PËR KUVENDIN E PARË TË STUDIMEVET ARBËRESHË
Po i them edhe unë disa fjalë
Nga Gjokë Dabaj, Durrës 28 shtator 2021
Ky Kuvend i parë i studimevet arbëreshë po mbahet në Tiranë. Dita e parë më 27 shtator, dita e dytë më 28 dhe dita e tretë më 29 shtator.
Shkova atje me dëshirën për të dëgjuar, edhe më mirë se deri tash, historinë e asaj pjese të kombit tonë dhe sidomos për të marrë vesh si do të veprohet në të ardhshmen nën shembullin e një të atillë shpirti të kombit tonë shekull pas shekulli të shenjtëruar.
Jam kryetari i një institucioni në krijim e sipër, me emrin tejet domethënës “Përkujdesja Gjithshqiptare” dhe prandaj më thërriste në atë kuvend jo vetëm dëshira, por edhe detyra.
Shkova, por nuk munda të qëndroj! U largova prej andej që ditën e parë!
Nuk pata shkuar për t’u larguar! Pata shkuar për të ndenjur aty dhe për t’i ndjekur të gjithë punimet, në të gjitha ditët që ishin shënuar në program. Sepse po flitej për arbërershët! Sepse po flitej për atë pjesë të kombit tonë, që duhet marrë imituar për mënyrën si e ruajti gjuhën tonë për më shumë se gjashtë shekuj, atje, jashtë atdheut dhe në pamundësi për t’u lidhur organikisht me atdheun për shumë kohë.
Sepse jashtë atdheut i kemi sot disa milionë shqiptarë! Në Turqi nja gjashtë apo shtatë milionë, në Greqi më shumë se dy milionë, disa milionë nëpër Evropë e nëpër Amerikë.
Dhe sepse duhet bërë diçka që kaq milionë, t’i kenë si shembull pikërisht arbëreshët, mërguar para gjashtë shekujsh në Italinë Jugore dhe megjithatë, ruajtur edhe gjuhën, edhe traditën tonë!
Tek po lexonin punimet e vet studiuesit, që ishin ngarkuar për të mbajtur kumtesa, po përgatitesha për ta thënë fjalën time edhe unë. Jo si referues, por si pjesëmarës në diskutime. Po mundohesha të bëja një konspekt të fjalës sime, të atillë që, sado kudo, të plotësohej materiali që kolegët e tjerë po e lexonin.
E dija që organizuesit do të ma jepnin fjalën. E dija që duhej të dëgjohej edhe fjala ime, siç duhej të dëgjohej edhe fjala e ligjëruesvet të tjerë.
Por i hodha sytë disa herë, madje shumë herë, nëpër sallë. Sa njerëz kish aty, që do ta dëgjonin atë që unë e quaja të domosdoshme për t’u thënë?!
Nuk ia vlente! Sinqerisht nuk ia vlente dhe unë e di ç’po mendonin në ata çaste vetë ata që komisioni i kish caktuar për të referuar. Kishin ardhur ligjëruesit që nga Italia! Kishin ardhur nga Prishtina! Të gjithë ishin të zhgënjyer! Nuk mund të mos ishin të zhgënjyer!
Në njoftimin e parë të komisionit organizues qe thënë që këtë Kuvend do ta përshëndeste vetë Kryeministri i Republikës së Shqipërisë. Por doli që aty nuk erdhi as edhe një ministër dhe qeveria e Tiranës u përfaqësua në nivel aq të ulët, sa përfaqësuesi i saj nuk i katranosi dot as tri fjalë ashtu si duhej.
Në atë Kuvend atë ditë duhej të ishin e pakta njëmijë vetë. Duhej të gëlonin me qindra adhuruesit e veprës së arbëreshëvet! Brenda dhe jashtë atyre ambienteve! Vetëm ashtu do t’u dëshmohej profesorëvet të ardhur nga Italia, se “gjaku i arbrit” nuk është shprishur!
A mos i pengoi kovidi, po thua?! Jo! Dasmat i kemi plot me dasmorë! Stadiumet plot! Lokalet plot!
Aty duhej të ishin sot 700 apo 800 djem e vajza, nga ata e ato që u vlon shpirti për kombin dhe që ndiejnë respekt e dashuri ndaj atyre arbëreshëve që e ruajtën gjuhën tonë për gjashtë shekuj, pa qenë brenda atdheut!
Në mitingjet e partivet gjenden të rinj e të reja për të zbukuruar tribunat e politikanëvet. Kur bën miting Ed Rama, ka me dhjetëra riní që i rrinë në sfond dhe rrotull tij. Kur bën miting Lul Basha, ka me dhjetëra të tjerë të rinj që i rrinë afër.
Pra, rini që kundërshtojnë njëri-tjetrin, që përgatiten t’i hanë kokën njëri-tjetrit, kemi plot! Ndërsa rini që e adhurojnë qëndresën shtatëshekullore të një pjese të kombit tonë, nuk paskemi!
Shkaqet janë shumë të thellë. Ne nuk mund të jemi indiferentë ndaj të këtilla dukurive! Ne nuk na lejohet të jemi indiferentë!
Sa të rinj shqiptarë studiojnë albanologjinë në universitetet tanë private?! Madje, nuk e di a ka apo s’ka fakultet të gjuhës shqipe dhe të letërsisë shqiptare në ndonjërin prej universitetevet shqiptarë privatë. Po në Angli, universitetet privatë a kanë fakultete të gjuhës dhe kulturës angleze?!
Sa prej të pasurvet shqiptarë i çojnë sot bijtë e bijat e veta për të studiuar gjuhën shqipe?! Sa prej pushtetarëvet tanë, që nga kryeministrat e presidentët, deri te ministrat ose edhe kryetarët (kryetarucët) e bashkivet dhe komunavet, i kanë çuar fëmijët e vet për të studiuar gjuhën shqipe dhe për t’iu kushtuar në atë mënyrë mbarëvajtjes së kombit tonë?! Sa prej deputetëvet tanë, në Republikën e Shqipërisë, në Republikën e Kosovës, në Republikën e Maqedonisë Veriore, i kanë çuar fëmijjët e vet për t’iu kushtuar gjuhës shqipe, letërsisë dhe kulturës sonë kombëtare?!
Sigurisht, unë nuk them që, tani, të shkojnë të gjithë për t’iu kushtuar gjuhës dhe kulturës kombëtare, duke lënë pas dore ekonominë, inxhinirinë, mjekësinë, drejtësinë, shkencat e natyrës dhe shkencat e indistrisë. Por gjithsesi duhet edhe klasa e pasur dhe ajo shtetdrejtuese ta kenë njërin sy edhe në kahun e ruajtjes së gjuhës dhe të kombit që i përkasin.
* * *
Mbeti salla me më pak se 4-5 vetë! Më shumë kish ligjërues se dëgjues! U largova! Ika, duke vrarë mendjen: Ç’do të mund të bëja tjetër, veçse të shkruaja diçka?! Diçka si kjo që do të lexoni më poshtë.
Cili është faktori vendimtar, që arbëreshët e Italisë Jugore i ruajtën gjuhën dhe traditat arbërore?!
Faktori vendimtar, që arbëreshët e vendosur në Italinë Jugore, i ruajtën gjuhën dhe traditat arbërore ka qenë praktikimi i ritit të krishterë lindor në kishat e tyre! Mesha në ato kisha, në kishat e ritit lindor, celebrohej në arbërisht dhe bënte që në ato kisha të mos shkonin vendësit italianë, që ishin të ritit perendimor. Ndarja e kishavet, për vendësit e ritit perendimor, për të ardhurit e ritit lindor, ka bërë të mundur që ata imigrantë ta quajnë veten diç tjetër e jo të njëjtë me vendësit. Kjo, sigurisht, nuk i ka penguar ata të shkojnë mirë me vendësit.
Kjo rrethanë duhet kuptuar mirë dhe duhet analizuar si faktori vendimtar për ruajtjen e identitetit të asaj popullate.
Në Italinë Veriore, veçanërisht në Venecie e në rrethinë, ka pasur më shumë arbër se në Italinë Jugore. As ata nuk janë trajtuar keq prej italianëvet. Edhe atyre u janë krijuar kushte për të jetuar normalisht në atdheun e tyre të ri. Megjithatë, me kalimin e kohës, arbërit në Italinë Veriore e humbën identitetin e vet. Nuk doli prej tyre asnjë De Radë, asnjë Serembe, asnjë Varibobë, asnjë Darë, asnjë Santor! Pse nuk pat të këtillë personalitete midis arbërvet të Italisë Veriore, përveç një Barleti e Beçikemi, që nuk shkruan në gjuhën e vet dhe përveç një Pape Klementi XI Albani, që gjithashtu nuk shkrojti asgjë në gjuhën e vet?!
Sepse popullata e ardhur nga Arbëria shkonte në të njëjtat kisha me vendësit dhe, vetëkuptohet që në ato kisha liturgjia nuk mund të kthehej në gjuhën e të ardhurvet.
Por nuk ishte vetëm liturgjia. Ishte edhe pagëzimi, ishte rrëfimi para priftit, ishte vënia e kurorës çiftevet që martoheshin, ishin ritet e varrimit. Të gjitha këto, në Italinë Veriore, krejt natyrshëm, kryheshin në italisht, si dhe për vendësit italianë. Atëherë, ç’i duhej arbërit të Italisë Veriore gjuha e kombit të vet?! Në lagje flitej italisht, në vendet e punës flitej italisht. Arbërit filluan t’i flisnin italisht edhe njëri-tjetrit. Edhe në familje gradualisht u vendos gjuha e vendësvet, aq më tepër kur ajo gjuhë u duhej më shumë fëmijëvet, që nuk donin të dalloheshin prej vendësvet.
Në Italinë Jugore, arbërit (arbëreshët) që e kishin kishën e vet, e quanin për krenari të dalloheshin si arbër. Ata i flisnin njëri-tjetrit me krernari arbërisht dhe, derisa ritet fetarë celebroheshin ndryshe, s‘kish asnjë arsye që, edhe në rrugë, edhe në familje të përdornin po atë gjuhë.
Në Veri, në ambientet ku besimi i të ardhurvet ishte katolik perendimor, njësoj si i vendësvet, kemi vetëm një rast të lavdishëm, ku gjuha dhe kultura arbërore u ruajtën. Këta janë arbëneshët (arbanasësët) e Zarës. Faktori vendimtar edhe këtu ka qenë kisha. Arqipeshkvi imzot Vinçenc Zmajeviqi, arbëneshëvet, që i njihte mirë, sepse kish qenë vetë arqipeshkëv në Tivar, u dha një kishë më vete, ku predikimi do të bëhej në gjuhën e besimtarëvet. Kjo qe e gjitha dhe ata e ruajtën identitetin deri në ditët tona.
Nuk po hyjmë në analiza, si ndodhi e pse ndodhi kështu. Fakt është që arbanasët e Zarës, shkuar atje prej rrethinavet të Tivarit, patën kishën e tyre, të ndarë edhe nga kroatët, edhe nga italianët. Prandaj dhe dolën prej tyre një Josip Relë, një Shime Deshpal, një Krsto Kruniq e më në fund edhe një Aleksandër Stipçeviq. Kultura mbruhet në popull dhe prej popullit dalin njerëz të shquar!
Njerëzit e shquar që dalin prej një popullate të tjetërsuar, është vështirë t’i rikthehen origjinës, sado që edhe mund të ndodhë dhe ka ndodhur, aq sa për t’u përmendur nga e kanë prejardhjen.
Kemi, pra, dy shembuj të ruajtjes së gjuhës dhe kulturës kombëtare, dhe shkaku kryesor, faktori kryesor i një të tillë ruajtjeje qëndron te institucioni i veçsantë shpirtëror i tyre. Institucioni shpirtëror, i cili i mbledh njerëzit e pakta një herë në javë dhe u flet, u thotë diçka në gjuhën e tyre! Qoftë edhe përralla me mbret! Qoftë edhe bla-bla! Mjafton t’u flitet fakir-fukarenjvet në gjuhën e tyre! Ata nuk shuhen! Ata nxjerrin gjení prej gjirit të vet!
Në Tivar, në vendin prej nga e kanë prejardhjen arbanasët e Zarës, në mbarim të shekullit XIX, liturgjia kishtare u kthye në sllavisht (me vendim të Vatikanit) dhe sot, për ironi të fatit, arbanasët e Zarës, larguar prej këndej para 300 vjetësh, e flasin më bukur gjuhën arbërishte se sa shqiptarët e Tivarit gjuhën shqipe. Në qytetin e Tivarit dhe në rrethinën e tij të ngushtë, më shumë se gjysma e banorëvet janë shqiptarë, por nuk flasin shqip. Nuk flasin shqip, sepse u mbungon institucioni kulturor dhe shpirtëror që do t’ua ruante gjuhën dhe kulturën tradicionale.
* * *
E gjithë kjo që shkrova këtu, është tepër e rëndësishme ta kuptojnë shqiptarët e sotëm. Jashtë atdheut tonë, dmth jashtë kësaj Shqipërie që e pat konceptuar si të tillë Lidhja e Madhe Shqiptare e Prizrenit, jetojnë disa milionë shqiptarë. Po nuk u krijuam atyre disa milionë shqiptarëve institucionin e tyre kulturor e shpirtëror, ata, që të gjithë, brenda pak dhjetëvjeçarësh do të shkrihen si kripa në ujë.
Do të shkrihen si kripa në ujë, jo vetëm ata shqiptarë që kanë marrë rrugët e botës, kush më parë e kush më vonë, por edhe këta që jetojnë këtu brenda kësaj Shqipërie të copëzuar në gjashtë shtete!
Shkoni e shihni, a shkruhen në gjuhën shqipe tabelat e dyqanevet nëpër Shqipëri, që nga Trepça, Tetova e Tivari, deri në Krujë, Korçë e Konicë?! Shkoni shihni dhe do ta kuptoni që edhe këtu po vepron tashmë një lloj shkrirjeje, prej së cilës, shqiptarit të vetëdijshëm, shqiptarit që nuk është koqe kandari, i copëtohet shpirti sa herë që del në rrugë! Shqiptarit, që është koqe kandari, aq i bën se ç’bëhet rreth tij!
…Duhet të krijohet sa më parë institucioni ynë shpirtëror, i tipit në përshtatje me kohën! Unë, ka kohë që i kam publikuar mbi 600 faqe, ku flitet për një të tillë institucion, por, për fatin e keq, edhe të atyre shqiptarëve që i duan gjuhën dhe kombin e vet, pakkush po e lexon atë platformë shpëtimtare të kombit tonë.
Shkruaj sa të duash! Bërtit sa të duash! Ulurit sa të duash! Kur në një tubim për arbëreshët, heronj që duhen marrë shembull, nuk mblidhen as 100 tiranas, shkodranë e durrësakë, shenjat, nëse nuk e bëjmë kthesën, nuk janë aspak të mira! 28 shtator 2021