Toronto (Kanada), 10 shkurt 2021: Në fund të janarit 2021, kryeministri Rama vizitoi Korçën. Ndërmjet të tjerave, në një mbledhje me publikun, dikush e pyeti: Çfarë do të bëni Ju për punësimin? Se shqiptarët po detyrohen të largohen nga Shqipëria, për shkak të papunësisë dhe varfërisë. Zoti Rama u përgjigj pak a shumë kështu: U hap bunkeri i Enverit. Nuk emigrojnë vetëm shqiptarët. Ne nuk mund t’u sigurojmë shqiptarve atë, që u siguron Gjermania dhe shtetet e tjera të zhvilluara (domethënë punën dhe mirëqënien-shënimi v. k.). Kush premton se e zgjidh këtë problem, mashtron.
Lidhur me këtë përgjigje duhet sqaruar se, vërtet të gjithë popujt emigrojnë, por rreth 1-3% e popullsisë, dhe jo mbi 40% e popullsisë, si në Shqipëri. Ky nuk është emigrim, por spastrim etnik i Shqipërisë (të largohen shqiptarët, që të vijnë të huajt!). Papunësinë dhe varfërinë e shqiptarëve e shkaktoi vet qeveria “Rama”, dhe qeveritë e mëparshme (pas vitit 1990). Pse? Sepse Ato shkatërruan naftën dhe minierat. Vendburimet e naftës dhe minierat u privatizuan. Ato u dhanë me koncesione korruptive, dhe po grabiten nga të huajt, në bashkëpunim me qeveritarët tanë. Kërkimet gjeologjike nuk bëhen nga shqiptarët, sepse gjeologjinë qeveritë e njëpasnjëshme e kanë mbyllur plotësisht. Me kërkimet merren vetëm të huajt, që në fakt nuk po bëjnë pothuajse asgjë. E gjithë Shqipëria, nga qeveria “Rama-Meta”, është nxjerr në ankand tek kompanitë e huaja, për kërkime dhe shfrytëzim nafte dhe gazi. Pra, pasuritë natyrore iu hoqën shqiptarve, dhe iu dhanë të huajve. Këtu përfshihen edhe pasuritë strategjike kombëtare, siç janë nafta, gazi, kromi etj. Pra, popullit nuk i mbeti asnjë pasuri. Shteti shqiptar u shpronësua plotësisht. Ai është krejt i dobët. Prandaj shqiptarët janë pa punë dhe të varfër. Ata janë të detyruar të emigrojnë, duke e braktisur Shqipërinë. Shtetet e tjera të Europës i kanë të dyja format e pronësisë: edhe pronën shtetërore, edhe pronën private, që janë në konkurencë me njëra tjetrën, kurse në Shqipëri u bë privatizim ekstrem, duke e zhdukur plotësisht pronën shtetërore.
Qeveritë, pas vitit 1990, shkatërruan edhe bujqësinë. Kooperativat e dikurshme bujqësore, pa u shkatërruar, mund të shkëputeshin nga shteti dhe të bëheshin ferma private të fshatarve. Kështu i bënë vendet e tjera lindore. Sot në Shqipëri nuk mund të zhvillohet bujqësia, sepse toka është ndarë në parcela të vogla private. Makineritë bujqësore u shkatërruan. Kanalizimet janë prishur. Tokat çdo vit përmbyten. Futja e makinerive bujqësore nuk mund të bëhet në parcelat e vogla, prandaj toka punohet me kafshë dhe me krahë.
Pas vitit 1990, në kuadër të luftës kundër gjeologjisë (kundër pasurive tona natyrore!!), Fakulteti Gjeologji-Miniera u reduktua. U mbyll katedra e naftës. Diploma gjeolog nafte u mbyll më 1995. U mbyll laboratori i gjeokimisë, dhe disa laboratore të tjera. Biblioteka e fakultetit mbeti pa prurje të reja. U mbyllën praktikat në vendburimet e naftës dhe në miniera etj. Pas vitit 1996 u zvogëlua numri i të diplomuarve. Pse? Sepse nuk pranoheshin diplomat e ing. gjeolog nafte, ing. miniere, ing. gjeofizik dhe ing. pasurimi të mineraleve. U ulën edhe pranimet për ing. shpim-shfrytëzimi etj. Pra, specialitetet themelore të Fakultetit Gjeologji-Miniera, dhe kryesoret për industrinë dhe vendin, nuk do të ishin të nevojshme në të ardhëshmen!!
Përparësi sot i është dhënë hidrogjeologjisë (studimit të ujrave), mjedisit, gjeoinformatikës dhe në fund burimeve minerale. Në fakt, përparësia i duhet dhënë naftës, gazit dhe burimeve minerale.
Më 5 nëndor 2014 qeveria “Rama-Meta” vendosi ta transferonte Fakultetin Gjeologji-Miniera në një godinë tjetër. Ky do të ishte fillimi i shkatërrimit të plotë të këtij fakulteti. Studentët dhe pedagogët protestuan, por kryeministri Rama i mashtroi. Pas 5 vjetësh, më 22 maj 2019, qeveria “Rama” u detyrua t’a anulonte vendimin e mëparshëm për transferimin e fakultetit, si rezultat i protestave të studentve të universitetit. Sot Fakulteti Gjeologji-Miniera është lënë pas dore. Ai është “anemik”. Ai nuk diplomon me shumicë ing. gjeolog nafte, ing. gjeofizik dhe ing. miniere, sepse qeveria naftën dhe minierat ua ka dhënë të huajve,
Pra, popullit shqiptar iu shkatërrua industria, iu hoq nafta dhe minierat, iu shkatërrua bujqësia… Prandaj shqiptarët janë të varfër dhe po largohen nga Shqipëria. Pse ndodhën këto? Për këtë ka dy shpjegime: 1- Qeveritë, pas vitit 1990, kanë qenë dhe janë të paafta. 2- Qeveritë i kanë bërë këto punë të këqija qellimisht. Në të dy rastet, qeveria “Rama” duhet të largohet nga pushteti. Është paturpësi e madhe t’i kërkosh popullit prap votën, për një mandat të tretë, për të vazhduar keqqeverisjen e Shqipërisë. Edhe opozita është shumë fajtore. Populli duhet të gjejë se kujt t’ia jap votën.
Të gjitha qeveritë, pas vitit 1990, goditën industrinë, naftën dhe minierat, domethënë goditën gjeologjinë dhe bujqësinë. Qeveritë shqiptare, pas vitit 1990, nuk kanë ditur, ose nuk kanë dashur të administrojnë mirë pasuritë e pafundme të Shqiperisë. Bie në sy goditja e gjeologjisë. Pse? Sepse kështu qeveritë kanë goditur gjeologjinë ekonomike, e cila është një disiplinë e shkencës, që përqendrohet mbi materialet e tokës, të cilat mund të përdoren për qellime të zhvillimit ekonomik. Shpesh qellimi kryesor i studimit të gjeologjisë ekonomike është të gjejë rezerva të reja nafte, gazi dhe depozita të reja xeherore për shfrytëzim. Pra, të goditësh gjeologjinë do të thotë të goditësh ekonomin. Kush i bëri të pasura vendet arabe dhe Norvegjinë? I bëri nafta dhe gazi, si pasuri kombëtare (shtetërore). Kush e fuqizoi Rusinë, pas vitit 1990? E fuqizoi nafta dhe gazi, si pasuri kombëtare (shtetërore). Kush e forcoi ekonominë e Gjermanisë, Francës, Anglisë etj.? Përveç tjerash, e forcuan rezervat e mëdha të hekurit dhe të qymyrit antracit. Por naftën, gazin, hekurin, qymyrin antracit etj. i zbuloi gjeologjia!! Po Shqipërinë a mund t’a bëjë të pasur gjeologjia ? Sigurisht që PO! Pra, duhet të mbështetemi tek pasuritë natyrore dhe tek bujqësia, pastaj tek turizmi etj., sepse kemi klimë shumë të mirë. Toka shqiptare është shumë e pasur me burime natyrore: Naftë, gaz, krom, bakër, hekur-nikel, boksite, materiale ndërtimi, gurë dekorativë (zbukurimi), ujra të pijshme etj., etj.
Disa nga këto pasuri janë të kalibrit botëror. Këtu perfshihen: Nafta, gazi, kromi, hekur-nikeli dhe boksitet (xeheror i aluminit, Al2O3). I njohin këto pasuri dhe perspektiva qeveritë shqiptare? Jo, aspak, sepse po t’i njihnin nuk do të vepronin siç u përmend më sipër. Në qoftë se i njihnin, atëhere do të rezultonte se i kanë keqadministruar qellimisht.
Kam bindjen e plotë, se perspektiva e Shqiperisë Lindore, për naftë dhe gaz, është shumë e madhe (e ngjashme me Azerbajxhanin!). Perspektivë të madhe, për naftë dhe gaz, ka edhe Shqipëria Perëndimore dhe Veriore, domethënë e gjithë Shqipëria!
Për kromin Shqipëria renditet e treta-e katërta në botë.
Rezervat e njohura të hekur-nikelit janë mbi 100 milionë tonë, dhe pritet zbulimi i rezervave të tjera të mëdha.
Për boksitet Shqipëria ka perspektivë të afërt shumë të madhe. Në zonën e Alpeve Shqiptare Perëndimore (pranë Malit të Zi) pritet të zbulohen rezerva shumë të mëdha të boksiteve të bardha, cilësore sikurse në Mal të Zi. Pozicioni i tyre, në prerjen stratigrafike, dihet shumë mirë, por, me sa duket, boksitet e bardha janë ngatërruar me shkëmbinjtë gëlqerorë, të cilët janë gjithashtu të bardhë. Boksitet e bardha ndodhen në Kretak të poshtem (në katet Berriasian-Valanzhinian dhe Barremian-Aptian). Boksitet e bardha shoqërohen me fosilet e algeve Charophyta!! Këto alge janë të ujrave të ëmbla (kënetore), prandaj tregojnë diskordanca në depozitimet detare, me të cilat lidhen boksitet. Harofitat tashmë janë të përcaktuara. Depozitimet me harofita kanë trashësi relativisht të madhe dhe përhapje të gjerë, rreth 1000 km2. Pa dyshim, duhen bërë vetëm analizat kimike, që të faktohen boksitet. Pra, lugina e lumit Cem, dhe krahina e Kelmendit (Tamara dhe Malësia e Madhe) pritet të jenë shumë të pasura me alumin.
Çfarë pasurie na mungon? Asnjë pasuri nuk na mungon. Na mungojnë vetëm qeveritë e afta dhe atdhedashëse. Na mungon vetëm qeverisja e mirë e tyre. Duhet bërë nacionalizimi (kombëtarizimi, shtetëzimi) i pasurive strategjike kombëtare. Pra, duhet nacionalizuar nafta, gazi, kromi, bakri, hekur-nikeli dhe boksitet. Duhet forcuar shteti, krahas pronës private. Studimet dhe kërkimet gjeologjike duhet t’i bëjnë vet shqiptarët. Duhet forcuar Fakulteti Gjeologji-Miniera. Fillimisht, investimet kryesore duhen bërë kryesisht në sektorin shtetëror të naftës. Mungesën fillestare të parave, të nevojshme për zhvillimin e sektorit shtetëror të naftës, le t’a zgjidhim duke vënë në punë paratë e popullit (të pasanikve shqiptarë), dhe të mos ua japim naftën dhe gazin të huajve. Kështu veproi Norvegjia, dhe nuk ua dha naftën dhe gazin të huajve. Të marrim shembull prej saj, ku çdo banor është një milioner, në saje të naftës shtetërore. Po të jetë nevoja, le të marrim edhe kredi nga jashtë. Nafta dhe gazi sigurojnë shlyerjen e kredisë, dhe sjellin të ardhura të mëdha. Populli shqiptar, me një qeverisje të mirë, shumë shpejt mund të arrijë mirëqënien e shteteve më të zhvilluara të Europës.