BEHXHET Sh. SHALA – BAJGORA: KOSOVA NË PRAG TË TETË VJETORIT TË PAVARËSISË SË DHUNUAR DHE TË KONTESTUAR!

Prishtinë, 13. 02. 2016: (A ka arsye për festim apo për ngushëllim) – Republika e Kosovës e ka kaluar moshën e foshnjërisë duke i mbushur 8 vjet mirëpo në planin politik ka mbetur foshnje e hendikepuar sepse ka mungesë kronike të politikanëve që i japin kuptim dhe përmbajtje këtij shteti që e ndanë pronësinë midis Mati Ahtisarit dhe Serbisë çetnike. Ky farë Ahtisari , pa pasur nevojë të bëhet AND –ja , nga politikanët pa kurriz apo ata që kanë probleme me kurriz jo për shkaqe shëndetësore , po pranohet si baba i pavarësisë së Kosovës e në fakt është dhunuesi kryesor i pavarësisë së vërtetë. Serbia është bërë faktor përcaktues për të gjitha proceset në Kosovë , nga ato se sa pula mund t’i mbajmë në oborr deri te ajo se a do të duhej të ketë Kosova ushtri ! Politikanët tanë servilë thirren në pakon e Ahtisarit dhe më shumë e respektojnë Ahtisarin, se Ismajl Qemalin ! Është e pështirë kur një alamet burri që aksidentalisht është shndërruar në politikan, duke u përqyrrur thotë se nuk bën asgjë pa pëlqimin e “ miqve ndërkombëtarë “ sepse : “ ata na kanë çliruar dhe ata mund të na shalojnë “. Ma gjeni një shtet në botë me një Kushtetutë ku zemra e saj është pakoja e Ahtisarit , truni është 2/3 e serbëve dhe çka mbetet është për shumicën! Nuk mund ta gjeni kësi rasti kurrë dhe në asnjë vend të botës. Politikanët e servilosur këtë e bëjnë për një bythë karrike që mund t’ua marrin këta “ miq “ kur të duan ! Ma gjeni një vend ku spiujt e UDB-së dhe të KOS-it të jenë rahatuar aq mirë në institucione sikur që është bërë në Kosovë . As në Serbi, që është vendlindja e UDB-së nuk është krijuar aq komoditet për spijut dhe keqbërësit . Ma gjeni një vend në botë kur sabotuesit e luftës shpallen të merituar kurse oficerët e KOS-it shpallen HERO sikur që ndodhë te ne ! Ma gjeni një vend në botë ku ata që e kanë penguar luftën dhe kanë qenë kundër luftës t’u njihet status i veteranit të UÇK-së. Apo, që familje të tëra që, duke e keqpërdorur autoritetin e një vlere sublime kombëtare përfitojnë statusin e veteranit të luftës, duke filluar nga gjyshi, gjyshja, babai , nëna, vëllezërit , motrat , nipat dhe mbesat si dhe dajallarët , tezet dhe farefisi i ngushtë dhe i gjerë. Kjo ndodhë vetëm në Kosovë dhe askund tjetër . Ma gjeni një vend ku i punësuari e demolon vendin e punës , i pengon të tjerët të punojnë dhe për këtë merr rrogë të majme. A ka ndonjë vend në botë ku të punësuarit e sabotojnë punën brenda shtetit ndërsa i japin veti të drejtë të shetisin nëpër botë dhe për këtë të marrin mëditje të majme.?!

Ku ka këtu moral nëse edhe mund të flitet fare për moral ! A keni hasur në ndonjë vend në botë ku, 17 vjet pas përfundimit të luftës një qytet ndahet në dy qytete , me dy kryetarë kurse një politikane mashtruese dhe gënjeshtare deklaron se përmes ndarjes së Mitrovicës po shtrihet sovranitet dhe po bashkohet Mitrovica. Edhe Nju Jorku , Parisi , Berlini , Londra , Zagrebi etj. kanë komuna të ndara të cilat janë brenda një territori por e kanë vetëm një kryetar . A mund ta gjeni një shtet ku , ata që e kanë plaçkitur shtetin deri në palcë , tash dalin në mbrojtje të tij ! Dhe që kërkojnë besimin dhe përkrahjen tuaj ! Pa u skuqur fare ! A mund ta gjeni një shtet me 60% të papunë , 68% si kategori sociale , në top listen botërore për korrupcion dhe krim të organizuar kurse politikanët kërkojnë të ruhet imazhi i këtij shteti . Madje edhe “ miqtë ndërkombëtarë “ bëhen mirëmbajtës të këtij imazhi ! Falsiteti është i dyanshëm . Kosovës i është imponuar një shenjëzim i kufinjve ku ajo gjithmonë ndahet e humbur sikur që i është imponuar një entitet etnik dhe politik që e bën federalizimin e brendshëm të saj e që Quhet Bashkësi e Komunave Serbe . Edhe kjo buron nga “ babai “ i pavarësisë së Kosovës , Marti Ahtisari , ky Frankeshtajn kushtetues ! A ka vend apo shtet në botë sikur që është Kosova që detyrohet të pranojë detyrime ndërkombëtare kurse pala tjetër e bisedimeve Serbia këto detyrime të mos i ketë obligative por fakultative , cilat i pëlqejnë i zbaton kurse të tjerat që nuk i përshtaten nuk i zbaton dhe se përgjegjësia për moszbatim t’i adresohet palës së dhunuar – Kosovës !
Drejtësia selektive prodhon padrejtësi selektive
A ka vend në botë që i është imponuar një Gjykatë për krime lufte që arreston , gjykon dhe dënon vetëm në baza etnike dhe e cila i diskriminon viktimat sikur që i favorizon të dyshuarit për krime lufte si në Kosovë . Nuk ka. Aq më parë që pastaj mundohet të të bind dhe duhet të bindesh patjetër se kjo Gjykatë na qenka pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës ku selia e Gjykatës është në Holandë , burgjet janë në Holandë dhe shtete të tjera , ku të gjithë prokurorët janë të huaj, gjykatësit janë 100% të huaj, guardianët e burgjeve janë të huaj sikur edhe administrata është krejtësisht e huaj . Të besosh këtë duhet t’i plotësosh dy kushte : 1 ) duhet të jeshë 99.99% idiot ( pastërti e lartë e diagnozës ) dhe 2 ) duhet të jesh politikan pa kurriz apo që luan bisht sipas nevojës ! Ka edhe një kusht tjetër që është mbi këto dy kushte ; duhet ta duash Kosovën më tepër se veten prandaj e voton Gjykatën Speciale si akt vetflijimi, për të mirën e atdheut dhe kombit ! Duke pasur parasysh se politikanët tanë që e kanë votuar Gjykatën Speciale nuk e kanë diagnozën e pastërtisë 99.99% të lartpërmendur e as që e luajnë bishtin atëherë votimin e kanë bërë si akt të vetflijimit për të mirën e atdheut dhe kombit !! Hahahahahaha! Besoni, nëse doni , unë nuk kam arsye të dyshoj ! Mendimin me mua sigurisht nuk e ndanë edhe një deputet i LDK –së së Dacit , ish i burgosur politik i cili për Gjykatën Speciale ka votuar edhe me atomin e fundit dhe se ka filluar të bëhet nervoz pse kjo Gjykatë ende nuk ka filluar t’i arrestojë komandantët e UÇK-së ndonëse nuk është vërejtur fare entusiami i tij për arrestimin dhe gjykimin kriminelëve serbë për krime në Kosovë . I gjithë personeli i Gjykatës Speciale nuk shquhet për militantizëm verbal kundër UÇK-së, madje edhe Dik Marti duket të jetë më i moderuar se ky deputet fatkeq dhe i mbushur me urrejtje kundër racës që i takon! E pse mos ta zgjedhim këtë deputet edhe kryeprokuror të Gjykatës Speciale ! Ky deputet e dinë fort mirë se kjo Gjykatë do të dënojë vetëm shqiptarë , se nuk do të merret me korrupcionin dhe krimin e organizuar apo se do të merret me vrasjet e pasluftës të anëtarëve të partisë që i ka takuar , është larguar nga ajo , për t’iu rikthyer përsëri dhe se nuk do të dënojë serbë të dyshuar për krime ndaj shqiptarëve. Kjo Gjykatë nuk siguron drejtësi për të gjitha viktimat dhe nuk i trajton të gjitha viktimat si viktima sikur që as të gjithë të dyshuarit për krime nuk i trajton si të tillë! Kjo Gjykatë do ta thellojë çarjen midis shqiptarëve sikur edhe çarjen midis shqiptarëve dhe serbëve andaj , as nga aspekti i të drejtave të njeriut , të drejtës morale por as të ligjit nuk do ta arrijë efektin e projektuar .
Simboli i lirisë si viktimë e “pavarësisë“
Kontribuesi më i madh për liri dhe (ç)lirim të Kosovës , Simboli i Rezistencës, Mandela i Kosovës , Ballkanit dhe Europës dhe , për ironi, Hero i Gjallë i Kombit , në 8 vjetorin e pavarësisë së Kosovës ka mbetur krejtësisht në margjina në luftë primitive të palëve për pushtet në një shtet pa pushtet dhe përmendet vetëm kur dikujt i duhet për nevoja politike. Tmerrësisht po abuzohet me gjendjen e tij për qëllime krejt personale dhe përfituese. Janë shumë të rrallë ish shokët nga burgu dhe lufta që tregojnë interesim për te . Mos të flasim për institucione që aq shumë bënë për “ arkitektin e pavarësisë “ duke ia rehatuar krejt familjen sikur në kohën e Kim il Sungut kurse nuk bënë asgjë për përkujdesjen shëndetësore të Adem Demaçit. Çfarë shteti kemi, ashtu i trajtojmë edhe vlerat kombëtare ! Për fat të keq sot në Kosovë të jeshë antivlerë , paraqet vlerë . Prandaj Adem Demaçi nuk konsiderohet vlerë sepse nuk është antivlerë!
A po festohet dita e zisë apo dita e pavarësisë
Gjykuar sipas pankartave në kryeqytet, 17 shkurti nuk do të jetë ditë feste por ditë kur duhet të çohemi në kryengritje , kundër shtetit dhe pushtetit të shumicës që e paska kapur shtetin. A do të jetë kjo ditë si kryengritja e Matija Gubecit apo një përsëritje e parë edhe më parë , do ta shohim! Mirëpo , kjo opozitë që po thotë se është e bashkuar është aleati më i mirë i pozitës dhe garantues e jetëgjatësisë së pushtetit të tyre. Me këto veprime opozita nuk ka kapacitet ta përmbysë qeverinë dhe e ka zgjedhur rrugën njëkahore të veprimit pas së cilës e ka vështirë të gjejë zgjidhje. Përveç se të trokasë në derën e pozitës. Edhe në konfliktet më të egra të armatosura , me date dhe ditë të caktuara palët ndërluftuese lidhin armëpushim të përkohshëm dhe pa kushte. Sidomos për raste të vdekjeve të mëdha apo festave. Nuk e kuptoj opozitën pse nuk e respekton këtë rregull kur për dy shkaqet që i përmenda më lartë ka arsye për armëpushim. Nëse 17 shkurti është festë e Pavarësisë së Kosovës atëherë edhe opozita duhet të festojë aq më parë që edhe këta të opozitës e patën nënshkruar Deklaratën e Pavarësisë. Në rastin e dytë kur Kosova gjindet në gjendje të vdekjes klinike, do të ishte njerëzore që edhe opozita të bashkëndjejë me këtë gjendje sepse , së bashku me pozitën edhe ajo është kontribuese për vdekjen klinike të Kosovës sikur që nuk mund t’i ikë përgjegjësisë për këtë gjendje. A po festojmë apo do të hapim të pame pas 17 shkurtit 2016? Ta shohim!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura