HAZIR MEHMETI: ARDITA STATOVCI, EMRI YNË AFIRMATIV NË BOTË

Vjenë, 08. 04. 2013 – Shtypi europian Arditën e paraqet si …servimin virtuoz dhe me ndjesi të Sonatës së Moxartit KV 567…” “…Kur ajo pastaj për Bis e bëri të rrëshqiste si margaritar një pjesë bravuroze nga GyörgyKurtag, ishte e qartë: emri Statovci duhet të mbahet mend..” … “tingëllimë telash” eksplozive, të fuqishme e të kthjelltë të një kualiteti super-elitar…” (Kronenzeitung)” … Së fundi Ardita ftohet për koncertin e parë në Shqipëri.
Që në fëmijëri e ndau fatin e atdheut të robëruar duke përjetuar arrestimin e babait para syve të saj nga xhandarmëria pushtuese serbe. Këto episode të përditshme në robëri Arditën nuk e përulën në rrugën e saj artistike. Talenti i saj u shpërblye në moshën pesëmbëdhjetë vjeçare kur në Vjenë e fiton bursën për talent të veçantë. Shkollimi i saj vazhdon në vendlindjen e Mozartit, Salzburg të Austrisë duke marrë gradën akademike, Magjistër (Mag. art.) dhe më vonë shkollimin e mëtejmë të dedikuar bashkëpunimin me mjeshtërit të veçantë e vazhdon në shtetin Indiana (SHBA) me legjendën botërore z.Menahem Pressler; e po ashtu edhe Akademinë Pianistike “Incentri col Maestro” në Imola të Italisë. Luajti me orkestra internacionale të njohura si: Orkestra Mozart e Bolognes; Deutsche Kammerakademie Neuss nën dirigjimin e Lavard Skou Larsenit, në Konzerthaus të Dortmundit, ku kishte mbi 1500 spektator; pastaj me JSO të Bern-it (CH); HaydnOrchester (Bolzano) Wiener Sinfonietta si dhe orkestra tjera, duke koncertuar në shumë shtete të ndryshme të Europës, SHBA-së, Azisë.

Ardita Statovci

Përkushtimin e saj dhe talentin në ekzekutimin në piano e vërtetojnë një varg çmimesh të fituara. Disa nga ato janë: Bursiste e Gesellschaft für Musiktheater – Vjenë dhe Ministrisë Federale të Arsimit, Artit e Kulturës dhe Shkencës së Austrisë, “Internationale Mozarteum Stiftung” nga Salzburgu (A), Piano Academy Birmingham në Angli, Rotary Club Salzburg, Fohnstiftung – Vjenë, Yehudi Menuhin Live Music Now, Internationaler Rotaract Wettbewerb nga Spanja, Ibla International Competition nga Italia.
Ka CD (Live incizim) me veprat nga Brahms, Beethoven dhe Dutilleux sidhe eshte Young Steinway Artist. Në vitin 2011 Ardita Statovci merr pjesë me solo koncertin e Ravel-it ne G, si zëvendësuese e Marta Argerich në ekzekutimet me Orkestrën Mozart – Chamber dhe Mahler nën drejtimin e Claudio Abbado në Ferrara.
Shtypi europian Arditën e paraqet si …servimin virtuoz dhe me ndjesi të Sonatës së Moxartit KV 567…” “…Kur ajo pastaj për Bis e bëri të rrëshqiste si margaritar një pjesë bravuroze nga GyörgyKurtag, ishte e qartë: emri Statovci duhet të mbahet mend..” “…Ardita Statovci, një pianiste që shkëlqen – (Dortmund-2010)…” “tingëllimë telash” eksplozive, të fuqishme e të kthjelltë të një kualiteti super-elitar…” (Kronenzeitung)”…
U takuam pas koncertit të saj në pallatin e njohur Auesperg të Vjenës me rastin e 17 Shkurtit – Ditës së Pavarësisë së Kosovës i organizuar nga Ambasadori i Kosovës në Austri, Dr.Sabri Kiqmari. Mori pjesë në koncert edhe tenori i njohur nga Shqipëria, z.Agim Hushi, të cilët interpretuan në një nivel …super-elitar para trupit diplomatik të shumë shteteve të akredituar në Austri.
Me Arditën zhvilluam një bisedë të shkurtër për shtyp.
Pashtriku: Specializimi i juaj në Imola, vazhdon apo e keni mbaruar?
Ardita Statovci: Si muzikant, të mësuarit nuk përfundon asnjëherë. Përveç anës së sigurisë teknike në interpretim, përpunimi e perfeksionimi i tingullit, respektivisht paletës tingullore është një proces që nuk ka mbarim. Sikur edhe piktori, i cili asnjëherë nuk mund të thotë që ka përfunduar së hulumtuari të gjitha nuancat dhe kombinimet e ngjyrave. Edhe tingulli i pianos ka ngjyrë, për më tepër ka një mori të tërë ngjyrash, nuancash, nën nuancash, që duke u kombinuar edhe më karakteret, situatat, vetitë etj. shprehin emocion. Ndër të tjera, emocioni në muzikë është çelësi i një interpretimi të suksesshëm, gjithmonë duke u bazuar në atë se çfarë kërkon epoka përkatëse muzikore. Andaj edhe unë jam gjithmonë në kërkim të zhvillimit të pandalshëm profesional. Për këtë jam shumë e lumtur që kam bashkëpunime të vazhdueshme jo vetëm në Imola por edhe në vendet tjera, me pianist e dirigjent që me vitet e punën e palodhshme kanë krijuar karriera të mrekullueshme. Gjithmonë ndjehem me fat, që sa herë të kem nevojë për ndonjë këshillë për ndonjë vepër muzikore, ose qoftë për të më dëgjuar, ata janë të gatshëm të gjejnë kohën për mua. Këto bashkëpunime i konsideroj shumë të vlefshme dhe inspiruese.
Pashtriku: Si e shpjegoni angazhimin tuaj deri tani në planin artistik në raport me publikun?
Ardita Statovci: Artisti është gjithmonë ai që duhet udhëhequr publikun, pra artisti është ai që duhet të jetë sa më i bindshëm në interpretimin e tij për ta bindur publikun. Që të arrij të sjell mesazhin e veprës, kompozitorit, të periudhës kohore kur është krijuar vepra, emocionin etj deri tek audienca. E gjithë kjo duke i dhënë emocionet personale, pra duke përfshirë personalitetin e tij, mendjen e tij dhe shpirtin e tij në muzikë. Në secilën paraqitje para audiencës unë mundohem ta bej këtë.
Pashtriku: Cili është plani i juaj momental?
Ardita Statovci: Këtë javë kam koncert në Itali, kurse në prill do jem në Tiranë e pastaj në Salzburg dhe në një qytet tjetër në Austri.
Pashtriku: Si ndiheni dhe si e shpjegoni ftesën për koncerte në Shqipëri?
Ardita Statovci: Më bëhet qejfi që tani do të kem mundësinë të jap koncert edhe në Shqipëri. Përkundër faktit që deri tani kam dhënë koncerte në shumë vende të Europës, Amerikës dhe Azisë, ftesa nga Tirana tani është e para për mua dhe natyrisht që më gëzon. Koncerti do të mbahet më 19 prill në Tiranë dhe unë jam e ftuar për të luajtur si soliste në piano me Orkestrën Simfonike të Radiotelevizionit të Shqipërisë. Krahas koncertit, gjatë qëndrimit tim në Shqipëri do të mbajë edhe një Masterklase në Universitetin e Arteve.
Pashtriku: Cili është plani i juaj në vazhdimësinë artistike, keni ndonjë ofertë apo planifikoni ndonjë turne në vende të ndryshme. Ju ishit në Amerikë, ku keni dëshirë tjetër të luani?
Ardita Statovci: Kam disa koncerte të planifikuara, jo vetëm për sivjet por edhe për vitin 2014 e me tutje. Sivjet ka disa koncerte dhe oferta të veçanta, ndër të tjera do luaj në nëntor në një turne në Austri i cili organizohet nga institucioni me i madh organizativ i koncerteve e kjo do të thotë një nder i veçantë të jesh i ftuar për të përformuar.
Pashtriku: “Vendlindja navigator” e keni thënë, ka mbetur navigator në artin dhe veprimtarinë tuaj?
Ardita Statovci: Unë jam pjesë e vendlindjes, pra ky “navigimi” është gjithmonë dhe gjatë gjithë kohës brenda meje – pra motori shtytës. Përveç faktit që kudo që jap koncerte i reprezentoj shqiptarët, ju nuk mund ta merrni me mend se sa shumë kohë shtesë unë kaloj duke folur e shpjeguar me fjalë për shqiptaret, vendlindjen time, jo vetëm për pozitën gjeografike, por edhe për historinë, gjuhën, kulturën, doket, zakonet e shumë çka tjetër, të them të drejtën gati çdo ditë.
Pashtriku: Ndonjë përshtypje e veçantë nga koncertet tuaja?
Ardita Statovci: Momentalisht, jam në pritje për koncertin në Tiranë, jam shumë kureshtare të takoj njerëzit atje, muzikantët e Shqipërisë dhe uroj që të kemi një bashkëpunim sa më të frytshëm.
Pashtriku: Të falënderoj paraprakisht. Është kënaqësi për mua të shkruaj për aktivitetin tuaj.
Ardita Statovci: Edhe unë, ju falënderoj përzemërsisht dhe ju uroj gjithë të mirat.

……………………………………………….
SHTOJCË E PSHTRIKU.ORG


KUSH ËSHTË ARDITA STATOVCI

Ardita Statovci është pianiste shqiptare. Lindi në Prishtinë, Kosovë më 2 mars 1982 si vajza më e re e dy profesorëve të Universitetit të Prishtinës. Që nga mosha tetë vjeçare ajo filloi të vijojë mësimet në piano tek prof. Hadije Gjinali në shkollën e ulët të muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë, duke kryer vitin e dytë dhe të tretë në një vit shkollor – gjë që e përsëriti edhe në klasën e shtatë dhe të tetë të shkollës fillore që e ndoqi paralel me shkollën e muzikës. Dy herë është shpërblyer me Çmimin “Talenti Kosovar”. Në moshën 13 vjeçare ajo u transferua në klasën e Lejla Haxhiu-Pula në shkollën e mesme të muzikës “Prenk Jakova”. Në moshën 14 vjeçare ajo u paraqit në koncertin e saj të parë solistik, ndërsa në moshën 15 vjeçare u pranua në Akademinë e Arteve në Prishtinë, Universiteti i Prishtinës dhe më 12 Tetor 1997 ajo u paraqit në koncertin e saj të parë në Austri nën patronazhin e Shoqatës për Teatër Muzikor në Vjenë.
Menjëherë pason pranimi i saj (pra në moshen 15 vjeçe) në Universitetin me renome botërore „Mozarteum“ në Salzburg të Austrisë, ku në vitin 2004 ajo diplomon në klasën koncertale te prof. Christoph Lieske. Gjatë studimeve të saj muzikore kreu shkollën e mesme kur ishte vetëm 16 vjeçare. Në gusht të vitit 1999 në Wolfsegg, Austri, për një periudhë mjaft të shkurtë realizon pjesën solo në piano dhe udhëhoqi performimin e parë të Baletit Come Una Danza të Richard Adamas, të kompozuar nga Kurt Rapf me rastin e 25 vjetorit Jubilar të Seminarit të Baletit të Shoqatës për Teatër Muzikor, duke shënuar një sukses senzacional, gjë që e përsëritë në Gusht të vitit 2000 me Játékok nga G. Kurtág dhe me 2001 me “Humoreske” nga Schumann (gjithashtu në koreografi të Adamas).
Që nga viti 1997 Shoqata për Teatër Muzikor – Vjenë, një numër i anëtarëve dhe përkrahësve të kësaj shoqate e kanë përkrahur Ardita Statovcin në shkollimin e saj artistik në Austri. Më 2004 u shpërblye me bursë nga “Internationale Stiftung Mozarteum”. Kreu masterkurse me Menahem Pressler, Peter Donohoe, Stefan Arnold, Cyprien Katsaris, Thomas Larcher, Dubravka Tomsic, Elisabeth Leonskaja, Norman Shetler, Riccardo Risaliti, Paul Badura-Skoda, Carmen Piazzini si dhe të tjerë. Statovci ka bërë TV dhe radio inçizime të shumta.
Koncertoi në vende të ndryshme (Kosovë, Austri, SHBA, Zvicër, Itali, Maqedoni, Spanjë, Kroaci, Francë, Angli, Bosnjë,Hungari, Gjermani etj.), si soliste me orkestër, me recitale pianistike si dhe me muzikë kamertale. Në vitin 2005 ajo fitoi në Yehudi Menuhin Live Music Now Salzburg. Në vitin 2005 pëkrahet nga Rotary Club, Salzburg. Me 2006 fiton çmimin “Bösendorfer Preis” [1] Mozarteum, Salzburg.
Në dhjetor të vitit 2007, përfundon studimet e magjistraturës në Universitetin MOZARTEUM në Salzburg (Austri), ne klasën e prof. Christoph LIESKE, me ç‘rast juria internacionale unanimisht i jep vlerësimin maksimal.
Në prill të vitit 2008 iu nda bursa “Fohnstipendium” (bursë e paraparë për artistë tejet të talentuar në Austri).
Në vitin 2008 doli CD-ja e saj (inçizim live në Salzburg) me vepra nga Brahms-i, Beethoven-i dhe Dutilleux.
Për arritjet e saj të jashtëzakonshme si absolvente e Universitetit Mozarteum u shpërblye me bursë një vjecare (2008/09) nga Qeveria Federale Austriake për shkencë dhe hulumtim (BMWF), për te vijuar studimet posdiplomike në Itali, në Academinë Pianistike në Imola tek Franco Scala dhe Boris Petrushansky.
Në vitin 2009 Ardita Statovci studioi me pianistin legjendar Menahem Pressler në Indiana University në Bloomington/SHBA.
Poashtu në 2009 ajo u shpërblye nga Ministria Austriake Federale Për Arsim, Art dhe Kulturë me “Bursë shtetërore” që është një bursë speciale për artistët e rinj të suksesshëm. . Ardita Statovci së fundi është nominuar nga “Steinway & Sons” si Ariste e Re e Steinway-it.

=============================
EXPRESS 18.12.12 – ARDITA STATOVCI MBAN KONCERT NË PRISHTINË

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura