PETRIT BAJRAKTARI: FUNDI I MBIKËQYRJES DHE FRIKA

Drenas, 10. 07. 2012 – Thomas Hobbes, filozof politik dhe përjetues i luftën civile në Angli, pati thënë se “Ekziston një lloj frike, ndikimi i së cilës është shkatërrimtar më shumë se gjithçka tjetër, e kjo është frika sistematike që ngjallet atëherë kur një shtet fillon të shembet”. Fillimisht, ishte frika se mund të ndodh gjithçka, meqë po shkatërrohej përfundimisht Jugosllavia, sepse kishte nisur lufta në Kosovë. Ashtu edhe doli, me ç’rast përjetuam tmerrin dhe gjenocidin që ushtria dhe policia kriminale e Serbisë po bënin në Kosovë kundër popullatës civile, duke përsëritur krimet e njëjta, që më herët i kishte bërë në Bosnje, Kroaci dhe në vitin 98 edhe në Kosovë, për t’u shpartalluar një herë e përgjithmonë Jugosllavia.
Ishte lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), dhe më vonë edhe ndihma ndërkombëtare bashkë më intervenimin e NATO-s, të udhëhequr nga SHBA-të, e cila na solli në një pikë kur kjo luftë përfundoi, pavarësisht arritjes ose jo të qëllimit. Meqë lufta përfundoi ashtu si përfundoi, populli megjithatë kishte pritjet e veta për ditë më të mira. Populli së paku po priste pavarësinë e shumë përfolur, ndërtimin e vendit, zhvillimin ekonomik dhe një rinisje të një jete më të sigurtë e më të mirë në vendin tonë.
Kjo nuk ndodhi dhe nisi të vinte në shprehje ajo frika që “gjithçka mund të ndodh meqë asgjë nuk po ndodh”, sepse nuk po ndodhte ajo që do të duhej të ndodh. Shteti nuk po bëhej edhe pse gjaku u derdh. Shteti po mungonte, sepse po mungonte vullneti, sepse politikanët tashmë po merreshin me vetën e tyre, sepse ata po punonin që të bëheshin të pasur, sepse po mendonin se gjithçka mori fund në qërshorin e vitit 99.

……………………………….

Kush ishte Ibrahim Rugova dhe Sali Berisha?!

…………………………………….

Jeta mbase po vazhdonte teksa problemet po shtoheshin përdit e më tepër. Zhgënjimi me të drejtë u shfaq në mas të madhe tek populli, atëherë kur u kuptua se premtimi që Hashim Thaçi kishte marrë pas nënshkrimit të marrëveshjes së Rambujes, nga znj. Madeleine Albright, se në 2003 Kosova dhe populli i saj do të mund të deklarohen nëpërmjet referendumit për të ardhmen e tyre, për të drejtën e vetëvendosjes doli të ishte gënjeshtër nga ana e atij që kishte deklaruar kështu (Thaçit). Kryeministrit të tanishëm i ishte bërë kjo pyetje shumë herë, por gjithnjë pa përgjigjëje. E teksa nuk kishte përgjigje, atëherë i bjen se ishte një gënjeshtër e radhës nga ky dhe të tjerët si ai.
Pikërisht, nga gënjeshtrat e shpeshta, nga mosserioziteti karshi kërkesave të drejta dhe vullnetit të popullit dhe nga papërgjegjëshmëria politike, vendit tonë po i shtoheshin problemet në aspektin politik dhe atë ekonomik. Deklaratat boshe se lufta qenka bërë për pavarësi, por që në anën tjetër nuk po vinte siç po priste populli, bënë që ngjarjet në vazhdim të jenë të paparashikueshme dhe me reagime nga më të ndryshmet.
Ishte kundërshtimi që në fillim për instalimin e misionit neokolonial të UNMIK-ut, i cili po merrej kryesisht me padrejtësi ndaj nesh, duke arrestuar e burgosur ish ushtarët e UÇK-së, për kinse krime lufte, ndërsa në anën tjetër po i përgëdhelte politikanët e IPVQ ve të atëhershme, duke bashkëpunuar ngushtë me ta, për projekte të dëmshme politike që po na servoheshin në vazhdimësi. Nga kjo politikë, ngjarjet po shkonin drejt “eskalimit” siç do të thoshin vet këta që po e shkaktonin këtë. “Trazirat” e marsit 2004 treguan që në Kosovë nuk po ecën puna si duhet dhe së këtu diçka nuk është në rregull.
Sërish gjakëderdhje, dhe sërish fajtorë shqiptarët, ose në rastin më të keq si gjithnjë faji mbetet jetim, meqë askush nuk dha përgjegjësi për vrasjet e vëllezërve Elshani nga Baica e Drenasit dhe dhjetra qytetarëve të tjerë, që pësuan pikërisht nga mos rregulli politik e institucional si duhet. Dhe, ishte kjo ajo frika “Hobbsiane” por më një dallim këtu, ngase nuk ishte për shkak se po “shembej ose rrënohej shteti”, por ishte pikërisht përshkak se po mungonte shteti. Për më keq, në vend se të pyetej populli dhe të merrej për bazë vullneti i tij, politikanët e Kosovës të mbledhur në një “Grup Uniteti” në vitin 2005, padrejtësisht e paturpësisht vendosin të ulen në tavolinën e bisedimeve me shtetin armik, Serbinë. Pra, këta ose nuk donin ta dinin, ose injoranca e tyre kishte shkuar deri atje sa po harronin se çdo tentativë për një zgjidhje ku nuk pyetet populli, ose ku nuk i mundësohet e lejohet deklarimi i lirë, është asgjë më pak se sa dhunë politike. Së këndejmi dhuna po vazhdonte teksa qytetarët po e humbnin durimin duke e kuptuar se negociatat e nisura nuk po bëhëshin për të mirën e vendit, ashtu siç trumbetohej nga pjesëmarrësit e tyre. Dhunë politike ishte edhe gënjeshtra e vazhdueshme se do bëhemi të pavarur. Dhunë ishte vazhdimi i negociatave ashtu qysh ishte vet fillimi i tyre. Dhunë ishin marrëveshjet e dëmshme që po dilnin nga ato negociata për vendin tonë, e që thuhej se ishin marrëveshje për “shtetësi e pavarësi”. Thjesht, dhunë ishin vet negociatat dhe koncesionet e shumta që po bëheshin përmes tyre. Dhuna politike tashmë po dëshmohej edhe njëherë kur me 10 shkurt 2007, nga një protestë paqësore e organizuar nga Lëvizja VETËVENDOSJE! pikërisht kundër negociatave, kundër planit eksprimental të Ahtisaarit dhe kundër servilizmit të pafund të politikës vendase karshi kërkesave të qoruditura të ndërkombëtarëve, vriten 2 protestues, Arben Xheladini e Mon Balaj, dhe plagosen dhjetra të tjerë. E dhunë është edhe fakti se deri më sot, askush nga urdhërdhënësit e as nga ekzekutorët nuk është prapa grilave dhe as që po merret ndokush me këtë.

……………………………………………

A është Thaçi njeriu i Francës?!

…………………………………….

E me 17 shkurt 2008, Kosova shpalli pavarësinë por jo nëpërmjet referendumit qytetar, por në bazë të planit (paketës) së Ahtisaarit. Kjo pavarësi nuk ndryshoi për të mirë, së paku në aspektin e organizimit të brendshëm politik e institucional. Në fakt, pavarësia mbase krijoi një “relax” të momentit, për t’i humbur kuptimi atëherë kur po shihej se megjithatë jeta e qytetarit nuk po përmirësohej dhe se vendi nuk kishte stabilitet politik e institucional e as zhvillim ekonomik e mirëqenje më të mirë.
Tani, kur po thuhet se po përfundon mbikëqyrja ndërkombëtare e pavarësisë, me të drejtë kemi disa pyetje: A nënkupton kjo që veriu i vendit po integrohet dhe se shteti po shtrin autoritetin edhe atje? A mund të besojmë se EULEX-i nuk do të jetë neutral ndaj statusit të Kosovës, dhe a do të jenë të prekshëm ligjërisht? A mund që institucionet vendore tani të veprojnë lirshëm pa arsyetimin se “ekziston presioni ndërkombëtar”? Dhe, përfundimi i mbikëqyrjes a nënkupton edhe bashkimin e qytetit të Mitrovicës, dhe se për atë pjesë s’ka më bisedime as teknike siç gënjehej se ishin, e as politike siç po paralajmërohet të ketë? Apo pashmangshëm, veriu do të jetë në tavolinën e bisedimeve dhe se kjo do ta dëshmojë të kundërtën e “pritjeve” të qytetarëve nëse mund të themi.
Friken “Hobbsiane” për brishtësinë që ka shteti i shpallur i Kosovës, e kanë jo pak qytetarë të Kosovës. E kemi edhe ne aktivistët e VETËVENDOSJE!-s, e kanë të gjithë ata që kontribuan dhe të gjithë ata që e duan vendin, meqë i druhemi asaj që “dikush mund të bëjë gjithçka” atëherë kur ose s’ka bërje të shtetit normal, ose që ka rrënim që në formim. Faktorizimi i popullit nëpërmjet referendumit dhe formave të tjera të demokracisë direkte, për çështje të rëndësishme, do të ishte garancë për një ecje përpara dhe për një të ardhme veçse meritore. Dhe meqë e nisa me “Hobbesin” po e përfundoj shkrimin po me të: “Interesi dhe frika janë parime të shoqërisë demokratike”.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura