PËRPARIM DEMI: PATOLOGJIA E URREJTJES!

Bukuresht, 27. 03. 2014 – Do ndalem në të kaluarën më gjatë, për të kuptuar më mirë të tashmen dhe për të parë më qartë të ardhmen – perspektivën tonë. Mjedisi në shoqërinë shqiptare, i krahasuar me shoqëri të tjera të vëndeve të zhvilluara, në përgjithësi mund të konsiderohet si më agresivi për individin e shkolluar. Nuk kam asnjë dëshirë apo tendencë me ulë popullin tim dhe as të bëj ndonjë klasifikim në këtë drejtim. Këtë zbulim e kam bërë vonë pasi u largova nga vëndi im dhe vura re:
– se flisja me zë më të lartë se ata që më rethonin, sa bija në sy,
– se isha më refraktar ndaj tyre,
– se e kisha të vështirë të përdorja shprehjet e politesës,
– se afrimiteti i të huajve më shqetësonte, më bënte më të ndruajtur, duke e interpretuar si një sjellje të dyshimtë.

Pra pata plot shënja të tjera, që në pamje të parë duken vogëlsira, por që me kohë mu desh të mendohesha më thellë dhe sqaroja me veten time se çfarë po ndodhte me mua. Megjithëse e konsideroja veten një njëri të qetë dhe pa paragjykime, në kushtet e reja të krijuara konstatova se nuk ishte tamam ashtu, se diçka më dallonte dhe kjo gjë filloi të më shqetësonte gjithnjë e më tepër.

Në Shqipëri, kur ecja rrugës, fytyrat e njerëzve më dukeshin të zymta, shumë serioze, mungonte buzqeshja normale e njëriut të relaksuar. Ne ishim mësuar me ato fytyra pa shprehje që na kalonin pranë dhe nuk na bënte përshtypje kjo anomali, e cila një të huaji i binte menjëherë në sy sapo zbriste nga avioni në Rinas. Një specialist suedez, të cilin e shoqërova për pak kohë dikur, më pyeti: çfarë kanë puntorët me mua që më shohin vëngër. I thashë diçka për të kapërcyer momentin, se ata nuk kanë kontakt me të huajt dhe janë kuriozë. Në fakt nuk isha i sigurt në shpjegimin tim. Më vonë pyetja e tij më ngeli në mëndje dhe fillova ti shoh njerëzit më me kujdes me këtë sy. Kishte të drejtë ai, ne ishim mjaft të ngrysur dhe vështrimet tona kalimtare nuk ofronin aspak miqësi, nuk ishin aspak dashamirëse me të panjohurit, dukej sikur ishim të zëmëruar me ta për diçka që se dinim akoma.
Kur ishim fëmijë qeshnim gjithë ditën. Më vonë kur u rritëm ca, më të rriturit na bënin vërejtje – ç’ke që zgërdhihesh ashtu… – na thoshin, kur ne u buzqeshnim pa dashur. Atëhere ndjehesha ngusht, bllokohesha dhe mundohesha të rrija dhe unë serioz “siç e kërkonte vëndi”. Ky ushtrim serioziteti fillimisht ishte i sforcuar për mua, por me kohë u mësova me të, u bë gjëndje normale. Me kohë kuptova se për të “mbijetuar” në rrethin shoqëror të asaj kohe, duhej të paraqitesha më i prer, më i rreptë, më arrogant dhe më pak i sjellshëm me njerëzit. Në punë pata një koleg, i cili rridhte nga një familje intelektuale shumë e edukuar nga Peqini, i cili u drejtohej puntorëve me “ju lutem”. E morrën nëpër këmbë të shkretin, deri sa e detyruan të mësonte të shante dhe të ofendonte banal si gjithë të tjerët. Aty kultura nuk hynte në punë, ose më mirë të them se sjelljen e kulturuar nuk e përmbante vëndi i punës. Çdo gjë realizohej nëpërmjet dhunës verbale dhe kërcënimeve. Imagjinoni, antaria e Byros Politike, Lenka Çuko, një ditë në mbledhjen e Komitetit të Partisë së Lushnjës i tha sekretarit të rrethit që po fliste: …unë ti heq brekët nga sipër, e morre vesh moree apo jo…
Urrejtja, kjo ndjenjë hakmarrëse shpesh është konsideruar si një reaksion justifikues “i drejtë”, si një paragjykim në rastin e një situate të krijuar nga njerëzit ose mjedisi që na rrethonte. Nuk e di nëse kam filluar të urrej atë regjim diktature si pasoj e një reaksioni. Duke i bërë analizën asaj periudhe të jetës time, i distancuar tashmë, kam gjetur dhe mjaft gjëra të tjera të cilat ma kanë stimuluar dhe ma kanë përforcuar atë. Disa nga këto ishin padrejtësia, hipokrizia, imoraliteti, paaftësia e stimuluar, dhe më tej kur hyra në analizën e sistemit, kuptova manipulimin e madh ideollogjik, prepotencën e kastës sunduese, shfrytëzimin e paskrupullt të një populli të varfër. Po ti shtoj kësaj dhe dështimin ekonomik si pasoj e injorancës në pushtet, besoj se gjeta argumenta të mjaftueshme për të mos e dashur atë regjim diktatorial despotik. Tek unë ndodhi një fenomen i tillë – pakënaqësia u grumbullua për një periudhë të gjatë, pastaj u transformua gradualisht në urrejtje dhe në një papajtueshmëri të hapur ndaj regjimit dhe protagonstëve të tij. Si mund të pranoja luftën e klasave, në emër të së cilës mu persekutua gjysma e fisit. Njerëz të dashur, të edukuar, luftëtarë të UNÇ, që dhanë gjithshka për rindërtimin e vëndit pas luftës, brënda ditës u konsideruan armiq të popullit. Në atë regjim veprohej përherë në “emër të popullit” dhe pikërisht populli vuante keq e më keq.
Ne shqiptarët, të dalë nga patriarkalizmi feudal mjaft i ashpër dhe restriktiv përsa i përket individit dhe të drejtave të tij, pas lufte ramë në një regjim edhe më të ashpër, krijuam një shoqëri të orientuar drejt luftës së klasave. E vërteta qëndron në faktin se me klasat shoqëria jonë (partia) mbaroi punë shpejt. Brënda viteve 45-50, u deklasuan të gjithë, nuk mbeti këmbë feudali, kapitalisti apo tregtari në Shqipëri. Në shoqërinë tonë kishim shumë fshatarë, më tej krijuam shtresën fshataro-puntore dhe pak rogëtarë të shkolluar. Mbi ta sundonte kasta e partisë me yzmeqarët e saj si sigurimi, ushtria, policia dhe administrata shtetërore. Pra në këtë mjedis të unifikuar shoqëror ne zhvillonim luftën e klasave dhe shpallnim publikisht urrejtjen ndaj armiqve të partis dhe të popullit, të cilët i kërkonim me qiri në gjirin e tonë. Na thonin se armiqtë fshiheshin kudo, bile dhe në vetë partinë që e drejtonte vëndin tonë dhe ne duhej të dyshonim për këdo, ti përgjonim dhe ti denonconim ata. U bëmë një popull i specializuar për gjueti armiqsh. Kemi patur raste ekstreme kur denonconte vëllai vëllanë, gruaja burrin, shoku shokun e kështu me rradhë. Një gjueti shtrigash që e kapërceu përmasat biblike dhe ushqeu një popull të tërë me urrejtje të thellë ndaj vetes së tij. Perversiteti, paftyrsia, kodoshllëku, servilizmi u vlersuan dhe u ngritën në art, u bënë kritere seleksionimi për karierë. Këto zëvëndësuan kulturën, vlerën, kapacitetin, intelegjencën, ndershmërinë, pasionin dhe talentin etj. Meritokracia dhe vlersimi i saj u përmbysën në të kundërtën e tyre. Vlerat njerzore u shndruan në burim dhe motiv urrejtjeje. Sinqeriteti u konsiderua naivitet dhe budallallëk vetvrasës. Në atë regjim pushtetin e morri gënjeshtra dhe mashtrimi, maskarallëku politik. Sundoi injoranca, banaliteti, vrazhdësia, poshtërsia njerzore. Viktimat zgjidheshin mbi bazën e supozimeve, dyshimeve, interesave meskine, shpifjeve, të cilat prodhonin një literaturë të pasur, duke mbushur arkivat e sigurimit dhe të zyrave të kuadrit. Pastaj “urrejtja e popullit” i godiste fatkeqët e përzgjedhur si armiq me tërë forcën e saj. Rasti i fundit që më kujtohet ishte poeti i shkret, Havzi Nela, që u var në qëndër të Kukësit në 11 gusht 1988. Kuptohet se meritat e kësaj beteje 45 vjeçare i morri të gjitha partia me “udhëheqësin e saj të lavdishëm”. Nostalgjikët thonë se shyqyr që e kishim merhumin, se me aq “armiq” sa paskeshim patur në gjirin tonë do na merrte lumi të gjithëve. Çfarë fati patëm ëëë ?
Në fakt dihet se urrejtja zhvillohet atëhere kur sundon frika, kur kjo pushton mëndjen njerëzore dhe më tej transformohet në paranojë. Në këtë drejtim, vëndi ynë zuri vëndin e merituar, u konsiderua si vëndi më i frikshëm në Europë, i cili kultivoi një shoqëri të sëmurë, ku ndodhnin gjëra të paimagjinueshme për popujt e tjerë. Mund të bëhet krahasim i asaj shoqërie vetëm me atë që po ndodh sot në Korenë e veriut. Frika na shoqëronte ngado, në punë, në shkollë dhe në familje. Njerzit qeshnin dhe qanin nga frika. Shpesh takoje individë, të cilët kishin frikë të mendonin, pa le pastaj të flisnin. Njerëzit duartrokisnin nga frika. Në mënyrë të veçantë më mbetet e pashlyeshme në memorje momenti kur vdiq Enveri. Vargu i gjatë i njerëzve të mobilizuar nëpër qëndrat e punës me listë, ku shumica qanin nga frika se mos akuzoheshin që u gëzuan nga ajo vdekje. Histeria kolektive në ato ditë arriti kulmin e vet.

Po lej ta lëmë kontekstin politik të asaj periudhe, në përgjithësi urrejtja është një ndjenjë përbuzjeje shumë e madhe, ndaj një personi ose diçkaje, për të cilin ndjejmë neveri dhe hakmarrje. Ajo ushqehet nga egoizmi, zilia, xhelozia, paaftësia, gjëra që kanë egzistuar, janë dhe do jenë, nëse vazhdojmë të edukojmë veten dhe brezat e ardhëshëm në të njëjtën mënyrë siç kemi bërë deri më sot. Urrejtja është e lindur dhe e përcjellë nga shumë epoka, shpesh është konsideruar si një reagim i tmerrshëm, shkatarrues dhe si një suprimim i “justifikuar” i lirisë individuale dhe jetës së njeriut. Po ti shtojmë kësaj mjedisin shqiptar të përshkruar më sipër, ku u kultivua frika-urrejtja individuale dhe kolektive, e cila u bë ndjenja sunduese dhe e vetmja shtyllë që mbajti në këmbë atë regjim terrori për dekada të tëra.
Pamjet e vaporëve të mbingarkuar me njerëz në portin e Durrësit, në ditët e eksodit historik të vitit 1991, do mbetet si një dëshmi e aratisjes së një populli të tërë nga frika. Njerëzit të pamësuar të shpreheshin lirshëm, deklaronin thatë se kishin vuajtur dhe se nuk kishin me se të jetonin, por nuk ishin në gjëndje të shpjegonin se çfarë ndjenin në të vërtet, nga se largoheshin, sa të ndrydhur kishin qënë, sa shumë urrejtje linin pas. Këto gjëra i mësuan më vonë kur panë një botë tjetër, ku njerëzit punonin dhe jetonin pa komplekse. Ku dashuria nuk dënohej, përkundrazi promovohej, ku mund të mendoje dhe të flisje lirshëm dhe askush nuk të spiunonte për to, ku vlersohej kultura dhe vlerat njerzore, ku inisiativa përkrahej dhe pasuria nuk ishte faj, ku njerëzit të buzqeshnin, ku përkrahja të vinte nga njerëz të panjohur, të cilët kishin nevojë për talentin apo aftësitë e tua. Ku puna paguhej sipas cilësisë dhe servilizmi nuk pinte ujë, ku mund të bëje karierë në një periudhë të shkurtër dhe të arrije në majë nëse kishe pregatitjen dhe vullnetin e mirë që të shtynte të dalloheshe, ku talenti dhe suksesi shpëblehej, gjëra këto të cilat as i kishim ëndëruar më parë. Pikërisht kur rramë në kontakt me këtë mjedis të panjohur më parë nga ne, vetëm atëhere kuptuam se çfarë na mungoi dhe çfarë dëshironim, vetëm atëhere kuptuam se çfarë urrenim më tepër me të vërtet. E kaluara jonë e hidhur u transformua në një robë të vjetër, që shumica e hodhën apo e fshehën mos tua shihnin të huajt.
Një pjesë nga frika e rikthimit të mundshëm iu nënshtruan asimilimit të sforcuar vullnetarisht, të tjerë u munduan të adaptohen pa mohuar të vërtetën e hidhur. Një pjesë tjetër vazhduan të ushqejnë urrejtjen e tyre për gjithshka si formë hakmarrje ndaj fatkeqsive të tyre, duke bërë fajtorë të tjerët dhe duke prodhuar me imagjinatën dhe paranojën e trashëguar nga periudha e diktaturës armiq të rinj në kushtet e reja. Këta e transferuan luftën e klasave në veten e tyre, në mëndjen e tyre, pasi askush s’kishte kohë dhe mëndje të merrej me ta. Kjo vërehet dhe dallohet qartë sot në shtypin elektronik apo portalet e shoqërizimit (FB, Twinter etj.), ku shpesh lexojmë në gjuhën shqipe shkrime dhe komente tendencioze të mbushura me fyerje dhe akuza të paqëna, ku e kaluara jonë bëhet shpesh prezente, si një ringjallje virtuale do e quaja unë, duke na kujtuar se urrejtja jonë nuk është shuar dhe vazhdon të na helmojë, duke na ngarkuar me energji negative të afta akoma për të na mposhtur shpirtërisht dhe fizikisht. Çlirimi jonë nga e kaluara po ndodh ngadalë dhe nga njëherë në situata apo vënde të veçanta ndalon, për të na bllokuar në atë rreth vicioz të mbushur me urrejtje patologjike, nga e cila s’kemi fituar dot imunitet akoma. Media shqiptare akoma se ka haruar gjuhën e urrejtjes, përkundrazi e ushqen atë përditë. Gërmon në të kaluarën ti zbulojë rrënjët, për ta ripërtërirë dhe lexuesit e etur kërkojnë dhe gjejnë veten në to. Të ushqyer që në vegjëli, gjejnë aty gjuhën me të cilën janë rritur. Askush nuk bën përpjekje ta harojë, apo ta zëvëndësojë me gjuhën e mirkuptimit, atë të afrimit, të dashamirsisë në emër të perspektivës së përbashkët.

Ata që nuk mundën të largoheshin filluan të urrejnë vetveten dhe popullin e tyre. Ndjenja e inferioritetit mbizotëroi duke u shoqëruar me idealizimin e të huajve, me të cilët nuk ndjeheshin të barabartë. U krijua një teren i favorshëm që i hapte rrugën çdo mashtruesi të huaj, i cili nuhati shpejt këtë teritor të virgjër pjellor, ku mund të nxirrte shpejt fitime të majme pa u lodhur shumë. Zyrtarët e paaftë të predispozuar për tu koruptuar vullnetarisht, i favorizonin hapur për dy para, duke i ndihmuar të shtrydhnin punën e fukarenjve shqiptarë dhe të grabisnin pasuritë e vëndit. Strukturat e shoqërisë u shëmbën, ranë për tu rikrijuar përsëri mbi të njëjtën bazë, por me konfigurim të ri. Ideollogjia ndroi gjuhën por jo dhe brendinë, pasi lakmia për pushtet instiktivisht u mësoi se pa diktaturë nuk mund të mbijetonin, vetëm se duhej ngjyrosur pak, duhej të zbukurohej që ti përshtatej gustos perëndimore “Buono per Albania”. Slloganet u zëvëndësuan, por në thelb përfaqsonin të njëjtën gjë. Të gjithë flisnin në emër të popullit dhe për popullin e trishtuar, duke menduar vetëm për vehten e tyre. Nismëtarët e rendit të ri kuptuan se sa kollaj ishte të manipuloje një popull të varfër të ngopur me urrejtje të vjetër dhe të re. Ata e ushqyen urrejtjen që prodhonte votat negative në favorin e tyre, e përdorën si argument dhe hakmarrjen e kthyen në objektiv politik. Kështu seancat parlamentare rezatojnë dhe sot urrejtjen e konsoliduar në klasën politike tribale, e cila përdor shprehjet banale, fyerjet dhe zhargonin e ulët, duke demostruar dhe shfryrë hakmarrjen e tyre në luftën për pushtet.
Sa keq! Përsëri sundoi injoranca, banaliteti, vrazhdësia, poshtërsia njerzore. Në emër të pragmatizmit egoist u mbollën idetë e kundërshtis pa kufi dhe u përdorën me sukses instrumentet e vjetra si xhelozia, smira, padrejtësia, hipokrizia, imoraliteti, paaftësia e stimuluar etj. Sot personazhet publike duken sikur kanë dalë prej tabllove të Gojas. Ndërmjet tyre nuk është vështirë të dallosh Makbethin, Gopsekun, Sakarin, Çiçikovin, Guiplenin, Obllomovin dhe Idiotin. Shoqëria shqiptare u shtresëzua, dhe ngjan me një godinë ku shumica mbeti në bodrum dhe pakica hypi në papafingo. Katet e mesit bosh kanë mbetur, janë akoma të papopulluara pasi qiraxhinjtë e tyre mërguan jashtë. Presioni i urrejtjes nga bodrumet e errëta dhe të ngjeshura të kësaj shoqërie, shkarkohet jashtligjshëm nëpërmjet krimit shtetëror, duke mbjell viktima anësore nëpër labirintet e hapura nga urithat e rilindur. Rrjetat e merimangave politike po na mbajnë të bllokuar për të mos arritur kurrë bashkimin e premtuar dikur.
Sa shumë na mungon harmonia? Sa pak stimulojmë mirkuptimin, bashkëveprimin, për tu ngritur dhe për të dalë nga moçali, nga gropa e hapur dikur, e cila vazhdon të thellohet dhe ne akoma nuk e dimë se kur do ndalet kjo vetgroposje kombëtare.
Unë urrejtjen time e lash atje në kohën e saj, pasi vendosa të jetoj pak më gjatë nga ç’e kisha parashikuar. Nuk dua që mbi varrin tim të shkruhet shprehja e Abraham Lincoln’it, thënë dikur: … vdiq në moshën 25 vjeç dhe u varros në moshën 75 vjeç.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura