HAZIR MEHMETI: SHKOLLËN KOMBËTARE SHQIPTARE, LARG NGA DOGMAT FETARE

Vjenë, 29. 07. 2016: Në vorbullën e diskutimit të gjithëçkaje, tani doli dhe mësimi fetar në shkollat tona publike, të cilat kaluan faza shumë të vështira të ekzistencës, por pa u gjunjëzuar në realizimin e misionit të tyre në edukimin e arsimimin kombëtar. Presionet deri në mbylljen e tyre nuk e luhatën asnjëherë personelin mësimdhënës në përmbushjen e obligimeve ndaj nevojës së edukimit e arsimit të shëndoshë kombëtar e njerëzor. Ky përcaktim ishte Top e Tank në Luftën për liri për të cilën sakrifikuan gjenerata shekujve. Ata u “bënë qirinj që të ndritin e ne të shohim më mirë mirësinë, njerëzinë e urtësinë”.
Porosi jetësore e çdo cepi të Shqipërisë së Vërtetë, e cila u sfidua pa reshtur nga armiqtë dhe dogmat e lansuara prej tyre se “parajsë nuk ka për mëkatarët” shqiptarë të vërtetë të cilët qenë fuqishëm larg ndasive që ofron dogma fetare. Tani në anarkinë e gjithanshme që ka kapluar vendin si rezultat i dobësive në bërjen e shtetit ligjor e funksional ngritën krye fantazma antikombëtare që shkuan aq larg në fyerje kombëtare duke kontestuar e fyer figurat madhore kombëtare Gjergj Kastrioti Skënderbeu e Gonxhe Bojaxhiun-Nëna Tereze.
Dhe, ku? Në Parlamentin e Kosovës. Ata jo që nuk u ndëshkuan, por mbetën aktiv falë TV private e publike në helmimin e qytetarit të thjeshtë pa turp e frikë. Ajo urrejtje e sëmurë në emër të religjionit që u mboll deri tani në “Liri” po korret me lot e vaj, kjo që tani po mbillet do korret jo larg.

Veçan është e rrezikshme dhe e papranueshme predikimi fetar në shkollat publike kur dihet përcaktimi i shkollës shqiptare për një arsimim e educate, e cila synon vlera krahas kombeve tjera të përparuara evropiane. Këtë po e kërkon një pjesë e klerit fetar në emër të demokracisë e të lirisë fetare, duke u thirrur gabimisht e qëllimkeq gjoja se komunizmi e paska ndaluar. Shumë më e rrezikshme është shtrimi i tyre për diskutim nga elementet radikale islame fashist duke shpreh hapur synimet për nesër në Mediat e Lekut e jo kombëtare.
Intelektualët e vëmendshëm, veçan mësimdhënësit në të gjitha nivelet, ishin e janë në vijën trasuar nga iluministët, e rilindësit tanë të mëdhenj, në mbajtjen e shkollës në këtë linjë, si detyrim kombëtar e ligjor. Mjerisht në rrethanat më shumë anarkike, një pjesë e mësimdhënësve kanë rënë pre e frymëve dogmatike fetare që nuk kanë të bëjnë fare me shkollën laike shqiptare. Këtu do duhej të vepron ligji i shtetit ligjor që mjerisht mungon.
Duke qenë pjesë e udhëtimeve studiuese (Studiereise) me grupin e mësuesve austriakë në shumë vende evropiane, në shkëmbim përvojash mësimore e hulumtuese, lidhur me nivelin e shkollave fillore në disa shtete mësuam mbi rrjedhat mësimit në shumë vende si: Kroaci, Hungari, Turqi, Finlanë Itali, Austri, Shqipëri, Kosovë etj. Mes tjerash mjaftë domethënëse, ishte qëndrimi rreth religjionit në shkollat turke ku mësimi fetar dhe ritet fetare janë të ndaluara me ligj ashtu siç është edhe bartja e shamisë në shkollë, kur dihet se vetë Turqia ishte vendi që solli religjionin në shumë vende që i pushtoi dhe në trevat shqiptare.
Gjatë vizitës njëjavore të shkollave të Stambollit dhe fshatrave përreth, asnjëherë nuk u diskutua çështja fetare apo nacionale. Derisa ne nga Austria informonim rreth mësimit të gjuhëve amtare, mësuesit turq nuk e dëshironin këtë temë fare. Sipas sistemit ataturk të ndërtimit të shkollës turke ekzistonte vetëm turqishtja dhe turqit. Me ardhjen në pushtet të partisë së Erdoganit, vërehet se shumë gjera kanë rrëshqitur në drejtimin e ekstremit fetar, e cila po preket në shoqëri edhe në shkolla. Kjo frymë e re me elemente absolutiste, ekstreme fetare u kundërshtua me protesta të fuqishme nga qytetarët turq si regres në kundërshtim me përcaktimin e deritanishëm të tipit laik të shkollës.
Në Austri dhe në shumë vende evropiane është i lejuar mësimi fetar, por jo nga mësuesit e “huaj” jashtë përcaktimeve kurrikulare të caktuara nga Sistemi i Mësimit dhe Ministria e Mësimit. Plani dhe programi janë në përputhje me përcaktimet e shëndosha edukative e arsimore. Në shkolla nuk predikohet në formën “klasike”, por mësohet mbi bazat fetare. Prindërit duhet të deklarohen rreth mësimit fetar në fillim të vitit shkollor. Niveli dhe standardet demokratike të funksionimit të sistemit paruniversitar në Austri dhe vende tjera evropiane i lartë, ku prindi është faktor kyç, e mundëson koordinimin në mbarëvajtje.
Shkollës kombëtare shqiptare nuk i duhet mësimi fetar kur dihet përcaktimi laik i saj. Reformimi i Shkollës Shqiptare gjithandej trevave etnike do duhej të forcohet në substancë dhe formë tërësisht mbi bazat laike e humane, obligime këto që dalin nga Kushtetuta e Rilindësve tanë “Feja e Shqiptarit është shqiptaria”. Lojërat e kurdisura nga absolutizmi, jo toleranca deri në fashizëm nga rrymat e ardhura përmes “imamëve” isisianë do marrin kundërshtimin adekuat nga personeli mësimor, intelektualët dhe institucionet shqiptare në çdo cep të atdheut. Kjo u vërtetua dhe në të kaluarën, veçan para e gjatë themelimit të alfabetit në Kongresin e Manastirit. Gënjehen ekstremistet se do vazhdon heshtja, se do vazhdon anarkia ku ata lulëzuan për shumë kohë. Tani është koha e ndërgjegjësimit kombëtar ndaj rreziqeve kërcënuese të religjioneve që sollën pushtuesit. Ne jemi këtu shekujve, ata do shporrën bashkë me dogmat e zakonet e tyre. Shkolla kombëtare do jeton e pastër nga predikimet sektare, religjioze e antikombëtare. Kjo është porosi brezash shekujve që nga Pellazgët-Ilirët e mishëruar fuqishëm nga Rilindësit tanë në themelet e kombit.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura