PROF.ASC.SAZAN GURI: ELEMENTËT E VAZHDIMËSISË PELLAZGO-ILIRE-SHQIPTARE

(Pashtriku.org, 31. 07. 2012) – Nga shkencat gjeologjike mësojmë se lindja dhe zhvillimi i njeriut përkon me epokën e Kuaternarit, që zanafillon qysh 1,8 milion vjet më parë, por janë ciklet akullnajor që kanë kushtëzuar gjezdisjen e njeriut hapësirave polare dhe/ose ekuatoriale. Historia njerëzore e stamposur dhe e ruajtur lidhet më së shumti me kohën këtu e 10 mijë vjet para krishtit, ku përkojnë hiri i fundit vullkanik, përmbytja e madhe cikli i fundit akullnajor, pas të cilëve kemi njeriun pasatlant të vendosur më së shumti pranë mesdheut fillimisht pranë ujrave lumorë. Jemi në kohën kur ezofagu kishte marr formën e sotme dhe njeriu po kishte aftësinë të lidhte zanoret me bashtingëlloret sipas kuptimit, zhurmës, pëshpërimës, fishkëllimës, lëvizjes, etj.
Pra, njerëzimi ka fjalosur, duke komunikuar me gishta, pastaj me bëlbëzime, (b, m, p,), paskëtaj me tinguj (zanore), por që në dhjetmijëvjeçarin e fundit, pas shpikjes së rrotës, pas grumbullimit të njerëzimit në një hapësirë pranë ekuatoriale (Indi, Babiloni, Mesdhe), nga nevoja e një komunikimi për një bashkjetesë më të gjerë e më civile, ai arriti të bashkoj tingujt e bashkëtingujt, duke formuar rrokjet e para për pjesëtarët e familjes, (at, am), për sendet shtëpiake, për kafshët e pyllit e të shtëpisë, (uk, qe, bull) për bujqësinë (grun, miser), për sendet (rrot, tav), por njërrokëshe ama.
Shikoni me pak vëmendje, se si fëmija sa lind e deri në moshën 12 vjeç përsiat gjenealogjinë e zhvilimit njerëzor, si në kuptimin e të menduarit, ashtu dhe në sendërtimin e gjuhës, si në kuptimin anatomik të zhvillimit të organeve, ashtu dhe në atë të funksioneve biologjike të tyre. Kjo është po aq e vërtetë, sa edhe përsëritja tjetër, që ai i bën gjenealogjisë së jetës së gjallë të natyrës, kur ai është në barkun mëmë nga fara deri tek lindja, ku ai pasqyron tërë historinë e zhvillimit të jetës nga qeniet më të ulta një apo shumë qelizore deri tek sistemi më i lartë gjitar. E theksuam fort këtë zgjatje, për të treguar, se njeriu, edhe pa matje apo pa gjetje të mirëfillta nëpër guva e gurë të mbishkrimeve të fillimeve të murmuritjeve njerëzore, mund ta intepretosh si fakt, që ai njeriu i dhjetmijëviteve më parë (Indianë, Babilonas e Pellazgë) ka filluar të formojë tingujt dhe bashkëtingujt në rrokje, sigurisht një rrokëshe, të pa bërë ende dy a më shumë rrokëshe, pa prefikse apo sufikset e gjuhëve të përpunuara e të pasuruara më vonë, si ajo Greke e Latine. Pra, jemi në kohën kur flitesh thjesht, që mjafton të merreshe vesh, kur flitesh prerë, për t`i dhënë ton fjalës apo urdhërit deri në shkoqur për të shprehur një dhimbje apo një ndjenjë.
Tipari tjetër i gjuhës në këta mijëvjeçarë ishte se ajo nuk shkruhej, me përjashtim të mbishkrimeve në varret e të parëve të vendit, por ajo ruhej në vargje dhe përcillej ose me këngë me anë të veglave shumë të thjeshta, fillimisht si lahuta, fyellli ose pa këngë me anë rapsodish, duke i vjershëtuar me gojë. Kësisoj, u përcoll Iliada e Odisea dhe në katër shekujt e errët të historisë europiane dhe/ose pellazge (1250 deri në mbërritjen e grekërve për herë të parë në tokën e epërme kontinentale, ndryshe e quajtur epir i epërm, i sipërm, mbi det ose kontinent), deri në daljen në skenë të Homerit, që veçse i grumbulloi këto vjersha popullore nga copëza në të tërë.

Faqja 155 e Kapitullit I, shkëputur nga libri i Nermin Vlora Falaschit: „Antiche Civilta Mediterranee… – Qytetërime antike të mesdheut…

………………………………………….

Qysh 40 vjet që studioj anglisht, e më pas frëngjisht, e më pas akoma italisht, rrjedhimisht bazën latine, dhe asnjëherë nuk e kisha kuptuar, sesi pothuajse të gjitha fjalëve bazë, disa rrokëshe të këtyre gjuhëve të civilizuara, po t’i zbrisje një nga një rrokjet e fundit, delte një fjalë një rrokshe që kurrësesi s’e kish kuptim në gjuhën e tyre. Provoni fjalët e gjuhëve të huaja si tavolina, tabola, parents, supportare, plough, principle, brother, wolf, measure, capture, cappito, logic ose logos, lavare, lascare, delta, miracle (tav, të parët, sup, prin, brat, uk, mas, kap, kap, log, laj, lë ose lash, del, mir). Qysh në moshë maturanti, kur me një frymë lexoja Spiro Kondon, nuk e kuptoja pse emërat më të vjetër të njeriut pasatlant, si gur, s(h)ur-zhure, mal, pyll, tetis, kre, mirë, etj., ishin të shpërhapur gjithandej në trevat e mesdheut të atëhershëm, dhe megjithë përpjekjet e gjuhëve të reja (greko e latine), për t’i shkulur si emra toponimesh, duke filluar nga shekulli i VII pk, ato ngelën po aty, qysh me lindjen e tyre, bashkë me njeriun e parë, të pjellë nga toka (pellazg).
Maksimumi, ata (ardhësit), mbasi nuk mundën t’i ç’rrënjosnin, shtuan si çiban fjalët e tyre mbi to. Për këtë çështje mund të merrni; pse në trojet greke, italiane, spanjolle deri në Britani ndodhen ende sot mbi 2000 toponime vetëm me emrin bazë Gur, si gura, gora, gyreissin petra, shih te Odisea, vargu 500, 501, duke tipizuar zona, katunde, shkëmbinj; apo me emrin Mal, si males – vargmal në Maqedoni, malesiada – katund në Akerni, Greqi, maletsi – hundë në bregdetin e Kretës, malevica-trungu qendror i malit Rila në Bullgari; Ose emri Pyll që gjendet në format pyllai, thermopyllai, pylios qytete e katunde, sot dhe qëmoti, në Greqi, Pulia-krahinë në Itali, etj. Nga të parët e mi, si nip direkt i Frashniotëve të mëdhenj mësohesha se gjuha shqipe ka lindur bashkë me hënën, sigurisht në metaforë, megjithëse paleontologët pohojnë se ky territor i stërmadh ka qenë i banuar qysh në fillim të Kuaternarit – 2 deri 3 milion vjet më parë. Dhe nga albanalogu i famshëm Man lexova tekstualisht se – gjuha shqipe rrjedh nga ajo e Jafetit (biri i Noes), dhe me pjekurinë time lexova se jo pak, por me dhjetra historianë, gjuhëtarë, atashe ushtarak këtej vërdallë në shtetet e Ballkanit, si ambasadori amerikan, Xhorxh William, …, etj., rrekeshin të shpjegonin me kuptimet e fjalëve të sotme shqipe të ruajtura si pergamene në errësirën e bjeshkëve të namuna, emrat e perëndive të kohës së Egjiptit, si Thot – ai që mendon apo thotë diçka; apo emrat e perëndive të ashtuquajtura greke si Zeus – zë, Afrodite – afërditës, Kore – korr, të korra, Perëndesha e të korrave; emrat e luftës së Trojës, si Priam-prij, Hektor-hekdorë, Laert-i lart, lë urt, Ajack-gjaks, Paris-i parë, Agamemnon-aiqëkamend, Menelau-menja e la, Homeri-O merë, O mirë!; emrat e fiseve të at’hershme si Troja, që deri në kohën e Homerit thiresh Ilion-i(y)lli on, Iliri -i(y)lli i ri, që u rishfaq pas rënies dhe errësirës së trojës, Etruskët-etrurët, njerëz me tru, Ballkan-ballkau, malet që përfundojnë si kokë kau, Thraces-Trakët, Trashë (të), i trashë, në kuptimin të bëshëm se ashtu ishin, Besët – në kuptimin njerëz me bes, Ligurët-me lëkurë, njeri i mbuluar me lëkurë, Iberët-i parë, nënkupton të parët që lanë grupin pellazg stërgjyshor për t’u vendosur në atë që do të bëhej Iberia. Frigjianët = të ikurit nga frika, Lisianë = liqen, popull i detit i liqenit ose thjesht i ujit. Por, a mund të jetë gjene rastësi, se të parët tanë i thërisnin muajtë me emrat e tyre sipas një kuptimi praktik, mijëvjeçarë më parë se ato të merrnin emrat ndërkombëtarë zyrtarë, si shkurti-pse isht më i shkurtër, maj- se ishte më i madh në ditë, qershor-qershi, për shkak të vjeljeve në këtë muaj, korrik-se korrej gruri, gusht se ngushtohej dita, moti gusht e gunë, vjeshta (vjelst, vjelja) e parë, e dytë, e tretë – Shtatori, Tetori e Nëntori. A mund të jetë prap rastësi, se edhe planetët thireshin sipas kuptimit të fjalëve që shpjegohen, ende edhe sot me pellazgjishten e trashëguar vertikalisht në shqipe si, Dielli – ditë, djalë, që sipas mitologjisë pellazge ishte diell, kur lindte për shtëpinë, Hëna-e hëna, sepse shqip personifikon diçka që hahet, Marsi – e marta, sepse shqip personifikon një planet me shtrëngata, pra, është i marrrë, Saturni – nga at, babai i planetëve, Urani – i vranët, Toka – terra – nga ter, i tharë, i terur. Por, ajo që po më tundon sot e të mendoj se nuk mund të jetë rastësi që nëse gjuhët e tjera duan 7-8 rreshta të shpjegojnë etimologjinë e një fjale të gdhendur në pllakat s(h)umeriane, gjuha shqipe e bën atë direkt si, SHAR – Shar, SIPPAR – sipër, URIM – Urim, i begatë, ENGIZ – engiz, HA- ha, MUR – Mur, UR – Urë, SUL – Sul-em, KIELL-Qiell. Dhe shpesh mendoj e mendohem, si ky komb e kjo gjuhë fosile të ketë lindur ndër shekujt e 7-8 pas krishtit, siç na kanë mësuan gjuhëtarët tanë, që për t’i zbritur edhe pak më poshtë themelet e saj, por asnjëherë para fqinjëve veriorë, pa le atyre jugorë, duhet të merrnin leje më parë prej tyre.
Kur vetë gjuha greke e ka marrë emërtimin e saj si indo-europian vetëm falë prurjes gjuhësore të përbërë nga një numër i shumtë elementesh pellazge, ku edhe historiani i shquar G. Gloc thekson se Greqia nuk është, veçse një pjesë… tokash të bëra greke, ndërsa një albanalog tjetër si Shnaider mendon se pellazgët nuk kanë qenë një racë e imigruar, por autoktone dhe gjuha e tyre është e ruajtur në një mënyrë thuajse e paprekur, dhe kjo nuk do të ishte gjë tjetër, veçse shqipja e sotme. Ndërkohë që dihet që qysh nga antikiteti, gjuhët si lidiane, epirote dhe maqedone ia lanë vendin gjuhës greke dhe vetëm ilirishtja e jugut (shqipja, si ajo gegënishte dhe ajo toskërishte) i rezistoi. Sepse, si nënë e saj që e polli, si mësues i urtë e i mençur që e mësoi, kishte ruajtur atë lloj hileje, që kur fëmija të hidhte vickla, ajo t’i tregonte stilin e patreguar, si mësuesi tek “Gjylystani dhe Bostani” i Omer Kajam-it. Por, stili i ruajtjes së trashëgimeve prej etërve nuk ka qenë natyrë e këtij komb-i vetëm për gjuhët, se ndryshe nuk ka si shpjegohet sesi vallja pirike është luajtur në kohën e Akilit para se të lëshohej kundër trojanëve, pastaj u luajt nga Aleksandri i Madh, një tjetër thrako-ilir i shquar, përpara se të lëshohej kundër persëve, po kështu u luajt edhe nga Pirro, Burri i Epirit (çamëria sot) përpara se të lëshohej kundër Romakëve. Nuk ka si shpjegohet pse disa veshje të veriut të Shqipërisë ngatërrohen me ato të mbajtura nga gratë e Etrurisë, Kretës ose Mikenës. Çudia është sesi ky popull që kurrë nuk ka jetuar, as vetëm, as për veten, më tepër ka ekzistuar që t’i japë pa reshtur kombeve fqinje lëndën humane, herë-herë në formën e një lloj protoplazmeje, ndoshta jo në një masë të organizuar, por që ka mbushur boshllëqet e krijuara nga vetformimet e tyre, duke filluar nga bota mikene, ajo helene, romake, bizante, otomane deri në atë të Libanit e Egjyptit modern, (Dinastia e Farukëve, Muhamet Aliut, etj.). Le t’i quajmë këto të gjitha, të paktën të diskutueshme, ku të paktën populli ynë është aktor dhe faktor, por jo i përjashtuar, siç duan të na dëftejnë shumë syresh të gjuhësisë e historisë, se ky popull është pa memorie apo pa giga ram. Për kësi diskutimesh, shqiptarët jo se nuk ka qenë të organizuar, por si të dëshpëruar, ashtu në pakicë, i kanë ndërprerë përpjekjet për t’u marrë me kulturën e etërve të tyre – pellazgët. Ndërkohë që jo pak syresh nuk duan as t’i diskutojnë çështjet e shtruara nga studiusit e huaj që kanë mbushur dhe vërtetuar me mijra faqe librash, se shqiptarët e sotëm janë vazhduesit direkt të ilirëve dhe jo vetëm, si dhe ilirët me vëllezërit e tyre janë vazhduesit direkt të pellazgëve dhe pellazgët janë pasatlantët e erës së re të homosapiensit.

……………………………………………….

Shtojcë e pashtriku.org

Në vijim lexoni një studim të publikuar në “Bulletin De L’Institut Egyptien”. Studimi titullohet “Les Pelasges et leur descendants les Albanais” – shkruar nga Dr. Frassari Adamidi.

Për më tepër lexoni në këtë lidhje:
http://www.forumilir.com/viewtopic.php?f=9&t=543&start=0

_____________________________________

(Përgatiti Kryeredaktori i pashtriku.org)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura