BEDRI ISLAMI: CILI ISHTE ROLI I SHQIPËRISË ZYRTARE NË DEMONSTRATAT E PRANVERËS 1981 NË KOSOVË (I)

Pashtriku.org, 12. 03. 2013 – (Viti 1981, ka qenë viti i provës për shqiptarët e Kosovës) – Pa as më të voglin dyshim, viti 1981 dhe sidomos pranvera e tij, ka qenë viti i provës për shqiptarët e Kosovës. Përgjithsisht, secila dekadë e ka gurin e vet themeltar, ose më saktë, ka një datë ose një moment të caktuar, që vendos pikëmbështetjet e së ardhmes. Për shqiptarët në Kosovë ka ndodhur disi ndryshe: një ngjarje ka mbajtur mbi vete tri dekada dhe si duket, do të vazhdojë të mbajë mbi vete edhe shumë vite të tjerë. Demonstratat e pranverës , mars – prill 1981, janë pikënyja e viteve që erdhën më pas, dhe si të tilla ata kanë mbetur në kujtesën e kombit dhe në dëshminë historike të tij. Prej këtij viti, duam apo nuk duam, jemi të vetdijshëm ose jo, kanë rrjedhur të gjitha ngjarjet e tjera madhore që lidhen me Kosovën dhe, një pjesë e rëndësishme e tyre, edhe me Shqipërinë londineze.
Viti 1981, me pranverën që nisi me 11 mars, për të shkuar më pas tek ditët e 26 marsit, 1 dhe 2 prillit, kishte në vete farën e hedhur të shumë ditëve të ardhshme, që dha fryt, shumë më tepër se sa ishte menduar 17 vite më pas, ne qershorin e vitit 1999. Them se ka qenë një vit provë, sepse, në strukturtat iluzore që kishte krijuar regjimi i Beogradit, do të ngrihej një brez, i cili nuk do të ishte kurrësesi i humbur, për të bërë më tej atë që kishin dashur etërit e tyre. Ky brez, thellësishtr romantik dhe krejtësisht atdhetar, doli nëpër rrugë për të filluar një jetë ndryshe. Ishte një brez që dëshmoi historikisht se nuk kishte humbur asgjë në Kosovë dhe se kështu nuk mund të vazhdohej më.
Beogradi, pas dhunës së tankeve njoftoi për 11 të vrarë. Një shërbëtor i tyre në Prishtinë, Bakalli, tha se ishin vrarë vetëm nëntë vetë. Në se kishte filluar kështu gjakshëm, nuk do të kishte të ndalur. Romantikës dhe atdhedashurisë së një brezi të ri, Beogradi i kundërvuri tanket, dhunën policore, vrasjet, burgimet, arresatimet, gjakimet, dënimet e ashpra, dhe, si për të mos mjaftuar e gjithë kjo,filloi proçesin e jashtëzakonshëm fëlliqës të diferencimit. Kërkohej të diferencohej vllai nga vllai, ati nga djemtë, fëmijët nga prindërit, miqtë nga miku, shokët nga shoku, të afërmit nga të largëtit, të zakonshmit nga të pazakonshmit, kërkohej të bëhej gjithshka e diferencuar. Dosjet e diferencimit janë diku, por mbi të gjitha janë njerëzit që i kanë vuajtur mbi vete gjithë barrën e këtij difrencimi. Gjithshka që donte të krijonte regjimi i Beograd-Prishtinës qëndronte në mundësinë që, të pazakonshmit të ishin të huaj për Kosovën, të lëçiturit e saj; ndërsa pushtimi, si e zakonshme, të kishte të drejtën e qytetarisë.

Këto njerëz, të pazakonshmit, të prangosur, të gjakuar, ashtu si edhe të afërmit e tyre, djemtë apo vajzat nëpër burgjet serbe, u ndjenë të vetmuar,qoftë edhe përkohsisht, e megjithatë, të dy pjesët, edhe ata që ishin jashtë e të burgosur, edhe ata që ishin të burgosur e me mendimin se çfarë do të bënin më tej kur të ishin të lirë, kishin në atë kohë një shpresë, një sfond ku mbështetej halli i tyre, kishin momentin e tyre të pritjes për mbështetjen. Duam apo nuk duam sot, e pranojmë apo nuk e pranojmë, fakt ishte se ata këtë mbështetje e kërkonin dhe e prisnin nga shteti amë, Shqipëria.
Kryengritja shqiptare në ish Jugollavi, në fillimin e viteve 80 ka qenë pa dyshim, njëra nga ngjarjet , rreth së cilës e për të cilën janë bërë analiza të shumta, me të janë marrë e sogurisht do të merren njerëz të mendimit nga të gjitha fushat, por njëkohsisht edhe spekullantë; janë marrë shkrimtarë e socialogë, historianë, protogonistë, gazetarë, janë ringritur ngjarjet, duke filluar që nga mbrëmja e 11 marsit dhe deri tek arrestimet masive, janë ngritur teza të ndryshme hipozeza të saklta e nga më të çuditshmet, ka patur gjykime e paragjykime, hipoteza nga më të çuditshmet dhe nga më të pazakonshmet, ka patur fillimisht çirrje dhe përbaltim institucional, pastaj heshtje por kurrë mbrojtje institucionale në Kosovë. Tezat, hipotezat, pikëpyetjet, hamëndjet, thëniet, gjykimet dhe debatat nga më të ashprat dhe nga më të vrullshmet, kanë qenë për rolin dhe qëndrimin e shtetit shqiptar.
Që në fillim janë hedhur të gjitha pyetjet e mundshme dhe janë synuar të gjitha dilemat e hipotekuara. Në të vertetë është bërë përpjekja, herë serioze dhe herë e rreme, për të sqaruar disa nga momentet më thelbësore të qëndrimit të shtetit shqiptar ose për të përbaltur ato. Pak ose aspak janë bërë përpjekje për të ditur gjykimin e njerëzve të zakonshëm në Shqiëri, të mendimit intelektual, si i kanë pritur ata ngjarjet e pranverës kosovare, si kanë depërtuar ato në thelbin e jetës së tyre të zakonshme. Ishte merak spontan, njerëzor ose i organizuar, apo e verteta qëndron diku në mesin e tyre? Kishte më shumë se hall, brengë, shqetësim a mërzi, kishte diçka më shumë vetes dhe përtej së zakonshmes.. kishte thjeshtë brengë njerëzore apo edhe kombëtare… Tek qëndrimi i njerëzve të thjeshtë ndoshta asnjëherë nuk është ulur si duhet mendimi i socilogëve, gazetarëve, dijetarëve, sepse, në pamjen e parë ata nuk duken edhe aq interesante, ata nuk përbëjnë “ngjarje”, pra nuk kanë në vete ankthin e zbulimit të së vertetës, nuk përbëjnë lajm, nuk kanë mister..megjithëse kjo nuk është aspak e vërtetë. Ndoshta më shumë se kudo tjetër tek njerëzit e zakonshëm , politika bën vendin e vet nëpërmjet shfaqjeve që nuk janë edhe aq të dukshme politikisht, por që në të vertetë bëjnë vetë thelbin e politikës. Le të sjell dy shembuj të mëvonshëm: Në vitin 1991, pas lëvizjes studentore dhe ndryshimeve jetike politike, të dy partitë e mëdha, demokratike dhe socialiste, në programin e tyre elektoral, kishin edhe bashkimin kombëtar të shqiptarëve. Partia Demokratike e kishte shumë më të theksuar, shumë më të dukshëm dhe krijoi mendimin se, pas fitores së saj, zgjidhja e çështjes kombëtare shqiptare, ishte punë e disa pakkohëve. Megjithëse e kishte kaq shumë të afishuar këtë, kjo nuk e pengoi atë, përkundrazi e ndihmoi që, në votimet e 22 marsit 1992, të merrte rreth 70 për qind të votave të shqiptarëve. Katër vite më pas, të dy partitë e mëdha politike shqiptare, krejt ndryshe nga 4 vite më parë, nuk e kishin as në kontekstin me të largët, çështjen e bashkimit kombëtar të shqiptarëve dhe vetë Kosova kalonte në planin e dhjetë. Kjo sepse, të dy partitë politike e dinin se, në rrethanat e krijuara, afishimi i një qëndrimi të itllë, sillte humbjen e votave.
Viti 1981 – viti i provës për shqiptarët e Kosovës.
Nuk doja të analizoj se çfarë ndodhi në katër vite, që solli një regres të tillë, të dhimbshëm kombëtar, por shembujt i solla për të patur një lodhje mes asaj që quhet e zakonshme e nganjëherë e rëndomtë, kur analizojmë e ndalemi tek ngjarjet e marsit 1981, qëndrimi i qytetarve të thjeshtë dhe mendimit politik zyrtar. Natyrisht , për cilindo lajm përbën dilema e shtruar atëherë, nëse kishte dijeni Shqipëria zyrtare për atë që po përgatitej të ndodhte në Kosovë? A kishte dijeni Enver Hoxha, përse strukturave të tij, se viti 1981 do të ishte njëkohsisht edhe viti i krtyengritjes shqiptare? A ndikuan strukturat e fshehta të shtetit shqiptar në organizimin apo thjeshtë nxitjen e kryengritjes dhe afishimin e parullës Kosova – Republikë apo të thirjes tjetër “Republikë,Kushtetutë – ja me hatër- ja me luftë”. A kanë qenë të përgatitura dhe të instruktuara organizatat ilegale që u vunë në ballë të demonstratave nga strukturat e fshehta të shtetit shqiptar? A kishte në Tiranën zyrtare përkrahjen e duhur kërkesa për republikën e Kosovës apo shteti shqiptar ishte kundër krijimit të një shteti të dytë shqiptar në Ballkan? Përkrahja e shtetit shqiptar ishte e vonuar apo në kohën e duhur? E gjithë ajo që ndodhi në polemikën e madhe mes shtetit shqiptar dhe shtetit jugosllav ishte thjeshtë një retorikë ideologjike apo pas saj fshihej edhe çështja kombëtare…
Unë do të mundohem të sjell disa nga përjetimet e njëzet e gjashtë viteve më parë, ashtu si i kam përjetuar unë, qoftë si qytetar i zakonshëm, qoftë si gazetar. E di se për disa do të jetë disi e pazakontë, ndoshta edhe jashtë rrjedhës së trusnisë politike që përçohet ndaj shtetit shqiptar të atyre viteve, mirëpo unë do bëj mundim të sjell aftmosferën ashtu si ishte në ato ditë, ashtu si është përjetuar nga unë dhe njerëzit rreth meje, nga shokët e mi gazetarë, por edhe nga njerëzit e shquar të artit, shkencës, historisë. Do ja lejoj vetes, që ashtu si i kam ndjekur, dhe ashtu si i kam analizuar më pas, të sjell edhe mendimin tim për ato që ishin aso kohe në mendimin politik zyrtar, duke shfrytëzuar të drejtën nga takimet e mëpasme që kam pasur me disa nga protogonistët në Shqipëri të këtyre ngjarjeve, mes të cilëve edhe me ish presidentin e Shqipërisë, Ramiz Alia. Të gjitha këto nuk i sjell për të nxitur një mendim ndryshe ose një mendim “për”, por të sjell, sado pak, ato të vërteta që ose janë thënë ndryshe, ose janë thënë të cunguara.
Le të nisim me atë që përjetuan njerëzit e zakonshëm…
Në mesin e muajit mars të vitit 1981, ata që punonin një kat më poshtë në redaksinë e gazetës “Zëri i Popullit” vunë re se, në sektorin e jashtëm, i cili ishte në katin e sipërm, kishte një lëvizje më shumë se të zakonshme, kishte një lëvizje përgjithsisht më të ndjeshme se herët e tjera. Zakonisht ndodhte kështu, kur kishte ngjarje të rëndësishme. Aq më tepër se, shumë më shpesh se më parë, kishin filluar të vinin funnksionarë të rëndësishëm të aparatit të Komitetit Qendror të Partisë, të cilët, jo rradhë herë, nuk ndaleshin as në zyrën e kryeredaktorit të gazetës, që ndodhej në katin e dytë. Megjithatë, nuk ishte vërejtur ende asgjë e jashtëzakonshme nëpër rradhet e artikujve, të cilët, në më të shumtën e rasteve, nuk kishin ndonjë gjë të veçantë. Edhe fakti që, përgjegjësi i sektorit të jashtëm, ishte thirrur dy herë, brenda ditës, tek shefi, nuk përbënte ndonjë lajm, sepse kjo kishte qenë shpesh një rutinë e zakonshme.
Zakonisht, nga ora nëntë e mëngjezit, djemtë e gazetës, si i therrisnin miqtë e tyre të afërt, mes të cilëve edhe kryeministri i sotëm i Shqipërisë, zoti Berisha, shkonin të pinin kafenë e mëngjezit, në kafenenë e Lidhjes së Gazetarëve, ku kishte më shumë zhurmë se në të gjitha kafenenetë e tjera. “Zhurmëtarët” zakonisht ishin Pëllumb Bato i “Bashkimit”,( nuk e di se ku është tani) Filip Çakulli i “Hostenit”, i cili kishte zakonisht një mosmarrëveshje në javë me shefin e tij dhe të kritikuarit prej tij, dhe shefi i sotëm i gazetës proqeveritare Fahri Balliu, që aso kohe ishte gazetar special i “Zerit të Popullit”. Ishte vënë re se prej dy ditësh, gazetarët e sektorit të jashtëm të “Zerit të Popullit” apo të “Bashkimit” ose nuk po vinin fare, ose pinin një kafe, tepër shpejt dhe iknin. Ndërsa ato të RTSH, sektori i jashtëm, që vinin nganjëherë për kortezi gazetareske, meqë kishin klubin e tyre, nuk dukeshin. Përgjithsisht, në sektorët e jashtëm të shtypit punonin aso kohe gazetarë nga më të mirët, të aftë dhe patriotë, si u dëshmuan shumë prej tyre në vitet që erdhën. Në “Zeri..” ishte i njohur Shaban Murati, në “Bashkimi” ishte Napoleon Roshi, në RTSH ishte Bujar Muharremi.
Megjithatë, fjalët kishin filluar të rridhnin, më shumë jo nga kanalet zyrtare, se sa nga “rebelët” që ndiqnin herë pas here, kanalet radiofonike të huaja. Kishte filluar të flitej se ne Prishtinë kishte pasur demonstrata dy apo tri ditë më parë, mirëpo nuk dihej më tepër. Njëri nga shokët e mi, që kishte qëndruar deri vonë për të ndjekur thuajse të gjiths stacionet radiofonike që mund ti kuptonte, më tha, se në Prishtinë kishte pasur një demonstrim të studentëve, por ajo kishte qenë për kushte më të mira jetese dhe ushqimi dhe si duket, nuk kishte pasur asgjë politike. Thënë të vertetën, unë kisha disa kohë që isha përgatitur për një udhëtim në Kosovë, i cili, si më kishte thënë shefi im i atëhershëm, Namik Dokle, do të bëhej në fundin e muajit mars. E dija se në atë grup do të ishte edhe Vera Kapo, bija e numrit dy të dikurshëm PPSH-së, Hysni Kapo dhe nëna e gazetarit të sotëm Andi Bushati, Xhafer Dobrusha, pedagog në Universitetin e Tiranës, që drejton sot Federatën e Arsimit dhe disa të tjerë. Kishte disa kohë që mardhëniet në dy anët e kufirit ishin në një pikë të lartë intesifikimi. Kishte më shumë se pesë vite që mes dy qeverie, në Beograd dhe në Tiranë, kishte një periudhë zbutje dhe, si duket, të dy palët kishin llogaritur të ndikonin tek njëra tjetra, përmes atyre që e quanin më të rëndësishme. Qveria e Beogradit mendonte të ndikonte në Shqipëri duke dërguar aty, përmes strukturave të ndryshme, një nivel më të ngritur jetese, njohje më të gjërë të botës, hapje më të ndjeshme; ndërsa qeveria e Titranës kishte menduar të ndikonte përmes shkallës së kulturës, njohjes reciproke, artit, gjuhës, traditës, duke pasur gjithnjë në anën e saj, përkushtimin e pakufishëm të shqiptarve matanë kufirit për shtetin amë. Këtë masë përcaktuese nuk e kishte llogaritur, ose e kishte përllogaritur keq, qeveria e Beogradit, ndërsa e kishte ditur shkëlqyeshëm qeveria e Tiranës. Në Tiranë kishte filluar të rozohej paragjykimi se ” një shqiptar në Jugosllavi ishte një titist” dhe nuk shihej si një kundërshtar ideologjik, megjithëse shteti shqiptar e dinte fare mirë se, në mesin e të ardhurve, jo pak ishin të tillë.
Pranimi i gjuhës së përbashkët shqipe, ribotimi, pa asnjë redaktim kritik i teksteve të historisë së Shqipërisë dhe pranimi i teksteve të njëllojta , thuajse në të gjitha lëmitë, ansamblet artistike që ishin më të shpeshta se asnjëherë, këngët që ishin përgjithsisht mbi bazën e teksteve me ndjenjë të theksuar kombëtare, si ishte ajo e Pjetër Gacit “Kaçanik o shkëmb e gurë…”pritja e jashtëzakonshme që i bëhej Nexhmije Pagarushës dhe rihapja e shpejtë e këngëve të saj…të gjitha këto ishin më të se të prekshme dhe të pranueshme nga njerëzit e zakonshëm. Kishte shumë kohë që në shtypin shqiptar, duke pasur edhe një çensurë të kujdesshme, nuk shkruhej kurrë negativisht për Kosovën ose për njerëzit e saj. Termat që dolën më vonë, pas viteve 90 për Kosovën ose për shqiptarët e Kosovës, atëherë as nuk njiheshin dhe as nuk lejoheshin të përdoreshin. Edhe kur flitej për masakrën e 4 shkurtit bëhej kujdes të evitohej emëri i Xhafer Devës, sado që shumë gjëra ishin të ditura. Fakti që u vu re më pas, se gjatë gjithë kohës që regjimi i Hoxhës ishte në pushtet kishte bërë vetëm tri përmendore të mëdha për individë të shquar të periudhës së Pavarësisë dhe se që të tre kishin ardhur nga viset shqiptare të Kosovës, përkatsisht busti i Bajram Currit, Hasan Prishtinës dhe Isë Boletinit, apo fakti që Emnver Hoxha, në shenimin e tij për Monumentin e Pavarësisë kishte kërkuar që, krahas Ismail Qemalit, të vihen në qendër të monumentit edhe figura e luftëtarit nga Kosova, kishin qenë të prekshme për njerëzit. Sado që mund të ishe dakord me regjimin, nuk mund as të ishe kundër veprimeve të tilla, të cilat, sado që mund të kishin, ashtu si u tha më pas, nënshtresa të tjera, përsëri, në kohën e dhënë, ishin të mirëpritura.
Nga ana tjetër, në Universitetin e Prishtinës ishin mysafirë dhe jepin leksionet e tyre korifejtë e mendimit shkencor shqiptar, ëndërrimi i plejadave shqiptare në Kosovë, si Eqrem Çabej dhe Aleks Buda, Shaban Demiraj, Androkli Kostollari, Kristo Frashëri, Rexhep Mejdani, dijetarët më të shquar të shkencave albanologjike, historike, ribotohej Kadare dhe Agolli dhe Veprat e Plota të Poradecit. Në vitin 1978, me një vemendje tejet të veçantë u përkujtua 100 vjetori i ngjarjeve të Prizrenit dhe për herë të parë, publikisht ajo u quajt Lidhja Shqiptare e Prizrenit, duke i shtuar kështu, cilësimin Shqiptare, si shenjë e etnisë kombëtare. Deri atëherë ajo ishte quajtur thjeshtë “Lidhja e Prizrenit”. Të gjitha këto po sillnin imazhin e ri të lidhjeve të përbashkta dhe, krejt befas, sidomos për njerezit e zakonshëm, erdhi njoftimi se në Kosovë kishte ndodhur diçka.

Kur u bë njoftimi i parë zyrtar për demonstratat e 11 marsit 1981
E vërteta është se njoftimi i parë për demonstratat e 11 marsit në Kosovë është bërë i njohur, pra publik, me 17 mars 1981, gjashtë ditë pas zhvillimit të tyre. Ky ishte një njoftim i shkurtër, pa koment, buim i së cilës ishte agjensia e ljameve Tanjug dhe i përforcuar edhe nga disa agjenci të tjera informative. Nuk është bërë ndonjë kujdes i veçantë për afshimin e tyre dhe po ashtu, vemendja ndaj botimit të artikullit apo dhënies së lajmit, nuk ka qenë e një rëndësie të veçantë. Në ditarin radioteleviziv të RTSH ai u dha, pa foto të veçanta, së bashku me lajmet e tjera të dorës së dytë, ndërsa në gazetë “Zëri i Popullit” që ishte aso kohe gazeta kryesore e vendit, me më shumë se njëqindmijë kopje në ditë, shënimi u vendos në faqen e katërt, majtas, aty ku edhe më parë vendoseshin lajmet e përgjithshme të politikës së jashtme. Si do e përcaktojë saktësisht analisti i shquar shqiptar Shaban Sinani,” kjo ishte faza e një mpirje të dukshme të opinionit në Shqipëri, që, siç duket nga shënimet e vëzhguesve politikë, në Kosovë u shoqërua me ankth e padurim”. Ishin disa ditë, në të cilat, njerëzit e thjeshtë dhe intelektualët, ishin në pritje të një zhvillimi të ri apo edhe të ndonjë lajmi më të gjërë se kaq. Kishte një vajtje ardhje më të dendur tek njeri tjetri dhe sidomos tek të afërmit, antenat satelitore të të cilëve mund të shfaqnin pamjet e Radiotelevionit të Prishtinës. Mirëpo edhe aty, pas 11 marsit dhe deri me 26 mars, nuk mund të mësoje më shumë se sa një informacion të zakonshëm, shenja të dënimit të udhëheqjeve të larta politike republikane e krahinore, por të gjitha këto nuk të jepnin përmasat e asaj që kishte ndodhur. Për fat të keq, një mik i imi, shqiptar i Kosovës, Idriz Zeqiraj, me të cilin, në vitin e parë të studimeve universitare, kishim jetuar, për shumë kohë, në një dhomë konvikti, ishte i dënuar dhe, si do e lexoja më pas, në njerën pikë të aktakuzës, kishte, si një lloj marrëzie të kohës, edhe miqësinë me mua. Idrizi ishte dënuar përmes tre dëshmitarëve të rremë, njëri nga të cilët ishte tepelenas, ndërsa dy të tjerët, shqiptarë të Kosovës. Pra nuk kisha burim të brendshëm, mirëpo, ashtu si rreshqitnin ujrat, rreshqitnin edhe fjalët. Kishte filluar të flitej se kishte ndodhur një demonstratë studentore, mirëpo, gjithshka mbështillej rreth togfjalëshit “kushte më të mira jetese”.
Edhe pas shumë vitesh, secili që, në një mënyrë ose në një tjetër, ka kaluar nëpër ngjarjet e asaj kohe, qoftë edhe si i jashtëm, si ishim ne në Shqipëri, nuk mund ta ketë ndjerë veten jashtë tyre. Disa gjëra mbeten në kujtesë, si ishte dita e 8 prillit 1981, kur për herë të parë, në gazetën kryesore të kohës dhe më pas, disa herë rradhazi në emisione të veçantë radiotelevizive, u dha qëndrimi i shtetit shqiptar. Ishte e diel dhe kisha shkuar në shtëpinë time në Shkodër. Ishte ditë plot diell, krejtësisht pranverë. Nga të gjitha radiot e komshive dëgjoja spikerin e radios tek lexonte, për të disatën herë, tekstin e plotë të Artikullit të parë në “Zërin e Popullit”. Gazeta kishte dalur asaj dite me deyfishin e tirazhit të saj, pra në dyqindmijë kopje, dhe që në mengjezin e herëshëm, nuk e gjeje dot askund. Ishte shitur brenda pak çasteve dhe nëpër të gjitha qoshet e rrugëve kishin ndaluar njerëzit që kishin filluar ta lexonin, pa pritur për të shkuar në shtëpi.
Jam krejt i bindur se qëndrimin e shtetit sqiptar e përkrahën të gjithë shqiptarët, edhe ata që ishin proregjimit , edhe ata që nuk e donin atë. Unë jam rritur në një familje e cila, në dy degët e mëdha të saj, kishte dy qëndrime të ndryshme. Shtëpia në të cilën jetoja unë, e njohur si “Shtëpia e madhe” e Gjylbegajve kishte qenë që në fillim në rradhët e lëvizjes nacionalçlirimtare dhe kishte dhënë tre dëshmorë, njëri prej të cilëve, vllai i nënës, Naim Gjylbegu, ishte vrarë në Vig të Mirditës, jo nga gjermanët, por nga ballistët e Markagjonit. Shtëpia tjetër, afër nesh, dhe që njihej si “Gjylbegët tek Çinari i Hoxhë Dheut” kishin qenë në anën e kundërt dhe njëri prej tyre, u bë edhe ministër. Sidoqoftë ata kishin qenë gjithnjë të afërta për njëra tjetrën. E solla shembullin, ndoshta gjatë, për të thënë se dy shtëpitë, e mbështetën njëlloj qëndrimin e shtetit shqiptar dhe unë këtë, duke qenë ” i brendshëm” e di fare mirë. Mund të shkoj edhe më tej : djemtë e dy shtëpive ishin të gatshëm, në se organizohej diçka, edhe të luftonin për Kosovën, pavarësisht se nën urdhërat e kujt do të ishin.
Nuk do të flas për reagimet në shtypin apo median e kohës. Për shumë prej tyre mund të besohej se ishte e përllogaritur gjithshka. Për një shtet të centralizuar si Shqipëria, kjo ishte e besueshme. Asnjë lloj fushate propogandistike, edhe ajo më e zakonshmja, mbjelljet e vjeshtës, nuk i lihej rastësisë, e jo ti lihej rastësisë, një ngjarje e tillë madhore. Mirëpo sado të ishte e përllogaritur, ndjehej në deklarimin e të gjithëve se tashmë ishte gjtihshka ndryshe, se gjithshka po kishte një fillesë krejt tjetër dhe një qëndrim, po ashtu, krejt më të natyrshëm. Njerëzit ishin në pritje se çfarë do të ndodhte në të nesërmen, cili lajm i ri do të vinte, dhe kjo nuk ishte shenjë e kuriozitetit, apo e mbushjes së hapësirës informative, por shumë më tepër. Mbaj mend një rast, i cili, megjithëse është krejt i thjeshtë, përsëri dëshmon për shumëçka. Ishim në shtëpinë e mikut të tim eti, Qamil Çelës, një figurë e njohur politike e viteve 30 dhe më pas, mik i afërt i Fan Nolit, Sejfulla Malishovës, Gjergj Fishtës dhe Ali Këlmendit. Nuk ishte përkrahës i Enverit, megjithëse e kishte njohur atë që në rininë e hershme. Ish drejtori i Bibliotekës Kombëtare, kishte shumë vite që ishte tërhequr në shtëpizën e tij të vogël, diku në qendër të qytetit të Elbasanit të vjetër.Po jepeshin lajmet e orës 20 dhe tashmë nuk e di, rastësisht apo qëllimisht ishte vendosur ashtu, por spikeri tha befas “Vazhdojmë me lajmet e brendshme. Sot ne Prishtinë…” dhe vazhdoi lajmin.
Njeriu i moshuar lëvizi befasisht nga vendi dhe tha me një zë të gjallëruar “Oh sa mirë, sa mirë! Lajmi nga Prishtina është në; lajm i brendshëm”. Njerëzit ishin aq të përqëndruar sa shihnin edhe detaje të tilla dhe gëzoheshin njëkohsisht nga detaje të tilla. Qamil Çela ishte mik i dikurshëm i afërt i Bedri Pejës. Ai ndiqte, në një hartë të madhe të Kosovës, gjithshka që shkruhej në shtypin e kohës dhe shënonte mbi të, me shkrimin e tij të vogël e të rrumbullaktë, lëvizjet më të rëndësishme. Ishte një periudhë, kur, pa lënë mënjanë edhe ndikimin e shtetit, tek njerëzit e të gjitha shtresave, mori një hop zhvillimor ndjenja kombëtare shqiptare, ndjenjë e cila do të ripërsëritej edhe një herë në vitet e luftës çlirimtare në Kosovë. Nuk mund të mohoj se në fillimin e viteve 8o, më shumë se gjithshka, ishte vënë në lëvizje e gjithë makineria e shtetit, të gjitha strukturat e tij, dhe pavarësisht nga fakti , në se kjo bëhej për “patriotizëm demagogjik” apo ishte e konceptuar kështu (çka do e trajtojmë më tej), e gjithë kjo luajti një rol jashtëzakonisht të ndjeshëm në mentalitetin e kombit.
Ndodhi edhe një fenomen tjetër, i cili, krahas doktrinës zyrtare apo qëndrimit zyrtar, kishte pjesën e tij të ndikimit, në jo pak raste, edhe më të fuqishëm se vetë shteti. Në pranverë – vjeshtën e vitit 1981 në dy anët e pjesëve shqiptare, në Kosovë dhe në Shqipëri, regjimet e kohës, jo pa paramendim dhe jo duke ia lënë në dorë kaotizmit dhe spontanitetit, gjithshka që ata menduan se ishte më e vlefshme dhe më e pranueshme. Megjithatë, në dy anët, por në kahe të kundërta, kishte edhe reagime spontane, të cilat, ose nuk ishin menduar, ose ishin përllogaritur si diçka tjetër. Regjimi i Beogradit dhe i Prishtinës solli në skenën e re të thyerjes përgjithsisht figura të vjetra politike, të cilat, dashje ose pa dashje, kishin ende ndikim dhe mendohej se, fjala e tyre do të ishte përfundimtare. Njëri pas tjetrit, në mbledhjet e mëdha të diferencimit, filluan të dalin figurat e njohura të Fadil Hoxhës, Veli Devës, Xhavit Nimanit, Sinan Hasanit, një grup gazetarësh tek “Rilindja”, për të shkuar deri tek figura groteske dhe njëkohsisht e përçuditshme e Kolë Shirokës. Ky ishte skalioni i parë, ose “arsenali i rëndë” i betejës së Beogradit përmes Prishtinës, ndërsa tek skalioni i dytë filloi të dukej nëpër mbledhjet e gjata, gjithëfarë sekretarësh, gjurmuesish, hetuesish, gjyqtarësh, për të shkuar deri tek thirrja patetike e një farë Dushan Ristiqi se “kurrëfarë librash nuk na duhen nga Shqipëria”. Thirja e tij, në të vërtetë, nuk ishte asgjë tjetër, veçse pranim i disfatës dhe ankthi i së nesërmes.
Këto figura politike, që u bënë zëdhënës të pushtetit të Beogradit, nuk kishin emër të mirë në Shqipëri. Me të drejtë ata pranoheshin, ashtu si ishin, zëdhënës të regjimit titist dhe shtypës të popullit të tyre. Duke parë se cilët po dënonin një kërkesë të drejtë, ishte e natyrshme të pasurohej mendimi se, të rinjtë e Kosovës, duheshin mbështetur. Në Tiranë ndodhi diçka tjetër. Figurat politike të kohës qëndruan në heshtje. Në fund të fundit, qoftë edhe pa nënshkrim, kishte folur i pari i tyre, dhe njerëzit e kishin ditur se kush qëndronte pas shkrimeve të gjata në “Zerin e Popullit”. Zakonisht, kur fliste i pari i tyre, të tjerët heshtnin. Hysni Kapo kishte dy vite që kishte vdekur. Disa muaj më pas Mehmet Shehut do i nxirrte koka tym dhe do të përfundonte në një (vet)vrasje, ende e pambyllur. Sidoqoftë, si ka pohuar shumë vite më pas Ramiz Alia, në Byronë Politike, njeriu më i ashpër kundër serbëve, ishte vetë Enver Hoxha. Jo rradhë, shfyerja ose dyshimi i tij, me gjithshka që lidhej me Beogradin, ishte deri në patalogjike. Pas besimit të madh që ai kishte pasur ndaj tyre, sidomos deri në tetorin e vitit 1946, kur ata kishin dashur zëvendësimin e tij me vllaho-maqedonasin Xoxe, gjithshka që do të vinte më pas do të lidhej me dyshimin e tij.
Shteti shqiptar, duke i bërë të heshtë drejtuesit e vet, të cilët për hir të së vërtetës nuk kishin as aftësitë e duhura për të folur , me përjashtimin e dy ose tre vetëve, hodhi në veprim, në se mund të thuhet kështu, ata që kishin një reputacion të gjerë në Kosovë, si mjeshtër të mendimit shkencor, si njerëz të shquar të pendës, figura mitike si Çabej apo Buda, Dhimitër Shuteriqi, Androkli Kostollari, Arben Puto, Çesk Zadeja, Dalan Shapllo,Luan Omari, Kadare, Agolli, Arapi, Pollo, Jorgaqi, Jakov Xoxe. Ndërsa nuk heshti polemika zyrtare nga ana e shtetit shqiptar, njëkohsisht angazhohet tërë fuqia intelektuale e vendit, në formë institucionale dhe individuale, që nga zyrat më të larta të shtetit dhe deri tek gazetat më periferike. Radiotelevizioni i Shqipërisë dhe gazeta “Zëri i Popullit” mbajtën barrën më të madhe. Përballë kryqëzatës serbe, e cila përgjithsisht dhe kryesisht ishte përqëndruar tek figurat politike në të gjashtë republikat dhe në dy krahinat e atëhershme, dolën autoritetet më të larta të mendimit dhe këto ishin shumë më të besueshëm se sa të gjithë politikanët në Prishtinë apo në Beograd. Ata ishin më të besuar jo vetëm në Shqipërinë londineze, por edhe në Kosovë.
Është interesant parathënia e shkurtër e një libri për Kosovën, i cili doli më pas dhe që u nënshkrua, si rrall herë ose më sakt, si asnjë herë nga Aleks Buda, Alfred Uçi, Arben Puto, Çesk Zadeja, Dalan Shapllo, Dritero Agolli, Dhimitër Shuteriqi, Ismail Kadare, Luan Omari, Sofokli Lazri, Stefanaq Pollo, Zija Xholi, të gjithë autoritetet më të rëndësishme shkencore të kohës, parathënie në të cilën, mes të tjerave do të lexosh : “Shkrimet që përmban kjo përmbledhje “Çthonë dhe çkërkojnë kosovarët”e pasqyrojnë drejtë dramën kosovare. Ne nuk duam të flasim në emër të intelektualëve kosovarë. Ata dinë ta mbrojnë vetë kuazën e popullit të tyre, dinjitetin e përsonalitetin e tyre si njerëz dhe si intelektualë. Ata i përkasin një populli, që nuk kërkon mëshirë e lëmoshë. I përkasin një formimi kulturor historik, që i bën të jenë të papërkulur përpara dhunës, shtypjes e arbitraritetit. U përkasin atyre njerëzve, që në kohët e sotme luftojnë për aspiratat më të larta e më të ndritura të popujve, siç janë liria, barazia, demokracia e të drejtat e verteta njerëzore…”
Nuk kishte ndodhur asnjëherë kjo, por nuk kishte ndodhur, po ashtu, asnjëherë, që njerëzit të mos i besonin korifejve të mendimit të tyre. Prandaj edhe gjithshka ishte shumë më e besuar, shumë më e prekshme dhe njerëzore. Kjo depërtoi tek njerëzit dhe nuk ka lidhje me qëllimet që mund të ketë pasur shteti shqiptar i asaj kohe. Janë pikërisht ngjarjet e vitit 1981 dhe ndjenjat që u ngjallën atëherë tek njerëzit e zakonshëm, të cilët sollën faktin e madh, që në demonstratat e para madhore të studentëve të dhjetorit 1990, të cilat ishin kundër regjimit dhe kundër sistemit, do të lartësoheshin portretet e Kadaresë dhe të Rexhep Qosjes, si bashkëudhëtarë të mendimit , e njëkohsisht edhe të qëndresës. Nga ana tjetër, do të ishte pikërisht qëndrimi i theksuar atdhetar i intelektualëve shqiptarë të Shqipërisë londineze, në mbrojtje të çështjes kombëtare shqiptare në Kosovë, që do u jepte zemër njerëzve, që kishin filluar një betejë për të fituar një luftë. Kjo do e bënte më pas, njërin ndër korifejtë e lëvizjes vazhduese ilegale, Afrim Zhitinë, që jo rastësisht të kishte si emër të luftës, pseudonimin “Ismaili” dhe nipit të tij ti vinte emërin Dritëro.
Ky ishte reagimi i njerëzve të zakonshëm. Sot, duke paragjykuar gjithshka, mund të thuhen shumë gjëra të ndryshme. Unë e kam përjetuar intesivisht atë kohë, si qytetar dhe si gazetar, jam, si të thuash pjesë e dëshmisë që vjen nga poshtë. Në se dikush, veç fjalëve, do të mund të paraqiste fakte të vërteta historike, që hedhin poshtë mendimin tim, atëherë, unë do e rishikoja atë, por kam qenë pjesë e demonstrimeve spontane atdhetare të njerëzve të zakonshëm dhe të intelektualëve shqiptarë, për të cilët Kosova ishte një gjë e shenjtë. Jo rastësisht, në janarin e vitit 1991, e para organizatë atdhetare që krijohet në qytetin e Shkodrës dhe në të gjithë Shqipërinë, ishte organizata “Kosova” dhe jo rastësisht unë u gjenda si njëri ndër themeluesit e saj.
Megjithatë, e gjithë ajo që ka ndodhur në Shqipëri, për vetë kushtet e sistemit dhe centzralizimit, kishte lidhje me shtetin shqiptar. Nuk mund të përceptosh sot se mund të bëhej diçka, qoftë edhe e zakonshme dhe të dilte jashtë strukturave të ngritura, që shtriheshin nga selia e Komitetit Qendror dhe deri tek njësitë më të parëndësishme. Shteti shqiptar nuk mund të heshtëte para ngjarjeve të vitit 1981. “Përkrahja e shtetit shqiptar për protestat e popullit në Kosovë ishte pjesë e detyrës së tij. Nga kjo detyrë ai nuk mund të shmangej, përveçse duke vënë në dyshim zotimin e vet kombëtar. Ose duke deklaruar dobsinë e pafuqinë e tij”- do të nënvizojë studjuesi i njohur Shaban Sinani. Kjo është edhe e vërteta. Në se shteti shqiptar do të kishte heshtur, ai do të kishte humbur njëkohsisht edhe çfarëdo lloj vlere në vetë popullin e tij, kur për më shumë, nuk kishte qenë hera e parë, që shteti shqiptar, kishte hyrë në polemika të tilla me shtetin jugosllav. Megjithëse që nga viti 1974 vazhdonte një farë heshtje polemike, kishte pasur vite të tjera, të mëhershme, në të cilat shteti shqiptar ishte angazhuar me të gjithë potencialet e tij.
Pra kjo nuk do të ndodhte për herë të parë.
Si është vënë në dukje nga disa studjues, në vitet e fundit, jo pa qëllim, nganjëherë edhe nga vetë shkalla e njohjes apo e përjetimit, në letërsinë politike, është përhapur mendimi se shteti shqiptar i periudhës komuniste dhe vetë Enver Hoxha i shfrytëzuan ngjarjet tronditëse dhe të përgjakura të Kosovës ” për të krijuar vlerat e një patriotizmi demagogjik ose të një patriotizmi të rremë”. Ka të paktën dy arsye të rëndësishme për të besuar se e gjithë ajo që u ngrit dhe u bë gjatë vitit 1981 dhe më pas, nuk kishte qenë një patriotizëm i rremë. Së pari, është rasti të krahasohet përmbajtja e debateve publike të shtetit shqiptar, me pjesën e pashfaqur të kësaj polemike, e cila gjendet kryesisht në ditaret e Enver Hoxhës dhe në protokollet e mbledhjeve të byrosë politike. Nga ky krahasim del se udhëheqja e lartë e shtetit komunist, edhe në biseda të brendshme, si në mbledhjet e byrosë apo të sekretariatit të komitetit qendror, ka diskutuar me të njëjtat teza. Mund të besohet se kjo udhëheqje nuk ka dashur ti bëjë vetvetes edukatë patriotike apo të krijojë për veten patriotizëm demagogjik.
Së dyti, pikërisht në këtë periudhë shteti shqiptar e merr shumë seriozisht konfliktin për Kosovën dhe ndërmerr veprime në fushën diplomatike. Kësaj periudhe i përket nisma e E.Hoxhës për të krijuar zbutjen e tensioneve me fqinjët jugorë, por edhe viziton Shqipërinë, njëra nga figurat më të njohura të politikës gjermane, Shtraus. Gjermania kishte të njëjtin problem si Shqipëria, ndarjen e saj, gjë e cila, megjithëse kishte ndodhur më vonë, shihej si një mundësi më e largët. Sidoqoftë politikanët gjermanë e kishin të domosdoshëm një precedent të tillë në Europë, pra një ndryshim të kufijve të pasluftës së dytë botërore, kjo do të ishte një lehtësi e rëndësishme për to, dhe askund tjetër nuk mund të krijohej një precedent i tillë, më lehtë se në rastin shqiptar.
Unë nuk e di se si kanë rrjedhur punët në takimet e veçanta, qoftë edhe në dyshe apo treshe, në njësitë e larta të shtetit shqiptar. Nuk e di në se janë marrë vendime të fshehta dhe fakt është se, megjithë ndërrimet e pushtetit dhe të sistemit, çka ishin jetikë të ndërroheshin, ende nuk kanë dalur dokumente të tjerë, veç atyre që njiheshin që asaj kohe ose pak më vonë. Nuk e di në se atë që shfaqte në publik Enver Hoxha, dashurinë e tij për Kosovën, e kishte të sajisur apo të vertetë. Kam qenë rastësisht në një takim të tij me motrën e Xhafer Spahiut, antar i udhehëqjes së lartë të shtetit shqiptar, i cili, në mos gaboj, kishte prejardhjen e tij nga Gjakova. Edhe e motra e tij sapo kishte ardhur për vizitë tek ai. Me sa duket ata po shkonin ti uronin ditëlindjen Enver Hoxhës dhe u takuan në një mjedis ku ishin edhe disa gazetarë. Enverit i tha dikush se Xhafer Spahiu po vinte me motrën e tij, nga Kosova, të cilin kishte disa vite që nuk e kishte parë. Enveri i u afrua asaj, hapi krahët e mori mes tyre dhe i tha “Motra ime, po vdes pa e parë Kosovën”. Gjithshka mund të kishte qenë shfaqje, por në fakt, kur deshëm ta botonim këtë fakt, nuk e lejuan, duke arsyetuar se kjo ishte diçka vetjake e jetës së udhëheqësit. Pra, unë i takoj atij grupi njerëzish që nuk mund të marr askënd në mbrojtje dhe as nuk mund të fajsoj dikë. Unë përpiqem ti sjell faktet ashtu si i kam përjetuar, pa bërë komentin e tyre, sepse, në raste të tilla, si janë ngjarjet e vitit 1981 në Kosovë, gjithshka do të ishte e tepërt.
Megjithatë nuk është e tepërt të analizohet qëndrimi i shtetit shqiptar në këtë periudhë.
Qëndrimi i Shqipërisë ka patur një rëndësi të jashtëzakonshme, sidomos për vetë pjesëmarrësit në kryengritje. Mbështetja publike, e hapur e drejtëpërdrejtë dhe e vendosur e Shqipërisë kishte për to edhe kuptimin e gatishmërisë për të rrezikuar e për të shkuar edhe më tej. Në se Shqipëria do të heshtëte, thyerja e tyre do të ishte jashtëzakonisht e madhe. Në se Shqipëria do të kishte dalur kundër kërkesave të tyre atëherë do të kishim pasur një thyerje historike që vështirë se mund të ndreqej ndonjëherë. Për fat ndodhi e kundërta e asaj që ndoshta kishin menduar në Beograd. Ndodhi ajo që kishin pritur demonstruesit: përkrahja pa ekuivok nga ana e shtetit shqiptar dhe kjo, edhe në kushtet e rënda të gjendjes së jashtëzakonshme, do të ishte një mundësi shumë më e madhe për të vazhduar më tej. Sidoqoftë shumë pyetje janë shtruar që atëherë, shumicën e të cilave e shtrova edhe unë në fillimin e këtyre shenimeve të cilat, e theksoj, kanë më shumë karakterin e njohjes sime vetjake, se sa synimin e një analize shkencore.
Le ti marrim disa prej tyre, qetësisht, pa dashur të përbaltim ose të heqim baltën që është hedhur. Le të kthehemi edhe një herë me mendje në vitin 1981 dhe duke e pasur të qartë se çfarë ndodhte në Kosovë, të nalizojmë atë që ndodhte në shtetin shqiptar. Sepse, duke qenë si dy enë kumunikative, duam apo nuk duam , deri në një ditë të pritshme, jemi ngërthyer nga fati i këtyre enëve. Që në ditët e para të pasngjarjeve të marsit të vitit 1981 është ngritur pyetja e cila bëhet edhe tash: Cili ka qenë roli i Shqipërisë në demonstratat: a ishin ato të përgatitura dhe të drejtuara nga shteti shqiptar dhe strukturat e tij të fshehta apo gjithshka kishte ngjarë pa dijeninë e tij dhe shteti shqiptar ishte zënë në befasi? A ishin ato të mirëorganizuara nga shteti shqiptar, qoftë edhe për të spostuar vemendjen nga problemet që po i rriteshin apo shteti shqiptar kërkonte të shpejtonte ritmet e ngjarjeve që mund të vinin? A kishte dijeni drejtuesi i atëhershëm i shtetit shqiptar, Enver Hoxha, apo gjithshka e kishin bërë ndihmësit e tij, pa e vënë atë në dijeni?
Strukturat drejtuese, shtetërore dhe partiake të kohës, në Kosovë dhe në Jugosllavi, pa përjashtim në të gjitha republikat dhe në krahinën e ahershme të Vojvodinës, pas vetëm pak ditë heshtje, u sulën kundër Shqipërisë, duke e akuzuar atë, se, pas gjithshkaje që kishte ndodhur, ishte dora e saj dhe e sigurimit të shtetit shqiptar. Akuzat ishin në kor të përbashkët, pa u dalluar nga shqiptimi, në se ishin sllovenë, kroatë, boshnjakë, malazezë, por duke e ditur mirë se kur ishin serbë apo maqedonas. Çuditërisht, nga të njëjtat grupacione në Kosovë, pa thellësisht titistë dhe udbashë, ngrihet edhe në ditët e sotme, megjithëse më sofistikuar e jo si njëzetegjashtë vite më parë, në mbledhjet e turpshme, famëzeza të diferencimit. Nuk është për tu çuditur se ndodh një gjë e tillë: akuzuesi kryesor i ngjarjeve të marsit 1981 dhe përfituesi më i madh i tyre, Azem Vllasi, qe rikthyer sërish në zyrat e vjetra, tashmë si këshilltar i kryeministrit, krejtësisht ndryshe nga sa mund të ishte menduar, zotit Kosumi.
Duhet besuar dhe është për tu besuar, se, shteti shqiptar, i cili i kushtonte një vemendje të veçantë vëzhgimit dhe ngritjes së strukturave të kundërzbulimit, kudo që e shihte të nevojshme dhe, duhet pranuar se këtë e bënte mjeshtërisht, nuk do të rrinte dorëjashtë nga shtrirja e tij në Jugosllavi e sidomos në Kosovë. Mund të mendohet se këtu e kishte edhe më të lehtë, pasi njerëzit ishin shqiptarë, që e donin deri në dhimbje Shqipërinë dhe shtetin shqiptar, që e kishin pasur ëndërrën e bashkimit dhe jetës së përbashkët e që do të kishin vepruar njëlloj edhe sikur në Shqipëri të vazhdonte të qeveriste monarkia e Zogut.
Është e besueshme se në Kosovë ka pasur njerëz që kanë punuar për shtetin shqiptar, ashtu si në Shqipëri nuk kanë qenë të paktë ata që kanë punuar për shërbimet sekrete jugosllave. Por është një dallim rrënjësor mes tyre dhe bashkëpunëtorëve të UDB’së, qofshin këto të fundit në Kosovë apo në Shqipëri, bile, mund të them se nuk kishte asnjë lloj krahasimi mes tyre. Ata, që kishin pranuar të punonin për shtetin shqiptar, nuk e bënin këtë sepse donin grada apo tituj, se ishin nevojtarë dhe kishin hallin e bukës së gojës apo të një jete në luks. Ata kishin ëndërrime e synime të tjera, lidhja e tyre , qoftë organizative apo strukturore me shtetin shqiptar, ishte preludi i asaj që mendohej se do të vinte, bashkimi i trojeve dhe për këtë ata kishin sakrifikuar e do të sakrifikonin gjithshka.
Në të kundërtën e tyre, udbashët, dyfish të shitur, si bashkëpunëtorë të sigurimit që kishte robëruar vendin e tyre dhe në dëm të interesave jetike të Kosovës, janë faqja më e errët dhe më makabre e historisë së Kosovës në 50 vitet e fundit. Asnjëherë, në asnjë kohë, Kosova nuk ka pasur kësoj lloj mostrash të përbindshme, të cilët, dy herë të kuq dhe dy herë të zinj, titistë si ideologji dhe udbashe si profesion, janë turpi i çdo vendi. Çuditërisht e jo çuditërisht, këto njerëz, edhe atëherë, edhe sot, kanë të njëjtin qëndrim ndaj ngjarjeve të vitit 1981. Tani që kanë kaluar 26 vite mund të them me bindje se shteti shqiptar është zënë në befasi nga ngjarjet e vitit 1981. Ai nuk e ka pritur këtë, qoftë edhe për shkak të rrethanave, disi të veçanta që ishin krijuar në parangjarjet e demonstratave të marsit.
Ishte një periudhë disi zbutjeje në marëdhëniet mes dy shteteve. Drejtuesit e lartë të shtetit shqiptar sikur e kishin pranuar luftën e heshtur me regjimin titist se, kush do të influenconte më shumë tek njëri tjetri, përmes shkëmbimesh kulturore e njerëzore, kontakteve, vëzhgimit të drejtëpërdrejtë etj. Që nga ndërprerja e marëdhenieve mes dy shteteve, nuk kishte ndodhur asnjëherë një gjë e tillë, dhe nga shndërrimet që po ndodhnin, marramendshëm shpejt, të dy regjimet, sikur kishin vënë në lojë atë që do të ndodhte në të ardhmen. Afërsia po bëhej gjithnjë e më e ndjeshme, kontaktet po bëheshin të zakonshme, njësimi i gjuhës shqipe dhe pranimi i teksteve të shtetit shqiptar në programet mësimore të Kosovës (duke hequr vetëm citimet politike), po bëheshin dukuri e natyrshme. Në këto kushte, si duket, shteti shqiptar nuk e kishte të menduar se mund të ndodhte diçka e tillë në Kosovë, si do të ishin demonstratat e vitit 1981.
Regjimi titist kishte qenë i bindur se nga kontaktet do të rritej ndikimi i tyre, qoftë edhe për shkak se në Shqipëri, krahas të merituarve, u dërguan, nën gjithëfarë petku, edhe bashkëpunëtorët e fshehtë të sigurimit serb. Shkrimtari Mehmet Kraja, në librin e tij ” Vite të humbura”, duke treguar për pasudhëtimin e tij të parë në Shqipëri, sëbashku edhe me dy kolegë të “Rilindjes”, dëshmon edhe për faktin se bashkëudhtarët e tij gazetarë, në zyrat e Prishtinës, po grindeshin me njëri tjetrin se, kujt i takonte ” nderi” të bënte informacionin për UDB’në. Ndryshe nga sa ishte pritur në Beograd apo në Prishtinë, mes dy përpjekjeve, ishte e natyrshme që influenca e shtetit shqiptar, të ishte më e madhe. Duhet pranuar se në këtë kohë, në Shqipëri, niveli arsimor, kulturor, i botimeve, i rrjeteve të informimit, universiteti dhe institutet, njerëzit përgjithsisht, ishin më të ngritur. Ndjenja për Kosovën ishin në zenitin e saj. Nga ana tjetër, ata që vinin nga Kosova në Shqipëri, kishin marrë me vete, në rradhë të parë, mallin dhe nuk mund të pranonin aq lehtë, kundërshtitë që dukeshin. Ishte një kohë, kur po bëhej e zakonshme të udhëtoje për në Prishtinë dhe të takoheshe me shokët e të njohurit, ishte e zakonshme që libri shqip të ishte i njëjtë si në Tiranë, ashtu edhe në Prishtinë. Shteti shqiptar, në këtë kohë, mendonte se duhej pritur, se nuk duhej ngutur dhe se, ngutja pikërisht në këtë kohë, mund të sillte djegjen e etapave. Mirëpo ndodhi e kundërta, ajo solli shpejtimin e proçeseve.
VIJON…

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura