PERSEKUTIMI I SHQIPTARËVE NË KOHËN E RANKOVIQIT (1948 – 1968)
Nga Sheradin Berisha
Në qershor të vitit 1948, pas acarimit të raporteve politike në mes të Beogradit dhe Moskës, Partia Komuniste e Jugosllavisë u përjashtua nga organizata e partive të shteteve komuniste ”Informbyro” dhe me këtë rast prishen marrëdhëniet e BRSS dhe aleatëve të saj, me Jugosllavinë e AVNOJ-it. Në këtë situatë Shqipëria mbajti anën e organizatës: informbyro, dhe mbetja e saj në pozitat pro – sovjetike bëri që t´i prish marrëdhëniet e “mira” që kishte me RFPJ-në nga viti 1945.
Ndonëse gjatë periudhës 1945-1948 pozita e shqiptarëve në Kosovë dhe në viset tjeta etnike ishte shumë e rëndë, prishja e marrëdhënieve Jugosllavi – Shqipëri, vetëm sa e ka nxitur edhe më shumë përkeqësimin e pozitës së tyre. Regjimi jugosllavë i drejtuar nga binomi Tito – Rankoviq, duke e shfrytëzuar këtë situatë, riaktualizoi projektet antishqiptare të Vasa Çubrilloviçit (të marsit 1937 dhe fillim nëntorit 1944) për asgjësimin, asimilimin apo shpërnguljen me dhunë të shqiptarëve nga trojet e tyre etnike.
Kjo politikë shtetërore antishqiptare që kishte nisur akoma pa përfunduar mirë lufta e dytë botërore (1944), në këtë periudhë mori përmasa të reja gjenocidale. Vetëm në vitin 1948 regjimi komunist, arrestoi dhe nxori përpara gjyqit 306 shqiptarë, të akuzuar për vepra penale kundër shtetit. (1)
Pasi që Shqipëria u përcaktua për “informbyronë”, regjimi i Tito – Rankoviqit të gjitha kuadrot shqiptare në Kosovë, që konsideroheshin si armiqë të Jugosllavisë, i cilësonte si ”informbyroistë”. OZNA-a / UDB-a famëkeqe përmes bashkëpunëtorëve të saj shqipfolës, me kohë kishte krijuar një dosje të veçantë, duke i vënë në syrin e përgjimit rreth 120 000 shqiptarë.
Një dosje të tillë UDB-a kishte hapur edhe për Xheladin Shyqyri Hanën, luftëtarin e orëve të para kundër nazifashizmit, ish-anëtarin e KNÇK-së, njërin nga bashkëautorët e hartimit të dokumenteve bazë të Konferencës së Bujanit dhe së fundi drejtor i gazetës “Rilindja”. Atdhetari Xheladin Hana, u arrestua në mënyrë sekrete, kinse po dërgohej me shërbim diku, ndërsa brenda mureve të OZN-së/UDB-së i bëhej presion që të tradhëtonte bashkëveprimtarët e tij të idealit. (2)
Mirëpo Xheladin Hana nuk u gjunjëzua për anjë moment para presioneve dhe torturave çnjerëzore të kriminelëve udbash. Meqë Xheladini i qëndroi torturave mizore, xhelatët e Tito-Rankoviqit, më 15.12.1948 ia shuan jetën mizorisht. Më 15 prill 1949 arrestohet nënkryetari i qeverisë së Maqedonisë Nexhat Agolli nga Dibra e Madhe dhe pas dy javësh (saktësisht në natën e 27-28 prillit 1949) mbytet nga torturat mizore të UDB-ës.
Ndërsa përndjkeja dhe numri i të persekutuarve shqiptarë shtohej pamëshirshëm gjithandej viseve etnike shqiptare, të mbetura padrejtësisht jashtë kufijve të Shqipërisë londineze, në maj 1949 në një ekspeditë ushtarake – policore të drejtuar nga udbashët: Çedo Topalloviç dhe Çedo Mijoviç, synohej arrestimi i Kryetarit të Frontit Popullor krahinor: Rifat Latif Berisha, nga fshati Berishë, i njohur për urtësi e qëndresë kombëtare (3) por në atë moment nuk arritën ta kapin Rifatin. (Rifat Berisha ishte njëri nga organizatorët e Konferencës së Bujanit, në të cilën u zgjodh edhe nënkryetar. Nuk u pajtua kurrë me tradhëtinë që iu bë vendimeve të Konferencës së Bujanit – që pas LDB-së Kosova t´i bashkohet Shqipërisë. Për këtë edhe Rifati u vu në shënjestër të OZN-ës / UDB-së.).
Rifat Berisha meqë nuk pranoi t´i binte në dorë regjimit gjakatar të Titos, zgjodhi qëndresën deri në vdekje. Në këtë situatë Rifatit iu bashkuan edhe bashkëluftëtarë të tjerë. Njësiti përbëhej prej gjashtë vetash krejtësisht nga djemë të familjes Berisha: vëllezërit Rifat, Mustafë e Islam Berisha, Brahim Berisha i biri i Islamit dhe Halit dhe Jahir Berisha kusherinj të parë të tyre. Ky njësitë i prirë nga Rifati, më 17 maj 1949 u gjend i rrethuar tradhtisht në fshatin Gajrak nga i zoti i shtëpisë Ismail Gajraku (ku ishte strehuar).
Në një dokument thuhet se Rifat Berisha me bashkëluftëtarët e tij “luftoi një ditë të tërë. Në orën 10 të natës, Rifati me njësitin e tij sulmuan rrethimin e trefishtë të udbashëve, por mbasi çanë dy rrethimet e parat, ra i vrarë.” Rifat Berisha gjatë kësaj beteje të përgjakshme, u vra së bashku me tre bashkëluftëtarët: Islam, Mustafë e Brahim Berishën, ndërsa Halit e Jahir Berisha, ndonëse të përgjakur, arritën të dalin nga rrethimi dhe i shpëtuan vdekjes. (4)
Në dimrin e acartë të vitit 1950 në zonën kufitare me Shqipërinë, vritet atdhetari Sabaudin Gjura nga Shipkovica e Tetovës. (5) Një fat të tillë e pësoi edhe Isuf Torozi nga Dibra e Madhe, anëtar i Komitetit të Partisë në Dibër. Torozi u arrestua nga organet e UDB-së në vitin 1949, si njeri me pikëpamje nacionaliste, dhe e pamëshirshëm udbashët e Titos e mbytën mizorisht në tortura. Në mars të vitit 1949 ishte arrestuar dhe më pas është zhdukur pa gjurmë Cenë Shyqriu nga Gjakova.
Në vitet e para pas përfundimi të luftës së dytë botërore, në Kosovë dhe në viset tjera etnike shqiptare nën pushtimin e Jugosllavisë, llogaritet se regjimi titist, ka likuiduar rreth 49.000 shqiptarë. Në Kosovë janë likuiduar në forma të ndryshme 28.400 shqiptarë; në viset shqiptare në Maqedoni 7 000 shqiptarë; në viset shqiptare në Mal të Zi 8300 shqiptarë; ndërsa 5000 shqiptarë të tjerë janë likuiduar nëpër viset tjera, si të marrë peng nga OZN-a gjegjësisht UDB-a. (6)
Në këto rrethana për t´i shpëtuar përndjekjeve, burgosjeve dhe likuidimeve fizike, shumë shqiptarë janë detyruar të shpërengulen nga trojet e tyre stërgjyshore.
Dihet mirëfilli se, vitet 1949-1966, të cilësuar si ”koha e Rankoviqit”, ishin vitet më të rënda për popullin shqiptar, në historinë e pas luftës së dytë botërore. Gjatë kësaj periudhe Lëvizja Kombëtare shqiptare ishte e organizuar në shumë forma, si: vazhdimësia e veprimtarisë së LNDSH-së nga grupe të ndryshme me emërtime tjera, “informbyroistët“, organizimi i grupimeve nga Sigurimi shqiptarë, kundërshtimi i rekuizitave “otkupit”, kundërshtimi i asimilimit të shqiptarëve në turq dhe luftimi i marrveshjes xhentelmene Tito – Qyprili 1953 për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi, luftimi në forma të ndryshme i kolektivizimit etj.
OZN-a përkatësisht UDB-a gjatë viteve 1945 – 1948 zhvilloi një luftë të pakompromis, për shkatërrimin e organizatës patriotike shqiptare “Lëvizja Nacional – Demokratike Shqiptare” (LNDSH) dhe të grupimeve tjera ilegale shqiptare. Dhe në vazhdën e kësaj fushate, ky shërbim persekutoi dhe burgosi mijëra shqiptarë edhe pas vitit 1948.
– Kështu, në fillim të vitit 1949, në gjyqin e Qarkut në Prishtinë, dënohen 9 anëtarë të LNDSH-s, si: Xhavit Gafurri (djali i patriotit të shquar Nazmi Gafurri), Ahmet Malisheva, Rexhep Kurteshi, Menduh Maksuti, Enver Shala, Mehmet Pozharani, Safie Feta, Igballe Cuni dhe Karolin Fraki.
– Po në këtë Gjykatë denohet edhe grupi i Drenicës i përbërë nga 6 anëtarë të Lëvizjes, si: Hasan Jashari-Likoci, Mehë Zeqiri, Dan Zeqiri, Qerim Rrypi, Halim Rrypi dhe Sylë Berisha. (7)
– Gjatë vitit 1950 u denuan edhe disa grupe të LNDSH-së dhe veprimtarë tjerë që e kundërshtonin aksionin e rekuizimeve “Otkupit” dhe veprimet diskriminuese ndaj shqiptarëve në çdo lëmi të jetës.
– Më 3 nëntor 1950 në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë nga Kolegji i Tupit gjykues: Arif korapi, kryetar i kolegjit dhe nga gjyqtarët porotë: Ali Abdullahu dhe Ismail Xhemaili, si dhe të procesmbajtësit Abdyl Doda, pas disa seancave gjyqësore (më 19.IX.1950, 10.X.1950, 1.XI.1950 dhe 2.XI.1950) në “emër të popullit” dënohen anëtarë të organizatës “Bashkimi Shqiptar”: Konstandin Vasilaca – Skënder Skënderi, oficer i armatës shqiptare, me 15 vjet burg të rëndë; Xhemë Latë Sadriu, me 8 vjet burg të rëndë; Hajrullah Gorani, me 6 vjet burg të rëndë; Hamdi Devolli, me 8 vjet burg të rëndë; Rashit Gorani, me 8 vjet burg të tëndë; Ramë Geca, me 3 vjet burg të rëndë ; Ymer Fazliu, me 2 vjet burg të rëndë. (8)
– Në shkurt 1950 u burgos grupi i LNDSH-s “Lidhja e Prizrenit” i formuar në gjashtëmujorin e dytë të vitit 1949. Ky proces gjyqësor mbahet në Prishtinë nën kryesimin e gjyqtarit Shukri Begiq nga Pazari i Ri. Me këtë rast denohen: Shaban Derguti dhe Mustafë Nixha me nga 20 vjet burg të rëndë, Shaban Mazreku dhe Hafez Jakupi poashtu me nga 20 vjet burg të rëndë, Bitër Dehalla, Tomë Mjeda dhe Zekë Bajraktari me nga 17 vjet burg të rëndë, Nezir Hoti me 15 vjet burg të rëndë dhe Ismet Dehiri me 3 vjet burg të rëndë.
– Në grupin e dytë të LNDSH-së ”Lidhja e Prizrenit” denohen: Arif Hoxha me 12 vjet burg të rëndë, ndërsa me nga 3 vjet burg të rëndë denohen:Zeki Ahmeti, Isuf Dellova, Islam Fisheri, Zenel Kabashi, Gjokë Spaqi, Ibrahim Gashi, Ramiz Rexhepi dhe Shahide Kabashi, Shemsedin Gashi, Rexhep Hoti, Malush Duraku, Halim Voci , Bajram Dehiri, Mustafë Derguti, Maliq Gashi e shumë të tjerë. (9)
– Në 6 muajt e parë të vitit 1950, për sabotim të mbledhjes së rekuizitave “Otkupit” dhe me akuzën si bashkëpunëtorë të Sigurimit shqiptar, në Prishtinë dhe Prizren dënohen: Rizan Bajram Xhoxhaj, nga Vërmica e Prizrenit, Sefer Tafil Elezkurtaj dhe Ibish Avdi Rizanaj nga fshati Zhur, Xhafer Selmani (Vërmicë), Hajdar Bytyqi (Piranë), Nazif Hoti (Krushë e Madhe – i ati i Mr.Ukshin Hotit), Hamit Nuredini, Sali Mehmeti, Haki Malushi, Xheladin Gashi, Vesel Gashi, Avdyl Kryeziu, Ali Kryeziu, Zenun Kryeziu, Mahmut Abazi, Isa Dina, Qamil Qollaku, Xhafer Idrizi, Afil Afezi, Enver Beluli, Gani, Avni e Naim Zajmi, Muhedin Hadri, Halit Qollaku, Bije Vokshi, Lutfi Spahiu dhe Arif Randobrava. (10)
– Po atë vit në Prishtinë burgoset dhe dënohet grupi i dytë i Drenicës i përbërë prej 11 anëtarësh të LNDSH, si: Ibrahim Tahiri, Hysen Hyseni, Sylë Mulliqi, Osman Beqiri me nga 10 vjet burg të rëndë, Smajl Ferizi dhe Milazim Hyseni me nga 7 vjet burg të rëndë, Hajredin Sadiku, Nebi Nuredini dhe Fetah Bogiqi me nga 5 vjet burg të rëndë, Rashid Obria dhe Hamit Hoda me 15 vjet burg të rëndë (ky i fundit në burg u zbulua se ishte në shërbim të UDB dhe u bojkotua plotësisht nga anëtarët e LNDSH-s).
– Asokohe u dënua edhe Hasan Rema nga Gjakova, me 17 vjet burg të rëndë (z.Rema kishte qëndruar 3 vjet i arratisur në Shqipëri dhe pastaj Sigurimi shqiptar e kapi dhe ia dorëzoi UDB-së në Kosovë!)
– Në vitin 1950 në Gjyqin e Qarkut në Pejë dënohet edhe grupi prej 9 vetash i LNDSH-s: Sylë Mehmeti i Rugovës, Sali Kelmendi i Ruhotit, Ali Fetahu i Veriqit, Bekë Tafili i Ruhotit, Ramë Bislimi i Nabërxhanit, Gani Kastrati i Pejës, Salih Hasani dhe Sylë Shala nga Peja, Fatmir Goranci i Gjakovës dhe Ramë Isufi i Lubeniqit… Këtë vit u dënuan edhe: Sami Peja, Ibrahim Berisha, Musa Gjuka, Faik Basha, Qazim e Enver Berisha e shumë të tjerë.
– Në vitin 1951 në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë u dënuan 11 anëtarë të LNDSH-s nga Mitrovica (të arrestuar në shtator 1950). Ky grup përbëhej nga: Bejtulla Sahiti nga Gushefci, Hajrullah Halili nga Doberlluka, Sinan Alija nga Broboniqi, Imer Ajeti nga Koshtova, Avdyl Haliti nga Rahova, Shefqet Kamberi nga Broboniqi, Zejnullah Mehmeti nga fshati Lip, Zejnel Shabani nga Mikushnica, Hajzer Ferizi nga Qabra, Zeqir Rashidi-Rashica nga fshati Studime dhe Bislim Fazliu nga Vidishiqi.
– Gjatë vitit 1952 në Gjyqin e Qarkut në Prishtinë dënohet grupi i tretë i LNDSH-s nga Drenica, si: Qazim Zogu, Hamdi Gruda, Bajram Dervishi, Abdullah Cakiqi, Isuf Cakiqi, Jakup Biçinca, Smajl Hoxha, Shaqir Hoxha, Idriz Obrija dhe Milazim Gradica (11).
– Në vitet 1949-1953 në Kosovë dhe në viset tjera shqiptare u dënuan më qindra vite burgim edhe shumë veprimtarë të tjerë (në grupe dhe veç e veç) si: Ramiz Osmani, Shefki Osmani, Nuhi dhe Musli Osmani, Zylfi Musliu, pastaj Hamdi Gashi, Ramadan Rexha, Raif Halimi – Cërnica, Xhemil Fluku, Mark Gashi, Ramë Sejdia, Rexhep Dajkoci, Bajram Alija, Rexhep Presheva, Ali Aliu – Presheva, Adem Elshani, Fazli Bega, Kadri Halimi (etnolog), Qamil Luzha, Rexhep Balidemaj (ushtarak nga Martinaj i Gusisë), Mulla Zekë Berdynaj, Omer Qerkezi, Rexhep Rifati, Brahim Gashi, Haxhi Sylejmani, Bajram Zuka, Xhemë Lah Gashi… e qindra të tjerë (12) dhe për të ndriçuar veprimtarinë e tyre kombëtare kërkohet një studim i veçantë.
– Po në vitin 1953 burgoset dhe (sipas aktakuzes K.nr 76/53) denohet grupi i anëtarëve të LNDSH-së nga Llapi: Sabit Kapiti-profesor i Gjimnazit në Besianë (ish-Podujevë), Ibrahim Demolli, Xhafer Meta, Nexhmi Sejdiu, Fetah Babatinca, Jusuf Humolli, Shaban Zhjeqi, Shaban Shala, Nuhi Gashi dhe Isuf Ismaili. Atdhetari Shaban Shala mbytet nga torturat e UDB-së. (13)
– Gjatë Aksionit famkeq për mbledhjen e armëve (1955/1956), në Prizren u organizua një proces gjyqësor, kundër grupit të Njazi Malokut. Në fakt Procesit të Prizrenit i parapriu një proces tjetër politik (korrik 1955) i ashtuquajtur “grupi i shehëlerëve” prej 14 vetësh, të cilët qenë akuzuar për lidhje me Komitetin Shqiptar në Romë dhe për bashkëpunim me Sigurimin shqiptarë. Në këtë proces qenë përfshirë: Sheh Myhedini, sheh Rama, sheh Hasani (i cili në rrethana enigmatike vdes), Qazim Gojani, Hysen Prushi, Din Zhubi, Bekë Haxhija, Hajredin Vuçiterna, Muhedin Miftari, Dërgut Ekremi, Sinan Dërguti, Qazim Miftari etj.
Në procesin e Prizrenit, në saje të aktakuzës së përpiluar nga prokurori Publik Radoslav Cerovçanin, të mbështetur tërësisht në montimin e “fakteve” nga UDB-a, më 12-19 korrik 1956 (në fshehtësi nga opinioni) u mbajt procesi gjyqësor në Gjykatën e Qarkut në Prizren, dhe me këtë rat u denuan: Njazi Maloku me 12 vjet burg të rëndë; Sedat Dida u dënua me 5 vjet burg të rëndë; Shani Hoxha me 4 vjet burg të rëndë; Demush Cahani me 5 vjet burg të rëndë; Ibrahim Moni me 3 vjet burg të rëndë; Rexhep Muhadri me 2 vjet burg të rëndë; Hasan Bajrami me 2 vjet burg të rëndë; Muhamet Emini me nga 2 vjet burg të rëndë dhe Sali Mehmeti (Meta) me 9 muaj burg të rëndë. (14)
– Për aktivitete patriotike, kundër regjimit titist, në vitin 1955 në Tetovë dënohet mësuesi Mehmet Gega, Muharrem Jusufi dhe Abdulla Kalishta me nga 10 vjet burgtë rëndë. Në vitin 1956 me burgime të rënda dënohen disa intelektualë tjerë nga Tetova dhe Gostivari.
– Më 1957 denohen edhe 8 anëtarë të LNDSH-së në Prishtinë: Rexhep Latif Abdullahu, Qemal Novokazi, Shemsi Perani, Rexhep Parteshi, Ibrahim Galimuna, Islam Mumxhiu, Vehbi Ruva dhe Kadër Deva. Të gjithë këta denohen me burg në kohëzgjatje prej 2-12 vjet burg të rëndë me përjashtim të Islam Mumxhiut, i cili lirohet.
– Po këtë vit burgoset dhe dënohet grupi i dytë 9 anëtarësh nga Prishtina: Nusret Novokazi, Rashid Krasniqi, Osman Krasniqi, Emina Krasniqi, Nikë Kajtazi, Ibrahim Binaku, Fehmi Henci, Neki Shehu dhe Mazllum Novokazi.
– Në vazhdën e ndjekjeve të atdhetarëve të LNDSH-së, në Shkup burgoset dhe denohet grupi 14 anëtarësh nga Tetova, Gostivari, Dibra e Ohri: Raif Malaziu, Sherafedin Agai, Adnan Agai, Abaz Dukagjini, Burhan Pasholli, Abdurrahman Taravari, Remzi Pustina, Eshref Hoxha, Naxhi Purde, Abdylaziz Taravari, Mevaip Purde, Rifat Palloshi, Hadi Imami dhe Zeqir Lisi (15).
Në vitin 1957, pas aksionit të armëve, kur u intensifikua numri i të shpërngulurve shqiptarë, Metush Krasniqi si udhëheqës i organizatës “Partia Revolucionare për Bashkimin e Tokave Shqiptare me Shtetin Amë” së bashku me veprimtarët tjerë të kësaj organizate, përmes veprimeve konkrete, shpërndarjes së trakteve dhe bisedave të drejtpërdrejta me qindra familje shqiptare, arritën të ndalojnë shpërnguljen nga trojet e tyre stërgjyshore.
Në fund të vitit 1958, UDB-a i bjen në gjurmë aktivitetit të ksëaj organizate dhe me këtë rast arrestohet Metush Krasniqi me disa bashkëveprimtarë. Pas katër muaj hetimesh, prej 1-7 mars 1959 në Gjykatën e Qarkut në Gjilan u mbajt gjykimi i 6 anëtarëve të “Partisë Revolucionare…”.
Trupin gjykues e përbënin: Ratomir Patërnogiq – kryetar, Mustafa Hoxha-gjykatës, Vehbi Mehmeti, Sejfë Sherifi e Tuna Tomiqi – anëtarë, ndërsa aktakuzën e përfaqësonte Tahir Ibrani – prokuror i Gjyqit të Qarkut në Gjilan. Në bazë të “provave” të nxjerra gjatë hetuesisë dhe akuzave të prokurorit Tahir Ibrani, më 7 mars 1959, trupi gjykues i të pestëve, në “emër të popullit” dënoi:
– Metush Krasniqin, me 18 vet burg të rëndë;
– Mark Gashin e Sejdi Kryeziun me nga 10 vjet burgim të rëndë;
– Mehmet Nuredin Dermakun me 2 vjet burg të rëndë;
– Qemajl Kallabën e Mehmet Ajetin me nga një vit e gjysmë burg të rëndë. (Aktgjykimi K.nr.19/59, 7 mars 1959) (16)
– Më 20 shkurt 1958, Gjykata e Qarkut në Pejë, me trupin gjykues Iso Omeragiq, kryetar i Gjykatës së Rrethit në Pejë, nga gjyqtarët porotë: Pavle Armush, Mirko Spasiq e Shaqir Zogaj, dhe procesmbajtëse Stojana Vukoviq, nënpunëse e kësaj gjykate, në bazë të aktakuzës KTO nr.95/57, në “emër të popullit” i denoi: Muhamed Brovinën me 12 vjet burg të rëndë, Adem Krasniqin me 7 vjet burg të rëndë, Gjon Shtufajn me 7 vjet burg të rëndë, Besnik Kocin me 9 vjet burg të rëndë dhe Hidë Dobrunën me 5 vjet burg të rëndë. (Aktgjykimi K.nr. 149/57) (17)
– Më 19 nëntor 1958 për herë të parë UDB-a e burgos atdhetarin Adem Demaçi me arsyetimin, se ka“ vepruar armiqësisht kundër rregullimit shtetëror dhe shoqëror të RFPJ-së, dhe se është angazhuar për shkëputjen e territorit të Kosovës dhe bashkimit të saj me Shqipërinë.” Aktakuza është përgatitur nga udbashët: M.Mihajlloviq, Mom(o)çillo Çanoviq, Vojisllav Mihajlloviq me dëshmitë e dëshmitarëve shqiptarë: Fahredin Gunga, Din Mehmeti, Ali Aliu, Zekereia Cana etj(18), ndërsa është realizuar nga prokurori Radovan Bullajiq dhe zëvendësprokurori Mirosllav Llazareviq. Dhe në bazë të aktakuzës PPQ nr.14/59 19.02.1959, në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë nga trupi gjykues Dragutin Kallugjeroviq dhe gjykatësit porotë: Mehmed Kalaveshi, Riza Voca dhe Qazim Bajgora., më 17 mars 1959 u mbajt procesi gjyqësor kundër Adem Demaçit, i cili sipas nenit 117 paragrafi 1 i LP dhe sipas nenit 16, paragrafi 1 i LP, në “emër të popullit” ju shqiptua denimi në kohëzgjatje prej 5 vjetësh burgim të rëndë. (19)
– Në shkurt 1959, sipas aktakuzës K.nr.29/59 të datës 19.02.1959, në Gjykatën e Qarkut në Prizren gjykohen: Aziz Spahiu, Hasan Berisha, Reshat Hadri dhe Durak Pasuli. (20)
– Në vitet 50-ta në Kosovë dhe në viset tjera etnike, vepronin edhe disa grupime ilegale politike, sipas programit të LNDSH-së, e këto ishin:
1. Vatra Kosovare Nacional-Demokratike Shqiptare” (VKNDSH);
2. Grupi Demokratik Shqipar Kosova (GDSHK);
3. Grupi Shqiptar Revolucionar i Maqedonisë (GSHRM);
4. Grupi Demokrat-Indepedent Shqiptar i Kosovës (GDISHK);
5. Grupi Veteranët e Luftës Shqiptare – Rezistenca Malësore (GVLSHRM);
6. Shoqëria Demokratike Shqiptare “IsmaIl Qemali” (SHDSH – “I.Q”);
7. Lidhja e Vardarit – Besa Demokratike Shqiptare (LV-BDSH) dhe
8. Lidhja Shqiptare e Sharrit (LSHSH) (21)
Në verën e vitit 1960 zbulohet grupi i LNDSH-së “Votra Kosovare Nacional – Demokratike Shqiptare” i drejtuar nga Shahin Voca nga Shala e Bajgorës. Kjo organizatë u themelua me 6 gusht 1952, ku aktivitetin fillimisht e zhvilloi në Gjimnazin e Mitrovicës dhe në shkollën e Stantërgut, për t´u shtri brenda një kohe në Prishtinë, Besianë (ish-Podujevë), Gjilan, Prizren, Shkup e Tetovë, Pejë, Burim (ish-Istog) etj. Brenda 8 vitesh “VK-NDSH-ja” në gjiun e vet organizoi 387 anëtarë besnik. Me rastin e zbulimit nga UDB-a arrestohen dhe dënohen 21 anëtarë, prej tyre 4 veta denohen në Gjyqin ushtarak të Zagrebit. (22)
Gjykata e Qarkut në Prishtinë dhe ajo në Prizren i dënuan “në emër të popullit” 17 anëtarë të këtij grupi si: Ragip Sadikun, Bajram Gashin, Hasan Rexhën, Bislim Fazliun, Muharrem Hysenin, Luz Pacollin, Nuhi Pretenin, Bilall Ramën, Hilmi Badallajn, Ali Isufin, Rraman Jasharin, Ramë Dibranin, Niman Shalën, Sinan Sinanin, Musli Rexhepin, Ibrahim Metajn dhe Niman Kajtazin. Ndërkaq në Zagreb më 25. 02. 1961 në bazë të Aktgjykimit nr.IK 21/60, gjyqi ushtarak i denon: Emin Fazliun me 8 vjet burg të rëndë, Baki Dullovin me 2 vjet e 6 muaj, Mehmet Trepçën me 2 vjet dhe Hilmi Ajvazin me 9 muaj burg të rëndë. (23)
Në vazhdimësinë e organizimeve politike ilegale dhe të qëndresës shqiptare përgjithësisht, në fillim të viteve të 60-ta u organizuan tre intelektualë të asaj kohe: Kadri Halimi, Ali Aliu dhe Ramadan Hoxha, të cilët në vitin 1952 dhe 1954 veç kishin përjetuar vuajtjet në Goli Otok dhe në kazamatet tjera jugosllave. Këta tre atdhetarë duke e ndjerë në shpirt përditshmërinë e vuajtjeve që i bëheshin shqitparëve jashtë kufijve të Shqipërisë londineze, nuk deshën të rrinin duarkryq, kështuqë në maj të vitit 1960, pas një sërë takimesh vendosën ta themelojnë një organizatë ilegale, të cilën pas shtrirjes në terren, përkohësisht (deri në mbajtjen e Konferencës së Përgjithshme) e quajtën – “Komiteti Revolucionar për Bashkimin e Tojeve Shqiptare në Jugosllavi me Shqipërinë” (KRBTSHJSH) (24)
Kjo organizatë pas konsolidimit të radhëve të saj dhe përgatitjeve për aksione të ndryshme në janar 1961, UDB-a përmes informatorëve shqiptarë i zbulon dhe i arreston disa pjestarë të organizatës. Arrestimet e pjesëtarëve të kësaj organizate filluan më 25 janar 1961 në Gjilan, në Preshevë, në Ferizaj, në Prishtinë e në Shkup. Për t’iu shmangur arrestimeve dy drejtues të organizatës: Ali Aliu dhe Ramadan Hoxha për më shumë se dy muaj kaluan në ilegalitet, duke u strehuar në baza të shumta në fshatrat e Lipjanit, Shtimjes, Suharekës, Gjilanit, të Preshevës e të Karadakut. Mirëpo në fillim të prillit 1961 në rrethana tradhtie, Aliu Aliu dhe Ramadan Hoxha arrestohen në fshatin Maxherë të Karadakut dhe më 2 prill sillen në Burgun e Prishtinës. Nga kjo organizatë UDB-a burgosi 32 anëtarë të saj dhe qindra shqiptarë të tjerë mori në pyetje dhe i keqtrajtoi brutalisht.
Pas kryerjes së hetimeve të të arrestuarit u dënuan në gjyqet e qarkut në Prishtinë, në Gjilan dhe në Vranjë të Serbisë. Në Prishtinë, ku gjykimi u mbajt nga 14-19.IX.1961 – kryetar i trupit gjykues qe Tahir Ibrani, ndërsa prokuror Ramo Vodopiq, mysliman nga Mali i Zi. Gjykimi u mbajt, mu ato ditë kur në Beograd zhvillonte punimet Konferenca Themeluese e shteteve të painkuadruara. Në këto gjykime u dënuan: Kadri Halimi -7 vjet e 6 muaj burg të rëndë, Ali Aliu – 8 vjet, Ramadan Hoxha – 8 vjet, ndërsa prej 1-5 vjet burg të rëndë u denuan: Hasan Dumani, Zenel Hajrizi, Beqë Heta, Hyrije Hana, sheh Tefik Mustafa, Zeqir Hajrizi, Banush Ademi, Enver Tali, mulla Nuredin Xhemajli, Sadri Imeri, Nuredin Aliu, Haki Agushi, Ali Xhelili, Amir Gashi, Mafak Ahmeti, Ramiz Ahmet – Cernica (delegat i Konferencës së Prizrenit-1945, ku kundërshtoi me ngulm ripushtimin e Kosovës nga Serbia, vërejtja ime), Ilmi Ferizi, Favzi Aliu, Selman Hasani, Ramadan Rexha (ish i burgosur), Tefik Haxhiu, Jahi Ajeti, Hetem Ajdini, Asllan Marevci, Jetish Depca, Miftar Mustafa, Sabri Marevci, Bajram Kokolari dhe Zahir Sakipi. (25)
Në vitin 1963-64 Simboli i qëndresës shqiptare Adem Demaçi formoi: “Lëvizjen Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve“ (LRBSH) dhe në kuadër të saj kanë vepruar Komiteti i Prishtinës, i Pejës, dhe Komiteti i Gjakovës. LRBSH gjatë kësaj periudhe kishte kryer shumë aktivitete kombëtare, por në qershor 1964 UDB-a zbulon aktivitetin e kësaj organizate dhe fillon një fushatë të egër arrestimesh. Pas tre muaj hetimesh intenzive (nëpër duar të UDB-së kaluan mbi 500 shqiptarë) dhe mbi 80 pjestarë të LRBSH-së, në grupe të vogla u nxorën para gjyqit. Gjykimi i dytë kundër themeluesit të LRBSH Adem Demaçi dhe 11 të akuzuarve të tjerë u mbajt më 27, 28, 29 e 31 gusht dhe 1 shtator 1964 në Gjyqin e Qarkut në Prishtinë. Trupi gjykues përbërbëhej nga kryetari i gjyqit Tahir Ibrani, gjyqtari Radomir Stojkoviq dhe porotët: Hazir Haziri, Tefik Shala dhe Nebih Qena. Ndërkaq palën e akuzës e përfaqësonte (përmes aktakuzës Kto-nr.223/64) Mirko Matoviq – prokurori publik i qarkut të Prishtinës (26)
Në këtë gjykim maratonik në “emër të popullit” u dënuan:
1. Adem Demaçi – student i fakultetit juridik, nga Prishtina me 15 vjet burg të rëndë,
2. Sabit Ratkoceri (1939) – jurist i diplomuar (Lupç i Poshtëm) me 11 vjet,
3. Hazir Shala (1934) – Profesor i shkollës normale, (Barilevë) me 13 vjet,
4. Seladin Daci (1933) “muzicient në Radio Prishtinë” (Prishtinë) me 10 vjet,
5. Azem Beqiri (1939) – Nënpunës i entit krahinor për mbrojtjen shëndetësore (Prishtinë) – me 10 vjet,
6. Abdullah (Avdyl) Lahu (1944) – nxënës i kl. së katërt të shkollës Normale, me 10 vjet,
7. Ahmet Haxhia (1932)- farkatar nga Prishtina, me 10 vjet,
8. Xhafer Mamuxhiku (1935) – nëpunës nga Prishtina, me 11 vjet,
9. Dibran Bajraktari (1939) nënpunës nga Prishtina – me 13 vjet,
10. Sabri Novosella (1943) – rrobaqepës nga Prishtina, me 9 vjet,
11. Tefik Sahiti (1930) – infermier nga Prishtina, me 9 vjet dhe
12. Njazi Straja (Saraxhoglliu) (1933) tregëtar nga Stambolli i lindur në Prishtinë, u dënua me 9 vjet burg.
Ndërkaq prej 3-15 vjet burg të rëndë u dënuan edhe këta anëtarë të LRBSH-së:
1. Adem Rukiqi – Verboc, Gllogovc,
2. Abdyl Shala – Loxhë, Pejë,
3. Arif Hoxha – Mitrovicë
4. Arif Ymeri
5. Asim Vula – Gjakovë
6. Avni Lama – Gjakovë
7. Bahtire Berisha – Prizren
8. Bahtir Duraku
9. Bedrush Çollaku – prizren
10. Besnik Koci – Gjakovë
11. Destan Miftari
12. Din Spahia – Gjakovë
13. Ejup Kastrati – Pejë
14. Elhame Shala – prishtinë
15. Emina Rakovica – prishtinë
16. Enver Gerguri
17. Enver Mehmeti
18. Fazli Grajçevci – Tankoc
19. Fehmi Elmazi – Gjilan
20. Ferat Ymeri
21. Gani Msutafa
22. Haki Bejta
23. Haki Gashi
24. Hamdi Obertica – Fushë Kosovë
25. Hilmi Rakovica – Prishtinë
26. Hyda Dobruna – Gjakovë
27. hysen Bukoshi – Prizren
28. Hysen DAci Mitrovicë
29. Ibrahim Stublla
30. Ismet Koshutova – Mitrovicë
31. Isuf Istrefaj
32. Isuf Isufi – Mavriq
33. Kadri Kusari – Gjakovë
34. Myrteza Nura – Gjakovë
35. Mustafë Venehari – Mitrovicë
36. Nezir Gashi – Labjan – Pejë
37. Nimon Podrimja – Caralluk, Istog
38. Mejreme Berisha – Prishtinë
39. Osman Berisha – Puzovfc
40. Qerim Zajmi
41. Ramadan Lahu – Gllamnik
42. Ramadan Shala – Pejë
43. Rashit Rusha
44. Rexhep Elmazi – Gjilan
45. Rexhep Shala – Loxhë, Pejë
46. Remzi Baloku
47. Rrustem Morina
48. Sabit Lahu – Gllamnik, Podujevë
49. Sadik Latifi
50. Sahit Sfeqla – Prishtinë
51. Selatin Novosella – Prishtinë
52. Selman Berisha – Progofc
53. Sylejman Gashi
54. Sylë Shala – Pejë
55. Shefqet Jashari – Strofc, Vushtërri
56. Shemsi Hoxha
57. Shemsi Rudari
58. Tahir Shala, Krushec, Prishtinë
59. Teki Dervishi – Gjakovë
60. Ukshin Shala – Loxhë, Pejë
61. Vesel Bislimi
62. Vesel Shala – Loxhë, Pejë
63. Vezir Zka – Dobrajë, Prishtinë
64. Ymer Mehmetaj
65. Zeqir Agushi
66. Zeqir Gërvalla – Lupçi i Poshtëm, Podujevë
67. Zeqir Heretica – Lupçi i Poshtëm, Podujevë
68. Zeqir Shala – Loxhë, Pejë (27)
Më 27 Nëntor 1968 Grupi i studentëve në krye me Osman Dumoshin i organizoi demonstratat gjithëpopullore në Prishtinë dhe në disa qytete tjera të Kosovës. Ky grup që veproi sipas programit të LRBSH-së, u arrestua dhe pas katër muaj hetimesh, më 2, 3, 4 e 7 prill 1969, në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë u mbajtë një proces gjyqësor kundër tyre. Në këtë proces u përfshi, trupi gjykues i përbërë nga: Nazmi Juniku – kryetar, me gjyqtarët porotë: Beçir Shehi dhe Mehmet Sponca, si procesmbajtës ishte Hysamedin Oruçi, ndërsa Prokuror ishte Sahit Meraku i deleguar nga Peja.
Kjo trupë gjyqtarësh – porotësh më 7 prill 1969 ”në emër të popullit” për shkak të “krimit – propaganda armiqësore nga neni 118 al. 1 e KP” këta studentë i shpalli fajtorë dhe ua shqiptoi dënimin prej 37 vjetësh burg të rëndë. Me këtë rast studentët: Osman Dumoshi, Hasan Dërmaku, Selatin Novosella dhe Adil Pireva, u dënuan me nga 5 vjet burg; Skënder Kastrati dhe Xheladin Rekaliu me nga 4 vjet burg, ndërsa Ilaz Pireva, Skënder Muçolli dhe Afrim Loxha dënohen me nga 3 vjet burg. (28)
– Për pjesëmarrje aktive në demonstratën e Prishtinës, u denuan edhe studentët: Asllan Kastrati, me 6 muaj burg; Sylejman Kastrati me 3 muaj burg; Skënder Berisha me 2 muaj, Bedri Novosella, Sylejman Peposhi dhe Halil Qosja me nga 1 muaj; ndërsa Tefik Qitaku dhe Ramadan Ramadani (që të dy rrobaqepës) u dënuan me nga 2 muaj burg.
– Për demonstratën e Ferizajit u denuan: Ali Mehmeti, arsimtar me 1 vit burg, Ismet Ramadani dhe Hasan Abazi (që të dy studentë) me nga 10 muaj; ndërkaq me nga 1 muaj u denuan: Beqir Qerimi, student dhe nxënësit: Sylejman Bytyqi, Hasan Muhaxheri dhe Ekrem Beqiri.
– Për demonstratën e Gjilanit u denuan studenti: Irfan Shaqiri me 1 vjet burg, ndërsa me nga 1 muaj burg u denuan: Beqir Qerimi, student dhe nxënësit: Rexhep Mala, Fatmir Salihu, Ahmet Hoti.
– Ndërkaq për demonstratën e Besianës (ish- Podujevës) u denuan: Hamit Abdullahu (berber) me 1,6 muaj burg; Sabit Syla (student) me 1,4 muaj burg; Haki Sheholli me 1 vjet burg; ndërsa me nga 1 muaj burg u denuan: Hasan Sh.Shala dhe Bahri Shabani, që të dy studentë. Po me nga 1 muaj u denuan edhe mësuesit: Hasan Shala, Xhafer Ejupi, Skënder Hoxha, Shaqir Shala dhe Selatin Vokrri si dhe Nexhip Ejupi e Abdulla Nishevci, që të dy me profesion rrobaqepës.
Më 22 dhjetor 1968 u organizua edhe një demonstratë në Tetovë. Për demonstratën e Tetovës, e cila e aktualizoi çështjen e përdorimit të flamurit shqiptar dhe hapjen e paraleleve të mësimit në gjuhën shqipe, u denuan 170 shqiptarë, ndërsa 54 veta u denuan me mbi 1 vjet burg, jo vetëm nga Tetova por edhe nga Shkupi, Gostivari, Struga dhe Kërçova. Vetëm në gjykatën e Tetovës dhe atë të Shkupit “për vepër penale kundër shtetit” u denuan:
– Mehmet Myrtezani – Gega, mësues me 7 vjet burg;
– Faik Mustafa, student me 5 vjet burg;
– Abdylselam Selami, mësues, me 1,6 muaj burg;
– Ramadan Sinani, student me 2 vjet;
– Fehmi Rifati, student me 2 vjet burg;
– Abdylmenaf Rystemi, student me 2 vjet;
– Hysni Qemal Sherifi, arsimtar me 1,6 muaj;
– Refki Murati, murator me 2 vjet;
– Nexhmidin Neziri, mësues me 1,6 muaj;
– Ibrahim Rudi, student me 3 vjet;
– Agim Jaka, student me 2,6 muaj;
– Hysenxhevat Kalaishta, student me 5 muaj burg;
– Xhemil Mustafa, student me 5 muaj;
– Arbër Xhafëri, student me 3 muaj;
– Agim M.Xhaferi, student me 3 muaj burg e shumë të tjerë. (29)
Asokohe, pas burgosjeve në Tetovë, pushteti shovinist maqedonas, burgosi e dënojë edhe shumë të rinjë shqiptar, që nuk ishin pjesëmarrës në demonstrateën e Tetovës. Në Shkup u denua Sejdi Kryeziu me 5 vjet burg, gjoja se ka bërë propagand armiqësore për shkëputjen e Maqedonisë perëndimore dhe bashkimin e saj me Shqipërinë, ndërsa Inajet Bariu u denua me 1 vjet, po për propagand armiqësore. Në Strug u denua Irfan Vlashi me 6 vjet burg, për diversion, Tosun Roçi me 4 vjet burg, ndërsa në Kërçovë u denuan: Syrja Qura, Sali Ramadani etj.
Të burgosurit shqiptarë vitet më të rënda të burgut, i kaluan në burgjet e Idrizovës dhe Velesit në Maqedoni; të Nishit, në CZ të Beogradit, e të Pozharevcit… në Serbi; të Titogradit në Mal të Zi; të Bileqës, Stara Gradishkës, të Lepogllavës… dhe veçanërisht në sinonimin e ferrit të Dantes në “Goli Otok” ujdhes kjo në Adriatikun verilindor në Kroaci (30).
Në këtë ujdhesë të zhveshur e me gurë të thepisur, të burgosurit shqiptarë dhe jo vetëm, përjetuan golgotën, ditët më të tmerrshme të jetës së tyre. Rrëfimet e shumë të burgosurve shqiptarë, që kaluan nëpër ferrin e Goli Otokut, dëshmojnë për një trajtim të egër e mizor, të papërsëritshëm në historinë e njerëzimit. Qëllimi ka qenë i qartë: jo vetëm dëmtimi fizik, por edhe thyerja dhe shkatërrimi i plotë shpirtëror i çdo të burgosuri. Aty është praktikuar rrahja e të burgosurve në mes vete (të burgosurit e vjetër rrahnin deri në alivanosje dhe vdekje të burgosurit e rinj që vinin në këtë kamp famkeq). Pas punëve të rënda e të mundimshme që bënin gjatë ditës, të burgosurit për çdo mbrëmje ishin të detyruar të kalonin nëpër kordonin e gjallë të të burgosurve të penduar dhe të udbashëve të çarkëdisur… Në Goli Otok, pra të burgosurit me karakter të thyer e të përbaltur (tipat më imoral) jo vetëm që “vetëqeverisnin” me krejt kampin, por bëheshin edhe xhelatë të atyre që kishin karakter njerëzorë e të pathyeshëm. Ky burg-kamp famëkeq u bë edhe varr i shumë të burgosurve, në mesin e të cilëve pati edhe shumë shqiptarë.
_____________
Referencat:
1 Shaban Braha – “Gjenocidi serbomadh dhe qëndresa shqiptare (1844-1990) Lumi – Gjakovë 1991, fq.495
2 Po aty
3 Po aty
4 AQSH i RPSSH, F.252/ I,1951, dos.340, M-F 393, fl.36
5 Shaban Braha – “Gjenocidi serbomadh …..”, fq.497/498
6 Gazeta ”Besa”, Stamboll-1974-1975. /Mr.Ethem Çeku:Mendimi politik i lëvizjes ilegale në Kosovë 1945-1981, Prishtinë, 2003, fq.129.
7 Rexhep Bunjaku – “Kosova, besa dhe tradita” Prishtinë 1998, fq.146.
8 Gjykata e Qarkut e KAKM-së në Prishtinë, me 3 nëntor 1950 (Aktgjykimi K.149/50)
9 Po aty / dhe kujtime të Sh.Mazrekut, botuar në revistën “Forumi”, Prishtinë 6 dhjetor 1993, f1.19.
10 H.Susuri – “Rrëfime të Hajdar Bytyqit” – Gurra, Revistë e Vërrinit – Viti I nr.8, dhjetor 1992, fq.27. – Nga shënimet në dorëshkrim të Ibish Avdiut – Zhur 1992.
11 R.Bunjaku – “Kosova, besa dhe tradita”, fq.147.
12 Kadri Halimi – “Prijatarja kombëtarja – e jo ideologjia” – Fejton (2) Rilindja 22 tetor 1994, fq.12. Rrëfime nga Xhemë Lah Gashi – herët a vonë Kosova do të jetë e Shqipërisë”, botuar në revistën “Forumi” nr. 9. 17 janar 1994, fq.18 / dhe Xhafer Shatri – “Pse dergjet në burg Adem Demaqi”, fq.25.
13 Rexhep Bunjaku – “Kosova, besa dhe tradita”, fq.148.
14 Agim Zogaj – “Dosja P – procesi i Prizrenit ’56” Zëri 1998, fq.68 / Ethem Çeku-Shekulli i ilegales…,brezi 81 Prishtinë,2004 fq.224-225
15 R.Bunjaku – “Kosova…”, fq.148.
16 Aktgjykimi K.nr.19/59 datë 7 mars 1959 Gjykata e Qarkut në Gjilan. /Kadrush Sylejmani M.Krasniqi-simbol i qëndreses shqiptare, Prishtinë 1999, 103,106,115 / Ethem Çeku – Shekulli i ilegales…, brezi 81 Prishtinë, 2004 fq.274-276.
17 Ethem Çeku-Shekulli i ilegales…,brezi 81 Prishtinë, 2004 fq. 253-254
18 Aktakuza kundër Adem Demaçit është ngritur në bazë të dëshmive të dëshmitarëve: Zekeria Cana, Ali Aliu, Fahredin Gunga, Adem Gajtani, Avdi Avdiu, Shemsi Osmani, Rafael Sopi, Sabit Ratkoceri, Ismet Bytyqi, Shefqet Popova, Din Mehmeti, Sylejman Drini dhe Xhafer Ruzhdiu.
19 Dr.Hakif Bajrami, “Dosja Demaçi” Brezi 81, Prishtinë 2003, fq.21-60./Aktakuza: PPQ nr.14/59 . 19.02.1959.
20 Aktakuza K.nr.29/59,19.02.1959, Gkykata e Qarkut Prizren /Ethem Çeku-Shekulli i ilegales, fq.236.
21 Emil Kastrioti – Referati – “Mbi historikun e Beslidhjes Kombëtare Demokratike Shqiptare” Donzdorf (Gjermani) 1996, fq.24.
22 Po aty
23 Po aty
24 K.Halimi: Lëvizja për liri s’ka të ndalur (Fejton) – Rilindja 24 tetor 1994, fq.9.
25. Po aty
26. Aktakuza Kto. nr.223/64 e ngritur nga prokurori Publik Mirko Matoviq dhe Aktgjykimi K.nr.271/64, dt.01.IX.1964
27 Xh.Shatri – “Pse dergjet në burg A.Demaçi?”, fq.71-73.
28 Aktgjykimi K.nr.23/69 i shpallur nga gjykata e qarkut në Prishtinë (7 prill 1969) fq.1-2.)
29 ”Rilindja” 1-3 qershor 1969)
30 Xhafer Shatri – “Pse dergjet në burg Adem Demaqi”, fq.27-28.