Tiranë, 21. 01. 2015 – Gjatë këtij viti, të paktën që nga fillimi i marsit kur Ministria e Kulturës e shpallli vitin 2014, si vitin e De Radës, në kuadrin e 200 vjetorit të lindjes së poetit tonë të Rilindjes, disa nga metropolet shqiptare dhe institucionet e kulturës në Shqipëri kanë bërë përpjekje për ta përkujtuar poetin. Madje si shenjë nderimi ndaj kujtimit të poetit, edhe Shoqata e Botuesve Shqiptarë, këtë vit i kishte vënë çmimit të fituesit të radhës, në Panairin Kombëtar të Librit “Tirana 2014”, emrin e De Radës. Gjithësesi, asnjë nga këto përpjekje nuk është shumë për De Radën. Në kuadrin e këtij 200 vjetori të lindjes së poetit tonë të Rilindjes vjen dhe studimi i shkrimtarit dhe studiuesit Moikom Zeqo, “De Rada – Rishpikja e Arbërisë”. Nuk e teproj ta them që në fillim se ky libër përbën një ngjarje të mrekullueshme në tërësinë e botimeve shqiptare të këtij viti, jo duke u nisur vetëm nga aspekti sasior i punës studimore, por para së gjithash për dijen filologjike që përcjell. Siç e thotë dhe vetë autori në parafjalën e studimit, ky libër për De Radën “përfaqëson një koncept të veçantë të shtjellimit.” Dhe më tej sqaron se pavarësisht tërheqjes së hershme që në rini nga letërsia e De Radës, “nuk mund ta shkruaja librin tim pa lexuar në përgjithësi librat që kishin shkruar të tjerët për De Radën.” Pra, dukshëm studimi i Moikomit për De Radën është një sintezë e informacionit studimor të thelluar, të akumuluar ndër vite, gjatë kërkimeve të tij shkencore. Përveç këtyre, studimin e karakterizon kultura e lartë historiko – letrare dhe interpretative, elementi krahasues, elementi diskursiv, si dhe elementët faktues e argumentues. Menjëherë pas parafjalës, pa hyrë në pjesën studimore, autori sjell një tabelë të kronologjisë së ngjarjeve kryesore në jetën e De Radës. Në kapitulin e parë të studimit lexuesit i risillen në kujtesë fillesat e romantizmit, karakteristikat, botëkuptimi filozofik romantik, autorë dhe modele; romantizmi shqiptar, si lindi romantizmi shqiptar, konteksti historik, vetëdija e romantizmit europian tek poetët e romantizmit shqiptar etj. Më pas tek kapitulli “Kumbime profetike brenda panteonit”, autori sjell emrat e poetëve të shquar si: Alfons de Lamartin, Viktor Hygo, Frederik Mistral, Gijom Apoliner etj., të cilët kanë dhënë vlerësimet e tyre mbi veprën e De Radës; si dhe shtrohet diskursi faktues dhe argumentues mbi atë çka është e vërtetë në këto kontakte të De Radës me kolosët e romantizmit europian të shekullit XIX, dhe mbi çka mund të supozohet si diçka jo e tillë, duke u mbështetur në faktet fizikë e logjikë. De Rada, duke qenë se që në moshë të re me “Këngët e Milosaos”, arriti të bëhet i njohur dhe të gëzojë edhe respektin e penave si Lamartini, Mistrali etj., ka të dhëna se ka qenë shpesh herë objekt i diskutimeve në mediumet publike të atyre kohëve. Në librin e tij “Epopeja komtare e popullit shqyptar”, (Pjesa e parë), botuar në Shkodër 1925, një albanolog i njohur italian, Fulvio Kordinjano, thotë për De Radën:
Po permendi veçmas shkrimtarin De Rada, qi âsht poeti mâ i madh i popullit të vet n’Itali, e kje nji nder prisat mâ të parët e zgjimit komtar në marë popullin shqyptar. Historik, i dieshëm, nieri politike, filolog e shkrimtar në zâ, i pat sjellë vedit lumnin mâ të madhen porsi poet, e poet i madh. Aj merr shkas prej gojdhanash popullore të vendit të vet, e xjerrë inspiracjone të çmueshme e plot originalitet, me vjersha qi nuk do të njoftin kurr mort. Në poezin e ti shifet drita e njaj përfytyrimi orjental, e flaka e njaj ndisis së gjall, aq sa mrrijti me kenë levdue fort prej Tomazeut e prej poetit të tanë geni të Provences, Federikut Mistral.1
Në pëgjithësi De Rada nuk bëhet objekt i kritikave denigruese, nga asnjë atuor, përkundrazi, rreth aureolës së emrit të tij (të paktën virtualisht), duket sikur ka patur gjithmonë vetëm njerëz paqësorë, ndryshe nga ç’ishte vetmia e tij e gjatë. Por Kordinjano, në konstatimet e tij, vë në dukje përpjekjet e poetit për ta ringritur gjuhën arbëreshe ndoshta në standard, por pa ia arritur dot qëllimit. Sipas Cordignano-s, duke gjykuar nga modelet e poetëve me famë botërore, De Rada është gjithësesi i justifikuar në këtë nismë.
Por aj nuk diejti me permirsue giuhen, tuj hjekë çka gramatikalisht perçudnote djalektin e ti, as nuk u perkujdes me studiue gjuhen e folun andej Adriatikut, punë kjo qi i kishte dhanë shkas me kenë nisjatori i nji gjuhës letrare të përbashkët per fiset e ndryshme e per kolonit e komit të vet. Por nuk mund i vem shum faj per ket punë, masi njerzt e mdhaj mundohen me vulosë me genin e vet djalektin në të cilin flasin. Kshtu e dim se ndolli b, f. Në Greqi, n’Itali e nder kome tjera. Kshtu bâni edhe De Rada.2
Studiuesi Moikom Zeqo, në studimin e tij kushtuar De Radës, futet në gjithë atë labirinth të çuditshëm, e njëherësh të mrekullueshëm të artit deradian, dhe duke sjellë fakte pas faktesh dhe argumente pas argumentesh, bën rizbulimin e jetës dhe të vetëdijes së autorit, duke hulumtuar leximet e tij, botëkutimet, ndikimet sociale, politike, filozofike, si dhe fatkeqësitë në jetën e tij familjare, pikëpamjet e tij poltike dhe angazhimet e zhgënjimet e sipërmarrjeve të tij në këtë fushë. Krahas punës studimore, e cila komunikon me një gjuhë të thukët informuese, Moikomi në kapitujt e fundit të librit sjell letërkëmbime të poetit, lexime alternative, artikuj të De Radës, botuar në gazetat e kohës dhe në fund e mbyll studimin e tij po me një shkrim homazh për figurën dhe kujtimin e poetit patriot Jeronim De Rada. Fatmirësisht De Rada futet tek ata poetë shqiptarë të Rilindjes sonë Kombëtare prej të cilëve ruhen edhe letërkëmbimet, edhe dorëshkrimet e veprave të tij në shqip. Në një shkrim të vitit 1938, Franco O. Palermo, thotë se ka vizituar shtëpinë e De Radës në Maki dhe flet për një kuti ku nipi i poetit ruan letërkëmbimet e De Radës me personalitetet e epokës si dhe dorëshkrimet e tij në shqip në pesë volume.3 Ky epistolar gjithësesi rezulton të jetë i pjesshëm, madje letërkëmbimi me Dora D’Istrian është pothuaj vetëm i njëanshëm. Me argumentin dhe vetëdijen e një studiuesi, i cili i ka kaluar përmes një proçesi studimor të imtësishëm të gjitha veprat e De Radës, dhe atë çfarë kanë thënë të tjerët për veprën e tij, Moikomi vë në dukje si kryeveprën e De Radës, “Këngët e Milosaos”, e cila realisht është pranuar tashmë si vepra më e realizuar e poetit. Ndonëse në moshë shumë të re kur e shkroi poemën, De Rada duket se e preku nga afër lavdinë dhe fundin e tij tragjik. Në vargjet e tij ndjehet jetësimi i tij i trishtë që në moshën 22 vjeqare, përmes vargjesh si:
Ditët e mija fanëmira
përmbi dhe do të kujtoheni
si këto kodra e lumenj
që të moçmë do tu duken
atyre që do të vijnë…
Apo në vargjet e Këngës së Tridhjetë ku përshkruhet fundi tragjik i Milosaos, i cili më parë se të vdiste vetë, ka humbur djalin dhe gruan e tij.
Fryri erë e maleve
dhe rrëzoi hjien e lisit.
gjaku im tek lumi i Vodhit.
Hapeni çadëren
o ushtar që të shoh,
Shkodrën dhe time motër
Tek dritorja kundruall.
Më atje s‘ do të zgjohem
pranë lulesh që i tund era
si në valë pa mbarim.
Mblidhen shokët mbrëmanet.
Në katund në vatër,
unë i lash si ëndërë.
Duke qenë një poemë e shkruar në një dialekt arbëresh pothuaj të harruar, diku në një cep të humbur në Italinë e jugut, kodifikimi gjuhësor i veprës shpesh i është nënshtruar një dekodifikimi abuziv, i cili e ka shmangur magjinë e origjinalit deradian. Përveç kësaj, disa studiues shqiptarë në kohë të ndryshme kanë hedhur edhe idenë se toponomastika e poemës i përket rrethinave të Shkodrës, tezë të cilën Moikomi e kundërshton. Pa iu referuar asaj çka thotë Moikomi në studimin e tij, unë do t’i referohem shkurt vetëm poetit arbëresh të shekullit XX, Giuseppe Schirò, i cili thotë se De Rada e transferoi toponomastikën e territorit të katundit të tij Maki, në territoret e Shkodrës.4
I rrethuar shpesh nga keqkuptimi, De Rada prapë me fuqinë e artit të tij arrin t’i përcjellë edhe harenë edhe dhimbjen. Ndoshta si në vargjet e Paul Claudel-it, i cili thotë: “Dhe nëse nuk dëshiron të mësosh prej meje harenë, atëherë ke për të mësuar dhimbjen.”5 Vetëm se De Rada, në ndryshim me Claudel-in, na grish t’i mësojmë të dyja. Ashtu siç janë realisht në jetën e trishtë shqiptare, kurdoherë pranë e pranë. Më hareshëm dhe më fuqishëm se në vargjet e Claudel-it. Duke e ndjerë mungesën e atdheut, duke e ndjerë nevojën e atdheut, De Rada u mundua ta rikrijojë atë sipas mënyrës arbëreshe. Ai donte ta rishpikte atë duke e lidhur me motin e madh, kur Arbëria ishte krenaria e krishtërimit në Ballkan. Ky është edhe thelbi i filozofisë së tij, ideali i jetës së tij. Dhe këtë ideal deradian poeti dhe studiuesi Moikom Zeqo e vë në dukje në studimin e tij që në titull. Kjo është grishja e re për leximin e ri të De Radës.
“De Rada – Rishpikja e Arbërisë”, përveçëse është një homazh i papërsëritshëm në 200 vjetorin e lindjes së poetit, përveçëse përcjell gjithashtu një kulturë të lartë filologjike për fushën e studimeve letrare, do të thosha se është formësuar në një stil tekstor të këndshëm edhe për t’u lexuar. Shkenca letrare moderne pranon se një kritiku të mirë i nevojitet edhe arti i të shkruarit. Madje disa e shohin metatekstin edhe si art më vete. Siç thotë dhe kritiku bashkëkohor amerikan Sam Anderson6“një libër kritike i shkruar mirë është dhe një art më vete”7, që të fisnikëron dhe të fal kënaqësi. Kjo praktikë madje vjen pikërisht nga kritikët dhe njohësit e mëdhenj të letërsisë moderne në botë. Le të kujtojmë stilin bisedor dhe plot ngjyresa tek librat studimor të Borgesit, apo të Harold Blumit. Sipas kësaj praktike plazmimi tekstor vjen edhe libri “De Rada – Rishpikja e Arbërisë”, një libër i vyer, për studentët dhe mësuesit e letërsisë, dhe jo vetëm për ata, por edhe për studiuesit dhe ata që duan të dinë më shumë për De Radën dhe letërsinë e romantizmit, pa u munduar shumë.
_________________________
1 Atë Fulvio Cordignano S. J.: Epopeja komtare e popullit shqyptar, (Pjesa e parë), Shkodër 1925, fq. 12 – 13
2 Po aty. Fq. 46
3 Franco O. Palermo: La vita e le opere di un poeta arbreshe in Calabria; (në gazetën) “Il popolo di Roma”, 5 giugno 1938
4Giuseppe Schirò: (në revistën) Shêjzat (Le Pleiadi), anno VIII, 1964, n. 11/12, pagg. 468/477
5Paul Claudel: Poezi, Odeon, Tiranë 2014, (përkthyer nga Romeo Çollaku), fq. 74
6Sam Anderson – shkrimtar dhe kritik letrar bashkëkohor amerikan, i cili punon për revistën prestigjioze amerikane The New York Times Magazine.
7Anderson, Sam: “Why Criticism Matters: Translating the Code Into Everyday Language”, New York Times, 31 December 2010.