PROBLEME TË ORGANIZIMIT JASHTË
Nga Xhafer Shatri
Ёshtë koha e fundit që anarkisë në organizimin e Lëvizjes jashtë t’i themi njëherë e mirë STOP. Dhe po qe se këtë nuk e bëjmë sa më shpejt, pasojat do të jenë shumë të rënda. Dalja e dy fraksioneve shumë të rrezikshme vetëm për dy vite, lufta përçarëse e grupeve, që qenka shumë e vështirë të zhduket, na bëjnë ta marrim situatën-gjendjen si shumë të alarmueshme. Dhe për t’i dhënë fund kësaj është e domosdoshme që ta bëjmë një revolucion të vërtetë në organizim, të vëmë më në fund rregull në të. Në këtë kuptim na del si e domosdoshme çështja e forumit të një Komiteti Organizativ, i cili do të udhëhiqte tërë punën praktike të Lëvizjes jashtë, duke përfshirë këtu të gjitha shtetet e kontinentet. Meqë në këtë situatë formimi i një Komiteti të tillë, nëse duam që ai të arsyetojë qënien e tij me punë, është i vështirë, atëherë formimi i Komiteteve të forta Drejtuese në Gjermani e Zvicër është i domosdoshëm. Bile kjo duhet të bëhet sa më parë.
Komitetet ekzistuese duhen riorganizuar, duke përfshirë në to kuadro të reja, që kanë dëshmuar besnikërinë dhe përkushtimin ndaj çështjes. Por edhe nëse nuk kanë ndonjë përvojë të madhe, megjithatë ne duhet t’i përfshijmë njerëzit e rinj, duke ua falur besimin e duke i kontrolluar vazhdimisht; duke i mësuar e duke i këshilluar ata do t’i japim luftës sonë invencion e hov të ri.
Një Komitet Drejtues duhet t’i ketë së pakut 5 anëtarë, të cilët merren me këtë çështje në mënyrë profesionale. Aktiviteti i këtyre shokëve duhet të orientohet menjëherë në formimin e Komiteteve Lokale, prej së pakut tre shokësh, të cilët udhëheqin tërë punën e Lëvizjes në një qytet apo në një mjedis ku ka së pakut 200-300 punëtorë tanët.
Në kuadër të çdo Komiteti Drejtues është e domosdoshëm të formohen disa grupe të specializuara që duhet të udhëhiqen drejtëpërsëdrejti (çdonjëri) nga në antëar i KD.
Grupi Organizativ
duhet të merret vetëm me çështjet organizative, çështjen e zgjerimit të radhëve, të disiplinës, të konspiracionit etj. Këtë detyrë G.O. e kryen duke udhëhequr punën e Komiteteve Lokale. Ky Grup vepron në ilegalitetin më të thellë, duke i ndarë njerëzit në ata që janë të rrezikuar, pra që s’mund të shkojnë në shtëpi, dhe në ata që janë të parrezikuar dhe konform pozitës së tyre i ngarkon çdonjërit detyrë të caktuar. Me një fjalë G.O udhëheq punën e komiteteve lokale drejtëpërsëdrejti me këshilla, udhëzime, urdhëra etj. Ata mbajnë evidencë të rregullt për zgjerimin e radhëve, për karakteristikat e anëtarëve të rinj, për vetitë dhe të metat e tyre.
G.O duhet ta përbëjnë tre shokë të përvojshëm në organizim, të cilët mbajnë takime së pakut njëherë në muaj dhe pas çdo takimi informojnë KD me një raport të gjerë të tërë veprimtarisë së tyre.
Grupi i agjitatorëve
ka për detyrë që në tërë shtetin ku vepron, të organizojë çështjen e agjitacionit dhe të propagandimit verbal të ideve të Lëvizjes. Detyrë konkrete e këtij Grupi po ashtu është që në bashkëpunim me Komitetin Lokal të LRSSHJ-së të caktojë agjitatorët lokalë, për të cilët organizon kurse të veçanta, i udhëzon, u jep direktiva e i kontrollon duke i cytur vazhdimisht se në cilën kohë dhe në cilin vend duhet dhënë rëndësi të dorës së parë kësaj apo asaj çështjeje në agjitacion. Agjitatorët duhet të jenë të përgatitur mirë, të dalin para masës në manifestime, në shfaqjen e filmave, në mbrëmje të ndryshme si dhe në mese e dhoma ku grumbullohet një numër i caktuar punëtorësh. Që pa shkuar në mjedisin ku duhet të agjitojnë shokët e këtij Grupi apo vartësit e tyre duhet të përgatiten mirë, duhet të zgjedhin tema aktuale, të cilat punëtorët do t’i dëgjojnë me endje. Agjitatorët duhet të përshpejtojnë para çdo auditoriumi organin e Lëvizjes, “Zërin e Kosovës”, kuptohet duke analizuar artikuj ku bëhet fjalë për vijën politike të Lëvizjes, shkrimet programatike etj. Çdo ligjërim i agjitatorit duhet të jetë që më parë i përgatitur me shkrim. Ai duhet të jetë konkret dhe me fjalët më të zakonshme të tregojë esencën e çdo problemi. Këto ligjërata, që do të botoheshin në “Zërin e Kosovës” duhet t’i përshkojë një frymë e gjallë e tërë vijës politike të Lëvizjes, një frymë e një patos i fuqishëm revolucionar e patriotik që do t’i çonte peshë dëgjuesit.
Një Grup i organizuar mirë agjitatorësh prej së pakut tre vetash është në gjendje të bëjë punë sa edhe vetë organi i Lëvizjes në një shtet, sepse punëtorët tanë janë të lodhur, shumë prej tyre edhe po qe se duan, nuk mund ta përcjellin me rregull shtypin dhe jetën politike në Jugosllavi, nuk mund t’i lexojnë botimet e reja etj. Ndërsa agjitatori profesionist të gjitha këto me gjuhën e thjeshtë të popullit do t’ia sqaronte fare mirë, do t’ia qitte në tavolinë masës. Me një fjalë agjitatorët janë Lëvizja e gjallë në sytë e masave, forca, aftësia dhe perspektiva e saj. Mu për këtë prandaj shokët duhet të jenë të përgatitur fort mirë intelektualisht, ta njohin mirë mentalitetin e popullit tonë dhe të kenë shumë kujdes në çdo sjellje të tyre, në veshje, në bisedë etj., sepse ata janë, siç thamë më lart, pasqyra e Lëvizjes. Pjestarët e këtij Grupi duhet të udhëheqin edhe me manifestimet e ndryshme si demonstratat, mbrëmjet, festat e ndryshme etj., sepse në këtë mënyrë ata popullarizohen si kuadro të Lëvizjes në sytë e punëtorve dhe fitojnë besimin e tyre.
Takimet e G/A poashtu duhet të jenë të rregullta dhe raportet për KD të hollësishme, sepse përmes raportimit të tillë mësohet se ç’ka po thotë dhe ç’ka po mendon populli, ku dhe si duhet intensifikuar aktivitetin tonë, kënd dhe si mund të organizojë etj.
Grupi i Klubeve
është dora e djathtë e Bashkësisë së Klubeve Shqiptare në Mërgim. AI merret kryesisht me aktivitetin e klubeve, me forcimin e atyre ekzistuese dhe hapjen e të rejave, me centralizimin e shfaqjes së filmave, me formimin e grupeve letrare, dramatike, të këngëve e të valleve në kuadrë të çdo klubi; si dhe formimin e domosdoshëm të dy grupeve qendrore për në shtet: Grupin Dramatik dhe atë të Këngëve dhe Valleve.
Në këto grupe duhet të përfshihen aktivistë të dëshmuar, kryesisht nga radhët e shokëve që janë rrezikuar, ngaqë ky aktivitet është e pamundur të kamuflohet apo të arsyetohet me çfardo pune legale. Përmes këtyre grupeve kryesisht klubet tona do të bëhen vërtetë vatra të mirëfillta të lirisë, vend ku tubohen masa e madhe e kurbetqarëve shqiptarë, të cilët në klube mësojnë për politikën dhe luftën e drejtë të Lëvizjes, lexojnë organin e saj, shohin filma revolucionarë shqiptarë, furnizohen me libra të ndryshëm, dëgjojnë fjalimet e agjitatorëve tanë. Aty fitojnë besimin e patundur në fitoren e sigurt të luftës sonë dhe përgatiten për t’u bërë nesër anëtarë të denjë të LRSSHJ-së.
GK ka të bëjë me masat, me organizimin e jetës së tyre kulturore artistike, me revolucionarizimin e punëtorëve tanë. Ky Grup në klubet duhet të krijojë një klimë të përhershme entuziasmi revolucionar, një atmosferë e cila tërheq sa më shumë njerëz, pavarësisht se me ndonjërin prej tyre ne nuk mund të pajtohemi. Në klubet çdo gjë duhet të jetë e programuar, aty duhet të ketë orar e rregull dhe kjo arrihet po qe se aty militon një Kryesi monolite, me të cilën GK punon vazhdimisht.
Me recitime, me referate aktuale e të thukta, me shfaqje dramash e organizim koncertesh çdo klub arrin të bëhet vend ku njerëzit e lodhur nga jeta e rëndë e mërgimit do ta kenë një kënd qetësie, prehjeje e ushqimi shpirtëror. Por po qe se klubeve nuk iu qasemi me seriozitetin më të madh, po qe se ato me aktivitetin e tyre nuk do ta meritojnë emrin e nderuar Klube Shqiptare, ne do ta lënim Lëvizjen pa fidanishten e saj në mërgim, do ta zhveshim nga masa e punëtorëve do t’ia mbysnim shpirtin dhe misionet e saj.
Me politikën tonë ndaj klubeve ne duhet të tregohemi tejet elastikë; aktivistët që militojnë aty duhet të jenë shumë të durueshëm, sepse njerëzit e këtushëm janë të stërlodhur nga jeta e rëndë, janë njerëz që shpejtazi janë zgjuar nga kllapia e robërisë, prandaj duhet të punojmë me ngulm e durim për t’i bërë ushtarë të Lëvizjes, për t’i bërë revolucionarë.
Duhet t’i kushtohet rëndësi e posaçme se kush zgjidhet në kryesi klubesh dhe ata shokë të mos i lejojmë të merren me ndonjë aktivitet tjetër që mund t’i rrezikojë, sepse me aktivistë të tillë ne mund ta përfshijmë masën. Kryesitë e klubeve duhet të mbajnë takime të rregullta dhe para anëtarëve të referojnë për aktivitetin, për planet dhe për gjendjen materiale duke dalur para mbledhjeve të përgjithshme me dokumente e vërtetime se ku ka shkuar qoftë edhe një qindarkë e vetme. Në kuadër të çdo klubi duhet të ekzistojë një ekip prej 3 shokësh që merret vetëm me shfaqjen e filmave jashtë rrethit ku gravitojnë anëtarët e klubit. Me këso shfaqje e aktivitetesh ndihmohet hapja e klubeve të tjera, mundësohet përfshirja sa më e madhe e masës në aktivitetin e Lëvizjes. Me klubet, në fakt, udhëheq Komiteti Lokal.
Grupi i Lidhjeve
përbëhet prej shokësh shumë të besueshëm e të sprovuar një kohë të gjatë, të cilët kanë për detyrë kryesore lidhjen me shokët brenda. Këtë mund ta arrijnë me organizimin e një vistre postierësh të Lëvizjes, njerëz gjithsesi të parënë në sy, të mësuar e të stërvitur enkas për këtë çështje, të cilët do të bartin material të rëndësishëm brenda-jashtë, jashtë-brenda. Ky Grup duhet të gjejë format e futjes së materialit me shumicë, të mjeteve të ndryshme teknike, të shtypshkrimit, të mbrojtjes, të lidhjeve radiofonike. Pastaj të nxjerrjes së shokëve jashtë, të përgatitjes së dokumenteve të ndryshme të udhëtimit si pasaporta, leje të njoftimit, sigurimin e hartave të ndryshme ushtarake për kufijtë, kontaktimin me të huajt, të cilët janë shumë të përshtatshëm për futjen e materialit të ndryshëm të thuash pa rrezikuar fare. Pastaj sigurimin e sa më shumë adresave të sigurta në Perëndim, në të cilat me emra serbësh do të mund të shkruanin shokët vazhdimisht nga brenda etj.
Për këtë Grup mund të dijë vetëm KD e askush tjetër, apo vetëm njëri prej anëtarëve të tij për çështje sigurie, sepse vetëm me gabimin më të vogël këtu mund të rrezikojmë me qindra shokë brenda. Sidomos te ky Grup ligjet e konspiracionit duhet të respektohen më shumë se kudo tjetër.
Grupi i Zbulimit
Intensifikimi i veprimtarisë agjenturore të UDB-së në të gjitha sferat e veprimtarisë sonë, na detyron ta marrim fort seriozisht çështjen e themelimit të këtij Grupi, i cili do ta ketë për detyrë të vërë themelet dhe degët e shërbimit informativ të Lëvizjes. Ky grup duhet të veprojë në sistemin një me një, të ketë një disiplinë ushtarake dhe të mos lerë vend pa i pasur sytë dhe veshët e vet G.Z. Duhet të formojë dosjet në principin e komunave, të republikave (brenda) dhe të shteteve (jashtë). Dhe në dosje të shënojë gjer në imtësi se kush punon në UDB, në administratë, në sektorin e armatës, të mbrojtes territoriale, në Komitet, kush përbën skeletin e regjimit nëpër fshatra dhe lokalitete, kush janë veglat e UDB-së, kush prej udbashëve vjen jashtë (në çdo UDB është një person i caktuar që merret vetëm e vetëm me këtë veprimtari) ku i ka ai jatakët e vet, kush janë të afërmit, miqtë e tij etj, te cilët vjen dhe merr informata.
Anëtarët e këtij Grupi duhet të lexojnë literaturë përkatëse, të mësojnë nga përvoja e organizatave të tjera revolucionare, të zbulojnë forma të reja të veprimit zbulues, t’i perfeksionojnë ato dhe të bëhen mbrojtës të urtë e të patrembshëm të Lëvizjes dhe të interesave të popullit. Ata duhet t’i mësojnë të gjitha format e mundshme të maskimit, të përgatitjes së shokëve tanë që futen brenda pa vënë kontakte me të afërmit e tyre që punojnë në organet e pushtetit, të krijojnë mundësisht edhe atje informatorë profesionistë, t’u japin atyre detyra konkrete dhe adresa e alfabete të sigurta, ku dhe si do mund t’i dërgonin sa më shpejt informatat e tyre. Njerëzit që ngarkohen me këso detyrash speciale nuk guxojnë të marrin pjesë në asnjë manifestim apo veprimtari legale të Lëvizjes. Për anëtarët e këtij shërbimi mund të dijë vetëm anëtari i KD që merret me këtë Grup.
GZ duhet të përpilojë raporte të hollësishme të mendimit të masave dhe të individëve të caktuar, të aksioneve që po ndërmerr armiku kundër nesh, pastaj format dhe metodat që ne t’i kundërvihemi. Në kompetencat e këtij Grupi duhet të veprojë edhe një njësit special prej së pakut tre vetësh të zgjedhur, të përgatitur fort mirë edhe për aksionet më të komplikuara konkrete, për dhënien e dënimit të merituar tradhtarëve dhe provokatorëve e armiqve të ndryshëm.
Grupi për marrëdhëniet me të huajt
Opinioni ndërkombëtar në luftën e një populli është një faktor me shumë rëndësi. Pa e njohur drejt për përpjekjet dhe vuajtet tona, ne nuk mund të presim përkrahjen e tij. Bile mund të themi se me organizimin e mirë të bashkëpunimit me të huajt ne do t’i shkaktonim Jugosllavisë dëme shumë të mëdha sepse ajo mvaret shumë nga shtetet e Perëndimit dhe ne, përmes manifestimeve të ndryshme, përmes ndikimit në shtypin e huaj dhe të mjeteve të tjera të informimit po qe se arrijmë ta shtrojmë drejt çështjen e Kosovës dhe tërë atë politikë shtypëse të regjimit serbomadh që ushtron kundër popullit tonë, atëherë do t’ia presim bile ndonjë kanal kreditimi regjimit vrasës të Beogradit. Për këtë qëllim në shkallë të një shteti në Evropë e gjetkë, ne duhet ta formojmë Grupin e fortë të shokëve që e njohin gjuhën e vendit, që kanë kontakt me njerëz të të gjitha kategorive të mjedisit ku jetojnë, që njohin mirë politikën e vendit që përcjellin shtypin etj. Dhe ky Grup duhet të formojë degët e veta nëpër çdo qytet të madh, të kontaktojë me individë përparimtarë, me revolucionarë (që këtu janë fort me grat), me gazetarë, me organizata sindikale, me përfaqësues të partive të ndryshme demokratike, me Degë të posaçme të Amnestisë Internacionale etj., të cilëve u dorëzojnë materiale të Lëvizjes të përkthyera në gjuhë të huaja.
Ky Grup duhet të praktikojë që herë pas here t’i shkruajë memorandume qeverisë së vendit, përfaqësive të ndryshme diplomatike, OKB-së etj., lidhur me situatën në Jugosllavi dhe posaçërisht me pozitën e popullit tonë, me gjendjen ekonomike të Kosovës etj. Por një gjë duhet ta kemi vazhdimisht parasysh se në informimin e opinionit ndërkombëtar ne duhet të mbështetemi ekskluzivisht në forcën e fakteve dhe të dokumenteve. Kurrfarë ndjenjash tonat nuk mund ta bindin, për shembull, një evropianoperëndimor në drejtësinë e luftës sonë. Ndërsa me fakte, dokumente, dëshmi etj., ne mund të bëjmë shumëçka.
GMH duhet t’i sigurojë adresat e të gjitha institucioneve ndërkombëtare, të organizatave të ndryshme humanitare ndërkombëtare, të asociacioneve të kulturës e të artit, të partive të ndryshme politike etj., dhe bile njëherë në dy muaj në të gjitha anët e botës ta shpërndajmë mesazhin e Kosovës së shqetësuar. Në këto memorandume të shkurtëra e të thukta duhet të kërkojmë lirimin e domosdoshëm të të burgosurve politikë, ndihmën dhe përkrahjen e opinionit ndërkombëtar etj.
Me organizimin e mirë të një Grupi në çdo shtet, që ka nëngrupet e tjera nëpër lokalitete, ne do të mund të përfitonim një pjesë të opinionit vendas për të ndihmuar luftën e drejtë të popullit tonë. Me një fjalë mërgimtarët kosovarë do të arrinin të bëhen ambasadorë të popullit të vet. Në nëngrupet do të mund të përfshihej, më së miri individualisht, edhe ndonjë mërgimtar kosovar që ndoshta politikisht nuk është i qartë, por e don popullin dhe me lidhje që ka krijuar mund ta japë kontributin e tij.
Në detyrat e këtij Grupi hyn edhe obligimi që të përkthejë pjesë nga shtypi i huaj, ku bëhet fjalë për Kosovën, të organizojë mbrërmje me të huajt dhe për të gjitha këto të shkruajë në organin e Lëvizjes, sepse me shkrime të tilla nxisim një aktivitet të tillë me përmasa edhe më të gjëra.
Grupi i shpërndarësve
Sa i përket ndarjes së detyrave më së miri qëndrojnë me shpërndarjen e “Zërit”, por shokët që merren me këtë çështje munden dhe duhet të organizohen edhe shumë më mirë. Mu për këtë me shpërndarjen e rregullt e të suksesshme të organit të Lëvizjes dhe të botimeve tona përgjithësisht. Që pa dalur gazeta G.Sh duhet ta ketë të gatshëm planin e shpërndarjes. Njëri prej tyre duhet të merret me postimin, ndërsa dy të tjerët me dërgimin në punktet shpërndarëse, siç janë klubet dhe grupet e caktuara nëpër qytete që merren me këtë çështje. Pa angazhimin e drejtëpërdrejtë të përgjegjësve lokalë të shpërndarjes së “ZK”, organi ynë kurrë nuk do të arrijë të depërtojë në çdo mjedis ku ka mërgimtarë. Me këtë çështje duhet të merren 5-6 shokë në rrethe të mëdha siç është Munihu, Shtugarti, Dyseldorfi, Frankfurti, Gjeneva, Zyrihu, Lozana etj. Ditën që arrin organi, përgjegjësi lokal thërret shokët në takim, i ndanë detyrat çdonjërit, rajonin dhe afatin e shpërndarjes dhe ua ndan gazetën në numra përkatës për çdo rajon. Kurrsesi nuk lejohet që dy vetë të shpërndajnë gazetën te të njëjtit individë. Shpërndarësit gjithashtu duhet të mbledhin sa më shumë adresa të bashkatdhetarëve, i njohën ata e s’i njohën, njëherit të angazhohen që në bisedë me lexuesit të përpiqen të mbledhin sa më shumë mendime punëtorësh për kualitetin e “ZK”, për të metat dhe veçanërisht për atë se si e shohin ata se duhet të jetë një gazetë e lirisë, duke nxitur vazhdimisht punëtorët që të dërgojnë korrespendenca për jetën dhe aktivitetin e tyre. Shpërndarësit duhet të jenë shokë shumë të ndërgjegjshëm, ata nuk duhet të qetësohen pa mos e shpërndarë qoftë edhe numrin e fundit të organit. Shpërndarja duhet të bëhet edhe ilegalisht në meset punëtore ku ne akoma nuk kemi arritur të kemi shokë, duke ua lënë “ZK”-në në kuti postash, te dera etj., apo edhe t’u dërgohet përmes postës.
Në tubime e manifestime të ndryshme, shpërndarësit gjithësesi duhet të marrin përsipër shpërnarjen e gazetave që kanë mbetur, sepse në tubime mund të vijnë lloj-lloj vizitorësh, që ndoshta s’kanë pasur rastin ta kenë ndonjë numër të vjetër të oranit.
Grupi për çështjet materiale
Jeta për çdo ditë po na mëson për rëndësinë e jashtëzakonshme të çështjes materiale në luftën tonë. Për të na shkuar puna mbarë në këtë drejtim, është e domosdoshme që të gjitha mundësitë e financimit të Lëvizjes, prej anëtarësie e gjer te ndihmat e ndryshme që mblidhen nëpër fushata, të centralizohen sa më mirë, sepse pa të holla s’mund ta nxjerrin me rregull as gazetën, s’mund t’i ndihmojnë shokët brenda dhe s’mund të zhvillojnë aktivitet të madh këndej.
Këtë punë jetike mund ta kryejë vetëm një Grup i organizuar shumë mirë, i cili nuk mbetet vetëm në burimet vullnetare të të ardhurave, por organizon hapjen e ndonjë ndërmarrjeje të vogël me dy-tre punëtorë ndërtimtarë, ngjyrtarë ndërtesash etj. Kjo do të ishte punë me leverdi të madhe, të cilën po qe se e organizojmë si duhet, po qe se në të fusim elementë të dëshmuar patriotë e revolucionarë që i udhëheq një shok i pjekur politikisht e që punojnë në konspiracion më të thellë, atëherë kjo ndërmarrje, në dukje të parë shumë e vogël, do të bëhet financuese e rregullt e të gjitha aktiviteteve të Lëvizjes. Dhe nuk duhet të ndalet GÇM vetëm në këtë lloj ndërmarrjesh, por të gjejë të gjitha format e mundshme (të ndershme) të vetëfinancimit. Veç kësaj është e nevojshme që në çdo mjedis ku ndikimi i Lëvizjes është i fortë, të formohet një nëngrup shokësh autoritativë, mundësisht të rrezikuar, dhe bile në çdo tre muaj të ndërmarrin mes punëtorësh fushata të mbledhjes së ndihmave për familjet e të burgosurve. Këta shokë më së miri do të ishte sikur të formonin grupet prej 10 apo më shumë simpatizantësh të cilët vendosin që për çdo muaj ta ndihmojnë bashkërisht Lëvizjen me një shumë simbolike, p.sh. dhjetë frangë në muaj. Kjo nuk do të ishte shumë as për më të varfërin prej nesh. Kjo formë e përfshirjes së njerëzve në luftë do të kishte rëndësi të madhe politike parasëgjithash, sepse ata njerëz lidhen me luftën, janë të vetëdijshëm se edhe ata po japin diçka për lirinë e fëmijëve të vet.
Me një fjalë çështjen materiale duhet ta qesim në binarë të sigurt, në mënyrë që çfardo rrethanash që të krijohen, ne të kemi mjete të bollshme për ta çuar luftën përpara.
Përfundim
Punën e të gjitha këtyre grupeve duhet ta koordinojë Komiteti Drejtues, anëtarë të të cilit duhet të jenë edhe disa udhëheqës grupesh. Në ditën e caktuar të muajit Grupet mbajnë takime të rregullta, ku shoshisin mirë tërë aktivitetin mujor dhe bëjnë planin për muajin tjetër. Në takim formulohet raporti i gjërë i punës, i cili bashkë me procesverbalin i dorëzohet KD. Komiteti drejtues pastaj cakton mbledhjen e vet, ku shqyrton raportet me radhë dhe në sajë të tyre merre vendime e qëndrime përkatëse për çdo grup veç e veç. Duke u bazuar në këto raporte KD duhet që për çdo muaj t’u drejtohet Grupeve, Komiteteve Lokale dhe celulave me qarkore interne, me të cilat i njofon anëtarët dhe militantët e Lëvizjes për gjendjen përgjithësisht, për të metat, për sukseset dhe për kahet që duhet t’i japim luftës fhe aktivitetit në tërësi.
Me një ndarje të tillë të punës Komiteti Drejtues do t’i lehtësonte barrën vetes, do t’i jepte luftës një shtytje shumë të fuqishme. Fundi i fundit, pa e vënë organizimin në kësi themelesh të shëndosha, pa i ndarë detyrat për çdonjërin, do ta kemi të vështirë, të mos themi të pamundur, t’i përballojmë sulmit të koordinuar të armikut dhe të ndihmësve të tij të pakursyeshëm fraksionistëve e likuidatorëve.
Eshtë koha e fundit ta kuptojnë të gjithë se lufta mund të çohet përpara e të fitohet veëm me një organizim të mirëfilltë revolucionar, vetëm me në përfshirje sa më masive të revolucionarëve konsekuentë në të gjitha sferat e veprimtarisë së Lëvizjes.
Xhafer SHATRI
(Burimi: Faridin Tafallari: Terror, dhimbje, qëndresë 1996 f.245 – 251)
——————
PЁRJASHTIMI I FAZLI VELIUT DHE MUSTAFЁ XHEMAJLIT NGA KP I LPRK-ës, MЁ 3.V.1986