PAAFTËSIA E DIJES SË PAMENDUAR
Nga Dr.Arben Hoxha, Pashtriku – 6 maj 2022
Që nga paslufta e fundit në Kosovë e sidomos pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, deri më sot, vlerësimi për gjendjen e sistemit arsimor në Kosovë gjithnjë është mbuluar me sintagmën terminologjike “gjendje alarmuese”. Në vazhdimësi, rezultatet e testit PISA dalin të jenë “alarmuese”; publikimet e punimeve shkencore në revistat shkencore me impakt faktorë, të studiuesve nga Kosova, me mospraninë e tyre dalin të jenë në pikën “alarmuese”. Tash së voni, në një forum, i cili u quajt alarmues, Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) e publikoi një raport të titulluar “Konfuzioni i madh – Pse nuk përputhet veprimtaria e institucioneve të Arsimit të Lartë me nevojat e tregut të Punës”. “Mospërputhja” është kategoria vlerësuese përmes së cilës kjo organizatë, në mënyrë apokaliptike, alarmon për “katastrofën” në sistemin tonë të arsimit. Prej formulimit të titullit të raportit, tregu i punës del të jetë kategoria fundore supreme vlerore drejt së cilës duhet të jetë e orientuar dija. “Mospërputhja” në këtë raport del të jetë një gjykim i parakonceptuar aksiologjizues, sepse “përputhja” merret si kriter i mirëqenë për matjen e shkallës së cilësisë së arsimit të lartë tek ne. Edhe qeveria Kurti, në programin e vet, reformën në arsim e ka bazuar në kriterin e tregut të punës.
Derisa ORCA vlerësimin për gjendjen e arsimit të lartë e bazon në një qëllim tashmë të mirëqenë, siç është tregu i punës, në raste të tjera vlerësimi për reformimin e sistemit të arsimit (sidomos të ulët dhe të mesëm) do të bazohet në nevojën e rikonceptimit të mjeteve, dhe atë, herë duke filluar nga vlerësimi profesional i mësimdhënësve; herë me caktimin me më saktësi të pozicioneve dhe të roleve të udhëheqësve në nivele të ndryshme të organizimit të sistemit arsimor; herë me krijimin e bordeve shkollore në nivel të komunave; herë me ndryshimin e rolit të mësimdhënësit në klasë; herë me aktivizimin e fuqisë vendimmarrëse të nxënësve në shkollë; herë me ndryshimin e kurrikulave; herë me ndryshimin e teksteve mësimore; herë me hapjen e shkollave të reja; herë me e digjitalizimit e shkollave etj.
Lexo edhe:
Konjufca takohet me një delegacion të Partisë Socialdemokrate të Zvicrës
Pse SHBA duhet t’i marrë seriozisht kërcënimet ruse për përdorimin e armëve bërthamore?
Arrestohen dy nxënës në protestën e maturantëve në Podujevë (VIDEO)
Prej asaj që kemi mundur të vërejmë, metodologjitë e ndjekura deri më sot nga institucionet dhe forumet e ndryshme për tejkalimin e krizës në sistemin tonë arsimor, flasin se ato janë përqendruar në ndryshimin e mjeteve duke e anashkaluar qëllimin, ose në rastin më të mirë (por prapëseprapë të dëmshëm) duke u marrë me mjetet kundrejt një qëllimi të parakonceptuar, siç është ideja e tregut të punës. Me gjithë përpjekjet e bëra për reformimin e sistemit arsimor, ne vazhdojmë të mbetemi nën makthet e “katastrofave alarmuese” që mund të na sjellin rezultatet zhgënjyese në testin e radhës të PISA-s.
Si është e mundur që në këto njëzet vitet e fundit të kemi aq shumë “ndërmarrje reformatore” (hartim strategjish, planesh, etj.) në arsim e shkencë, të kemi vlerësime e rekomandime nga OJQ të ndryshme, e paradoksalisht, në vazhdimësi përshkallëzueshëm të rrëshqasim në gjendje “alarmuese”? Pse zgjidhjet e ofruara në Programet nga Këshillat Kombëtarë të Shkencës në kuadër të Ministrisë së Arsimit tash e një dekadë, si dhe Rekomandimet e OJQ-ve për reformimin e Arsimit dhe Shkencës në Kosovë, mbeten shterpe? A mund ta legjitimojë kategoria e “mospërputhjes” tiparin apokaliptik të “gjendjes alarmuese” në arsimin e lartë tek ne në veçanti dhe të dijes në përgjithësi?
Aristoteli thotë se pa e kuptuar se si është krijuar nyja, nuk mund të zgjidhet ajo. “Kriza” e dijes shfaqet kur qëllimet paraprake të saj strukturalisht humbin pariparueshëm diçka nga papërsosshmëria e tyre, duke nxitur nevojën për zëvendësimin e qëllimeve orientimore të saj me qëllime të reja, të cilat janë të afta të hapin perspektiva të reja për shtyrjen e kufijve të ekzistencës njerëzore në botë. “Kriza” e tillë presupozon ekzistencën e një subjekti mendimor, i cili, me aftësinë e arsyes emancipuese e identifikon problemin dhe përpiqet ta zgjidhë atë. Kështu, bie fjala, racionalizmi empiricist i Francis Bakonit, sipas të cilit dija është fuqi, ishte një antidot kundrejt dijes skolastike mesjetare. Në lidhje me gjendjen e arsimit te ne, fenomeni i “krizës” së lartcekur nuk është rasti ynë. Te ne bëhet fjalë për gjendjen anomike të të menduarit, e cila, për shkak të pezullimit të ndërgjegjes, mendjen tonë në raport me dijen e ka futur në një gjendje kaotike, duke e bërë ashtu të pamundur ekzistencën e subjektit mendimor.
Kritika që i është bërë deri më sot sistemit arsimor, si dhe iniciativat për reformimin e sistemit arsimor, kryesisht janë drejtuar në ndryshimin e mjeteve e në aspektet teknike të sistemit të arsimit (disa prej të cilave i përmendëm më lartë), por asnjëherë kritika nuk ka dalë nga kërkesa imediate për rimendimin e vetë idesë së dijes – si kërkesë ontologjike për ndërtimin e një plani qëllimor – e cila e përcakton karakterin dhe funksionin e saj në marrëdhënie me kapacitetet e vullnetit tonë për t’u bërë subjekt në komunikimin ndërsubjektiv me subjektet e tjerë. Kërkimi i zgjidhjeve përmes ndryshimit të mjeteve dhe anashkalimi i identifikimit të qëllimit ka ardhur si pasojë e mungesës së ndjenjës dhe përgjegjësisë morale, e cila i mbështet konceptet dhe vizionet e kufizuara, të paafta për të identifikuar probleme dhe për t’u përballur me to.
Që të kuptohet problemi duhet të kesh aftësi për të ndërtuar modelin adekuat të reflektimit, i cili është i aftë t’i përgjigjet kërkesave për zgjidhje që përmban problemi. Shkalla e aftësisë së të reflektuarit mbi idenë e dijes është tregues i fuqive organizuese e vepruese të një shoqërie. Mendimi i organizuar – thotë Hannah Arendt – është baza e veprimit të organizuar, sepse shkenca si “organizim i mendimit” e futë një element veprimi në mendim. Të menduarit reformës së arsimit te ne është bazuar në modelin e vëzhgimit reflektues të përvojave të të tjerëve, duke mos llogaritur në efektet që ka prodhuar trashëgimia e përvojës sonë të arsimit nga e kaluara në të tashmen tonë. Refleksioni ynë për idenë e dijes është kryesisht i natyrës përvojore, i cila, për shkak se e përjashton refleksionin e modelit konceptualizues abstrakt, mbetet në nivelin e të menduari me konceptet e tipit të “nxehtësisë” dhe të “ftohtësisë” që i përftojnë fëmijët në përvojën e tyre nga kontakti me botën. E kjo do të thotë, të përftosh koncepte në përballje me pasojat në lëvizje. Duke e bërë dallimin midis idesë dhe konceptit, Kanti konstaton se idetë janë realizimi që mendja jonë i bën sendit në vetvete nëpërmjet përdorimit të arsyes sonë, ndërsa konceptet janë struktura formale me anë të të cilave ne e zbatojmë arsyen. Pa referencën në një ide përgjithësuese, konceptet mbeten imazhe të fragmentuara të mendjes. Për shkak se të menduarit e reformës së sistemit tonë të arsimit për referencë nuk e ka pasur idenë e dijes, vetë ideja e reformës është futur në një rreth të mbyllur të përsëritjes së vetes dhe, metodologjikisht, në një proces riciklimi të pafundëm të të njëjtave mënyra të sjelluri karshi problemit të dijes.
Në një proces deduksioni, kiza anomike e sistemit të arsimit tek ne, në njërën anë, del të jetë shprehje e kapaciteteve të munguara të të menduarit tonë teorik-konceptual dhe, nga ana tjetër, i kapaciteteve të ulëta të vetëdijes sonë refletuese aksiologjizuese për ta rimenduar, në radhë të parë, vlerën e idesë së dijes – karakterin dhe funksionin e saj – si dhe të aftësive reflektive për ta menduar marrëdhënien e saj në raport me kapacitetet e vullnetit tonë për bërje në kontekstin e mondializmit botëror.
Ideja emancipuese për dijen është në sinkron me veprimtarinë emancipuese të komunikimit. Duke e konceptuar zhvillimin shoqëror si një proces mësimor – përkundër konceptit të veprimit strategjik, suksesi i të cilit diktohet nga aftësia e subjekteve të ndryshme për arritjen e qëllimeve të tyre subjektive, – Habermasi në veprën “Teoria e veprimit komunikues” afirmon konceptin e veprimit komunikues, formë kjo konsensuale e veprimit, në të cilin subjekte të ndryshme e mobilizojnë potencialin e tyre të racionalitetit për arritjen e një marrëveshjeje të motivuar racionalisht. Synimet reformatore te ne janë bazuar në konceptet që burojnë dhe e vënë në përdorim arsyen instrumentale përmes veprimin strategjik të komunikimit, në funksion të përmbushjes së interesave të individëve dhe të grupeve të ndryshme të interesit. Reduktim i qëllimit të dijes në shkallën e modelit të vëzhgimit reflektues, duke i shpërfillur kërkesat e modelit konceptual abstrakt të reflektimi për dijen, është një veprim cenues që i bëhet vlerës së dijes, duke e vendosur atë në kushtet e të menduarit post-iluminist për botën dhe duke e privuar atë nga çdo objektiv i përqendruar në përmirësimin e gjendjes njerëzore.
Kriza anomike në sistemin tonë të arsimit është treguesi i krizës sonë të vetëdijes për ta përcaktuar vlefshmërinë e objektit fundor qëllimor të dijes.
Një qëllim fundor duhet të përmbajë domosdoshmërisht një kuptim që nuk është indiferent ndaj dobishmërisë së një bashkësie si dhe të çdo individi brenda saj. Nëqoftëse për Platonin, Aristotelin e Rusoin dija dhe fuqia ishin të lidhura, por edhe kishin një lloj autonomie njëra kundrejt tjetrës, për Fukonë dija dhe pushteti shfaqen në një marrëdhënie sinergjike: një fuqi pushteti është e fundamentuar në një sistem dijeje dhe një sistem dijeje është e fundamentuar në një fuqi pushteti. Reforma në sistemin tonë të arsimit ka pretenduar të jenë antidot i pikëpamjes së iluminizmit të çiftuar me ideologjinë komuniste gjatë periudhës së ndarjes së botës në dy kampe të mëdha kundërshtare ideologjike, përmes kundërvënies mekanike të atij çiftëzimi me pikëpamjen mondialiste për botën, e cila përpiqet ta bëjë ta padukshëm faktin e çiftëzimit të dijes me pushtetin. Dija e specializuar, të cilën e imponon kriteri i tregut të punës në një rend mondilaist të të menduarit për botën, e bënë të padukshëm marrëdhënien çiftëzuese që ekziston midis dijes dhe pushtetit.
Kriteri fundor i tregut të punës, si vlerë supreme nuk mund të jetë universalisht i dobishëm, sepse qëllim të vetëm e ka përmirësimin e mirëqenies financiare, në dëm dhe indiferent ndaj qëllimit moral të shtyrjes së kufijve të njerëzores brenda njeriut. Nëse bazohemi në kriterin e tregut të punës, gjendja pothuajse inekzistente e tij na çon te përfundimi se shoqëria jonë nuk ka nevojë për sistem të arsimit.
Kosova ka nevojë për një reformë thelbësore të sistemit të arsimit. Të menduarit e idesë së dijes dhe të marrëdhënies së saj me kapacitet e vullnetit tonë për bërje, është kushti i parë epistemologjik e metodologjik për përcaktimin e arsyes së ekzistencës së institucioneve të arsimit dhe të shkencës, si bartëse dhe realizuese të idesë së dijes. Qartësia në idenë e dijes është kushti bazik që e legjitimon arsyeshmërinë e ekzistencës së Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, të institucioneve shkencore (Institutit Albanologjik, Institutit të Historisë, Institutit të Pedagogjisë), si dhe universiteteve publike dhe private. Në idenë e dijes përfshihet arsyeshmëria e ekzistencës së këtyre institucioneve, pse janë të nevojshme dhe të rëndësishme ato për jetën tonë publike.
Problemi i përcaktimit të idesë së dijes dhe të marrëdhënies së saj me kapacitetin e vullnetin tonë për bërje është detyrë e që nuk mund të dalë nga rekomandimet e OJQ-ve, e as nga dijet e shkencëtarëve të teknoktratizuar në Këshillin Kombëtar të Shkencës, të cilët me lehtësinë e padurueshme bëhen pjesë e metodave OJQ-iste me pjesëmarrje në work-shop-e e seminare të organizuara nga OJQ të ndryshme, si parakusht për ngritjen e kapaciteteve të arsyes së tyre për të hartuar Planin e strategjisë kombëtare të shkencës. Kriza anomike e sistemit të arsimit tek ne është pjesë e krizës gjithëpërfshirëse të kulturës politike për vetbërje.
——————
Shtojcë
Kush është Arben Hoxha
Dr. Arben Hoxha u lind më 16.06.1969 në Gjakovë, ku e kreu shkollimin fillor dhe të mesëm. Studimet në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Prishtinës në Degën e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe i mbaroi në vitin akademik 1993-1994.
Prej vitit 1996 punon në Institutin Albanologjik të Prishtinës në Degën e Letërsisë, fillimisht në cilësinë e praktikantit stazhier, më pas në cilësinë e hulumtuesi të pavarur, ndërsa tash punon në cilësinë e bashkëpunëtorit shkencor.
Në vitin 2001 ka mbrojtur temën e magjistraturës me titull “Poetika e prozës së Ernest Koliqit”.
Në shtator të vitit 2005 ka realizuar një qëndrim hulumtues-shkencor njëmujor në Fakultetin për Filologji dhe Shkenca kulturore në Universitetin e Vjenës – Austri.
Në vitin 2007, nga anëtarët e Degës së Letërsisë së Institutit Albanologjik të Prishtinës, është zgjedhur Sekretar i Redaksisë së Gjurmimeve albanologjike (Seria e shkencave filologjike).
Në vitin 2011 ka mbrojtur disertacionin e doktoratës me titull “Zhvillimi i kritikës letrare shqipe (1944-2000).
Që nga viti akademik 2009-2011e në vijimësi, në cilësinë e bashkëpunëtorit të jashtëm, është angazhuar si mësimdhënës në Universitetin e Prishtinës në lëndët: Estetikë; Letërsi e sotme shqipe; Letërsi moderne shqipe; Letërsi romantike shqiptare; dhe Historia e letërsisë kombëtare shqiptare.
Është anëtar i kryesisë së LSHK (Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës) dhe anëtar i Institutit Alb-Shkenca.
___
Burimi: