PRANVERA E VITIT 1981

PRANVERA E VITIT 1981

Nga Mehmet BISLIMI, 22 Maj 2022

Pranvera po vjen ngadalë dhe nuk mund të kalojë pa u hetuar “koincidenca” e vlimeve të furishme në Kosovë, që në vazhdimësi kanë ndodhur gjatë muajit mars…

Që nga viti 1981 e deri tek rënia e komandantit legjendar Adem Jashari, marsi ishte prehri ku mbështeti kokën me halle populli ynë. Marsi, ky muaj i legjendave, që zuri vend në historinë tonë më të re, ky muaj i komandantit tonë legjendar, ky muaj i kthesës së madhe historike të pranverës së përgjakur të vitit 1981.  Marsi i vitit ‘81, përfundimisht shembi themelet e ish-Jugosllavisë pushtuese, pranverë kjo që vuri fillet e hershme të Ushtrisë sonë Çlirimtare të Kosovës, siç ishte rinia e asaj kohe.

Prej kohesh, këto ditë po priste populli ynë: 11 e 26 marsin, 1, 2 e 3 prillin e vitit 1981, 28 nëntorin daljes në skenë të Ushtrisë sonë Çlirimtare, ditëlindjen e legjendarit Jashari, për këto ditë pa reshtur kishte punuar populli ynë. Kjo pranverë e madhe që erdhi më herët se ajo kalendarike. Erdhi e furishme, erdhi me lulëkuqet e rinisë sonë më të bukur e të madhërishme studentore, marsi që hyri në histori. Bijtë më të mirë të popullit tonë, kishin punuar gjatë tërë kohës për një ditë si kjo. Hapur e fshehur, ata sollën 11 marsin (pas demonstratave të fuqishme e të përgjakshme të vitit 1968, ku në fushën e lavdisë kishte rënë nxënësi Murat Mehmeti, e shumë më herët me përpjekjet e shqiptarëve në vazhdimësi), duke u përballur me vuajtje e persekutime, që ish-pushtuesi serbo-jugosllav ushtronte dhunshëm mbi shqiptarët, me varfëri e diskriminim, me shtypje e degradime, me arrestime e arratisje, me vrasje e likuidime, deri edhe me spastrimet etnike të shqiptarëve nga toka e vet, nga shtëpitë e veta nga qielli dhe dielli i vet!…

Kjo rrugë e gjatë, deri ku jemi sot, nuk ishte rrugë e shtruar me lule, por ishte rrugë e rimuar me gjak. Ky gjak dhe kjo aspiratë kërkon, finalizimin e vet. Nuk ka çmim tjetër që shpaguan sakrificat e shqiptarëve për lirinë e vet, veç bërjes së shtetit të Kosovës dhe bashkimit të tokave tona, obligim i yni kombëtar e shpirtëror. Aspiratë kjo e trungut tonë që duhet të na përcjell përherë. Padyshim edhe përkujdesja jonë sistematike për të gjithë shqiptarët, që prapë “fati” i la të ndarë nga trungu i vet shqiptar, kudo që janë, duhet të punojnë pa ndalur deri tek realizimi final i aspiratave të tyre kombëtare që iu kanë cenuar…

Elita politike në Kosovën e përgjakur e asaj pranvere ishte zënë në befasi, zgjuar e trembur nga gjumi i rëndë që po bënte në shtratin e butë të ish-pushtuesit jugosllav. Ajo, nuk ishte e gatshme që të rreshtohej drejt. Në fakt, as që priste kush një rreshtim të tillë nga ajo shtresë vasalësh. Pushtuesi e kishte përgatitur këtë shtresë të shëmtuar me vite, e kishte avancuar e parfumosur me erën marramendëse të pushtetit dhe të fryteve të tij, që nga punësimi, makinat, banesat, shkollimi e deri tek të bërit ligji. Një hafije për dy shkronjat “K. R”, që do të thotë “Kosova Republikë!”, të denonconte dhe fare lehtë mund të dënoheshe me 2 e 3 e 5 vite burg, derisa ata për këtë “shërbim”, avancoheshin në detyrë dhe pushtet. Madje, disa gjakprishur shqiptarë të asaj elite, shkuan aq larg sa që për ta bindur pushtuesin për përkushtimin dhe besnikërinë e tyre, hoqën dorë edhe nga përkatësia e tyre kombëtare, duke u deklaruar me përkatësi jugosllave, siç ishin: Sinan Hasani, Ali Shukriu, Kolë Shiroka, Azem Vllasi e soj sorollopi i tyre.

Këtë klasë kokëshkretë politike po e shfrytëzonte maksimalisht ish-pushteti titist, derisa një ditë e hodhi për tokë si një leckë të zhubrosur. Ata vazhdimisht i ranë po të njëjtës melodi, që nga akuzat kundër popullit të vet, si: irredentist, ballist, nacionalist, vrimë e miut 500 lekë (thoshte Fadil Hoxha, për studentët tanë) diferencime, lëçitje duke prekur edhe në simbolin tonë kombëtar! Pra, qëndrimi i kësaj elite me kohë kishte kaluar edhe në urrejtje të papërmbajtshme dhe tejet hakmarrëse kundër bijve të popullit të vet. Kjo bazë e urrejtjes e mbështetur nga yshtjet e politikës së Beogradit zyrtar, elitën shqiptare të asaj kohe e kishte bindur që të lehte pandërprerë kundër interesave të popullit të vet.

 Në veten e parë:

Më 26 mars, u ngjita shtyllës ndriçuese të elektrikut të rrugës (diku pranë Radio Prishtinës), dhe hoqa flamurin e Jugosllavisë, duke e përbaltur e përplasur atë për tokë. Sinan Hasani, më vonë në një libër të tij, kishte shkruar se: “Një student me një shpejtësi majmuni u ngjit shtyllës së metaltë përpjetë dhe përdhosi flamurin e Jugosllavisë!”… Në fakt, ai kishte të drejtë, ngase mua më duhej një shpejtësi e tillë, për të hequr shumë flamuj të Jugosllavisë titiste, të cilët i kishin vu majmunët e shumtë si Sinan Hasani me shokë, mu në zemër të Kosovës. Ç’është e vërteta, unë e përbalta flamurin e pushtuesit jugosllav, atë flamur të cilin më vonë e vrau me pushkët e lirisë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës – bijtë më të mirë të popullit tanë liridashës.

Demonstratat e vitit 1981, populli ynë i përkrahu fuqishëm e pa u hamendur. Në mesin e studentëve vërshuan si lumi: nxënës, punëtorë, qytetarë, vajza, gra, të rinj e të moshuar, që të gjithë. Vlen të ceket, dhe nuk guxon të anashkalohet: të gjitha dyert e qytetarëve atdhedashës të Prishtinës ishin të hapura për demonstruesit ditën edhe natën. Ata na pritën me bukë e kripë e zemër, na strehuan, na i lidhën plagët, nga e ngrohën shpirtin, na dhanë kurajën dhe mbështetjen, prandaj edhe sot i puthi me respekt duart e të gjitha atyre nënave që na dhanë bukën e ngrohtë e na i lidhën plagët e njoma – ta paçim borxh Prishtinë!

Punëtorë të shumtë të furrave e të shitoreve, po shpërndanin bukë, pijë e ushqime të tjera, për demonstruesit. Sot për atë kohë, më lejoni t’ju them: ju lumtë o bijtë e atdheut, dëshmuat dashurinë dhe përkushtimin për atdheun dhe për bijtë tuaj.

Punëtorë të shumtë nga organizata të shumta punuese si “Ramiz Sadiku” etj., me helmeta në kokë u futën në gjirin e demonstruesve. Ata sollën me vete së bashku me përkrahjen morale për ne edhe mjete tjera barrikade, si: kamionë, ekskavatorë, rrafshues, buldozerë etj. Demonstruesit u bënë të pakalueshëm. Këta punëtorë u solidarizuan me bijtë e vet, duke dashur që të vdesin pranë dhe përkrah nesh. Mos e harroni këtë kategori që sot është si mos më keq. Kujtimi për ta qoftë i paharruar!

Punëtorët e shëndetësisë po shpërndanin fasha, medikamente, vaksina e gjithçka ishte në mundësinë e tyre për shpëtimin dhe aftësimin e demonstruesve. E madhja Sahadete Mekuli i kishte pritur demonstruesit e plagosur në spital me fjalët e bukura, atdhetare dhe të guximshme, si: Me fat plagët o trimat e Kosovës! Mos e harroni këtë akt atdhetarie, shëndetësi e Kosovës, mos shkelni mbi betimin e hipokrates sonë Sahadete.

Më 2 prill, mbi Fakultetin Ekonomik, ushtria serbe nga tanku i ushtrisë jugosllave, shtiu në turmën e demonstruesve. Shtiu armata e quajtur APJ. Nga breshëria e plumbave, u shkëput për dhe Besa Ahmeti, nxënëse. Plagët ia lidhëm me këmishën e trupit të Fejzë Veliut nga Polaci i Drenicës dhe e futëm në një makinë “Reno 4”. Mbaj mend se në momentin kur Besa ishte mes jetës a vdekjes, tek po i thoshte një shoqes së vet: “Mos trego në shtëpi për plagosjen time, mos u trego prindërve, thuaju se Besa është me demonstruesit”… dhe vërtet emri i Besës ishte kudo me ne, është edhe sot. Mos harroni gjakun e derdhur për liri rrugëve të Prishtinës dhe Besën e Betimin e dhënë për liri të Kosovës.

Një grua që kishte në dorë një litër qumësht, të cilën e kishte blerë diku në treg për fëmijët e saj, na e zgjati atë qumësht duke na thënë: “Merreni, po ua jap këta qumësht, ashtu sikur fëmijëve të mi!… Mos e harroni qumështin e nënave të cilat na e dhanë për këto ditë, jo për të shkelur mbi gjakun e derdhur rrëke për liri, se pastaj detyrohen e na thonë haram ju qoftë gjiri i nënave!” …

Në demonstratën e prillit, ishte vrarë edhe i riu Xhelal Maliqi, punëtor i Televizionit të Prishtinës, edhe një lule e këputur në mesin e shumë luleve – dëshmor të kombit. Me disa shokë, shkuam atje që të përkuleshim për të fundit herë para trupit të tij.

Si sot… në një oborr të vogël… nën një pemë të madhe, që kishte qenë aty, një djalë i ri si një lis mali, shtrirë në një arkivol të vjetër, shtrirë e me sy të hapur… Ata sy, edhe sot të hapur qëndrojnë?! Qindra dëshmorë të Kosovës nuk po i mbyllin dot sytë. Mos harroni, ata sy duan që Kosovën ta shohin të lirë e të bashkuar, dhe vetëm të lirë e të bashkuar…

Më dy prill, nga shtëpia e Dalibashiqëve (atje afër Mensës së Studentëve), diku rreth orës 11:00 paradite, ishte shtënë me armë zjarri. Dalibashiqët kishin plagosur një demonstrues për vdekje. Në orën 04:00 pasdite, kur policia u ngjit lart në atë lagje, njëri nga Dalibashiqët doli prapë me pushkë M-48 në dorë dhe diku 10-15 metra mbi shtëpinë e tij qëlloi një demonstrues tjetër i cili atë moment ishte duke manovruar me një kamion për të bërë barrikadë në rrugë. Nga një largësi prej 200 metrash më lart, mbrapa një trafo rryme, këtë ngjarje e kemi parë me sytë tanë, tre veta: unë (Mehmet Bislimi) nga Prekazi, Ismet (Milazim) Kabashi nga Polaci dhe Ilaz Kolovica nga Prishtina. Nuk kam njohuri nëse këta dy demonstrues të qëlluar me pushkë nga qytetari Dalibashiq, kanë vdekur apo kanë shpëtuar me plagë të rënda në trup. Atë botë, Dalibashiqët për këtë krim u dënuan vetëm me nga 30 ditë burg kundërvajtës. Drejtësi e Kosovës, mos e harro as këtë!…

Në Kosovë gjatë demonstratave të marsit dhe prillit të vitit 1981, milicia dhe ushtria jugosllave vrau 11 demonstrues, ranë për liri: Asllan Pireva, Naser Hajrizi, Xhelal Maliqi, Salih Abazi, Salih Maloku, Ruzhdi Hyseni, Rizah Matoshi, Sherif Frangu, Nesimi Dervishdana, Ibrahim Krasniqi dhe Afrim Abazi, si dhe plagosi mbi 300 të tjerë. Burgosi mbi 2 500 të rinj, kryesisht studentë, përjashtoi nga shkollat, universiteti, fabrikat dhe institucionet tjera, diferencoi, lëçiti me mijëra shqiptarë. Shumë nga të burgosurit shqiptarë, i mbyten edhe në burgjet serbe, si: Fazli Graiqevcin, Xhemaili Berishën, Zija Shemsiun, Abedin Balen, Ibrahim Krasniqin, Ibrahim Kastratin, e mbi 173 të tjerë në burgun e Dubravës. Vizitoni varret e tyre me respekt, në mënyrë që të kujtojmë flijimin e tyre për një Kosovë të lirë e të bashkuar…

Në një formë a tjetër, nëpër organet e sigurimit të shtetit të Serbisë UDB-së, kaluan mbi 700 mijë shqiptarë, nëpër rrathët e ferrit, si: dënime drakonike, kundërvajtëse, hetime, izolime, maltretime, gjymtime dhe likuidime të shqiptarëve.

Milicia e serbo-jugosllavisë, në mesin e tyre edhe milicë shqiptarë, më 26 mars, diku pas orës 16:00, u vërsulën rreth konvikteve të studentëve, përdorën një dhunë të paparë deri në përmasat e një çmendurie, shfryer në mënyrë shtazarake mbi rinin shqiptare studentore. Nuk më hiqet nga sytë flamuri në duart e një vajze të re, të cilës iu kishin vërsulur më shumë se katër milicë, e nuk po mundnin t’ia hiqnin flamurin nga duart, shqiponjës trime të Kosovës. Mos harroni se askund në botë nuk ndodh, që simbolet nacionale të përdhosen e përshtatën për hir të minoritarëve që në Kosovë përbëjnë jo më shumë se rreth 5 %…

Shqipëria socialiste e Enver Hoxhës, atëbotë ishte i vetmi shtet në rajon dhe Evropë që demonstratat e vitit 1981 i përkrahi moralisht e shpirtërisht, pa rezervë e fuqishëm, duke i vlerësuar kërkesat tona si të drejta. Shqipëria, njëkohësisht ishte i vetmi shtet që dënoi dhunën dhe represaliet që ish-aparati shtypës serbo-jugosllav i kishte zbatuar kundër demonstruesve duarthatë shqiptarë të Kosovës të cilët po kërkonin të drejtat dhe lirinë e vet dhe asgjë më shumë. As këtë nuk duhet ta harrojmë.

  Në maj të po atij viti, Tahir e Nebih Meha, si dikur Oso Kuka, u dogjën në kullën e barotit. Ata me këtë rast i treguan pushtuesit jugosllav se shqiptarët një ditë do të detyrohen të mbrohen edhe me armë. Tahiri, atë vit vrau me pushkën e lirisë forcat e dhunshme të pushtuesit, vrau namin e tyre, për më shumë, hodhi për tokë “mitin” mbi paprekshmërinë e njësiteve speciale të ish-UDB-së dhe KOS-it. Mos harroni krismën e pushkës së lirisë të Tahir e Nabih Mehës. Ishin lajmëtarët e parë të pushkëve të lirisë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në ceremoninë e varrimit të Tahir e Nebih Mehës, ishin prezent edhe Shaban, Hemëz e Adem Jashari. Ata, atë ditë, me rastin e varrimit të tyre, ishin betuar se luftën për liri e bashkim të shqiptarëve, do ta vazhdonin me konsekuencë dhe pakompromis dhe së gjaku i Tahir e Nebih Mehës dhe qindra dëshmorëve tanë, do të shpaguhet shumëfish!… (isha prezent edhe vetë (autori i këtij shkrimi) dhe e di saktë së kush ka qenë prezent atë ditë)…

Nga ajo ditë, deri tek rënia legjendare e Shaban, Hamëz dhe Adem Jasharit, kishin kaluar më se 17 vjet, dhe aspirata e tyre u konkretizua me formimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.  

… Një histori e tërë luftërash e vuajtjesh për liri, sigurisht që nuk i ka rrënjët kaq cekët. Ato rrënjë janë të thella, dhe datojnë që kur erdhën pushtuesit në tokat tona, prandaj rrënjët e lirisë nuk duken mbi tokë që t’i shkuli pushtuesi kur të dojë. Jo, ato bulojnë çdo pranverë, bulojnë nga shtytja e fuqishme e gjakut derdhur për liri e bashkim kombëtar. Historia jonë, nuk është histori romantike me të vërshuar e me të shkëputura. Kjo është histori që i ka futur tmerrin pushtuesve tanë. Histori kjo, që ka kaluar për tehun e shpatës së Gjergj Kastriotit, përmes kështjellës së barotit të Luanit të Janinës, përmes kullës së Oso Kukë Vraninës, përmes litarit të Idriz Seferit e gjoksit të Mic Sokolit e shtatit të Jakup Ferrit, përmes diplomacisë së Abdylit, Hasanit, Nolit, Currit e Qemalit, përmes kobures së Boletinit, përmes tehut të sëpatës së Ahmet Prekazit e mitralozit të Adem Jasharit.

Historinë shqiptare, nuk e zhbëri as sulltani i Turqisë, as krajli i Serbisë, as cari i Mosokovit e as shpifjet e perandorit. Brezi i demonstrueseve të vitit ‘68 dhe ‘81, përfundimisht shembi themelet e ish-Jugosllavisë pushtuese. Pushkët e lirisë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mbështetur fuqishëm nga populli ynë liridashës, padyshim edhe nga bota liridashës, bënë gërmadhë pushtetin gjakatare të quajtur Serbi.

– Mos të harrojmë edhe këtë: Çmimin e lirisë deri sot, populli shqiptar e ka paguar shumëfish!…

Nga marsi në mars, 2021.

© Pashtriku.org

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura