PASHTRIKU: ZBARDHET MARRËVESHJA SHQIPËRI – SERBI, PËR PËRFITIME TË DIPLOMATËVE NË VEPRIMTARI FITIMPRURESE!

Pashtriku.org, 23. 01. 2013 – (Traktati fitimprurës për xhepat e pushtetarëve) – Dje, është bërë publike “marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Serbisë, për të mundësuar mbi baza reciproke familjarët e anëtarëve të misionit diplomatik apo posteve konsullore për t’u marrë me veprimtari fitimrurëse”, dhe kjo marrëveshje është miratuar pak javë më parë nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë në krye me Sali Berishën. Pra, kjo marrëveshje dypalëshe mes Shqipërisë dhe Serbisë bën të mundur që familjarët e diplomatëve respektivë të angazhohen në veprimtari të ndryshme fitimprurëse për xhepat e tyre!

Në vijim botojmë të plotë këtë marëveshje:

=====================================
M A RR Ë V E SH J A

NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË SERBISË PËR TË MUNDËSUAR MBI BAZA RECIPROKE FAMILJARËT E ANËTARËVE TË MISIONEVE DIPLOMATIKE APO POSTEVE KONSULLORE PËR T’U MARRË ME VEPRIMTARI FITIMPRURËSE
Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë dhe Qeveria e Republikës së Serbisë (më poshtë referuar si “Palët”) dhe me qëllim që të lehtësojnë veprimtarinë fitimprurëse të familjarëve të personelit të misioneve diplomatike apo posteve konsullore të Shtetit Dërgues në territorin e Shtetit Pritës, bien dakord si më poshtë:
NENI 1
Objekti i Marrëveshjes

Familjarët që janë pjesëtarë të familjes së anëtarit të misioneve diplomatike apo posteve konsullore të Shtetit Dërgues do të autorizohen, mbi bazë reciproke, të merren me veprimtari fitimprurëse në Shtetin Pritës në përputhje me dispozitat ligjore të Shtetit Pritës.
Për qëllimet e kësaj marrëveshjeje:
a) ”Anëtar i misionit diplomatik apo post konsullor” nënkupton çdo punonjës të Shtetit Dërgues në një mision diplomatik, post konsullor apo mision pranë një organizate ndërkombëtare, i cili nuk është nënshtetas i Shtetit Pritës,
b) ”Anëtar i familjes” nënkupton bashkëshorti/a e anëtarit të misionit diplomatik apo postit konsullor dhe çdo fëmijë i pamartuar në ngarkim nën 18 vjeç, ose nën 26 vjeç kur janë studentë me kohë të plotë në një institucion arsimor, pas arsimit të mesëm, në Shtetin Pritës, i cili është pjesëtar i familjes së anëtarit të misionit diplomatik apo nënpunësit konsullor;

NENI 2
Veprimtaria fitimprurëse

Anëtari i familjes, referuar në nenin 1, paragrafi 2b), në këtë Marrëveshje aktuale, mund të angazhohet në veprimtari fitimprurëse në përputhje me ligjet dhe rregullat e Shtetit Pritës dhe kësaj Marrëveshjeje, me kusht që ai/ajo të kenë marrë autorizimin e nevojshëm nga Shteti Pritës. Një autorizim i tillë nuk aplikohet për nënshtetasit e Shtetit Pritës ose banorët e përhershëm në territorin e tij. Autorizimi mund të refuzohet në ato raste kur, për arsye të sigurisë, të ushtrimit të autoritetit publik apo për të ruajtur interesat kombëtare të Shtetit apo të administratës publike, mund të punësohen vetëm qytetarët e Shtetit Pritës. Shteti Pritës mundet, në çdo kohë, të refuzojë ose të tërheqë autorizimin për t’u angazhuar në një veprimtari fitimprurëse, nëse personi në vartësi nuk i bindet ligjeve të Shtetit Pritës. Nëse personi në vartësi dëshiron të gjejë një tjetër punë, pasi atij/asaj i është dhënë autorizimi për t’u marrë me veprimtari fitimprurëse sipas kësaj Marrëveshjeje, ai/ajo duhet të aplikojë sërish për një autorizim të tillë nëpërmjet misionit diplomatik. Për profesionet apo aktivitetet që kërkojnë kualifikime të posaçme, është e nevojshme që anëtari i familjes të përmbushë rregullat të cilat rregullojnë këto aktivitete në Shtetin Pritës.
NENI 3
Procedura

Kërkesa për autorizimin për t’u marrë me veprimtari fitimprurëse do të dërgohet në emër të anëtarit të familjes nga Ambasada e Shtetit Dërgues në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shtetit Pritës. Kërkesa do të shoqërohet me dokumentacionin që autorizon anëtarin e familjes të angazhohet në veprimtarinë e tij duke treguar identitetin e plotë të personit në fjalë dhe natyrën e veprimtarisë për të cilën kërkohet autorizimi. Ministria e Punëve të Jashtme e Shtetit Pritës do të njoftojë zyrtarisht Ambasadën e Shtetit Dërgues se anëtari i familjes ka marrë autorizimin për t’u angazhuar në veprimtari fitimprurëse. Procedurat në vijim do të zbatohen në mënyrë të tillë që të mundësojnë angazhimin e anëtarit të familjes në veprimtari fitimprurëse sa më shpejt të jetë e mundur, dhe do të favorizohet çdo kërkesë lidhur me lejen e punës. Autorizimi për t’u angazhuar në veprimtari fitimprurëse në Shtetin Pritës do të përfundojë dy muaj pas mbarimit të detyrës të anëtarit të misionit diplomatik apo postit konsullor.
Përveç rasteve kur Shteti Pritës vendos ndryshe, autorizimi nuk do t’u jepet atyre përfituesve të cilët kanë qenë të angazhuar në një veprimtari fitimprurëse, por nuk vazhdojnë të jenë më pjesëtarë të familjes të personelit të përshkruar në Nenin 1, paragrafi 2a).

NENI 4
Imuniteti nga juridiksioni civil

Në rastin e anëtarëve të familjes që gëzojnë imunitet nga juridiksioni civil dhe administrativ i Shtetit Pritës në përputhje me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike ose sipas çdo dokumenti tjetër ndërkombëtar të zbatueshëm, ky imunitet nuk do të zbatohet në lidhje me asnjë akt të kryer gjatë veprimtarisë fitimprurëse dhe që nuk përputhet me legjislacionin civil apo administrativ të Shtetit Pritës.
NENI 5
Imuniteti nga juridiksioni penal

Në rastin e anëtarëve të familjes që gëzojnë imunitet nga juridiksioni penal i Shtetit Pritës në përputhje me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike ose sipas çdo dokumenti tjetër ndërkombëtar të zbatueshëm;
a) Shteti Dërgues u heq imunitetin personave vartës në fjalë nga juridiksioni penal i Shtetit Pritës për çdo akt apo shkelje që rrjedh nga veprimtaria fitimprurëse, me përjashtim të rasteve të veçantë kur Shteti Dërgues konsideron se një anullim i tillë mund të ishte kundër interesave të tij.
b) Heqja e imunitetit nga juridiksioni penal nuk do të interpretohet si zbatim imuniteti për ekzekutim të dënimit, për të cilin do të duhej një kërkesë e veçantë për heqjen e tij. Në raste të tilla, Shteti Dërgues do ta studiojë me kujdes heqjen e imunitetit të këtij të fundit.

NENI 6
Kërkesat Fiskale dhe të Sigurimeve Sociale

Në përputhje me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike dhe sipas çdo dokumenti tjetër ndërkombëtar të zbatueshëm, anëtarët e familjes do t’i nënshtrohen kërkesave fiskale dhe të sigurimeve sociale të Shtetit Pritës për të gjitha çështjet lidhur me veprimtarinë e tyre fitimprurëse në atë shtet.
NENI 7
Zgjidhja e konflikteve

Çdo debat lidhur me interpretimin dhe zbatimin e kësaj Marrëveshjeje do të zgjidhet nëpërmjet kanaleve diplomatike dhe përmes miratimit reciprok.
NENI 8
Kohëzgjatja dhe përfundimi

Kjo marrëveshje do të mbetet në fuqi për një periudhë kohore të papërcaktuar. Secila Palë mund ta anulojë këtë Marrëveshje duke i dërguar njoftim me shkrim Palës tjetër. Marrëveshja do të pushojë së qeni në fuqi 90 ditë pas datës së marrjes të këtij njoftimi. Marrëveshja do të hyjë në fuqi ditën e parë të muajit pas datës së marrjes së njoftimit të fundit në të cilin Palët njoftojnë njëra-tjetrën se kërkesat e tyre përkatëse kushtetuese e ligjore për hyrjen në fuqi të kësaj Marrëveshjeje janë përmbushur.

RELACION PËR “MIRATIMIN NË PARIM TË MARRËVESHJES NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË SERBISË PËR MUNDËSIMIN MBI BAZA RECIPROKE TË FAMILJARËVE TË ANËTARËVE TË MISIONEVE DIPLOMATIKE APO POSTEVE KONSULLORE PËR T’U ANGAZHUAR NË VEPRIMTARI FITIMPRURËSE
Marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Serbisë për mundësimin mbi baza reciproke, të familjarëve të anëtarëve të misioneve diplomatike apo posteve konsullore, për t’u angazhuar në veprimtari fitimprurëse, ka si qëllim kryesor lehtësimin e anëtarëve të misioneve diplomatike apo posteve konsullore, për t’u angazhuar në veprimtari fitimprurëse mbi bazë reciprociteti, në përputhje me dispozitat ligjore të Shtetit Pritës.
Në nenin 1, të kësaj marrëveshje janë përcaktuar kategoritë personave që përbëjnë anëtar të misionit diplomatik ose posteve konsullore. Në nenin 2, të kësaj marrëveshjes përcaktohet veprimtaria fitimprurëse që mund të ushtrojnë familjarët e anëtarëve të misioneve diplomatike apo posteve konsullore, procedura e pajisjes dhe mospajisjes me autorizim nga Shteti Pritës, si dhe procedurën që duhet ndjekur prej tyre për t’u pajisur me autorizim, për të ushtruar këtë veprimtari, duke respektuar ligjet dhe rregullat e Shtetit Pritës.
Në nenin 3, të kësaj marrëveshje, përcaktohet procedura, dokumentacioni dhe organet kompetente që duhet të zbatojnë këtë procedurë, për t’u pajisur me autorizim nga Shteti Pritës, në përputhje me ligjet dhe rregullat e brendshme.
Në nenin 4, përcaktohet se anëtarët e familjes që gëzojnë imunitet nga juridiksioni civil dhe administrativ i Shtetit Pritës në përputhje me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike ose dokumenti ndërkombëtar të zbatueshëm, ky imunitet nuk do të zbatohet në lidhje me asnjë akt të kryer gjatë veprimtarisë fitimprurëse dhe që nuk pajtohet me legjislacioni civil dhe administrativ të Shtetit Pritës.
Në nenin 5, përcaktohen rastet kur Shteti Dërgues, mund t’i heqë imunitetin penal anëtarëve të familjes që gëzojnë imunitet nga juridiksioni penal i Shtetit Pritës, në përputhje me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike ose dokumenti tjetër ndërkombëtar i zbatueshëm.
Në nenin 6, të marrëveshjes përcaktohet se anëtarët e familjes do t’i nënshtrohen kërkesave fiskale dhe të sigurimeve shoqërore të Shtetit Pritës për të gjitha çështjet në lidhje me veprimtarinë e tyre fitimprurëse në atë shtet. Në rast të konfliktit në lidhje me interpretimin dhe zbatimin e kësaj marrëveshje.
Në nenin 7, të marrëveshjes përcaktohet se zgjidhja e tyre do të bëhet nëpërmjet kanaleve diplomatike dhe miratimit reciprok. Në përputhje me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike anëtarët e personelit diplomatik do t‘i nënshtrohen kërkesave fiskale dhe të sigurimeve shoqërore të Shtetit Pritës. Kjo marrëveshje do të mbetet në fuqi për një periudhë kohe të pacaktuar, derisa Palët të njoftojnë me shkrim për përfundimin e saj.
Marrëveshja është përcjellë për mendim tek Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Financave, mendimet e të cilave janë pasqyruar në marrëveshjen e paraqitur për miratim. Institucioni përgjegjës për zbatimin e kësaj marrëveshje është Ministria e Punëve të Jashtme.

(Kryeredaktori i pashtriku.org)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura