FAIK KONICA: AHMET ZOGU KURRË NUK E KA MBAJTUR FJALËN E BESËS. ËSHTË I PANDERSHËM, I PASHPIRT, EGOIST, I PANGOPUR

(Pashtriku.org, 01. 10. 2012) – “E përbuz mbretin për këto arsye: e kam vëzhguar që kur ka qenë tetëmbëdhjetë vjeç dhe asnjëherë nuk e kam dëgjuar të thotë një të vërtetë. Kurrë nuk e ka mbajtur fjalën e besës. Nuk ka asnjë ndjenjë përgjegjësie. Është i pandershëm, i pashpirt, egoist, i pangopur. Ai i urren të gjithë ata që kanë diçka, qoftë kulturë, prejardhje, pasuri, çfarëdo aftësie në ndonjë fushë ose qoftë edhe patriotizëm të pagdhendur, por të ndershëm. Ai i injoron gjërat themelore dhe u jep një rëndësi groteske çikërrimave. Shqipëria kurdoherë ka qenë njohur si një komb me njëfarë dinjiteti tragjik, ai e ka ulur Shqipërinë në nivelin e një farse muzikore të pavlerë”. – kështu i ka thënë Faik Konica, Abdurrahman Saliut, shoqëruesit të motrave të Ahmet Zogut në SHBA në vitin 1938.
I
Të premten e zezë, më 7 prill 1939, ndërsa mbretëresha Geraldinë e Shqipërisë ishte e sëmurë në shtrat, pasi dy ditë më parë kishte lindur një djalë, fashistët pa asnjë provokim të dukshëm dhe pa shpallur luftë, pushtuan Shqipërinë, një vend të paarmatosur, pothuaj pesëdhjetë herë më të vogël sesa agresori.
Kjo bëmë e lavdishme ngjalli xhelozinë e mbretit Zog të Shqipërisë, i cili nga dëshira për të hyrë në garë me një heroizëm kaq të madh, ua mbathi me të shtënën e parë dhe i la atdhetarët shqiptarë të luftonin të vetëm kundër forcave me epërsi dërrmuese.

…………………………………

Mbreti Zog: Ardhja dhe ikja e tij.

…………………………………………..

Përbuzja e botës së qytetëruar qe madje më e madhe se tmerri për agresorët fashistë, ndërsa sa për të kapërcyer ato momente në mënyrë të mëshirshme, ajo e përmbajti opinionin e saj për dezertorin shqiptar.
Ndodhi që në atë kohë unë isha përfaqësues diplomatik i Shqipërisë në Uashington, ku isha vendosur që më 1929 si i dërguar i vendit tim, për rilindjen e të cilit kisha punuar që në rini. Qeveria amerikane duke iu përmbajtur politikës së vet për të mos njohur ndryshimet tokësore të bëra me “metoda gangsterësh”, vijoi të më quante si përfaqësues ligjor të Shqipërisë. Për më tepër, ky vendim lidhur me gjendjen time u bë më i lehtë nga fakti se fashistët, në fillim duke e paraqitur veten në mënyrë mjaft të çuditshme si “çlirimtarë” të Shqipërisë dhe jo si dhunues të lirisë së saj, u kujdesën që të ngrinin një qeveri shqiptare të rreme, që e mbajti shërbimin diplomatik. Por italianët, të cilët në kundërshtim me vendin e tyre madhërisht të shquar në historinë e kulturës, disa herë na shfaqen më të zgjuar sesa inteligjentë dhe që gjithmonë kanë qenë të përmendur për padurimin e tyre, nuk mund ta mbanin më në këmbë një mashtrim që ishte i leverdishëm për prestigjin e tyre duke i hedhur një vello, sado të hollë, dhunës së tyre, kështu që nga mesi i korrikut qeveria – kukull e Tiranës mori urdhër të mbyllte legatat dhe konsullatat shqiptare jashtë shtetit. Njëkohësisht të dërguarit e vendeve të ndryshme, duke përfshirë edhe të dërguarin e Shteteve të Bashkuara të vendosur në Tiranë, u informuan në mënyrë mjaft të papritur se statusi i tyre diplomatik nuk do të njihej këtej e tutje. Shumë shpejt pas kësaj, që të jemi të përpiktë më 24 korrik 1939, Sekretari i Shtetit më thirri në Departamentin e Shtetit dhe më njoftoi se, mbi bazat e reciprocitetit, ai ishte i detyruar ta quante se misioni im kishte marrë fund. Zoti Kordel Hall, i cili u bë edhe më i mirësjellshëm sesa ishte zakonisht, me sa duket e kuptoi habinë time të pashprehur për diskriminimin e dukshëm kundër Shqipërisë në krahasim me trajtimin që i ishte bërë Çekosllavakisë, i dërguari i së cilës vazhdonte të njihej si përfaqësues ligjor i kombit të vet. Zoti Kordel Hall më shpjegoi se ndryshimi në trajtim vinte për shkak se “ndryshimi i Çekosllavakisë ndodhi brenda një nate”, ndërsa në Shqipëri ndryshimi ishte bërë shkallë-shkallë. Unë nuk kam dyshim se ky shpjegim ka baza mjaft të shëndosha, por më duhet të pranoj se unë nuk arrita ta kuptoja. Megjithatë nuk e ndieja se kisha të drejtë të kërkoja shpjegime. Pasi dëgjova që në fillim pa e hapur gojën, e falënderova Sekretarin e Shtetit për shumë qëndrime të mirësjellshme gjatë misionit tim dhe u largova.
Është e tepërt ta them se isha i hidhëruar për gjithçka nënkuptonte ky epilog i trishtuar lidhur me të ardhmen e vendit tim, por njëkohësisht më duhet ta pranoj se pata një farë ndjenje të lehtësimit vetjak. Është e qartë se pozita e një njeriu, që pranohet si i dërguar i ligjshëm i një kombi dhe megjithatë nuk përfaqëson dot një qeveri reale, është e hapur për shumë gjëra të pakëndshme. Kjo më kujton një aktor të Shopenhauerit, i cili vijon të luajë pasi ka mbaruar shfaqja dhe është ulur perdja. E ndieja veten edhe më të çliruar megjithatë, sepse lidhja ime me Zogun ishte shkëputur përfundimisht.
II
Asnjëherë Zogu nuk ka qenë një sundimtar me të cilin mund të merreshe vesh, por në vitet e fundit ai ishte bërë i padurueshëm. Nga natyra ai kishte disa cilësi të shquara dhe në fillim kishte zotësinë t’i maskonte të metat që i kishte më të shumta, derisa një ditë suksesi në rritje e shtyu të hiqte maskën dhe doli siç ishte: një barbarë i paqëndrueshëm dhe bukëshkalë. Por edhe për ata që u pëlqen, edhe për ata që nuk u pëlqen, ai mbetet një karakter enigmatik interesant, një përzierje e papajtueshme kontradiktash, gjysmë hero e gjysmë karagjoz, i cili për shumë kohë do të tërheqë si mbledhësin e çudirave të historisë, edhe studiuesin e psikologjisë. Disa herë më kanë kërkuar të shkruaj një libër të shkurtër për këtë personazh kureshtar. Kam qenë në mëdyshje për shumë kohë, kryesisht sepse jam zënë prej disa vjetësh me planin për një histori të Shqipërisë, të mbështetur në kërkime të mundimshme, që përfshijnë studimin e dorëshkrimeve të pabotuara në bibliotekat e Evropës. Megjithatë, në çastet e çlodhjes, duke shfletuar faqet e ndonjë autori të kohës së Elizabetës siç bëj herë pas here, më duket se kam parë ndonjë fanepsje të Zogut në pjesën e Shekspirit për mbretin Xhon dhe Dogberrin ose në veprat e Marlout për Mortimenin e Ri dhe Çifutin e Maltës. Shkurt, Zogu që nuk më ka interesuar asnjëherë si sundimtar, më në fund më preku fantazinë si subjekt anatomie. Zaret u hodhën. E ndieja se duhej të shkruaja diçka për të.
Ndoshta lexuesi do të ketë mirësinë të mendojë se unë i hyj tani kritikës, sepse Zogu ra poshtë. Njeriu disa herë ka të drejtë të mendojë në këtë mënyrë, por ky mendim i veçantë këtë radhë është tërësisht i gabuar. Unë e kam kritikuar Zogun kur ishte në fuqi, e kam bërë këtë pa pushim që nga viti 1922 deri më 1939, në fjalime të hapura dhe në shkrime të firmuara, madje edhe kur kam qenë ministri i tij, aq shumë sa kam pritur çdo ditë të më shkarkonte dhe njerëzit çuditeshin përse më kursente. Sa për ilustrim, po jap pak fakte më poshtë.
Më 21 shkurt 1931 Zogu për një fije shpëtoi nga vrasja në Vjenë. Nuk do t’i mërzis lexuesit dhe veten time me saktësi statistikore. Ata që kanë kujtesë të mirë mund t’i mbajnë mend titujt e shtypit me shkronja të mëdha në faqen e parë. unë shpreha mosmiratimin tim për këtë atentat të ulët, ndonëse ai ishte frymëzuar nga një atdhetari e gabuar. Kur u hap gjyqi, mbrojtja nxori disa copa nga shkrimet e mia, që tregonin se Zogu nuk ishte gjë tjetër, veçse një despot injorant e bosh. Thuhet se të shkëputura kështu nga konteksti i tyre i përgjithshëm, që kishte për qëllim një kritikë konstruktive për t’i kthyer veprimet dhe synimet e Zogut në një drejtim më të mirë, këto citime kanë ndihmuar që të akuzuarve t’u jepej një dënim fare i lehtë.

……………………………….

SHBA, 1938: Faik Konica dhe dy motrat e Ahmet Zogut gjatë vizitës së tyre në SHBA.

……………………………………………….

Më 1938 tri motrat tërheqëse dhe shpirtmira të Zogut bënë një vizitë në Shtetet e Bashkuara. Unë bëra çmos që t’u shërbeja si udhërrëfyes, filozof e mik i tyre. Para se ato të iknin, Abdurrahman Saliu shtatëdhjetëvjeçar, një pasues i trashëgueshëm i Derës së Zogut, i cili shoqëronte princeshat, më shprehu mirënjohjen për përkushtimin tim. Ai më tha se edhe vetë mbreti nuk do t’u kishte shërbyer më me devotshmëri për të mirën e motrave të veta. Plaku besnik pastaj m’u lut t’i jepja, në rast se kisha dëshirë, ndonjë mesazh me gojë për mbretin. “A më premton se do t’ia thuash mesazhin pa asnjë ndryshim?” – e pyeta. Plaku më dha fjalën. “Atëherë, – i thashë, – thuaji mbretit se sado që janë të drejta kritikat e mia për regjimin e tij, unë do t’i kufizoj ato brenda qarqeve shqiptare, kurse jashtë këtyre qarqeve unë do ta mbroj regjimin me gjithë aftësitë e mia. Unë do të vazhdoj t’i shërbej mbretit me besnikëri dhe pa u grindur, sepse unë jam përfaqësues i tij dhe sepse ai është Kryetari i Shtetit Shqiptar. Por personalisht unë kam përbuzjen më të thellë për karakterin e tij”. Abdurrahman Saliu u trondit. “Vërtet dëshiron që t’ia them të gjitha këto?” – më pyeti. “Ti më dhe fjalën se do t’ia thuash”, – iu përgjigja dhe ai pranoi me fjalë të qeta: “Dot a mbaj premtimin. Por, – shtoi plaku pas një pushimi, – a ke kundërshtim të më thuash mua pse ke një mendim kaq të keq për mbretin?” Unë iu përgjigja menjëherë: “Me kënaqësi. E përbuz mbretin për këto arsye: e kam vëzhguar që kur ka qenë tetëmbëdhjetë vjeç dhe asnjëherë nuk e kam dëgjuar të thotë një të vërtetë. Kurrë nuk e ka mbajtur fjalën e besës. Nuk ka asnjë ndjenjë përgjegjësie. Është i pandershëm, i pashpirt, egoist, i pangopur. Ai i urren të gjithë ata që kanë diçka, qoftë kulturë, prejardhje, pasuri, çfarëdo aftësie në ndonjë fushë ose qoftë edhe patriotizëm të pagdhendur, por të ndershëm. Ai i injoron gjërat themelore dhe u jep një rëndësi groteske çikërrimave. Shqipëria kurdoherë ka qenë njohur si një komb me njëfarë dinjiteti tragjik, ai e ka ulur Shqipërinë në nivelin e një farse muzikore të pavlerë”.

…………………………………….

Material i rrallë: Video dhe audio origjinale: Faik Konica dhe Fan Noli.

………………………………….

Natyrisht, artikujt e mi me nënshkrim nuk kanë qenë kaq të hapur sa fjalët që i thashë plakut të mirë Abdurrahman. Ata janë botuar herë pas here në “Dielli”, që është gazeta më me reputacion dhe e shkruar më mirë në gjuhën shqipe, botohet në Boston, Mesaçusets që nga viti 1909. Sa herë “Dielli” vinte në Shqipëri dhe numri përmbante diçka me nënshkrimin tim, njerëzit rriheshin për të marrë një kopje. Kur policia e konfiskonte një numër të veçantë, siç ndodhte shpesh, një kopje e futur kontrabandë mund të shitej deri njëzet franga ari (që janë baraz me shtatë dollarë me kursin e shkëmbimit të sotëm), gjë që është një provë bindëse e interesit për të, po të mbajmë parasysh se paratë në dorë janë mjaft të pakta në Shqipëri. Në numrin e “Diellit” të 22 gushtit 1938 unë kisha botuar një artikull me nënshkrim, që merrej me format e ndryshme të qeverimit. Ai mbaronte me këto fjalë (të përkthyera): “Monarkia ka në Shqipëri dy tipa armiqsh: ata që e lavdërojnë pa masë dhe pa vend, si dhe ata që e bëjnë qesharake me festime të tepruara. Nëse na pëlqen monarkia, le të përpiqemi t’i japim seriozitet e dinjitet duke hequr dorë nga karnavalet”. Është e tepërt të shtoj se i vetmi person ndërgjegjës për ato karnavale ishte vetë Zogu. Në të vërtetë, i gjithë regjimi i Zogut nuk ishte gjë tjetër veçse një karnaval i gjatë me një fund tragjik.
III
Një gjë interesante për ish mbretin e Shqipërisë ka qenë prirja e tij për ta ndryshuar emrin, duke u ngjitur në pushtet. Ai lindi si Ahmet Zogolli, i biri i Xhemal Zogollit, kreut të krahinës së Matit, më vonë u bë Ahmed Zogu dhe në shkallët e fundit të karrierës së tij të turbulluar e quajti veten “Mbreti Zog”. Zogu në gjuhën shqipe është trajta e shquar, zogj është pa nyjën shquese. Sidoqoftë, karriera e tij politike në Shqipëri e kohëve të reja mund të vështrohet si një episod historik pa rëndësi.”¹
Ai lindi më 8 tetor 1895 në fshatin Burgajet të krahinës së Matit dhe vinte nga një varg i gjatë funksionarësh qeveritarë. Kur ishte djalë, e çuan në shkollë në Stamboll, por e ndërpreu shkollën më 1912, kur Shqipëria u çlirua nga Turqit. Por atë që i mungoi si shkollim, ai e plotësoi me inteligjencën e lindur dhe me dredhinë.
Zogu tërhoqi vëmendjen publike më 1914, kur princi Vilhelm Vidi, mbreti për gjashtë muaj i Shqipërisë, pati shqetësime serioze me nënshtetasit e tij. Si kreu i krahinës së Matit, Zogu komandonte rreth 2000 veta, të cilët propozoi që t’i përdorte për të mbrojtur princin. Ndonëse asnjëherë nuk e plotësoi këtë premtim, ia doli mbanë që t’i qethte monarkut fatkeq disa qindra napolona.
Gjatë Luftës së Parë Botërore, kur një pjesë e madhe e Shqipërisë u pushtua nga trupat austro-hungareze, Zogu bashkëpunoi me pushtuesit, por me kalimin e kohës oficerët austriakë nisën të vinin re njëfarë padurimi të lehtë te ky prijës i ri. Vdekja e perandorit Franc Jozef më 1916 u dha atyre mundësinë për ta larguar nga skena dhe e dërguan në Vjenë për të marë pjesë në kurorëzimin e perandorit Karl. Aty e mbajtën deri në fund të luftës. Ky ishte kontakti i tij i parë me botën perëndimore dhe ai e shfrytëzoi në mënyrën më të mirë gjendjen e vështirë, duke mësuar gjermanishten dhe duke vëzhguar nga afër politikën perëndimore. Është interesante të bësh hamendje se kurorëzimi gjithë pompë i perandorit Karl ka qenë arsyeja që e ka ndezur imagjinatën e malësorit të ri dhe ia ka kthyer mendjen për të përfytyruar një kurorëzim edhe të vetes në të ardhmen. Është mjaft e çuditshme që, kur ai u kthye në Shqipëri nga fundi i luftës, i hyri rrugës për t’u bërë mbret. Ai nisi të punonte për të arritur qëllimet e veta në një mënyrë të mirëfilltë makiavelike, ndonëse nuk dihet a i kishte lexuar ndonjëherë porositë e librit të tij “Princi”.
Pasi u kthye në Shqipëri, Zogu e gjeti vendin e vogël të copëtuar nga lufta dhe në kaos politik, në prag të një gjendjeje anarkie. Kjo i dha atij mundësinë për të përdorur me përfitim ata 2000 malësorët e tij, që ishin gati ta ndiqnin në çfarëdo aventure që do të vendoste t’i drejtonte. Për më tepër, shqetësimet e Shqipërisë nuk ishin tërësisht të brendshme, sepse atë e kërcënonte edhe copëtimi nga fqinjët. Kjo krizë i detyroi prijësit shqiptarë që t’i linin mosmarrëveshjet për një kohë. Më 21 janar 1920 ata u mblodhën në kongresin historik të Lushnjes, ku ata iu drejtuan parimit të presidentit Uillson për “vetëvendosjen” e kombeve dhe gjithashtu shpallën besën e tyre, duke u zotuar të vdesin për të mbrojtur tërësinë tokësore e politike të vendit. Lidhur me këtë, duhet vënë në dukje se zona në të cilën u mbajt kongresi ishte ende nën pushtimin italian dhe të vetmet forca në dispozicion për t’i mbrojtur krerët nga italianët ishin besnikët e Zogut.
Kur u formua kabineti nga Kongresi, Zogu u caktua ministër i Brendshëm, një post ky që i dha kontrollin mbi policinë dhe xhandarmërinë. Që nga ky çast ai u ngjit lart si meteor: u bë kryeministër më 1923, presidenti më 1925 dhe së fundi mbret më 1928. Është interesante se çdo hap që bëri, nga ministër i brendshëm deri në mbret, ishte “në mënyrë kushtetuese”.
Për këtë ngjitje në pushtet, i vetmi njeri që e kundërshtoi ka qenë peshkopi Fan S. Noli, i formuar sipas mënyrës amerikane. Peshkopi kryesoi forcat liberale të vendit, shumica e të cilave e kishin shijuar demokracinë në Amerikë. Për më tepër, fshatarët që përbënin 95 për qind të popullsisë e shihnin atë pa asnjë dyshim si të vetmin njeri të aftë për ta udhëhequr vendin drejt reformave demokratike e përparimtare. Në qershor 1924 gjatë një kryengritjeje spontane kundër forcave regresive, ai e detyroi Zogun të arratisej nga vendi. Megjithatë, pas gjashtë muajsh Zogu u kthye në Shqipëri me ndihmën ushtarake të Jugosllavisë fqinjë dhe me miratimin e Anglisë, Italisë e Greqisë. Kthimi i tij “triumfal” në Tiranë i dha fund jetës politike të peshkopit Noli.
Gjatë karrierës së tij të trazuar, janë bërë dy atentate kundër jetës së Zogut. Njëri u bë më 23 shkurt 1924, kur ai po ngjiste shkallët e parlamentit. Një student i ri me emrin Beqir Valteri shtiu dy herë dhe e plagosi në dorën e majtë, por Zogu hyri në sallën e asamblesë sikur nuk kishte ndodhur asgjë. Herën e dytë ndodhi më 21 shkurt 1931 në Vjenë, ku ai kishte shkuar për një konsultë mjekësore. Ky atentat u bë kur ai po dilte nga teatri i operës, ku kishte ndjekur shfaqjen “Palaçot”. Një nga shoqëruesit e tij u vra, por Zogu shpëtoi.
* * *
Duke bërë një përmbledhje të karrierës së tij, ka disa arritje që janë në dobi të tij. E para, ai solli njëfarë pamjeje të unitetit për vendin, duke rivendosur rendin pas anarkisë dhe, siç e ka thënë një njeri i mençur, tirania parapëlqehet ndaj anarkisë. Veç kësaj, ai shpëtoi vendin nga brigandizmi dhe mungesa e ligjeve, një realizim ky që vështirë të vlerësohej atëherë, siç e tregon një shprehje fluturake, që qarkullonte atëherë nën zë gjerësisht nëpër kafenetë: “Është e vërtetë që nuk ka më cuba në Shqipëri, sepse kanë shkuar të gjithë në Tiranë, ku vjedhin me autoritet duke ndenjur në tavolinën e zyrës”. Së fundi, ndonëse ishte vetë bej, ai e ngushtoi shumë pushtetin e bejlerëve. Megjithatë, këtë e bëri kryesisht për të siguruar pozitat e veta.
Nga ana negative, administrata e tij ishte e korruptuar dhe e pazonja, sepse ai e rrethoi veten me njerëz që nuk kishin as karakter, as dije dhe as ndershmërinë e zakonshme. U shtyp me egërsi liria e fjalës dhe e shtypit, ndërsa spiunët e tij të kudondodhur e terrorizonin popullin. Ndonëse ishte injorant në fushën e gjerë të ekonomisë, ai ishte dhelparak për punët e veta. Rreth tre për qind të të ardhurave shtetërore i merrte për vete si rrogë dhe shpërblime, por pjesën kryesore të pasurisë, që është vlerësuar midis tre dhe pesë milionë dollarë, e mori si dhuratë nga Musolini për koncesionet politike dhe ekonomike që i bëri Italisë. Në të vërtetë, fama e Zogut si dallaveraxhi i zgjuar mund të përmblidhet në një koment që i ka bërë autorit ish i dërguari i Shteteve të Bashkuara në Tiranë: “Ishte e lehtë ta blije Zogun, por ai nuk qëndronte i blerë”.

……………………………………………….

Dasma e Mbretit Zog

………………………………………………………..

Më 7 maj 1938 Zogu u martua me konteshën Geraldina Aponi të Hungarisë, duke pasur si nun kontin Galeaco Çano, ministrin e Jashtëm të Italisë dhe dhëndrin e të ndjerit Musolini, që nuk e qau kush. Një vit më pas, më 5 prill 1939 lindi një djalë. Dy ditë më vonë, të premten e zezë, ndërsa gjithë krishterimi ishte përgjunjur para Princit të Paqes, legjionet e krishtera të Musolinit kapërcyen Adriatikun për të pushtuar një vend të vogël. Ndonëse nuk i mungonte guximi shtazor, kur erdhi çasti për ta treguar atë të premte të zezë fatale, Zogun e lëshuan nervat dhe e tradhtoi vendin. Është domethënëse që italianët nuk bënë asnjë përpjekje për ta kapur kur po arratisej për në Greqi. Meqë aeroplanët italianë fare lehtë mund ta zbulonin karvanin e tij, na duhet të nxjerrim përfundimin se Musolini e la “të shpëtonte” ish-të mbrojturin e tij.
Në rast se Zogu do të kishte vendosur që të qëndronte me popullin e tij dhe do ta godiste pushtuesin nga malet, ai do të kishte përsëritur në shekullin e njëzetë epokën e Skënderbeut, duke fituar kështu adhurimin e botës dhe mirënjohjen e popullit të tij. Në vend të kësaj ai zgjodhi arratisjen. Zogu i kaloi vitet e luftës në Angli, por nga ana politike i kishte duart plotësisht të lidhura, pasi Anglia ia kishte premtuar Shqipërinë e Jugut Greqisë si shpërblim për të kundërshtuar invazionin italian më 1940. Nga fundi i luftës ai kaloi në Egjipt, ku gjeti përkrahje të madhe nga ish-mbreti Faruk. Një vit e ca pasi erdhi në pushtet koloneli Gamal Abdel Naser, Zogut iu hoqën prerogativat mbretërore. Nga fundi Zogu e pa të padurueshme atmosferën e qeverisë revolucionare të Egjiptit dhe e la vendin e faraonëve. Tani ai gjëllin në Francë, si viktimë e një sëmundjeje të rëndë të zemrës, duke vështruar Shqipërinë që e qeverisin pikërisht ata njerëz, të cilët ai i kishte shfrytëzuar dhe terrorizuar gjatë mbretërimit të vet. Siç transit gloria mundi.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura