PROF.AS.DR.ANTON PAPLEKA: ‘OFELIA ME MJEKËR’ I MOIKOM ZEQOS, ANKTHI I MODERNITETIT

Tiranë, 23. 09. 2013 – Libri “Ofelia me mjekër”, i shkrimtarit të njohur Moikom Zeqo, publikuar nga Shtëpia botuese “Morava”, Tiranë, 2013, është një vepër që bën pjesë në kolanën ku përfshihen librat “Refuzimi i shkrimit”, Dituria, 2010 dhe “Vetullat hyjnore”, Bota shqiptare, 2012. Në librat e lartpërmendur ka proza të shkurtra që i përkasin eneistikës dhe trillimit letrar. Kjo gjë përbën një veçori origjinale të prozës së M.Zeqos, një risi të spikatur, me të cilën e pasuron prozën shqiptare, sidomos atë që thyen kufijtë e tradicionalizmit e të provincializmit.
Libri “Ofelia me mjekër” ka si nëntitull “Proza të të jetuarit së prapthi”. Konkretisht, në këtë libër, ai ka sintetizuar shqetësimet e tij të mëdha për bashkëkohësinë dhe ekzistencën njerëzore, të rrezikuar nga tjetërsimet e pafundme. ? konceptual i librit qëndron te raporti kontradiktor dhe paradoksal midis reales dhe virtuales. Bota sa vjen dhe bëhet më virtuale. Bota e internetit dhe e kibernetikës po klonin qenie të kufizuara në rrafshin virtual, duke iu larguar esencës humaniste. Ky qytetërim teknologjik rrezikon identitetin e njeriut dhe ngjan si një apokalips i vërtetë. Jo më kot, Zeqo i referohet filozofit francez Jean Baudriallare dhe tezës së tij se postmoderniteti e ka shndërruar botën në një simulacrum (kopie e kopieve). Si do të jetë e ardhmja? A do të kemi një njerëzim të vërtetë apo një njerëzim të klonuar? Libri i Zeqos përpiqet t’u japë përgjigje këtyre pyetjeve ekzistenciale. Libri ka një erudicion të madh që nuk është një qëllim në vetvete, por premisë për të bërë sinteza. Zeqo thotë se Google-i është një informacion pa inventar dhe shterp. Aftësia për të bërë sinteza është mrekullia e intelektit.

Libri “Ofelia me mjekër” ka një substancë shqiptare dhe universale. Të bëjnë përshtypje shkrimet për Gjon Buzukun dhe Migjenin, Konicën dhe shumë subjekte shqiptare të mesjetës, ku ka zbulime të reja dhe këndvështrime befasuese. Në pamje të parë, tregimi “Ofelia me mjekër” duket shumë i ndërlikuar. Ofelia si personazh shekspirian është një ikonë e letërsisë botërore, tashmë klasike. Tek Ofelia, Zeqo ndërthur e koncentron shumë simbolika dhe bën një teori të personazhit në përgjithësi. Tek Ofelia është dhe mjekra e Krishtit dhe e Gjergj Kastriot Skënderbeut, është sakrifica e Teutës ilire, por edhe Ajnshtajni. Kjo do të thotë se një personazh mund të krijojë afërsi dhe simbolikë me të gjitha personazhet, sepse njeriu dhe njerëzimi është vetë Ofelia me mjekër dhe pa mjekër. Pra, esenca e librit qëndron te çështja se a është e ardhmja e njeriut realizimi i tij si njeri, apo degradimi i tij, apokalipsi i tij moral, biologjik e shoqëror.
Për këto arsye, mendoj se libri “Ofelia me mjekër” përfaqëson një risi në krijimtarinë e Zeqos dhe të letrave shqipe dhe si i tillë meriton të përkthehet në gjuhët e popujve fqinjë dhe të Europës.
– Autori, lindi në fshatn Lekbibaj të Tropojës në vitin 1945. Studioi gjuhën dhe letërsin shqipe në Universitetin e Tiranës. Është shkrimtar dhe shqipërues i një sërë veprash të autorëve të ndryshëm – të huaj. Ka shkruar shumë proza e romane për fëmijë e për të rritur. Jeton në Tiranë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura