PASHTRIKU: UKSHIN HOTI, PROMOTOR I LËVIZJES KOMBËTARE SHQIPTARE 1981 – 1999(II)

(Pashtriku.org, 16. 05. 2012) – “Populli shqiptar duhet bashkuar. Këtë e dijnë të gjithë dhe askush më nuk e konteston. Ai duhet të bashkohet për shkak se është i njësuar në planin shpirtëror: e ka një gjuhë, një kulturë dhe një histori. Për shkak se është një popull i vjetër evropian i Ballkanit, i cili që herët e ka demonstruar pjekurinë e vet shtetformuese; për shkak se gjithashtu që herët e ka arritur nivelin e duhur të vetëdijes politike për veten, për vendin dhe për interesat e veta në regjion, dhe për shkak se e ka dëshmuar në mënyrë të lavdishme dobishmërinë e vet në të gjitha planet e bashkësisë evropiane të popujve. Ai duhet të bashkohet edhe për shkak se e drejta për vetëvendosje është njëra ndër arritjet qenësore të qytetërimit evropian, e drejtë të cilën vetë ajo e ka proklamuar dhe e cila më asnjë populli në Evropë nuk mund t’i refuzohet a t’i mohohet. Popullit shqiptar i duhet një gjë e tillë që të mund të zhvillohet vetë më tej për ta arritur nivelin e përgjithshëm të kësaj bashkësie.” – Ukshin Hoti.

Autori: Sheradin Berisha

______________________

UKSHIN HOTI

__________________________________

Si e mbrojti Ukshin Hoti në foltoren e gjykatës serbe kauzën e Bashkimit Kombëtar
Ukshin Hoti edhe gjatë procesit gjyqësor të mbajtur më 27/28 shtator 1994 kundër tij në Gjykatën serbe në Prizren, e argumenton në mënyrë shkencore bashkimin e popullit shqiptar në një shtet të vetëm në Ballkan. „Populli shqiptar duhet bashkuar.“- thotë zëshëm Ukshin Hoti përpara Trupit Gjykues, dhe vijon: „Këtë e dijnë të gjithë dhe askush më nuk e konteston. Ai duhet të bashkohet për shkak se është i njësuar në planin shpirtëror: e ka një gjuhë, një kulturë dhe një histori. Për shkak se është një popull i vjetër evropian i Ballkanit, i cili që herët e ka demonstruar pjekurinë e vet shtetformuese; për shkak se gjithashtu që herët e ka arritur nivelin e duhur të vetëdijes politike për veten, për vendin dhe për interesat e veta në regjion, dhe për shkak se e ka dëshmuar në mënyrë të lavdishme dobishmërinë e vet në të gjitha planet e bashkësisë evropiane të popujve. Nuk i duhet që ta dëshmojë përkatësinë e vet në këtë bashkësi, sepse pavarësisht nga pozita e vet gjeopolitike dhe e pranisë së religjionit islamik në shumicën e pjesëtarëve të tij, ai ka qenë dhe ka mbetur popull evropian. Ai duhet të bashkohet edhe për shkak se e drejta për vetëvendosje është njëra ndër arritjet qenësore të qytetërimit evropian, e drejtë të cilën vetë ajo e ka proklamuar dhe e cila më asnjë populli në Evropë nuk mund t’i refuzohet a t’i mohohet. Popullit shqiptar i duhet një gjë e tillë që të mund të zhvillohet vetë më tej për ta arritur nivelin e përgjithshëm të kësaj bashkësie. E drejta e popullit shqiptar për t’u bashkuar buron edhe nga fakti se ai nuk ka qenë ndonjëherë i pyetur për caktimin e kufijve që e cungojnë nga të gjitha anët. Kur u bë një gjë e tillë në Konferencën e Ambasadorëve të gjashtë fuqive të mëdha evropiane në Londër, premieri i atëhershëm britanik, sër Edward Grey, që e kryesonte atëbotë atë konferencë, pati deklaruar publikisht se ishin të detyruar që ta flijonin këtë popull për shkak të ruajtjes së paqes evropiane.“
„Mirëpo paqja me këtë nuk u ruajt as atëherë dhe as më vonë“ – ka nënvizuar Ukshin Hoti, dhe ka vijuar: „Misionarë të ndryshëm të Lidhjes së Kombeve nga ajo kohë (1919-20) i propozonin popullit shqiptar që gjeniun e vet krijues ta orientonte në drejtim të rritës së brendëshme e të krijimit, ndërkaq Evropa, nga ana e vet, do të dinte që këtë gjë në një kohë të caktuar ta shpërblente. Ai një gjë të tillë e bëri. Dekada të tëra ai e duroi me dinjitet politikën e asimilimit me dhunë dhe të spastrimit etnik të regjimeve të ndryshme serbe. Vetëm në mes dy luftërash botërore e lëshuan përdhunisht këtë hapësirë më se 240 000 njerëz. Në vitet e pasluftës shkuan dhe 600 000 të tjerë të cilëve iu bashkuan edhe po aq kosovarë në kohën e sotme, në kohën e ndryshimeve demokratike. Nuk ka të dhëna të sakta për numrin e të vrarëve e të dëbuarve, por ai sillet diku rreth dhjetëra mijërave. Shkenca bën të njohur se vetëm gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe menjëherë pas saj, janë vrarë më shumë se 40 000 shqiptarë. Ekzistojnë madje edhe marrëveshje ndërshtetërore për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi si turq, por Evropa pati heshtur. Asnjëherë nuk i pati gjykuar, ndonëse ua pati premtuar shqiptarëve mbrojtjen e vet.“

Prizren, 29. 09. 1994: Faqja e parë në dorëshkrim e mbrojtjes së Ukshin Hotit.

__________________________________

Ukshin Hoti para Trupit gjykues të kryesuar nga gjyqtarja Nada Haxhi – Periq, ka theksuar se: “Ne e dijmë që kufijtë ndërkombëtarë Evropa i ka shpallur të pandryshueshëm, mirëpo e ka lënë të hapur mundësinë e ndryshimit të tyre me pranimin e palëve të interesuara. Prandaj bashkimi i popullit shqiptar duhet të realizohet në rrugë institucionale dhe me metoda demokratike. Shkenca konstaton se një territor kompakt me 115 mijë km2, nga Kongresi i Berlinit -1878, gjer më sot, është ngushtuar në 55 gjer 65 mijë km2 në të cilat populli shqiptar tani është në shumicë. Në Konferencën e Ambasadorëve në Londër 1912-13, shteti shqiptar u krijua në një sipërfaqe prej pak më shumë se 28 mijë km2. Dallimi midis kësaj shifre dhe 65 mijë km2 në të cilat jeton sot në shumicë populli shqiptar në trojet e veta historike, duhet të inkuadrohet në shtetin e njësuar shqiptar.“
Në luftën e vet për bashkimin e tij, – Ukshin Hoti thotë se, – populli shqiptar ka të drejtë të presë ndihmë jo vetëm nga Evropa dhe bashkësia ndërkombëtare, por pikë së pari prej atyre popujve të ish’Jugosllavisë me të cilët ka jetuar bashkërisht, dhe në rend të parë nga serbët. Serbët duhet ta kuptojnë se koha e dominimit mbi shqiptarët ka përfunduar…“ dhe krejt në fund Ukshin Hoti nënvizon fuqishëm: “Bashkimi i popullit shqiptar dhe i trojeve shqiptare në një shtet duhet të jetë parakusht për çfarëdo rregullimi të mëtejshëm të marrëdhënieve ndërshtetërore në këtë pjesë të Ballkanit. Ky bashkim duhet të bëhet në bazë nacionale dhe jo religjioze. Mundësisht me rrugë institucionale. Prandaj njohja edhe de jure dhe konstituimi i plotë i Republikës së Kosovës është një akt me rëndësi të shumëfishtë për zhvilimin e mëtejshëm të situatës në këtë pjesë të Evropës, sepse bashkimi i popullit shqiptar është e drejtë e tij historike, imperativ i kohës, dhe fundja, është fati i tij historik. Popullit shqiptar i duhet të ndeshet me fatin e tij personal politik dhe pa kurrfarë dyshimi, në çfarëdo mënyre qoftë, ai këtë do ta bëjë. Kryeqytet i shtetit të bashkuar shqiptar mendoj se duhet të jetë Prizreni. Kjo i takon historikisht këtij qyteti, ndërsa i përgjigjet edhe gjeografikisht, pasi që gjendet në qendër të trojeve shqiptare. (Hoti, Gj.Q.P – 28.09.1994)

Aktgjykimi K. Br. 28 / 94 dt. 28. IX. 1994. fq.1, 2 dhe 7.

_____________________________________

Cili ishte shkaku i vërtet i mbajtjes së gjykimit kundër Ukshin Hotit?!
Ukshin Hoti në fjalën e tij të mbrojtjes, para gjyqit serbë, deklaron hapur se kush e ka arrestuar – burgosur dhe cili ishte shkaku i vërtet i mbajtjes së gjykimit ndaj tij. Ukshini, në fjalën e tij të mbrojtjes ka thënë (citoi): “Më ka arrestuar policia e Republikës së Serbisë, ndoshta me kërkesën e një pjese të alternativës shqiptare të Republikës së Kosovës. Shkaku i drejtpërdrejtë i këtij arrestimi sigurisht ka qenë frika iracionale e kësaj pjese të alternativës shqiptare se me shkuarjen time në Prishtinë në krye të UNIKOMB’it pas 9 vitesh të ostracizmit dhe të izolimit, do të çrregullohej baraspesha e forcave politike dhe do të krijohej një gjendje e paparashikueshme dhe e pakontrollueshme. Ky edhe është shkaku i vërtetë i mbajtjes së këtij gjykimi për të cilin personalisht kam besuar se nuk do të ndodhte. Besoj gjithashtu se gjykimi po mbahet me pajtimin e ndërsjellë të dy republikave ose të organeve të tyre përgjegjëse kompetente, gjersa shkaqet juridike që i përmban aktakuza s’mund të qëndrojnë absolutisht …” – përfundon citati.
E kreu i asaj pjese të “alternativës shqiptare” për të cilën ka deklaruar Ukshin Hoti në mbrojtjen e tij, ishte padyshim Ibrahim Rugova. Ibrahim Rugova në kohën e arrestimit dhe mbajtjes së procesit gjyqësor kundër Ukshin Hotit, në Prizren, ishte kryetar i “alternativës shqiptare” gjegjësisht ishte kryetar i disa “organeve me përgjegjësi politike”, përmes të cilave ka vënë nën kontroll gjithë aktivitetin e partive politike shqiptare në Kosovë dhe në viset tjera shqiptare në Maqedoni, në Mal të Zi e në Kosovën Lindore (Luginë të Preshevës).
Sa për ilustrim, Ibrahim Rugova atëkohë kishte këto pozita:
– Kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës;
– Kryetar i Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës;
– Kryetar i Republikës së Kosovës;
– Kryetar i Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare në Kosovë;
– Kryetar i Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare në ish’Jugosllavi dhe
– Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës.
Meqenëse Ibrahim Rugova, ishte kryetar i shumëfisht i “organeve përgjegjëse të Republikës së Kosovës” duket qartë se, ai ishte përgjegjësi kryesor politik “i alternativës shqiptare”, për burgosjen e tretë të Ukshin Hotit, për të cilin tashmë 12 vjet, (qysh nga 16 maji 1999), kur u “lirua” nga burgu i Dubravës, nuk dihet asgjë për fatin dhe vendndodhjen e tij. (Berisha, Pashtriku.org,)
Ku është Ukshin Hoti?! A është gjallë apo i vdekur Ukshin Hoti?!
Ukshin Hoti gjatë procesit të hetuesisë i ka kaluar disa muaj në burgun e Prizrenit ( në vetminë nr.20) dhe pas gjykimit atë e tranferojnë nga një burg në burgun tjetër. Fillmisht nga Dubrava e transferojnë në burgun e Nishit, pastaj nga Nishi në Mitrovicë të Sremit, ndërsa në prill 1999 e sjellin sërish në burgun e Nishit, për ta rikthyer më 29 prill të atij viti (bashkë me shumë të burgosur të tjerë shqiptar) në burgun e “Dubravës”.
Dhe dymbëdhjetë vjet më parë, Ukshin Hoti, derisa ishte në Burgun e Dubravës, dhe po priste daljen nga burgu, papritmas më 16 Maj 1999 (një ditë para përfundimit të dënimit) e merr një vendim “Reshenje” të shkruar në çirilicë, nr. 24/2241/05 dt. 16. 05. 1999, të lëshuar nga drejtori i burgut të Dubravës, Aleksandër Rakoçeviq. Dhe, në këtë vendim shkruan, se: “Osugjeni Hoti Ukshin…pushta se na USLOVNI OTPUST dana 16. 05. 1999…- “I denuar Hoti Ukshin…lëshohet me kusht më datën 16. 05. 1999” nga burgu, pas mbajtjes së dënimit prej pesë vjetësh, që ia kishte shqiptuar gjykata serbe në Prizren më 28 shtator 1994. Shokët e burgut që ishin ndarë për herë të fundit me Ukshin Hotin, kanë deklaruar se ishte ditë e diele (një ditë e pazakontë për t’u liruar nga burgu) kur baca Ukë (kështu e thërrisnin ata) ndërmjet orës 10 – 11 të paradites, i shoqëruar nga dy punëtorë të sigurimit serb, është nxjerrë nga ambientet e brendshme të burgut të Dubravës. Pas këtij momenti, sot e atë ditë, askush s’mund të thotë asgjë të sakt, për vendndodhjen e këtij intelektuali, politologu e atdhetari të shquar.

Vendimi nr. 24/2241/05 dt. 16. 05. 1999, për “lirmin“ e Ukshin Hotit nga burgu i Dubravës!

_______________________________

Ja, si e shpjegon Bajrush Xhemaili (njëri nga bashkëvuajtësit e tij), çastin e daljes nga burgu të Ukshin Hotit – më 16 maj 1999: “Sapo mora lajmin se po e lironin nga burgu, me të shpejtë vendosa të shkoj për t’u përshendetur me të, ngaqë kur arrijnë gardianët për ta marrë të burgosurin nuk lejojnë që me të të përshëndetesh ashtu siç ta do zemra. E dija edhe atë se gjatë të përshëndeturit do të bëhet kallaballëk. Dhomat i kishim një mur ndërmjet. E ftova edhe Nait Hasanin dhe hymë në dhomën e tij. Kishte qenë në dhomë duke ecur dhe duke i dëgjuar komentimet e “cimerave” të tij. Edhe unë, sapo hyra në dhomë, më shumë për t’i dhënë kurajo, në dhomë, më shumë për t’i thënë si duket është shenjë e mirë që kanë ardhur të dielën të ju lirojnë, pasi ky duhet të jetë insistim i Kryqit të Kuq Ndërkombëtar dhe me ta, me siguri, ka ardhur edhe motra juaj Myrvetja. Në të vërtetë unë i thashë diçka çka kishim dëshirë të bëhej e që edhe më parë e kishim thënë. Sido që të ishte, kjo ndikoi pozitivisht në disponimin e tij në ato momente ankthi, për të gjithë ne. Dhe, menjëherë u përshëndetëm. Sapo deshi edhe dikush te përshëndetet me të tha: “Jo, nuk dua të përshëndetem më me askend, sepse nuk dua këtë ta marrë si ndarje, nga që së shpejti do të vini edhe të gjithë ju, prandaj dua t’ju përshëndes vetëm me një mirupafshim”. Këtë e kuptuam si përpjekje të tij për të na dhënë kurajo. Ne, pastaj, dolëm nga dhoma dhe deri në nisje ishte vetëm me “cimerat” e dhomës së tij. Pas pak minutash, profesori i respektuar Ukshin Hoti, i përcjellur nga dy mbikëqyrës, do të niset drejt dyerve të daljes së burgut. Dhe ne nuk e kemi parë më…“ (Xhemaili, 12.05. 2000)
Ku është Ukshin Hoti?! – pyesin për 12 vjet rresht shqiptarët! A është gjallë apo i vdekur Ukshin Hoti?! – është pyetja e radhës që bëjnë për çdo ditë shqiptarët! Deri më sot, askush s’ka dhënë një përgjigje në mënyrë institucionale, ndërkohë që për këtë rast të dhimbshëm janë thurur parreshtur shumë spekulime, madje ka pasur edhe prononcime publike se Ukshin Hoti është gjallë, dhe se ai po mbahet në burg shtëpiak, për „kusuritje politike“ !!!
Sa për ilustrim: Në një shkrim të Z.Kastratit, botuar në gazetën „Kosova sot“ me titull: „Sipas një avokati nga Presheva – Serbia kushtëzon lirimin e Ukshin Hotit“, thuhet: „Një avokat nga Presheva informon se ka dëshmi të mjaftueshme se Ukshin Hoti, i burgosur politik kosovar, është gjallë. Ky avokat, i cili tani për tani deshi të mbetet anonim, pohon se këto të dhëna i ka siguruar gjatë një kontakti që ka pasur ditë më parë me një avokat serb në Nish të Serbisë, i cili ka theksuar se Ukshin Hoti është gjallë dhe se ai e ka vuajtur burgun, por mbahet në burg shtëpiak. Sipas tij, Ukshin Hoti deri para disa ditësh ka qenë në qytetin e Mitrovicës së Sremit, ndërsa tani ndodhet në Nish. Ky avokat i njohur serb ka theksuar se nëse nga burgu i kampit „Bonstill“ në Sojevë të Ferizajt, lirohen dy serbë të paraburgosur, të akuzuar për krime lufte, lirimi i Ukshin Hotit do të bëhet menjëherë dhe pa kurrfarë problemi. Pra, fjala është për kusuritje politike“. ( !!!) ( Kosova sot, fq.3)

____________________________________

Pas përfundimit të luftës, familja e Ukshin Hotit, veçanërisht motra e tij Myrvetja ka trokitur në të gjitha dyert e institucioneve të Kosovës dhe të Shqipërisë, ku ka kërkuar zëshëm ndriçimin e fatit të Ukshin Hotit. Në një bisedë të gjatë që kam pasur me znj.Myrvete në verën e vitit 2008 (gjatë qëndrimit të saj tek vëllau Afrim Hoti në Würzburg të Gjermanisë), ajo ka deklaruar: se, pas luftës shumë herë i ka takuar drejtuesit e institucioneve të Kosovës, (në mesin e tyre edhe Ibrahim Rugovën), ata të Shqipërisë si dhe politikanët shqiptarë në Maqedoni, prej të cilëve ka kërkuar që të interesohen seriozisht për fatin e Ukshin Hotit. Në të gjitha takimet, thotë Myrvetja, është pritur shumë mirë, dhe të gjithë i kanë premtuar se, çështja e Ukshinit do të ngritet në çdo takim zyrtar me faktorët relevant ndërkombëtarë, për ta detyruar Serbinë që të zbardhë fatin dhe vendnodhjen e tij. Por, për fat të keq, deri më sot (pas 12 vjetësh) asnjë premtim i dhënë nga politikanët tanë (pozitë e opozitë) nuk është mbajtur. Prandaj, duket se edhe në këtë përvjetorë, shiptarët do të vazhdojnë të pyesin: Ku është Ukshin Hoti?! A ëshët gjallë apo i vdekur Ukshin Hoti?!
Një apel për Ukshin Hotin
Në qershor të vitit 1999 intelektuali dhe studiuesi i shquar Moikom Zeqo, nëpërmjet një Apeli drejtuar opinionit tonë publik dhe atij ndërkombëtar, pra “për kancelaritë diplomatike të botës”, kërkoi zbardhjen e fatit të Ukshin Hotit, në mënyrë që ai “të mos e pësojë dhe të mos zhduket pa nam e nishan.” Zeqo në këtë apel, ndër të tjera ka shkruar: “Politikisht shqiptarët e Kosovës merren shpesh në mënyrë të paprinciptë me njëri – tjetrin, grinden, shahen dhe përçahen, në një kohë që duhet vetëm të bashkohen. Këta politikanë shëtisin nëpër botë, japin intervista dhe i japin shumë rëndësi kultit të vetvetes dhe protagonizmit vetjak. Çuditërisht, këta politikanë nuk flasin, ose harrojnë të flasin, për Ukshin Hotin. Po Ukshin Hoti nuk i përket harresës. Ai është në vetë thelbin e kujtesës së kombit. Ukshin Hoti nuk mund të vdesë dhe në të vërtetë nuk ka për të vdekur kurrë. Qenia e tij intelektuale është e pashlyeshme dhe është prezent kudo. Kosova dhe kombi shqiptar kanë nevojë urgjente për mendimin e Ukshin Hotit… Ukshin Hoti sakrifikoi gjithçka dhe askush nuk ka të drejtë të jetë mosmirënjohës, të mos ketë respekt apo të mos përkulet me nderim përpara figurës së tij.” Që nga qershori 1999, kur M.Zeqo e bëri këtë APEL, politikanët e Kosovës nuk kanë ndryshuar asgjë në mendësinë e tyre politike. Çuditërisht, edhe pas 12 vjetësh, kjo nomenklaturë politikanësh skajshmërisht të papërgjegjshëm rrallë folën (jo se harruan të flasin) për Ukshin Hotin. Kjo heshtje e kësaj kaste politike e institucionale është më shumë se indiferentizëm, dhe jo rastësisht në apelin e tij Zeqo thekson, se: ”indiferenca është kriminale. Indiferenca nuk është gjë tjetër veçse pajtim me torturuesit dhe ndoshta me vrasësit e tij”. (Zeqo, 1999- Pashtriku.org)
Filozofia e Ukshin Hotit sot jeton në Kosovën e lirë dhe të pavarur
Stephen Larrabee, ish’anëtar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Presidentit Xhimi Karter dhe ish’anëtar i Këshillit për Marrëdhënie me Jashtë (Council on Foreign Relations) si përgjegjës për çështjen e Jugosllavisë, në 10 vjetorin e zhdukjes së Ukshin Hotit, shkruan këtë letër: „Edhe pse nuk mund të jem në Kosovë në ceremoninë zyrtare (Akademia politike kushtuar Ukshin Hotit që u mbajt më 16 maj 2009 – Sh.B), dëshiroj të shpreh respektin dhe nderimet më të larta në përkujtim të Ukshin Hotit, një mbështetës i madh i pavarësisë së Kosovës dhe një njeri me virtyte të larta dhe guxim intelektual. Kisha nderin ta njoh Ukshin Hotin në vitet 1977 – ’78 gjatë studimeve pasdiplomike në Universitetin e Harvardit, në kohën kur ai punonte në një kërkim shkencor në Harvard për mundësitë dhe implikimet politike të një Kosove të pavarur. U takuam shumë rastësisht, por shumë shpejt kuptuam se kishim shumë interesa të përbashkëta, në veçanti një interes për fatin e Jugosllavisë, që në atë kohë tregonte shenja të shpërbërjes dhe të dobësimit. Kemi kaluar me orë të tëra dhe momente të paharrueshme duke diskutuar se si do të mund të arrihej pavarësimi i Kosovës dhe çfarë ndikimi do të mund të kishte në sigurinë e Ballkanit dhe të Evropës. Gjatë asaj kohe, (1977-78) shumë pak njerëz në Perëndim mendonin për Kosovën por edhe më pak kishin ndonjë ndjesi për rolin e rëndësishëm që Kosova mund të kishte një dekadë më vonë në formësimin e së ardhmes politike të Jugosllavisë.
Por, derisa dëgjoja Ukshinin të fliste me plot pasion rreth historisë së Kosovës, atëherë kuptova se sa e kam nënvlerësuar vendosmërinë dhe pasionin që digjej aq thellë në shpirtin e tij si dhe të shumë shqiptarëve të Kosovës në përpjekjet për pavarësi. Pasioni i tij për kauzën e pavarësisë së Kosovës më ka prekur thellë dhe që nga ai moment kam filluar t’i kushtojë më shumë vëmendje zhvillimeve në Kosovë. Në fund të pranverës së vitit 1978 u largova nga Harvardi për t’iu bashkuar personelit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Presidentit Karter, ku ndër të tjera isha përgjegjës edhe për çështjen e Jugosllavisë dhe pas kësaj nuk pata rastin ta shihja Ukshinin prapë. Mirëpo, derisa forcat centrifugale erdhën në shprehje më shumë, sidomos pas vdekjes së Presidentit Tito, shpesh me janë kujtuar diskutimet tona për Kosovën si dhe bindja e plotë e Ukshinit se Kosova një ditë do të fitojë sovranitetin dhe pavarësinë. Ai ishte një njeri i modest por me plot virtyte dhe kurajo intelektuale, andaj jam shumë i nderuar që e kam njohur Ukshinin. Derisa ai nuk mund të marrë pjesë fizikisht në këto nderime për jetën e tij, filozofia e tij sot jeton në Kosovën e lirë dhe të pavarur – një kauzë të cilës ai i besonte shumë.“ (S.Larrabee, USA – Letër, 16. 05. 2009)

______________________________________

Hoti është një avokat i përkushtuar i demokracisë
Në vitin 1998, me rastin e nominimit të Ukshin Hotit për çmimin “Saharov”, Adem Demaçi fitues i Çmimit Saharov për vitin 1991, i shkruan këtë letër deputetëve të parlamentit evropian: “Të nderuar anëtarë të Parlamentit Evropian, të dashura zonja dhe zotërinj, Me rastin e nominimit të Mr. Ukshin Hotit për çmimin Saharov, jam i lirë t’ju drejtohem me mbështetjen time për nominimin e tij. Unë jam i bindur se jo vetëm që çmimi do të shkojë në duart e duhura, por duke i dhënë çmimin Saharov një të burgosuri politik që vazhdon të vuajë dënimin e tij, ju do të lartësoni kuptimin e vetë çmimit nga pozita e mirënjohjes së thjeshtë në angazhimin politik. Një angazhim i tillë sot është më se i nevojshëm për ndërtimin e një tablloje të plotë për Evropën, për theksimin e kontrasteve të mëdha ekzistuese, për shpjegimin e tyre dhe për dhënien e një vizioni të qartë mbi atë se çfarë do të duhej të ishte Evropa. Në anën tjetër, z. Hoti është një avokat i përkushtuar i demokracisë, i të drejtave të njeriut dhe i paqes. Ai shfrytëzon arsyen dhe njohjen e tij brilante për të shpjeguar kuptimin e vërtetë të paqes dhe zbulimin e rrënjëve të saj në drejtësi. Gjithë jetën e tij ai e ka vënë në shërbim të luftës për paqen për të cilën Kosova sot ka nevojë më shumë se kurrë. Çmimi Saharov e meriton Ukshin Hotin, dhe Ukshin Hoti e meriton atë. Me konsideratat e mia më të thella.“
Ukshin Hoti tashmë është shndërruar në histori
Studiuesi i shquar Moikom Zeqo, në parathënien e librit “Filozofia politike e çështjes shqiptare” të Ukshin Hotit shkruan: “Kam ndjerë një tronditje të madhe, të pazakontë, tërësisht njerëzore, kur më sollën dorëshkrimin e kompjuterizuar të librit “Filozofia politike e çështjes shqiptare” të Ukshin Hotit. Kam ndjerë krenari të vërtetë duke e lexuar këtë libër. Kam përjetuar në largësi një ndërlidhje të shumëfishtë, një shqisim dhe përfytyrim universal dhe të pashpërbërshëm me autorin, i cili ishte konvertuar fuqishëm dhe thellësisht në çdo ind të librit, në këtë pasaportë emblematike dhe tipike përfaqësuese të vetvetes dhe të kombit që e përfaqëson denjësisht…Libri i mençur dhe kurajoz i Ukshin Hotit është libri i një tribuni popullor dhe kombëtar. Ukshin Hoti, intelektual dhe politolog i klasit të parë, njeri i kompletuar fuqishëm për nga dijet, për më tepër një trim i pafrikshëm, ka shpalosur në këtë libër kryetemën vigane të çështjes shqiptare… Hoti nuk qëndis ornamente fjalësh. Nuk bën stolira të kota retorikash luksoze e krejt të padobishme. Për Hotin çështja shqiptare nuk është një mit i rrugës. Po as edhe një fantazi e kabinetit intelektual. Duke e lexuar këtë libër m’u kujtuan fjalët e mrekullueshme të dijetarit të madh shqiptar Frang Bardhit, i cili qysh me 1636 shkruante: “Përkrahni lirinë e natyrshme të njerëzve dhe diturinë e tyre me liberalitetin më të madh. Sepse vetëm kështu, – shton ai, – do ta paraqesin para syve të tu të vërtetën lakuriqe dhe të panjollosur, sepse e vërteta nuk ka nevojë të lyhet dhe të stoliset me fjalë të bukura.” 350 vjet pas Frang Bardhit, Ukshin Hoti ecën në të njëjtën hulli të filozofisë politike të histories… Ukshin Hoti e di mirë thelbin e politikës, duke e refuzuar politikanizmin e stilit barok, dogmatik, apo të llojit folklorik e të vulgarizuar. Ukshin Hoti në analizat e tij të guximshme dhe aspak konformiste i shikon realitetet politike në optikën shqiptare, por edhe në atë globale-botërore. Për të bota evro’amerikane nuk duhet t’i kundërvihet çështjes shqiptare, pavarësisht nga pengu tragjik i së kaluarës, pavarësisht nga luhatjet dhe marrëzitë e sotme të politikave të liderëve të përkohshëm shqiptarë. Ukshin Hoti e shtjellon tezën e një demokracie autentike, si tezën e një integrimi universal, ku nuk zhduket dhe nuk humbet identiteti i kombit shqiptar, po afirmohet në bazë të një të drejte ndërkombëtare të përbashkët për të gjitha subjektet etnike të botës, ashtu siç ka një barazi funksionale për elementet e gjuhës të garantuara përjetësisht nga një gramatikë e brendshme e padeformueshme. Demokracia autentike është një gramatikë e lirisë dhe e dinjitetit, e kulturës, por edhe e kulturave, e së veçantës, por edhe e së tërës. Në një Evropë, apo në një botë dialogjike, kombi shqiptar nuk ka pse të jetë shurdhmemec, një komb handikapat, ose një manekin i skenës… Ukshin Hotin kam pasur rastin ta njoh më 23 nëntor të vitit 1992 në Tetovë gjatë një tubimi mbarëkombëtar për çështjen shqiptare. Ai ishte me trupin plot plagë nga të rrahurat e policisë serbe. Po erdhi në tubim, sepse në të shihte një shprehje të ideve të tij politike dhe të jetës…Ukshin Hoti është shndërruar tashmë në histori.“
Ukshin Hoti – është simbol i qëndresës së pamposhtur shqiptare
Akademik Rexhep Qosja në një intervistë (1998) për Ukshin Hotin thotë: “Ukshin Hoti po bëhet ajo që ishte dhe është Adem Demaçi sot: simbol i martirizimit për lirinë e Kosovës, e kjo domethënë, simbol i qëndresës shqiptare. Kur është burgosur Ukshin Hoti, para disa vjetësh, gazetat tona e kanë botuar lajmin me disa ditë vonesë. Mbasi që është burgosur Ukshin Hoti, edhe pse kuadër universitar, Universiteti ynë nuk e ka ngritur zërin kundër mbajtjes së tij në burg. Sot kanë ndryshuar punët. Sot Ukshin Hoti përmendet shpesh në shtypin tonë. Në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës është mbajtur promovimi i librit të tij. Për të shkruhet gjithnjë e më shpesh. Diçka ka ndryshuar në shtypin tonë dhe në Universitetin tonë. Diçka po ndryshon në jetën tonë, në politikën tonë. Kemi filluar të vijmë në vete dhe këtë e dëshmon edhe qëndrimi ndaj Ukshin Hotit. Ne po jetojmë “të lirë” nën pushtimin e Serbisë e Ukshin Hoti po vuan burg! Ne po bëjmë “të lirë” politikë, nën pushtimin e Serbisë e Ukshin Hoti po vuan burg! Ne po stolisemi me stoli pushtetore -“president”, “deputet’, kryetar partie, e të tjera, nën pushtimin serb, e Ukshin Hoti po bën burg Serbie! Ne për lirinë e Kosovës po “luftojmë”, duke marrë rroga, duke u vozitur me vetura luksoze, duke pritur e përcjellë mysafirë me dreka e darka zyrtare – si parardhësit tanë politikë komunistë, e Ukshin Hoti po dënohet me burgje, për shkak të përpjekjeve për lirinë e Kosovës! Me mbajtjen në burg të Ukshin Hotit dhe të te burgosurve të tjerë politikë, regjimi serb dëshiron ta arrijë sot, atë që synonte ta arrinte me mbajtjen në burg të Adem Demaçit dhe të të burgosurve tjerë politikë! Mbajtja e Ukshin Hotit dhe e bashkëmendimtarëve të tjerë në burgjet e Serbisë e rëndon shumë ndërgjegjen e njeriut tonë politik sot, dhe i qet hije të rëndë politikës që bëjnë bashkimet tona politike. Deshëm s’deshëm ta pranojmë, Ukshin Hoti – ky sot është simbol i vetëdijes historike, i ndërgjegjes dhe i qëndresës së pamposhtur shqiptare. Nuk është e çuditshme pse ky është emri më i kuptimshëm, më domethënës, më frymëzues në jetën tonë politike sot. Dhe kjo tregon se populli ynë e çmon ashtu siç duhet njeriun e gatshëm për sakrifica. Dua të besoj se Ukshin Hoti do të dijë ta mbajë si duhet domethënien gjithëkombëtare që e rrezaton sot emri i tij.

_____________________

 Njerëzit e zotë (si Ukshin Hoti) janë princat e vërtetë të një kombi
Shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare në një intervistë të vitit 1996, për Ukshin Hotin thotë: ”Emrin e Ukshin Hotit e kam ndeshur aty-këtu në shtypin e Kosovës, por përherë në mënyrë të paqartë. Edhe kur merret në mbrojtje, edhe kur kërkohet lirimi i tij, kjo bëhet në mënyrë disi të ftohtë, si për një hije. Së paku në atë lloj shtypi që unë kam pasur rastin të lexoj. Duke e ndjerë veten fajtor për një mosnjohje më të saktë të këtij personaliteti të rëndësishëm të popullit shqiptar, e vetmja gjë që për mua ka qenë e qartë sapo kam lexuar fragmentet e para nga mendimet e tij, ka qenë përgatitja e lartë profesionale. Kam frikë se pikërisht ky nivel i lartë ka qenë edhe burimi i fatkeqësisë që e ka ndjekur hap pas hapi këtë martir. Ka qenë tragjedi e vjetër e popujve ballkanikë, veçanërisht e shqiptarëve, përpjekja për të mënjanuar nga udhëheqja e një lëvizjeje, e një populli apo shteti, njerëzit më të zotë. Kur mungon tigri, majmuni bëhet mbret, – thotë një proverb kinez. Kjo logjikë e mbrapshtë, logjika e triumfit të mediokritetit, i ka shkaktuar, e, me sa duket do t’i shkaktojë ende dëme të ndjeshme çështjes shqiptare. Ukshin Hoti duhet të dalë sa më parë nga burgu. Është e papranueshme që një personalitet i një populli, pavarësisht se ç’partie i përket ose nuk i përket, të mbahet në zinxhirë. Është fyerje për krejt atë popull. Më fort se kurrë kombi shqiptar ka nevoj për njerëz të aftë e me nivel të lartë. Njerëzit e zotë janë princat e vërtetë të një kombi. Për fat të keq, princat goditen shpesh në mënyrë të vdekshme.“
Unë nuk kam lexuar ndonjë të dytë që të jetë më i zoti se Ukshin Hoti
Shkrimtari e poeti ynë i madh Dritëro Agolli, në një intervistë dhënë në Radio Televizionin Shqiptar, në mars 1998, për politologun e shquar Ukshin Hoti, ka deklaruar: ”Unë vë re një gjë, që për daljen e Ukshin Hotit nga burgu nuk është bërë shumë në Shqipëri, as në Shqipërinë këtej Drinit, ku jemi ne, dhe as në Shqipërinë përtej Drinit, ku janë vëllezërit tanë. Ukshin Hoti është një nga politologët më të shquar të popullit tonë. Ai vetëm me këtë libër (Filozofia politike e çështjes shqiptare” – vërejtja ime Sh.B) e ka treguar që është një filozof i vërtetë në problemet e politikës, por jo të një politike vulgare. Ai e shikon politikën në prizmin e filozofisë, dhe nxjerr konkluzione në bazë të fakteve konkrete dhe të historisë së popullit tonë. Ai nuk i trajton problemet historike dhe kombëtare thjesht në mënyrë deskriptive. Duke lexuar librin e Ukshin Hotit ti ndjen një thellësi të madhe të mendimit të tij, por njëkohësisht ndjen edhe një krenari që ka njerëz të tillë të shquar vendi ynë në të gjitha fushat e jetës. Por këtu, në këtë fushë, dmth. të filozofisë politike, unë nuk kam lexuar ndonjë të dytë që të jetë më i zoti se Ukshin Hoti. Problemin e çështjes kombëtare ai e vështron në prizmin filozofik, në prizmin historik dhe në prizmin politik. Nuk thotë vetëm se si është Shqipëria, si është kjo çështja jonë kombëtare, por edhe se si mund të zgjidhet. Dhe kjo është nga meritat më të mëdha, sepse në shumë shkrime për problemet tona kombëtare tregohet vetëm se si ka qenë, sa i vjetër është populli ynë, me kë ka patur të bëjë, me përplasjet me fqinjët, me Evropën etj., por nuk jepen koordinata të sakta se ç’mund të bëhet që populli ynë të bëhet një popull i bashkuar, një komb jo i ndarë, jo i prerë me shpatë siç është sot Shqipëria. Dhe këtu qëndron merita më e madhe e Ukshin Hotit, pra në faktin që jep perspektivën se si duhet bërë… me një fjalë, ky libër është një program, nuk është thjesht një libër për filozofinë politike, por është si një program për shqiptarët, se si duhet të bëhet Shqipëria një vend me të vërtetë i evropeizuar. Ne flasim e themi se do të hyjmë në Evropë, do të evropeizojmë Shqipërinë, etj. Të gjitha këto janë fantazira, janë gjysmake. Shqipëria evropeizohet kur të jetë një, e plotë, dhe jo kështu dy copësh, se kështu nuk evropeizohet kurrë. Kë do të evropeizosh ti, tre milionë banorë do të evropeizosh? Po tre milionë të tjerë? Dmth. problemi është tepër i ngatërruar për sa i përket evropeizimit të Shqipërisë, civilizimit të saj etj. Civilizim do të thotë kur të jesh një. Po s’qe një nuk je i civilizuar plotësisht. Dhe Ukshini e trajton këtë problem. Pastaj dhe një tjetër gjë: unë mendoj që njeriu mund të nxjerr konkluzione jo vetëm nga libri që kemi këtu përpara, po dhe nga gjithë aktiviteti i Ukshin Hotit, se ai nuk është vetëm një filozof, politikan i kabineteve, i zyrave e i arkivave, por ai është një njeri i aksionit, një njeri i luftës për një ideal të madh. Se ka lloj lloj filozofësh, politikanësh, historianësh, edhe ata kanë të drejtën e ekzistencës dhe nuk mund të them se nuk janë të shquar, por tek Ukshin Hoti bashkohen dituria, zgjuarsia filozofike me aksionin, me njeriun aktiv, me patriotin e vërtetë, jo thjesht një patriot librash, po një patriot i madh, që i vë supet Shqipërisë. Dhe fakti që gjëndet në burg, dhe ka kohë që vuan burgimin e nuk del dot nga burgu, tregon se sa patriot dhe se sa njeri i lavdishëm është ai. Po ne shqiptarët fatkeqësisht njerëzit e shquar i kemi pak mëri, nuk i kemi aq shumë në përkrahje, ndonjëherë duam dhe t’i spostojmë nga politika ose nga aktiviteti, siç është puna me Ukshin Hotin. Unë nuk munt të flas me kompetencë të madhe lidhur me mënjanimin e tij, por unë vë re një gjë, që për daljen e tij nga burgu nuk është bërë shumë në Shqipëri, as në Shqipërinë këtej Drinit, ku jemi ne, dhe as në Shqipërinë përtej Drinit, ku janë vëllezërit tanë.“

Ukshin Hoti me prindërit e tij…

__________________________

Ukshin Hoti është njeri që ka «Unin» e vet me «U» të madhe!
Prof.Agim Vinca, në një mbrëmje proteste për lirimin e Ukshin Hotit nga burgu, të mbajtur në Prishtinë, më 24. 09. 1994, (vetëm 4 ditë para mbajtjes së gjykimit kundër tij në Prizren) par Ukshin Hotin thotë: ”Me njeriun që na ka tubuar sonte këtu (sikurse edhe mbrëmë dhe në netët që do të vijnë), Mr. Ukshin Hotin, nuk kam pasur raporte të afërta miqësore, por kam pasur respekt – e kam çmuar gjithmonë – për qëndrimin e tij dinjitoz e konsekuent në jetë dhe në krijimtari. Them edhe në krijimtari, sepse Ukshini është publicist, eseist, politolog… Është hera e tretë që Ukshin Hoti bie në burg (herën e parë pas vitit 1981), kurse «ndeshjet» e tij me policinë serbe kanë qenë edhe më të shpeshta. Përse? Për shkak se policia serbe dhe pushteti të cilit i shërben ajo e dinë fare mirë se cilët janë kundërshtarët e tyre të vërtetë në mesin e shqiptarëve. Miku dhe kolegu ynë, Ukshin Hoti, tash sa muaj ndodhet në burg. Së shpejti pritet gjykimi dhe ndoshta (me siguri) edhe denimi i tij dhe jemi mbledhur të protestojmë kundër këtij gjykimi absurd e të kërkojmë lirimin e tij. Po prej kujt? Prej gjyqit serb, që është instrument në duart e okupatorit. Kështu e kemi ne. Ndodh që të kujtohemi për njerëzit tanë kur ikin, kur bien në burg, kur largohen (jo rrallë as në raste të tilla!), ndërsa kur i kemi pranë i fyejmë, i rrethojmë me heshtje, i injorojmë, i nënçmojmë, i linçojmë… Edhe pse nuk kam pasur kontakte të shpeshta me të, Ukshini më është dukur viteve të fundit disi i vetmuar, i izoluar, i braktisur, i harruar dhe ngapak i frustruar. Ukshin Hoti është nga ata njerëz që i stolisin karakteri, krenaria, kryelartësia. Ai është njeri që ka «Unin» e vet me «U» të madhe. E kjo nuk është pak. E vlen të jesh i tillë në jetë, edhe pse kushton shtrenjtë. Intelektual me koncepte të qarta e përkushtim të lartë ndaj kombit, shtetit, politikës, demokracisë, në shkrimet dhe paraqitjet e tij, veçmas në revistën «DeA», ai u angazhua me të drejtë, siç e thoshte edhe titulli i saj, për një demokraci autentike; për një demokraci në kushtet shqiptare, ashtu siç u angazhua edhe për një politikë unike e me strategji të qartë kombëtare. Për intelektualët dhe veprimtarët si Ukshini ekziston patria (dmth. Atdheu) pastaj partia; ekziston kombi pastaj demokracia. Sepse, demokracia pa kombin është si lulja në trupin e të vdekurit, ka thënë një poet.“
Ukshin Hoti – intelektual që sugjeron guximin politik
Akademik Esat Stavileci, në qershor të vitit 1998 në një dokumentar televizivë kushtuar Ukshin Hotit, deklaron: „Kemi të bëjmë me një emër të intelektualit që sugjeron guximin politik, një emër të një eseisti politik që sjell shprehjen kompetente profesionale, që nxit fuqinë e të menduarit, ndërsa kur flasim për veprën e tij, kemi të bëjmë me një vepër të një njohësi të mirë të sistemeve politike e të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe për një vepër të historianit të çështjes shqiptare. Me këtë rast do të theksoj angazhimin e Ukshin Hotit për t’i dalë zot kauzës kombëtare, me gjerësinë e shtruarjes së çështjes së Kosovës dhe të çështjes shqiptare në përgjithësi. Pastaj më duhet të theksoj argumentimin e tij të bollshëm e profesional me themelësi politike, pse Kosova është dhe duhet të jetë republikë. Theksoj mbrojtjen e tij brilante, në mënyrë të veçantë, që i bëri para gjyqit qënies së Kosovës republikë mbi parimin e së drejtës së vetëvendosjes. Theksoj premisat e filozofisë politike në veprën e tij, dhe më në fund theksoj mendimin e tij të mëvetësishëm, autentik, në rrahjen e çështjes kombëtare shqiptare që emrin dhe figurën e tij e bëjnë sui generis, dmth. të një lloji të veçantë. Prandaj është fjala për një emër dhe një vepër të cilën duhet ta përkujtojmë.“
– Kjo kumtesë u lexua në Tribunën, kushtuar 30 vjetorit të demonstratave të pranverës 1981, Heidelberg – 21. 05. 2011.

___________________
Literatura e shfrytëzuar:
1. Ukshin Hoti: Filozofia Politike e Çështjes Shqiptare, Sh.B-“Rozafa”, Tiranë 1995.
2. UNIKOMB: Hoti dhe çështja shqiptare.
3. Mehmet Hajrizi: Histori e një organizate politike dhe demonstratat e vitit 1981, Botimet Toena – Tiranë 2008, fq. 198 – 1999.
4. Mbrojtja e Ukshin Hotit në Gjykatën e Qarkut në Prizren – 28. 09. 1994
5. Aktakuza Kt. br. 107 / 94 dt. 30. 05. 1994 dhe Aktgjykimi K. Br. 28 / 94 dt. 28. IX. 1994.
6. Dr.Sabile Keçmezi – Basha, Organizatat dhe grupet ilegale në Kosovë 1981 – 1989, Prishtinë 2003 f.179-180.
7. Faqja www.pashtriku.org
8. Ekskluzive – Revistë e ilustruar mujore…, Nr.5, Maj – Qershor 2000, Dosja: Ku është Ukshin Hoti?! fq.52 – 65.
9. Sheradin Berisha: Realpolitika e Ibrahim Rugovës, Pashtriku.org, Maj 2008.
10. „Kosova Sot“ – 31 Mars 2000, Serbia kushtëzon lirimin e Ukshin Hotit, fq.3.
11. Deklarata politike e UNIKOMB’it – Maj 1994.
12. Ukshin Hoti: “Bëje ose vdis, për ta vrarë vdekjen” – Janar 1992.
13. Bisedë me U.Hotin, Revista “Gurra”-Prizren, Nr. 2 viti I, Maj 1992, fq.7/9.
14. Rexhep Qosja: «Pa demonstratat e ‘81’shit ne nuk do të ishim këtu ku jemi sot», Intervistë e botuar në «Epoka e Re», 4 Maj 2006 fq.10.
15. Bajrush Xhemaili „Në burg me Ukshin Hotin“ Prishtinë, më 12 maj 2000.
16. Shemsi Reçica, Intervistë – «Epoka e Re» 31 mars – 1 prill 206, fq. 9 -10.
17. Stephen Larrabee, USA – Letër e lexuar në Akademinë përkujtimore – në 10 vjetorin e zhdukjes së Ukshin Hotit, më 16. 05. 2009.
18. Sheradin Berisha: Vlerësimi i figurës së Ukshin Hotit nga intelektualët tanë të shquar, pashtriku.org , 17. 05. 2008.

________________________________________

SHTËPIA E UKSHIN HOTIT NË KRUSHË TË MADHE!

Edhe pas 13 vjetësh nga përfundimi i luftës, shtëpia e Ukshin Hotit – në Krushe të Madhe është gërmadhë, ashtu siç e kishin djegur e shkrumuar forcat barbare serbe të Millosheviçit!!!



 ________________________________

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura