PROF. DR. HAKIF BAJRAMI: DOKUMENTE DHE FAKTE TË REJA NË RAPORTET MES KOSOVËS, SHQIPËRISË DHE JUGOSLLAVISË(I)

Prishtinë, 27. 03. 2013 – (Disa dokumente strategjike dhe disa konstatime në bazë të dokumenteve që nuk janë botuar ende ku tregohet se si kemi rrugëtuar nëpër majat e thikave)-
Çka i parapriu transformimit kombëtar shqiptarë në Kosovë
Më 1913 në Londër tokat shqiptare u copëtuan në mes aleatëve ballkanik. Atëbotë plaga shqiptare filloi të kulloi. Ajo plagë u përsëritë më 1919 dhe 1946 në Paris dhe vijon të kulloi dhimbje edhe sot. Pse, sepse jemi dënuar krahas dënimit të Perandorisë Osmane si popull me shumicë absolute e religjionit Islam. Ky fakt ma në fund duhet të zbulohet sepse fle qe një shekull si aktakuzë fiktive e një lloj kryqëzate evropiane në Arkivin e Londrës, politikë kjo që e shfrytëzojnë ende disa shtete ballkanike. Këtë realitet të hidhur sot politikanët e rinj evropian nuk duan ta dëgjojnë por duhet ta mësojnë me argumente. Këtu në vijim po përpiqemi ta vijëzojmë vetëm një pjesë të plagës shqiptare që është dhe mbetet multidimensionale.
Në mes dy luftërave botërore nuk ka mbetë mjet pa u përdorë nga pushteti vetëm e vetëm që shqiptarët të shfarosen. E vërteta vetëm partitë e majta n`Evropë pra edhe në Jugosllavinë mbretërore kishin qëndrim parimor të drejtë ndaj çështjes shqiptare në Jugosllavi, si popull i robëruar në çdo aspekt. Lidhur me këtë gjendje në “Proleter” të 20 Janrit 1930 tekstualisht thuhet: “Në Maqedoni dhe në Kosovë diktatura gjeneralo-fashiste po vazhdon politikën agrare serbomadhe me mjete deri tash të pashembullta të terrorit të bardhë. Toka, shkurt, po rrëmbehet me dhunë nga vendasit maqedonas dhe shqiptarë dhe po u jepet vrangelistëve-bellogardistëve ruse dhe vullnetarëve serbomëdhenj. Fshatra të tëra po DIGJEN FLAK që t`u bëhet vend kolonistëve. Me pushkë, mitraloza e bomba po dëbohen me mijëra e mijëra familje shqiptare nga vatrat e veta të lashtë. ”Duke e dënuar këtë realitet disa politikanë të majtë madje do të shkruajnë edhe këtë: “Në bisedë me shokët nga Peja u pajtuam se Kosova e Rrafshi i Dukagjinit – për shkak të pozitës specifike të pakicës shqiptare, terrorit dhe shfarosjes kombëtare e marrjes së tokës nga fshatarët-paraqet një territorit unik, sepse kjo krahinë , për nga përbërja kombëtare dhe atributet ekonomike e të gjitha atributet tjera është një Tërësi dhe nuk duhet të jetojë e ndarë midis Malit Zi dhe Serbisë”. (Shiko: M. M. Sazrevanje revolucije 1931-1941, Beograd 1984). Në materialet arkivore hasim edhe në këtë shkrim që është marrë nga Rezoluta për çështje nacionale e PKJ-ës , Drezden 1928. Ja teksti: “ Paretia shpreh solidaritetin e punëtorëve dhe fshatarëve revolucionarë të kombeve të tjera të Jugosllavisë, e para së gjithash të Serbisë, me lëvizjen revolucionare kombëtare shqiptare, të personifikuar në Komitetin e Kosovës dhe e fton klasën punëtore që ta ndihmojë në mënyrë të gjithanshme luftën e popullit shqiptar të COPTUAR dhe të SHTYPUR për Shqipërinë e pavarur dhe të BASHKUAR”.

 

Beograd, 1946: Enver Hoxha dhe J.B.Tito!

Më 1940 në Zagreb PKJ si parti antifashiste do të marrë qëndrim që Kosova të ndihmohet që të themelohet Republikë, fakt ky që ndikoi që shqiptarët të rreshtohen në Luftën antifashiste duke themeluar këshilla ilegale, radha dhe brigade të drejtuara nga Shtabi Kryesor i AP NACIONAL ҪLIRIMTARE të Kosovës. Në vazhdën e kësaj lufte të drejtë më 31 XII 1943 dhe 1 dhe 2 janar 1944 në Bujan do të mbahet Këshilli Nacionalçlirimtar i Kosovës ku do të merret vendim – rezolutë që Kosova t`i bashkohet Shqipërisë. Por, kjo Rezolutë dhe ato vendime do të luftohet nga klani serbo malazez i drejtuar nga dueti Gjillas-Rankoviq në mënyrën më të egër. Më 28 mars 1948 do të pasoi kërkesa ultimative për shfuqizimin e vendimeve të Bujanit. Më 24 gusht 1944 në Vis delegacioni shqiptar do të tradhtohet me shprehje të “ drejta”, por do të punohet nga Udhëheqja jugosllave krejt ndryshe. Do të pasoj degradimi i Shtabit Kryesor të Kosovës më 2 shtator 1944, do të pasoi vendimi për vënien e Diktaturës ushtarake më 8 shkurt 1945, do të masakrohen regrutët shqiptarë sidomos në Tivar më 1 prill 1944, do të filloi rikolonizimi më i egër i Kosovës me Rezolutë të KQ PKJ-ës nga 1 prilli 1945, do të degradohet pavarësia e Kosovës dhe do të vihet nën tutelën e Serbisë në verë 1945, do të pasoi planifikimi dhe zbatimi i dhunës për t` i shfarosë shqiptarët duke i shpërngulë në Turqi deri më 1966 me metoda monstruoze për të cilat shtabi i Titos dhe bota e qytetëruar i kanë ditë por kanë heshtë gjithnjë. Ky qëndrim tek shqiptarët nuk mund të thuhet se nuk ka lënë gjurmë dhe mund të harrohet. 
Pas vitit 1945 çdo gjë dihet se Kosova dhe shqiptarët në Jugosllavi do të mbesin të robëruar në çdo aspekt. Rruga e tyre ka qenë plotë ngjarje për të qenë ose për të u tretë në Anadoll pasi që asgjësimi nuk ishte I mundur siç projektohej një kohë të gjatë nga kreu politik serb.
Gjenerata jonë ka jetuar me droje si lepuri në therë, është shkolluar me droje dhe në asnjë çast nuk ka qenë e lire të ndihet si qytetar por si një “vegël” që duhet të jetë e rendit të dytë, me pasiguri totale. Prindërit tanë kishin kaluar edhe më keq. Jeta e tyre ka kaluar gjithnjë në pyetje se nesër ddo të burgoset, do të masakrohet, do të depërtohet në Anadoll, nuk guxon të mendoi për shkollë e me dituri, sepse” në atë botën tjetër e ka të siguruar parajsën.” Edhe atëherë ishim si popull qytetarë të rendit rezerve-rendit të dytë. Deri me ardhjen e Turgut OZLLIT në krye të Republikës Turke, Jugosllavia sipas dokumenteve të ish Këshillit Ekzekutiv Federativ ka pas të drejtë të na depërtojë në Anadoll sipas Marrëveshjes Xhentelmene. Këtu qëndron dyfytyrësia speciale e Titos ndaj shqiptarëve. Më 1963 ai u përpoq me Aleksandër Rankoviqin ta implmentojë “Marrëveshjen Xhenlemene 1953”, por e penguan gjeneralët sepse shqiptarët e kishin vendin e pare në KËMBËSORI, në APJ. Ndërsa n` anën tjetër Maqedonia në bazë të Ligjit të saj mbi shtetësinë ka pasur të drejtë të sjellë maqedon nga të gjitha viset e botës në Maqedoni. Dihat saktësisht numri i tyre që janë kolonizuar në tokat shqiptare. Për këtë dukuri kriminale shtetërore janë ruajtur me mijëra dokumente. Për shqiptarë ky ligj nuk ka pas vlerë. Po në Istog (Burim i tanishëm) më 1970 nga Turqia janë kthyer në Kosovë 16 familje shqiptare në saje të punës së Kryetarit të atëhershëm të Komunës zotëri Sadri Kabashit. Për këtë posedojmë dokumente të plota zyrtare. Këtu desha vetëm të theksoi kalimthi se si kemi mbijetuar ndoshta rastësisht dhe falë stoicizmit tone në torjet tona stërgjyshore. Po sot ku jemi dhe kah po shkojmë?
Biseda e Titos me gjeneralët e tri gjinive të armatës Jugosllave për pozitën e ushtarëve Shqiptarë me qëllim që t`i përjashtoi nga shtetësia, (qershor 1963 Beograd)
Tito dhe A.Rankoviqi kishin planifikuar së bashku që çështjen shqiptare ta shlyejnë përgjithmonë më 1963. Për këtë synim ishin në aleancë të përbashkët. Por kur Tito e vërejti qëndrimin e gjeneralëve paksa e ndryshoi qëndrimin. Për koto plane kriminale kemi lexuar me dhjeta dokumente sekrete në AVIIB dhe kemi shprehë revoltën tone me shkrime alternative duke botuar dokumente e duke i objektivizuar ato se kush ishte fajtor. (Shiko: H. Bajrami, Zavere i zloqini UDB Jugosllavije prema Albancima do 1966, Pristina, 2006 (dokumenti).
Tani të kthehemi te biseda e Titos më 1963 me gjeneralët e tij:
Tito: Para një muaji e keni marrë kërkesën time lidhur me pozitën e shqiptarëve në armatë. Keni pas mjaftë kohë të përgatiteni. Tani e keni fjalën. (Dok. Gjendej në AVIII B. i portokoluar por nuk më është lejuar fotokopjimi Nga Y. H., ndoshta me të drejtë sepse rrezikonte shumë. Ky dokument duhet të gjurmohet me çdo kusht nga hulumtuesit e rijnë dhe të botohet integral).
Raporton gjenerali i gjinisë ushtarake të këmbësorisë: Në gjininë e këmbësorisë shqiptarët e nxënë një vend të dukshëm. Në disa etapa ata janë në vendin e dytë për kah numri. Sa i përket shëndetit të tyre ata seleksionohen në komisionit përkatëse dhe me ata nuk kemi asnjë problem. Në detyra që u besohen janë të kujdesshëm dhe me ndërgjegje i kryejnë dhe zbatojnë urdhrat e oficerëve të tyre. Në këmbësor vijnë regrutë që janë analfabet, po në kohën e fundit ajo përqindje (30-40%) ka rendë dukshëm. Tash më së shumti vijnë me shkollë fillore (katërvjeçare), e pastaj me shkollë të mesme. Me fakultet janë të pakët, simbolikisht. Në detyra të oficerit janë fare pak sepse nuk anojnë të shkojnë në akademi ose nuk mund t`i përballojnë kriteriumit të shkollimit. Por në ushtri shqiptarët shumë shpejtë po e mësojnë gjuhën dhe po integrohen në kolektivitet. Lidhur me këtë shqiptarët i kushtojnë rendësi mirëmbajtjes së higjienës së tyre por janë të kujdesshëm në ushqim. Tani nuk është gjendja si më pare, ata janë pajtuar me rininë e kombeve tjera në tërësi. Së bashku i shikojnë lajmet, së bashku i shikojnë ndeshjet sportive. Ka shqiptarë ushtarë që janë simpatizantë të flakët të klubeve sidomos e admirojnë “ Klubin Partizani”.
Në pyetjen e kryetarit se sa janë shqiptarë-ushtarë të kyçur profesionalisht në UDB dhe në KOS, gjenerali i këmbësorisë do të përgjigjet se të tillë ka por jo në atë numër që mendohet sepse nuk shfaqin ndonjë interesim. Ndërsa në LKJ ka të rinj që vijnë nga vendet e tyre si anëtar, por ka raste kur shfaqin dëshirën që të pranohen por kriteriumet dihen. Lidhur me këtë në ushtri ka edhe të atillë që vijnë pasi që kanë krijuar familje. Ata në të gjitha veprimet janë më serioz dhe më të përkushtuar në detyrat ushtarake.
Në kohën e lire ushtarët shqiptarë, kuptohet në masë të kufizuar e lexojnë shtypin e tyre në gjuhen shqipe. Radion e dëgjojnë me vëmendje, sidomos ka të dhëna se i pëlqejnë më tepër këngët popullore boshnjake. Sipas shënimeve që i kemi kërkuar, na kanë ardhur informata se shqiptarët lexojnë fare pak. Rrallë do të vëresh ndonjë shqiptar që lexon libra nga letërsia botërore ose jugosllave. Në Letërsinë e tyre zakonisht kur kërkojnë hasin se ato libra mungojnë. Kryetari: A mundet këmbësoria të mbijetoi pa këtë numër kaq të madh të shqiptarëve, oficeri përgjegjës përgjigjet se kjo pyetje është fare e panevojshme sepse me ushtarët shqiptarë nuk kemi probleme të atij niveli që ata të eliminohen nga shoqëria jonë. “ Kjo përgjigje tregon qartë se oficeri nuk e kuptonte qëllimin e Titos se shqiptarët duhet të DEPORTOHEN në Anadoll, në mënyrë që të implementohet “Marrëveshja Xhentelmene”.
Në pyetjen se a përcillen ushtarët shqiptarë nga UDB-a, oficeri do të përgjigjet. Po këtë punë e kryejnë disa nëpunës të lartë me vartësit e tyre. Ne në shtab informatat i marrim nga Stafanoviqi, Vllada Shilegoviqi dhe Shemsi Gazi. Ky i fundit e ka për detyrë t`i përcjell ata të rinj që me familjet e tyre shpërngulen në Turqi, por edhe ata që kanë qenë familjarisht në kundërshtim me pushtetin. Deri me tash nuk kemi pas në tri vitet e fundit problem të theksuara. Informata për sjelljet e tyre në jetën civile i sjellë Shemsi Gazi. Vendqëndrimi I tij gati I përhershme është Nishi. Zakonisht aty deri në Dimitrovgrad ai me disa vartës oficer e përcjell gjendjen.
Një pjesë e jo e vogël e ushtarëve shqiptarë nuk e njohin gjuhën, nuk dinë shkrim-lexim. Atyre u ndihmohet përmes organizimit që bëjnë garnizonet. E vërteta ata janë ushtarë të shkëlqyeshëm Ka të tillë që në stërvitjet më të komplikuara janë më të mire se intelektualët kulminat. Ne kemi në këtë gjeneratë tri raste të ushtarëve analfabet, por që në qitjet me armë adekuate janë të shkëlqyeshëm.
Ndikimi i ushtarëve nga Shqipëria vërehet se është shumë i vogël, për arsye se në viset ku jetojnë shqiptarët shumica e fshatrave nuk kanë rrymë elektrike dhe nuk kanë mundësi ta dëgjojnë ndonjë radio. Transistor në familjet shqiptare, kemi informata se ka fare pak ose aspak. Ata transistor që përdorën në lagjet e qyteteve janë prodhim i EI të Nishit. Zakonisht i përdorin të rinjtë për t`i dëgjuar ndeshjet futbollistike.
Shqiptarët marrin pako nga shtëpitë e tyre shumë shpesh. Në pako gjendet ndonjë letër, ndërsa ushqimin e ndajnë zakonisht me shokë. Sidomos i konsumojnë pemët që u dërgohen bashkërisht.
Në pyetjen e Kryetarit (Tito) se a mendohet që shqiptarët të evitohen nga shtetësia, oficeri i këmbësorisë përgjigjet se ajo ndërmarrje do të ishte shumë e dëmshme për vendin. (Si duket Tito i provokonte oficerët e tij dhe nuk ua tregonte qëllimin që e kishte vijëzuar me Rankoviqin dhe ndihmësit e tij. Por kur Tito e vërejti se Rankoviqi do t` ia hajë kokën me ndihmën e “G” organizoi Plenum pas tri vitesh në Brione (1966), por në favor të ushtarëve shqiptar nuk do të ndryshoi asgjë.

 

Në pyetjen se a ka ndonjë lëndim apo vrasje të ushtarëve shqiptarë, oficeri do të përgjigjet: Po në tri vitet e fundit disa vrasje kanë ndodhë në Maqedoni. Ato vrasje i kanë zbardhë në nivele ushtarake gjyqet përkatëse. Fajtor kanë dale edhe oficerët edhe ushtarët e rëndomtë të nacionalitetit serb dhe malazez. Në dy raste fajtor janë edhe ushtarët sllovenë. ndërsa familjet e këtyre ushtarëve të vrarë janë shumë mirënjohëse për ndihmën që ua dedikojmë pastaj me që prindërit e tyre stimulohen materialisht.
Në pyetjen se sa do të dëmtohej këmbësoria nëse shqiptarët nuk përfshihen, oficeri do të përgjigjet se përafërsisht 60% në fillim e ndoshta më vonë kjo përqindje do të zbutej në forma të organizimit ndryshe.” Si duket ky oficer do të bëhej shkaktari kryesor që Tito ta prolongoi zbatimin e vendimit të tij që e kishte marrë më 15 maj 1963, thuhet në një dokument të mëvonshëm nga viti 1968 e që mbahet si top sekret ushtarak jugosllav.
Raporton oficeri i Detarisë për sjelljet dhe numrin e shqiptarëve në marinën ushtarake me pak fjalë. Shkurtë ai thekson se ushtarët shqiptarë në këtë gjini janë të pakët, por janë njëherit më të guximshmit dhe më të përkushtuarit për t`i kryer detyrat që u besohen. Më tepër nuk kam çka të shtoi.
Oficeri përgjegjës i aviacionit thekson se shqiptarët në këtë gjini përfshihen fare pak, të them në shkallë simbolike. Ata që janë të përfshirë janë korrekt dhe të disiplinuar. Shumica e tyre janë edhe anëtar të LKJ-s. Këtu e përfundojnë raportimin oficerët.
Çka konkludoi Tito pas këtij debakli: Tito sipas një dokumenti që gjendej në AVIIIB do të konkludoi se ushtarët shqiptarë duhet të trajtohen si të gjithë ushtarët e kombeve tjera sepse janë qytetarë të vyeshëm dhe lojal”. Por, një fakt del qartë nga dokumente se për realizimin e një skenari të tillë për depërtimin e shqiptarëve në Anadoll ishin në aksion Tito dhe Rankoviqi. E vërteta , pas një debakli të këtillë Tito dhe Rankoviq me të gjitha mjetet do të përpiqen cili -cilit do t`ia hajë kokën. Rezultati do të dihet Brenda koluarëve të Titos në janar të vitit 1966 por promovimi i rrezultatit do të bëhet në verë të vitit të njëjtë në Brione.
Mund të konkludojmë se viset shqiptare i kanë përciellë agjenturat ushtarake në çdo vendbanim dhe kanë sajuar koncepte të caktuar për jetën e tyre. Pse ndodhte ky fenomen nuk duhet të çuditemi. Tito në esence ishte një albanofob i mbuluar nga viti 1945 e tutje. Por atë albanofobi e ka mbuluar me dinakëri dhe me njëfarë lajkatarizmi që e ka kultivuar si “komunist” që ishte. E vërteta viset shqiptare ishin më të mbrapambeturat në Jugosllavi dhe ai këtë fakt e dinte fare mire.
Me kohë ishin krijuar marrëdhënie të acaruara në mes gjeneratave në Kosovë nga shkaku se kjo trevë shqiptare po mbetej me qëllim të kreut shtetëror jugosllav vendi më i prapambetur në Evropë. Kjo gjendje do të metastazoi në mos kënaqësi publike sidomos pas vdekjes Titos më 1980. Pas kësaj kohe në Jugosllavi do të hapen të gjitha letrat e mos kënaqësive jo vetëm te shqiptarët.

( VIJON… )

 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura