BRUNILDA TERNOVA: VOJSAVA TRIBALDA KASTRIOTI – E ËMA E GJERGJ KASTRIOTIT – SKËNDERBEUT

Pashtriku.org, 10. 02. 2016: I pari që flet për Vojsava Kastriotin është Marin Barleti (1508) i cili shkruan se ajo ishte bashkëshortja e Gjon Kastriotit dhe bija e princit fisnik të Triballëve, por nuk përcakton përkatësinë etnike të saj. Familja aristokrate e Muzakajve kishte lidhje miqësore të ndersjelltë me atë të Kastriotëve.
Gjon Muzakaj, mik i familjes së Skënderbeut dhe bashkëkohës i tij në “Memorada” shkruan: “Gjon Kastrioti, i ati i zotit Skënderbeg, pati për grua zonjën Vojsava Tribalda, me të cilën lindën katër fëmijë meshkuj dhe pesë fëmijë femra”.
Sipas Fan S. Nolit, është Gjon Muzakaj i pari që përmend mbiemrin Tribalda të Vojsava Kastriotit. Gjon Muzakaj shkruan: ”E ëma e të thenit zotit Skënderbeg, gruaja e të thenit zotit Gjon, pati emrin Vojsava Tribalda dhe vinte nga një derë e fisme”.
Lind pyetja: Pse Gjon Muzakaj nuk u shpreh mbi përkatësinë etnike të Vojsava Kastriotit? Ai ishte mik i kësaj familje dhe kushëri i parë i Donika Kastriotit, sipas prof. dr. Kristo Frashërit. Përkatësia etnike e Vojsavës ka qenë e ditur jo vetëm prej tij, por edhe nga të tjerë bashkëkohës të Muzakës, të trashëgimtarëve të tyre, rrethit miqësor e të tjerë. Kjo është një arsye më shumë për t’u bashkuar me mendimin e disa studiuesve rreth kësaj çështje, të cilët thonë se meqenëse dihej përkatësia etnike shqiptare e saj nga Muzakaj e të tjerët në kohën e tij, nuk ka qenë e nevojshme të trajtohej më tej përkatësia e saj etnike.

– Vojsava Kastrioti, e ëma e Skënderbeut –

Në ndihmë të përkatësisë etnike të Vojsava Kastriotit na vijnë dokumente të bashkëkohësve të saj, që shprehen se ajo mbante të njëjtin mbiemër (Tribalda) bashkë me Vrana Kontin. Gjon Muzaka për Vrana Kontin shkruan: ”Një princ shqiptar me titullin “Markez” i Tribalda, i cili jetonte në Itali pas vdekjes së Skënderbeut dhe kishte gjak prej të Muzakajve”. Pra, ky komandant i shquar në ushtrinë e Skenderbeut, që shkëlqeu edhe në ushtrinë e mbretit të Napolit, që mbante titujt aristokrat Dukë i Ferrandinos dhe Markez i Triballëve, ishte gjak i pastër arbëror dhe mbante të njëjtin mbiemër me Vojsavën, mbiemrin Tribalda. Kjo do të thotë se ata ishin të një gjaku arbër, kishin të njëjtën përkatësi etnike dhe që të dy vinin nga një degëzim i familjes fisnike të Muzakajve.
Nga disa studiues si zotëruesi i krahinës së Pollogut na jepet i ati i Vojsava Kastriotit dhe këtë e dëshmojnë autoret: Anonimi në veprën ”Punët e ndritëshme të zotit Gjergj Kastriotit Skenderbeu” (1539), Francesko Sansovani (1568), Lavardini (1577) e të tjerë, te cilët shprehen se Vojsava ishte e bija e princit të Pollogut.
Cilës etni i përkiste princi i Pollogut, i ati i Vojsavës?
Pas vdekjes së Stefan Dushanit dhe shembjes së perandorisë së tij serbe, sipas disa burimeve historike, fisnikët e Arbërisë u ngritën dhe rimorën territoret e tyre të humbura. Prof. Pëllumb Xhufi në studimin e tij ”Zotërimi i Gropave të Dibrës në shek. XIII-XIV” na sjell një fakt interesant. Pas vdekjes së S. Dushanit zotëruesi i trevës së Dibrës përmendet zhupani i madh Andrea Gropa. ”Ky arriti të presë monedhën e tij, gjë që tregon se ai kishte mundur të ngrej një principatë mjaft të fuqishme”.
Me tej autori shpjegon se A. Gropa i shkoi në ndihme despotit të Beratit, vjehrrit të tij, Andrea Muzaka për marrjen e Kosturit, i cili sundohej nga princi serb Marko Krajleviq. Me rënien e tij, Kosturi u kaloi Muzakajve, kurse Andrea Gropa u be sundimtar edhe i Ohrit. Të njëjtin fat me atë të M. Krajlevicit patën edhe princër të tjerë serb, që sunduan në territoret shqipetare të ardhur në pushtet gjatë sundimit të S. Dushanit.
Studiues e historianë të kësaj periudhe, ndër këta Fan S. Noli, argumentojnë se gjatë shekujve XIII-XIV fisnikët arbër sundonin deri në rrjedhën e sipërme të Vardarit, si Balshajt, Gropajt, Muzakët, Kastriotët e të tjerë. Brenda këtij territori përfshihej edhe Pollogu, zotërues i të cilit ishte i ati i Vojsavës. Sipas tyre princi i Pollogut duhet të ishte arbër, pasi një princ serb nuk mund të ushtronte pushtetin e tij në një territor të rrethuar nga fisnik arbër.
Rreth popullimit të këtij rajoni me shqiptar, shkrimtari Ismail Kadare është shprehur: ”Është absurde, që shqiptarët nga majat e larta të Shqipërisë të mos e kishin vërejtur një fushë aq pjellore para hundës së tyre, e serbët gjoja e paskan parë këtë fushë të begatshme, që përtej Danubit, nga Rusia e largët”.
Mbi përkatësinë etnike të princit të Pollogut na sjell një informacion me shumë interes studiuesi dibran Hilmi Sadiku. Në studimin e tij ai pohon se Andrea Engjëll Flav Komneni e nxjerr Vojsava Kastriotin nga familja e Muzakajve. Po në këtë punim të tij rreth përkatësisë etnike të Vojsavës thuhet se Kostandini, djali i Gjon Muzakës, mbështetur në gjenealogjinë që i dërgoi Andrea Engjëll Flav Komneni, i bëri një shtesë kronikës së të atit (Gjonit), për t’ua lënë pasardhësve në të cilën thuhet: ”Vojsava jepet e bija e Momcinit, që u bë shoqja e Gjonit, të cilëve u lindi Gjergj Kastrioti”.
Kostandin Muzaka princin e Pollogut na e paraqet të kombësisë arbërore e për pasojë e të njëjtës etni rezulton edhe e bija e tij Vojsava.
Aleksandër Kutolo (Alessandro Cutolo) në veprën e tij “Skënderbeu” fq. 20 botuar në Milano, në 1940 shkruan: ”Gjoni mori për grua princeshën Vojsava, të bijën e një kreu tjetër shqiptarë të shkëlqyer, zotit të Pollogut”. Ky autor zotin e Pollogut, të atin e Vojsaves e paraqet arbëror të shkëlqyer.
Fan S. Noli, në punimin e dytë “Historia e Skënderbeut” 1947, duke i’u referuar K. Hoph në “Croniques” fq. 308, shton: ”Muzaka thotë se Vojsava ishte shqiptare nga gjaku i Muzakajve”.
Mbështetur në dëshmitë e Muzakajve rreth Vojsava Kastriotit (Tribalda), në burimet që flasin për sundimin e fisnikëve arbëror në lindje deri në rrjedhën e sipërme të Vardarit, përfshirë këtu edhe Pollogun, në atë që na sjellin Andrea E. F. Komneni, Fan S. Noli, A. Cutolo e të tjerë, si dhe në mungesë të ndonjë dokumenti argumentues e bindës të kundërt me autorët e lartëpërmendur, hidhet mjaftueshëm dritë për të pranuar se Vojsava Kastrioti, e ëma e Skënderbeut, i përkiste etnis arbërore dhe jo asaj sllave.
Fisin e Tribalëve disa autorë e shtrijnë deri në Fushë-Dardani dhe e quajnë si fis thrakas, por Apiani i quan Tribalët fis ilir. Apiani, historian grek, lindur në Aleksandri të Egjiptit nga fundi i shekullit I, që jetoi deri në vitin 70 të shekullit II shkroi veprën e tij Historia Romana. Në pjesën e katërt, të quajtur “Illyrike”, Apiani tregon edhe legjendën gjenealogjike sipas të cilës, Iliri ishte i biri i Polifemit dhe Galateas. Vëllezër të Ilirit ishin Kelti dhe Gali. Bijtë e Ilirit ishin Enkeleu, Autari, Dardani, Medi, Taulanti dhe Perrebi, vajzat e tij qenë Partha, Daorta, Dasara. Autari pati për bir Paionin dhe ky i fundit pati për bij Triballin dhe Skordiskun. Apiani e lidh fisin e Triballëve me Triballin, si vijimësi etnike ilire, prandaj trungu familjar që jep Apiani duhet të jetë pikënisje për interpretimin e fiseve që banonin Ballkanin dhe më gjerë.
Kjo pikëpamje e Apianit është në shekullin II por që na pasqyron diçka shumë më të hershme në kohë.
Stefan Bizantini, leksikograf i madh me prejardhje nga Konstandinopoli, jetoi në shekullin VI dhe vepra e tij “De urbibus et populis” u shkrua gjatë viteve 528-545. Ai shfrytëzoi veprat e Hekateut, Herodotit, Tukididit, Efarit, Strabonit, Pausanias, Herodotit, Orosit dhe shumë autorëve të tjerë emrat e të cilëve kanë humbur. Kjo vepër është ruajtur jo tërësisht, por nga epitomet e saj të grumbulluara nga leksikografi i Justinianit të Madh, i quajtur Ermolahu. Edhe Stefan Bizantini, katër shekuj më pas, Triballët i quan “ilirë”.
Në shekullin V para e.s. fisi i Triballëve banonte në krahinën që shtrihej midis Moravës dhe Iskras.
Burimet që flasin për trevën e Triballëve në kohën perandorake romake janë Straboni, Plini, Ptolemeu dhe Dion Kassi. Të katër na thonë se Triballët banonin midis Moravës dhe Iskras.
Sipas Strabonit, “pas vendit të Skordiskëve gjatë Istrit, është vendi i Triballëve dhe i Misëve”. I njëjti autor thotë: “Scordiskët e vegjël ngjitur me Triballët dhe Misët”. Është e vërtetë se Straboni na informon se Bastarnët, Skitët dhe Sarmatët i kishin nënshtruar shpesh Triballët, kështu që do të mund të mendohej se banonin në afërsi të Scitisë, ku inkursionet e këtyre popujve kanë qenë të shpeshta.
Plini nuk është më pak kategorik në përcaktimin e trevës së Triballëve në zonën e Moravës dhe Iskrës. Lexojmë tek ai se Triballët kufizohen me Dardanët. Pra, nuk ka dyshim se sipas autorit të “Historisë së Natyrës” ky fis gjendej afër Moravës. Një herë tjetër Plini i vendos Triballët në perëndim të Timokut.
Edhe Ptolemeu flet me të njëjtën gjuhë. Për të treva e Triballëve gjendet në pjesën perëndimore të Mezisë së Poshtme. Është e vërtetë se ai nuk njeh Triballë në Mezinë e Sipërme, por u jep atyre një pjesë të madhe të zonës Moravë-Iskër.
Më në fund, Dion Kassi i cili shprehet se Triballët janë fqinj të Dardanëve dhe këta jetojnë në krahinën e atyre. Dëshmia e Dionit është e qartë. Nuk mund të mendohet për zonën në lindje të Iskrës kur është fjala për Dardanë. Në qoftë se Dardanët banojnë në truallin e Triballëve dhe në qoftë se Dardanët dhe Triballët janë fqinjë, vendi i Triballëve duhet të kërkohet midis Moravës dhe Iskrës.
Në Fushë-Dardani të gjithë autorët antikë kanë treguar qartë se fisi ilir i Dardanëve ka banuar historkisht, ashtu si dhe sot, kështu nëse ka thrakas në Fushë-Dardani, ata nuk janë gjë tjetër veçse dardan ilir. Dardanët shpesh nga autorët antikë dhe modernë janë quajtur si fis thrako-ilir, çka tregon që nuk ka asnjë ndryshim etnik midis ilirëve dhe thrakasve, përderisa fise të njohura si ilire janë edhe thrake njëkohësisht. Mbretëria Thrake e Odryseve shekulli V-III para erës së re: Rez Eanidi është mbreti i parë i thrakasve, që njohim nga burimet e shkruara historike, por pa diskutim që mund të ketë pasur dhe mbretër të tjerë para tij. Ai qeverisi në fund të shekullit XIII dhe ndoshta në fillim të shekullit të XII para erës së re dhe mori pjesë në luftën e Trojës si aleat me trojanët. Rezi kishte lidhur një numër të madh krushqish me dardanët e Trojës dhe ishte aleat i fortë i tyre.
Mbretëria thrake ka vazhduar të ekzistojë dhe pas luftës së Trojës, por ajo e arriti kulmin me mbretërinë e Odrysëve. Kjo mbretëri u krijua nga bashkimi i të gjitha fiseve thrake nga Egjeu deri në Danub nën mbretin e fuqishëm Tere 450-431 para erës së re. Nën sundimin e të birit të Tereut, Sitalkut 431-424 para erës së re mbretëria arriti kulmin e shtrirjes territoriale dhe fuqisë ushtarake. Ai ndërtoi rrugët që lidhnin Egjeun me Danubin dhe ngriti një ushtri prej 150 mijë ushtarësh. Sitalku ndërmori një sërë fushatash ushtarake kundër maqedonasve dhe vdiq në fushatën ushtarake kundër fisit ilir të Tribalëve, të cilin donte ta bashkonte me mbretërinë e tij. Gjatë qeverisjes së Seuthe I 424-415 mbretëria njohu paqe dhe zhvillim, por një numër fisesh u larguan nga mbretëria e përbashkët thrake. Pas këtij mbreti, mbretëria erdhi duke u dobësuar.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura