PALLATI I PRITJES

PALLATI I PRITJES

Nga Xhelal Zejneli, Shkup 06 nëntor 2021

  • Ribotim –

Pasi e studioi në hollësi skicën e shefit të protokollit pranë Sektorit për organizimin e pritjes së qytetarëve, Gjin Shpata u ndal në çast, mbështeti duart në kokë dhe foli me vete: Qenkësh punë e ngatërruar.

I ra skicës për së dyti. Ishte dhënë urdhri: Në ditët e fundjavës, të bëhet deratizimi, dezinfektimi dhe infektimi i hapësirave të ndërtesës. Nëpër korridore ishte shtuar lëvizja e punonjësve të administratës, e sidomos e personelit të angazhuar për mirëmbajtjen e godinës. I trazonin nga vendi të gjitha tavolinat e zyrtarëve. Shefi i Sektorit për organizimin e pritjes, kishte dhënë urdhër të prerë: Pas pastrimit të objektit, asnjë fashikull i kohës së komunizmit të mos lihet në korridore!  Të gjitha pikturat u hoqën prej mureve. Ato duhej të lyheshin. Letrat e panevojshme, aktet, dokumentet dhe shkresat me afate të skaduara dhe të parashkruara, duhej hedhur. Për hedhjen e mbeturinave ishte parashikuar edhe mjeti transportues. Korrierit të Kompanisë, Zef Gurit, iu turbulluan sytë. Diçka po punohet. Se çka, një dreq e di – kishte thënë ai.

Përgatitjet që kishin të bënin me pritjen e qytetarëve të Makondos nga kryetari, s’kishin të bënin me Gjin Shpatën, ndaj sakaq kaloi në atë pjesë të skicës që kishte të bënte me detyrën e tij. Shefi i protokollit kërkonte prej tij të sistemonte mysafirët që do të vinin te kryetari për t’ia uruar zgjedhjen për kryetar. Parashikohej ardhja e popullit, e strukturave politike, e strukturave të shoqërisë, përfshi edhe ato të shoqërisë civile. Fjalia: Rëndësi e veçantë t’u kushtohet mysafirëve të taborit tjetër – ishte nënvizuar. Shefi i protokollit kishte paraparë në skicë edhe hapësirat e pritjes: sallën e statujave, zyrën ovale dhe sallonin e pasqyrave. Në rast nevoje, edhe sallën e rëndomtë. Tani ishte detyrë e Gjin Shpatës të bënte sistemimin e vizituesve. S’do mend se sistemimi i mysafirëve duhej bërë sipas peshës që ka secili prej tyre në shoqëri. Në sallën e pasqyrave për shembull, nuk mund ta çoje një të mjerë. Në të duhej bërë pritja e grave me vlerë apo e pushtetarëve me peshë. Për më të merituarit, pritja do të bëhej mu në kabinetin e kryetarit. Do të kemi një vizitë kolosale, kishte thënë shefi i protokollit. Do të dyndet qyteti. Do të na vijnë njerëz nga krahina të ndryshme, kishte shtuar ai. Gjini e la stilografin dhe vuri dorën në ballë, ndërsa me gishtërinjtë e dorës tjetër i përshkoi flokët. Vizitë kolosale, përsëriti ai. Për të mos humbur kohë, iu rikthye skicës. Nga jashtë dëgjoheshin hapa njerëzish, rropama lëvizjesh të tavolinave, shushurima e zhvendosjes së fashikujve. Rrëmujë, tha me vete Gjini. Fshiu syzet dhe një nga një i përshkoi strukturat që shefi i protokollit i kishte shënuar në skicë.

Me popullin e kam lehtë. Do t’i vendosi në sallën e rëndomtë. Kujdes duhet pasur, i tha Gjini vetes, me vendosjen e establishmentit dhe të nomenklaturës, sidomos të nomenklaturës. Gjatë shfletimit të skicës hasi edhe fjalë të nënvizuara: komandantët, elita politike, elita intelektuale, elita shoqërore. Çmenduri, tha me vete. Dhe marrëzi, njëherazi. I trazuar, i nxori syzet dhe sakaq, i riktheu në vend. Kërkoi në skicë mos ndoshta shefi i protokollit e kishte parashikuar edhe ardhjen e Vëllait të Madh. I kalitur ndër beteja, ai kishte shkatërruar një perandori të tërë. Gjin Shpatit iu rrëqeth trupi. Perandori, tha me vete Gjini. Vëllain e Madh në skicë nuk e hasi. Mori frymë thellë dhe iu rikthye skicës për të kërkuar edhe njëherë Vëllain e Madh. Kjo fjalë në skicë duhej të ishte nënvizuar, madje dy herë. Nuk e hasi dhe sikur u qetësua pak.

Në Makondo nuk ndodhte gjë. Ditët ishin të rëndomta. Rrëmujë kishte në pallatin e pritjes. Ende askush nuk i kishte rënë në fije, se përse bëhej fjalë. Përse gjithë këto përgatitje. Flitej se do të vinte për vizitë një delegacion i lartë nga Oqeania. Të tjerë thoshin se pritet ardhja e një emisari të lartë nga Levitania. Më bindës ishte pohimi i Sotir Lamit i cili kishte thënë: “Vjen një afarist nga vendet subsahariane, për të studiuar tokën dhe klimën, mos vallë në këtë nënqiell do të mund të kultivohej hurma”. “Marrëzi”, ia kishte kthyer kompanjoni i tij.

Gjin Shpata e ndali gishtin te Tempulli dritës dhe u nervozua. I hoq vijë tempullit. Që andej nuk ka për të ardhur askush. Skicën tanimë e kishte analizuar në hollësi. Edhe në të shkuarën ishte ngarkuar me detyra të ngjashme, por kjo e sotmja ishte mjaft e ndërlikuar. Duhej të sistemonte mysafirët, dashamirët dhe vizituesit, sipas rangut politik, intelektual dhe social dhe kjo s’ishte punë e lehtë. Secila strukturë e kishte peshën e vet. Me popullin s’e kishte vështirë. Qytetarët e Makondos tanimë i kishte sistemuar. E kishte caktuar edhe orën e pritjes së tyre. Pritja e tyre do të bëhet në sallën e rëndomtë.

Për t’ia uruar kryetarit emërimin, ardhjen e kishin paralajmëruar për një, të gjithë drejtorët e sektorëve – drejtori Sektorit të grumbullimit të leshit, drejtori i Sektorit të larjes së leshit, drejtori i Sektorit të përpunimit të leshit, drejtori i Sektorit të tjerrjes së leshit, drejtori i Sektorit të thurjes së leshit, drejtori i Sektorit të ngjyrosjes së leshit, drejtori i Sektorit të shitjes së leshit si dhe shumë drejtorë të tjerë të leshit.

Nga shefi i protokollit, Gjin Shpata kishte marrë sugjerim që për çdo sistemi dhe pritje të japë edhe arsyetim. Përse pritja e strukturës së caktuar bëhet në sallë të caktuar?!

Gjin Shpata i studioi një nga një: individët, qytetarët e thjeshtë, intelektualët, politikanët, komandantët, drejtorët e sektorëve, njerëzit në pozita dhe ata pa pozita. Në skicën e shefit të protokollit hasi në fjali të tjera të nënvizuara: T’u kushtohet rëndësi e veçantë vizituesve nga sektori privat, vizituesve të taborit oponent dhe segmenteve të margjinalizuara të shoqërisë. Në një faqe të skicës së shefit të protokollit hasi në fjalët: militantët dhe veprimtarët e lëvizjes, pa asnjë sqarim shtesë. Gjini u ndal në çast dhe sytë ia zunë fjalinë: Mbartësve të proceseve kulturore, t’u bëhet pritje sa më dinjitoze. Po kështu edhe krijuesve artistikë, poetëve dhe shkrimtarëve.

Kjo punë, mendoi Gjin Shpata, kërkon klasifikim dhe kategorizim. Në mesin e atyre që kishin paralajmëruar ardhjen për t’ia uruar kryetarit emërimin, kishte e ç’nuk kishte! Ku t’i vendoste individët me diploma universitare, për të cilët thuhej se nuk e kishin kryer shkollën e mesme?! Po individët me tituj akademikë të blerë, me tituj akademikë të falur mbi baza miqësie, farefisnie, fqinjësie, përkatësie partiake apo atdhetarie?! Punë e rëndë kjo, tha me vete apo atdhetarie?! Punë e rëndë kjo, tha me vete kushedi për të satën herë, Gjin Shpata. Po femrat me diploma universitare apo me tituj akademikë të fituar me imoralitet, duke dhënë trupin e tyre?! Kjo iu duk një punë akoma më e ndërlikuar për sistemim. Po individët me tituj akademikë të fituar me punime magjistrature apo doktorature të blerë, të kopjuar dhe të përkthyer nga gjuhët e huaja?! Me këtë brumë njerëzish s’kam problem, i tha vetes Gjini. Asnjë prej Tempullit të dritës nuk do të vijë te kryetari për t’ia uruar detyrën, ngase asnjëri prej tyre nuk varet prej tij. Këtë kategori të shoqërisë e hoq nga agjenda e pritjes.

Për t’i futur fiorentinasit në ferr, Dantes i shin dashur plot tetë vjet, ndërsa Gjin Shpatës i kishin mbetur vetëm pak orë për t’ia dorëzuar shefit të protokollit raportin përfundimtar. Pa përtuar, vazhdoi punën. Vuri gishtin te kulturtregerët. I la këta për më vonë dhe iu kthye drejtorëve të sektorëve të leshit. Pritjen për ta, kryetari do ta realizojë në zyrën 502, zyrë e zakonshme, që ndodhet mu pranë kthinës së sigurimit nga zjarri. Këta detyrohen t’i vijnë kryetarit, ngase shpresojnë të rizgjidhen.

Këtyre të sektorit privat, pra byrektorëve, qebaptorëve, ëmbëltorëve, bozaxhinjve, çajtorëve dhe bakallëve shpejt do t’u bëj vend. Kjo kategori njerëzish, mendoi me vete Gjini, janë të shkollës komuniste. Tërë jetën e kanë kaluar duke u dhënë ryshfet pushtetarëve serbosllavë. Janë shkelës të regjur të ligjit dhe frikë i kanë inspektorët. Kanë raporte të afërta me pushtetarët vendorë dhe bashkërisht bëjnë punë të paligjshme. Synimi i tyre është – sa më pak tatim. Prej tezgave të tyre nuk mund të lëvizësh nëpër trotuare. Bozaxhinjtë, për çdo ditë i uzurpojnë hapësirat përreth dyqaneve të tyre, duke ua vështirësuar qytetarëve qarkullimin dhe kjo s’bëhet dot pa dijen e pushtetarëve. Këta, mendoi Gjin Shpata, e kanë patjetër të vijnë për urim te kryetari. Dhe pa u hamendur, i vendosi në një zyrë po aq të thjeshtë, si ajo e drejtorëve të sektorit të leshit.

Te të kulturës, Gjini u ndal. Bëri dallim midis atyre që vërtet bëjnë kulturë dhe atyre që përhapin kuazikulturë. Këta të parët, pa dyshim meritojnë respekt dhe mbështetje. Makondasit kanë nevojë për ushqim shpirtëror. Këta të kuazikulturës, kryetari do t’i presë në zyrën pranë kthinës së sigurimit nga zjarri, ku do të bëhet pritja e peshkatarëve. Në një thes me kulturtregerët do të jenë edhe të ashtuquajturit poetë. Jo çdo kush që thur vargje është poet. Gjini u dridh, i ra lapsi nga dora. Pas pak, e mori veten dhe vazhdoi punën. Nga shprehja: të ashtuquajturit poetë, epitetin të ashtuquajturit e hoq. S’ka dyshim se ka edhe vargëzues që sjellin vlerë. Por, shundi nuk është art, mendoi Gjini. Kiçi nuk është kulturë. Në arsyetim shkroi: Improvizuesit e kulturës, përkatësisht pseudokrijuesit letrarë do të priten nga kryetari pikërisht në zyrën në të cilën do të bëhet pritja e peshkatarëve, por një orë më vonë. Këta individë apo grupe, tërë jetën e kalojnë duke trokitur nëpër zyrat e institucioneve, për të nxjerrë ndonjë lekë për projektet apo për veprimtaritë e tyre, që i pandehin si kulturore dhe artistike. Përpos në dyert e institucioneve, këta janë lodhur së trokituri edhe nëpër dyert e sponsorëve privatë, të cilëve, për sponsorimin e bërë, u japin nga një mirënjohje, pa e vrarë mendjen për vlerën e tyre. Duke shpresuar për mjete, mbartësit e proceseve të sipërthëna, si e si do të vijnë te kryetari,  kështu që për ta është paraparë zyra e lartpërmendur.

Ç’detyrë e komplikuar qenkësh kjo, mendoi Gjin Shpata. Iu duk vetja si Mark Alemi i Tabir Sarajit i cili bënte përzgjedhjen dhe klasifikimin e ëndrrave të Perandorisë, që ia sillte në pallat Tunxh Hatai karrocier.

Me nomenklaturën s’e kishte rëndë. Këta nuk do t’i vijnë kryetarit ngase takohen me njëri-tjetrin në tavernën pranë Urës së Qyqes, pronë e një ish-sundimtari, pinjoll i një udbashi, siç e merrnin do nga banorët e Përroit të Thatë.

Gjin Shpat iu kthye skicës së shefit të protokollit. Rrëmujë, tha me vete. Ardhjen në Pallatin e pritjes e paskan paralajmëruar kategori të ndryshme njerëzish. Midis tyre edhe: oportunistë, konformistë, karrieristë, njerëz të etshëm për pushtet, individë me ambicie të sëmura, poltronë, butakë, puthadorë, mercenarë, dilenxhinj, batakçinj, të punësuar e të papunë, rufjanë dhe gra me moral të dyshimtë. Ku t’i sistemonte vallë?! Një armatë e tërë. Kjo ishte pjesa më e rëndë e detyrës që ia kishin ngarkuar. Iu duk sikur shkruante, jo agjendën e pritjes nga kryetari, por dramë karakteresh. Gjin Shpata ra në dilemë: Të dorëzohej apo të vazhdonte detyrën komplekse? Me sankilotët s’e kishte rëndë. Këta plaçkitës të popullit që deri dje s’kishin brekë, e që sot janë bërë oligarkë, nuk do të vijnë te kryetari. Nuk varen prej tij I fshiu me vijë.   

Iu kthye skicës së shefit të protokollit për të parë në mos ardhjen e kishin paralajmëruar femrat e përdala. Ku t’i fuste gratë e përdala që ishin ngacmuar prej pushtetmbajtësve, që kishin këmbyer adresa elektronike dhe numra celularësh, që kishin flirtuar me ta apo kishin tentuar të flirtonin?! Tani e pa se sa vështirë duhej ta kishte pasur Danteja për t’u gjetur vend në zjarr, grave të martuara, por të shfrenuara, grave të shkurorëzuara e të shthurura, të cilat për një vend pune apo për një pozitë më të lartë në shoqëri, u ishin dorëzuar pushtetarëve mëzetër. I tha vetes: Gjin Shpata, detyra jote është të hartosh agjendën e pritjes te kryetari dhe jo të bësh analizë karakteresh apo vlerësim morali dhe imoraliteti. Në fund, askujt s’i shkruan në ballë se është rufjan apo lavire. Po qe se do të ketë paralajmërime të tilla, lidhur me pritjen e tyre, do të konsultohem me shefin.  

I zhytur thellë në përsiatje, iu duk se kishte rënë në humbëtirën e botës Stivën Dedallusit. Përroin e mendimeve ia ndërpreu zilja. Ngiti kufjen. E kërkonte shefi i protokollit. Korridori i gjatë i shkaktoi një drithërimë në shpirt. U ngjit shkallëve dhe doli në korridorin tjetër. Makth, tha me vete, duke ecur në labirintet kafkiane. Kam mbërritur te sistemimi i sankilotëve – e njoftoi eprorin. Sakaq, e mori veten. Iu kujtua vetëtimthi se këtë hordhi të Makondos nuk do ta përfshinte në agjendë. Por shefi ia tha pikërisht atë që e piste: Ti, Gjin Shpata, nuk je në pozitë që të japësh vlerësime. Sankilotë në radhët tona nuk ka. Nuk dua të besoj se je kalë Troje i Pallatit të pritjes. Për një orë, projektin ta kem në tavolinë,  i foli shefin mënyrë të prerë.

I vrarë, Gjin Shpata u kthye në zyrën e vet. Kalë Troje i Pallatit të pritjes. Iu rrëqeth trupi, iu ngritën mornicat. Ra në botën e errët homerike. Shtiza, shpata, mburoja, përkrenare, dyluftime, trimëri, fitore dhe humbje, shtiza, hingëllima kuajsh, Briseida në duart e forta të Agamemnonit. Mallkoi Helenën e bukur, shkaktaren e gjakderdhjes. Mallkoi Priamin që refuzoi këshillën e Laokoontit. Po të pranohej sugjerimi i tij, s’do të kishim as kalë Troje dhe sot shefi i protokollit s’do të mund ta quante të tillë. E mor Homer, sa punë më ke çelur. Po të mos ishte Helena s’do të ishe as ti. Është e ëma e Hermionës, po je ti. Në saje të saj u bëre mit ndër mijëvjeçarë. Pa të, do të kishe mbetur asgjë më shumë se një i verbër. Megjithatë, më mirë që je, se pa ty, arti ndër shekuj do të ishte i zbehtë.

Gjin Shpata e mbështeti kokën në duar, u përpoq ta merrte veten, por kali trojan, kjo sajesë e Odiseut, s’i shqitej dot nga mendja. Sidoqoftë, u shkëput nga lashtësia, mbërriti në bashkëkohësi. I ranë ndërmend hamshori i Shemës dhe tangat e Dezdemonës. Si për habi, i la brekët e saj dhe iu kthye kalit legjendar. Nisi ta përfytyronte madhështinë e tij dhe ta krahasonte atë me kuajt e prijësve të famshëm të historisë.

Lehtë e ka eprori im të japë urdhra. Unë s’kam punë me Beatriçen për ta futur në qiejt e parajsës. Kam punë me mëkatarë, me grykës, me të pangopur, me nimfomane, me satiriazë, me vuajeristë. Këtij soji të Makondos, të rrethit të dytë të zjarrit, gjeji vend ti, unë s’kam ku t’i rreshtoj – i tha vetes Gjini dhe iu duk sikur bërtiti.

Ardhjen në kabinet e kishin paralajmëruar njerëz me identitet dhe pa identitet. Midis tyre, bijë, nipa e stërnipa spiunësh. Do të shkojmë te kryetari – kishin thënë edhe do shqiptarë të ndershëm, të cilët, gjatë gjithë jetës i kishin shërbyer armikut. Në konsultim me shefin e protokollit, kishte marrë sugjerimin se sot fryjnë erëra të reja, se është kohë e bashkëjetesës. Për të ecur para, i kishte thënë ai me një zë solemn, edhe Fausti kishte kontaktuar me Mefistofelin. Por Gjin Shpata, pa një pa dy, ia kishte kthyer me ironi: Atëherë t’i ulim në krye të vendit. Si për çudi, shefi ishte përmbajtur.

Pas trokitjes, hyri korrieri dhe la dy letra mbi tavolinë. I humbur, Gjin Shpata as që e vërejti. Ç’teatër beketian, tha dhe fshiu syzet. Tmerr, belbëzoi ai. Shfletoi skicën e shefit të protokollit për të parë mos ndoshta ka paralajmëruar ardhjen ndonjë tradhtar, antikombëtar, batakçi, besëprerës, kalemxhi, sahanlëpirës, pjatalarës, mashtrues dhe gënjeshtar.

Fjalët e Ukë Zenelajt: “Unë kurrë nuk do t’ua jap kokën atyre që janë me Turqi e Arabi”, ishin përhapur kudo, në çdo cep të Makondos. Ndërkaq, kryetari kishte kërkuar në mënyrë autoritative që për xha Ukën pritja të bëhet jashtë protokollit. Atë do ta presë në kabinet.

Nga ajo që pa në letrat që i solli korrieri, nuk u shqetësua fare. Në njërën prej tyre, ardhjen e paralajmëronte një grup intelektualësh. Këta vijnë – tha Gjini – për t’iu imponuar kryetarit të sapozgjedhur, mos ndoshta ndonjërin prej tyre do ta emëronte përgjegjës për shumëzimin e lepujve. Ndër ta kishte njerëz me shkollë që shpresonin të zinin ndonjë pozitë udhëheqëse në fermën e pulave. Pa u menduar fare, Gjini i sistemoi në zyrën 504, mu pranë kthinës së zjarrfikësve. Këta, si shumë të tjerë, nuk vinin për kryetarin, por për qëllime të veta. Flitej se kryetari i dinte qëllimet meskine të tyre, por s’kishte ç’të bënte, ngase edhe atij ia kishte zënë dera bishtin.

Në letrën e dytë ndërkaq, shkruante se Hilë Gura i lagjes së Çuçit, u kishte thënë shokëve: Ju shkoni, unë s’vij dot. Nuk e kam votuar kryetarin për të zënë një vend pune. E kam votuar ngase s’kam pasur alternativë tjetër. Shokët ndërkaq ishin munduar t’ia ndërrojnë mendjen, duke i thënë se pritja te kryetrari është një ngjarje madhështore, rast që njëherë në jetë i mundësohet njeriut. Plot një orë ishin orvatur ta bindin, por më kot. Jo dhe jo, ua kishte kthyer ai.

Dëshira e haxhi Tafilit për t’ia shtrënguar dorën kryetarit, s’ishte realizuar. Nipi i tij i kishte thënë: Ti gjysh, me një këmbë në varr, s’ke çka lyp në kabinet. Në Makondo flitej se xha Tafili plot një javë s’kishte folur me nipin. Disa thoshin se gjyshit s’i ishte zbutur zemra as atëherë kur nipi i kishte blerë një kuti llokume. Megjithatë, mbesa ia kishte dalë t’ia zbuste barkun: Gjysh, zyra e kryetarit, kur nuk mbyllet për popullin. Sa të dalë pranvera, unë do t’ju shpie!

Duke i sistemuar pothuajse të gjithë paralajmëruesit në sallën e rëndomtë dhe në zyrat pranë kthinës së zjarrfikësve, Gjin Shpata e vërejti se hapësirat e rangut të lartë, siç ishin salla e pasqyrave, salloni i statujave dhe zyra barok, kishin mbetur pa u përfshirë. Që të mos mbeteshin të zbrazëta, në to do t’i vendosi kriptoshqiptarët, bijtë e udbashëve, reformatorët dhe miratuesit e frymës së re që janë për bashkëjetesë. Në çast, i theri diçka në gjoks. Iu duk sikur iu çrregullua ritmi i zemrës. Pushoi pak, derisa nuk e mori veten. Fjalët: bijtë e udbashëve, i fshiu nga raporti. Ngriti kufjen. Urgjentisht e thirrshin në mbledhje. Zilja ra përsëri. I la shkresat mbi tavolinë. Një ndjenjë e çuditshme sikur e përshkoi të tërin. Hija  e shefit të protokollit i rinte mbi kokë si shpatë e Demokleut. Mbledhja kishte filluar. Shefi fliste me zë të sigurt:

Qytetarët, për të mos thënë i tërë populli, kanë shfaqur dëshirën të vijnë ta takojnë kryetarin për t’ia uruar emërimin. Të gjitha shërbimet, e tërë administrata, të jenë në krye të detyrës. Në veçanti, shërbimi i informimit. Të gjitha përgatitjet janë në përfundim e sipër. Takimi i kryetarit me popullin do të zgjatë ditë të tëra. Janë njoftuar mediumet që i kemi nën kontroll si dhe ato më prestigjioze. Vizitë kanë paralajmëruar edhe diplomatët e huaj të vendeve mike. Sakaq, e pres nga Gjin Shpata agjendën e vizitës së qytetarëve. Jemi të bindur se takimi i kryetarit me popullin do të realizohet në përputhje me frymën e re. Është kohë e bashkëjetesës.

Njëri nga të pranishmit ndërhyri me fjalët: Shoqëria bashkëkohore funksionon me ligje e norma dhe jo me koncepte të vjetruara. Bashkëjetesa dhe fryma e re për të cilën na flitni Ju, nuk janë veçse retorikë bolshevike, leniniste dhe diskurs kominternist.

Një tjetër i pranishëm, i cili për të pestën herë ishte zgjedhur këshilltar, e ndërpreu duke i thënë se kjo nuk është mbledhje e rregullt e kabinetit, por vetëm një njoftim, ndaj s’ka vend për debat dhe polemikë.

Gjin Shpata ia hodhi një sy agjendës dhe mori frymë thellë. Të nesërmen u përhap lajmi se shefi i protokollit është shkarkuar nga detyra. Edhe analistët më të mëdhenj të Makondos nuk ia dolën t’i zbulojnë shkaqet e rënies së tij. E pësoi mu si shoku Zylo.  Me shtetin s’ka mahi. Të zhbëjnë, sikur s’ke qenë fare. Gjin Shpata ia dorëzoi agjendën shefit të ri, të sapoemëruar.

Më vonë, Zyra për informim e Pallatit të pritjes doli me komunikatë: Kryetarin e sapozgjedhur të Kompanisë për kultivimin e patateve, brenda pak ditëve e kanë vizituar 35.000 qytetarë të Makondos. Pjesa dërmuese e tyre janë të palës oponente. Premtimet që iu dhanë popullit për kultivim të tridhjetë lloj patatesh, do të përmbushen për një. Ta forcojmë unitetin tonë. Makondo, më 20 dhjetor 2035.

Me të mbaruar vizitën te kryetari, Ramë Huta kishte rendur për në Rrëshan, rrethi i Makondos. I shqetësuar, plot entuziazëm dhe me shpirt të trazuar, përjetimin e rrallë, të papërsëritshëm – takimin me kryetarin – ia rrëfeu gjyshes. Me të parë nipin e vet në fotografi me kryetarin, gjyshes Shine një pikë loti i ngriu në mollëz. Iu kujtua legjenda sipas së cilës stërgjyshi e saj para dy shekujsh ishte fotografuar me pashën në grykën e Kryeqyqit. Ramë Huta fshiu djersët, u ngrit në këmbë dhe fotografinë me kryetarin e ngjiti në mur me gozhdë. E kemi votuar të gjithë, shtoi me zë të lartë xha Dulla. Ende pa gdhirë, jam ngritur nga shtrati i pleqërisë dhe bashkë me timen plakën, kam vajtur për t’ia dhënë kokën. Ata që armikut i shfaqin besnikëri deri në vdekje, kurrë s’kanë për ta parë kokën tonë. Ramë Huta u duk sikur u turbullua. Pas shumë kohe kishte mësuar i gjori se në kohën e kralit, votës i kishin thënë kokë. Vetëm pas njëzet vjetësh fshatarët e Makondos kishin mësuar për shkaqet e rënies së shefit të protokollit. Xhelal Zejneli 16 nëntor 2017

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura