PREJ NAIMIT DERI TE HASAN PRISHTINA NË UNIVERSITETIN E PRISHTINËS, DHE PËRBALLJA ME SFIDAT E TANISHME

PREJ NAIMIT DERI TE HASAN PRISHTINA NË UNIVERSITETIN E PRISHTINËS, DHE PËRBALLJA ME SFIDAT E TANISHME

Nga Fatmir Lekaj – politolog, 9 qershor 2023

Hyrje

Studiuesi çek Miroslav Hroch, nëpërmes formulimit të një tipologjie për periodizimin e procesit të tri fazave të lëvizjeve kombëtare, fazës a, b dhe c (në rastet e kombeve të vogla evropiane, në veçanti në rastet e kombeve eurolindore), ka kontribuar për një qasje më të mirë analitike në lidhje me studimin e proceseve të lëvizjeve kombëtare. Sipas tij, kjo skemë – abc e lëvizjeve kombëtare karakterizohet nga periudha e përkushtimit intelektual për kombin (faza a), periudha e agjitacionit patriotik për kombin (faza b), dhe periudha e masivizimit patriotik për kombin (faza c). [1] Në kuadër të literaturës akademike shqiptare ende nuk është zbatuar mjaftueshëm kjo skemë në lidhje me të gjitha detajet e lëvizjes kombëtare shqiptare, që në fakt është një temë e gjerë dhe e ndërlikuar akademike. Megjithëkëtë, konsideroj se edhe në këtë ese (shkrim të kufizuar) për këtë temë, ja vlen të ndriçohen dhe të përkufizohen disa karakteristika thelbësore të lëvizjes kombëtare shqiptare, duke marr pikënisje në këtë skemë – abc të lëvizjeve kombëtare. Rrjedhimisht, në vijim nëpërmes një përmbledhje të shkurtër, koncize dhe mundësisht sa më objektive (duke u bazuar kryesisht në burimet e autorëve të huaj), mëtoj të zbatoj këtë skemë në lidhje me lëvizjen kombëtare shqiptare, si shenjë nderimi me rastin e shënimit të 145 – vjetorit të Lidhjes së Prizrenit (10.06.1878 – 10.06.2023),dhe si reflektim mbi të kaluarën në përballje me sfidat e tanishme.

I

Faza e parë (a) e lëvizjeve kombëtare (duke qenë e inspiruar, përveç të tjerash, nga iluminizmi dhe romantizmi), karakterizohet nga një përkushtim i pasionuar i intelektualëve për gjuhën dhe karakterin e veçantë historiko-kulturor të kombit. Në historiografinë shqiptare kjo fazë identifikohet me fillesën e të ashtuquajturës Rilindja Kombëtare Shqiptare, që mund ta quajmë edhe Lëvizja Kombëtare Shqiptare. Rrjedhimisht, ndikimin e veçantë për fillimprocesin e kombformimit shqiptar në fazën e parë (a), në kuptimin e shfaqjes së idesë kombëtareshqiptare (si fillesë për transformimin e bashkësisë etnike shqiptare në kombin shqiptar) e kanë pasur ideologët e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare: Naum Veqilharxhi (1797-1854), Hasan Tahsini (1811-1884) Jeronim de Rada (1814-1903), Zef Jubani (1818-1880), Thimi Mitko, (1820-1890), Elena Gjika (1828- 1888), Konstantin Kristoforidhi (1830-1895) [2] etj.

Pothuajse të gjithë këta ideologë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare jetonin jashtë Shqipërisë dhe ishin të arsimuar dhe të influencuar nga idetë e iluminizmit dhe romantizmit. Naum Veqilharxhi ishte në moshë të mitur kur familja e tij emigroi në Rumani. Jeronim de Rada ishte pasardhës i një familje emigrantësh shqiptarë që kishin emigruar në Itali pas vdekjes së Skënderbeut. Thimi Mitko, emigrant në Egjipt. Elena Gjika, kishte lindur në Konstancë të Romanisë dhe ishte vajzë e një fisniku me origjinë shqiptare. Ndërsa Hasan Tahsini dhe Konstantin Kristoforidhi ishin emigrantë në Stamboll. Veprimtaria e tyre karakterizohet nga zhvillimi i studimeve mbi historinë, gjuhën, duke përfshirë alfabetin, folklorin, letërsinë, artin, botimin e gazetave, themelimin e shoqatave kulturore dhe arsimin – në kuptimin e kërkesave për hapjen e shkollave shqipe, krahas atyre greke, latine etj., në kuadër të Perandorisë Osmane. Qëllimi kryesor i ideologëve të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare ishte unifikimi i shqiptarëve në një komb, pa dallim të feve dhe ndarjes administrative të shqiptarëve, në kuadër të Perandorisë Osmane, duke përfshirë edhe reformat ekonomike etj. [3]  Në këtë vazhdë kjo veprimtari e fazës së parë (a), që kishte filluar në vitet 1820, u shtua dhe u shndërrua në mënyrë të suksesshme në fazën e dytë (b).

Faza e dytë (b) e lëvizjeve kombëtare është e karakterizuar nga agjitacioni aktiv me adresë të dyfishtë, që nënkupton se lëvizja kombëtare nga njëra anë përpiqet të bindë sa më shumë

anëtarë të bashkësisë së vet etnike se “ne” jemi një komb. Edhe pse në këtë periudhë bashkësitë etnike kanë qenë më shumë projekte kombëtare sesa kombe, në kuptimin se vetëm një pjesë e vogël e popullit e ka perceptuar veten anëtar i një kombi. Dhe nga ana tjetër, lëvizja kombëtare i shpall kërkesa në emër të bashkësisë së vet etnike, elitës së huaj, e në rastin e shqiptarëve, Perandorisë Osmane, në veçanti nëpërmes Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878). Ndikimin e veçantë gjatë fazës së dytë (b), të agjitacionit patriotik të lëvizjes kombëtare shqiptare, e kanë pasur: Abdyl Frashëri (1839-1892), Pashko Vasë Shkodrani (1825-1892) dhe shumë të tjerë.     

Faza a dhe b janë të ndërlidhura/përmbushëse me njëratjetrën, kështu që ndarja në mes të këtyre dy fazave është pjesërisht ndarje analitike. Shembulli më i mirë (në mes të shembujve të tjerë) për ndërlidhjen / përmbushjen e këtyre dy fazave në aspektin e protagonistëve gjatë procesit të kombformimit shqiptar janë vëllezërit Frashëri (Abdyl, Sami dhe Naim Frashëri), të cilët kanë qenë protagonistë të rëndësishëm gjatë fazës a dhe b të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.

Megjithëkëtë, sipas Hroch, dallimi në mes këtyre dy fazave nuk është i parëndësishëm, sepse agjitacioni, përkatësisht faza b (që është faza më e rëndësishme për realizimin e një projekti kombëtar), bëhet më e fuqishme po qe se të tjerët para tyre (faza a) kanë kontribuar për një ide/vetëdije të përbashkët kombëtare. [4]  

Në rastin e shqiptarëve, roli i rëndësishëm i diasporës shqiptare ka ndikuar që faza b të jetë më e fuqishme. Sipas historianit anglez Noel Malcolm, arbëreshët e Italisë, të influencuar nga rizorxhimento (Rilindja), kanë qenë më radikalët në kuadër të idesë për çlirimin dhe pavarësimin e plotë të shqiptarëve në një shtet shqiptar në Ballkan dhe, në këtë vazhdë, në vitin 1878 në Milano e kanë themeluar “Komitetin italo-shqiptar për çlirimin e shqiptarëve në Lindje”. Gjithashtu, qarqet intelektuale-patriotike të diasporës shqiptare në Rumani, Bullgari dhe deri në Egjipt, e kanë pasur një rol të rëndësishëm, e veçanërisht Bashkësia Shqiptare e Stambollit, që ka pasur kontaktin më të drejtpërdrejtë me trevat shqiptare. [5]   Ndërsa sipas ballkanologut norvegjez, Svein Mønnesland, edhe dy pashallëqet shqiptare që iu kundërvunë Sulltanit gjatë periudhës së fillimviteve 1800 (pashallëku i Shkodrës në veri në krye me Bushatlinjtë, dhe pashallëku i Janinës në jug, në krye me Ali Pashë Tepelenën), edhe pse nuk kanë përfaqësuar lëvizje tipike kombëtare, kanë ndikuar që shqiptarët ta shijojnë vetëqeverisjen. Megjithëkëtë, sipas tij, fillesa e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare zuri vend jashtë trojeve shqiptare, veçanërisht në kuadër të qarqeve intelektuale-patriotike shqiptare në Bukuresht dhe Stamboll. [6]   

Njëherësh vlen të theksohet se Hroch nuk bazohet vetëm në protagonistë (vetëm në elitat e lëvizjeve kombëtare në fazat a, b dhe c), por pothuajse në të njëjtën masë bazohet edhe në strukturë. Sipas tij, procesi i kombformimit nuk është proces që ndodh në një vakum sociopolitik, por është ngushtë i ndërlidhur me modernizimin politiko-ekonomik. Në kuptimin se procesi i kombformimit starton në një kohë krize identiteti dhe vlerash, si pasojë e krizës në regjimin e vjetër. [7]  Kjo pikëpamje e Hrochut përputhet edhe me procesin e kombformimit shqiptar (përkatësisht me fazën a dhe b të lëvizjes kombëtare shqiptare), në kuptimin e reagimit të fuqishëm të shqiptarëve që nga fillimvitet 1830, kundër reformave centralizuese të Perandorisë Osmane, që më pastaj nga viti 1839-1856 dhe 1856-1876 njihen si Reformat e Tanzimatit, duke përfshirë në këtë vazhdë reagimin e fuqishëm të shqiptarëve kundër Traktatit të Shën-Stefanit të vitit 1878 (në mes të Rusisë dhe Perandorisë Osmane), që dëmtoj rëndë të ardhmen politike dhe kombëtare të shqiptarëve në Ballkan.

Në fakt, forcimi i Rusisë që nga shekulli XVII dhe puqja e interesave të Rusisë dhe Austro-Hungarisë për ta ushtruar hegjemoninë e tyre në Ballkan, që njëkohësisht karakterizohej nga rivaliteti në mes tyre, kishte rritur presionin ndaj Perandorisë Osmane. Madje në vitin 1782 Austro-Hungaria dhe Rusia kishin arritur një marrëveshje të fshehtë për ndarjen e Ballkanit, por realizimin e këtij plani e penguan Anglia dhe Franca. Rivaliteti në mes të Rusisë dhe Austro-Hungarisë përfshiu edhe konkurrencën në mes tyre, për ushtrimin e ndikimit mbi serbët, me të cilët Rusia kishte një relacion më specifik. [8] Në fillimvitet 1800, me mbështetjen e Austro-Hungarisë dhe Rusisë, iu njoh një lloj autonomie Serbisë dhe në këtë vazhdë, Anglia, Franca dhe Rusia mbështetën lëvizjen greke për pavarësi. Strategjia e Perandorisë Osmane me dhënien e drejtave për komunitetet jomyslimane që përfshiu reforma e Tanzimatit (duke u bazuar në të drejtat fetare dhe jo në të drejtat etnike), ishte një përpjekje për të amortizuar separatizmin, përkatësisht për të mbajtur brenda Perandorisë Osmane, komunitetet jomyslimane. Por, efekti u tregua të jetë i kundërt sepse kërkesat gjithnjë në rritje nën petkun fetar, të komuniteteve të krishtera (serbëve, bullgarëve etj.), rezultuan në kërkesa nacionale. Në këtë vazhdë, veçanërisht kërkesat (ekspansioniste) të Serbisë, të mbështetura nga Rusia, rezultuan kërcënuese ndaj shqiptarëve. [9]                                                                   

Me reformën e Tanzimatit filluan të zbatohen edhe rregullat që kishin të bënin me sistemin e ri të taksimit, të shërbimit të detyrueshëm ushtarak, të gjykatave, duke e përfshirë edhe ndryshimin e strukturës administrative. Në vend të shqiptarëve erdhën administratorë dhe nëpunës të tjerë (me përkatësi tjetër etnike) nga rajonet e ndryshme të Perandorisë Osmane. Kjo ndikoi që shqiptarët (të nxitur edhe nga krerët e tyre lokalë, duke përfshirë edhe spahinjtë/përfaqësuesit e feudeve), të reagojnë fuqishëm kundër Perandorisë Osmane, deri në nivelin e kryengritjeve të armatosura. [10] Për më tepër, përcaktimi i të drejtave për komunitetet mbi bazën fetare dhe jo mbi bazën etnike (në kuadër të reformës së Tanzimatit), i diskriminoi shqiptarët veçanërisht në të drejtat për arsimin, ngase kur popujve në Perandorinë Osmane iu lejua të organizonin shkollat në gjuhët e tyre në vitin 1839, kjo nuk vlente për shqiptarët sepse ata ishin të fragmentuar fetarisht. Shqiptarët myslimanë konsideroheshin si turq, ata ortodoksë si grekë dhe ata katolikë si ‘latinë’, që mund të shkonin në shkollat italiane. [11]   

Për dallim të fqinjëve të tyre, shqiptarët gjendeshin në një situatë krejtësisht të disfavorshme. Nga njëra anë çështja e shqiptarëve nuk ishte futur haptazi në kuadër të diskursit ndërkombëtar edhe pse (në vazhdën e reformës së Tanzimatit), e tërhoqi vëmendjen e shteteve perëndimore, si një objekt i një konflikti eventual në planin ndërkombëtar. Anglia, duke qenë e brengosur për rritjen e ndikimit të Rusisë, ishte për ruajtjen e statuskuosë dhe, në këtë vazhdë, duke e marrë parasysh pozitën e veçantë të shqiptarëve (historike, etnike dhe fetare), konsideronte se çështja shqiptare duhej mbajtur në kuadër të Perandorisë Osmane si çështje e brendshme e saj. Nga ana tjetër, Perandoria Osmane pengonte çdo lloj uniteti të shqiptarëve nëpërmes taktikës “përçaj dhe sundo”. Zbatimin e kësaj taktike e lehtësonte edhe struktura e brishtë organizative e shqiptarëve (me ndarjet fisnore dhe fetare). Madje edhe krerët lokalë të shqiptarëve, që ishin ngritur kundër reformës së Tanzimatit, i prioritonin më shumë kërkesat për rikthimin e të drejtave fisnore sesa kërkesat për unitetin territorial-kombëtar të shqiptarëve. Perandoria Osmane kishte krijuar përvojë për përdorimin e kësaj taktike ndaj komuniteteve të ndryshme dhe e vazhdoi ndaj shqiptarëve. Kjo ishte edhe arsyeja pse reformistët e Tanzimatit i konsideronin si kërcënim më të madh, intelektualët shqiptarë (se sa krerët lokalë shqiptarë), të cilët nëpërmes veprimtarisë së tyre patriotike, synonin një strukturë të unitetit kombëtar të shqiptarëve. Një ndër preokupimet kryesore të intelektualëve shqiptarë ishte zgjerimi i veprimtarisë patriotike, dhe duke e shfrytëzuar të drejtën për krijimin e shoqatave, që përcaktoi reforma e Tanzimatit, arritën ta zgjerojnë veprimtarinë e tyre edhe më shumë. Madje edhe duke e ushtruar mësimin e fshehtë në gjuhën shqipe, gjë që rezultoi me reagimin e reformistëve të Tanzimatit dhe të patriarkanës ortodokse të Stambollit. Gjithashtu, ndarja fetare në mes të shqiptarëve ishte një pengesë për unitet kombëtar, edhe pse shqiptarët kishin një traditë të bashkëjetesës ndërfetare. Islamizimi masiv i shqiptarëve rezultoi në një integrim më të madh të shqiptarëve (krahasuar me fqinjët e tyre), në kuadër të Perandorisë Osmane. Njëkohësisht, ndikimi i patriarkanës ortodokse të Stambollit mbi shqiptarët ortodoksë të Shqipërisë së jugut, dhe i Italisë, Austrisë dhe Francës mbi shqiptarët katolikë të Shqipërisë së Veriut, i inkurajonin dallimet fetare të shqiptarëve, në drejtimin e ndarjeve politike. [12]  Rrjedhimisht, brenda këtij konteksti historiko-politik dhe social të shqiptarëve duhet vlerësuar postulatin e Pashko Vasë Shkodranit: “Feja e Shqyptarit është Shqyptaria”, të shkruar në kuadër të poemës së tij të titulluar “O moj Shqypni e mjera Shqypni”.  Në esencë, ky postulat (që pati ndikim të madh), ishte thirrje për unitetin kombëtar dhe harmoninë ndërfetare të shqiptarëve, dhe jo kundër feve si vlerë në vete.

Marrë parasysh këtë kontekst socio-politik në të cilin gjendeshin shqiptarët, edhe pse s’u arrit që kërkesat e kryengritësve lokalë shqiptarë (gjatë fillimviteve 1830 e tutje kundër reformave të Tanzimatit), të përbashkohen dhe formulohen në bazë të një programi, dhe të paraqiten në emër të të gjithë popullit shqiptar. Megjithëkëtë, përveç kërkesave për anulimin e ligjit për shërbimin e detyrueshëm ushtarak, dhe zëvendësimin e funksionarëve osmanë të pushtetit lokal, që s’e dinin gjuhën shqipe, me nëpunës shqiptarë, duke përfshirë kërkesën që të mos paguheshin taksat shtesë etj. Në disa raste, kërkesa e kryengritësve lokalë shqiptarë për një status të veçantë të trojeve shqiptare, përmbante në “embrion” kërkesën për autonomi territoriale-administrative të Shqipërisë. Disa ndër shembujt më tipikë për këtë janë: Kryengritja e udhëhequr nga Tafil Buzi që nisi në Berat në vitin 1834 dhe u përhap në krahinat e Vlorës, të Tepelenës, të Skraparit, të Tomoricës, të Mallakastrës, të Përmetit etj., dhe rezultoi me organizimin e Besëlidhjes së nëntë krahinave të Shqipërisë së Jugut. Kjo Besëlidhje, që njëkohësisht ishte organ qeverisës, kërkoi që mos të zbatohen reformat centralizuese, në krahinat kryengritëse dhe t’u njihet një qeverisje autonome. Pas një qëndrese heroike kryengritja u shtyp, megjithëkëtë kryengritjet nuk u ndalën dhe në vazhdimësi e vështirësuan zbatimin e reformave centralizuese. Në maj 1835 nisi kryengritja në Shkodër në krye me Hamza Kazazin, që më pastaj u udhëhoq nga një këshill i përkohshëm i njohur në literaturë si qeveri provizore. Kësaj kryengritje të shkodranëve iu bashkuan vullnetarë nga Postriba, Gjakova, Peja, Malësia e Mbishkodrës, Ulqini, Podgorica, krahinat e Mirditës, të Matit e të Dibrës dhe, rrjedhimisht, përfshiu pothuajse gjithë Shqipërinë e Veriut. Gjenerali francez, Kybjer, komandant i forcave të Mesdheut, e cilësoi këtë kryengritje si revolucion, në kuptimin e një lëvizje me shtrirje të gjerë për çlirim nga Perandoria Osmane. Ndërsa një nga emisarët francez në Prevezë shkruante se kryengritësit pretendonin një pavarësi nga Perandoria Osmane, të ngjashme me autonominë e Serbisë. Në këtë vazhdë rol të veçantë ka pasur kryengritja e viteve 1843-1844 në krye me Dervish Carën, që filloi në Shkup dhe u zgjerua duke përfshirë Kumanovën, Preshevën, Bujanovcin, Vranjën, Grykën e Kaqanikut, Leskovcin, Pejën, Gjakovën, Prizrenin e deri në Shkodër. Kjo kryengritje përfshiu pothuajse të gjitha trevat shqiptare, nga Manastiri e Ohri në jug deri në skajet veriore e verilindore të Kosovës, ku kryengritësit vendosën pushtetin e tyre dhe shprehnin hapur pretendimet për autonominë, duke iu referuar shembullit të organizimit të shteteve fqinje (Serbisë etj.). Gjithashtu, kryengritja e vitit 1847 në krye me Zenel Gjolekën, që nisi në Kurvelesh dhe përfshiu Delvinën, gjithë Labërinë, duke u përhapur në trevën e Çamërisë, të Përmetit e veçanërisht të Mallakastrës në krye me Rrapo Hekalin etj. Prapavija e kësaj kryengritje që shënoi ngritjen në një shkallë më të lartë të Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Shqiptarëve ishte organizimi i Kuvendit të Madh Ndërkrahinor të Mesaplikut, në qershor 1847, ku morën pjesë përfaqësues nga krahinat e Shqipërisë, kryesisht të jugut. Edhe këngët popullore që iu kushtuan kësaj kryengritje karakterizohen nga ideja e bashkimit kombëtar. Në njërën nga këto këngë poeti popullor i drejtohet Zenel Gjolekës me fjalët “sos lëfton për vete, / por për gjithë vilajete” dhe vë në dukje se udhëheqësi trim nuk lufton “as për mua, as për ti, / po për gjithë Shqipëri”. Edhe Sami Frashëri (një ndër ideologët dhe agjitatorët më të spikatur të lëvizjes kombëtare shqiptare) e ka cilësuar këtë kryengritje si kërkesë për bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare në një Shqipëri autonome. [13] Me fjalë të tjera, kryengritjet e shqiptarëve që nga fillimvitet 1830 dhe në vazhdimësi, kundër reformave të Tanzimatit (në Shqipërinë jugore dhe veriore, duke përshirë Kosovën dhe vise të tjera të banuara me shqiptarë), dhe veçanërisht ndikimi i veprimtarisë dhe i retorikës patriotike i intelektualëve shqiptarë (në shërbim të gjuhës, historisë, harmonisë ndërfetare, dhe ngritjes së një strukture të unitetit kombëtar të shqiptarëve), ishin shpëtimi i Shqipërisë.

    Në këtë vazhdë veprimtaria dhe rezistenca patriotike e shqiptarëve u shtuan si reagim ndaj vendimeve të Traktatit të Shën-Stefanit dhe të Kongresit të Berlinit (1878). Rrjedhimisht, faza a dhe b e lëvizjes kombëtare shqiptare është gjithashtu e ndërlidhur/përmbushëse me njëratjetrën në aspektin strukturor. Në kuptimin e kryengritjeve që nga fillimvitet 1830, dhe në vazhdimësi kundër reformave të Tanzimatit (pothuajse në gjithë territoret ku banonin shqiptarët), duke u fuqizuar edhe më shumë nëpërmes veprimtarisë së Kuvendit të Prizrenit, përkatësisht Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878), që arriti ta shndërrojë përfundimisht idenë kombëtare shqiptare (të fazës a) në projektin/programin kombëtar shqiptar (të fazës b). Dhe që njëkohësisht ishte shprehje e revoltës kundër vendimeve të traktatit të Shën Stefanit dhe të Kongresit të Berlinit (1878).

Traktati i Shën Stefanit i nënshkruar më 3 mars 1978, në mes të Rusisë dhe Perandorisë Osmane, nuk i përfshiu shqiptarët dhe parashihte që gati gjysma e territoreve të banuara me shqiptarë t’u jepen shteteve të sapoformuara (Serbisë, Malit të Zi, Bullgarisë etj.). Njëherësh ky traktat, shqetësoi disa ndër fuqitë e mëdha të kohës (Gjermaninë, Austro-Hungarinë, Francën, Italinë, Britaninë e Madhe), sepse e forconte hegjemonin ruse në Ballkan nëpërmes aleatëve të saj (Serbisë, Malit të Zi, Bullgarisë etj.). Prandaj fuqitë e mëdha të kohës  e  organizuan një kongres në Berlin në qershor të vitit 1878, për ta rishikuar këtë traktat.

Gjatë periudhës 1877-’78 forcat serbe dëbuan masivisht shqiptarët nga territoret e tyre indigjene. Deri në fund të vitit 1878 numri i të dëbuarve shqiptarë arriti shifrën e 60 000 refugjatëve të vendosur në Maqedoni dhe 60 000-70 000 refugjatëve të vendosur në Kosovë. Në Kongres të Berlinit u vendos që këto territore shqiptare (nga u dëbuan shqiptarët) të Nishit, Prekuples, Kurshumlisë, Vranjës dhe Leskovcit t’i jepen Serbisë, ndërsa Malit të Zi iu dhanë zonat e Tivarit, Podgoricës, Plavë-Gucisë, Rugovës dhe Kollashinit. [14]      

Në ndërkohë, me zhvillimin e këtyre ngjarjeve, u iniciua organizimi i Kuvendit të Prizrenit i mirënjohur si Lidhja e Prizrenit (1878). Sa i përket nismës së këtij kuvendi, historiani Noel Malcolm përveç tjerash shkruan: “Kreu i fuqishëm fisnor, Ali Pashë Gucia, territorin e të cilit ia kishin premtuar Malit të Zi (sipas Traktatit të Shën Stefanit), tashmë kishte formuar një “lidhje” të fiseve vendëse me qëllim që ta kundërshtonte aneksimin; për mendjen e shumicës së krerëve dhe të parisë në Kosovë dhe në Shqipërinë e Veriut. Kuvendi në Prizren ishte, sipas gjasave, një shtrirje e kësaj ideje” [15]    Fillimisht qëllimi me Lidhjen e Prizrenit ishte formimi i një organizate ushtarake për ndalimin e copëtimit të trojeve shqiptare. Por, me ndikimin e Abdyl Frashërit etj., avancoi edhe me kërkesën politike për bashkimin dhe autonominë e vilajeteve shqiptare. [16]     

Kongresi i Berlinit arriti ta ndalojë vetëm pjesërisht dhe përkohësisht ekspansionin e mëtutjeshëm të politikës shtetërore serbe të mbështetur nga Rusia, që synonte riokupimin e tërësishëm edhe të Kosovës etj. Me vendimet e Kongresit të Berlinit vilajeti i Kosovës dhe territore të tjera të banuara me shqiptarë u ndan dhe Kosova me kufijtë e “tanishëm” mbeti nën sundimin e Perandorisë Osmane. Vazhdimi i sundimit të Perandorisë Osmane edhe për një kohë e pengoi copëtimin e mëtutjeshëm të territoreve të banuara me shqiptarë nga vendet fqinje. Por, njëkohësisht, e vështirësoi perspektivën politike të shqiptarëve sepse Perandoria Osmane në vazhdimësi (që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit më 1878), i kundërshtoi përpjekjet e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare për formimin e shtetit shqiptar.

Vendimet e Kongresit të Berlinit në dëm të çështjes shqiptare, u  kundërshtuan nga shqiptarët, përveç tjerash vendimi që një pjesë e trevës veriperëndimore e vilajetit të Kosovës, duke përfshirë Plavë-Gucin të banuar me shqiptarë, ti dorëzohet Malit të Zi, hasi në rezistencën  e fuqishme dhe të lavdishme të shqiptarëve, të cilët i zmbrapsën forcat malazeze në nëntorin e vitit 1879, dhe në janarin e vitit 1880. Kushtrimtari i kësaj rezistence ishte bajraktari i Hotit të vendit, Alush Smajli, një pararendës tipik i Adem Jasharit, në kuadër të një konteksti historik të ngjashëm me atë të Kosovës në vitin 1998.  Ngaqë, përderisa  Ali Pashë Gucia etj., shpresonin ende që nëpërmes përpjekjeve diplomatike të zgjidhej konflikti (dhe sidomos duke e marr parasysh se  forcat malazeze gjithnjë e më shumë e rritnin gatishmërinë për sulme në afërsi të Plavë-Gucisë),  Alush Smajli së bashku me vllezërit e tij (Metën, Asllanin, Bilin, Currin, Rexhin, Tahirin dhe me bashkëluftëtar të tjerë), e nisi rezistencën e armatosur vetëmbrojtëse në të ashtuquajturën luftën e Nokshiqit. Për këtë altruizëm patriotik – kushtrimtar të Alush Smajlit me bashkëfamiljar etj., ka shkruar edhe poeti i madh kombëtar Gjergj Fishta, madje edhe duke i kushtuar atribute legjendare Alush Smajlit  [17] Në këtë vazhdë kjo rezistencë heroike e shqiptarëve, e cila arriti një mobilizim të fortë jo vetëm nga krahina e Plavë-Gucisë dhe krahina e Rugovës, por edhe më gjerë, nën udhëheqjen e Ali Pashë Gucisë, Jakup Ferrit etj., i zmbrapsën forcat malazeze, edhe pse këto forca të mobilizuara shqiptare ishin  disproporcionale (në numër dhe në armatim), krahasuar me forcat ushtarake malazeze. Madje sipas historianit Noel Malcolm,  kjo rezistencë e shqiptarëve kundër forcave malazeze, e njohur si lufta e Nokshiqit, ndikoi që fuqitë e mëdha ta ndryshojnë vendimin e tyre dhe, në vend të Plavë-Gucisë, ia dhanë Malit të Zi zonën bregdetare të Ulqinit, gjithashtu e banuar me shqiptarë. [18] Edhe ky aneksim u kundërshtua nga shqiptarët, por fuqitë e mëdha vendosën forcat detare për ta zbatuar/imponuar vendimin e tyre. [19] Njëherësh vlen të theksohet se rezistenca heroike e luftëtarëve shqiptarë në luftën e Nokshiqit i ka lënë mbresë të fortë edhe udhëheqësit ushtarak të forcave malazeze në këtë luftë, Marko Milanovit (i cili kishte edhe origjinë shqiptare sidomos nga Nëna), dhe në shkrimet e tij të mëvonshme, ka shkruar me admirim për jetën dhe zakonet e shqiptarëve. [20]

Mospërfshirja/mosnjohja e të drejtave kombëtare të shqiptarëve në kuadër të Traktatit të Shën Stefanit, e sidomos në kuadër të vendimeve të Kongresit të Berlinit, ishte tregues se fuqitë e mëdha të kohës, duke e përfshirë edhe Perandorinë Osmane, do të vazhdojnë (më pak e më shumë), t’i shpërfillin kërkesat kombëtare të shqiptarëve.  Protagonisti kryesor i Lidhjes së Prizrenit, Abdyl Frashëri, duke konsideruar se Perandoria Osmane nuk do t’i ndihmojë shqiptarët dhe do ta lejojë copëzimin e Shqipërisë, u bënte thirrje shqiptarëve të përpiqeshin për pavarësinë e plotë të Shqipërisë (bashkimin dhe pavarësimin e katër vilajeteve shqiptare). Kjo ndikoi që Perandoria Osmane të dërgojë forca të mëdha ushtarake, dhe në një luftë të pabarabartë, gjatë muajve mars-maj të vitit 1881, i shtypi kryengritësit shqiptarë të Lidhjes së Prizrenit. Në këtë vazhdë, Perandoria Osmane dënoi me dënime të rënda disa prej krerëve kryesorë të Lidhjes së Prizrenit, përveç të tjerëve, udhëheqësin politik të Lidhjes së Prizrenit, Abdyl Frashërin, zëvendëssekretarin e Lidhjes së Prizrenit, Shuaip Agë Spahiun [21], komandant Sulejman Vokshin etj. Megjithëkëtë, fryma e Lidhjes së Prizrenit s’u shua, por ndikoi që Lëvizja Kombëtare Shqiptare të riorganizohet, fuqizohet dhe masivizohet edhe më shumë. Prandaj jorastësisht historiografia shqiptare i jep një rëndësi të veçantë Lidhjes së Prizrenit, por edhe studiuesit e huaj. Përveç të tjerëve, balkanologu norvegjez Svein Mønnesland konsideron se para vitit 1878 shqiptarët nuk kanë qenë të karakterizuar nga një vetëdije e fortë e të qenit komb, por pas vitit 1878 (Lidhjes së Prizrenit) kjo gjë ndryshon radikalisht. [22]

Për më tepër, vlen të theksohet se në rastin e shqiptarëve, faza a dhe b, e lëvizjes kombëtare identifikohen edhe me vazhdimësinë e ndërlidhur të krijimtarisë folklorike në lidhje me ngjarjet historike, veçanërisht nëpërmes këngëve të epikes historike që, në fakt, gjatë kulmimit të fazës b (Lidhjes Shqiptare të Prizrenit – 1878 – 1881), këto këngë e reflektojnë formimin e ndërgjegjes kombëtare të popullit shqiptar, ngase përveç tjerash: “….Idetë e mëdha të Rilindjes tingëlluan me forcë të veçantë në këngët epike kushtuar Lidhjes së Prizrenit (1878-1881), në të cilat përjetësohet njëkohësisht qëndresa e pashembullt e popullit shqiptar kundër shteteve shoviniste fqinje për mbrojtjen e tërësisë së tokave shqiptare, si dhe lufta e tij për autonominë e vendit kundër ushtrisë osmane të Dervish Pashës. Këngët për Lidhjen Shqiptare shprehin veçoritë dhe idetë e reja të kësaj epoke: formimin e ndërgjegjes kombëtare të popullit shqiptar, karakterin e përgjithshëm mbarëshqiptar të luftës së Lidhjes, idenë e saj të madhe të bashkimit kombëtar të të gjithë shqiptarëve pa dallim feje e krahine. U krijuan atëherë shumë këngë për ngjarjet dhe për personazhet aktive të tyre, të pasuruara me një numër risish ideoestetike. Mund të përmendet, ndër të tjera, përfshirja në kryengritje e pothuajse të gjitha mjediseve shqiptare, me vetëdijen e plotë se luftohej për t’i mbrojtur interesat e larta të popullit e të atdheut. Në këngët popullore theksohet se në këtë luftë “ngrihet në këmbë e tanë shqiptaria”, “se jena nis m’uba milet (komb)” etj. Gjerësinë e luftës së Lidhjes dhe veçanërisht pjesëmarrjen në Kuvendin e Gjirokastrës (1880) të përfaqësuesve të të gjitha viseve shqiptare të Veriut e të Jugut, poeti popullor e jep në këto vargje: “Kurvelesh e Gegëri, / ç’u mblodhën në Egjëri”. U krijuan cikle këngësh për ngjarjet sa historike aq edhe dramatike që ndodhën në vitet 1878 deri 1881. Të tilla ishin, midis të tjerash, këngët për mbrojtjen e Plavës e të Gucisë, të Hotit, të Grudës e të Ulqinit. Në të gjitha këto beteja shpërtheu bindshëm forca e qëndresës së vendosur shqiptare, një solidaritet i paparë që shprehte unitetin kombëtar. Kudo shfaqet heroizmi masiv, por veçohen nga këngët edhe trimat e paepur, si Zhuj Selmani e Jakup Feri, Sadik Hamza e Çel Shabani etj.: “Te bjen dielli e praron hana, / Zhuj Selman nuk ban ma nana”; “Jakup Feri, zok sokolit,/ Met shehit në ball’ t’llogorit”..Në të njëjtën kohë, edhe ndaj pushtuesve osmanë u mbajt i njëjti qëndrim sfidues me armë në dorë. Nën udhëheqjen e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit shpërthyen kudo kryengritje të armatosura, qëndresa u bë masive. Vrasja e mareshalit turk Mehmet Ali pashë Maxharit në Gjakovë në shtator të vitit 1878, paralajmëroi që populli shqiptar ishte i vendosur për të ecur në rrugën drejt lirisë. Në këngët kushtuar betejave historike të shqiptarëve në Kosovë kundër ushtrive të Dervish Pashës, pasqyrohet heroizmi dhe guximi i luftëtarëve popullorë kosovarë që u mbërthyen “fyt më fyt me armikun”, që nuk sprapseshin para ushtrive osmane edhe pse merrnin nga “shtatë plumba për shtat”, që qëndronin krenarë edhe kur e kishin litarin në grykë si Sef Kosharja: “Sef Kosharja, trim i fisit, / Hije t’paska maja e lisit. / Hije m’ka, o djemt e mi, / Kam dhanë jetën për Shqipni”. Spikasin në këngët historike për këtë periudhë personazhe me karakteristika vetjake, por me rrezatim të gjerë kombëtar, si Abdyl Frashëri, Ymer Prizreni, Mic Sokoli, Sef Kosharja, Ali Ibra, Çun Delia etj.: “Mic Sokoli ban me dorë: / -Besa shok’, nuk muj me fole, / Se m’ka ra do gjak në gojë, / Se m’ka ra do gjak në bark, / Shtat’ martina i kam në shtat”.Ndonëse Lidhja Shqiptare e Prizrenit u thye ushtarakisht, veprimtaritë dhe idetë e saj ngjallën e ruajtën dëshirën dhe shpresën e popullit shqiptar për autonomi e për pavarësi. Ato u bënë shtysë e fuqishme për vazhdimësinë e përpjekjeve të pareshtura deri në arritjen e shpalljes së pavarësisë…”[23]

II

Faza e tretë c, e lëvizjeve kombëtare, është faza e masave/masivizimit, dhe nënkupton se një shumicë e një populli arrin të ketë një identitet kombëtar. Kjo fazë arrihet konkretisht kur jo domosdoshmërisht i tërë populli, por kur shumica e një populli e formëson vetëdijen se është një komb. Në rastin e shqiptarëve kjo fazë fillon pas Lidhjes së Prizrenit, sepse veprimtaria dhe rezistenca e Lidhjes së Prizrenit (edhe pse u shtyp nga Perandoria Osmane), ndikoi për inkurajimin e masivizimit të ndjenjës kombëtare shqiptare, njëkohësisht shërbeu si inspirim për vazhdimin e përpjekjeve të shqiptarëve drejt pavarësimit të Shqipërisë.

Meqë edhe pas Lidhjes së Prizrenit, Perandoria Osmane vazhdoi t’i refuzojë kërkesat e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare për të drejtat kombëtare të popullit shqiptar. Dhe duke e marr parasysh se vendet fqinje ballkanike (veçanërisht Serbia) në vazhdimësi i rritën apetitet e tyre hegjemoniste për copëtimin dhe aneksimin e mëtutjeshëm të territoreve të banuara me shqiptarë. Kjo situatë ndikoi për një mobilizim më masiv të veprimtarisë së lëvizjes kombëtare shqiptare (duke përfshirë edhe qarqet intelektuale-patriotike të shqiptarëve në diasporë) dhe u fuqizua veçanërisht në fundvitet 1890 dhe fillimvitet 1900 si në aspektin politiko-ushtarak, po ashtu edhe në atë kulturor.

Në aspektin politiko-ushtarak rezultoi, përveç të tjerash, me Lidhjen e Pejës (1899), Komitetin për Lirinë e Shqipërisë (1905), Mbledhjen e Taksimit (1912), Kuvendin e Junikut (1912) etj. Lidhja e Pejës ishte, në fakt, një kuvend kombëtar, ku morën pjesë rreth 500 përfaqësues nga pothuajse të gjitha anët e Shqipërisë. U organizua në janar të vitit 1899, në krye me klerikun patriot mysliman Haxhi Zekën, ish-anëtar i këshillit qendror i Lidhjes së Prizrenit. Ky kuvend ishte një vazhdimësi e kërkesave të Lidhjes së Prizrenit për bashkimin e katër vilajeteve shqiptare në një njësi kombëtare shqiptare. Në këtë vazhdë Komiteti për Lirinë e Shqipërisë i themeluar në Manastir në vitin 1905 e pati një ndikim të rëndësishëm për organizimin dhe koordinimin e kryengritjeve të shqiptarëve, në nivel kombëtar, si dhe për krijimin e çetave të armatosura të cilat merreshin me përhapjen e ideve të çlirimit kombëtar dhe me përgatitjen e popullit për kryengritjen e përgjithshme. Çeta e parë u themelua në prill të vitit 1906, në krye me Bajo Topullin (vëllai i kryengritësit të spikatur të çetave shqiptare të jugut të Shqipërisë, kapedan Çerçiz Topullit), më pastaj u shumëfishua numri i çetave shqiptare, duke përfshirë edhe çetat që kishin qëllimet e njëjta patriotike në Kosovë dhe në viset e tjera të banuara me shqiptarë. [24] Kështututje pasuan kryengritjet e shqiptarëve në pothuajse gjithë territorin e banuar me shqiptar në krye me prijësit e spikatur ushtarak: Idriz Seferi, Dedë Gjo Luli,  Mehmet Shpendi, Isa Boletini, Bajram Curri, Çerçiz Topulli, Mehmet Deralla  etj.

Vlen të theksohet se Mbledhja e Taksimit, e udhëhequr nga Ismail Qemali, (e mbajtur në lagjen Taksim të Stambollit më 12 janar 1912), dhe pas disa muajsh Kuvendi i Junikut, i udhëhequr nga Hasan Prishtina (që i zhvilloi punimet në fshatin Junik, në veriperëndim të Gjakovës, më 21-25 maj 1912), e patën ndikimin e drejtpërdrejtë për inkurajimin e kryengritjes më të fuqishme të shqiptarëve (që nga periudha e Lidhjes së Prizrenit), kundër Perandorisë Osmane. Kjo kryengritje filloi në pranverën e vitit 1912 në Kosovë. Prapavija konkrete e kësaj kryengritjeje ishin 14 kërkesat e shqiptarëve, të ashtuquajturat “14 pikat” e Hasan Prishtinës, që fillimisht nuk u morën parasysh nga Perandoria Osmane. Hasan Prishtina ishte tashmë një figurë shumë e njohur, duke e marrë parasysh kontributin i tij në kuadër të hapjes së shkollave shqipe dhe fjalimet e tij në Parlamentin e Stambollit, në kuadër të grupit opozitar të kryesuar nga Ismail Qemali. Shumica e këtyre kërkesave ishin në përputhje me kërkesat e Abdyl Frashërit gjatë viteve 1877-1878 për të drejtat kombëtare të shqiptarëve. Sipas historianit Noel Malcolm, ngjashëm sikurse Abdyl Frashëri, Hasan Prishtina ishte një intelektual përparimtar, por i duhej t’i përshtaste kërkesat politike në raport me disa udhëheqës konservatorë shqiptarë[25] në kuadër të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Madje kjo kryengritje e fuqishme e shqiptarëve e pranverës së vitit 1912 kundër Perandorisë Osmane i inkurajoi edhe vendet fqinje. Në lidhje me këtë, Malcolm, përveç të tjerash, shkruan:“Kjo ishte pika kulminante e të gjitha luftimeve të ndryshme për njohjen kombëtare të shqiptarëve që nga viti 1878. Më në fund ishte arritur pajtimi për formimin e një shteti shqiptar brenda Perandorisë Osmane, në të cilin do të zhvilloheshin me kohë institucionet e kulturës kombëtare si dhe institucionet e tjera kombëtare shqiptare. Por, nuk kishte kohë. Brenda dy muajsh osmanët do të dëbohen nga pothuajse të gjitha territoret e tyre evropiane dhe, ç’është e drejta, vetëm kryengritja shqiptare e vitit 1912 i kishte bindur shtetet e Ballkanit se kishte ardhur koha për një luftë kundërosmane, ndërkohë osmanlinjtë ishin të dobësuar aq shumë saqë lufta u fitua me shpejtësi. Sikundër që ka vënë në dukje gjashtë vjet më pas në memorandumin e tij për shqiptarët, udhëtari dhe politikani anglez Obri Herbert: “Më në fund si Samsoni në Tempullin e Gazës, ata i shembën kolonat e Perandorisë Osmane mbi kokën e tyre. Janë shqiptarët ata të cilët i shpartalluan turqit, e jo serbët, as bullgarët dhe as grekët” [26]

Në aspektin kulturor, mobilizimi më masiv i veprimtarisë së lëvizjes kombëtare shqiptare rezultoi, përveç të tjerash, me shumëfishimin e numrit të botimit të librave në gjuhën shqipe, duke përfshirë shtypin shqiptar (gazetat dhe të ngjashme), dhe deri në një masë shkollat shqipe. Gjithashtu, me organizimin e Kongresit të Manastirit (14-22 nëntor 1908), në krye me priftin patriot katolik Gjergj Fishta etj., ku u vendos për njësimin e alfabetit të gjuhës shqipe. Në këtë kongres ishin të pranishëm 150 delegatë nga të gjitha anët e Shqipërisë, si dhe nga qarqet e diasporës shqiptare në Rumani, Itali, Greqi, Turqi, Egjipt, Amerikë etj. Në kuadër të kësaj veprimtarie të njësimit të alfabetit të gjuhës shqipe, një kontribut të veçantë ka dhënë familja Qiriazi, përkatësisht Qerasim, Gjergj, Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi. Të njëjtin vit prifti patriot ortodoks shqiptar Fan Stilian Noli etj., arritën ta themelojnë kishën autoqefale ortodokse shqiptare që, gjithashtu, shënoi një hap të rëndësishëm për unifikimin e shqiptarëve.

E gjithë kjo veprimtari politiko-ushtarake dhe kulturore e shqiptarëve pas Lidhjes së Prizrenit ndikoi që Lëvizja Kombëtare Shqiptare të marrë një karakter masiv dhe të ndikojë për fillimprocesin e masivizimit të ndjenjës kombëtare të shqiptarëve në kuadër të fazës c, që arriti pjesërisht të realizohet gjatë një periudhe 30-vjeçare. Përkatësisht që nga periudha e pas Lidhjes së Prizrenit deri në vitin 1912, ku edhe kulmon realizimi i pjesshëm i fazës c, me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912. Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë (me delegatët dhe me ministrat e Qeverisë së Përkohshme nga të gjitha krahinat shqiptare, në krye me Ismail Qemalin, Luigj Gurakuqin, Isa Boletinin etj.)., përfshiu të gjitha trojet shqiptare të banuara me shumicë shqiptare dhe vetëdijesoi (nëse jo të gjithë) shumicën e popullit shqiptar, se i takon një kombi të përbashkët.

Situata e re e krijuar në Ballkan në vitin 1912, i alarmoi fuqitë e mëdha dhe rezultoi me organizimin e Konferencës së Ambasadorëve në Londër, që filloi punimet në dhjetor të vitit 1912. Në këtë konferencë ishin të pranishëm përfaqësuesit e Britanisë së Madhe, të Austro-Hungarisë, të Gjermanisë, të Italisë, të Francës dhe të Rusisë. Qeveria serbe në krye me Nikola Pashiqin synonte që Serbia ta përfshinte Kosovën dhe pjesën më të madhe të Shqipërisë së veriut deri në det. Austro-Hungaria, me të cilën pajtohej edhe Italia, ishte kundër që Serbia të bëhet një fuqi e Adriatikut. Këtij kundërshtimi të Austro-Hungarisë i dha përkrahje edhe Britania e Madhe. Në fakt, në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, Austro-Hungaria ishte pro themelimit të një shteti shqiptar, ku përfshiheshin të gjitha territoret e banuara me shqiptarë. Por, ky qëndrim u kundërshtua nga Franca e veçanërisht nga Rusia, pastaj vazhdoi një pazarllëk me territoret e banuara me shqiptarë. [27] Rrjedhimisht, në Konferencën e Ambasadorëve në Londër u bë copëtimi i dytë i territoreve të banuara me shqiptarë (pas copëtimit të parë në Kongresin e Berlinit). Tashmë pothuajse gjysma e territoreve të banuara me shqiptarë (Kosova me vise dhe Çamëria), mbetën nën pushtimin e vendeve fqinje (Serbisë, Greqisë etj.). Ndërsa me insistimin e Austro-Hungarisë dhe Italisë u arrit të pavarësohet vetëm gjysma e territoreve të banuara me shqiptarë, e ashtuquajtura Shqipëria Londineze. Me fjalë të tjera, fuqitë e mëdha perëndimore nuk munden t’i rezistojnë ekspansionit të mëtutjeshëm serb të ndihmuar nga Rusia dhe kjo rezultoi me ndarjen e kombit shqiptar në dysh, ku pothuajse gjysma e kombit shqiptar mbeti nën okupimin e vendeve fqinje si një rast unik në kontinentin evropian. Ky gjymtim i Shqipërisë konsiderohej si një kompromis i domosdoshëm për ta arritur paqen evropiane në mes të fuqive të mëdha. Drejtuesi i Konferencës së Ambasadorëve në Londër (njëherësh ministër i Jashtëm i Britanisë së Madhe), Edward Grey, gjatë raportimit të tij më 12.08.1913, në parlamentin britanik u shpreh: “Duhet mbajtur në mend se në bërjen e kësaj marrëveshje, rëndësi kryesore pati ruajtja e mirëkuptimit mes vetë fuqive të mëdha, e nëse marrëveshja mbi Shqipërinë e arrin këtë, atëherë ka bërë punën më të rëndësishme në interes të paqes në Evropë”. [28]

Pa u mbushur një vjet nga ky raportim i Edward Greyit, shpërtheu Lufta e Parë Botërore dhe e prishi paqen evropiane dhe më gjerë. Njëkohësisht u vu në pikëpyetje pavarësia e Shqipërisë. Nga njëra anë, Fuqitë e Mëdha, tashmë si pjesëtare të luftës, e ndryshuan qasjen e tyre ndaj Shqipërisë. Madje edhe Edward Grey konsideronte se me futjen e fuqive të mëdha në luftë u humbën garancitë nënshkruese ndërkombëtare për Shqipërinë. Në këtë vazhdë pothuajse të gjitha përfaqësitë diplomatike të Fuqive të Mëdha u tërhoqën nga Shqipëria, duke përfshirë edhe tërheqjen e Princ Vidit (i cili vazhdoi formalisht të konsiderohet mbret i Shqipërisë deri më 31 janar 1925, kur Shqipëria u shpall Republikë). Nga ana tjetër, shtetet fqinje ballkanike (Serbia etj.) vazhduan qëndrimet e njëjta (duke mos hequr dorë nga ambiciet e tyre për aneksimin e mëtutjeshëm të territoreve shqiptare), ndërsa lëvizja kombëtare shqiptare u dobësua dukshëm gjatë kësaj periudhe, duke u fragmentuar skajshmërisht, përveç të tjerash, edhe me ndikimin e interesave të vendeve fqinje etj. Megjithëkëtë, shumica e elitës e lëvizjes kombëtare shqiptare i mbante ende shpresat në Austrinë, edhe pse tashmë Austria nuk e kishte krejtësisht qëndrimin e qartë ndaj Shqipërisë. Futja e trupave austriake në Shqipëri gjatë luftës ishte mirëpritur, madje një kuvend kombëtar i shqiptarëve që zgjodhi një ‘komision nismëtar’ dhe që rezultoi me krijimin e një kongresi kombëtar synonte, përveç të tjerash, rikthimin e Princ Vidit në Shqipëri, ndërsa austriakët synonin rivendosjen e një autonomie për Shqipërinë nën kontrollin e Austrisë. [29]  Më 10 mars 1917 qeveria austriake u përcaktua pro një autonomie për Shqipërinë nën mbrojtjen austriake. Kjo rezultoi me protesta nga ana e shqiptarëve, që tashmë konsideronin se reduktimi i Shqipërisë në autonomi e kërcënonte perspektivën e pavarësisë së ligjshme të Shqipërisë. Por të njëjtin vit revolucioni bolshevik në Rusi (që, përveç të tjerash, ndikoi për tërheqjen e Rusisë nga lufta, në nëntor të vitit 1917), dhe veçanërisht hyrja e ShBA-së në luftë, ndikuan për një të ardhme më të mirë të pavarësisë së Shqipërisë. [30] Në lidhje me këtë, historiania Nicola Guy, përveç të tjerash, shkruan: “….në rastin e nacionalizmave të shteteve të vogla në Evropën Perëndimore, hyrja e Shteteve të Bashkuara në luftë dhe veprimet e bolshevikëve kanë pasur një ndikim të rëndësishëm. Këto ide mund të gjejnë zbatim në rastin e çështjes shqiptare. Hyrja e amerikanëve në luftë ndikoi së tepërmi mbi lulëzimin e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Nismat më të rëndësishme lindën në Shtetet e Bashkuara, veçanërisht brenda ‘Vatrës’ (Shoqata Shqiptaro-Amerikane). Fillimisht, gjatë luftës ‘Vatra’ kishte mbështetur Austrinë, por hyrja në luftë e Shteteve të Bashkuara në krah të Aleatëve bënte të domosdoshme një ndryshim në besnikërinë e saj. ‘Vatra’ përqafoi dhe mbështeti sidomos idealet dhe institucionet politike liberale amerikane, me besim në parimet e Wilsonit rreth vetëvendosjes. Anëtarët e saj mendonin se një qëndrim i tillë do të ishte mjaft dobiprurës për kauzën shqiptare për sa i përket rimarrjes së atyre territoreve (Kosovë, Çamëri, Hot, Grudë etj.) të mohuara atyre më 1913-n”[31]  

Këto ndryshime në kuadër të marrëdhënieve ndërkombëtare e përmirësuan perspektivën e pavarësisë së Shqipërisë Londineze. Në këtë vazhdë organizimi i Kongresit të Lushnjës, më 21-31 janar të vitit 1920 (ku u miratua akti kushtetues për pavarësinë e plotë të vendit etj.), dhe anëtarësimi në Lidhjen e Popujve më 17 dhjetor 1920, i forcuan themelet e Shqipërisë Londineze. Por pritjet e shqiptarëve, duke përfshirë “Vatrën” (Shoqatën Shqiptaro-Amerikane) në krye me Fan Nolin etj., për t’i kthyer territoret e banuara me shqiptarë (Kosovën me vise), në kuadër të kufijve të Shqipërisë Londineze (bazuar në parimet e Wilsonit për vetëvendosje), nuk u realizuan. Megjithëkëtë, duke e marrë parasysh situatën e vështirë politike të shqiptarëve që nga Traktati i Shën Stefanit (1878), realizimi dhe stabilizimi i gjysmës së shtetit shqiptar (Shqipërisë Londineze) ishte një arritje e shqiptarëve. Gjithashtu, përpjekjet e shqiptarëve për çlirimin e Kosovës me vise dhe bashkim kombëtar nuk u ndalën, por u inkurajuan nga Hasan Prishtina etj., dhe në këtë vazhdë kulmuan me luftën e lavdishme të UÇK-së, në krye me Adem Jasharin etj.

Vlen të theksohet se mobilizimi dhe mbështetja shumëdimensionale – gjithëkombëtare, e luftës legjitime të UÇK-së, kundër regjimit neofashist të Millosheviqit në vitet 1998-99, ishte një rikonfirmim i vullnetit kombëtar të shqiptarëve (të shprehur nëpërmes Lidhjes së Prizrenit në vitin 1878, veçanërisht nëpërmes shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912), se kombi shqiptar është një njësi kulturore dhe një realitet sociologjik i pandashëm, pa marrë parasysh hapësirat politike ku jetojnë shqiptarët në Ballkan. Njëkohësisht, ky ishte një konfirmim, se masivizimi i ndjenjës kombëtare gjithëshqiptare kishte arritur pikën kulmore në kuadër të fazës c. Në këtë vazhdë, UÇK-ja arriti që çështjen e Kosovës (që kishte mbetur çështje e pazgjidhur prej vitit 1912) ta imponojë për zgjidhje në kuadër të agjendës ndërkombëtare, dhe me sakrificën e heronjve, dëshmorëve dhe viktimave të luftës, shërbeu si katalizatori kryesor për çlirimin e Kosovës. Duke e përfshirë mbështetjen e shtetit shqiptar (Shqipërisë Londineze) dhe rolin vendimtar të intervenimit ushtarak ajror të NATO-s, në krye me ShBA-në dhe Britaninë e Madhe (përfshirë të gjitha shtetet anëtare të NATO-s), të cilëve shqiptarët u janë përjetësisht mirënjohës.

Përfundim

Lëvizja Kombëtare Shqiptare, gjatë fazës së parë (a), arriti ta influencojë dhe ta inkurajojë bashkësinë etnike shqiptare me idenë kombëtare shqiptare. Gjatë fazës së dytë (b) arriti ta transformojë idenë kombëtare shqiptare në projektin kombëtar shqiptar, që kulmoi me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit (1878). Dhe gjatë fazës së tretë (c) e transformoi projektin kombëtar shqiptar të Lidhjes së Prizrenit në një lëvizje të masave dhe rrjedhimisht në kombin shqiptar. Shpallja e Shqipërisë shtet i pavarur dhe sovran më 28 nëntor 1912 (e cila shpallje e përfshiu edhe Kosovën me vise), i dha njëkohësisht vulën përbashkuese kombit shqiptar, si në kuptimin e relacionit në mes shqiptarëve (shumicës së tyre) si anëtarë (më pak ose më shumë) të vetëdijesuar se i takojnë një kombi të përbashkët, ashtu edhe në kuptimin e relacionit në mes kombit shqiptar (si njësi kulturore dhe si realitet sociologjik) në raport me kombet e tjera. Me fjalë të tjera, nacionalizmi shqiptar prej fillimviteve 1800 deri në fillimvitet 1900 (përafërsisht 100 vjet) nëpërmes 3 fazave a, b, dhe c e transformoi etninë shqiptare në kombin shqiptar si njësi kulturore të përbërë nga: gjuha si kriter objektiv, historia si kriter “subjektiv” dhe harmonia ndërfetare si vlerë humane dhe kombëtare. Kjo njësi kulturore me këto kritere dhe vlera, prej vitit 1912 e këtej, u bë vetëdije dhe ndërgjegje kombëtare shqiptare.

Në mesin e shumë protagonistëve – intelektual të lëvizjes kombëtare shqiptare, Naum Veqilharqi, Abdyl Frashëri dhe Hasan Prishtina mund të cilësohen si tre kryeprotagonistët që kanë pasur më së shumti ndikim si individ (njëri pas tjetrit) në kuadër të tri fazave të lëvizjes kombëtare shqiptare, dhe rrjedhimisht në kuadër të procesit të kombformimit dhe mobilizimit kombëtar shqiptar. Për më tepër Hasan Prishtina është edhe kryeideologu i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare për çlirimin e Kosovës me vise pas vitit 1912, i cili përveçse inspiroi dhe inkurajoi shumë të tjerë (për vazhdimin e përpjekjeve për çlirimin e Kosovës me vise), i përfaqësoj dinjitetshëm këto përpjekje, qoftë në aspektin diplomatik si fillimpërpjekje për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës në kuadër të bashkësisë ndërkombëtare (SHBA-së etj.), qoftë në aspektin e orientimit të duhur politik të grupeve kaçake në Kosovë dhe në vise të Kosovës, dhe qoftë në aspektin e ruajtjes së karakterit çlirimtar të këtyre përpjekjeve për çlirimin e Kosovës: si të drejtuara kundër regjimit të Beogradit dhe jo si të drejtuara kundër popullatës civile serbe në Kosovë. Në lidhje me ketë vlen të shkëpusim një fragment nga libri i historianit Noel Malcolm, i cili përveç tjerash shkruan se kur: “….  Shumica e udhëheqësve politikë të Kosovës të kohës së luftës tashmë ishin larguar nga territori i Kosovës, një grup i tyre, nën udhëheqjen e Hasan Prishtinës, u mblodh në Shkodër në nëntorin e vitit 1918 dhe e formoi Komitetin për Mbrojtjen Kombëtare të Kosovës, i njohur më mirë si Komiteti i Kosovës. Hasan Prishtina po bënte përpjekje aktive për të ndikuar në qeverinë amerikane për ta përfshirë Kosovën në shtetin e ri të Shqipërisë, kurse në shkurtin e po atij viti Komiteti Kosovar dërgoi një letër proteste Konferencës së Paqes, në Paris, për shkak të vrasjeve të shqiptarëve në Kosovë… (…) Ç’është e vërteta, Komiteti i Kosovës pjesën më të madhe të energjisë ia kushtoi përkrahjes, deri në një shkallë edhe udhëheqjes së Lëvizjes Kaçake brenda Kosovës. Në fillim të vitit 1919, ky komitet përgatiti një varg rregullash të përgjithshme të lëvizjes, duke filluar me këto dy pika: “1: asnjë kryengritës nuk bën t’i lëndojë serbët vendës, por vetëm ata të cilët rrokin armët kundër shqiptarëve; 2: asnjë kryengritës nuk bën të djegë ndonjë shtëpi apo të rrënojë ndonjë kishë” [32]  

Çuditërisht, Hasan Prishtinën nuk e kemi nderuar mjaftueshëm dhe siç e meriton, qoftë në situatë të robërisë, qoftë në situatë të luftës dhe krenarisë, dhe qoftë në situatë të paqes. Për shembull për herë të parë kur e kam dëgjuar këngën e bukur të luftës çlirimtare “Kreshtat e Kosovës”, jam çuditur pse në vend të refrenit: “gryka jonë e skuqur ngjallë Azem Galicën” nuk ishte/është refreni: “gryka jonë e skuqur ngjallë Hasan Prishtinën”, meqë asnjë emër nuk i tejkalon provincializmat sikurse emri i Hasan Prishtinës me veprimtarinë e tij gjithëpërfshirëse kombëtare (Kosovë me vise dhe Shqipëri), madje edhe në cilësinë e ish-Kryeministrit të përbashkët i Shqipërisë dhe Kosovës me vise, dhe gjithashtu kryeideolog i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare për çlirimin e Kosovës me vise, pas vitit 1912 (që kulmoj me luftën e lavdishme të UÇK-së në krye me komandantin legjendar Adem Jasharin). Për më tepër, edhe në paqe nuk e kemi nderuar mjaftueshëm dhe siç e meriton, madje një befasi e keqe ndodhi këtë vit, përkatësisht propozimi i turpshëm që ti hiqet Universitetit të Prishtinës, emri Hasan Prishtina. Edhe pse dihet se vetëm kontributi i Hasan Prishtinës për arsimin në kuadër të mobilizimit kombëtar shqiptar, e kualifikon që Universiteti i Prishtinës ta mbaj emrin e tij, e lëre më kontributi i tij i përgjithshëm kombëtar.

Nuk duhet harruar se sado që ndokush mundohet (qoftë për shkak të ndonjë nxitimi naiv, qoftë për shkak të ndonjë qëllimi të dyshimtë), nuk do të mund kurrë të ulë  figurën e kolosit të kombit, Hasan Prishtinës, i cili (përveç kontributit të tij para vitit 1912), me kontributin e tij pas vitit 1912, si kryeideolog i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare për çlirimin e Kosovës me vise (që kulmoj me luftën e lavdishme të UÇK-së), është njëherësh edhe sinonim i lirisë/shtetësisë së Kosovës.

Krejtësisht në fund vlen të theksohet se arritja e lirisë/shtetësisë së Shqipërisë, po ashtu edhe arritja e lirisë/shtetësisë së Kosovës (sikurse edhe arritja e lirisë/shtetësisë së çdo shteti tjetër, në veçanti e shteteve të vogla në kuadër të sistemit gjysmë anarkik ndërkombëtar), janë më shumë dhe më pak rezultat i dinamikave dhe konfiguracioneve gjeopolitike në kuadër të marrëdhënieve ndërkombëtare në kohë dhe hapësirë, e veçanërisht rezultat i ballafaqimit të interesave dhe vlerave  në mes fuqive të mëdha. Por, në radhë të parë, liria/shtetësia e Shqipërisë dhe liria/shtetësia e Kosovës, janë rezultat i sakrificës, heroizmit dhe insistimit të vazhdueshëm të kombit shqiptar për liri, pavarësi dhe barazi kombëtare (respekt të ndërsjellë) në raport me kombet tjera fqinje. Njëherësh vlen të theksohet se pengesat (për arritjen më të madhe të konsolidimit dhe të progresit të kombit shqiptar), nuk janë vetëm rezultat i rrethanave gjeopolitike, por edhe rezultat i mos bashkëpunimit më të duhur të elitave politike shqiptare gjatë situatave kritike historike, në këto 200-vitet e fundit (prej fillimviteve 1820), gjatë procesit të kombformimit dhe mobilizimit kombëtar shqiptar. Rrjedhimisht, edhe tanimë (pas një mori sulmesh ushtarake të  Rusisë kundër Ukrainës), kur shihet qartë se politika hegjemoniste e Rusisë së Putinit, e ka sfiduar edhe mbështetjen e shteteve perëndimore ndaj Kosovës. Është imperativ i kohës të mësojmë nga e kaluara (por edhe duhet inkurajuar nga lavdia dhe sukseset e përbashkëta të së kaluarës), sepse kërkohet maturi, përgjegjësi dhe unitet në kuadër të elitës politike shqiptare të Kosovës dhe elitës politike shqiptare në përgjithësi, sidomos në lidhje me çështjet kyçe, siç është raporti me ndërkombëtarët dhe dialogu me Serbinë.

Me fjalë të tjera, është e një rëndësie të veçantë  që pozita dhe opozita politike në Kosovë, nëpërmes një deklarate të përbashkët të deklarohen se e pranojnë një asociacion të komunave me shumicë serbe – pa kompetenca ekzekutive, dhe se kurrsesi nuk mund të pranohet një lloj asociacioni tjetër i komunave me shumicë serbe – me kompetenca ekzekutive (si nivel i dytë në mes nivelit komunal dhe nivelit qendror në Kosovë, përkatësisht si një de facto Srpska Republikë në Kosovë sikurse në Bosnje), sepse kjo e defunksionalizon shtetin e Kosovës dhe sigurinë dhe paqen afatgjate në Kosovë dhe më gjerë. Për më tepër,  nëse nuk arrihet pajtueshmëria për asociacionin (në dialogun Kosovë – Serbi), atëherë  si zgjidhje alternative duhet të jetë edhe modifikimi/korrigjimi/demarkimi i kufirit në mes Kosovës dhe Serbisë, ku serbët në një pjesë të veriut të Kosovës mund ti bashkohen Serbisë, dhe shqiptarët në një pjesë të Serbisë e ashtuquajtur Kosova lindore, ti bashkohen Kosovës. Kjo nuk nënkupton krijimin e shteteve krejtësisht homogjene kombëtare, pa minoritete, sepse krijimi i shteteve krejtësisht homogjene kombëtare pa minoritete nuk është as i drejtë dhe as i nevojshëm. Por kjo nënkupton zhdukjen e problemit të separatizmit dhe irredentizmit dhe, rrjedhimisht, zhdukjen e potencialit të konfliktit ndërshtetëror, i karakterizuar nga minoritetet që kufizohen gjeografikisht (që janë ngjitur në kufij), me vendet eksterne amë, që gjithnjë politizohen nga vendet eksterne amë, siç është rasti i pengimit nga ana e shtetit serb për tu integruar serbet e pjesës veriore të Kosovës në Kosovë, dhe gjithashtu qëndrimi i vazhdueshëm destruktiv i shtetit serb për të minuar shtetësinë e Kosovës, nëpërmes instrumentalizimit të serbëve në pjesën veriore të Kosovës.  

Fundi i fundit, pozita dhe opozita politike e Kosovës e kanë obligim ndaj popullit shqiptar të Kosovës dhe kombit shqiptar në përgjithësi, e  gjithashtu edhe ndaj miqve ndërkombëtar (sidomos ndaj SHBA-ve), që të tregohen të përgjegjshëm dhe serioz, dhe në mënyrë unike të paraqesin alternativa realiste që janë potencialisht të realizueshme dhe që sigurojnë paqen afatgjate në Kosovë dhe më gjerë. Përndryshe, me linçime, goditje nën brez dhe kapadaillëk, elita politike shqiptare e Kosovës dhe elita politike shqiptare në përgjithësi, rrezikon që (në këtë situatë kritike historike për shtetësinë e Kosovës) të diskreditoj fort keq vetën, duke e marr parasysh përgjegjësinë që ka ndaj kombit dhe historisë. Në këtë kuadër edhe kryeministri i Shqipërisë me iniciativën e tij (që nuk duhet paragjykuar si qëllimkeqe) në lidhje me  draft-propozimin për asociacionin, do të duhej paraprakisht (para se të bëhej publik ky draft) të koordinohej/këshillohej mirë me kryeministrin e Kosovës dhe liderët e opozitës në Kosovë. Në mënyrë që të dilet me një propozim të unifikuar, serioz, realist, dhe si zgjidhje potencialisht e realizueshme.  

Fatmir Lekaj – politolog

__________

Referencat :

[1] Miroslav Hroch (2000): Social Preconditions of National Revival in Europe. New York: Columbia University Press., f. 22-23

[2] Historia Popullit Shqiptar II (2002): Rilindja Kombëtare, vitet ’30 të shek. XIX-1912. Botimet Toena., f. 98-102, 121-131

[3] Po aty: 98-102, 121-131

[4]  Miroslav Hroch (2000): Social Preconditions of National Revival in Europe. New York: Columbia University Press., f. 15

[5]  Noel Malcolm (2001): Kosova, një histori e shkurtër. Prishtinë: KOHA.,f. 227-228

[6]  Svein Mønnesland (2006): Før Jugoslavia og etter. Oslo: Syspress Forlag., f. 144-145

[7]  Miroslav Hroch (2000): Social Preconditions of National Revival in Europe. New York: Columbia University Press., f. 14

[8]  Svein Mønnesland (2006): Før Jugoslavia og etter. Oslo: Syspress Forlag., f. 100

[9] Nuray Bozbora (2002): Shqipëria dhe nacionalizmi shqiptar në Perandorinë Osmane. Shtëpia Botuese DITURIA., f. 119-120, 143

[10]  Po aty: 132, 141-142

[11]  Svein Mønnesland (2006): Før Jugoslavia og etter. Oslo: Syspress Forlag., f. 145

[12]  Nuray Bozbora (2002): Shqipëria dhe nacionalizmi shqiptar në Perandorinë Osmane. Shtëpia Botuese DITURIA., f. 135-136, 142-144

[13]  Historia Popullit Shqiptar II (2002): Rilindja Kombëtare, vitet ’30 të shek. XIX-1912. Botimet Toena., f.  81, 87-88, 89, 92-93, 95, 97

[14]  Florian Bieber &Židas Daskalovski (2003): Understanding the War in Kosovo. Routledge., f. 19

[15] Noel Malcolm (2001): Kosova, një histori e shkurtër. Prishtinë: KOHA., f. 229

[16] Po aty: 229-230

[17] Alush Smajl Hoti: Alush Smajli Hoti – YouTube

[18] Noel Malcolm (2001): Kosova, një histori e shkurtër. Prishtinë: KOHA., f. 230, 232

[19] Po aty: 146

[20] Robert Elsie (s. a.): Marko Miljanov: The Life and Customs of the Albanians: Marko Miljanov:

http://www.albanianhistory.net/1907_Miljanov/index.htm

[21] Noel Malcolm (2001): Kosova, një histori e shkurtër. Prishtinë: KOHA., f.: 235-236

[22] Svein Mønnesland (2006): Før Jugoslavia og etter. Oslo: Syspress Forlag., f. 145-146

[23] Historia Popullit Shqiptar II (2002): Rilindja Kombëtare, vitet ’30 të shek. XIX-1912. Botimet Toena., f. 364 – 365

[24] Po aty: 321-322

[25] Noel Malcolm (2001): Kosova, një histori e shkurtër. Prishtinë: KOHA., f. 256, 258

[26] Po aty: 259

[27] Po aty: 266-267

[28] Raportimi i Edward Greyt në parlamentin britanik më 12 gusht 1913: https://api.parliament.uk/historic-hansard/commons/1913/aug/12/war-inbalkans-statement-by-sir-edward

[29] Nicola Guy (2012): Lindja e Shqipërisë: Nacionalizmi etnik, Fuqitë e Mëdha të Luftës së Parë Botërore dhe Lindja e Pavarësisë Shqiptare. Botime Pegi., f. 80, 151, 155-157, 162,181-182

[30]  Po aty: 163, 174-175

[31]  Po aty:  176

[32] Noel Malcolm (2001): Kosova, një histori e shkurtër. Prishtinë: KOHA., f. 283-285

Total
0
Shares
1 comments
  1. Shikoni se kush i krijon keto sfida dhe qe kush komandon politiken ne bote!

    Per te mos humbur:

    mentealternativa1.blogspot.com

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura