HISTORIA E ILIRËVE (5)

Nga Aleksandër Stipçeviq

Shteti i Enkelejve

Në Ilirinë e jugut shumë më herët se sa në viset e tjera ilire u bë formimi i organizatave shtetërore. Shtetin më të vjetër të njohur për të cilin flitet në bazë të burimeve të shkruara e formoi fisi enkelej në pikën më jugore të liirisë.

Shënimet më të vjetra për këtë shtet i përkasin më tepër sferës së mitologjisë se sa asaj të historisë. Përmendëm më parë rrëfimin për ardhjen e fenikasit Kadmi dhe gruas së tij Harmonisë midis enkelejve. Siç thotë legjenda në këtë kohë enkelejtë luftonin me ilirët fqinj dhe Kadmi, me urdhërin e profetit, u shkoi në ndihmë. Mbasi i mundën ilirët, enkelejtë zgjodhën Kadmin mbret të tyre.

Si edhe shumë legjenda të tjera, edhe kjo për Kadmin, ka shprehur ngjarjet që kanë ndodhur me të vërtetë. Arkeologët dhe historianët, me kohë, në bazë të shumë fakteve – arkeologjike, historike dhe linguistike – kanë arritur në përfundimin se kanë ekzistuar shkëmbime intensive të vlerave kulturore midis viseve jugore ilire dhe basenit të Egjeut e Lindjes së Aferme dhe se rruga nëpër të cilën është bërë ky shkëmbim është po ajo rruga e lashtë nëpërtë cilën kultura neolite nga baseni i Egjeut depërtoi nga deti Adriatik dhe nëpër të cilën gjithashtu më vonë kaloi Via Egnatia. Nëpër këtë magjistralë parahistorike erdhën nga fundi i epokës së bronzit në Adriatik edhe – sipas autorëve bashkëkohorë – tregtarët nga Fenikia e largët, pra nga atdheu i Kadmit. Si dëshmi materiale të pranisë fenikase te enkelejët dhe te ilirët e jugut në përgjithësi merren sopatat e shumta të bronzit, të ashtuquajturat tip shqiptare – dalmatinase (ose shkodrane), të cilat në mënyrë tipologjike mund të lidhen vetëm me sopatat e ngjashme nga Lindja e Aferme.67 Si reminisencë lidhur me praninë e fenikasve në Ilirinë e jugut disa autorë mbajnë edhe emrin e qytetit të Epirit verior Foinike (Foenice) në Shqipërinë e sotme.68

Me siguri nuk është e rastit që legjenda për Kadmin lidhet me enkelejt. Prej fakteve të pakta me të cilat disponojmë është e qartë se ky fis një kohë ka mbizotëruar në vise të gjera të Ilirisë së Jugut, se ka zhvilluar luftime edhe me fqinjtë helenë, prandaj tradita helenase, të cilën etransmeton Herodoti, ushtrisë së tyre dhe asaj ilire i mvishet sulmi në tempullin e Delfit. Nuk ka dyshim se Ilirët e Jugut, e në radhë të parë enkelejt, kanë luftuar shpeshherë me helenët verior dhe se shënimi të cilin na e ka lënë Herodoti është vetëm një hollësi nga luftimet shumëshekullore të këtyre dy popujve. Edhe një shënim i ruajtur për këto luftime që katë bëjë me sulmin e enkelejve në Tebë vërteton se ky fis u ka shkaktuar shumë brenga helenëve veriorë.

Kulmin e fuqisë enkelejt e arrijnë diku në shekullin VIII – VII para e.r. Qysh në shekullin VI para e.r. fuqia e tyre bie, kurse shteti i tyre zhduket nga skena historike vetëm në shekullin IV para e.r.

Shteti i Taulantëve

Dobësimi i shtetit të enkelejve qe shkaktuar edhe nga forcimi i një shteti tjetër ilir në afersi të tij — shtetit të taulantëve, i cili një kohë ekzistoi në të njëjtën kohë me shtetin e enkelejve. Fisi i taulantëve kishte qendrën e vet në shpinë të kolonisë greke, Epidamnosit, por pushteti i tyre në kohën e fuqisë më të madhe u shtri në një rajon shumë më të gjerë të Shqipërisë së mesme dhe të veriut. Taulantët në veprat e autorëve grekë përmenden shpeshherë në bazë të betejave të shumta që i zhvilluan kundër maqedonëve, epiriotëve dhe kolonive greke në brigjet ilire. Lajmi i parë për shtetin e tyre ka të bëjë me luftën që sundimtari i tyre Gaularos, zhvilloi në fund të shekullit VII para e.r. kundër mbretit maqedon Argeiosit. Në shekullin V para e.r. taulantët ishin përzier drejtpërdrejt në incidentin që shkaktoi luftën e përgjakshme të Peloponezit midis Athinës dhe Spartës. Në vitin 437 para e.r. oligarkia qytetare në Epidamnos, e cila mbante monopolin etregtisë me ilirët, u përzu nga qyteti dhe u strehua te taulantët duke kërkuar ndihmë prej tyre.Nga frika taulantëve Epidamnosi i drejtohet për ndihmë së pari Korkyrës dhe mbasi ajo refuzoi ndihmën e kërkuar, atëherë i drejtohet Korinthit. Korinthi dërgoi flotën e vet për t’i ndihmuar Epidamnosit, mirëpo flotën e Korinthit e mundën Korkyrasit të cilët patën marrë anën e kundërshtarëve të Epidamnosit, kështu që banorëve të tyre nuk iu mbet gjë tjetër veç të dorëzoheshin. Aleanca me Korkyrën forcoi pozitën e taulantëve, kështu që ata nisën të përzihen aktivisht në punët e kolonive greke dhe të fqinjve të tjerë, sidomos të maqedonëve.

Shteti i taulantëve arriti kulmin e fuqisë në shekullin IV para e.r., mirëpo qysh nga fundi i atij shekulli kjo fuqi nisi të bjerë shpejt. Forcimi i shtetit maqedon dhe depërtimi i keltëve në tokat ilire, ndryshoi raportin e forcave në Ballkanin perëndimor.

Luftërat e ilirëve me maqedonët

Shtetet ilire, siç theksuam, ranë shumë herët në konflikt me fqinjët e tyre maqedonë.71 Këto konflikte u bënë të shpeshta veçanërisht gjatë shekullit IV para e.r. në kohën e forcimit të madh të shtetit maqedon dhe gjatë shndërrimit të tij në një nga fuqitë ushtarake më të mëdha të botës së atëhershme.

Në vitin 360, pasi ilirët arritën t’ua imponojnë maqedonëve tributin, ata sulmuan përsëri Maqedoninë, të cilën e sundonte mbreti Perdika. Në këtë betejë maqedonët pësuan disfatë të rëndë: 4000 ushtarë të tyre humbën jetën në fushëbetejë së bashku me mbretin e tyre. Ilirët mbas kësaj pushtuan viset perëndimore të Maqedonisë, kështu që rrezikuan edhe vetë qendrën e saj. Trashëgimtari i Perdikës, Filipi II mblodhi një ushtri të madhe dhe e mundi mbretin ilir, Bardhylin, duke e detyruar që të tërhiqet nga territori maqedon. Kufiri midis Maqedonisë dhe Ilirisë u caktua atëherë në liqenin e Ohrit.

Një shtet maqedon i fortë, ishte rrezik jo vetëm për ilirët, por edhe për të gjithë fqinjët e tjerë, në radhë të parë për grekët. Athina frikohej posaçërisht prej Maqedonisë së fuqishme, të cilën Filipi II energjik dhe ambicios me reformat e veta në fushën e brendshme dhe me fitoret kundër armiqve të jashtëm e bëri si një faktor më të rëndësishëm politik dhe ushtarak në Evropën e atëhershme. Athina në luftën kundër rrezikut të ri kërkonte, dhe i gjeti aleatë popujttë cilëtjetonin në fqinjësi të Maqedonisë. Në vitin 356 para e.r. me iniciativën e athinasve u lidh aleanca antimaqedone midis athinasve, thrakasve, peonëve dhe ilirëve. Për nder të kësaj aleance në Athinë u ngrit stela e mermertë në të cilën përmendet edhe Grabi, sundimtar ilir. Megjithatë, Filipi nuk u frigua, kështu që kundër ilirëve dërgoi prijësin e vet ushtarak, Parmenionin. Ilirët pësuan disfatë të rëndë, e cila maqedonëve iu bëri të mundur që të pengojnë fuqinë ilire dhe për një kohë t’ i evitojnë sulmet e tyre kundër Maqedonisë. Megj ithatë, as pas kësaj luftimet me ilirët nuk pushuan. Filipi u detyrua edhe disa herë të luftojë me ilirët.

Mirëpo as Athina nuk u qetësua. Kundërshtari i madh i Filipit, oratori Demosten mbajti fjalime të njohura (filipike) kundër mbretit maqedon duke i paralajmëruar qytetarët e vet për rrezikun maqedon. Në vitin 342 para e.r. Demosteni duke kërkuar aleatë shkoi vetë në Iliri, por nuk pati aq shumë sukses. Megjithatë, luftimet e ilirëve kundër Filipit vazhduan derisa ai vdiq në vitin 336 para e.r.

I biri i tij, Aleksandri i Madh, vazhdoi luftën kundër ilirëve. Qysh në fillim të sundimit të tij, u detyrua të luftojë për shkak të sulmit që i bënë mbreti i enkelejve, Kleiti, i biri i Bardhylit dhe mbreti i taulantëve Glaukia. Aleksandri i mundi dhe prej atëherë enkelejt njohën sundimin suprem të maqedonëve.

Një nga trashëgimtarët e Aleksandrit në fronin maqedon, Kasandri, arriti deri në det dhe pushtoi kolonitë greke Epidamnos dhe Apollonia. Mirëpo kjo nuk zgjati shumë, sepse rrethanat në vetë Maqedoninë dhe në Greqi e detyruan që të lidhë paqen me Glaukin dhe të kthehet së shpejti në atdhe. Epidamni dhe Apollonia u çliruan nga pushteti maqedon.

Luftërat me maqedonët nga njëra anë dhe me epiriotët në anën tjetër do të vazhdojnë edhe një kohë të gjatë me fat të ndryshueshëm. Të lodhur nga këto luftra të gjata enkelejët dhe taulantët së shpejti do të detyrohen t’ua dorëzojnë udhëheqësinë fiseve të tjera ilire.

Invadimi i Keltëve

Përafersisht në të njëjtën kohë kur grekët kishin marrë hov në themelimin e kolonive në bregdetin adriatik dhe ilir, kundër ilirëve u lëshuan populli luftarak i keltëve.

Duke ardhur nga Italia veriore dhe nga Alpet keltët depërtuan në Ballkan dhe në Pellgun danubian në gjysmën e parë të shekullit IV para e.r. Të armatosur me shpata të gjata (shumë më të gjata se ato që i përdornin ilirët) më të fortë dhe me kuaj, keltët në një depërtim të fuqishëm nga jugu i Ballkanit i mundën fare lehtë fiset e përçara ilire. Caku i depërtimit të tyre në Ballkan ishte Greqia në përgjithësi, dhe pasuria e Delfit në veçanti.

Në rrugën nga Greqia gjendej shteti maqedon dhe derisa ai shtet ishte i fortë, keltët nuk morën guxim të kalonin nëpër të. U ndalën në tokat ilire, duke pritur ditë më të mira. Ata shpeshherë luftonin me fise të ndryshme ilire dhe me depërtime të ndryshme arritën madje edhe deri në detin Adriatik. Për këto luftime dimë fare pak. Teopompi shënoi një episod për luftën të cilën keltët e bënë kundër ardiejve. Ai na rrëfen se si keltët shfrytëzuan dinakërinë që të mundin ushtrinë e ardiejve. Në të vërtetë keltët duke ditur për dobësinë e madhe të ardiejve ndaj ushqimit dhe pijes u tërhoqën nga kampet duke lënë në vende të dukshme ushqim dhe pije, në të cilat kishin vënë barëra helmuese. Duke mos menduar për të keqen ardiejtë, duke ardhur në kampin e braktisur, u lëshuan të hanë e të pinë, duke harruar me këtë rast armikun. Ai u kthye shpejt dhe i mundi.

Nëpër luginat e lumenjve të mëdhenj të Panonisë, keltët gjetën toka të mira, kështu relativisht lehtë mundën të sigurojnë mjetet e jetesës. Aty ku u vendosën zhvilluan bujqësinë, prodhimin e qeramikës, xehtarinë dhe veçanërisht përpunimin e metaleve. Duke u forcuar ekonomikisht, ata depërtuan gradualisht nga perëndimi, veçmas te rajonet në të cilat jetonin japodët. Sipas dëshmive të disa autorëve antikë (Strabonit, Dionis Halikarnasit), keltët u përzien aq shumë me japodët, sa që ata autorë japodët i konsideronin si një fis kelto-ilir. Hulumtimet bashkëkohore të kulturës materiale dhe shpirtërore si dhe të onomastikës hedhin poshtë mendimin e këtyre autorëve antikë. Megjithatë, është e vërtetë se, kultura kelte ndikoi deri diku në atë të japodëve, por jo në një shkallë më të lartë se sa ka ndikuar në kulturën e shumë fiseve të tjera ilire, për të cilat megjithatë askush nuk pohon se janë iliro-kelte.

Gjatë qëndrimit në brendësi të Ballkanit dhe të Pellgut danubian, keltët nuk harronin qëllimin kryesor të dyndjes së tyre. Në vitin 335 para e.r. në kohën kur mbreti maqedon Aleksandri i Madh luftonte në Pellgun danubian kundër fisit tribal, keltët dërguan te ai një delegacion që ta nderojnë, e në të vërtetë që të përpiqej të mësonte fuqinë e ushtrisë së Aleksandrit. Të dekurajuar me atë që panë ata u bindën se ende nuk ishte koha për të sulmuar Greqinë.

Vetëm disa dhjetë vjet mbas vdekjes së Aleksandrit, kur Maqedonia ra në krizë të thellë, dhe kur nuk ishte më fuqi së cilës duhej friguar, keltët vendosën të nisen nga jugu. Në vitin 280 para e.r. tri ushtri kelte nisen nga Greqia. Keltët për këtë sulm shfrytëzuan rrethanën e volitshme që mbreti i Epirit, Piri, me ushtrinë e vet e cila ishte e vetmja që mund të bëhej pengesë në qëllimet e tyre, ishte atëherë në Itali.

Në fronin maqedon ishte atëherë Ptoleme Kerauni. I bindur se falanga e tij do të jetë vetë e aftë që t’u bëjë rezistencë sulmuesve, refuzoi ndihmën e 20.000 ushtarëve që ia ofroi mbreti dardan. Për këtë u hakmorën kundër maqedonëve dhe ushtria kelte, e kryesuar nga prijësi i tyre Belgiosi, i shkeli terësisht. Vet Ptolemeu, ra në fushën e betejës. Keltët, zotëruesit e situatës e shkatërruan vendin tmerrësisht. Sipas dëshmisë së Justinit, maqedonët “nga majat e gërmadhave të qyteteve të tyre i ngritën duart nga qielli duke klithur emrat e Filipit dhe të Aleksandrit, si perëndi mbrojtës të atdheut të tyre”.

Belgiosi, me ushtrinë e vet nuk vazhdoi nga Greqia. Këtë e bënë dy ushtritë e tjera kelte, në krye të të cilave gjendeshin Brenni dhe Akichori. Nëse guxojmë t’i besojmë Pausanit, ushtritë e tyre kishin 152.000 këmbësorë dhe 20.000 kalorës. Grekët vendosën t’u bëjnë rezistencë nëTermopile, në të njëjtin vend ku spartanët para dyqind vjetësh u orvatën të pengojnë depërtimin e persianëve. Atë që nuk e arriti atëherë Leonida, e arriti tani (në vitin 279 para e.r.) ushtria e bashkuar greke: keltët pësuan disfatë të rëndë. Vetë Brenni, i plagosur rëndë gjatë betejës, duke e parë shkatërrimin e ushtrisë së vet, vret veten, ndërsa Akichori i prin ushtrisë së mbetur nga veriu. Shumë keltë u drejtuan edhe nga Azia e Vogël, ndërsa ataqë u kthyen në veri duhej të bënin përpjekje mbinjerëzore që të depërtonin deri në vendet e tyre. Shumë u vranë nga ilirët, të cilët nuk i kishin harruar të këqijat që kishin bërë ata në kohën kur po kalonin viset e tyre. Ata që arritën të kthehen në Pellgun danubian mbetën atje, duke ruajtur për një kohë të gjatë kulturën e tyre materiale dhe shpirtërore si dhe identitetin e tyre kombëtar.

Shteti i Dardanëve

Gati çdo gjë që na kanë lënë të shkruar autorët antikë për dardanët në përgjithësi, ka të bëjë me luftërat që i zhvilluan me maqedonët. Dhe derisa shteti maqedon ishte i fortë dardanët nuk mundën të ishin në vëmendje të politikës ballkanike. Rolin e armiqve të përjetshëm të Maqedonisë e shprehu fare mirë historiani romak, Livi (XL, 57,6), kur shkroi “Dardani gens sempre infestissima Macedoniae”

Roli politik dhe ushtarak i dardanëve filloi të rritej vetëm pasi invadimi i keltëve dobësoi shtetin e maqedonëve të fqinjëve të tyre peonëve. Duke shfrytëzuar dobësinë etyre dardanët zgjeruan shtetin e tyre në rajonin e Peonisë, e cila zhduket definitivisht nga skena historike edhe të ilirëve të jugut. Sipas disaautorëve (Droysen) ata zgjerohen deri në detin Adriatik dhe në detin Jon, duke mbajtur për një kohë në duart e veta edhe Epidamnosin.73 Në gjysmën e dytë të shekullit III dhe në fillim të shekullit II para e.r. dardanët bëjnë presion të madh kundër maqedonëve, duke shfrytëzuar çdo rast për suhn.

Megjithatë, kjo ishte një ngritje e shkurtër që u bë më tepër në sajë të dobësisë së të tjerëve se sa për shkaktë fuqisë së vetë dardanëve. Dhe me të vërtetë, posa maqedonët morën veten dhe konsoliduan shtetin e tyre, dardanët humbën rëndësinë si faktor i rëndësishëm politik. Kufizimittë aksioneve të tyre luftarake ndaj fqinjëve i kontribuoi edhe forcimi i shtetit ilir në kufijt perëndimorë.

Dardanët përkundër nuk mundën të luanin një rol më të madh në ngjarjet politike të Ballkanit në epokën pararomake, është fakt se ata nuk kishin arritur atë shkallë të zhvillimit shoqëror, të domosdoshme për të krijuar një organizatë të fuqishme ushtarake. Të përbërë nga një mori fisesh më të vogla dardanët nuk kishin pushtet të fortë qendror, të aftë për ndërmarrje më të mëdha dhe për vendimet politike.

VIJON

© Pashtriku.org

____________________________

HISTORIA E ILIRËVE (6)

Nga Aleksandër Stipçeviq

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura