Pashtriku.org, 02. 02. 2014 – Në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë, në Fondin 144 – Koleksioni i hartave, gjendet dosja nr. 3, me afat ruajtje të përhershëm, me 42 fletë, e cila përmban hartën e Shqipërisë së Vërtetë, punuar nga prof. Ahmet Gashi, si dhe një studim të tij me titull “Shqipnija ethnike edhe vuajtjet e shqiptarëvet në Shqipnin e robnueme”, përgatitur më 1941. Prof. Ahmet Gashi (1988-1977) – Veprimtar i lëvizjes dhe i arsimit, gjeograf dhe historian, Mësues i Popullit, lindi në Prishtinë në një familje me tradita patriotike. Pasi mbaroi Normalen e Shkupit, u diplomua Profesor i Historisë e Gjeografisë në Universitetin e Stambollit (1910). Nga viti 1910-1964 ka punuar si mësues në Normalen e Prishtinës, Normalen e Elbasanit, Institutin Femëror “Nana Mbretneshë”, Gjimnazin “Sami Frashëri” Prishtinë, në shkolla të niveleve të ndryshme në Tiranë. Ahmet Gashi ka dhënë ndihmesë si autor i një sërë veprash shkencore në fushën e studimeve dhe të teksteve të gjeografisë. Ahmet Gashi ishte i pari gjeograf shqiptar i pranuar si anëtar i Shoqatës Nacionale Gjeografike (The National Geographic Society, Washington D.C.) më 1936; është dekoruar me “Urdhrin e Lirisë” të kl. I, me Urdhrin “Për veprimtari patriotike” të kl.I. (Fjalori Enciklopedik Shqiptar, botimi i ri, Tiranë, 2008, f. 754-755)
Elbasan, 1925: Prof.Ahmet Gashi me familjen e tij.
Prof.Ahmet Gashi Përpiloi dhe botoi disa harta gjeografike dhe historike, ndër to hartën:
– “Shqipëria në vitet 1878-1881”,
– “Kryengritjet shqiptare për pavarësi në vitet 1909-1912”,
– “Lëvizja kombëtare shqiptare e vitit 1908”.
Harta paraqet shtrirjen etnike të shqiptarëve, me titull “Shqipnija e vërtetë” në shkallën 1: 200 000. Kjo hartë shoqërohet me studimin e prof. Ahmet Gashit: Shqipnija ethnike edhe vuajtjet e shqiptarëve në Shqipnin e robnueme, të cilin po e paraqesim (jo të plotë) për lexuesin, duke ruajtur gjuhën origjinale të dokumentit. Kujtojmë se pas kapitullimit të Jugosllavisë, në prill 1941, Mbretëria Shqiptare përfitoi një pjesë të trojeve shqiptare të Kosovës, Dibrës, Strugës, Ulqinit etj., ku shtriu edhe veprimin e pushtetit politik, ushtarak dhe administrativ.
AHMET GASHI: KUFIJT E SHQIPNIS ETNIKE
1. Kufini perëndimuer
Në këtë anë Shqipnija Ethnike laget me detin e Jonise dhe me atë të Adriatikut, qysh prej Prevezës (38057’gjenësi Veriake) e deri te sqepi i Luftës së Zezë (Crnirat) mbi gjiun e Spizzes (4208’ gjenësi Veriake). Gjatësia e brigjeve në këtë anë është 651 km.
2. Kufini veri-perëndimuer
Ky kufi fillon të sqepi i Luftës së Zezë (Crnirat) në bregun e Adriatikut dhe mbaron te maja e Jankovit (43020’gjenësi veriake dhe 37056’ gjatësi lindore prej Ferro-s)…Gjatësia e kufinit veri-perëndimuer është 170 km, me vija ajrore dhe afër 220 km, tue shkue mbas vijave të shtrembta të kufinit. Kjo vijë përmbledh krahinat shqiptare të humbuna më 1878 të Ulqinit, të Tivarit, të Podgoricës (Zetes-s), Hotit, Grudës, Kuçit, Triepshit, Piprit, Plavës, Gucines, Beranes, Bistricës, Pejës, Rugovës, Rozhajës, Peshterit e Pomerenikut.
3. Kufini veri-linduer
Kjo pjesë e kufinit të Shqipnisë Ethnike shtrihet prej majës së Jankovit deri në Gradnja (42042’ gjanësi veriake edhe 39032’ gjatësi lindore prej Ferro-s).
Në rast se nuk do të kërkohen tokat shqiptare të krahinave të Kurshumlis, të Prokupjes e të Leskovces, të ish-vilajetit të Nishit, që na kanë marrë serbët më 1878, vija e kufinit ndjek, nja 230 km, deri në Trstene (952), vijën e kufinit të vjetër turko-serb para luftës Ballkanike të 1912-ës; kjo gjatësi e kufinit turko-serb nuk po shpjegohet këtu, mbasi edhe dihet prej të gjithëvet. Kjo vijë përmbledh kufinin me Serbinë të prefekturave të Jenipazarit (Novipazarit) e të Prishtinës, ose Dukagjinit (shih fjalorin e Bardhit shkruar më 1650) simbas të ndameve të perandorisë otomane. Trstene, vend ku ndahet vija e kufinit të Shqipnis ethnike prej kufinit të vjetër turko-serb, ndodhet 46 km, në lindje të Prishtinës me vijë ajrore ose 36 km në veri-lindje të Gjilanit…
Kjo vijë e kufinit veri-linduer përmbledh të tanë krahinën e ish-prefekturave të Jenipazarit e të Prishtinës të humbuna më 1912 edhe një pjesë të kazasë së Vranjës të humbuna më 1878, me qytetet e Jenipazarit, të Mitrovicës, Vuçiternit, Prishtinës, Podujevës, Ferizoviqit, Gjilanit etj.
Në rast se kanë me u kërkue tokat shqiptare, të humbuna më 1878, të krahinave të Kurshumlis, të Prokupjes e të Leskovces (sikundër po kërkohen krahinat e Tivarit, të Ulqinit, të Podgoricës, të Vranjës etj., atëherë kufini veri-linduer ndërron trajtë…Kjo vijë e kufinit përmbledh qytetet e Kurshumlis, të Prokupjes, të Leskovces e të Vranjës, bashkë me katundet e kazavet të tyne.
4. Kufini linduer
Kufini linduer i Shqipnisë Ethnike fillon në Gradnja (42042’ gjanësi veriake edhe 39032’ gjatësi lindore prej Ferro-s) edhe mbaron në kandin ku bashkohet lumi i Venetiko-s me lumin e Vistrices (39011’ gjatësi lindore prej Ferro-s edhe 4003’ gjanësi veriake), me gjatësi afër 342 km … Kjo vijë e kufinit linduer të Shqipnis ethnike përmbledh krahinat lindore shqiptare të humbuna mbas luftës së Ballkanit më 1912. Këto krahina kanë këto qytete bashkë me kazatë e tyne: Jakovën, Prizrenin, Kaçanikun, Vranjen (humbur më 1878), Gostivarin, Tetovën, Shkupin, Kumanovën, Presheven, Dibren, Kerrçoven, Strugen, Ohrin, Krusheven, Perlepin, Resnen, Manastirin, Folorinen, Kosturin, Naseliçen dhe Grebenen.
5. Kufini jug-linduer
Vija e kufinit jug-linduer nis qysh prej vendit ku bashkohet lumi i Bistrices me kamben e vetv të Venetiko-sve dhe mbaron te goja e lumit të Artës (38042’ gjatësi lindore 3901’ gjanësi veriake) me një gjatësi pothuajse 180 km. Kjo vijë e kufinit prej vendit që u përmend shkon me lumin e Venetiko-s deri në majën 549, mbasandej, tue shkue drejt jugës mbas rrjedhës së një përroni që është degë e Venetiko-s, kalon nga lindja e Kipurjos e shkon gjithnjë nga juga mbas atij prroni deri në Fonike (1288), ku pjek me kufirin e vjetër turko-grek të para 1912-ës, të cilin e ndjek deri te goja e Artës.
Kjo vijë përmbledh krahinat shqiptare juge-lindore të humbuna më 1912. Këto krahina kanë për qendra qytetet e Konicës, të Janinës e të Meçovës.
6. Kufini juguer
Kjo pjesë e kufinit të Shqipërisë ethnike përbahet prej brigjeve të gjiut të Artës. Këto brigje të përthyeme tepër kanë një gjatësi pothuajse 93 km, qysh prej gojës së lumit të Artës e deri te qyteti i Prevezës.
Kjo vijë përfshinë krahinën e Pogonit me qytetin e Voshtinës edhe krahinat e Sulit e të Çamëris me qytetet e Filatit, të Ajdonatit, të Margëlliçit, Pargës, Lurosit, Filipiodhes e të Prevezës.
Vendi gjeografik i Shqipnis Ethnike
Mbrenda kufijvet që u përmendën përmblidhen tokat e Shqipnis ethnike, të cilat shtrihen në anën juge-perëndimore të gadishullit të Ballkanit, mbi brigjet lindore të detnevet të Jonis e të Adriatikut, prej juge në veri, ndërmjet shkallëvet të gjanësis veriore 38057’ (Prevezë) dhe 43020’ (maja e Jankovit në V.P. të Novipazarit) edhe prej perëndimit në lindje dërmjet shkallëve të gjatësisë lindore prej Ferros, 36040’ (Sqepi i Luftës së Zezë=Crnirat) mbi Spizze-n edhe 39038’ (Kumarevo në lindje të Vranjes).
Për këtë flet edhe dijetari Georg von Hahn në veprën e vet “Albanesische Studien”, Vjenë 1854. Në faqen e parë të kësaj vepre ai thotë: Shqipnija shtrihet ndërmjet shkallëve të gjanësisë veriore 390 dhe 430, që do me thanë prej Prevezes deri në Novipazar.
Në rast se ka me u ba rivendikimi i plotë i vendevet të humbuna në veri-lindje, më 1878, atëherë shenji veriak shënon shkallën e gjanësisë 43024’ (në Krivirt 1205 afër Karakoll Turska-s) edhe shenji linduer shënon 39052’ në Romanovcin e Sipërm në lindje të Mesurices. Të gjitha krahinat që përmblidhen me qytetet e Kurshumlis, Prokupjes dhe të Leskovces, do me thanë e tanë lagjeja e lumit të Toplicës, deri afër mbarimit të shekullit 19-të, kanë qenë të banueme me popullsi shqiptare. Këtë e vërtetojnë të gjithë shkrimtarët e dijetarët e paanshëm që i kanë shetitun ato anë. Vërtetimin më të mirë të kësaj që thamë e ban konsulli i përgjithshëm i ish-monarkis Austro-Ungare, Lipich-i. Shkrimet e këtij janë raportuem prej Karl Sox-it në studimin që ky ban në “Erleuterunq zu der ethnographische Karte der Evropaische Turkci”, botue në Mitteilungen der K.U.K.Geogr. Gesellscheft in Wien, Bd.XXI, 1878, faqe 177-183.
Këto vende me të vërtetë nuk kanë sot më një popullsi shqiptare (veç një pakic shumë të vogël), pse barbarizmi, shovinizmi i qeverive serbe i ka shfarosë më një sistem e metodë që njifet edhe sot mbasi edhe në kohët e tashme është tue i zbatuem po ato masa për zhdukjen e racës shqiptare nëpër viset e Kosovës e të Shqipnisë lindore.
Gjinden edhe sot shumë plaka e pleq të atyne viseve të humbune më 1878, që rrojnë si emigrantë në viset e ndryshme të Kosovës e që mbajnë ndër mend edhe vuajtjet që kanë pasë prej serbvet, këto vuajtje ata ua kallxojnë me mallëngjim nipërvet e stërnipërvet të vet. (Përgatiti Veli Haklaj)
PROF.AHMET GASHI: HARTA E SHQIPINS SË VËRTETË
————————————————–
GANI D.RATKOCERI: PROF.AHMET GASHI, RILINDËSI I FUNDIT
HAPE: https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=2347