PEDAGOGU DHE SPORTISTI I NJOHUR KOSOVAR FAZLI LLUGALIU NË KUJTIMET E MIA

Nga Arif Ejupi

Javën e kaluar në fshatin Surkish të Podujevës, ka ndërruar jetë në moshën 86-vjeçare Fazli Llugaliu, njëri nga  profesorët e parë të Edukatës Fizike në Llap.

Llugaliu krahas kontributit  të tij të jashtëzakonshëm në përgatitjen e të rinjve  llapjanë në disiplina të ndryshme sportive, vite të tëra u dallua edhe si lojtar e trajner i Klubit Futbollistik “Llapi” të Podujevës, të shumtën e kohës anëtar i Ligës së Parë Futbollistike të Kosovës.

Fazliu pas përfundimit të Shkollës Normale në Prishtinë, edhe pse në kushte të rënda ekonomike nga dëshira që të aftësohet profesionalisht regjistrohet në Fakultetin e Edukatës Fizike në Universitetin e Sarajevës.

Në këtë Fakultet diku në vitet 1967 dhe 1977 studimet i patën përfunduar edhe bashkëvendësit e tij Faik Çitaku e Kamber Ejupi.

Si Çitaku  ashtu edhe Ejupi, janë emra të përveçëm të sportit  në Kosovë dhe ish-Jugosllavi.

Kuadro të hershëm të kësaj fushe nga Llapi,janë  edhe Qerim Azizi, i diplomuar më 1968 në Fakultetin e Kulturës Fizike në Beograd dhe Rashit Sejdiu, të cilët  u shquan me punën e tyre profesionale në Lidhjen e Kulturës Fizike të Kosovës.

Kurse,Fazli Llugaliu njohës i të gjitha sporteve edhe pse në kushte tepër të rënda si pedagog i Edukatës  Fizike, deri në pensionin e merituar do të punojë në shkollat e qytezës së Podujevës.

Ai me punë sistematike dhe profesionale korr sukses pas suksesi me të rinjtë  e Llapit, në të gjitha disiplinat sportive si në nivel Krahine, Republike dhe Federate

Në vitet 60-të, Fazli Llugaliu,në cilësinë  e mësimdhënësit të Edukatës  Fizike me diku 10 nxënës të shkollave të Mesme të Podujevës, do të marrë pjesë  në garat Federative të Jugosllavisë, të mbajtura në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Në këto gara ku merrnin pjesë  atletë nga 6 republika  dhe dy krahina të Federatës jugosllave, llapjanët plasohen në vendin e dytë.

Me sukseset e tyre të arritura dallohen Xhafer Salihu, Bahri Shabani, Bislim Berisha, Isak Bahtir Syla etj.

Xhafer Salihu ish- nxënës i Llugaliut në gjimnazin “8 Nëntori” të Podujevës si atleti më i mirë më 1970, shpallet sportist i vitit në Kosovë.

Llugaliu krahas punës si pedagog  i Edukatës  Fizike  nga radhët e shqiptarëve është  nga të parët që veshi fanellën e Klubit Futbollistik Llapi, nga gjiri i  të cilit dolën legjendarët: Fadil Vokrri , Esat Mehmeti, Shukri Paçarada, Bedri Muçolli, Selatin Vokrri, Shukri Shabani,  Islam Ajeti, Sabri Miftari, Islam Visoka, Luan Salihu, Isak Ibrahimi, Rifat Hajdari, Avni Stublla, Rrustem Podvorica, Rasim Ymeri, Fadil Kodraliu, Fehmi Podvorica, Fidaim Konushevci etj.

Llugaliu në periudhën  kur luajti  në skuadrën  e Llapit, bashkëlojtarë i kishte vëllezërit  Hashim e Bislim Aliu, Rifat Rexhep Blaku, reprezentues i juniorëve të Kosovës, më vonë profesor i dalluar në Universitetin e Kosovës.

Këtij  brezi i takojnë edhe futbollistët  Ejup Bekteshi, Shaban Hajrullahu, Bedri Muçolli  dhe Selim Zeqir Blaku.

Meqë, Bedriu shkëlqente në atë periudhë pas tij ishin vënë në garë Trepça e Mitrovicës dhe Prishtina, anëtare të Ligës së Dytë Federative  të futbollit në ish-Jugosllavi.

Muçolli si nxënës  i Normales  së Prishtinës, vendos që karrierën ta vazhdojë në ekipin  e kryeqendrës së Kosovës.

Llugaliu edhe pse do ta ndjejë  mjaft mungesën e tij  do t’i mbetet besnik Llapit, deri në periudhën kur lojtarët  juniorë talent  të rrallë të Llapit, Selatin Vokrri, Shaban Hajdari, Idriz Mehmeti, Muhamet Vokrri, Ahmet Haxhiu etj, kalojnë në ekipin e parë.

Llugaliu në Llap, njihej  edhe si Garinça, ikonë e dikurshme  e futbollit brazilian dhe atij botëror.

Ai përveç që dispononte shpejtësi prej atleti  ishte edhe driblues i mrekullueshëm.

Pas përfundimit  të karrierës Llugaliu, punoi si trajner me të gjitha grupmoshat e skuadrës së Llapit.

Esat Mehmeti, portier me emër në ish – Jugosllavi, me emocione  të pa përshkruara pohon që më meritori në zbulimin e talentit të tij, ishte Llugaliu.

Fazli Llugaliu ishte babaxhan dhe demokrat i vërtetë. Ai me nxënës kishte raporte të shkëlqyera. Asnjëherë  nuk i kushtëzonte ata  që në orën e Edukatës Fizike të kenë patjetër veshjet sportive, ngase e njihte gjendjen e tyre të rëndë ekonomike.

Me iniciativën e tij çdo vit organizohej maratona pranverore në vrapim që të shumtën e herëve mbahej në  fushat e fshatit Ballovc të Podujevës, të mbuluara me gjelbërim e ajër të pastër.

Fazliu që i dha shumë sportit llapjan vdiq dhe u varros në vendlindjen e tij në Surkish të Podujevës.

Modestët dhe të pa imponuarit çdoherë varrosën pa zhurmë e bujë, ashtu siç u varros Fazli Llugaliu, pedagog i shumë  brezave në shkollat e qytezës  së Podujevës.

Strukturat  e pushtetit lokal  dhe ato të nivelit  qendror duhet t’i vrasë ndërgjegjja.

Mosprania e tyre në ceremoninë e varrimit të pedagogut dhe sportistit  të shquar Fazli Llugaliu është mosnjohje dhe mohim i punës së tij shumëvjeçare.

Rreshta të shkruar në rrjetet sociale nga ndeja dhe ahengje, që nuk kanë adresë janë kryerje formaliteti dhe lojë e paskrupullt.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura
Read More

UILLJËM SHEKSPIRI

Nga Xhelal Zejneli Uilljëm Shekspiri (William Shakespeare, Stratford-upon-Avon, është pagëzuar më 26.3.1564 – Stratford-upon-Avon, 23.3.1616) është dramaturg dhe…