DR.ROVENA VATA: DOKE SHQIPTARE NË ZONËN E DUKAGJINIT TË MBLEDHURA NGA LEF NOSI NË PERIUDHËN 1930

Tiranë, 15. 01. 2014 – Në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, megjithë dendurinë e veprimtarive kushtuar episodeve të veçanta historike dhe figurave qëndrore, veprimtarë të themelimit të shtetit tonë, figura e Lef Nosit ishte gjithësesi e dallueshme, e veçantë, nga ana tjetër, duke dashur ta zbulojmë në tërësinë e tij personalitetin e këtij firmëtari të pavarësisë kemi mjaft prova e dëshmi për ndihmesën e tij të gjithanëshme atdhetare dhe intelektuale. Ndër ndihmesat më të shquara të Lef Nosit do të numëronim pa nguruar edhe mbledhjen prej tij të pasurive kulturore të popullit tonë në fushën e folklorit, në gjurimimin dhe mbledhjen e provave origjinale etno – zakonore dhe antropologjike.
Në situatat e trubullta prej nga vinte, ku gjendej dhe ku do të ballafaqohej shteti tepër i brishtë shqiptar, ky lloj përkushtimi, pa dukje të bujshme mund të dukej si jashtë kohe për bashkëkohësit e Lef Nosit, por, në fakt është ndër punët më të çmura: me vizion prej rilindësi dhe iluministi, njëkohësisht, me vetëdije atdhetare dhe shtetformuese në të njëjtën kohë, Lef Nosi, bëhet ndër pionierët e ndërtimit të Shqipërisë kulturore, kërkues dhe promovues i jashtëzakonshëm i vlerave më të mira të krijuara ndër shekuj; paralelisht, mbledhja, dokumentimi dhe promovimi i këtyre vlerave autentike aq të lidhura organikisht me identitetin shqiptar, me origjinalitet dhe freski të pakundërshtueshme burimore, ndihmon më shpejt dhe më me jetëgjatësi në forcimin e vetëdijes shqiptare.

LEF NOSI 1877 – 1946

=========================

(Lexoni disa faqe të dosjes së Lef Nosit: A1, nr. 20, fletore 106/III, nga fl. 1-8 me titull: “Zakonet e Malësisë së Veriut (Dukagjin) (Lindja, kumarija, fejesa, martesa, vdekja etj), Veri, 1930-1934”)

(…)

Kërkimet e shumta, provat etno-kulturore të ruajtuara e të përzgjedhura me kujdes nga Lef Nosi si dhe dëshmitë e tjera të mbledhura drejtëpërsëdrejti në popull, në zona nga më të panjohurat, nga më të izoluarat e Shqipërsië, në fushat e sipërpërmendura bëhen dhe më të çmueshme sot pasi janë ndër të parat të kryer për shqiptarët nga vetë shqiptarët.
Brenda dosjeve të Lef Nosit nga kërkimet arkivore që kemi bërë në IAKSA rezultojnë të ruajtur dokumente dhe letërkëmbime, të cilat janë vlerë për traditën etno-zakonore, për antropologjinë, për historinë, për gjeografinë, për demografinë e viseve shqiptare.
Nuk është e rastit që ai mbledh nga të gjitha fushat e jetës, aq më tepër që ishte i vetëdijshëm që atë çfarë sillte.
Në organet publicistike të kohës vazhdimisht theksohet fakti që Lefi ka qenë një mbledhës i folklorit.
Si objekt studimi në këtë trajtesë jemi përqendruar në trajtimin dhe mënyrën sesi janë zbatuar disa nga doket më kryesore që lidhen me jetën e secilit prej nesh, por të fokusuar në zonën e Dukagjinit të mbledhura nga Lef Nosi në vitin 1930 dhe sesi na reflektojnë sot.
Materiali që është marrë në studim është sjellë nga dosja nr. 20, fletore 106/III, nga fl. 1-8 me titull: “Zakonet e Malësisë së Veriut (Dukagjin) (Lindja, kumarija, fejesa, martesa, vdekja etj), Veri, 1930-1934”, fjalët më të përdorura gjatë përshkrimit të këtyre dokeve janë fjalët ose togfjalëshat si: lajmi me pushkë, lindja e një djali, zoti i shtëpisë, katund e bajrak, kumaria, pagëzimi në kishë, ndrykulla, të faluara, detryim i nusës për të falur, të marrurit e flokëve femijës, siç asht zakon në këtë zonë, sofër, ibrik raki, vllaznia, bijat e martueme e të pa martueme, pazari i vajzës së fejueme, grue e kthyeme, qitet zani.
“Kultura e një populli ngërthen krejt shfaqjet e të sjellit social të një komuniteti, reagimet e individit nën ndikimin e grupit në të cilin jeton, si dhe produktin e veprimtarive njerëzore të determinuar nga këto shprehi” shprehet – Franz Boas[1].
Zona e Dukagjinit shfaqet si një rezervat tipik i së drejtës zakonore përmes një mendësie arkaike, zonë që pati shërbyer si një arsenal mitesh, ritesh tek epokat e lashta.
Lef Nosi në mbledhjet e tij për doket shqiptare në këtë zonë, ku veçori e saj është fakti që ajo ishte e izoluar nga pushteti i kohës dhe vetëqeverisej sipas traditës së zonës dhe sipas kodeve kanunore, ai mblodhi në Dukagjin, ku ishte dhe Donat Kurti prova të gjalla, autentike etno-zakonore e kulturore me vlera të pazëvendësueshme.
Sipas studimeve antropologjike, strukturat dhe poetikat që lidhen me magjinë, mitet, ritet, doket, ceremonitë, besimet dhe sistemet simbolike, kanë lidhje logjike mes veti, pasi të gjitha bëjnë pjesë në kulturën popullore.
Fakti i ruajtjes dhe i mbledhjes së këtyre zakoneve ka të bëjë me vlerat e tyre si dukuri estetike si dhe me rolin që luajnë ato si përbërës të strukturës sociale dhe pjesës së trashëgimisë shpirtërore të secilit prej nesh.
Tradita është tërësi vlerash, ajo është çmuar gjithmonë, te çdo popull, si thesari më i shtrenjtë shpirtëror.
Tre momente më kryesore në jetë si lindja, martesa dhe vdekja, Lefi i ka sjellë të përmbledhur në një dosje të vetme. Kjo zonë normat dhe të gjitha zhvillimet e jetës së saj i ka në bazë të Kanunit të Lekë Dukagjinit. Këto rite shumë të vjetra që janë pagane dhe parapagane.
Zakonet e lindjes: Fisi duhet të sigurojë vazhdueshmërinë nëpërmjet djemve, mbasi vajzat sipas këtyre zakoneve, janë për derën e botës.
Lindja (Lefi ndalet në këto pika për të përshkruar lindjen):
– Kur lind djalë në një shtëpi të Veriut në Dukagjin atë natë ose të nesërmen në mëngjes jepej lajmi me pushkë;
– E treta ditë pas lindjes së djalit bëhet shyqyri me ngrënje e pirje;
– Pagëzimi (ligjërimi) i fëmijës në kishë;
– Marrja e flokëve sipas gjinisë;
– Nësë fëmija është femër asaj i merren flokët në mbremjë e nëse fëmija është mashkull atij i merren flokët në mëngjes;
– Ruatja e flokëve në një shami nga kumbara dhe falja e e disa të hollave fëmijës.

Ja si e përshkruan zakonet e lindjes në Dukagjin Lef Nosi:
“Kur lindte djalë në një shtëpi atë ditë apo të nesërmen në mëngjes jepej lajmi me pushkë. I zoti i shtëpisë edhe shokët e tij të afërm shtinin nga disa herë, dhe atëherë pyete katundi apo bajraku, se çka asht, e këta kallzojshin që i ka lind djalë filanit, e kështu i tërë bajraku shtinte me pushkë, të tretën ditë bahet shyqyri me të ngrame e të pime e thirret i tërë katundi pa përjashtim, e bajraku vetem ata që i kishte miq e sebet. Gratë shkoshin me peshqeshe, një bukë, një pjesë djadhi e pak tlyn, burrat nuk çojshin kurgja as nuk falnin të holla”[2].
Ajo çka bie në sy në këto zakone është ruajtja nga syri i keq. Kur lind vajzë, urimi bëhet gjithmonë, edhe me djalë.
Shqetësimi kryesor i çifteve të reja dhe e mbarë familjes ka qenë tradicionalisht gjinia e fëmijes që do të lindte, sepse bënte lidhjen e vazhdimësisë së jetës, të familjes dhe të farefisit, sidomos lindja e djalit, si trashëgues i lisit të gjakut.
Pasja e fëmijës për çdo familjes shqiptare dhe Dukagjinase ishte t’u tymojë oxhaku, dallimi që ve re Lefi është dallimi që ka kur lind një djalë dhe një vajzë.
Kur lindte djalë në familjen e çdo dukagjinasi, ardhja e tij në jetë pritej më pushkë, ku ishte një sinjal që të marrin vesh i gjithë katundi dhe bajraku që ajo shpi u shtua me djalë.
Fejesa
Fejesat kryheshin edhe me ndryshime moshash të papërshtatura: ai ende fëmijë, kurse ajo e rritur, ajo e vajzë e re, kurse ai shumë plak. E përhapur ka qenë edhe fejesa në djep. Formë tjetër e fejesës është edhe ajo e blerjes: dhëndri e blinte nusen dhe shkusin[3].
– Fejesa që në djep;
– Dhënia e kaparit;
– Caktimi i datës së fejesës;
– Dhënia e lajmit nga ana e vajzës dhe ana e djalit;
– Caktimi i çmimit (sasia e të hollave);
– Dhënia e kaparit nga ana e djalit familjës së vajzës;
– Kthimi i nusës vëllait ose kushërit më të afërt;
– Kthimi i gruas së vëllait kur ajo mbet e ve pa të drejtë kunore;
– Fejesa sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit;
– Nuse pa shkuesi s’bahet-neni 40, f. 13 Kanuni i Lekë Dukagjinit;
– Po t’i referohemi Kanunit në nenin 41 thuhet për Përcaktimin e shejit:
– Sheji përbahet prej nji unaze të remët a t’argjandt.

Fejesa që përshkruan Lef Nosi:
“Shumë herë ka ndodh që djali dhe vajza të fejoheshin pa bërë as dy vjet. Jepet kapari, caktohet dita me shkue me e fejue vajzën ku bëhej edhe një gosti e vogël, ana e djalit behëshin 5-6 veta deri në 10 veta, e kështu edhe zoti i shtëpisë së djalit thirrte shokët më të afërmtë, mbasi pishin e hanin darkë, i caktoheshin pazarin (sasinë e të hollave), e çikës e miku paguente një pjesë të të hollave në dorë. Ka ndodh që djali i fejuar vdes e atëherë i ati ose të afërmit e tij nuk e fejonin diku tjeter, por ia jepnin vëllait më të vogël ose të kushuririt të të e të fejuarit të tij, e kështu shpesh herë që dhendërri ishte 15 vjeç e nusja 25 vjeç ose ma shumë, kështu ndodh edhe për gra që mbesin të veja-kur ti vdesë burri, e atëherë gruas nuk i napin tjetër burrë, por i gjejnë një burrë të shtepisë osë kushëririn më të afërt, nganjehërë edhe pa të drejtë kunore, ose e merre vellai kunatën dhe i mbante bashkë me gruan e vetë”.[4]
Edith Durham tek libri i saj “Brenga e Ballkanit”[5] shprehet se sa herë që kam pyetur në Malësi përse ishte bërë diçka më thoshin: “Sepse kështu ka urdhëruar Leka”. Sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit normat kulturore të cilat zbatoheshin kryesisht në Shqipërinë Veriore, ndalohej fejesa e martesa nëse djali e vajza ishin gjak e gjini deri në katërqind breza.
Më së miri këtë fenomen po e japim të ilustruar sipas neneve që Kanuni zbatonte në lidhje më fejesat dhe martesat e cila bëhej sipas një rregullore që nuk duhet të shkelej nga askush dhe nuk të pyeste njeri për ndjenjat që dy të rinj mund të kishin mes njëri-tjetrit:
Fejesa sipas Kanunit
Përcaktimi i shkuesit:
“Shkues thirret njaj, i cili rreket m’u ba fjalë mirë a te prindja e djalit a te prindja e vjazës, qi të marrin a të napin vajzën per at djalë”[6].
Tageri e perlimi i Shkuesit:
1. Shkuesi asht ndermjetsi te dhandrri e te nusja (te djali e te vajza), të mos të luejn fjalet as njana as tjetra lagje.
2. Shkuesi ka tager ( të drejtë) mbi 50 grosh të shkuesis, per kpucë, të preme prej kanuje.
3. Kpucët e shkuesit e kan vaden në ditë që të mirret nusja[7].

Tagri i djalit:
Djali ka tagër me mendue per martesë të vet po s’pat prind.
Djali sa të ketë prind s’ka tager:
a) Me mendue per martesë të vet;
b) Me shenjue shkuesin
c) M’u perzie në fejesë të vet;
d) As në shej, as në petka, as në këpucë, e as në të prem fejet[8].

Tagri i vajzës:
Vajza, edhe në mos pastë prind, ajo s’ka tagër me mendue për martesë të vet, tagri në dorë të vëllezërve a të kushërinjve.
Vajza s’ka tager (të drejtë)
a) Me zgjedh fatin e vet; do shkojë per atë, per të cilin t’a fejojn;
b) M’u perzie në shkusi as në fejesë,
c) As në këpucë as në petka[9].

Martesa
Martesa është njëri ndër aktet më të rëndësishme në jetën e njeriut, që jetën e bën më tërheqëse, më interesante, më domethënëse, më funksionalizuese si në aspektin e botës materiale ashtu edhe në botën shpirtërore të gjithë secilit.
Gjithë spektakli i dasmës përshkruhet nga një fluiditet i çuditshëm, që është krejt i huaj me zymtësinë e kanunit, me dallaveret, mblesëritë, fyerjet, robërinë dhe egërsinë që shoqëronte në shumë raste martesën e një vajze[10].
– Caktimi i ditës së dasmës;
– Emërtimi i krushqëve-dasmorë dhe dasmaresha;
– Thirrja e të afërmëve në dasmë;
– Përcjellja e nusës;
– Zakoni i nxjerrjës pushkë nga dasmorët në castin kur ata marrin nusën nga shpia e prindërve;
– Zakoni i nxjerjës pushkë edhe para shtëpisë së dhëndërit në momentin kur nusja hyn në shtëpi;
– Zakoni i të pirtit raki në dasma;
– Zakoni i të falurit të holla nusës;
– Zakoni që dy veta që mbahejnë të hollat që i falin nusës, ata pastaj thonë më të madhe se kaq të holla fali filani, aq filani etj.
– Të falat e nusës njerëzve të burrit
.
Martesa e përshkruar nga L. Nosi
“Ditën e caktume dërgohen ku asht afër vetëm dy gra dhe kur asht larg edhe një burrë me vete, këta thirren dasmore e dasmaresha, të gjinija e nuses do të çojnë një berrë të mirë, 6 okë raki dhe 2-3 okë djadhë, këto hanen për drekë pasi gjinija e nuesës therret kushëritë dhe shokët për të përcjellë nusen. Këta vijnë tuba tuba dhe para shtëpisë qesin pushkë, të nesmen bashkohen të gjithë e mbasi të kishin pirë kafën e menjgesit pinë edhe nga 2-3 gota raki, e atëherë i falin të holla nuses. Është zakon që dikush të mbledhë të hollat e nuses dhe të shikojë se sa falin secili prej te pranishmeve, në këtë rast edhe nusja fl shputë dhe çoprate kushurinjve dhe kusherinjave të burrit, dhe nese ka kushuri edhe nga ana e vet i fal edhe atyre, mbas kësaj shtrohen sofrat pihet rakija e kanë drekë e mbas drake shperndahen meqe merr fund dasma”[11].
Ritet e dasmës janë të lidhura me një mënyrë të sjelluri ritual e cila e ka origjinën në praktika të lashta të sferës së besimeve popullore.
Ritet e dasmës i referohen një kohe të stërlashtë në të cilën jeta shpirtërore dhe ajo materiale nuk ndaheshin në mënyrë të prerë. Nëpërmjet riteve paraqiteshin marrëdhëniet sociale e farefisnore duke lidhur fenomenet natyore me ngjarjet e jetës së përditshme[12].
Në dasmën dhe vdekjen ne veri të shqipëri shumë rite dhe raportet e tyre me njerezit janë në në përputhje me të drejtën zakonore shqiptare dhe me kodet e saj.
Ceremonia e dasmës, që ka një skemë të përbashkët në të gjithë shqiptarët, përbëhëj nga disa faza.
Secili rit i dasmës shoqërohet, në mënyrë të vecantë, me krijimtari gojore poetike, e cila në masë të ndjeshme duke filluar nga: zgjedhja e vajzës, zenia e nusës, ose shenja, fejesa apo dërgimi i parave, marrja e masës së rrobave, caktimi i marrjës së nusës, dërgimi i rrobave, përgatitja për dasmë, nata e kulacit, ardhja dhe pritja e mysafirëve, dasmorët për të marrë nusën, ardhja e nusës në shtëpinë e dhëndrit.
Martesat lejoheshin vetëm me anë shkuesish, për të cilin kishte rregulla të caktuara. Edhe fejesat kanë rregullat e veta.
Vdekja
Vdekja si proces i mbylljës së ciklit të jetës i cili shkakton dhembje e pikëllim për familjen e të vdekurit dhe më gjerë. Morti si proces natyror, i pashmangshëm, në një mënyrë është një përbyllje e rrugëtimit jetësor të njeriut.
Ceremonialin mortor e shoqërojnë një mori zakonesh të ndryshme që njihen dhe janë të njohura për këtë zonë veriore si: përhapja e lajmit për të vdekurin, ruajtja e kufomës, hapja e varrit, pjesëmarrja në varrim, vajtimi-pikëllimi, larja e kufomës, varrimi, pas varrimi dhe ngushëllimi si akte të fundit për të vdekurit.
I vdekuri është zakon që i vdekuri të vajtohet me zë, me një lloj të kënduari të përvajshëm. Në këtë zonë vajtimi bëhet me gjama.
Për gjamat e veriut në kanun thuhet: Kanu asht me ba gjamë mbë të dekunin tri herësh, tuj përsëritur fjalën “I mjeri un!”, nandë herësh.
– Qitet zani për çdo vdekje;
– Në vdekje nuk pihet raki;
– Në vend të verës kos;
– Të afërmit nisin gjamën;
– Të afërmit i drejtohen të vdekurit me terma si: vlla i jem, krahu i jem, kurse më të largërit i drejtohen me terma si miku i jem;
– Gratë i rrinë rreth e përqark të vdekurit, zakoni është që i vdekuri të vishet më së miri;
– Xhahadan të kuq dhe tesha të reja;
– Permendja e të vdekurve të tjerë.

Vdekja e përshkruar nga Lefi: “Kur vdes ose vritet njeri qitet zani, si mbas rastësisë, jo vetëm Bajrakut të vet, por edhe Bajrakëve të tjerë, katundi dhe bajraku i vet mblidhen për drekë, e mbasi të hanë drekë e qesin të dekunin te vorret. Në vdekje nuk ka raki, vetëm bukë e djadhe e mish, e në vend të venes përdoret kosi, të vorret fillojnë e vinë të largëtit, kurse të afërmit të vorret nisin gjamën, katundi i bajraku i vet në gjamë i thonë të vdekunit, vllau jem, krahi jem, e të tjerët i thonë miku jem, gratë që vinë të vorret rrinë rreth të vdekunit që është i veshin sipmas merit. Me xhamadan të kuq dhe me të gjithë tesha e reja, disa gra që din me vajtue, kjajnë të vdekunin me fjalë, me nji melodi të përmallueshme, tuj ia njeh të gjitha të mirat e tij në jetë, trimëninë, burrërinë, fisnikërinë dhe parinë e tij, e atëherë përmendeshin edhe ndonjë tjetër të vdekun që ka vdek në atë kohë, ose edhe ma pare”[13].
Gjama e burrave, vajtimi i grave me zë të lartë, në grup, duke rrahur gjoksin, duke gërritur fytyrë e duar, duke shkulur flokët, duke grisur rrobat e tjerë, kanë qenë karakteristikë e popujve të lashtë dhe e atyre akzotikë e në popullin tonë janë ruajtuar të stërgjyshërve, praktikuar më tepër në Alpet e Shqipërisë, po dhe në tërë malësisë shqiptare të Veriut[14].
Në Mirditë, në Dukagjin në Pukë e në ndonjë vend tjetër, deri nga mesi i shek XX është ruajtur praktika, për burra të përmendur, t’i venë në karrige, vesh e ngjesh rëndë, armatosur, me takëme personale si ato të duhanit, sahati në varg, ndonjë vegël pune që e ka pasur për qejf gjatë jetës e ashtu e vajtonin me orë të tëra[15].
Duke përfunduar mund të themi përsëri se Lef Nosi, pa humbur nga vëmendja çështjet e ngutshme që shtronte realiteti ditor në Shqipërinë e porsakrijuar si shtet, ka ditur të mendojë dhe të punojë edhe si rilindës, duke lartësuar me vlerat e gjetura krenarinë e lëkundur të bashkëkohësve, ka ditur të punojë dhe si iluminist duke e parë trashëgiminë me sy objektiv, kritik, pa bërë retushime e përzgjedhje tendencioze, subjektive; duke qenë ndër firmëtarët e aktit të Pavarësisë Lef Nosi, edhe sipas materialeve që sollën më sipër prej arkivës së tij është njëkohësisht edhe ndër kontribuesit e parë të mëdhej të shkencave albanologjike dhe vetëm kjo pjesë e veprimtarisë së tij do të kish mjaftuar që ai të kish pasur me kohë vendin e vet të merituar në panteonin e kujtesës tonë kombëtare.
___________________
REFERENCA:
DURHAM, Edith: “Brenga e Ballkanit”, Naum Veqilharxhi, Tiranë, 1998.
GJEÇOVI, Shtjefen: “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, GEER, Tiranë, 2001.
Kadare, Ismail: “Autobiografia e popullit në vargje”, Onufri, Tiranë, 2002.
MONAGHAN, John & JUST, Peter: “Social & Cultural Anthropology, A very short introduction”, Oxford University Press, 2000.
NOSI, Lef: “Zakonet e Malësisë së Veriut (Dukagjin) (Lindja, kumarija, fejesa, martesa, vdekja etj) Veri, 1930-1934”, ruhet në Arkivin e Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit (është në dorëshrkim).
Tirta, Mark: “Panteoni e simbolika: Doke e kode në etnokulturën shqiptare”, ASHSH, Tiranë, 2007.
VELIANJ, Albana: “Rite e simbole ne ceremonialin e dasmës tradicionale”, Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit, dega Etnologji-Folklor, punim doktorate, ruhet në Arkivin e këtij Instituti.
Zheji, Gjergj: “Folklori shqiptar”, SHBLSH, Tiranë, 2004.

………………………
[1] John Monaghan & Peter Just, “Social & Cultural Anthropology, A very short introduction”, Oxford University Press, 2000, p. 45.
[2] Lef Nosi, “Zakonet e Malësisë së Veriut (Dukagjin, lindja, kumarija, fejesa, martesa, vdekja, Veri 1930-1934”, A1, Dosje 20, fletore 106/III. fl. 3-4.
[3] Gjergj Zheji, “Folklori shqiptar”, SHBLU, Tiranë, 2004, f. 70.
[4] Lef Nosi, “Zakonet e Malësisë së Veriut (Dukagjin, lindja, kumarija, fejesa, martesa, vdekja, Veri 1930-1934”, A1, Dosje 20, fletore 106/III. fl. 5.
[5] Edith Durham, “Brenga e Ballkanit”, Naum Veqilharxhi, Tiranë, 1998.
[6] Shtjefen Gjeçovi, “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, GEER, Tiranë, 2001, f. 12.
[7] Po aty, f. 12.
[8] Po aty, f. 13.
[9] Shtjefen Gjeçovi, “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, GEER, Tiranë, 2001, f. 13.
[10] Ismail Kadare, “Autobiografia e popullit në vargje”, Naim Frashëri, Tiranë, 1980, f. 78.
[11] Lef Nosi, “Zakonet e Malësisë së Veriut (Dukagjin, lindja, kumarija, fejesa, martesa, vdekja, Veri 1930-1934”, A1, Dosje 20, fletore 106/III. fl. 5-6.
[12] Albana Velianj, “Rite e simbole ne ceremonialin e dasmës tradicionale”, Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit, dega Etnologji-Folklor, punim doktorate, ruhet në Arkivin e këtij Instituti, fl. 20.
[13] Lef Nosi, “Zakonet e Malësisë së Veriut (Dukagjin, lindja, kumarija, fejesa, martesa, vdekja, Veri 1930-1934”, A1, Dosje 20, fletore 106/III. fl. 6-7.
[14] Mark Tirta, “Panteoni e simbole-doke e kode”, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Kulturës Popullore, Tiranë 2007, f. 145.
[15] Po aty, f. 146.

KUSH ËSHTË DR.ROVENA VATA

Dr.Rovena VATA ka kryer studimet për Gjuhë-Letërsi shqipe pranë Universitetit të Tiranës, në fakultetin Histori-Filologji, ku realizoi edhe studimet e Masterit Shkencor në degën e Shkencave Letrare në specialitetin “Letërsi e Përgjithshme dhe Letërsi e Krahasuar” me mikrotezën me temë: “Frymët, demonët dhe besëtytnitë në rrëfenjat e Kutelit, Gogolit dhe Turgenievit”, (Aspekte të demonologjisë krahasuese). Me datë 17 qershor 2013 mori gradën shkencore “Doktor” në fushën e Studimeve Letrare, në specialitetin “Letërsia dhe mitologjia”, pranë Qendrës Ndëruniversitare të Studimeve Albanologjikë në Tiranë, ku edhe punon aktualisht. Rovena Vata jep mësim si pedagoge e ftuar pranë Universitetit të Arteve (Akademia e Arteve) si dhe pedagoge e jashtme pranë Universitetit Ndërkombëtar të Tiranës. Struktura e studimit paraqitet mjaft efikase për të realizuar qëllimin e synimin e shprehur. Niset me Mitin e malit në Kanunin e Lekë Dukagjinit, e më pas në letërsi: Mali si traditë në letërsinë e vjetër: Buzuku, Budi, Bogdani, Bardhi. Miti i malit në letërsinë romantike, duke u përqendruar në vijim tek 4 autorë: Fishta, Koliqi, Migjeni e Camaj si dhe në vija të përgjithshme në letërsinë e Realizmit Socialist. (Prof. dr. Laura Smaqi – Qendra e Studimeve Albanologjike, Tiranë.)
___________________
Lexoni, Kanunin e Lekë Dukagjinit, vepër e Shtjefën Gjeçovit -ribotohet sipas botimit të vitit 1933 – shtypur në Shkodër: http://www.home.no/dukagjin/kanuni/Kanuni.html

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura