Prizren, 14 prill 2019: Tek qytetari ynë shihet qartësisht se ai më nuk beson në asgjë që ka të bëjë me jetën shoqërore, politike, ekonomike, kulturore e tjera. Ai më nuk i beson krijesave te veta për organizimin e jetës shoqërore çfarë janë institucionet prej familjes si institucion i parë, deri te shteti.
Tek ai është kultivuar nihilizmi, do të thoshte Shënë Agustini i cili është edhe përdoruesi i parë i nocionit nihilizëm, me të cilin nocion ai përshkruante qytetarin që nuk besonte në asgjë, pra as në zotin. Kudo, ku mund të flitet, po flitet me të madhe se Kosova po zbrazet nga popullsia e saj.
Opinionet për këtë çështje janë ndarë në dy grupe:
– në grupin që mendon dhe arsyeton se populli është duke lëvizur dhe
– në grupin e dytë që mendon dhe arsyeton se populli është duke ikur.
Me shumë qetësi po bëhet kjo lëvizje ose kjo ikje. Habit fakti i vet aktorëve të cilët ikin ose lëvizin, po thonë se po largohen për një jetë më të mirë… Arsyetim që nuk arsyetohet, megjithatë një vështrues i mirë, tek latentja e këtij arsyetimi sheh qartë dhe konstaton se kemi kultivuar shoqëri nihiliste, e cila shoqëri ka vrarë vlerat shoqërore dhe njerëzore ndër ne.
Institucionet të cilat i kemi krijuar me shumë mundë e sakrificë po duken të degraduara dhe po shihen nga qytetarët me nihilizëm, ato po etiketohen si të pa vlera dhe si të tilla ato për qytetarin tonë as që duhet të ekzistojnë, e jo më të mbrohen ose të respektohen.
Këtë qëndrim ndaj institucioneve e kanë kultivuar politikanët, administratorët, intelektualët e tjera, me veprimet, qëndrimet dhe sjelljet e tyre. Ata kanë vrarë vlerat njerëzore duke u sjellë si të fortë dhe duke ju dhënë krah të fortëve me të cilat sjellje kanë ndihmuar, me ose pa vetëdije në kultivimin e së keqes, siç janë korrupsioni, nepotizmi e tjera, me të cilat janë vrarë vlerat tradicionale, humane duke ja humbur kuptimin gjithçkaje me të cilat kanë ndihmuar në kultivimin e nihilizmit..
Nga bashkëbisedimi me njerëzit e shoqërisë tonë, shihen qartë simptomat, dhe format e veçanta të nihilizmit që janë kultivuar ndër ne siç janë:
– skepticistët,
– agnosticistët,
– anarkistët,
– pesimistët,
– mizantropët e tjera, të cilat si të tilla po e stopojnë vlerën, progresin, racionalen në shoqërinë tonë, dhe po ndikojnë në lëvizjen ose ikjen nga vendi në këtë mënyrë, e që po shihet si paradoksale.
Në këtë vështrim po i paraqes disa nga tiparet e kërkesave të tyre që i shpallin gjatë bisedave këta tipa njerëzish.
Grupi i skepticistëve
Ky “grup” ndër ne po dyshon në të gjitha dijet, teoritë, veprimet, iniciativat, duke qenë të bindur se çdo veprim, mendim, ide e tjera ka të bëjë me interesat e iniciuesve të tyre e jo me një të mirë të përgjithshme. Ky “grup” nuk beson se veprimet dhe sjelljet e njerëzve kryhen edhe nga kënaqësia, dobishmëria e përgjithshme e tjera. Ata besojnë se çdo veprim njerëzor kryhet vetëm nga dobishmëria e iniciuesve .
Grupi i agnostikëve
Dëshpërimi i këtij grupi është shumë i madh. Këta janë të bindur se është e pamundur të luftohet injoranca dhe egërsia e të fuqishmëve të politikës, të ekonomisë etj., duke e vrarë qasjen për barabarësi dhe nuk ka rrugë që njeriut tonë t’i mundësojë jetësimin e qasjes në barabarësi nga këta të fortë.
Grupi i iracionalistëve
Ky grup përfaqëson pjesën më të madhe të shoqërisë tonë. Këtë grup e shohim në të gjitha shtresat e shoqërisë tonë, veçanërisht te elita. Iracionalizmi tek elitat tona, administratorët tanë dhe intelektualët tanë është tmerruese, ajo shtytë të ikësh sa më larg, duke vrarë shpresa për interesa të tyre.
Këta me veprimet edhe sjelljet e tyre nervozojnë, dekurajojnë, shkatërrojnë humanizmin, vlerat qytetare që me aq mund u kultivuan nga mendja njerëzore. Ky grup nuk udhëhiqet nga morali e drejta, politika, për ata janë të panevojshme parimet normat vlerat, arsyeja, mendja e tjera. Atyre ju intereson vetëm qëllimi i tyre që mbështetet në vullnetin, ndjenjat instinktet. Grupi i iracionalistëve ka gjetur shtrat në të gjitha institucionet e shtetit tonë ku edhe ka kultivuar nihilizmin.
Grupi i Pesimistëve
Ky grup ndër ne po sheh vetëm anët e errëta të shoqërisë ku jeton. Ata janë të bindur se jeta këtu ndër ne nuk mund të përmirësohet as tash as në të ardhmen. Ky grup të kujton Xh. Leopardin i cili shprehej se “Ne nuk dimë asgjë, ne nuk jemi asgjë, dhe nuk kemi çfarë të shpresojmë” dhe si zgjidhje për ne është heqja dorë nga jeta, ose duhet të kërkojmë shpëtim diku tjetër në vendet e zhvilluara.
Grupi i Anarkistëve
Ky grup është më i vogël. Këtij grupi ndër ne i përkasin njerëzit që nuk mundën me u integruar në shoqëri pas luftës si pjesëmarrës që ishin dhe biznesmenët e vegjël dhe të mesëm. Ata kërkojnë lirinë në veprimet e tyre, duke dashur që të shmangen nga rregullat e vendosura. Ky grup të kujton mendimet e Galdvinit i cili besonte se njeriu është i aftë që ta kuptojë natyrën, shoqërinë dhe veten, prandaj nuk nevojitet kurrë farë tutele – shteti, pushteti, qeveria, organizata politike e tjera. Ky grup është i mendimit se duhet hequr çfarëdo forme e organizimit shtetëror, duke kërkuar përmbysjen e shtetit, qeverisë dhe të çfarëdo forme të organizimit politik, Ata kanë parullën na lini të lirë, njeriu rregullon jetën e vetë. Këta udhëheqës janë të paaftë etj.
Grupi i mizantropëve
Ky grup ndër ne ka lëshuar shtat, këta tipa të njerëzve kanë qëndrim negativ ndaj llojit të vet, natyrisht janë të kushtëzuar nga rrethanat e ndryshme të jetës së tyre siç janë:
– përvoja e hidhur,
– shëndeti mental,
– gjendja shëndetësore në përgjithësi,
– me dukjen e jashtme e tjera.
Për ata të gjithë njerëzit janë të këqij, të pamiradijshëm, grabitqar, lakmues e tjera. Mizantropët udhëhiqen nga prirja që njerëzve t’u shkaktohet dëm dhembje, vuajtje e tjera. Kjo formë e sjelljes, veprimit dhe qëndrimit që kanë aplikuar dhe që po aplikojnë të “fuqishmit” politik, ekonomik dhe ideologjik kanë nxjerr si produkt nihilizmin i cili tashti po shprehet me ikje ose me lëvizje nga vendi.
Që mos të jemi të përqeshur, të fyer dhe të përbuzur nevojitet që të ndryshohet kursi i elitave intelektuale, politike, ekonomike me qëllimin e shërimit të kësaj sëmundjeje të injektuar nga të fuqishmit e politikës tonë. Kjo sëmundje për t’u shëruar kërkon heronj të gjallë!
– Autori është profesor i Filozofisë dhe Sociologjisë.