POEZI PËR NOLIN DHE NËNË TEREZËN
Nga Albert Habazaj, Vlorë 27 gusht 2021
I KËRKOJ TË FALUR NOLIT
Nga Albert Habazaj
– Ti ke bërë vargje, – më tha një shok –
Për të shquar e të marrë, me zë e pa zë,
Për të dashurit e zemrës e miq plot
Po Nolit, …Nolit liberator asnjë.
I them: – Padyshim ta ndeshësh, miku im
Vjershave të mia s’e ke aq vështirë
Tek përsëris fjalët: det, dallgë, dritë
Këtë gabim patjetër e bëj me dëshirë.
Aty gjej sinonimin për Viganin,
Kohërash të murme që po presin rreze;
Me kukudhët e shoh si ndeshet Fani
Tek Atdheun përdorin brutalisht si meze…
Në Forest Hill të Bostonit*, ku prehet
Shkova me kalë të muzës për ta parë.
Kur u ndamë, i tronditur më tha: – Bir,
Hidhi një cigar Flamurit Kombëtar!
* Në moshën 83-vjeçare, u preh në varrezat e Forest Hillit të Bostonit, më 13.03.1965 Fan S. Noli ynë i madh
Nderim 111 vjetorit të lindjes së Shenjtores shqiptare
ULLIRI I MIRËSISË
Nga Albert Habazaj
Një lule me vargje për Shenjtërimin e Nënë Terezës (26 gusht 1910-5 shtator 1997)
Sot, kur nga veset po kërcënohet Planeti,
Egoistët behin si shumëkëmbësh të xhelozisë,
Sot, kur jetim e i braktisur ndihet Deti,
Ngrihet me përkushtim Nëna e Dashurisë.
Pikërisht kur bota e skamur, e mjeruar
Mbeti pastrehë, e sëmurë, sakate,
Ngrihet simboli human i vetëmohuar
Me frymën e shenjtë për miliarda fate.
Bota e mirë është e varfër, rënkon,
Vuan për dinjitet, dhe për koren e bukës,
Edhe pas njëqind vjetësh nuk prehet, s’duron,
Ngrihet në amshim Nënë Tereza e Kalkutës:
“Këtu është një jetë” – flet e ngroh ëmbël
Me butësinë e vërtetë qiellore,
Anjeza jonë, Gonxhe Bojaxhiu zemrën
Edhe shpirtin e mbush me lule pranverore…
Dhe Shkupi, dhe Shkodra, dhe Vlora, Shqipëria
Ndihen mirë për rrënjën e tyre që çeli,
Përderisa me të krenohet dhe India,
Baca Kolë e ti, Drane FALEMINDERIT!
Si ajo shqiponja që fluturon mbi mjegull
Nënë Tereza drejton shikimin drejt diellit,
Si engjëll e qenie e lartë hyjnore
Vjen si burim drite i mendimit të Qiellit.
Se dhe dielli ka varr vetëm dritën e tij,
Ai mund të vetëasgjësohet, nuk vdes;
Nëpër shekuj Nënë Tereza thur fisnikëri,
Përmbi shekuj Ulli Mirësie me shpresë!