GJOKË DABAJ: ILIR META NË ATHINË, ED’ RAMA NË BEOGRAD E NISH

Durrës, 16. 10. 2016: (Refleksione) Shkoi z.I.Meta në Athinë dhe unë nuk po di ç’punë bëri atje. Kuptohet, po them nuk po di, jo thjeshtë si autor i këtij shkrimi, por si pjesë e një numri jo të pakët shqiptarësh bashkëmendimtarë.
Thuhet se u fol për një farë ligj lufte. Thuhet, pra, se shteti grek është në gjendje lufte me shtetin shqiptar qysh në vitin 1941. Thuhet edhe se po ai shtet grek ka qenë në të njëjtën gjendje lufte edhe me Italinë, por atë ligj të gjendjes së luftës me Italinë shteti grek e paska abroguar me kohë, ndërsa këtë me shtetin shqiptar nuk e paska abroguar. Unë po bëj këtë pyetje: A ka shkuar kryetari i parlamentit italian për t’i kërkuar parlamentit grek abrogimin e atij ligji? E bëj këtë pyetje, sepse nuk e di si ka ndodhur dhe se më duket e çuditshme të shkojë atje një kryetar parlamenti pa u trembur se do ta vrasin dhe të kthehet prej andej, me gjithë guximin e pashembullt, pa ia arritur qëllimit, dmth, pa e vënë në rresht parlamentin grek dhe pa e detyruar atë të votojë abrogimin.
U tha se, krahas problemit të madh që shteti grek është në gjendje lufte me ne, z.I.Meta foli me autoritetet luftëkërcënues grekë edhe për një punë të vogël, për patentat e shoferëvet dhe për njohjen e disa lejeqëndrimeve, për të cilat emigrantët shqiptarë po shpenzokan dynjanë e paravet. A thua nuk do të mund t’i kryente këto punë dikush tjetër, por u dashka të shkojë gjer në Athinë kryetari i parlamentit?!
U tha se duhet të hedhim prapa krahëvet të kaluarën dhe të shikojmë “me guxim” drejt së ardhshmes. Unë sinqerisht nuk e kuptoj se si mund të ndërtohet një histori duke filluar nga hiçi.
Zoti A.Cipras i sugjeroi zotit I.Meta për të mos dëgjuar “disa zëra nacionalistësh” të shqiptarëvet, por për të ndërtuar një fqinjësi të mirë pa ua vënë veshin atyre “zërave”. O Zot i madh! A nuk është aspak nacionalist zoti A.Cipras, që na “këshillon” ne shqiptarët të mos jemi nacionalistë?! A nuk është një nacionalizëm i pastër kërkesa për t’u ndërtuar varre ushtarëvet të vrarë në kohën e Luftës së Dytë, kudo që ata të jenë vrarë?! Fundja, ç’të keqe ka të jesh nacionalist, kur nuk je shovinist?! Qenka, pra, kusht që të mos flasim e të mos punojmë për kombin tonë, të mos i kujtojmë varret e të parëvet tanë, vrarë e masakruar nëpër rrugë, nëpër sheshe e në shtëpi brenda?! A i ka vënë kusht Gjermania Izraelit që ai të mos flasë për genocidin kundër hebrenjvet?! Më vjen keq të them, por, në këtë rast, kryetari i njërit prej parlamentevet shqiptarë nuk e ka as dinjitetin e një miu të hatullavet.
Shkoi në Greqi, jo për të kërkuar prej pushtetarëvet grekë fqinjësi realisht të mirë, por për të marrë prej tyre një dekoratë! Si mund të pranojë një shqiptar një dekoratë prej një shteti, i cili ligjërisht është në luftë me shqiptarët?! A e di z.I.Meta se, të pranosh një dekoratë prej një shteti, i cili është në gjendje lufte me shtetin tënd, do të thotë tradhti kombëtare?!

Shkoi në Athinë dhe s’bëri as ciu as miu për të drejtat e çamëvet ortodoksë dhe të krejt ortodoksëvet të tjerë shqiptarë, që jetojnë në atë shtet, dyqind vjet të diskriminuar në mënyrën më brutale, duke u mohuar gjënë më të shenjtë që ka njeriu, gjuhën dhe kombin! Shkoi në Athinë dhe nuk kërkoi një takim të veçantë me deputetët shqiptarë dhe arvanitas të parlamentit të atij shteti! Shkoi në Athinë dhe nuk kërkoi të takohet qoftë edhe me përfaqësuesit e ndonjë shoqate arvanitase, për t’u qarë hallin atyre mbi padrejtësitë që u kanë bërë e u bëjnë, tradicionalisht, pushtetarët e shtetit grek!
A e di z.I.Meta sa shqiptarë dhe arvanitas, të kamufluar si grekë, ka në parlamentin grek?! Apo ndoshta as që i ka shkuar mendja për kësi gjërash?!
Shkoi z.I.Meta në Athinë dhe nuk kërkoi as ta shohë një libër historie e një libër gjeografie të shkollavet të mesme, që të marrë vesh se çfarë thuhet atje për shqiptarët dhe për Shqipërinë?! Të shikonte të paktën si emërtohet gjysma jugore e Shqipërisë së Jugur dhe si emërtohet gjysma veriore e Shqipërisë së Jugut!
***
Shkoi z.Ed Rama në Beograd e Nish dhe unë prapë nuk e kuptova cili është efekti pozitiv i shkuarjes së tij atje.
Dua të më kuptojë lexuaesi: Unë nuk jam kundër shkuarjevet të udhëheqësvet tanë në Beograd e në Athinë. Por jam që ata të thonë e të bëjnë atje, jo ç‘u duhet karrieravet të tyre, por ç’i duhet ekzistencialisht Kombit Shqiptar.
Ai takim në Beograd u quajt „Forum i sigurisë“ dhe muret e sallës ku u mblodhën pjesëmarrësit, ishin mbushur me këtë emërtim edhe në gjuhën angleze. Unë nuk e di… sinqerisht nuk e di çfarë sigurie mund të promovojnë në gadishullin e sotëm të Ilirisë një E.Ramë dhe një A.Vuçiq, duke shkëmbyer 5 apo 6 batuta në një „bisedë joformale“. Z.A.Vuçiq me siguri e ka llogaritur çfarë do të përfitojë Sërbia duke e thirrur E.Ramën në Beograd dhe duke e çuar prej Beogradit në Nish. Edhe z.E.Rama doemos i ka bërë disa llogari, kur e ka pranuar ftesën e A.Vuçiqit. Por unë, si shqiptar dhe si përcjellës e vëzhgues joindiferent i ngjarjevet, jam shumë i interesuar të di e të kuptoj ç’fituan shqiptarët nga ky udhëtim i njërit prej kryeministravet tanë.
Vetë fakti që atje nuk shkoi kryeministri tjetër i yni, z.I.Mustafa, më bën të dyshoj në suksesin edhe të këtij që shkoi.
Në Beograd nuk dëgjuam të thuhet gjë tjetër, përveç asaj që z.E.Rama, duke qeshur, i përsëriti z.A.Vuçiq që Sërbia duhet ta njohë Republikën e Kosovës dhe, prapë duke qeshur, ia „sqaroi“ që Trepça nuk mund të çohet në Beograd.
Edhe z.A.Vuçiq i priti me buzëqeshje “ngacmimet” e Ramës, reagoi me një sistem rrotullash diplomatike, por u rezervua t’i thotë Ramës: „Or, i mençur! Or, më i mençur se unë! Unë nuk kërkoj të vijë Trepça në Beograd, por këkoj që paratë e Trepçës t’i marrë Beogradi.”
Ne e dimë që floririn dhe argjendin e Trepçës i kanë marrë sërbët edhe në Mesjetë, qysh prej zhupan Nemanjës, edhe pas Mesjetës, kurse arbërit e më vonë shqiptarët, që i kanë në tokën e vet ato miniera, nuk kanë marrë kurrë ç’duhej të merrnin prej asaj pasurie. Vetëkuptohet, për fajin tonë!
Shumë prej shqiptarësh do të dëshironin që Ed Rama, me cilësinë e njërit prej kryeministravet të njërit prej shtetevet të shqiptarëvet, ta kish trajtuar në atë “Forum sigurie” problemin tepër sigurirrënues të literaturës kundërshqiptare të Sërbisë. Nuk e di pse nuk e trajtoi këtë themel të marrëdhënievet midis dy kombevet, pa rregullimin e të cilit as që mund të ëndërrohet një fqinjësi normale.
Me kaq mbaroi “Forumi i sigurisë” i Beogradit. Gadishulli ynë u mbulua me një pelerinë shumë të ngrohtë sigurie, sado që aty nuk pamë të merrnin pjesë as kroatët, as sllovenët, as grekët, as rumunët, as bullgarët, as turqit, as malazezët, as sllavo-maqedonët, as boshnjakët. A thua vetëm prej shtetit sërb dhe prej njërit prej shtetevet shqiptarë varet siguria në këtë hapësirë të Evropës?! Dua të them: Mos, në këtë mes, nuk është fare halli i sigurisë në shkallë gadishulli, por është thjeshtë halli i sigurisë për të dalë Sërbia në Durrës, si dhe për ta shitur Ed Rama në sa më shumë ekzemplarë “Kurbanin”?!
Tek po e përfytyroja udhëtimin e Ed Ramës nga Beogradi për në Nish, nëpër mendje po më lëvrinin varg e vorbull mendime të shumtë. Në ish-Sanxhakun e Nishit janë jo më pak se 700 ish-fshatra shqiptarë, banorët e të cilëvet janë vrarë ose dëbuar këtu e 150 vjet më parë. Banorët shqiptarë janë vrarë ose dëbuar, ndërsa varret e tyre kanë mbetur aty dhe janë aty edhe sot e kësaj dite, sado që sipër tyre mund të kenë shkuar parmenda e plugje pa fund.
700 palë varreza, të lëruara e të rilëruara, po e “përshëndesnin” me mijëra duar kokalla Ed Ramën, tek po kalonte andej, por ai as që e kish mendjen atje. (Ciprasi, ndërkohë, e ka mendjen ditë e natë te varrezat e paraardhësvet të vet, vrarë nëpër viset tanë, ku ne nuk i kishin ftuar.)
M’u kujtua, për asociacion psikologjik, një këngëtare e jona, e njohur tashmë, sepse e kemi dërguar edhe në Eurosonj: Norë Nishliu. Llagapin e ka Nishliu. Por pse nuk jeton në Nish kjo Nora jonë?! Dhjetëra mijë shqiptarë të tjerë, nga Toplica, Jabllanica, Leskoci, Vranja, Kurshumlia e Prokupla, jetojnë sot në pjesët e tjera të Shqipërisë, ndërsa varret e të parëvet i kanë atje dhe nuk mund të shkojnë as për t’u ndezur një qiri. Nuk mund të shkojnë, por edhe sikur të shkojnë, nuk mund t’i gjejnë, pasi edhe gurët e atyre varreve prej kohësh janë shkulur, copëtuar e tretur.
M’u kujtua edhe Konstantini i Madh, ky perandor i yni me nam, i cili i ka rrënjët pikërisht në Nish. A thua do të shkonte Ed Rama për të parë muzeun që i kushtohet atij perandori, apo ndoshta edhe ky kujtim i së kaluarës do t’i dëmtonte marrëdhëniet shqiptaro-sërbe?!
Ka mbetur vetëm e shijshmja allbanska sallata për t’u përmandur në atë qytet të stërlashtë iliro-arbëror. Asgjë tjetër!
Ed Rama dhe A.Vuçiqi kanë për t’i mbledhur në dheun e Naisusit një tufë tregtarësh dhe kanë për t’u thënë: “Bëni tregti njëri me tjetrin dhe mos mendoni gjë tjetër, përveç asaj që ka lidhje me xhepin tuaj!”
A.Vuçiqi do t’u thotë tregtarëvet sërbë: “Shqiptarët janë njerëz që e mbajnë fjalën, prandaj mos ngurroni të bëni tregti me ta!” Me fjalë të tjera: “Shqiptarët janë njerëz naivë, prandaj mos ngurroni t’i gënjeni!”
Ed Rama, në ata çaste, me siguri do të nanuriset me proverbin tonë të famshëm “Shtëpia e Shqiptarit, e mikut dhe e shtegtarit” dhe, kur do ta pyesin: “Po ti ç’mendim ke për sërbët?”, ai do të përgjigjet thjeshtë dhe qartë: “Inati juaj”… ( “Për të na zhvatur sa më shumë!”, Gj.D.)
Përfundimisht, Nishi ka qenë dikur i yni, por, doemos edhe për fajin e të parëvet tanë, ai s’ka për të qenë kurrë më as i yni, as i pasardhësvet tanë. Por të paktën të dihet! Ta dinë edhe sërbët, sepse kjo vetëm mirë do t’i bënte fqinjësisë sonë!
Ndërsa Durrësi s’ka qenë kurrë i sërbëvet, për meritë të të parëvet tanë, kurse tash e tutje, për fajin tonë, ai do të jetë më shumë i tyret se sa i shqiptarëvet.
M’u kujtua edhe diç tjetër “e bukur”. Thuhet se në Sërbi, pikërisht në zonën e Nishit, janë martuar nja 200 a më shumë vajza shqiptare, kryesisht nga rrethinat e Shkodrës. Për rastin e tyre kanë folur e shkruar mediat. Ato ish-vajza shqiptare tani duhet të jenë bërë me fëmijë. Pse nuk kërkoi z.E.Rama një takim me ato bashkatdhetare? Të ish takuar dhe t’i kish pyetur: Në ç’gjuhë u flasin ato nëna shqiptare fëmijëvet të vet gjysmëshqiptarë.
Fill pas kësaj i bëra vetes edhe këtë pyetje: Gjatë kohës kur tregtarët tanë do të komunikojnë me tregtarët e Sërbisë, në ç’gjuhë do tëflasin?
Unë ju garantoj: Të gjithë ata tregtarë shqiptarë që do të shkojnë në Nish e Beograd për të bërë tregti me sërbët, brenda 3 muajsh do ta mësojnë gjuhën sërbe dhe do ta përdorin me shumë mburrje. Ndërkaq, tregtarët sërbë, që do të vijnë në Tiranë e Durrës, as për 30 vjet nuk do ta përdorin gjuhën shqipe. Hiqe mendsh! Edhe punëtorët e ngarkim-shkarkimit në Durrës do ta mësojnë e do ta përdorin gjuhën sërbe.
Gjokë Dabaj – Durrës, 15 tetor 2016

 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura