AZIZ GJERGJI: 90 VJETORI I REVOLUCIONIT DEMOKRATIK TË QERSHORIT 1924 (I)

Paducah, KY – USA, 22. 05.2014 – Ka shumë arsye pse ne, shqiptarët, duhet të jemi krenarë në përkujtimin e 90 vjetorit të Revolucionit Demokratik të Qershorit 1924. Së pari, Revolucioni Demokratik i Shqipërisë (1924) u zhvillua kundër qeverisjes së korruptuar e të kriminalizuar të feudalëve shqiptarë, me pjesëmarrjen e luftëtarëve nga të gjitha krahinat e vendit, nga shtresa të ndryshme të popullsisë dhe nga të katër besimet kryesore fetare në Shqipëri. Së dyti, udhëheqësit e Revolucionit Demokratik të Qershorit 1924 e mbështetën aksionin e tyre kryengritës në parimet bazë të Lirisë dhe të Drejtave të Njeriut, të shpallura nga Revolucioni Demokratik Amerikan (1776) dhe Revolucioni Demokratik Francez (1789). Së treti, pavarësisht nga dështimi, idetë e Revolucionit Demokratik të Qershorit 1924 u bënë burim frymëzimi për brezat e rinj të shqiptarëve në rrugën e fitoreve të sistemeve qeverisëse demokratike në Shqipëri, Kosovë e shtetet e tjera ballkanike ku jetojnë shqiptarët.
Shkëndia e Revolucionit

Vlorë, 20 prill 1924. Stafi i gazetës “Politika” u nisi kolegëve të shtypit demokratik shqiptar telegramin kobëzi: “Sot në Tiranë u plagos tradhëtisht Avni Rustemi, përfaqësuesi i Kosovës në Kuvend. Populli i këtushëm është shumë i alarmuar.” Nacionalistët e njohur demokratë Halim Xhelo, Riza Cerova e njëmbëdhjetë anëtarë të tjerë të shoqërisë “Bashkimi” į çuan fjalë udhëheqësit të tyre se goditja e tij ishte pika e nisjes së një periudhe, e cila do të ngrinte lart gjallërinë e nacionalizmit; plumbi feudal kishte goditur “idealin shqiptar”. Po ashtu shoqata “Djalëria e Kosovës” i dërgoi Ministrisë së Drejtësisë telegramin e njohur: “Plagosja e Heroit të Kombit, Avni Rustemi, ka ba përshtypjen ma të madhe në popull e sidomos në djelmninë e Kosovës…” 1)

Avni Rustemi (1895 – 1924)

Vlorë, prill 1924 – Trupi i vdekur i heroit të Kombit, Avni Rustemi. Në foto duket i mbuluar me flamurin e Shoqërisë “Bashkimi”, ku po i bëhen shërbimet e fundit para varrimit. Tek koka shihet një kurorë lulesh, në fjongon e së cilës lexohet “POPULLI I VLORËS – AVNI RUSTEMIT”. Në krahun e djathtë janë dy gra (plaka) në të zeza duke vajtuar pranë xhenazes, ndërsa në krahun tjetër shihet një plak (mashkull) edhe ai i gjithi në të zeza. (Shën.i pashtriku.org)

*****************************

Dy ditë më pas, më 22 prill 1924, gazeta “Shkumbini” shkroi: “Avni Rustemi, hero i kombit shqiptar, zemra e nacionalizmës së vendit tonë, prijësi i idealistëve të Arbërisë fatkeqe, shtylla e demokracisë, lulja e djelmënisë shqiptare, përkrahës i nxehtë i bujkut të mjeruar të këtij vendi aq të begatshëm e pjellor, mis i prefekturës së Kosovës, bie dëshmor prej dorës tradhtare.” 2)
Lajmi i vrasjes së deputetit dhe udhëheqësit të Rinisë Demokratike Shqiptare “Bashkimi” u përhap si një vetëtimë në qiellin gjithaq të rënduar politik të Shqipërisë. Kuvendet tradicionale të mbajtura në të gjitha krahinat e vendit shprehën dhimbje dhe revoltë gati për shpërthim. Kuvendi i djelmnisë, popullit dhe autoriteteve civile e ushtarake, i mbledhur në Krumë të Hasit më 23 prill 1924, e njoftoi popullin e Vlorës se “dëshpërimi i shkaktuem prej atentatit që qëlloi shembëlltyrën e idealizmës shqiptare, heroin kombëtar Avni Rustemi, gjithnji po vjen tue e egërsue popullin” 3)
Emigrantët shqiptarë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, studentët e Parisit, Vjenës, Napolit, San Demetrio Korones, atdhetarë të vjetër e të rinj nga e gjithë bota shprehën ngushëllimet e tyre më të sinqerta me anën e telegrameve, të cilat u botuan në shtypin e kohës. Se ku do ta çonte Shqipërinë seriali i vrasjeve politike të atdhetarëve demokratë, si Sheh Adem Gjinishi, Haxhi Jusuf Kazazi dhe, së fundmi, e deputetit Avni Rustemi; këtë e kishin paralajmëruar të rinjtë demokratë vlonjatë, në telegramin e tyre të ngushëllimit dërguar familjes së të ndjerit Kazazi, kur kishin shkruar:
“Rënia dëshmor prej dorës feudale e veteranit atdhetar Haxhi Jusuf Kazazit, tingëlloi në zemrat e atdhetarëve dhe të popullit të Vlorës si një rrufe. Gjaku i tij dhe i Adem Gjinishit do të shkaktojnë e do të sjellin 1789-ën e Francës në Shqipëri.” 4)
Në prill të vitit 1924, situata politike dhe ushtarake në Shqipëri kishte dalë jashtë kontrollit të qeverisë së feudalit të madh Shefqet Bej Vërlaci. Sipas opinionit të shefit të Legatës italiane në Durrës, Markezit Durazzo dërguar ato ditë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë, ceremonia e varrimit të Avni Rustemit po përgatitej të ishte “një lloj mbledhjeje e të gjitha forcave demokratike nacionaliste të vendit që janë në opozitë me fuqinë arrogante të bejlerëve dhe veçanërisht me Ahmet Bej Zogollin, i cili konsiderohet si urdhëruesi i deliktit”. Konsulli italian në Vlorë Salvatore Meloni, dëshmitar i ceremonisë së varrimit të Avni Rustemit, më 3 maj 1924, informoi Legatën italiane në Durrës se “gjatë disa fjalimeve turma qante, gjë që tregon sa simpati gëzonte Avniu në Vlorë. Oratorët më të vendosur e akuzuan publikisht Ahmet Bej Zogollin si bashkëpunëtor në vrasje.” 5)
Fjalimi i njohur i udhëheqësit të opozitës demokratike, Fan Noli, në funeralin e varrimit të Avni Rustemit, mbetet një analizë shkencore për momentin historik në të cilin ndodhej shoqëria shqiptare e kohës: “Vlora mori vesh kuptimin e tmerruar të vrasjes së Avniut në Tiranë edhe me klithmat e saj zgjoi tërë Shqipërinë nga letargjia, në të cilën ishte mbytur. Kjo vrasje s’është veç një incident i periudhës kritike, ku ndodhemi. Karakteristikat e kësaj periudhe janë dy: 1) Që antikombëtarët janë në fuqi dhe populli të mos presë gjë nga kjo qeveri dhe nga kjo Asamble. 2) Që antikombëtarët nuk kënaqen vetëm me këtë, por u vënë pusi atdhetarëve dhe i vrasin prapa kurrizit, siç vranë Avninë… Nuk duhet të flemë të qetë gjersa të gjënden e të dënohen fajtorët e kësaj vrasjeje. Duhet të ndjekim vrasësit nga shpella në shpellë, nga përroi në përrua, nga bregu në breg, gjersa t’i kapim dhe atëherë t’i bërtasim këtij dëshmori: “Avni i zumë, flij i qetë, se tani Shqipëria nuk është më në terrorin e bashibozukëve antikombëtarë, se tani Shqipëria është në udhë të mirë, në udhën e lirisë.” 6)

Kryengritja e armatosur
Në Vlorë, afro njëzet e gjashtë anëtarë të Asamblesë, të gjithë të opozitës, të përkrahur nga delegatët e krahinave të mbledhur për varrimin e Avni Rustemit, vendosën të mos kthehen në Tiranë për të vazhduar punimet, pasi në kryeqytet nuk garantohej sigurimi personal dhe liria e mendimeve. “Sot në mëngjes ata u dërguan protestë të gjithë deputetëve që të vendosin të mblidhen për të caktuar vendin për selinë e përhershme të Asamblesë,” informoi konsulli Meloni. “Në qoftë se partizanët e Qeverisë nuk do të pranojnë, ata nuk do të kthehen në Tiranë dhe do të fillojnë agjitacionin për luftë të armatosur kundër tyre.” 7)
Thirrjes së kolegëve të opozitës demokratike iu përgjigjën 18 deputetë të Partisë Popullore, të cilët morën pjesë në kuvendin e delegatëve nga krahinat e ndryshme të Shqipërisë, mbajtur në Vlorë më 24 maj 1924. Sejfi Vllamasi, kryetar i këtij grupimi, shkruan: “Duke menduar se situata kaotike e pazgjidhshme s’mund të përmirësohej me mënyra legale, duke menduar edhe se opozita nuk do të ishte aq e paaftë për të nxjerrë burra shteti dhe aq e vakët përballë interesave kombëtare sa mund të sakrifikoheshin këto interesa për ambicje e hakmarrje, ne ish-anëtarët e Krahut Kombëtar, civilë e oficerë, vendosëm të marrim pjesë aktive në Revolucionin e Qershorit 1924, i cili pa pjesëmarrjen tonë nuk mund të kurorëzohej me sukses.” 8)
Duke analizuar shkaqet e shpërthimit të kryengritjes së armatosur të Qershorit 1924, udhëheqësi i saj, peshkop Fan Noli është shprehur se atë “e provokoi vetë Ahmet Zogu që ditën që vrau Avni Rustemin. Pa këtë vrasje asnjë atdhetar i urtë nuk do të ish në favor të një kryengritjeje dhe as një atdhetar i rreptë nuk do të ish i zoti të fabrikonte një kryengritje në qejfin e tij. Nga ana tjetër duhet shtuar që pas kësaj vrasjeje s’kishte njeri që ta ndalonte kryengritjen, se ashtu si kundër është zor të fabrikohet një kryengritje pas qejfit, ashtu është zor të ndalohet kryengritja e provokuar kur ndizen gjakrat” 9)
Kryengritja e Qershorit 1924 u shtri në të gjithë territorin e Shqipërisë. Organizata Demokratike “Bashkimi”, e mbledhur në kuvendin e saj në Vlorë më 5 maj 1924, i bëri thirrje djalërisë shqiptare për t’u ngritur në kryengritje të armatosur kundër qeverisë së kryesuar nga çifligari i madh, Shefqet bej Vërlaci. Thirrja e djemve të “Bashkimit” i gjeti të përgatitura nënprefekturat e Shkodrës e të Kosovës. Garnizoni i ushtrisë kombëtare të Shkodrës, i komanduar nga kolonel Rexhep Shala, ngriti krye kundër qeverisë më 16 maj 1924, ndërsa më 24 maj 1924, kryengritësit e Malësisë së Gjakovës, të udhëhequr nga koloneli në pension Bajram Curri, shtinë në dorë qendrën e nënprefekturës së Krumës. Më 23 maj Kuvendi i krahinës së Labërisë mori vendimin përfundimtar për t’u hedhur në kryengritjen e përgjithshme; një ditë më pas, 400 djem të armatosur të organizatës “Bashkimi” u bënë gati të fillonin marshimin drejt Tiranës, ndërsa më 26 maj në favor të kryengritjes së armatosur u shpall edhe garnizoni i ushtrisë kombëtare i Përmetit, i komanduar nga nënkolonel Kasëm Qafëzezi. Objektivi i kolonel Bajram Currit dhe fshatarëve të tij të armatosur ishte Tirana, ku kolonel Ahmet Zogu sapo ishte emëruar komandant i Operacionit të Veriut. Kolonel Ahmet Zogu i kërkoi urgjent nënprefektit të Pukës Pukës t’і jepte informacion se ku ndodhej Bajram Curri dhe nga cila anë kishte ndërmend të mësynte: nga Puka apo Mirdita, nga Bicaj apo Dukagjini? 10)
Dymbëdhjetëmijë kryengritës nga Jugu e Veriu i Shqipërisë, me armë në dorë, të mbështetur nga shumica e populli shqiptar, në javën e përflakur të 25–31 majit 1924 u nisën drejt Tiranës për të rrëzuar me çdo kusht regjimin konservator të bejlerëve çifligarë dhe zëvendësimin e tij me sistemin e demokracisë liberale të Europës Perëndimore dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kur kryengritësit kaluan Shkumbinin dhe iu drejtuan Tiranës, kreu i cifligareve Shefqet Bej Vërlaci, kryeministri Iljaz bej Vrioni dhe anëtarët e tjerë të qeverisë, deputetë e nëpunës të lartë të administratës u larguan në panik drejt portit të Durrësit; u hipën anijeve që mundën të gjenin dhe përfunduan në brigjet e Barit e të Korfuzit. Në pasditen e 9 qershorit, kolonel Ahmet Zogu u bëri qytetarëve të Tiranës thirrjen e fundit për t’i kundërshtuar me armë trupat kryengritëse, por ata i dhanë të kuptonte se nuk kishin ndër mend të jepnin jetën për një regjim që ishte në kundërshtim me idealet e tyre liberale e demokratike. Në të gdhirë të datës 10 qershor 1924, Zogu u tërhoq drejt Matit e Dibrës. Si përfundim, siç shkruan edhe historiani amerikan Bernd J. Fisher, “Zogu u detyrua të kalonte në Jugosllavi, duke mbyllur kështu në mënyrë të turpshme vitet e para të jetës së tij si politikan aktiv në Shqipëri” 11).
Publicisti į shquar Faik Konica e ka pasqyruar fitoren e Revolucionit Demokratik të Qershorit 1924 në gazetën “Dielli”, datë 5 qershor 1924, me këto fjalë: “Një javë me radhë shtypi i Evropës dhe i Amerikës, i ushqyer me lajme nga Roma, nga Beogradi dhe nga Athina, përhapi fjalë përpjekjesh, betejash, gjaku, në mes të bashibozukëve t’Ahmet Zogollit e të Shefqet Vërlacit nga njera anë, edhe t’ushtarëve kombëtarë (të cilët quhen “kryengritës” prej gazetave të huaja) nga ana tjatër… Emri “kryengritës”, i dhënë prej shtypit t’Amerikës e t’Evropës atyreve që kundërshtojnë me armë në dorë klikën e turpit dhe të prishjes, është një emër që s’duhet të na trembë”. Kryengritjet shumë herë janë të dëmshme; po ka raste që kryengritjet janë fisnike, të domosdoshme, shpëtimtare. Profesori James Q. Dealey, në veprën klasike të tij “The state and Government”, thotë se në jetën e një populli munt të ngjasë që kryengritja të jet’ e duhur.” 12)
Hyrja e forcave të armatosura demokratike në Tiranë më 10 qershor 1924 shënoi edhe triumfin e kryengritjes së përgjithshme, e cila krijoi kushtet që demokratët shqiptarë ta zhvillonin më tej embrionin e revolucionit demokratik që kishte lindur…

(Fundi į pjesës së parë)

____________________

Shënimet:
1. Avni Rustemi, dokumente e materiale (përmbledhje dokumentesh), përgatitur për botim nga DPASH, Tiranë, 1974, shih: dok. nr. 74, 76, 87.
2. Dokumenta e materiale historike nga lufta e popullit shqiptar për Liri e Demokraci (1917-1941), DPASH, Tiranë, 1959, f. 124, dok. nr. 116 (gazeta “Shkumbini”, 30 prill 1924).
3. Po aty, f. 126, dok. nr. 121, telefon datë 23 prill 1924; gazeta “Politika”, Vlorë, 23 prill 1924.
4. Gazeta“Politika”, viti III, nr. 5, 4 shkurt 1924; Historia e Shqipërisë, vëll. II, Tiranë, 1965, f. 534; Historia e popullit shqiptar, vëll. III (2007), f. 216.
5. Dokumenta e materiale historike nga lufta e popullit shqiptar për Liri e Demokraci (1917-1941), f. 130, dok. 127 (tel. i Durazzo-s, 29 prill 1924); dok. 130, f. 130 (shkresë e konsullit italian Meloni në Vlorë dërguar kryekonsullit Duracos në Durrës, 3 maj 1924).
6. Avni Rustemi, dokumente e materiale, f. 181–182, dok nr. 114 (botuar në gazetën “Politika”, 8 maj 1924).
7. Dokumenta e materiale nga lufta e popullit shqiptar…, f. 134, dok. nr. 131(informacion i konsullit Meloni dërguar legatës italiane në Durrës, rreth datës 5 maj 1924).
8. Po aty, f. 141, dok. nr. 141 (tel. i delegatëve të Kuvendit të Vlorës dërguar Këshillit të
Ministrave, 24 maj 1924); Sejfi Vllamasi, Ballafaqime politike në Shqipëri(1897-1942), botim i dytë, Tiranë: Neraida, 2000, f. 416.
9. Fan S. Noli, Vepra 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë (Instituti і Historisë), Tiranë, 1987, f. 24: artikulli “Përgjigje “Diellit”, botuar në gazetën “Immigranti”, Worcester (Uster), nr. 14, 26 dhjetor 1925.
10. Dokumenta e materiale nga lufta e popullit shqiptar…, f. 135, dok. nr. 132 (tel. i konsullit italian në Shkodër, Spano, dërguar Legatës italiane në Durrës, më 7 maj 1924); f. 144, dok. nr. 144 (letër e një pjesëmarrësi në kryengritje drejtuar Bajram Currit, më 26 maj 1924); f. 145, dok. nr. 147 (tel. i Kom. të Operacionit të Veriut, A. Zogu dërguar nënprefekturës së Pukës, 31 maj 1924); Historia e Shqipërisë, vëll. II, (1965), f. 541–543; Historia e popullit shqiptar, vëll. III (2007), f. 224–225.
11. Dokumenta e materiale nga lufta e popullit shqiptar…, f. 148–150, dok. nr. 152–157 (tel. të komandantit të Operacionit të Veriut, A. Zogu dërguar prefekturave Elbasan, Lezhë, Kavajë, Milot, 4–8 qershor 1924); Joseph Swire, Shqipëria, ngritja e nje mbretërie, botimi shqip, Tiranë: Dituria, 2005, f. 342–343; Owen Pearson, Albania and King Zog, 1908-1939, The center for Albanian Studies in association with I. B. Tauris Publishers,London, 2004, f. 222, 224; Emine Arifi-Bakalli, artikull “Qëndrimi i Mbretërisë Serbo-Kroato-Slovene ndaj Revolucionit të Qershorit të Shqipërisë”, botuar në revistën “Gjurmime albanologjike”, Seria e shkencave historike, X–1980, Prishtinë, 1981, f. 191; Bernd J. Fischer, Mbreti Zog dhe përpjekja për stabilitet në Shqipëri, botimi shqip, Tiranë: Çabej, 1996, f. 73.
12. F. Konica, Vepra 3, përgatitur nga Nasho Jorgaqi, Tiranë: Dudaj, 2001, f. 314–15 (artikulli “Veprimi i ushtërisë kombëtare”, botuar në: “Dielli”, 5 qershor 1924).

_________________________________________

AZIZ GJERGJI: 90 VJETORI I REVOLUCIONIT DEMOKRATIK TË QERSHORIT 1924 (II)
HAPE: http://www.pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=2801

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura