BESIM CENGU: RRJEDHË MENDIMI… NË AUTOBUZIN URBAN!

Tiranë, 30 prill 2018: (Meditim përballë një vajze të panjohur)
Përballë ishte ulur një vajzë e bukur. Nuri i saj shkonte shumë me atë paradite të freskët pranvere. Portret i çelët si lule. Një nënqeshje e ëmbël i shetiste nëpër fytyrë. Seç mendonte, vetëm ajo e dinte. Autobuzi i linjës hipi mbi urë dhe mori në drejtim të qendrës së qytetit. Me kujdes hodha në drejtim të vajzës një vështrim për ta kundruar më mirë. Nuk e di se pse më ftoi kjo ide. Vështrimi sikur e shpoi portretin e saj dhe depërtoi përtej dritares duke u përplasë me katër minaret e xhamisë së re që therin qiellin e kaltër të Tiranës. Ku më takoi ky këndshikimi i çuditshëm! E harrova vajzën përballë. Harrova nurin e çelët dhe nënqëshjen e ëmbël që lodronte në fytyrën e saj.

Harrova qenien e brishtë përballë me atë bukurinë enigmatike dhe vura re për herë të parë shumë açik se madhështia e këtij institucioni religjioz në mes të qytetit kishte zbehur shtëpitë dhe institucionet përreth. Madje i kishte fundosur ato duke ndërtuar raporte të reja në konceptin arkitektonik, por edhe psikologjik. Për më tepër m’u duk se kjo “hegjemoni e imponuar” ka dëmtuar autoritetin e institucioneve që ka afër. Sikur i ka bërë më të pavlera. Më keq e ka pësuar nga kjo madhështi Shtëpia e Popullit që duket hiqgjë para madhështisë krenare të Shtëpisë së Zotit.

Mezi po presim të marrin fund punimet e të vihet në funksion. I madh e i vogël tek ajo Ditë e Madhe e ka mendjen. Eh, sa shpirtra do të qetësohen, sa mekate do të lahen. Nuk do ta hamë më thatë. Njerëzit do të jenë të lumtur. Do të gëlojë oborri dhe mjediset e xhamisë brenda dhe jashtë nga mizëria e njerëzve që vrapojnë për pastrimin e shpirtrave të tyre prej mëkateve. Hareja do të mbretërojë ngado dhe lumturia do të burojë si krua nga shpirti i tyre. Grindje nuk do të ketë kurrë më. Deputetët vetëm do të puthen, ndërsa në vend të shiut nga qielli do të rrjedhë flori. Politikanët do të shndërrohen në dele të perendisë, kurse oligarkët do të bëhen filantropë. Në sheshin e ri ata do të hedhin monedhat drejt qiellit që pastaj të bien në tokë si gjethe pemësh në vjeshtë… Njerëzit do të shkelin mbi to pa i vënë re.
Lum si ne…
Gjatë këtij meditimi gjysëmëndërrues sytë më kishin mbetë të ngulur si të isha një sonambul përtej dritares. As qepallat nuk i kisha mbyllur për shumë minuta. Më digjnin sytë. U përmenda dhe menjëherë hodha shikimin për të parë vajzën përballë. Thashë të vijoj kundrimin mbi portretin e saj të çelët. Por ajo kishte zbritur në stacionin përtej. Nuk ishte më aty. Kishte ikur me të gjithë të fshehtat e misteret që mbartte brenda botës së vet. Ndoshta ka shkuar për të pastruar edhe më shpirtin e saj. U ndjeva keq tek mendoja se nuk do ta shihja kurrë më. Zbrita edhe unë te stacioni në qendër. Rrugës për te stacioni tjetër shoh kryqin e kishës ortodokse. Ç’është ky rivalitet m’u në zemrën e qytetit!? Kthej kokën për të parë nga institucioni hijerëndë. Minaret vazhdonin të thernin qiellin…

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura