Pashtriku.org, 18. 03. 2014 – (Kërkesa për dekorim post’mortum të Ramiz Kuklecit) – Më 17 Mars 2014, Deputeti i Parlamentit të Republikës së Kosovës, Daut Haradinaj, me përkrahjen e 20 deputetëve të partive të ndryshme politike, ka adresuar te Presidentja e Republikës së Kosovës, znj.Atifete Jahjaga, kërkesën për dekorimin post-mortum të atdhetarit dhe veprimtarit të hershëm nga Deçani, z. Ramiz Kukleci. Kërkesa e deputetit Haradinaj bazohet në veprimtarinë shumëvjeçare të z. Kukleci, në të gjitha etapat e përpjekjeve për liri dhe pavarësi – në gjysmën e dytë të shekullit XX’të.
* * *
Ramiz Kukleci u lind me 01. 10. 1928 në fshatin Isniq të Deçanit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në Pejë, ndërsa shkollimin e lartë e kreu në Prishtinë. Qysh në moshën rinore punoi me përkushtim për çështjen kombëtare, fillimisht si mësimdhënës në shumë fshatra të Kosovës e më vonë edhe në Prishtinë, duke përhapur kështu rrezet e diturisë, tek brezi i ri, në mënyrë që të bëhen të dobishëm për kombin tonë. Rrjedhimisht puna e Ramiz Kuklecit nuk shihej me sy të mirë nga pushtetit i atëhershëm, prandaj dhe transferohej nga një fshat në tjetrin.
Pas 18 vitesh pune në arsim, regjimi komunist e largoi pa dëshirën e tij nga ky profesion që aq shumë e deshi e punoj me përkushtim. Ramiz Kukleci u largua nga arsimi, por nuk u mposht dot kurrë nga regjimi dhe UDB’a famëkeqe. Ishte i dashur dhe këshilldhënës për të gjitha gjeneratat, (të rinjë e të moshuar) që kishin vetëdije kombëtare dhe për këto virtyte, gëzonte një respekt të madh, në lagjen “Kodra e Trimave” ku jetonte.
RAMIZ KUKLECI (1928 – 1999)
Ramiz Kukleci ishte kryetar i kishillit për pajtimin e gjaqeve dhe ngatrresave, shumë më përpara se të fillonte Aksioni i pajtimeve të gjaqeve – në vitin 1990. Gjithmonë thoshte “Vrasjet dhe ngatrresat mes shqiptarëve janë të dëmshme dhe shkojnë në shërbim të regjimit serbë”. Një kohë ishte edhe kryetar i suksesshëm i Klubit Futbollistik “Flamurtari” të Prishtinës.
Ramiz Kukleci, si humanist, ishte edhe kryetar i Shoqatës Bëmirëse “Nënë Tereza” në Kodrën e Trimave, dhe atëkohë së bashku pajtimtarët dhe humanistët e shumtë – në krye me Anton Çetën, hapën Ambulancën e parë në Kosovë, që punonte në baza vullnetare. Më vonë u angazhua në Shoqatën për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur nga trojet e veta, dhe ishte Kryetar i degës në Prishtinë. Ramiz Kukleci, duke i parë rrethanat e një pushtimi klasik të Kosovës, gjithmonë thoshte se “Serbia vetëm pushkë largohet nga trojet tona”, dhe për të dhënë kontributin e tij në këtë drejtim, qysh në fillim u angazhua në Partinë Republikane të Kosovës – PRK, (si anëtar i Kryesisë), sepse kjo parti edhe në program e kishte – çlirimin e Kosovës me luftë të armatosur. Gjatë kohës sa vepronte në “PRK”, ai vuri kontakte edhe me veprimtarë të Lëvizjes Ilegale, të cilët punonin në organizimin e popullit për luftë të armatosur.
“Është sakrifica jonë që do ta sjellë Lirinë, e jo qëndrimi (ndejtja) duarkryq, siç propagandon vazhdimisht kreu i LDK’së” – kështu thoshte Baci Ramiz, gjatë takimeve e bisedave me bashkëveprimtarët e tij.
Aktiviteti i Ramiz Kuklecit me kohë kishte rënë në sy të udbashëve (përmes informatorëve shqipfolës), dhe meqë dita – ditës i shtohej dhuna psiko’fizike, ai detyrohet ta braktisë Kosovën dhe emigron në Gjermani. Në Gjermani, përkundër shëndetit jo të mirë, nuk u ndalë asnjë çast për bashkimin e mërgimtarëve, të cilët ishin të ndarë e përçarë nga partitë politike. Dhe këtë mision më përkushtim do ta kryej si Kryetar i Shoqatës së Intelektualëve Shqiptarë në Mërgim.
Ramiz Kukleci e dinte mirëfilli se për çlirimin e Kosovës nuk kishte mbetur rrugë tjetër veç luftës, andaj me daljen e UÇK’së në skenë ka thënë: “tani liria nuk është larg”, dhe duke qenë i bindur, ai nuk kurseu asgjë për ta ndihmuar këtë ushtri të lavdishme çlirimtare. Me qëllim të mobilizimit të mërgimtarëve tanë për ta ndihmuar gjithanshëm luftën e UҪK’së, ai mori pjesë në shumë tubime e demonstrata që i organizonte “Lëvizja Popullore e Kosovës”, në perëndim si në: Shtutgart, Bon, Berlin, Frankfurt, Vjenë, Zyrih, Bern, Bruksel, Paris, Rambuje…etj.
Ramiz Kukleci, punoi dhe veproi pa u ndalur deri më 31 mars 1999, kur u shua nga jeta në qytetin Isny të Gjermanisë. Një vit më vonë eshtrat e Ramiz Kuklecit u përcollën në Kosovë, dhe me nderime të larta nga Trupat e Mbrojtjes së Kosovës rivarrosen në fshatin e tij të lindjes – në Isniq të Deçanit. Në këtë ceremoni madhështore morën pjesë mijëra Shqiptarë nga të gjitha trojet etnike dhe shumë personalitete politike dhe ushtarake, që ia sollën lirinë Kosovës.
Ramiz Kukleci shpeshherë nëpër oda të burrave thoshte: “Ne duhet të punojmë dhe të sakrifikojmë çdo ditë nga pak, në mënyrë që nipat e nipave tanë… ta gëzojnë lirinë”! Andaj ndaj falë mundit dhe sakrificës sublime të UÇK’së dhe burrave atdhetarë si Ramiz kukleci, liria erdhi me shpejtë, dhe atë sot e gëzojnë djemtë dhe nipat e tij, e gëzojnë të gjithë shqiptarët e Kosovës!
* * *
Me rastin e 11 vjetorit të vdekjes së Ramiz Kukleci, Esat Loshi, ia kushton një poezi, këtij atdhetari e humanisti të madh.
RAMIZI ËSHTË KËTU ME NE
Me Ju lule Lirie
Patriotët janë rreze diellore,
nënshkrues të pavdekshmërisë,
vdekje bardhë lule lirie janë.
Bjeshkë jona, gjakë yni,
frymëmarrje në trollin e lirë shqiponjash.
Ramizi është këtu me ne,
Qiell kaltërsie pa re të zeza,
Kjo tokë lindë çdo herë atdhetarë,
për bija dhe bijë bujarë.
Na shanë, na vranë zuguritë,
por vranë e shanë vetën e tyre,
se rrufe zemre shpirti njerëzor,
godet për vdekje shëmtinë.
Se je nip i Demë Ali Pozharit
i një gjaku me Ahmet Delin,
prej Agronit e Teutës
deri te Skenderbeu patët udhëtuar,
me djalërinë e Ushtarëve të UÇK’së dhe
të Adem Jasharit.
Sot kemi festë në Isniq,
Kosova është këtu plotë miq,
kënga më e bukur është ajo
që heronjëve, patriotëve ju kushtohet.
Jeni Kurorë lulesh që ju mbajmë në shtege balli,
të gjallë në mesin tonë,
për Ju gjithmonë rreshkë malli.
* * *
Lavdi jetës dhe veprës së Ramiz Kuklecit!
Lavdi të gjithë dëshmorëve të Kombit!
===================
Lexoni kopjet e kërkesës për dekorimin post – mortum të veprimtarit, Ramiz Kukleci:
(Përgatiti kryeredaktori i Pashtriku.org, Sheradin Berisha, 18. 03. 2014)