit “Golesh”. Në këtë kohë është ndërmarrë iniciativa edhe për ndërtimin e shtëpive në vendbanimin Suhadoll. Kjo komunë posedon për ndarje të sipërfaqeve tokësore familjeve, të varfëra dhe atyre që dëshirojnë të jetojnë dhe të punojnë në Kosovë: ara – 131,65,13 ha, kullota – 904,56,46 ha, livadhe – 23,00,35 ha, livadhe – 23,00,37 ha, male 296,50,94 ha dhe tokë jopjellore 14,74,42 ha.
Komuna e Podujevës: Në largësi prej 2 km nga qendra e qytetit mund të ndërtohej vendbanimi prej 100 shtëpive familjare në vendin e quajtur “Fusha e Livadhisë”, 20 troje të parcelizuara përmbi hekurudhën, te kisha ortodokse dhe 106 troje për shtëpi familjare të NSH “Fagar”. Këto vendbanime parashiheshin për ata që jetojnë dhe punojnë në territorin e kësaj komune dhe nuk e kanë të zgjidhur çështjen banesore, ata të cilët dëshirojnë të vijnë dhë të jetojnë në këtë komunë dhe refugjatët nga Kroacia, të cilët dëshirojnë të mbesin këtu. Punësimi i tyre në ndërmarrjet e kësaj komune. Për këtë qëllim kooperativat bujqësore posedojnë me 139 ha sipërfaqe (Ballofc 15 ha, Shajkoc 20 ha, Merdar 14 ha, Obranxhë 20 ha, Shammalluk 30 ha, Dyz 25 ha dhe Zakut 15 ha).
Komuna e Vushtrrisë: Në këtë komunë planifikohej ndërtimi i vendbanimeve në këto lokacione: fshatin Maxhunaj, Lokacioni i qytetit “Kooperativa”, Lokacioni i qytetit “A reparti”, Lokacioni i qytetit “Polet”, Lokacioni “Prilluzha 1-2-3”, Stanofci i Poshtëm, Stanofci i Epërm, Novolani, Samadrexha, Pantina, Vërmica, Bukoshi, Nadakoci, Druari dhe Begaj. Në këto do të jetonin refgjatët, familjet në gjendje të vështirë materiale, ato familje që nuk kanë tokë ndërtimore. Punësimi i tyre do të bëhej në ndërmarrjet dhe fabrikat e qytetit dhe të tjera. Për këtë qëllim ishin planifikuar 170 ha sipërfaqe tokësore (Gracë 100 ha tokë punuese, vendi “Bregu” 7 ha, Vendi “Korrizi” 3 ha, afër Llapit, fshati Maxhunaj – 60 ha).
Komuna e Prishtinës: Kuvendi i Qytetit të Prishtinës ka siguruar dhe ka caktuar për ndërtimin e shtëpive: në Hajvali 141 troje me nga 10 ari, me mundësi punësimi në Minierën e Hajvalisë; në Lebanë 175 troje me nga 7,5 ari, me mundësi të punësimit në Elektroekonominë e Kosovës; në fshatin Nëntë Jugoviqët 59 troje me nga 5 ari, me mundësi të punësimit në Elektroekonominë e Kosovës dhe në kolektivet e Prishtinës. Në ndërkohë është, përgatitej ndarja e 150 trojeve me nga 7 ari në fshatin Badovc për “Vendbanimin e solidaritetit serb”. Sipërfaqe bujqësore, të cilat mund t’u ndahen familjeve të varfëra dhe familjeve që dëshirojnë të vijnë dhe të jetojnë në këtë mes është 72,36,80 ha.
Si pasoj e represionit serb, rreth 500.000 azilkërkues nga Kosova
Në anën tjetër, si pasojë e dhunës e terrorit qysh heret kishte nisur vala e shpërnguljes së shqiptarëve në formë refugjatësh, azilantësh politikë, stinorë etj. Sipas të dhënave të ndryshme, rezulton se deri më 1996, nëpër shtete të ndryshme të Evropës gjendeshin rreth 350.000 azilkërkues shqiptarë nga Kosova. Numri i tyre deri në vitin 1999 arriti deri në 500.000.
Vrasjet, masakrat, dëbimi masiv i shqiptarëve dhe kthyerja e tyre
Platforma antishqiptare serbe për asgjësimin e shqiptarëve ka gjetur zbatimin e saj në të gjitha fushat e jetës shoqërore, duke kulmuar her në fushën ekonomike, herë në atë politike, herë në atë fetare apo atë ushtarake. Policia, ushtria dhe paramilitarët serbë,nga marsi i vitit 1998 e deri në pranverë të vitit 1999 ndërmorën ofensiva për vrasjen e popullatës shqiptare dhe rrënimin e vendbanimeve të tyre. Kjo shtypje kulmin e arriti në mars – qershor 1999. Në fundshekull, kur bota përgatitej të hyjë në mijëvjeçarin e tretë me arritje njerëzore e qytetare, shqiptarët e Kosovës pësuan një tragjedi të vërtetë: ata u ndodhën përpara reprezaljeve makabre dhe përpara një spastrimi të egër etnik të ushtruar nga ana e forcave policore e ushtarake si asnjëherë më parë. Regjimi i Millosheviqit,në zbatimin e planeve të përgatitura në fshehtësi, hodhën kundër shqiptarëve armatën 45-mijëshe të policëve, ushtarakëve dhe paraushtarakëve serbë. Repartet e saj me uniforma e pa uniforma nxirrnin dhunshëm brenda disa minutave shqiptarët nga banesat dhe shtëpitë e tyre, disave ua vinin flakën, ndërsa njerëzit i nisnin drejt kufirit shqiptar e maqedonas. Millosheviqi kishte vendosur që t’i qëronte hesapet përgjithmonë me shqiptarët e Kosovës, ta spastronte etnikisht tokën nga këta banorë autoktonë. Kështu planifikonte që 610 vjetorin e Betejës së Kosovës ta “festonte” në Gazimestan pa shqiptarë në Kosovë.
Deportimi i shqiptarëve të Kosovës është tragjedia e tretë
Lidhur me dëbimin e popullatës shqiptare nga Kosova, Kadare shkruante: “Deportimi i shqiptarëve të Kosovës është e treta tragjedi, më e egra, më e pashembullta e më mizorja. Por ajo ka brenda, bashkë me zinë, edhe dritën e së ardhmës. Është hera e parë që shqiptarët do të kthehen përsëri atje prej nga u shkulën. Në fatin tonë ka ndodhur një ndryshim, nga ato që quhen hyjnore. Shqipëria, pas gjithë anktheve të saj po skajohet më në fund në atë pjesë të botës, që ëndërronin njerëzit me të ndritur të saj, që nga Gjergj Kastrioti gjer të rilindasit: në zonën evropiane, ku ka qenë e aty ku e kishte vendin. Të tjerët, fqinjët e saj të egër le të shkojnë ku të duan. Atë Kosovë, që e lanë si një të keqe, shqiptarët do të mbushin përsëri me praninë e tyre, me djemtë dhe vajzat e bukura, me rrudhat e pleqve, me armatën e pathyeshme të foshnjeve e të fëmijëve, që do të përtërihen të gjitha, siç përtërihej jeta pas ikjes së mortajës. Jeta e rikthyer pas një sezone çmohet më shumë, dhe po ashtu çmohet me shumë toka dhe shtëpia, ninullat dhe librat, dhe gjithçka tjetër që përbën atë që thuhet vendi i atit, atdheu. Duke u ndarë nga një natë e zezë tmerri, shqiptarët nuk duhet të harrojnë në jetë të jetëve atë që u ndodhi. Jo për të rënë në kurthin e urrejtjes shterpe, por për të çmuar e për ta mbrojtur më mirë jetën e tyre…”.
Pushteti fashist serb po zbatonte politikën e fshesës
Vandalizmi i pushtetit serb krahas krimeve çnjerëzore mbi shqiptarët, rrënimit të fshatrave shqiptare me tërë infrastrukturën, në shënjestër të shkatërrimeve sistematike pati edhe objektet shkollore, ambulanca, shtëpi të kulturës, objekte me vlerë të trashëgimisë historiko-kulturore, si p.sh. shumë kulla të vjetra shqiptare, më 27 mars 1999 ndërtesën e kompleksit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Çarshinë e Gjakovës, Çarshinë e Pejës, më se 209 xhami, shumë teqe, shtëpi të vjetra me vlerë të madhe arkitektonike etj., si dhe shumë dokumente arkivore, libra, eksponate muzeale etj.
Plaçkitja e dokumentacionit
Gjatë kësaj periudhe pushteti serb kishte plaçkitur nga kuvendet komunale, zyret e vendit etj., tërë dokumentacionin e ofiçarive, siç ishin librat amë të të lindurve, të të kurorëzuarve, të të vdekurve, librat e nënshtetësisë, pastaj dokumentacionin e shërbimeve kadastrale etj. Ato i kishte shpërndarë nëpër qytete të Serbisë. Ndërsa, dokumentet e tilla personale dhe pronësore që posedonin shqiptarët, soldateska serbe u kishte djegur së bashku me shtëpitë dhe gjithë pasurinë që kishin, ose ua kishin grisur gjatë dëbimit të tyre. Qëllimi ishte, që dokumentet e gjendjes civile, së bashku me librat e shërbimeve kadastrale dhe dokumentet e tjera me vlerë që dëshmojnë qenësinë dhe indentitetin shqiptar të Kosovës, i plaçkiti për t’i fshehur gjurmët e spastrimit etnik në Kosovë dhe për të ndërruar me dhunë strukturën demografike të popullsisë në favor të pakicës serbe e malazeze dhe për t’ua ndaluar me dhunë të dëbuarve kthimin në Kosovë, duke u munduar që para syve të opinionit botëror të paraqesin mungesën e këtyre dokumenteve, si “argument” se ata nuk kanë qenë kinse asnjëherë banorë të kësaj treve. Nga Arkivi i Kosovës është marrë dokumentacioni për kolonizimin e Kosovës ndërmjet dy luftërave botërore, ai i revizionit të reformës agrare dhe dokumentacion tjetër për çështje pronësoro-juridike dhe ate të dënimeve politike pas Luftës së Dytë Botërore. Edhe nga institucionet tjera janë marrë dokumentet si nga S P B të Kosovës, nga Enti i Mbrojtjes së Monumenteve të Kulturës së Kosovës, Muzeu i Kosovës dhe institucionet tjera.
Dëbimi i popullatës shqiptare nga Kosova
Deri në fillim të majit 1999, nga Kosova ishin përzënë rreth 730.000 shqiptarë. Prej tyre 605.000 u strehuan në Shqipëri, në Maqedoni, Mal të Zi, në Bosnje e Hercegovinë, ndërsa 125.000 të tjerë në vende të ndryshme të Evropës dhe të Amerikës dhe Australisë. Po t’u shtohen këtyre refugjatëve edhe të ikurit deri më 1996, del se shovenizmi serb shpërnguli me dhunë deri në maj afro 1.000.000 shqiptarë të Kosovës ose më shumë se ½ e popullsisë shqiptare të këtyre trojeve. Rreth 700.000 shqiptarë u shpërngulën nga banesat dhe shtëpitë e tyre dhe u detyruan të jetonin në rajonet malore të Kosovës në një situatë dramatike. Sipas të dhënave të UNCHR në fillim të qershorit 1999, nga refugjatët e dëbuar prej Kosovë 443.300 ishin vendosur në Shqipëri; 247.800 në Maqedoni, 69.300 në Mal të Zi; 21.700 në Bosnje e Hercegovinë, gjithsej 782.100. Në vendet tjera të botës u vendosën gjithsej 76.475 refugjatë, duke përfshirë 13.639 në Gjermani, 7.581 në Turqi, 5.829 në Itali, 5.730 në SHBA, pastaj në Francë, Norvegji, Suedi, Britani të Madhe, Poloni, Spanjë, Portugali, Finlandë, Izrael etj. Duhet theksuar se në mbrojtje të popullatës vendore shqiptare, të pragut të shtëpisë, në kthimin e krenarisë kombëtare, në sensibilimin e çështjës shqiptare në arenën ndërkombëtare dhe në çlirimin e vendit kishte dhën padyshim Ushtria Çlirimtare e Kosovës, bijët dhe bijat më të mira të popullit tonë. Disa nga ata dhanë vlerën më të shtrejtë për liri e pavarësi – jetën.
Krimet serbe në Kosovë krime kundër njerëzimit
Njësitë militare e paramilitare anticivile serbe kanë bërë krime të rënda, krimeve kundër njerëzimit. Kriminelët serbë, përkundër gjithë egërsisë që kanë treguar duke vrarë, ekzekutuar, masakruar dhe torturuar në mënyrën më të tmerrshme viktimat, gjatë tërë kohës janë munduar t’i fshehin gjurmët e krimeve të veta, duke varrosur e zhvarrosur trupat e vrarëve e të të masakruarve, duke i bartur nga një vend në vendin tjetër, duke i hedhur në puse e humnera ose edhe duke i djegur e zhdukur në mënyra të ndryshme. Këtë e dëshmon zbulimi i rreth 550 varrezave masive dhe i qindra e mijëra varreve individuale me trupat e dekompozuar që ende po gjenden nëpër vise të ndryshme të Kosovës.
Numri i të vrarëve, të ekzekutuarëve, të masakruarëve, të djegurve për së gjalli apo për së vdekuri, sipas parametrave të deritashëm, vlerësohet të jetë së paku 11.000. Mbi 2.000 shqiptarë të burgosur dihet se po dergjen nëpër burgjet e Serbisë e të Vojvodinës, ndërsa deri në 4.000 vlerësohet të jetë numri i të zhdukurve dhe i të kindapuarve. Ushtarët, policët e paramilitarët serbë kanë dhunuar femrat shqiptare në pjesë të ndryshme të Kosovës. Numri i objekteve të shkatërruara, të djegura ose të dëmtuara – i shtëpive dhe i banesave, i lokaleve afariste dhe i fabrikave, i shkollave dhe i objekteve të tjera arsimore, kulturore e shkencore, i objekteve fetare, i monumenteve kulturore e historike që nga lashtësia e deri në ditët e sotme, lokaleve afariste, punëtori zejtare, fabrika etj. – është tejet i madh. Vlerësohet se gjatë luftës në Kosovë (mars 1998 – qershor 1999) sipas të dhënave jokomplete janë shkatërruar dhe djegur 204.285 shtëpi, pastaj banesa, lokale afariste, punëtori zejtare, fabrika, në 1300 vendbanime të 29 komunave, 534 shkolla dhe 240 institucione shëndetësore, kurse 617 vendbanimeve janë shkatërruar instalimet dhe objektet për furnizim me rrymë, ujë të pijes dhe kanalizim.
__________________
Literatura:
1.Sejdi Gega dhe Fazli Veliu,LPK,në vazhdën e përpjekjeve për bashkim,themeluese e UÇK,pjesa e I,2018,
2.Sejdi Gega dhe Fazli Veliu,LPK,në vazhdën e përpjekjeve për bashkim,themeluese e UÇK,pjesa e II,2018,
3.Hajrizi Mehmet, Histori e një Organizate Politike dhe Demonstratat e vitit 1981, Toena, Tiranë; 2008
4.www.radiokosovaelire.com/prof-dr-hakif-bajrami-metush-krasniqi-promotor-i-levizjes-shqiptare-per-liri-dhe-bashkim-kombetar/ 24 dhjetor 2018
5.www.vetevendosje.org/perurimi-i-librit-ali-aliu-kelmendi-ringjallja-e-prometeut/
6.Gashi Shkelzen,Adem Demaçi,biografi:Prishtinë :2010
8. Sinan Hasani,Kosova:të vërtetat dhe mashtrimet,Rilindja 1987
9. Dokumentar tematik, “Tre breza çlirimtarësh” dhe emision folklorik muzikor me këngë të trimërisë,TV Dielli
10. 2009;Grup autorësh: Vushtrria – Viciana me rrethinë (monografi)
11.http://www.albaniapress.com/04 shtator, 2017,Beqir Elshani 29.
12.Vushtrria-Viciana me rrethinë,Vushtrri,2003
13.Lëvizja Popullore e Kosovës 1982 – 2002, 20
14.Sheradin Berisha: Vlerësimi i figurës së Ukshin Hotit nga intelektualët tanë të shquar, pashtriku.org, 2008.
15. UNIKOMB: Hoti dhe çështja shqiptare.
16. Mehmet Hajrizi: Histori e një organizate politike dhe demonstratat e vitit 1981, Botimet Toena – Tiranë 2008, fq. 198 – 1999.
17. Mbrojtja e Ukshin Hotit në Gjykatën e Qarkut në Prizren – 28. 09. 1994
18. Aktakuza Kt. br. 107 / 94 dt. 30. 05. 1994 dhe Aktgjykimi K. Br. 28 / 94 dt. 28. IX. 1994.
19. Dr.Sabile Keçmezi – Basha, Organizatat dhe grupet ilegale në Kosovë 1981 – 1989, Prishtinë 2003.
20. Faqja www.pashtriku.org
21. Ekskluzive – Revistë e ilustruar mujore…, Nr.5, Maj – Qershor 2000, Dosja: Ku është Ukshin Hoti?!.
22. Sheradin Berisha: Realpolitika e Ibrahim Rugovës, Pashtriku.org, Maj 2008.
23. „Kosova Sot“ – 31 Mars 2000, Serbia kushtëzon lirimin e Ukshin Hotit, fq.3.
24. Deklarata politike e UNIKOMB’it – Maj 1994.
25. Ukshin Hoti: “Bëje ose vdis, për ta vrarë vdekjen” – Janar 1992.
26. Bisedë me U.Hotin, Revista “Gurra”-Prizren, Nr. 2 viti I, Maj 1992, fq.7/9.
27. Rexhep Qosja: «Pa demonstratat e ‘81’shit ne nuk do të ishim këtu ku jemi sot», Intervistë e botuar në «Epoka e Re», 4 Maj 2006 fq.10.
28. Bajrush Xhemaili „Në burg me Ukshin Hotin“ Prishtinë, më 12 maj 2000.
29. Shemsi Reçica, Intervistë – «Epoka e Re» 31 mars – 1 prill 206, fq. 9 -10
30. Stephen Larrabee, USA – Letër e lexuar në Akademinë përkujtimore – në 10 vjetorin e zhdukjes së Ukshin Hotit, më 16. 05. 2009.
31.Nezir Myrtaj: Ende nuk dihet ku ndodhet varri i Ferat Mujës (RKL,21/10/2012)
32.https://sq.wikibooks.org/wiki/Kolonizimi_Serb_i_Kosovës/13
33.Cen Mazreku, Përpjekje per kolonizimin e ri të Kosovës, “Fjala”, dhjetor 1991; Kosova në vështrim enciklopedik.
34. Dr. Fehmi Rexhepi, Kolonizimi i Kosovës pas heqjes së autonomisë së saj nga ana e Serbisë 1990-1995, “Kosova” nr.6/1997, fq. 20. Prishtinë, 1997.
35.Arkivi i Kosovës në Prishtinë, Fondi: Këshilli Ekzekutiv i Kosovës. (Pjesë e fondit të parregulluar dhe dokumenti i paevidencuar). Pokrajinski odbor SPS Kosova i Metohije, Predlog mera za resavanje aktualnih problema na Kosovu i Metohiji, Pristina, 15.12.1998.

– FUND –
_______________________
XHEMAJL PLLANA VEPRIMTARIA IME KOMBËTARE NË KUADËR TË LNÇKBVSHJ-së DHE LPRK & LPK-së (14)
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=10383

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura