PËRPARIM DEMI: GROPA E ESHTRAVE TË MIJA

Bukuresht, 12. 03. 2014 – E shkula një rrënjë të ngjisja të përpjetën e madhe kur dola nga gropa e eshtrave të hedhura ku kisha rënë rastësisht, pa dashjen time. Një monopat i ngusht, që mezi dukej, dredhonte lart dhe toka rrëshqiste në këmbët e mia të lodhura, të pamësuara të ecnin pandalur. Nuk shihja përtej idesë time të vjetër, ngulitur thellë diku në korteks, apo dhe më thellë akoma, aq sa u stampua në zgavrën e të vetmit sy që më kishte mbetur. Nuk e ktheva kokën të shihja poshtë nga grumbulli i eshtrave nga kisha dalë dhe nga… as vetë s’e di si munda të shkëputem. Nuk doja t’i joshja fantazmat e vdekjes dhe as shpirtrat e trazuara të përhumbura në atë qoshe të errët të memories time.
***
Kjo gropë nuk është një varrezë kufomash të gjalla, pasi aty trupat nuk shtrihen në rradhë apo në rreshta të ndara, që midis tyre të mund të kalonin vizitorët kuriozë, kërkues emrash të shkuar. Jo, aty nuk ekzistonte fare një hapësirë e tillë, bile nuk ekziston as dhe ndonjë regull në vendosjen e tyre, s’kishte aty prioritete dhe as hatëre. Është thjesht një depo e stërmadhe eshtrash pa emër, pa etiketa si ato që ekspozohen në raftet e supermarketeve që mbinë mbas ndërrimit të stinës tek ne, ku nga njëherë shiten etiketa pa mall dhe malli pa etiketa. Kockat dhe kafkat e skeleteve dukeshin si ato lodrat që zakonisht shiten për ditën e shënuar Halloween, ku bashkë me to importuam kohën, e cila s’kishte as datën e prodhimit apo të skadimit të saj. Lodrat e vdekjes mund t’i gjejë të përziera të vjetrat me të rejat, që u bashkuan me ato më të freskëtat që erdhën së fundi, eshtrat e së ardhmes, të cilat me siguri janë hedhur aty para se të prodhohen.
Ndoshta që këtej janë marrë një pjesë e tyre kafkave, për të mbushur bodrumet e errëta të manastrive mesjetare, ku takoheshin Iluminatët, apo janë marrë si dekor për të zbukuruar tunelet që çonin në vendin ku satanistët bënin ritualet e tyre, për të hapur portën e ferrit . Ndoshta po këtu, në këtë gropë, regjizorët zgjodhën të xhirojnë skenat e filmit “Piratët e Karaibeve”, si ajo tek shpella e fantazmave ku mallkimi i thesarit kërkonte gjakun e të parit pirat që t’u hiqej.

Ky univers, ku eshtrat lëviznin sikur të ishin gjallë, nuk ka moshë, nuk ka datëlindje. Kafkat ndërronin vend me njëra-tjetrën pa pasur ndonjë arsye të veçantë, thjeshtë lëviznin, ndoshta për inerci duke tërhequr skeletin zvarrë pas tyre. Lëviznin pa regull, pa ndonjë plan, që ta bënte të parashikueshëm pozicionin e tyre në periudhën që kaloi, apo për atë që do vijë më pas. Lëvizje kaotike, thjeshtë zhvendosje, qëllimin e së cilës ne akoma se kemi zbuluar dot.
Nga kjo gropë nuk mund të dilje nga hyje, sens unik, por s’kish rrugë tjetër, pasi nuk kishte dalje nga ana tjetër. Gropës së eshtrave nuk i dihet fundi dhe askush se kish provuar më parë ta gjente atë. Ajo s’kishte një fillim dhe as mbarim. Një gjë pa formë, tamam si një univers i fshehur në atë hapsirë pa përmasa nga duhej të dilja patjetër.
Kjo ide fikse më shtynte lart.
***
Eshtrat e reja që patën mbërritur në gropë, na prunë lajmin se lufta lart nuk kish mbaruar. Në fakt, ne e kishim humbur nocionin e kohës dhe nuk na bëri çudi ky fakt, pasi dhe për ne ajo vazhdonte, njësoj si ditën e parë. Zhurmat e saj zgjateshin që nga thellësia e shekujve, si ehoja e maleve tona të larta që nuk ishte shuar akoma. Një muzikë e përçudnuar, ku notat nuk dalloheshin qartë dhe vinin të gjitha bashkë duke u shkrirë në një të vetme dhe të gjatë.
Nga nxitimi unë harrova t’i pyesja se nga vinin, nga koha e tashme apo nga e ardhmja. Më vonë u kujtova për këtë hollësi dhe u mundova ta zgjidhja enigmën vetë, duke bërë ndoshta krahasime jo fort të përshtatëshme, që më çuan në ca përfundime, të cilat më hodhën në një kohë të pakohë dhe më futën edhe më keq thellë në mendime. Ndoshta do më duhet të kthehem ndonjë ditë që t’i pyes edhe një herë për t’u sqaruar, me siguri që nuk do e kenë harruar ndërkohë. Veç një gjë më mbajti, një dyshim më brente, se mos këto eshtra pa emër nuk thanë të vërtetën.
Ndoshta nuk ishin eshtrat e së ardhmes, por ishin një dupleks, një valë e vonuar e të shkuarës, e cila zgjodhi rrugën e gjatë dhe humbi disa shekuj ndërkohë. Kjo kishte ndodhur dhe gjetkë, në gropën fqinjë përshembull, ku u zbulua një valë eshtrash të vjetër që kishin humbur rrugën që në kohën e Herodotit. Ky lajm u përhap si bombë dhe u besua nga të gjithë, Të gjithë e morën për të vërtetë. E trumbetuan pastaj gjithëandej, shkruan enciklopedi, fjalore dhe më në fund ngritën panteonin e paqënë, sa dhe Akademia u dorëzua, kështu lajmi fqinjë u fut edhe në historikun e gropës tonë.
***
Copat e frazave që arrita të dëgjoj nga gropa fqinjë më habitën. Ata paskan një zakon të çuditshëm, eshtrat e reja kur hynin në atë gropë, ndronin kafkat me skeletin e parë që takonin, pastaj me të dytin e kështu me rradhë, tamam siç ndërrojnë futbollistët bluzat mbas ndeshjes ndërkombëtare. Kam frikë se kjo modë po hyn dhe në gropën tonë, pasi kohët e fundit pash disa skelete njeriu me kafkë miu, apo kali. Nuk i pyeta, sigurisht nuk ishte vendi për pyetje të tilla të papërshtatëshme. Ishte e drejta e tyre të zgjidhnin. Në demokraci nuk mund t’u imponosh idetë e tua të tjerëve dhe ligji u jep të drejtë, prandaj vendosa të ruaja gjakftohtësinë dhe të fiksoja fort kafkën time në vendin e saj, deri sa të gjeja momentin e arratisjes. Nuk doja të dilja lartë duke lënë kokën poshtë. Pastaj rreziku rritej akoma më tej, pasi mbas kafkës mund të ndërroje dhe kockat e tjera, femurin, brinjët një nga një dhe arrije një kombinacion kockash të paidentifikueshme si një pikturë e Picasso-s. Si përfundim e ngrita çështjen në parim, deri kur dhe ku duhej ndalur?
Problemi nuk është fare i thjeshtë, shtrohet pyetja nësë doje të ishe një skelet i personalizuar natyral, apo të transformoheshe në një mozaik eshtrash, i cili nuk ishte e thënë të përngjante me një skelet dhe aq më pak me atë fillestarin, që sapo kishte hyrë në gropën e përbashkët. Disa mendonin se kjo gjë ishte joshëse, “sexy”. Të flirtosh me kockat e tua – gjë e rrallë. Në mozaikun e kockave mund të bëje kombinime të çuditëshme. Për shëmbull mund ti vendosje kockat femrore pranë atyre mashkullore, kështu e kishe problemin e zgjidhur. Nuk kishe pse të shikoje, apo të zilepseshe nga skeletet e tjera që ndodheshin pranë. Shumë shumë mund t’u merrje ndonjë pjesë që të mungonte për të plotësuar kompozimin tënd.
***
Ideja ishte kryesore. Kush duhej të kishte përparësi ideja origjinale apo ajo e kombinuar, si me thënë mozaiku i ideve të shkëmbyera. Kjo do ligjëronte plagjiaturën dhe gropa do mbushej me idera pa autor, tamam si në dogmat e vjetra të cilat nuk dihet se kush i ka shkruar i pari. Bile dhe në rastet kur zbulohet ndonjë dokument origjinal, i cili ndryshon shumë nga kopja e tij e mëvonshme, preferohet kopja dhe origjinali fshihet në bodrumet e thella të Vatikanit. Kështu kur disa kuriozë apo keqdashës bëjnë zbulime të tilla, telashet dhe polemikat s’kanë të mbaruar. Prandaj nëse duam të kemi paqe dhe të kemi qetësi në këtë gropë të madhe të përbashkët duhet t’i vëmë një kufi memories dhe kuriozitetit të sëmurë.
Mua që herët më tërhiqnin çështjet e ekzistencializmit, shpresoj të mos e kem kapërcyer kufirin, duke hyrë në një fushë që u takon të përzgjedhurve. Por meqë në këtë rast kjo kishte të bënte direkt me kockat e mija, nuk mund t’u shmangesha disa arsyetimeve të thella që më çuan në labirintin pa dalje.
Kështu vazhdova rrugën time.
Ika nga kjo gropë, ku dhe dielli nuk guxoi ndonjëherë të hynte.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura