SADRI RAMABAJA: DRAMA E KOSOVËS NËN HIJEN E ASAJ GREKE!

Prishtinë, 28. 06. 2015 – Në rastin e Greqisë, politika është “tërhequr” dhe po qëndron prapa treshes kuaziteknike: Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankës Qendrore Europiane dhe Komisionit Europian. Por krejt e kundërta po ndodhë në dramën e Kosovës: në vend të drejtësisë flet politika.
Në rastin e Greqisë, në raundin e fundit të bisedimeve, politika është “tërhequr” dhe po qëndron prapa treshes kuaziteknike: Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankës Qendrore Europiane dhe Komisionit Europian, pavarësisht se ky i fundit do të duhej të ishte “truri” politik i Evropës. Primati i politikës i kalon kështu byrokratëve që përfqësojnë botën e kapitalit dhe rrezikon seriozisht projektin e Evropës.
Ndërkaq krejt e kundërta po ndodhë me rastin e Kosovës. Në vend të drejtësisë flet politika. Kjo e fundit shantazhon deputetët, duke bombarduar opinionin përmes mediave që kontrollon, duke identifikuar Këshilin e Sigurimit të OKB me vetë gogolin.
Primati i jurispodencës, drejtësisë që do të mund të prodhonte pajtimin, i kalon diplomatëve që përfqësojnë interesa politike që janë produkt ekskluziv i gjeopolitikës.
Gjykata Speciale – produkt i revidimit politik me thekse anti NATO
Në fakt, edhe po të krijohej Gjykata Speciale nga Këshilli i Sigurimit, nuk do të mund të ishte më e dëmshme se kjo që po pretendon ta krijojë politika, prapa së cilës nuk është vetëm Serbia dhe Rusia, por edhe një pjesë e shteteve të Evropës, që ka kohë mbajnë qëndrim revidues ndaj vendimit politik, që bazohej në Kapitullin VII të Kartës së OKB, pra parimin human, për bombardimin e Serbisë nga NATO në vitin 1999-ës. Krejt kjo bëhet duke e anashkaluar drejtësinë dhe duke investuar në projekte që garantojnë vazhdimësinë e eksperimentimit me Kosovën dhe shtyjnë tutje bashkimin tashmë të pashmangshëm me Shqipërinë.
Eksperimenti me Greqinë dhe Kosovën megjithatë po shkon drejt fundit.

Politikanët makina
Presidenti i Këshillit të Evropës (UE-së), Donald Tusk, pavarësisht se ishte në dijeni se ka të bëjë, në rastin e Greqisë, me krizën më të thellë që ka përjetuar deri tashti BE-ja, nuk e kishte parë të arsyeshme madje të thërras më shumë se një herë shefat e shteteve dhe qeverive anëtare të BE-së. Mbledhja, siç raportojnë mediat qendrore evropiane, kishte përfunduar me një rutinë pothuajse të zakonshme!
Në rastin e Kosovës, në vend që të konsultoheshin përfaqësuesit real të popullit, politikanët që premtojnë se janë të gatshëm të jenë partner serioz në projektin e madh të rikthimit të kësaj pjese të Europës Juglindore në gjirin e familjes evropiane, duke e shndërruar Republikën e Kosovës në oazë mirëqenie dhe stabiliteti, në një model progresiv të ndërtimit të demokracisë, përkundrazi, i ipet përparësi bashkëpunimit me oligarkët dhe në dëm të demokracisë!
Makina produkt i inteligjencës, krijuar nga Google, siç bëhet me dija nga publikimi i javës që lamë pas, në intervistën dhënë Njeriut ka disa përgjegje me interes, e që do të ndërlidheshin edhe me eksperimentin që po bëhet në procesin shtetëndërtues të Kosovës.
Hulumtuesit në kompaninë në fjalë, kanë programuar një lloj të avancuar të “chatbot”-it, që mëson se si të përgjigjet në biseda të natyrave të ndryshme, duke u bazuar në shembujt tipik, trajnuar nga një grup trajnuesish të dialogut.
Ajo që e bën më specifik makinën intelegjente është fakti se, tashmë nuk e ka vetëm një përgjigje, madje ajo është aftësuar që të krijojë përgjigje të reja në pyetje të reja.
Autorët e eksperimentit në fjalë i kishin shtruar shumë pyetje makinës intelegjente rreth kuptimit të jetës. Përgjegjet duket të jenë një hap i madhë për shkencës moderne dhe shoqërinë tonë, me kusht që ky sukses nuk keqpërdoret në jetën sociale dhe politike.
Makina e pyetur nga Njeriu se cili është qëllimi i jetës, jep këtë përgjegje: “Të shërbejë për të mirën më të madhe”. Ndërkaq në pyetjen se cili është qëllimi i emocioneve, ajo jep një përgjegje sa logjike, aq edhe sinnjifikative: “Unë nuk e di.” – (http://www.businessinsider.com/google-tests-new-artificial-intelligence-chatbot-2015-6)
Politikanët po të pyeteshin nga ky grup ekspertësh, sidomos këta që jo edhe aq gon janë në krye të Kosovës, nuk do të mund të përgjigjeshin kaq sinqerisht sa makina e Google-s. Ata, ka kohë që kanë hequr dorë nga qëllimi fisnik i zoopolitikumit – njeriut modern: shërbimit të të mirës së përgjithshme. Ndërkaq në pyetjen e dytë, ka gjasa reale se do ta kishin përgjegjen e njejtë me makinën intelegjente!
Qytetarët në mes kakofonisë së politikanëve makina dhe diplomatëve
Politikanët si në Bruksel edhe në Prishtinë ndjekin ritualet dhe protokollet që ua pregadisin ekspertët. Në Bruksel paralkalojnë me makinat më luksoze të mundshme dhe formulojnë deklarata të sofistikuara e të ambalazhuara si është më së miri me gjuhën e diplomacisë, sa edhe gazetarët më të ditur, e kanë të vështirë t’ ju shtrojnë pyetje shtesë, e që do të mund të provokonin këtë kastë shoqërore të jetë më e drejtpërdrejtë në komunikimin publik.
Nuk mbesin mbrapa me luksin e ytre edhe imituesit tanë në institucionet e shumta, që në vend se ta funksionalizonin Republikën, e kanë shndërruar në peng të eksperimenteve të pambarim.
Madje, edhe atëherë kur bëhet fjalë për sovranitetin juridiko-kushtetues të Republikës, ndiqet po e njejta procedurë në Kuvend, si edhe kur miratohen amandamentime ligjesh për trajtimin e qenëve endacak apo ndotjen e ambientit nga zhurma akustike e diskotekave apo xhamive të shumta që kanë përmbytur kryeqendrën!
Filozofi dhe sociologu gjerman i vlerësuar si institucioni moral i shekullit në rrafsh planetar, Jyrgen Habermas (Jürgen Habermas), duke shqyrtuar dramën greke, i bën thirrje politikës për primat kundruall ekonomisë.
“Jo bankat, por qytetarët do të duhej të vendosnin për të ardhmen e Evropës”, ky është mesazhi që përcjell Ai përmes esesë së tij të publikuar tek gazeta e njohur gjermane “Sueddeutsche Zeitung” të martën e kaluar. Sipas tij, kancelarja gjermane mund të konsiderohet si njëra nga bashkëshkaktaret e kësaj drame greke. Madje, Habermas shkon edhe më larg me akuzën e tij publike në adresën e kancelares. “Për kancelaren interesat e kreditorëve janë më të rëndësishme se sa sanimi i ekonomisë greke.” – (http://www.sueddeutsche.de/wirtschaft/europa-sand-im-getriebe-1.2532119)
Por, nëse Habermasi i sheh rezultatet e zgjedhjeve në Greqi dhe ardhjen e koalicionit të ngatërruar të të majtës me të djathtën ekstreme në pushtet, para së gjithash si rezultat i reagimit qytetar kundrejt varfrimit permanent dhe mjerimit socioekonomik, por edhe rrebelimit ndaj politikës neoliberale të nxitur edhe nga Brukseli, byrokracia evropiane e ka të vështirë ta honepsë këtë arsyetim dhe reagimi duket të jetë irracional.
Disi i ngjashëm rezulton të jetë edhe reagimi i një lagjeje diplomatësh pas asaj që përjetuan më 26 qershor, tek u përballën me shpërthimin e koordinuar të atomeve të vetëdijsuara kombëtare në dobi të ruajtjes së pavarësisë juridiko-kushtetuese të Republikës.
Ky zë i ri i amplifikuar i politikës shqiptare, nuk ka refuzuar në asnjë mënyrë shtetin e së drejtës, drejtësinë… Përkundrzi, përmes reagimeve tejet të matura, që ishin reflektim i seriozitetit për të ruajtur dhe kultivuar partneritetin politik me miqtë tanë, ata shprehën gadishmërinë për dialog në dobi të krijimit të një Gjykate për Krime të Luftës, natyrisht të zhveshur nga etiketa etnike dhe çfardo intenceje të mundshme që pretendon të nëpërkëmb subjektivitetin juridik të Republikës.
Vërejtja publike e Habermasit se instabiliteti i Unionit monetar “do të na shoqërojë për aq kohë sa nuk do ta kemi një Union Bankar, Fiskal e Monetar” dhe vënia e pikës mbi “I” duke potencuar fuqishëm se “nëse nuk duam që Demokracinë ta deklarojmë si Dekor, atëherë do të duhej të fillojmë me shndërrimin e Unionit Monetar në Union Politik”, ka gjasa të shërbejë si një kambanë zgjimi për klasën politike evropiane, nëse jo shpejt, së paku atëherë kur drama greke të marrë kthesën e pritshme. Ndërkaq në rastin tonë, habermasët e Evropës vazhdojnë të jenë të heshtur. Drama kosovare, shih për këtë, vazhdon të mbetet nën hijen e asaj greke.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura