PROF.ABDULLA MEHMETI: PËRVOJA E DERISOTME DHE PRITSHMËRIA E FAKTORIT POLITIK SHQIPTAR NË MAQEDONI

Tetovë, 07. 10. 2015: (Analizë krahasuese mes zgjedhjeve të para parlamentare të vitit 1990 dhe atyre të parakohshme më 2014, me propozime për avancimin e pozitës së faktorit politik shqiptar në Maqedoni)
I. Zgjedhjet e para parlamentare të vitit 1990

Zgjedhjet e para parlamentare në Republikën e Maqedonisë, në atë kohë ende republikë socialiste jugosllave, kanë filluar më 11 nëntor 1990 dhe kanë përfunduar më 23 dhjetor 1990. Votimet janë mbajtur sipas modelit të atëhershëm, në 120 njësi zgjedhore, për zgjedhjen e 120 deputetëve për parlamentin e parë pluralist. Në këto zgjedhje kanë garuar gjithsej 1.158 kandidatë për deputetë, 1.115 të propozuar nga 18 parti politike dhe 1 organizatë shoqërore, ndërsa 43 kandidatë kanë qenë të pavarur, të propozuar nga grupe të qytetarëve.

Votimet në raundin e parë të zgjedhjeve janë mbajtur më 11 nëntor 1990, të cilat kanë përfunduar në 24 njësi zgjedhore, prej të cilave në 13 njësi zgjedhore kanë përfunduar më 11.11.1990, ndërsa në 11 njësi të tjera votimet janë përsëritur dhe kanë përfunduar më 25.11.1990.
Në raundin e parë kanë votuar gjithsej 1.135,728 votues, ose 84,82 % e trupit të përgjithshëm votues.
Votimet në raundin e dytë janë mbajtur më 25 nëntor, ku është votuar në 96 njësi zgjedhore, ndërsa kanë votuar gjithsej 1.083,051 qytetarë me të drejtë vote. Në këtë raund kanë marrë pjesë gjithsej 375 kandidatë, prej të cilëve 272 kandidatë nga 15 parti politike dhe 3 kandidatë të pavarur.
Zgjedhjet në raundin e dytë kanë përfunduar në 69 njësi zgjedhore, të cilat janë mbajtur më 25 nëntor 1990, në 23 njësi zgjedhore më 9 dhjetor 1990, në 1 njësi zgjedhore më 16 dhjetor 1990 dhe në 3 njësi zgjedhore më 23 dhjetor 1990.
Në raundin e dytë gjithsej kanë votuar 831.218 qytetarë me të drejtë vote, ose 76,75 % e trupit të përgjithshëm votues.
Në përbërjen e parë parlamentare janë zgjedhur gjithsej 120 deputetë, nga të cilët 117 deputetë nga 9 parti politike dhe 3 kandidatë të pavarur.
Numri i deputetëve sipas partive nga zgjedhjet para parlamentare të vitit 1990:

Në zgjedhjet e para parlamentare të vitit 1990, nga gjithsej 1.452.072 qytetarë me të drejtë vote të evidentuar në listat votuese, kanë votuar gjithsej 1.135.728 votues, ose 77,2% e trupit të përgjithshëm votues në nivel të shtetit.
Nga gjithsej 120 deputetë të kuvendit republikan, në raundin e parë mandatet i kanë fituar 24 deputetë, ndërsa në raundin e dytë mandatet i kanë fituar 96 deputetë.
Lista e deputetëve shqiptarë nga zgjedhjet e para parlamentare të vitit 1990:

Partia për Prosperitet Demokratik dhe Partia Demokratike Popullore në zgjedhjet e para parlamentare të vitit 1990 kanë fituar gjithsej 232.613 vota dhe 23 mandate deputetësh në Parlamentin e Republikës së Maqedonisë.
II. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vitit 2014
Këto zgjedhje të parakohshme parlamentare në Republikën e Maqedonisë janë mbajtur më 27 prill 2014.
Numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote ka qenë 1.779.572 votues, ndërsa numri i personave që e kanë shfrytëzuar të drejtën e votimit ka qenë 1.120.744 votues, ose 62,96 %.
Në këto zgjedhje, mandate deputetësh kanë fituar 3 koalicione partiake dhe tri parti politike, edhe atë:

Koalicionin e Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë e kanë përbërë 9 parti politike, prej të cilave 4 parti të nacionalitetit maqedonas dhe 5 parti të nacionaliteteve të tjera pakicë, 1 turke, 1 rome, 1 serbe, 1 vllahe dhe 1 e boshnjakëve të Sanxhakut. Ky koalicion gjithsej ka fituar 34 mandate deputetësh në zgjedhjet e parakohshme të vitit 2014.
Koalicionin e VMRO-DPMNE e kanë përbërë 24 parti politike, prej të cilave, 13 parti të nacionalitetit maqedonas dhe 11 parti të nacionaliteteve të tjera pakicë, 1 turke, 6 rome, 1 serbe, 1 vllahe dhe 2 boshnjake. Ky koalicion gjithsej ka fituar 61 mandate deputetësh, në zgjedhjet e parakohshme të vitit 2014.
Nga analiza e mësipërme shihet që koalicionet e partive politike maqedonase, në radhët e veta kanë përfshijnë 16 parti politike të nacionaliteteve pakicë (11+5), dhe me këtë kanë siguruar numër të madh votash nga votuesit e nacionaliteteve pakicë, që përbëjnë mbi 20 % të trupit të përgjithshëm votues në Republikën e Maqedonisë, dhe me këtë, dy koalicionet e partive maqedonase kanë siguruar afërsisht 20 mandate deputetësh në saje të këtyre votave.
Partia Demokratike Shqiptare (PDSH), në këto zgjedhje ka fituar 7 mandate deputetësh. Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), ka fituar 19 mandate deputetësh dhe Rilindja Demokratike Kombëtare ka fituar vetëm 1 mandat deputeti. Të tri partitë politike shqiptare kanë fituar gjithsej 27 mandate deputetësh në zgjedhjet e vitit 2014.
Numri i përgjithshëm i votuesve shqiptarë, sipas partive politike, në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vitit 2014 në Maqedoni:

III. Analizë krahasuese
Në zgjedhjet e para parlamentare në Republikën e Maqedonisë, të mbajtura në vitin 1990, në listën e votuesve kanë qenë të evidentuar gjithsej 1.452.072 qytetarë me të drejtë vote, ndërsa në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të mbajtura në vitin 2014, në regjistrin e votuesve kanë qenë të evidentuar gjithsej 1.779.572 qytetarë me të drejtë vote.
Sipas kësaj, numri i votuesve në Republikën e Maqedonisë, nga viti 1990 deri në vitin 2014, është rritur për 327.500 qytetarë me të drejtë vote. Kjo rritje e numrit të votuesve nuk korrespondon me shtimin e numrit të përgjithshëm të popullsisë, ndërsa sipas ekspertëve bëhet fjalë për falsifikim të numrit të votuesve, prej së paku 200 mijë votuesve, shumica e të cilëve janë persona të vdekur dhe të pa çregjistruar, qytetarë të evidentuar nga dy herë në vendbanime të ndryshme (një herë me emër dhe mbiemër kurse herën tjetër me mbiemër përpara emrit) dhe banorë jo rezidentë nga shtetet fqinje, me vendqëndrime dhe dokumente personale (letërnjoftime) të falsifikuara.
Partitë politike shqiptare, Partia për Prosperitet Demokratik dhe Partia Demokratike Popullore, në zgjedhjet e para parlamentare të vitit 1990 kanë fituar gjithsej 232.613 vota dhe 23 mandate deputetësh, ose 19,17 % të numrit të përgjithshëm të votuesve në nivel të vendit, ndërsa në zgjedhjet parlamentare të vitit 2014, partitë politike shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim, Partia Demokratike Shqiptare dhe Rilindja Demokratike Kombëtare, kanë fituar gjithsej 238.207 vota, ose 22,5 % të votave në nivel të vendit dhe 27 mandate deputetësh.
Duke marrë parasysh numrin e përgjithshëm të votuesve në nivel të shtetit dhe numrin e personave që e kanë shfrytëzuar të drejtën e votimit, konstatojmë se, nga zgjedhjet e para me 77,2 %, në zgjedhjet e viti 2014 përqindja e daljes në votime është ulur në 62,96 %, ose për 14,94 % të votuesve.
Numri i deputetëve shqiptarë është rritur nga 23, në vitin 1990, në 27 deputetë në vitin 2014, që domethënë se nuk shënohet rritje, duke marrë parasysh rritjen e numrit të votuesve shqiptarë dhe nuk korrespondon as për së afërmi me numrin e përgjithshëm të qytetarëve shqiptarë me të drejtë vote në Republikën e Maqedonisë.
Nëse merret parasysh numri i përgjithshëm i banorëve shqiptarë, sipas statistikave zyrtare, mbi 25 %, ndërsa sipas ekspertëve të vendit dhe atyre ndërkombëtarë ky numër është mbi 38 %, atëherë përfshirja prej 22,5 % nga votimet e fundit parlamentare të vitit 2014 paraqet një humbje të madhe të votës shqiptare dhe minimizim total të fuqisë politike të shqiptarëve në institucionet e shtetit.
Përveç manipulimeve të tjera në procesin zgjedhor, duhet të merret parasysh edhe grupimi i partive politike të nacionaliteteve të tjera, të cilat bashkohen në çdo cikël zgjedhor me koalicionet partiake të bllokut maqedonas, që sipas analizave tona, nga këto koalicione në të shumtën e rasteve, partitë politike të nacionaliteteve të tjera, turke, rome, vllahe, boshnjake, serbe, etj., koalicioneve partiake të bllokut maqedonas u sigurojnë së paku 20% të votave.
Partitë politike shqiptare asnjëherë nuk janë përpjekur ta përfshijnë ndonjë partie politike të nacionaliteteve të tjera në radhët e koalicioneve të veta, dhe kështu, duke luajtur në kartën ,,nacionale” vazhdimisht e kanë dëmtuar dhe margjinalizuar faktorin politik shqiptar, me këtë i kanë dëmtuar edhe proceset demokratik në vend.
Sipas kësaj, partitë politike shqiptare në periudhën e analizuar nuk kanë bërë asnjë përparim cilësor, përkundrazi, janë përfshirë në aktivitete destruktive gjatë procesit zgjedhor, me përdorimin e dhunës, blerjen e votave, punësimet në baza partiake në prag të zgjedhjeve dhe gjatë mbajtjes së tyre, kërcënimin dhe shantazhimin e votuesve, dhënien e parave dhe ndarjen e artikujve ushqimorë gjatë fushatës dhe në ditën e zgjedhjeve, keqpërdorimin e detyrës nga zyrtarë të lartë të pushtetit, kërcënimin dhe frikësimin me largim nga puna, lidhjen e koalicioneve të fshehta joparimore me parti të tjera politike, futjen në koalicione për formimin e qeverisë pa marrëveshje dhe pa afate për realizimin e premtimeve të dhëna ndaj elektoratit, etj., që si dukuri negative nuk i kanë përcjellë zgjedhjet e para parlamentare, në vend se të ndodhë e kundërta, që dukuritë negative nga zgjedhjet e para parlamentare, kur për herë të parë elektorati i këtij vendi ballafaqohej me zgjedhje të lira pluraliste pas përfundimit të sistemit monist, në zgjedhjet e ardhshme të eliminoheshin ato dhe të sigurohej përparim i dukshëm në proceset zgjedhore.
Vlen të theksohet se përparimi i vetëm i partive politike shqiptare, për dallim nga zgjedhjet e para parlamentare, në zgjedhjet e fundit është respektuar barazia gjinore, përkatësisht përfshirja adekuate e gjinisë femërore në radhët e deputetëve shqiptarë. Derisa në zgjedhjet e para parlamentare nuk ka pasur asnjë përfaqësuese të gjenisë femërore në radhët e deputetëve shqiptarë, përkatësisht, kjo përfshirje ka qenë në shkallën o%, në zgjedhjet e fundit përfaqësimi i gjinisë femërore ka arritur në numrin 8 (7+1), përkatësisht mbi 33 %. Megjithëse as ky nuk mund të llogaritet si sukses i tyre, por përmbushje e obligimit ligjor për përfshirjen e gjinisë femërore në listat e kandidatëve, me së paku 20 %.
Nga kjo del se, përveç eliminimit të këtyre dukurive negative në të ardhmen, partitë politike shqiptare duhet të kërkojë opsione dhe mundësi të tjera për përfaqësim më adekuat në pushtetin ligjdhënës, me këtë edhe në pushtetin ekzekutiv dhe gjyqësor, duke e faktorizuar dhe fuqizuar në masë të duhur etnitetin të cilin e përfaqësojnë.
IV. Kushtet për zgjedhje të lira dhe demokratike
Partitë politike dhe i tërë faktori shqiptar, duhet të kërkojë nga organet e pushtetit dhe sidomos nga institucionet ndërkombëtare, me qëllim të avancimit të vlerave demokratike, përparimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriu, ruajtjen dhe forcimin e sigurisë, hapjen e perspektivave të reja zhvillimore, rritjen e progresit ekonomik dhe zhvillimit të përgjithshëm të shoqërisë mbi baza të shëndosha demokratike, civilizuese e humane, si dhe zhbllokimin e proceseve integruese euroatlantike të vendit, para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, të planifikuara të mbahen gjatë muajit prill të vitit 2016, me këmbëngulje duhet të kërkojnë:
1. Të pastrohen listat e votuese nga votuesit fiktiv, si parakusht për organizimin e zgjedhjeve të lira, të drejta dhe demokratike;
2. Të ndryshohet modeli ekzistues dhe të aplikohet model i ri zgjedhor më i përshtatshëm, i cili do t’i përgjigjet realitetit etnik dhe përfshirjes rajonale;
3. Secilit qytetar t’i garantohet e drejta e barabartë dhe e papenguar në zgjedhje, sipas Kushtetutës, ligjit dhe konventave ndërkombëtare;
4. Të mundësohet zgjedhja e kandidatëve përmes listave të hapura;
5. Të ndalohet keqpërdorimi i mjeteve financiare nga buxheti i shtetit dhe të ndalohet financimi nga jashtë, përmes fondacioneve që zhvillojnë veprimtari të dyshimtë;
6. Të ndalohet ndërhyrja e institucioneve dhe autoriteteve zyrtare gjatë zgjedhjeve, sidomos organeve të sigurimit të shtetit;
7. Të krijohet hapësirë e mjaftueshme në mediume dhe barabarësi në prezantimin e të gjitha subjekteve politike pjesëmarrëse në zgjedhje, si në mediumet publike ashtu edhe në ato private.
Këto do të ishin kërkesat minimale, duke pasur parasysh afatin e shkurtë kohor deri në zgjedhjet parlamentare të radhës, të cilat nuk duhet të pritet se do ta ndryshojnë dukshëm gjendjen e deritashme, por gjithsesi do të ndihmojnë në relaksimin e klimës së përgjithshme politike në vend dhe krijimin e mundësive për ndryshime të reja pozitive në të ardhmen. Edhe korniza kushtetuese dhe ligjore aktuale nuk mundëson zgjidhje më të mirë. Në të ardhmen duhet të ndërmerren hapa konkret për ndryshimin e tërë korpusit ligjor me të cilin rregullohet procedura për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve.
Përfundime
Pengesë kryesore për paraqitjen e pengesave dhe anomalive të derisotme në procesin zgjedhor është mos regjistrimi i popullsisë dhe sigurimi i kornizës ligjore adekuate. Me ndryshimin e pakos ligjore, përfshirë edhe ndryshimin e modelit zgjedhor, do të sigurohen parakushtet për mbajtjen dhe organizimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike në të ardhmen.
Partitë politike shqiptare, në zgjedhjet e ardhshme, së paku duhet të garantojnë siguri për votuesit dhe të sigurojnë transparencë të plotë gjatë zgjedhjeve, që ta motivojnë, sensibilizojnë dhe përbashkojnë elektoratin shqiptar dhe jo vetëm atë, me qëllim të arritjes së rezultateve sa më të mëdha në zgjedhjet e radhës, si dhe forcimin e pozitës së tyre për koalicione në qeverinë e ardhshme, duke pasur kujdes permanent për realizimin e programit, respektimin e afateve dhe realizimin e qëllimeve të cilat synon t’i arrijë faktori politik shqiptar në kontekstin e dhënë historik, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, sidomos në procesin e integrimeve euroatlantike të vendit.
Sipas analizës sonë, partitë politike shqiptare reflektojnë se janë plotësisht nën kontrollin e organeve të pushtetit, ndoshta të zënë në hipoteka dhe afera korrupsioni, sepse gati në të gjitha zgjedhjet vetëm kanë aktruar sistem pluralist, ndërsa në prapaskenë kanë luajtur rolin e filialeve të partive maqedonase. Prandaj, me shtimin e numrit të partive politike shqiptare në Maqedoni, rritet edhe mundësia e tejkalimit të kësaj gjendje, me kusht që të arrihet një bashkëpunim më i plotë mes tyre, nëse vërtet ato synojnë realizimin e qëllime për të cilat edhe janë regjistruar.
Loja e nivelit të ulët për formimin e këshillave mbipartiakë, e bllokut ,,opozitar” vetëm me parti të sapoformuara nuk premton zgjidhje, por thellim të mëtejmë të ndasive, përçarjeve dhe hendekut politik në të cilin partitë e deritashme e kanë futur popullin shqiptar në Maqedoni.
Mendimi se shqiptarëve në Maqedoni u mjaftojnë vetëm dy parti politike dhe se formimi i partive të reja e dëmton interesin shqiptar është pa bazë, joproduktiv, jopolitik dhe i dëmshëm. Ndërsa nacionalitetet pakicë në Maqedoni, kanë nga disa parti politike, turqit 2, vllahët 3, boshnjakët 3 dhe romët 7 parti politike, atëherë cila është arsyeja që shqiptarët do t’i dëmtonte formimi i partive të reja politike?! Përkundrazi, partitë e reja e freskojnë skenën politike dhe sjellin frymë të re, ndoshta edhe ndonjëra prej tyre do të ofrojë vizion të ri për zgjidhjen e problemeve të grumbulluara me dekada.
Duke marrë parasysh mentalitetin e votuesve shqiptarë, militantëve partiakë dhe të popullatës shqiptare në përgjithësi, si dhe situatën e përgjithshme politike e të sigurisë në vend, si zgjidhje më e mirë për avancimin e pozitës së faktorit politik shqiptar në Maqedoni do të ishte: FORMIMI I DY KOALICIONEVE NGA PARTITË POLITIKE SHQIPTARE, ME MUNDËSI TË PËRFSHIRJES EDHE TË NDONJË PARTIE POLITIKE TË NACIONALITETEVE TË TJERA, VARËSISHT NGA KONCEPTI POLITIK I TYRE.
Cila nga partitë politike shqiptare nuk do ta gjejë veten në asnjërin nga këto dy koalicione, atëherë ajo duhet të largohet nga skena politike, elektorati shqiptar duhet ta dënojë dhe me kohë duhet ta përcjellë në historinë e dështimeve politike të derisotme të shqiptarëve në Maqedoni. Askujt nuk mund t’i lejohet komoditeti për eksperimente me fatin e shqiptarëve, sidomos në momentet kyçe të historisë kur vendoset për ardhmërinë tonë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura