PREND BUZHALA: LIRIKA, NJË FJALË SUBLIME E MËNGJESIT

Pashtriku.org, 02. 06. 2014 – (Në vend të recensionit) – Poeti i paraprin agut, është lajmëtar mëngjesi. Një shikim në fytyrën lirike të mëngjesit, një zgjim me ndjesi të rënda. Këto ndjesi do t’i përjetosh nga rreshti i parë e deri te i fundit në librin poetik “Fjala e dhimbjes” të poetit Xhemajl Rudi. Aty, “Në buzë të zbehjes/ ai dhe mëngjesi”, e përhumbjes së qenies (“i tretur si mëngjesi në mjegull”) e në dhjetëra njësi të tilla, do ta pranosh atë përafërimin e poetit ndaj natyrës dhe botës së gjallë, si një mundësi të krijimit të komunikimit të vërtetë me njerëzit. Dhe gëzimin e këtij komunikimi poeti e ndien si gëzim të zbulimit të të fshehtave të natyrës e të mëngjesit të tij, të ngritur në metaforikë e në sistem poetik… Mëngjesi metaforizon kthjelltësinë e vizionit lirik, duke e rikrijuar edhe mitin e dikurshëm antik të Dritës së mëngjesit, si një personifikim të situatave të dashurisë dhe jetës, i gruas së re, Eos-it dhe Eros-it (“E dashur s`të kujtova/ në mëngjes); ëndrrës dhe zgjimit (“u zgjova i trembur si ëndrra,/ drita kishte hy në dritare, ishte mëngjesi,”), e ripërtëritjes me zymtësi (“Një mëngjes i ri me re” … “Një mëngjes pa diell, me shi dhe vetëtimë”), e situatave të metaforizuara në përqasje estetike me dashurinë (“erdh mëngjesi në vesë të ftohtë sipër saj”); e përqasjeve estetike pikturë-lirikë, e ngërthyer bukur brenda vargut me imazhet figurative pikturore, me thëniet komentuese lirike e që zgjojnë përjetime e asociacione të pasura si te poezia “Ngjyrat e Vincentit” (“E në vesën e mëngjesit/ Pikat e ngjyrave të Van-Gogut”), dashuria është qenieplotë vetëm me protagonistët e saj (“të dy gjysmat në një vesë të butë/ të mëngjesit/ dhe vetë mëngjesi është një nismë/ e re”), koha e metaforizuar e lulëzimit e shënjuar nëpërmes lules (“mëngjesi e mbrëmja e lules”, përsiatje meditative lirike si rinjohje e vetvetes (“Fytyrë e përfytyrë/ në kafen e mëngjesit”. Me mëngjesin sikur fillon ripërtëritja e qenies së njëeriut dhe e antyrës; është njaj fillimi i amshueshëm i gjenitivit të ekzistencës sonë…

Poeti Xhemajl Rudi 


1. Individualiteti krijues
Xhemajl Rudi tashmë e ka konsoliduar përvojën e tij poetike. Vëllimit poetik “Dhimbja e fjalës” i paraprijnë katër libra poezish: “Rrjedhë Autoktone” (1996). “Duke mbledhur kohën”), “Dheut pjesën e vet” (2001) dhe “Asgjë s`ngjan në reklama as hënorja” (2008), të botuara në Zvicër, Tiranë dhe Prishtinë. Duke u dhënë pas kërkimeve poetike të lirikës së thelbit etnik, a shpalim-këndimit të mbijetesave e mburojave të qenies sonë nëpër kohë; duke i zbërthyer artistikisht me përqasje psiko-meditative filozofinë poetike të dashurisë dhe motiveve intime, kohës, peizazhit dhe aktualitetit, Xhemajl Rudi tashmë ka zënë ta formojë individualitetin e tij krijues. Madje, duke e transformuar dhe modernizuar së brendshmi natyrën, peizazhin, duke na i dhënë dhimbjet e brendshme të kësaj fjale, së andejmi shkrepëtijnë xixa dritash që burojnë nga vatrat e pashuara të dashurisë dhe të humanizmit; kurse tisin e errësirave të brendshme e mbushullon me dritën parajsore të vargjeve. Nuk është habitshme, prandaj, përse mëngjesi, fjala, kënga, dashuria, ëndrra, drita, dritarja janë fjalë që kanë denduri më të madhe përqendrimi dhe shpeshtësi më të theksuar përdorimi, ndërkohë që këto fjalë-nocione poetike shoqërohen, si në një kor asociativ-figurativ, nga fjalët dita, nata, mesnata, lumi, shkëmbi, ujërat, lulet, rrjedhat, bukuritë, brigjet etj etj, – dhe, të gjithë këto së bashku, sikur e krijojnë hapësirën e pafund të qiellit, një si strehë-mburojë të qenies njerëzore; mu në këtë hapësirë parajsore, poeti dëshiron ta shohë të qenien e dëshpëruar, të lënduar në ndjenja e në ekzistencën e tij. Vetëm në këtë hapësirë poetike, ku, brenda ngrehinës letrare, krijohet e këndohet një lirikë e pastër, me relacione të pasura e misterioze; është një Unë poetik, që thur lidhje të ndërsjella të bukurisë së emocionit me qenien-që-do, ndërlidhje kuvendimi të ngrohtë dhe intim; si dhe ndërlidhje-përqasjesh të diskursit lirik me gjërat përreth; në këtë ndërkomunikim ngjallen ndjenjat ndër më të thellat, fitohen mbresa e tensione emocionale të magjishme dhe, gjithsesi, përfitohen kuptime më të larta e më të lartësuara.
2. Imagjinata metaforike
Të nëntëdhjetedy poezitë e këtij libri, të shkruara edhe me numra, përbëjnë një tërësi poetike, më vete, dhe secila poezi lexohet e pavarur, si një pikë referimi, një si pikëderdhje e pikëgrumbullimi përvojash, mbresash e meditimesh personale. Lirika e tillë, që rrjedh drejt një integrimi tërësor, shndërrohet në një projektim të tillë këndimi, një këndimi të epikës lirike moderne. Ndërkaq, tërësia poetike, e strukturuar nga ana mitopoetike, sikur u rikthehet ritualeve të hershme të harmonisë midis njeriut dhe natyrës; dhe te kjo harmoni e ka atë çastin hyjnor të ngjizjes së fjalës poetike:
fjala kurora e natyrës
e zëri është jehona e saj.

Madje, edhe në kundrimet estetike të peizazhit urban, ai e ka DRITAREN e tij; nëpërmes kësaj dritareje, shpërthejnë burimet e inspirimit, niset për në shtegtim këndimi kori i muzave; nëpërmes kësaj dritareje, ai e parandien mëngjesin, natyrën, dritën, kohën (“ëndrra, drita kishte hy në dritare, ishte mëngjesi”). … Të gjitha vargjeve të tij, prandaj, ky poet u jep një vizion të ndritshëm, dritëprurës figurativ, sado që nën tisin e kësaj thënieje poetike, ndjehet një vuajtje nate. Nuk është e habitshme pse aq shumë frekuentohet poetikisht fjala mëngjesi, apo fjala ylli, me të cilat semantizon dhe poetizon situata jetësore e poetike, duke aktualizuar aspirata personale e etnike dhe duke e nxitur imagjinatën metaforike të autorit, së bashku me diskursin vizionit të tij dritësor. Lirika e tillë ka shenja fjale, e lindur prej dhimbjes, kurse fjala e tillë është dritë sublime e mëngjesit; poezia është credo-ja, besimi i poetit (“në plagën e shpirtit e lë fjalën e besimit”), është arma e tij dhe pakënaqësia e tij me fjalën, mosmarrëveshjet e tij me fjalën. Janë prurjet e ndërsjella që i japin e i marrin njëra-tjetrës poezia dhe gjuha: poeti merr dhuntitë e gjuhës (atë energjinë e brendshme, intensitetin, vrullin, vitalitetin, dilemat dhe përplasjet e tensionet e brendshme për t’iu dhënë zgjidhje fatit dhe ekzistencës, vuajtjeve dhe brengave, mundimeve dhe dhembjeve; kurse gjuha merr dhuntitë e poezisë, ndjeshmërinë befasuese dhe kuptimet e papritura… Poezia, duke u thurur nga këto qeliza të gjuhës, shndërrohet në qenie artistike, në qenie poetike, Prandaj, kundrimet e poetit, në këtë përplasje e kuvendim të brendshëm me fjalën, dalin në variacione e kode të shumta temash e idesh: ne dhe fjala e heshtur në gur; e Fjala jeton ende në fjalë; fjala e praruar është vetëm në ty; fjala shterueshëm në mundim të lules; si fjala e përbuzur në gjethen e rënë e shkelur në asfalt; fjala u baltua në gjuhë; liri oh, fjala e saj e heshtur sublime; plagoset përditë fjala; fjalë e plagosur sikur hijen që e shkelim përditë; fjalë e gurtë gjelbërimin ti e fsheh; në fjalën e pathënë të pikëllimit; udhët dhe fjalët dhe dritat dhe terrin; të dhimbjes janë shtigjet në zanoret e fjalës; fjalë e shtrirë thellë n`heshtje…
Diku tjetër mëngjesi është një figurë purpuri, tutje personifikohet me rininë e ripërtëritjen, me dëshirën, me pritjen (“një dashuri në jetë në një errësirë që e pret mëngjesin”), me lulen si simbol lulëzimi (“L-ulja çel si mëngjesi”), i rikujtimit të situatave të ndritshme të jetës dhe dashurisë (“Dhe s`të harrova ty për asnjë çast, as buzëqeshjen e mëngjesit”), diku tjetër është shpresë, mandej personifikim i gruas (“ Ajo si Hëna/ grua/ e butë e vakët e mirë/ e këndshme si mëngjeset saj”). Mandej është zog (simbol lirie e i lëvizjes së lirë), krahasohet me puthjen dhe erosin (“Oh sa të bukura gjinjtë e bardha/ puthjes së vaket si mëngjesi”), me dritën e fjalës, guximit dhe kandilit, simbol udhërrëfimi. E pra, përthyerjet e tilla të shumta metaforike, janë të shpeshta në tërësinë e këtij libri. Mëngjesit i shkon edhe një figurë tjetër, ylli. Kjo figurë, e kënduar që moti (Homeri, me këtë fjalë e nisi epin e tij); do të këndohet si personifikim i profesicë, i dritës nëpër natë, i fatit, i idealit.: “e ylli ku ndrit para mëngjesit”.
3. Kulti i butësisë dhe dritës
Lirika e Xhemajl Rudit parapëlqen kultin e butësisë dhe dritës. Adhurimi lirik i butësisë së kësaj “hije zogu”, me ca pika gjaku, me pranverën e shpirtit dhe puhinë e këngëve të vashave; transformohet në Dritë prometheizmi, të cilën e vë në vargjet e tij. (“Shelgu”). Poeti mediton ndryshe nga të gjithë; ai edhe ndien ndryshe. Edhe mëngjesi është një tjetër mëngjes, një mëngjes metonimik, herë-herë na shfaqet si një kopsht i Edenit, herë si një qenie, herë si kohë, herë si vizion drite…
Kudo nëpër vargjet e Xhemajl Rudit do ta ndjesh butësinë. Adhurimi lirik i butësisë së kësaj hije zogu, me ca pika gjaku (shenjë vetëflijimi) nëpër lartësitë qiellore (shenjë-figurë e caqeve të idealeve), tek shfaqet një imazh i bukur poetik i pastërtisë së këtyre idealeve! Diku tjetër kjo metonimi e qeniesuar, arrin ta kapërcejë atë kufi tragjik vetmie, dashurie të truallit e amësisë, tretet pa shpjegim… Janë imazhe lirike të nje peizazhi modern, që rizbulon notat post-impresioniste të mbresave dhe kundrimeve të brendshme, shpirtërore… Ndërkëmbehen notat ekspresioniste të të kundërtave: përthyerje peizazhi, përthyerje shpirtërore dhe përthyerje kohësh ndodhin në përafrim-kundërvëniet e tyre pambarimisht… Kurse një hije, si metaforë që përsëritet, i jep vërtet hir lirik poezisë…
Është një lirikë që thur tisin e legjendës, të përjetimit mitik e etnik, me ndjenjën e bukur të dashurisë…. Një shikim që lëndohet nëpër aq e aq valë jete, me shpirt të trazuar, por me rilindje në sytë e jetës… Poeti ndalet Një Moment përpara misterit të peizazhit. Misteri i peizazhit, rëndom i një peizazhi impresionist, zgjon përjetime, para të cilave fjala zihet ngushtë për t’i shqiptuar ato, kurse në vargje përjetësohen rrjedhat, bukuritë, brigjet, njeriu vetë në gjirin e tyre. Fuqia kozmike e guximit në hapësirë e kohë… është shqiptim i fuqisë së heroizmit të shpirtit njerëzor, nëpër shtyllat ekzistenciale të vetëflijimit të qenies – dritësim e mishërim në flakë të qirinjve… Nëpër teh të braktisjes, ekziston një dyluftim vrastar… kurse trajtat këmbehen aty për aty… Mendimi lirik i zë figurativisht këto trajta të sfilitjeve të brendshme dhembshurore. Poezia e gjen pranverën e shpirtit dhe puhinë e këngëve të vashave. Poeti nuk do të ishte poet, sikur mos ta ndjente edhe një emocion tjetër, atë të acareve të ankthit e të plagëve, ironinë e thellë të tiktakut kërcënues. Krijuesi arrin të qëndrojë mbi këto universe kontrastive… Janë lulet, simbole lulëzimi e që i japin hir estetik vizionit dritësor të kësaj poezie. Lulja si simbol përkryerjeje, përsosmërie dhe ideali, është edhe simbol lirie dhe i të bukurës…Të gjitha këto “kategori” simbolike i ngërthen edhe poezia e çiltër e Xhemajl Rudit.
Poeti është i mërguar. Ky na është fati ynë kolektiv: me atdheun në egzil, kurse banori i ka Të Vetmuarit. Në këtë univers të egzilit, ka vetëm prozë të vrazhdë të jetës. Kurse tonet e lirikës nuk kanë se si të mos jenë ndryshe, përveçse tone migjeniane të kësaj vrazhdësie prozaike të ekzistimit. Poeti e ka ndjerë thellë këtë tjetërsim tragjik të Vetmitarit mërgimtar… porse aty feksojnë edhe dritat që “binin varur mbi tokë”. Qenia që përpëlitet dramatikisht ta kapërcejë atë kufi tragjik vetmie, dashurie të truallit e amësisë, tretet pa shpjegim… Poeti nuk ndien nevojë të shpjegojë më tutje, porse aty lexuesi e ndien këngën e zgjimit e pemën e erës. Rendjen …deri te ëndrra e pikëtakimit të saj me qenien që do…
4. Poetika e enumeracionit lirik
Në rruzaren e kujtesës historike e të poetit, qëndrojnë të varur shumë gur-memorialë, dritë-ngjarje, dritare-metaforike-agu, vatra gjallimi, ringjallje, takime, mote, flijime e dhimbje. Ato kanë brenda tyre një rrëfim më shumë se një legjendë, se një mit dhe këndohen si një TEJ MIT…( SHKALLËT E KOHËS). Ritmi i përditësisë është parimi kryesor i thurjes poetike: diçka duhet të përsëritet për arritjen e procedurave themelore poetike… tek e thur edhe raportin e motiveve lirike mbi karakterin kalimtar të jetës, të gjithçkaje. Antropomorfizmi i qytetit si një qenie (figurë e gjetur poetike), si dhe skenat emocionale lirike të përjetimit të hapësirave ekzistenciale të kësaj qenieje antropomorfike, thurin emocionin humanist të poetit tek kjo poezi e gjetur. Një kujtim që le pas pritjen e gjatë, mungesën e qetësisë dhe boshësinë e udhëve… Subjekti lirik nuk mund ta përfytyrojë këtë situatë të krijuar me mungesën e qenies që do, por…ja, ky është realiteti. Përplasjen e pranon edhe vetë folësi lirik, por, e rëndësishme është që E dashura vjen me cicërima zogjsh dhe i jep kuptim hapësirës, e humanizon atë hapësirë. Përqasja estetike pikturë-lirikë, ngërthehet bukur brenda vargut të kësaj poezie, ku edhe imazhet figurative pikturore, edhe thëniet komentuese lirike, zgjojnë përjetime e asociacione të pasura. (“Ngjyrat e Vincentit”). Edhe legjendat e kallëzimet etnike për dashurinë, kanë bërë që të lindin emërtime të tilla të bukura. Është një shikim që lëndohet nëpër aq e aq valë jete, me shpirt të trazuar, por me rilindje në sytë e jetës. Një shikim që ligjëron më shumë se fjala vetë, në bashkëbisedimin e heshtur me qenien e dashur. (“Shikimi”). Vetmia i ka kënaqësitë e veta të krijimit, por vetëm poeti mund ta rrëfejë vetminë e ta shqiptojë mahnitshëm me art… tutje e ndien një tjetër përqasje të gjetur poetike të ekzistimit dhe lumit në rrjedhë, në lëvizje, në begatinë e përjetimeve, ëndrrave,…sendërtimeve.
Ritmizohen, semantizohen dhe krijohen procedime asocoative të zbulesës biblike (vargjet “Dhe ishte mëngjesi/… Dhe ishte Fillimi Dhe filloi të ishte mëngjes”) shkojnë në përqasje asociative me formulën biblike “Në fillim ishte Fjala”)… Jepet një si RICIKLIM KRIJUES i universit dhe mikrokosmosit (përjetimit personal… përsëritja e MËNGJESIT për çdo ditë). Zbrazja e jetës, një baladë ekzistimi… ” për kohën që unë dhe ai më nuk do të jemi”. Një ditiramb modern, i ekzaltimit të përjetimit e kundrimit mbrëmjesor të peizazhit, ndjenjës e emocionit të bukur të dashurisë. – te disa poezi të tjera. Poeti, të gjitha vargjeve të, u ua dhuron një vizion të ndritshëm, dritërpurës, figurativ; sado që nën tisin e kësaj thënieje poetike ndjehet një vuajtje nate (poezitë “Një mëngjes”, “Dhe ishte mëngjesi”, “Rrathët e frymës”, “Pëlhura e ëndrrës”). Miti biblik i mëkatit shndërrohet në mit poetik të frytnimit, njohjes, vetënjohjes, kurorë-frytnimeve, gjallërisë, dianmizmit shpirtëror e jetësor… (N`DRITI KURORA). Një frymë hyjnie, një figurë poetike e qëndresës së amshueshme (“Në hije të gurit”)– nën shenjën e gurit për vlerat etrnike, dhe, mbi të gjitha, një dashuri sublime, pafundësisht e pastër dhe shpirtërisht e pasur…
Poetika e enumeracionit lirik, duke lozur e shëtitur nëpër bukuritë e misteret përjetuese të natyrës, aty edhe rikthehet, te burimi i vet… e kjo haset te një varg poezish. Ritmizimi i frazës poetike, me anë të ANAFORËS biblike, figurë e përsëritjes, krijon shtimungun e një MONOFONIE karakteristike…
Prend BUZHALA – shkurt 2011

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura
Read More

PISA 2022

PISA 2022 Nga Xhelal Zejneli Hulumtimi PISA 2022 është cikli i tetë i hulumtimit PISA në të cilin…