Pashtriku.org, 8. 12. 2016: Rezultati i referendumit në Itali tregon se ka një frymë kundër qeverive që nuk ofrojnë asgjë, pra janë kthyer në karkasa bosh, shkruan publicisti Nesturi. Jehona e asaj që ndodh në Europë vjen vonë në Shqipëri, por gjithsesi vjen, shkruan ai.
***
Tre ditë më parë Renzi dha dorëheqjen si kryeministër i Italisë. Basti i vënë me shpalljen e Referendumit për të marrë gjithçka ose asgjë rezultoi fatal për qeverinë e majtë në Romë, por gjithsesi arsyeja e shembjes nuk ishte si rezultat i fatit të keq në kazino. Italianët votuan në masë të gjerë dhe i thanë JO projektit të Renzit për thjeshtëzimin e Senatit, jo pse u dhimbseshin senatorët dhe as aparati i mbingarkuar burokratik që firon qindra miliona euro nga buxheti i shtetit kur vendi e qytetarët e tij vuajnë ende pasojat e krizës ekonomike. Renzi kish 1000 ditë në pushtet dhe kaq ishin shumë për një vend si Italia. Por 1000 ditë ishin dhe shumë për italianët për të shprehur zhgënjimin e tyre për aq pak sa bëri kryeministri përkundrejt shpresave të mëdha që ngjalli në fillimet e tij kur deklaronte “Mjaft me politikën e vjetër”.
Fryma e re, si lëvizje qytetare që kërkon ndryshime thelbësore, çka u shpreh në Itali, po shtrihet në të gjithë Evropën. Si një kundërvënie ndaj kastave, politike dhe ekonomike e që shpesh janë të ndërthurura, si pakënaqësi për lehtësinë se si u kanë hedhur barrën e krizës në shpinë të qytetarëve, e së fundmi si ngritje krye prej fyerjes nga arroganca e demagogjisë mbi reforma rritjeje por që askush nuk i ndien. Në këtë furtunë që sa vjen e forcohet në këta muaj dimri, nuk kursehen as ata liderë që deri pak kohë më parë ishin parë si shpresa e ndryshimit, e efikasitetit të qeverisjes dhe rritjes ekonomike. Renzi ish viktima më e freskët. Para tij britaniku Cameron. Presidenti francez Holland u tërhoq nga gara presidenciale ndërsa nëpër Evropë, surprizat duket se sa kanë nisur. Jo vetëm për vendet që do kenë zgjedhjet së afërmi si Gjermani, Francë e Austri, por dhe më gjerë. Spanja, Greqia, Portugalia e vende të ish-bllokut Lindor, kanë mazhoranca të brishta e ku zgjedhjet e parakohshme mund të jenë një opsion i ofruar si nga pakënaqësitë e brendshme ashtu dhe si trysnisë çfarë po ndodh në kontinent. Dhe liderët e modelit Renzi duken më të rrezikuarit. Elokuentë, dinamikë, me qëndrime plot sportivitet në kontrast me seriozitetin gri të modelit të politikanit klasik, dikur rrezatonin shpresë, por e gjitha kjo u shndërrua ne bumerang si rezultat i humbjes së besueshmërisë.
Ndryshimet në Evropë, gjithmonë në Shqipëri kanë ardhur si një valë e vonuar. Por përherë kanë mbërritur në brigjet tona. Edhe këtu qytetari ndihet i harruar, i lodhur nga çdo prurje politike që i ka premtuar së pari ndryshim, shtet ligjor e bum ekonomik. I është vrarë shpresa ndaj synon të ikë diku jashtë sepse sheh që atje në Evropë, edhe kur punët shkojnë keq, vetë qytetarët imponojnë ndryshim pushtetarësh që u kanë dalë fjale. Të pafuqishëm ndaj pushtetarësh që kanë shumëfish zullume ndaj të metave të homologëve evropianë, tashmë kanë zgjedhur të ikin nga sytë këmbët. Por jo të gjithë do të mundin. Ndaj vjen një ditë që dikush duhet të lirojë skenën. Ose o populli të gjejë një atdhe tjetër ose kjo kastë e ardhur në emër të ndryshimit të largohet.
Renzi qëndroi 1000 ditë si kryeministër dhe italianët e rrëzuan se nuk ngjallte më shpresë. Çfarë i ka mbetur për të kuptuar shqiptarit normal se pas mbi tre vjet të kësaj mazhorance në pushtet qeverisja jo nuk funksionon, por ta shpif. Ku asgjë nuk ndryshon, e ku pas çdo dështimi ministrat kalcifikohen në karrige. Ku për këdo është e qartë se vetë mazhoranca prej një viti nuk është funksionale, porse vijon në detyrë. Italia në shkurt do të bëjë zgjedhjet e reja. Dhe kodin e ri elektoral e kish bërë gati që në verë si për t’i paraprirë çdo surprize nga referendumi. Ndërkohë në Shqipëri, ku flamuri i rreckosur i Ndryshimit të madh synon vetëm kalanë e krisur të drejtësisë, nëse po shmangen zgjedhjet e parakohshme, një arsye është dhe mosndryshimi i ligjit elektoral. Të gjithë urrejnë të gjithë, sidomos në mazhorancë, por frika nga e pasigurta i mban të gjithë bashkë.
Ngrehina e pushtetit është e kalcifikuar duke i ngjarë një karkase bosh, pa ide e që nuk të shpreh asgjë, as optimizëm as shpresë, madje as të ngushëllon pse është aty… Vërtet qëndron ende në këmbë. Karkasat qëndrojnë kur nuk ka erë… por do të bjerë. Për këtë mos të dyshojë kush.
*) Autori është publicist.