PASHTRIKU: NGA KUJTIMET E EQREM BEJ VLORËS (1885 – 1925)

(Pashtriku.org, 01. 10. 2012) – A ka ndonjë cep të Perandorisë Osmane thashë me vete, ku të mos ketë shqiptar? Të parë shtrembër nga natyra e egër, të ngushtuar nga papajtueshmëria e karakterit të tyre, ata kanë qenë të shtrënguar të braktisin vendin për të kënaqur në dhe të huaj synimin (dëshirën) e lindur për të sunduar e mbase edhe nevojë për qetësi.
Si qenë ato fjalë për të ardhmen e popullit tonë që më tha dikur në Stamboll, armiku i madh i shqiptarëve, ministri i Brendshëm i Turqisë Rinj, Telat pasha? Ishte vjeshta e vitit 1908. Inteligjencia shqiptare kishte thirrur në një kongres në Manastir, elitën e albanologëve të athershëm për të vendosur alfabetin dhe drejtshkrimin e gjuhës shqipe. Unë së bashku me veprimtarin dhe njëherësh drejtorin e gazetës “Shqiptari”, Dervish Himën, ishim zgjedhur nga kolonia shqiptare e atyshme si përfaqësues të saj në këtë kongres. Edhe pse në atë kohë unë isha nëpunës në Ministrinë e Jashtme, nuk e kisha gjetur të nevojshme të merrja leje nga zyra për këtë udhëtim. I shoqëruar nga nacionalistët drejtues të kolonisë, unë arrita me shumë bujë në stacion dhe po matesha të hipja në vagon, kur më afrohet një polic dhe më kërkoi të shkoja me të te komisari. A kisha marrë leje për këtë udhëtim më pyetën atje. Kur iu përgjigja “jo”, komisari më tha se atëherë nuk mund të nisesha. I zemëruar, që dikush kishte guxuar t’u dilte përpara trilleve të mia, unë vajta drejt e te ministri i Brendshëm, Telat pasha, i cili pikërisht ato çaste po përcillte për në Selanik një “peshk të madh” të komitetit të Turqve të Rinj. Kjo ishte një fyerje e madhe që i bëhej personit tim! A nuk ishte e drejtë e çdo qytetari që të lëvizë i papenguar nëpër të gjithë vendin? Telat pasha, kur dëgjoi këto fjalë të fryra vetëm sa vuri paksa buzën në gaz dhe më tha t’i shkoja të nesërmen në zyrë, se kishte diçka për të më thënë. Udhëtimit, doemos duhej t’i vija vizë. Të nesërmen ministri më priti ftohtë, por në mënyrë korrekte. Ai më tha se si nëpunës shtetëror unë nuk kam të drejtë të marr pjesë nëpër mbledhje, qoftë edhe të karakterit shkencor, pa lejen e qeverisë.
Nuk mund të mos e pranoj se ai kishte të drejtë.
Mirëpo atëherë unë nuk doja kurrsesi ta pranoja këtë!

……………………………………………..

Atdhetarët shqiptarë dhe Turqit e Rinj qëndronin në pozita krejt të kundërta. Ne, nacionalistët, nuk besonim më në vazhdimësinë e Perandorisë dhe dëshironim që në çastin e fundit të shpëtonim atë që mund të shpëtohej dhe pikërisht qenësinë dhe tërësinë e kombit shqiptar. Dhe ky qëllim, mendonim ne, mund të arrihej më shpejt nëpërmjet një autonomie në suazën e Perandorisë Osmane. Ndërsa Turqit e Rinj nga ana e tyre ishin ithtarë të një lëvizjeje nacionaliste turke, që synonte vazhdimisht, jo vetëm ruajtjen e kombësive të Perandorisë, por edhe forcimin e lidhjeve mes tyre nëpërmjet ideve panturke dhe panislame. Nga kjo pikëpamje nuk mund të shihej ndryshe veçse si një tradhti ndaj vendit dhe fesë kur një popull kaq i favorizuar në Perandori, siç ishin shqiptarët, të kërkoje një status të veçantë, që mund të quhej fare mirë, si parapërgatitje për ndarje. Koha dhe ngjarjet na dhanë neve, fatkeqësisht, të drejtë. Turqit e Rinj ishin politikisht të papërgatitur, si tepër primitivë dhe tepër të verbuar nga idetë e tyre dhe nuk mund të kuptonin rëndësinë e një autonomie, në formën e një administrimi kantonal, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Maqedoninë, që këto provinca autonome, siç mendonim ne, do t’ia kishin zgjatur, së paku formalisht, edhe për disa vjet jetën Perandorisë Osmane në Gadishullin Ballkanik.
Në Shqipëri, fjala vjen, jetonin dy milionë myslimanë, të cilët edhe në një Shqipëri autonome do të kërkonin marrëdhënie të ngushta me Turqinë. Në Maqedoni shumica ishte e krishterë, por e përçarë dhe e armiqësuar mes veti. Partia bullgare e Sandaksit ishte shprehur për një autonomi kantonale, ku të përfshihej shumica e popullsisë sllave të Maqedonisë; serbët dhe grekët nuk luanin ndonjë rol. Ndërsa të 700.000 myslimanët e Maqedonisë formonin një element të fuqishëm ndikimi në të mirë të Turqisë. Duke hequr dorë nga sovraniteti tashmë qesharak i Perandorisë Osmane mbi ishullin e Kretës, i cili prej vitesh përfaqësohej vetëm me një flamur të leckosur mbi kështjellën e Sudës, do të qe bërë e mundur që, qoftë edhe për nja farë kohe, Greqia të neutralizohej. Një propozim i tillë iu bë nga kryeministri i Greqisë, Venizelos, deputetit të athershëm të Vlorës, Syrja bej Vlorës, gjatë kalimit të këtij të fundit nëpër Athinë dhe që iu transmetua qeverisë në Stamboll; mirëpo ky propozim jo vetëm që hasi kundërshtimin e fortë të Komitetit të Turqve të Rinj, por ndërmjetësuesi u sha dhe u damkos si tradhtar. Cili nga antarët e komitetit të Turqve të Rinj kishte zgjuarsinë dhe dijet e nevojshme për të nxjerrë një përfundim të tillë të thjeshtë e logjik nga situata politike? Këto ishin në përgjithësi ato që unë u përpoqa t’iu bëja të qartë ministrit në bisedë me të; unë desha ta thonja që ne, nacionalistë shqiptarë, nuk ishim aspak armiq të Perandorisë, por donim të punonim në të mirë të saj me mjete të tjera.
Përgjigja e tij ishte e shkurtër dhe e qartë. Ose qëndroni nëpunës dhe bindjuni udhëzimeve të qeveris ose bëhuni politikan dhe përfaqësoni idetë tuaja si deputet në parlament. Vetëm duhet të kini parasysh një gjë: unë i njoh Shqipërinë dhe shqiptarët më mirë sesa mendoni ju. Ju keni jetuar në Perandorinë Osmane jo si të shtypur dhe të nënshtruar, por si zotërinj dhe urdhërues. Ju keni përfituar nga pushteti i Perandorisë dhe i fesë më tepër se turqit. Tani po bëheni renegatë dhe kërkoni ta braktisni anijen që po mbytet, në vend që të punoni dorë për dore me ne për shpëtimin e saj. Ndoshta një ditë edhe do t’ia arrini asaj që kërkoni. Vetëm kujdes! Shqipëria është e vogël dhe e varfër, shqiptarët nuk janë as qytetarë të mirë, as punëtorë të mirë, e shumta ata mund të jenë sundimtarë të mirë dhe ca më tepër kusarë të mirë. Një ditë prej ditësh, kur të mos i keni më kullotat e pafundme të kësaj perandorie, ju do të hani njëri-tjetrin në atë Shqipërinë tuaj të ngushtë e të varfër!”. Ai nuk foli atëherë si ministër, por si një turk i thjeshtë! I bindur dhe i ndershëm. Dhe kishte pasur të drejtë.
Sa e sa herë më vonë e kam kujtuar kajmekamin e El-Maanit, kam kujtuar ato qindra e mijëra shqiptarë që kam takuar edhe në qoshet më të largëta të Perandorisë, të cilët, në toka të huaja urdhëronin mbi njerëz të huaj, vetëm e vetëm sepse quheshin “shqiptarë”. Dhe sa e sa herë më janë kujtuar fjalët profetike të atij turku të ri, më vonë, kur në Shqipëri isha i detyruar të shihja me tmerr e neveri, sesi njerëzit që donin të bëheshin dikushi, shqyenin dhe shkelnin me këmbë shoqi-shoqin, vetëm e vetëm se në koritë nuk kishte vend për të gjithë.
Në njërën nga ditët e mëpastajme, grupi ynë, domethënë Abdyrrahman pasha, dy djemtë e ministrit të Jashtëm, Tefik pasha, Veiz pasha dhe unë, bëmë një udhëtim në Petra, 50 km larg në vijë ajrore. Na kishin siguruar se atje mund të shkohej edhe me makinë! Rrugë doemos që nuk kishte, por ne kishim guxim, qëndrueshmëri dhe shpresonim se do t’ia dilnim mbanë. Ashtu ndodhi vërtet dhe ne çamë përpara me dhjetë, madje me dymbëdhjetë kilo metra në orë, ndonëse jo pa pengesa e ndalime. Makina hidhej e përhidhej, por sidoqoftë patëm fat- pas shtatë orësh ishim në Petra. Për atë kohë një arritje, por e tillë që na shtrëngoi të flinim një natë në Elxhi dhe prej aty të ngjiteshim në këmbë te rrënojat, afro një orë udhë. Sot Petra është studiuar dhe për të kanë dalë edhe disa libra. Po atë kohë ajo ishte gati e panjohur dhe përmendej vetëm në veprat shkencore si kryeqendër e mbretërisë së Nabatit në (Arabia petraea”. Nga gërmadhat e dukshme viheshin re përvijimet e një sheshi, mbeturinat e një e teatri dhe të disa tempujve. Më mirë ishin ruajtur disa objekte laike dhe fetare, të gdhendura nëpër shkëmbinj apo shpella. Për një orë ne vizituam, studiuam dhe fotografuam gjithçka që mund të kuptonte një amator. Ndonëse të dy oficerët e rinj kishin disa njohuri në këtë fushë.
– Shkëputur nga libri: “Eqrem Bej Vlora, Kujtime – 1885 – 1925”, shkruar më 1930.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura